• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gazeta Rilindja, deklaratë proteste

February 11, 2018 by dgreca

-GAZETA RILINDJA NË 73 VJETOR, 16 VJET DËBIM E MBYLLJE DHE NË PRITJE TË ZGJIDHJES SË LIGJËSHME – DEKLARATË PROTESTE/

1 Rilindja faqe 1-Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre-
1 RILINDJA 1

 Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 Shkurt 2018 do të festonte 73 vjetorin.Por, në këtë Kosovë, në këtë 10 vjetor të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 16 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

“Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në  shkresën e  21 Shkurt 2014.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, ndërsa ish-punëtorët e saj kanë bërë kërkesa për kompensime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i ka mbështetur në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme, si dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 Janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës. Çështja e 20 përqindëshit presim të zgjidhet, ashtu si na është premtuar, pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në parim në 26 janar 2018 në Kuvend të Kosovës, ku u tha se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi Qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”…

Që nga viti 2008, qeveria e Kosovës ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, ndërsa ka marrë më shumë se 700 vendime për shpronësime, mes të cilave të Pallatit Rilindja.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 73 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua e mbyll me dhunë në 7 Gusht 1990 në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, duke nisur me revistën “Fjala” e pastaj duke dalë edhe me emrin e revistës “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunëshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë,  gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunëshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.

Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 Dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë:

“DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË”.

Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilën po e bashkangjesim të plotë.

 *Behlul Jashari-Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson). 

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm

 Prishtinë, 12 Shkurt 2018                                                                          

Tel: 044 278 024

Email: behlul.j@gmail.com, g_rilindja@yahoo.com, behluljashari@hotmail.com

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari, deklaratë proteste, Gazeta Rilindja

Kosovë-Mirëpritet Strategjia e BE

February 6, 2018 by dgreca

1 Dhurata Hoxha

-Kosova mirëpritet Strategjia e BE për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ministrja Hoxha: Sa më shpejtë që t’i kryejmë detyrat tona, më shpejt arrijmë integrimin/

1 Behlul Ministrja

PRISHTINË,  6 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, deklaroi sot se mirëpret Strategjinë e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova.“BE na e ka hapur derën që të bëhemi pjesë e saj, por ne jemi ata që duhet të ecim nëpër këtë derë. Në këtë fazë kemi pritur që të specifikohen më konkretisht hapat rreth procesit integrues të vendit tonë, por, megjithatë rruga jonë drejt BE-së nuk ka alternative”, tha ministrja kosovare.

Ministrja Hoxha vlerësoi se është tejet pozitive që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.

“Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, theksoi ministrja.

Po ashtu, vijoi ajo, është tejet pozitive që BE kërkon kategorikisht që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE.

“Të gjitha detyrat që ne duhet t’i kryejmë janë të përcaktuara qartë në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, Axhendën Evropiane për Reforma dhe Programin për Reforma Ekonomike. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë këto dhe sa më shpejtë që këtë e bëjmë aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE”, është shprehur ministrja Hoxha.

Ajo deklaroi kështu pasi sot është bërë e ditur Strategjia e Bashkimit Evropian për zgjerim në Ballkanin perëndimor.

“Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjitha institucionet e Kosovës që të jemi unikë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, sepse jemi popull dhe shtet evropian dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër”, ka theksuar ministrja e Integrimit.

Ajo ka apeluar për konsensus ndër-institucional dhe një qëndrim të përbashkët mes qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe t’i jepet prioritet më i madh zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe reformave që duhet  bërë.

 

“Vetëm kështu i shërbejmë qytetarëve tanë dhe vetëm kështu do të bëhemi pjesë e BE-së, aty ku e kemi vendin”, përfundon deklaratën ministrja kosovare Hoxha, e cila nesër do mbajë edhe konferencë shtypi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Mirepritet strategjia e BE

Para 19 viteve nisi Konferenca e Rambujesë për Kosovën

February 6, 2018 by dgreca

-Kalendar,Gazeta DIELLI/

1 Rambuje 1

PRISHTINË, 6 Shkurt 2018/ Para 19 viteve, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca u ndërpre në 23 shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 mars në Paris.

Në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovs nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën.  Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.
Në 24 mars filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 qershorit 1999 frcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: 19 Vjet, Behlul Jashari, Konferenca e Rambujese

Kosova 10 vjet pavarësi, Presidenti i adresohet Qeverisë

February 5, 2018 by dgreca

-Kosova 10 vjet pavarësi, presidenti Thaçi në mbledhjen e qeverisë: Rrugëtimi ynë është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik/

1 Qeveri President

  -Presidenti bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë/

2 Thaci-qeveri

 -Kryeministri Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë/

1 Behlul Kamera

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 5 Shkurt 2018/ Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik, tha sot presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkohë që nisin aktivitetet festës së 10 vjetorit të pavarësisë/

“Qeveria e Kosovës e ka pasur, e ka dhe do ta ketë mbështetjen  time të plotë në thellimin  e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, në konsolidimin e brendshëm e ndërkombtërar si shtet”, u shpreh presidenti.Duke theksuar të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit ai tha se, “është momenti i duhur që Bashkimi Evrlopian të konfirmojë se i përket tërë Evropa Juglindore”.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës presidenti Thaçi bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.Duke folur për këto tre propozime presidenti i Kosovës, Thaçi tha:“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë.Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e Kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, e dimë se vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por ,kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë ‘Muzeu i Pavarësisë’, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe, së treti, kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilët do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota”.

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ishte ftuar që me një fjalë t’i adresohej Qeverisë në mbledhjen e sotme.Në vijim të mbledhjes, pas adresimit të presidentit Hashim Thaçi për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë.Kryeministri njoftoi kabinetin qeveritar me zhvillimet e përgatitjeve për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë që mbahen nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kosova në 10 vitet e pavarësisë ka bërë progres të gjithanshëm, ka vlerësuar presidenti Thaçi, në fillimin e këtij muaji, kur kremtohet jubileu i dhjetëvjetorit të 17 Shkurtit historik 2008.

 “Këto kanë qenë 10 vite të progresit të gjithanshëm, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm shtetëror të Kosovës, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit në shumë e shumë organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi në takim me mediat, ku ishte edhe korrespondenti i akredituar i Gazetës DIELLI.

Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Presidenca e Kosovës është duke bërë akreditimin e gazetarëve për mbulimin medial të aktiviteteve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

“Në kuadër të manifestimeve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga 8 deri më 18 shkurt 2018, do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.

Presidenca e Kosovës bën të ditur se ndonëse shumica e aktiviteteve do të jenë të hapura për mediat, aktivitetet e planifikuara në 17 dhe 18 shkurt 2018 do të jenë më të kufizuara, prandaj për të lehtësuar punën  dhe për t’iu mundësuar qasje në këto aktivitete, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, duhet të pajisen me kartelat e veçanta të akreditimit për shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedian vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën tjetër do të ketë edhe nga Evropa për ta pasuruar enciklopedinë e lirë wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.

Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.

Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018, vetëm gjatë fundjaves së kaluar kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës, që do të mbahen në fundjavën e ardhshme,  në 10 e 11 Shkurt 2018 në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK).

FILLOJNË PËRGATITJET PËR MANIFESTIMIN “EPOPEJA E UÇK-së”

Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministren e Integrimeve Evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit zhvillimor të asistencës teknike në procesin e integrimeve evropiane.U miratu edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Erasmus Plus”, program i Bashkimit Evropian për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Qeveria mirtoi edhe nismat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të grantit në mes Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe projektit për shërbime profesionale të pranuesit në kuadër të Programit II të menaxhimit të mbeturinave.Me kërkesë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës qeveria vendosi që të përjashthet nga procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik  blerja e pajisjeve të ndjeshme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Zyra për çështjen e kategorive të dala nga lufta, të fillojnë përgatitjet për manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që do të zhvillohet në javën e parë të marsit nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

***

-Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi drejtuar kabinetit qeveritar për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës -5 Shkurt 2018/

I nderuari Kryeministër Haradinaj
Të nderuar zëvendës-kryeministra, ministra
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Haradinaj për ftesën që të marr pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, që për mua, për secilin nga ju, e mbi të gjitha për qytetarët tanë, duhet të jetë një moment krenarie për rrugën tonë të shtet ndërtimit.Gjithashtu, jemi në prag të publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor e cila patjetër që duhet të krijoj mundësi unike për anëtarësim në BE për Kosovën dhe tërë rajonin.Është momenti duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa Juglindore i përket BE-së, e jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore. Nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për reformat që kemi bërë në të gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë dhe në sundim të ligjit.Por është edhe udhërrëfyes për rrugën tonë integruese në BE.Duke ju uruar dhe përgëzuar për punën i nderuari kryeministër dhe kabinetin tuaj, unë ftoj qeverinë që të punoj më intensitet të madh për zbatimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave. Në kuadër të kësaj edhe të gjitha institucionet, edhe Presidenca, edhe Parlamenti, edhe nivelet lokale në një bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqërinë civile, edhe me mediat, personalitet publike dhe me të gjithë njerëzit kontributdhënës.Natyrisht, fokus i vazhdueshëm i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik, ishte historike nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re nga Qeveria e Kosovës, për çka ju uroj dhe përgëzoj i nderuari kryeministër për rolin tuaj udhëheqës.Rritja e mirëqenies së qytetarëve, rritja e cilësisë së arsimit, shërbimeve mjekësore, rritja e kujdesit për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi i vazhduar për veteranët e UÇK-së, hapja e vendeve të reja të punës, e shumë e shumë çështje tjera mbeten prioritete të të gjitha institucioneve të vendit.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar, 
Qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Mua më vjen mirë që në këto dhjetë vjet të shtetit tonë kemi shënuar progres të vazhdueshëm, edhe pse jo gjithmonë aq sa meritojnë qytetarët tanë.

Kërkesat e qytetarëve kanë qenë  shumë më të mëdha, se mundësitë që kemi pasur si shtet.

Por trendët janë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të na motivoj të gjithëve që të ecim përpara.

Shtet-ndërtimi për ne, nuk ka qenë aspak një proces i lehtë për arsyet që ne të gjithë i dimë.

Kosovës i është dashur që të përballet me sfida shumë të mëdha për të konsoliduar shtetësinë tonë jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në planin e brendshëm.

Vetëm para dhjetë vitesh, pjesa veriore e Kosovës ishe nën kontrollin e strukturave ilegale të Serbisë.

Ndërsa realiteti i sotëm atje është krejt ndryshe. Kemi arritur të mbajmë zgjedhje komunale dhe qendrore, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, përmes të cilave qytetarët tanë kanë zgjedhur liderët e tyre që janë të përfaqësuar në Parlament, në Qeveri dhe në institucionet lokale.

Kemi instaluar policinë dhe gjyqësorin tonë.

Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë policët dhe doganierët kosovarë.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Brenda kësaj periudhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e rajonit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dhënë rezultate pozitive, ani pse ka mbetur për tu bërë edhe shumë.

Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare e cila nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim nder shtetëror.

Pa asnjë dyshim, sot jemi shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira me të gjithë.

Për një shtet të ri, të vogël, të shkatërruar nga lufta, këto të arritura, për një kohë kaq të shkurtë, janë inkurajuese.

Derisa po përgatitemi të festojmë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, jemi krenar me të arriturat e njerëzve tanë në shumë fusha.

Medaljet në sport, shpërblimet në art e kulturë, të arriturat në shkencë e inovacion të të rinjve kosovarë e bëjnë krenar çdo qytetar të Republikës sonë.

Sukseset e tyre meritojnë edhe më shumë vend në hapësirën tonë publike dhe vëmendje më të madhe të institucioneve tona.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, sigurisht që nuk mund të mos i përmendim edhe aspiratat për të ardhmen si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO e BE nuk është e lehtë dhe e shpejtë.

Kjo kërkon përkushtim dhe punë të përqendruar në përballimin e sfidave, atyre të menjëhershme si dhe të atyre afatgjata.

Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, transformimin e shpejtë e të suksesshëm të Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit si dhe ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.

Por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri më tani, sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhur përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Është për lëvdatë edhe puna e pjesëtarëve të FSK-së që të përfshijnë të gjitha komunitetet dhe të shtojnë nivelin e profesionalizmit, ndërtimin multietnik të kësaj ushtrie, duke bërë të mundur  themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Si shoqëri kemi qenë të vendosur dhe kemi vepruar bashkë, në nivel institucional dhe në nivel të përgjithshëm shoqëror, që ta parandalojmë depërtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.

Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë aktive e luftës antiterroriste, pra e koalicionit global antiterrorist.

Duke qëndruar prapa obligimeve tona ndërkombëtare, nga njëra anë demonstrojmë  përgjegjësi të lartë para bashkësisë ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ruajmë dhe forcojmë partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ndër sfidat afatgjate janë ato të njëjtat që kanë qenë sikur të gjitha shtetet tjera fqinje – zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Edhe sa i përket gjykatës speciale ani pse e padrejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryej me përpikëri marrëveshjet që kemi arritur.

Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n.

I nderuari kryeministër Haradinaj,  
Kabinet qeveritar

Është e vërtetë që në historinë tonë, nocioni shtet shumë gjatë ka qenë sinonim  i një trupi të huaj dhe armiqësor.

Por, fatbardhësisht, prej çlirimit të Kosovës, e sidomos dekada e fundit dëshmon faktin që për herë të parë në histori kemi shtetin tonë, që punon për paqe, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.

Ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica dhe punë të përhershme.

Ne e kemi për detyrë që të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë.

Për këtë qëllim, ne duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Qeveria e Kosovës, e ka pasur e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë.

Do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si shtet.

Prandaj, ju uroj i nderuari kryeministër Haradinaj ju dhe ekipin tuaj, për hapat që i keni ndërmarrë në këtë periudhë të shkurtër kohore.

Jam shumë i vetëdijshëm për lëshimet, dobësitë, sfidat që mund të ballafaqohemi në punët tona ditore, por rrugëtimi ynë është i qartë i saktë, dhe me vizion euroatlantik.

Në shërbim të këtij qëllimi, si presidenti i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën tuaj që të marrë pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke përfituar nga kjo mundësi e sotme, por edhe traditë e re që uroj që të vazhdon edhe në të ardhmen, unë dua të bëj sot me mirëkuptimin tuaj tri propozime të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e kabinetit qeveritar dhe të qytetarëve të vendit tonë.

Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohë dhe prezantimit real të  zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por kjo nuk mjafton.

Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe së treti, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një Obelisku të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilit do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota.

Unë dua të besoj së shteti ynë, përkundër sfidave të mëdha që kemi, do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë realitet këto projekte të rëndësishme, të cilat do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë historike pozitive.

I nderuar kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këto dhjetë vite kanë qenë vite të suksesit por edhe të mësimit me përgjegjësitë dhe obligimet që kemi përballë institucioneve tona shtetërore.

Kemi ecur shumë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme.

Jemi mirënjohës për sakrificat e bëra nga gjenerata të tëra për shtetin tonë.

Pas pak do të shënojmë edhe 20 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe Epopejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E dimë se cili është destinacioni ynë, integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO, për këtë na nevojitet punë dhe përkushtim i të gjithëve, i Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, partive opozitare, shoqërisë civile, mediave, të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe mbështetjen e diasporës, por unë kam besim se bashkë do t’ia arrijmë.

Kam besim tek qytetarët tanë, ne duhet ta kultivojmë besimin e qytetarit tek politika dhe institucionet që duke punuar së bashku dhe me përkushtim, jo vetëm që do të ecim me hapa të sigurt drejt familjes euro-atlantike, por do të forcojmë edhe më tepër dashurinë dhe respektin për shtetin tonë, për të kaluarën tonë, por para së gjithash për të ardhmen tonë.

Edhe njëherë Gëzuar dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës juve kryeministër i nderuar, juve Kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, është një nder dhe kënaqësi e veçantë që kisha këtë mundësi që t’ju drejtohem sot dhe ju falënderoj për këtë mundësi edhe njëherë i nderuari kryeministër.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 10 Vjet Pavaresi, Presidenti Thaçi, qeveria

KOSOVË-KUVENDI NIS ME SEANCAT E VITIT 2018

January 25, 2018 by dgreca

Kosove-Kuvend-Kuvendi i Kosovës sot në mesditë përfundoi seancën e 14 dhjetorit 2017, ku u diskutua e votua për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror/

-Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me shumicë votash është procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione/

-Në mbledhjen e  parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi  kishte vota të barabarta (5:5), prandaj për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 25 Janar 2018/  Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot paradite vijimin e seancës plenare të 14 dhjetorit 2017 për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror.Në fillimin e  vijimit të seancës u konstatua se marrin pjesë 62 deputetë nga Kuvendi 120 aëtarësh, të cilët me shumicë votash miratuan Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016.

Në vijim u kaluan, poashtu me shumicë votash, Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

Në fillimin e seancës paradite dhanë betimin dy deputetë të rinjë nga Lëvizja Vetëvendosje, Shemsi Syla në vend të Mytaher Haskukajt i zgjedhur kryetar i Prizrenit e Salih Zyba në vend të Qëndron Kastratit i zgjedhur kryetar i Kamenicës në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë.

Në seancën e re të Kuvendit të Kosovës, mes 19 pikave në axhendë janë 6 projektligje – për kontrollin e brendshëm të financave publike; për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik; për trajtimin e ndërtimeve pa leje; për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe  Projektligji për Azil – në shqyrtim të parë, ndërsa në shqyrtim të dytë Projektligji për Standardizim.

Pjesë e axhendës janë edhe shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur, një interpelancë, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Axhenda 2030 për Kosovën, si dhe i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.

Axhenda u përcaktua në 22 janar  në mbledhjen e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, e ftuar për në fillimin e sesionit pranveror në 15 janar, por e shtyrë për datën 17 dhe përsëri e shtyrë në mungesë kuorumi, e ku propozimet dhe kërkesat për shqyrtim kishin të të bëjnë edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Special.

Me shumicë votash u procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Përfaqësuesit e LDK ishin larguar nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës sapo është përmendur nisma, që e kundërshtojnë, për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.Kuvendi i Kosovës nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, sipas njoftimit zyrtar, ishte në pushim dimëror, pasi me miratimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve.

Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re. Në mbledhjen e 4 dhjetorit 2017 Qeveria ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk janë në axhendë të seancave plenare.

Në nisjen e sesionit pranveror të hënën e 15 janarit në Kuvendin e Kosovës vijoi shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në mbledhjen e  parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Projektligji u hodh në votim, i cili rezultoi me vota të barabarta (5:5), dhe në këtë rast, për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi.

Në 4 gusht 2016 Qeveria e  Kosovës, e mandatit të kaluar, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura kuvendore. Në ditën e parë të punës të Qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej propozimi për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe paralajmërohej krijimi i Komisionit të ri.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i Kosves per 2018, nis punimet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT