• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRROI JETË BUKURIJE OMERBASHA(BERISHA), FAMILJA PRET VIZITA NGUSHËLLIMI TË DIELËN ME 7 PRILL

April 4, 2013 by dgreca

Familja, pret vizita ngushellimi në kujtim të se ndjeres, ditën e djelë me datë 7 prill 2013 prej orës 10 paradite deri në orën 9 në mbrëmje.

ADRESA : 660 EAST /183 STR APT 1B , BRONX , NY

Bukurije Omerbashi(Berisha) lindur në Mitrovicë (Kosovë) 15 korrik 1943 banuese në Tiranë që prej vitit 1946   ndwrroi jetë më 25 mars 2013 ora 9:05 në spitalin Montefiore në Bronx. Bukuria kaloi një periudhë të gjatë vështirësishë e përpjekjesh me sëmundjen që nga viti 1976 . Ishte një grua shumë e fortë e kurajoze në përballimin e  sëmundjes; me optimizmin që e karakterizonte ajo mposhti situatat  tepër të vështira që iu krijuan në rrethanat e gjendjes shëndetsore të rënduara . E donte shumë jetën, ajo falte gjithmonë mirësi e dashuri ga shpirti i saj. Largimi i së ndjerës nga jeta ishte për ne një goditje shumë e rëndë e pa pritur. Ishte një sëmundje shumë e rëndë që u sul mbi të kohët e fundit e cila sfidoi kohën dhe të gjitha përpjekjet që u bënë për ta mbajtur në jetë ( leucemi), rezultuan të pafrytshme . Bukuria ishte një grua e urtë dhe e dashur , ajo zinte një vend të respektuar tek miqtë dhe të afërmit e saj. Njeriu ynë i dashur u largua nga kjo jetë, por la pas buzëqeshjen e saj , dashurinë dhe respektin për njerëzit që ia ushqeu dhe fëmijeve të saj, djalit e vajzës. Ajo ishte një gjyshe shembullore dhe e dashur . Dëshira e saj ishte që të pushonte përgjithmonë atje ku jetojnë fëmijët e saj në qytetin   Jacksonville , Florida dhe kjo dëshirë iëu plotësua . Me datën 30 mars 2013 ora 13:30 ne e përcollëm atë në banesën e fundit në praninë e dhjetra e dhjetra bashkatdhetarve e qytetarë vendas.

Presim vizita në kujtim të saj ditën e djelë me datë 7 prill 2013 prej orës 10 paradite deri në orën 9 në mbrëmje.

ADRESA

660 EAST

183 STR APT 1B , BRONX , NY

MUSTAFA OMERBASHI ( BASHA) BASHKESHORTI , VAHIDI (DJALI) MIRELA (VAJZA).

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, Bukurie Omerbasha, Mirela, Mustafa, vaid

HARMONIA FETARE, MESAZHI I SHQIPTAREVE PER KOMBET E TJERA

December 22, 2012 by dgreca

Shqiptarët janë në komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.”

Kryeministri Berisha dha  një pritje koktej me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në pritje ishin të pranishëm drejtuesit e bashkësive fetare në vend: Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, Zëvendskryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare nga Kosova dhe Mali i Zi.

Fjala e Kryeministrit Berisha në pritje.

“Është një rast i veçantë për mua të përulem me nderimin më të thellë para veprës së ndritur të këtyre burrave, të cilët me përkushtimin e tyre, me vetëmohimin e tyre, me besimin e tyre të pakufishëm tek Zoti dhe në shërbim të tij, kanë bërë që shqiptarët të festojnë sot, krenarë para Zotit, Krishtlindjet, një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave, lindjen e burrit dhe Hyjit, i cili me mendimin, me trashëgiminë, por edhe me sakrificën e tij sublime në shërbim të Zotit dhe të njeriut, ndikoi aq fuqishëm në moralin njerëzor, në moralin e qytetërimit perëndimor.

Ndaj dhe urimin e parë e kam për ju, mirënjohjen më të thellë për veprën tuaj të ndritur, e kam për të gjithë besimtarët të krishterë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit në Shqipëri, besimtarët ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe të gjithë ata që i luten Zotit dhe i besojnë atij, iu uroj Krishtlindjet gëzuar! Uroj nga zemra që t’i festojmë ato gjithnjë e më mirë.

Këto krishtlindje i festojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i kremtojmë gjithashtu pas një rilindje të vërtetet të besimeve fetare, të cilat u rrënuan nga një ideologji çnjerëzorë. I kremtojmë të lirë dhe unë jam i bindur se ka shumë arsye që të besojmë që Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë, më të bashkuar, më të begatë, më të sigurt dhe më përpara në projektin tonë të madh të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, të ndërtimit të Shqipërisë Europiane.

Një përshëndetje të përzemërt dua t’u jap ambasadorëve, duke filluar së pari me Nuncin Apostolik, përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë dhe të Atit të Shenjtë në Shqipëri, këtij Aleati të përjetshëm të shqiptarëve, mbështetësit të vendosur të çështjeve të drejta të tyre. Ju uroj ju shkëlqesi ambasadorë, familjeve tuaja, kombeve tuaja, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Uroj prosperitet, paqe, stabilitet dhe të ardhme gjithnjë e më të ndritur për kombet tuaja të mëdha, mirëkuptim, paqe dhe harmoni për të gjithë.

Ky vit i lëshon vendin një viti tjetër të madh në historinë e njerëzimit, vitit të ediktit të Milanos, në të cilin dy perandorë, – rastësi apo jo, le ta gjykojnë historianët – dekretuan së bashku lirinë fetare. Edikti i Milanos është një nga aktet më të mëdha në historinë e njerëzimit, pas lindjes dhe ringjalljes së Krishtit. Ky akt i hapi rrugën paqes, mirëkuptimit, respektit reciprok, të njerëzve me besime të ndryshme dhe iu dha qytetarëve lirinë të përzgjedhin besimin që duan.

Shqiptarët në këtë horizont janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Një komb, të cilit linja e Teodosit i ra në të gjithë gjatësinë e tij. Kisha u nda, por kombi mbeti unik. Më vonë sërish linja të tjera ranë mbi të, tani jo linja e Teodosit, por linjat e Huntingtonit, përsëri kombi mbetet unik. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.

Ndaj le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera.

Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Ju falënderoj me mirënjohje që erdhët sot, këtu, dhe më dhatë mundësinë të uroj secilin prej jush. Gëzuar!”

…

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, Harmonia Fetare, per festat, Pritje

Kryeministri Berisha: Shqipëria nuk ka pretendime territoriale

December 13, 2012 by dgreca

Komentet e kryeministrit shqiptar duket se vijnë si një reagim për të qetësuar fqinjët, që shprehën shqetësim për deklarimet e tij.

Në Tiranë kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së qeverisë së tij se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale. Komentet e kryeministrit Berisha duket se vijnë si një reagim për të qetësuar fqinjët e vendit të cilët shprehën shqetësim për deklarimet e tij vecanërisht gjatë festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë mbi bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike.
Madje edhe në përfundimet e djeshme të Këshillit të ministrave të BE për Shqipërinë ishte përfshirë një paragraf ku kërkohej që të shmangeshin deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Megjithatë zoti Berisha tha se askush nuk mund të mohojë që shqiptarët janë ndarë në 5 shtete, dhe se mohimi i këtij fakti sipas tij nuk i shërben stabilitetit.
Kryeministri përsëriti edhe një herë se albanofobia, sic tha ai, mbetet problem serioz, duke ftuar fqinjët “të mirëkuptojnë në interesin më të mirë të tyre kapërcimin e ndasive njëshekullore të vendosura në mënyrën më të padrejtë ndaj shqiptarëve”, nënvizoi zoti Berisha.(kortezi: Armand Mero-Zeri i Amerikes)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, jo pretendime, shqiperia, territoriale

NGA BERISHA DHE RAMA VJEN SHOW POLITIK DHE INFANTILIZËM SHTETFORMUES

December 7, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë ishin organizuar me vetëdije shtetërore. Por nderim dhe respekt meritoi kombi shqiptar për nivelin e kulturës demokratike dhe ekuilibrin. Megjithëse ishte një festim fitimtar pas një shekulli tragjik, shqiptarët nga të gjitha trojet demonstruan pjekuri dhe një gëzim legjitim. Sepse përballë të djeshmes së kallur në luftra, konflikte, genocid, dëbime masive, shqiptarofobi dhe diktatura, tani kombi shqiptar i ndarë në pesë shtete ndodhet në prag të integrimeve Euro-Atlanike. 
Mrekullia e këtij festimi ishte se Shqipëria në paradën ushtarake parakaloi bashkë me 12 vende aleate të NATO-s, si vend anëtar i Aleancës ushtarake, garanci kjo, për të mos lejuar më trazira dhe turbullira në dëm të shqiptarëve. Ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve të integruar në NATO dhe BE. Ky është objektivi që duhet të arrijnë shqiptarët dhe drejt këtij objektivi duhet t’i drejtojë klasa politike, e cila në vend të përgjegjshmërisë karakterizohet nga arrivizmi politik, ku etja për pushtet është kthyer në paranojë. Për të gjithë, papërjashtim.

Në festimet e 100 vjetorit, paçka se pati lëvizje të madhe, dhe prurje të madhe festuesish nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora gjithçka shkoi për mrekulli, nuk pati asnjë incident që të prishte shijen e festimeve, përveçse u nderuan simbolet e kombit dhe gjithçka u vesh me flamuj të kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Kaq. Fqinjët u irrituan edhe nga kjo, por le të irritohen dhe le të shërohen nga albanofobia që në dekadën e fundit prodhoi të paktën tri konflikte, ai i Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. T’i falesh flamurit të kombit dhe të nderosh Isa Boletinin, Ismail Qemalin apo Hasan Prishtinën bën veç detyrën ashtu si veprojnë francezët, italianët, amerikanët, gjermanët, polakët, çekët. Nuk po i marr assesi si shembull fqinjët sepse ata kanë dëshmuar përherë shqiptarofobi dhe nacionalizëm të sëmurë.

Dhe do të thuhej se gjithçka shkoi ashtu si e dëshironte zemra e çdo shqiptari, sikur të mos përballeshim me shijen e hidhur të konfliktualitetit midis palëve edhe në ditën e madhe, me sjelljet vulgare për të festuar veç dhe ndarë dhe që u kulmuan me retorikën e Berishës e cila vazhdon prej 28 nëntorit. Nuk do ta „fajësoja“ për rastin „Preveza“ sepse Berisha iu referua kontekstit historik. Në këtë rast, po të kishte mendësi shtetformuese, do të duhej të dilte Ed Rama e ta mbronte, si do të duhej të vepronte Berisha nëse do të„shkiste“ Rama. Por në politikën shqiptare ekziston ligji i xhunglës, që do të thotë se kur je duke rënë nuk të japin dorën por shkelmin për të rënë sa më poshtë që të jetë e mundur, mundësisht në greminë.

Kur u mendua se u tejkalua incidenti diplomatik, dhe pala greke u sqarua, Majlinda Bregu doli e lajmëroi se qeveria shqiptare do të mblidhet pas festimeve në Vlorë, atje ku mblodhi qeverinë e parë Ismail Qemali. 

Kur Berishës do t’i duhej t’i largohej euforisë së festimeve, e cila gjithësesi ishte legjitime, për t’iu afruar realitetit, Berisha bie në një tjetër eufori, ku nga kryeministër vetëshpallet aktor dhe bën show në nivel amator dhe infantil.

Sot, kryefjala e klasës politike shqiptare, kudo qofshin, është integrimi sa më i shpejtë i shqiptarëve si komb në NATO dhe BE sepse jemi të fundit në rajon.

Çfarë kërkon kjo? Përgjegjshmërinë dhe sjelljen e shtetarit për të ndërtuar shtetin e të drejtës. Kurrsesi provokime që bien erë destruktivizëm.

 

„Shteti i së drejtës“ është një doktrinë me origjinë nga drejtësia gjermane, që po ta pëkthejmë shqip do të thotë „shteti i bazuar tek drejtësia dhe integriteti“, ose „shteti ligjor“. „Shteti i së drejtës“ është një shtet i mbështetur tek kushtetuta, ku pushteti ekzekutiv ushtron pushtetin e tij përmes ligjit. Sipas konceptit Anglo-Amerikan „shteti i së drejtës“ lidhet me konceptin e „rule of law“ – „sundimi i ligjit“, që do të thotë me fjalë të tjera sundimi i drejtësisë në të mirën dhe për të mirën e qytetarit.

Që do të thotë se nëse klasa politike shqiptare arrin ta ndërtojë shtetin e së drejtës, kombi shqiptar integrohet në Europë. Gabim i secilës palë penalizon shqiptarët si komb, i dënon shqiptarët si komb, pa asnjë faj, për fajin e vetëm se vazhdojnë e besojnë tek këta politikanë.

Pas 22 vitesh tranzicion, Berisha deklaroi nga Vlora: „Shtetësi shqiptare pa kushte për çdo shqiptar kudo ndodhet“, kur do të duhej që nga selia e Ismail Qemalit, vajti që vajti, ta kishte ftuar edhe liderin e opozitës dhe prej andej të deklaronin bashkë, se të gjitha energjitë do të shkojnë për ndërtimin e një strategjie kombëtare për krijimin e shtetit të së drejtës, i cili do ta bëjë qytetarin shqiptar të ndihet i barabartë në kontekstin e integrimeve europiane. Ky është objektivi, ky është qëllimi. 

Sepse ajo që e shpalli Berisha me daulle dhe me trumpeta, që nuk ka asnjë lloj efekti për shqiptarët, përveç retorikës dhe fuqizimit të fqinjëve tanë me „fakte“ kundër „Berishës nacionalist“, do të mund të arrihej ashtu si e kanë arritur fqinjët tanë me pakicat e tyre. Në Kosovë, çdo serb, ka shtetësi të dyfishtë, atë të Serbisë dhe të Kosovës. Po ashtu çdo kroat, boshnjak apo turk. Edhe në Maqedoni, sllavët e Maqedonisë kanë dy pasaporta, atë të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, si shtet në BE dhe anëtar i NATO-s. Po shteti i Shqipërisë ku është? Po shtetarët e Shqipërisë ku janë? Duke u përleshur me njëri-tjetrin.

Politikanët e Shqipërisë janë në udhëkryq dhe në konfliktet partiake, të cilat janë kthyer në gangrenë për shtetin e së drejtës, i cili duket se është në fund të tunelit. Pasi niveli i korrupsionit, i mungesës së integritetit tek politikanët dhe i lidhjeve të politikës me të shkuarën diktaturiale po e minojnë stabilitetin e vendit. Bashkë me retorikën, shown politik që bën Berisha dhe qëndrimin antagonist të opozitës në raport me shumicën.

Askush nga palët nuk i falet vendit dhe flamurit, por flamur për ta janë vetëm interesat për pushtet. Mjerisht, ky është realiteti.
Kështu, ndërsa Sali Berisha bën show politik, duke luajtur me kartën e nacionalistit të thekur dhe të paekuilibruar, opozita vazhdon me politikën e drejtëzave paralele ku nuk gjen asnjë pikë të përbashkët me maxhorancën. E gjitha kjo prodhon destruktivitet, infantilitet shtetformues dhe aventurizëm. Sa ndryshe janë këta burra me ata burrashteti që e krijuan shtetin shqiptar një shekull më parë. Janë 180 gradë ndryshe. Sepse aspiratat madhore të një kombi arrihen me projekte të përbashkëta, bashkuese dhe integruese.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Elida Buçpapaj, nacionalizmi, Rama

BERISHA: ZOTI E BEKOFTE FLAMURIN KOMBETAR!

November 29, 2012 by dgreca

Gëzuar festën e madhe të kombit e dheut tonë! Së pari, siç e kërkon radha, le t’u shprehim ne nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë miqve tanë në festë. Le të urojmë miqësi dhe bashkëpunim me ta në njëqind vitet, një mijë vitet që vijnë. Shqiptare e shqiptarë, qytetarë të 100-vjetorit të lindjes së Shqipërisë, gjatë këtij viti të bekuar në tërësi dhe nëntorit tonë në veçanti, ne së bashku kemi nderuar, kemi valëvitur më shumë se kurrë flamurin tonë kombëtar, kemi kënduar himnin e tij, sepse atij i takon nderimi më i parë. Ai është altari ku prehen të pavdekshëm qindra e mijëra martirë, dëshmorë të kombit tonë. Zoti e bekoftë flamurin e shqiptarëve, flamurin e Skënderbeut! Këtë vit, ne të gjithë së bashku, me veneracion dhe mirënjohje të thellë kemi nderuar të rënët tanë në fushëbetejat e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjet e mëdha të pavarësisë, në Luftën e Dytë Botërore, në luftën e fundit çlirimtare në Evropë, në Kosovë, në Maqedoni, në Afganistan dhe kudo që kanë rënë. Ata flijuan jetën dhe rininë e tyre për të sotmen dhe të ardhmen tonë në liri. Lavdi të rënëve të kombit shqiptar! Në këtë vit jubilar, ne kemi nderuar më shumë se kurrë prijësit tanë, Ismail Qemal Vlorën, babain e pavarësisë, themeluesin e shtetit shqiptar; Hasan Prishtinën, arkitektin e Shqipërisë etnike dhe të pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletinin, “Robin Hudin” e shqiptarëve dhe dyzet shenjtorët e pavarësisë. Prijësve tanë ne u thurëm e kënduam këngë dhe himne, i përjetësuam në rrugë e sheshe, buste e shtatore në të katër anët e vendit dhe viseve shqiptare. Nder përjetë Ismail Qemal Vlorës, burrit të shquar të kombit shqiptar! Por sot, në ditën e 100-vjetorit të lindjes së Shqipërisë së pavarur, unë dua të përulem me nderimin tim më të madh para teje, qytetari i thjeshtë shqiptar, që mbart në shekuj mbi supet e tua Shqipërinë, Kosovën, trojet etnike shqiptare. Sot, në këtë ditë, ti je Ismail Qemali, Hasan Prishtina, ti je Mic Sokoli, je Adem Jashari, je Zoti i kësaj toke, je vetë pavarësia. Kjo është dita jote, shqiptar dhe shqiptare e thjeshtë, sepse ti edhe në kohërat më të vështira armën nuk e lëshove kurrë nga dora, u përballe në luftërat më të pabarabarta, Shqipërinë e rrëzuar përdhe si Feniks e ngrite në zenitin e kohës. Ti je Skënderbeu i përjetshëm i shqiptarëve. Kjo ditë e bekuar është para së gjithash dita e qytetarit dhe qytetares shqiptare, sepse ju këto 100 vite kaluat kohëra vuajtjesh, sakrificash mbinjerëzore, përjetuat luftëra, mjerime, pushtime, diktaturë çnjerëzore e megjithatë ju çdo orë, çdo ditë, çdo javë e çdo vit të shekullit që lamë pas, ju me mundin, djersën, gjakun tuaj, krijuat dhe ndërtuat me duart, thonjtë, muskujt gjeninë krijuese tuajën, diga, hidrocentrale, rrugë, pallate, banesa, fabrika, uzina, ferma, ullishta, vreshta dhe bëtë që vendi juaj, i cili vetëm 20 vite më parë renditej vendi i tretë më i varfër në botë, të ngrihet si Feniksi mbi mjerimin e tij dhe të rrisë të ardhurat për frymë, jo dhjetë apo njëzet, por tridhjetë herë në njëzet vitet që shkuan. Falë jush, qytetarë e qytetare të këtij vendi, Shqipëria që 20 vjet më parë ishte e rrethuar me tela me gjemba, si vendi më i izoluar i planetit, është sot vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, është vend që ecën drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria në këtë 100-vjetor nuk është ende një vend i zhvilluar, por ti, i dashur qytetar dhe e dashur qytetare e vendit tim, në një hark kohor më të shkurtër se të çdo qytetari tjetër, ke arritur sot treguesit më themelorë të jetës, shëndetit, shkollimit, shërbimit shëndetësor, mjedisit, të disa prej vendeve të zhvilluara. Dita e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është dita e qytetares dhe qytetarit shqiptar, të besimeve të mëdha te Zoti, të besimit te Krishti dhe Muhamedi, sepse ju jeni shembull frymëzues në Evropë dhe në botë për respektin e ndërsjelltë të besimit të njeri-tjetrit, tolerancën e shkëlqyer fetare si themel të qytetërimit tonë. Ishit ju shqiptarët dhe shqiptaret anonim, që në një kohë ndër më tragjiket për Evropën mbrojtët ata që gjuheshin në të katër anët e saj, mbrojtët hebrenjtë. Dhe numri i tyre në vatrat tuaja, në fund të luftës, ishte dhjetë herë më i madh se në fillim të saj. Na keni lënë një nder të jashtëzakonshëm. Dita e 100-vjetorit të lindjes së Shqipërisë është dita jote nënë, motër, grua, vajzë e dashur shqiptare që në shekuj e mijëravjeçarë ruajte të pastër gjakun arbnor, që linde, mëkove e rrite djem dhe vajza për flamurin kombëtar, që përjetove dhembje, vuajtje, sakrifica sa askush tjetër, por që gjithmonë me shpirtin tënd të paepur, me dashurinë tënde engjëllore, shërove plagët e thella, vuajtjet, dhembjet në shtatin e fëmijëve të tu. Ti je sot Nënë Tereza jonë, je luanesha e këtij kombi, je krenaria jonë kombëtare! Sot kjo ditë, dita e 100-vjetorit të Pavarësisë, është dita juaj qytetarë dhe qytetare me origjinë tjetër etnike në Shqipëri, grekë, vllehë, arumunë, romë, boshnjakë, maqedonas, egjiptianë dhe të çdo etnie tjetër. Ju keni kontributin tuaj thelbësor në kulturën, në lirinë, në zhvillimin e këtij e vendi. Shqiptarët ndihen krenarë me ju dhe ju garantoj se qindra e qindra vite të tjera do të jenë në bashkëpunim, paqe, harmoni me të gjitha minoritetet etnike që jetojnë në trojet shqiptare. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Sot, kjo është dita e të rejave dhe rinjve shqiptarë, të cilët në çdo kohë janë provuar mesia e këtij kombi, engjëjt e tij liberatorë. Ata na bënë të lirë. Kur shkuan në Luftën e Dytë Botërore ata luftuan në kryengritjet e mëdha për pavarësinë. Bozhuret e Kosovës, çliruan Kosovën. Ne u jemi përjetë mirënjohës atyre. Zoti e bekoftë rininë shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë, trojet etnike shqiptare, shqiptarët kudo që janë, flamurin e tyre kombëtar!

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, fjala ne miting

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT