• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CEN ELEZI NDREU, BESË NGA MALET E DIBRËS

November 5, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/  Kur fillimshekulli i trazuar i shqiptarëve thëriste prej natës së pambarimtë osmane për pak dritë e liri,ishte plejada e shkëlqyer e burrave shqiptarë që e dëgjuan zërin.Klithmat ishin të largëta ato vinin prej gjakut.Ato shungullonin nga mali në mal duke trembur vetë netët rrobëruese.Burrat shqptarë rrëmbyen armët dhe penën,iu falën nënlokes së tyre të madhe dhe i thanë Europës se Shqipëria ka Zot.Burrat u gjakosën në prita u mblodhën në kuvende i kthyen kullat e tyre kala të qëndresës dhe askurrë nuk ju ankuan askujt.Në shpirtin e tyre të lodhur luftërash të gjata,Atdheu ish veç një Promete,një referencë për të shkuar drejt aktit sublim,pa pyetur për pranverat e njoma në supe.Një burrë nga kjo plejadë ka qenë dhe mbetet CEN ELEZI.Kur fati i jetës paracaktohet,kjo më tepër se me orakujt e Delfit lidhet me rrëmbat e gjakut.Që Cen Elezi ishte djali i parë i Legjendarit Elez Isufit kjo ishte rastësi,që jeta e tij do të shkonte në luftëra për pamvarësinë e trojeve arbërore,kjo mendoj se ka qenë e besueshme për të gjithë ata që dëgjonin tek qante në djep.Përcellja e heshtur e genit trimëror nga brezi në brez do të kumtonte në mos lirinë,së paku imazhin e saj në teatrin e rreptë të luftërave ballkanike.

  Cen Elezi lindi në Lisivalle të krahinës së Sllovës në vjeshtën e vitit 1884.U rrit në kullat e gjata me gurë të gdhendur mjeshtërisht atëherë kur gurët gdhendeshin paralel me sa e sa luftime në kujtesën e pasur të dibranëve,ku mençuria dhe trimëria e Elez Isufit,vështirë dalloheshin ku ndaheshin e ku bashkoheshin.Elezi edhe pse e shihte dëshirën e madhe të të birit për shkollë,në heshtje nuk do ta inkurajonte atë.Kur lind djalë,kullës i shtohej një pushkë,thuhej atë kohë në Dibër,madje atje ishte tepër luksoze të thërisje penën në vend të dyfekut.Babë e bir i shohim në agun e shekullit të ri të dy së bashku,në krye të një grupi luftëtarësh,ata do të bisedonin e lidhnin besën si dy prijësa për luftë kundra Perandorisë Osmane prej Mirdite e deri në thellësitë e Kosovës ku më pas në krah të Elezit,akoma pa i mbushur të njëzetat ai lufton me armë në dorë dhe kundra pushtuesve serbosllav që ishin armiku numër një i kullës së Ndrevet dhe shqiptarëve në përgjithësi. Që në betejat e para (Elezi gjithmonë e ndiqte nga afër të birin në çdo luftim) tribuni i thinjur i betejave pasi do të vërente se syri dhe plumbi i Cenit nuk gabonin,do të uronte të birin duke i thënë „Ne të dy duhet të luftojmë për Atdheun por veç e veç…!“.Që nga ajo kohë krismat e pushkës së Cenit,serbët do t’i njihnin në luftimet e rrepta në Qafën e Trojakut më 1915,në Shumbat,Peshkopi,Dardhë e Aras më 1915-1917,në Korab e Shar dhe në betejat e pandërprera të Lurës në vitet 1920-1921.

  Në verë e vitit 1926 dhe një herë do virej në provë jo vetëm trimëria por edhe mençuria e atdhedashuria e Cen Elezit. Duke parë se shteti shqiptar po organizohej e strukturat e tij kërkonin pavarsi të plotë,serbët organizuan lëvizjen e Shalës e cila në thelb godiste rëndë integritetin toksorë të Shqipërisë. Mbreti Zog duke parandjerë rrezikun i bën thirrje Cen Elezit për t’iu kundërvënë planeve ekspansioniste serbosllave që synonin destabilizimin dhe coptimin e shtetit shqiptar.Nga ana tjetër edhe pse Ceni ishte opozitë me Mbretin Zog e pranoi kërkesën e tij dhe përleshjet me serbët e Pashiqit,duke dëshmuar trimërinë dhe atdhetarizmin e flaktë të trashëguar në gen, theu keqas çetnikët serb dhe njëherit fjala e tij e urtë dhe burnore e bindi parinë e Shalës,duke iu shmangur kësisoj gjakderdhjes vëllezërore.

  Pushtimin nga Italia fashiste,trimi Nacionalist me namë,do ta priste me dhimbje por edhe me revoltë sipas mënyrës së vet,meqë fjala e tij zinte vend kudo në parinë e maleve të Dibrës,ky patriot u bë promotor i një lëvizjeje të fuqishme që në thelb çoi drejt krijimit të një zone të lirë e të pa trazuar.Numëroheshin rreth 200 pushkë në pritje të urdhërave luftarake që mund të dilnin nga buzët e Cenit. Kështu në qershor të vitit 1943,forcat fashiste italiane disa herë ishin orvatur të vënin lidhje me Cen Elezin por pa dobi.Italianët e dëshpruar nga refuzimi i nacionalistit dibran u vunë hapur kundra tij,disa batalione të divizionit „Firence“ organizuan një pritë në kodrat e Okshtinës,por luftëtari trim në krye të 200 burrave e çau rrethin dhe pas kësaj humbjeje të thellë të Italianëve,ata me përforcime të reja ndërsehen mbi kullat e Cen Elezit,mirëpo kësaj rradhe,luftimet do të ishin dhe më të ashpra dhe më me përmasa,meqë prej disa ditësh aty ndodhej një delegacion i udhëheqjes së Ballit Kombëtar dhe i madhi Mit’hat Frashëri,për bashkërendimin e punëve dhe detyrave midis parisë së Dibrës dhe Ballit Kombëtar. Kjo ndërlidhje dhe rigrupim forcash nacionaliste,jo vetëm që po u jepnin shpresa të reja nacionalistëve,por ndërkohë godisnin rëndë synimet fashiste italiane e bullgare,dhe nga ana tjetër ata serbosllave tashmë të maskuara nën petkun komunist, që ia dolën të përhapnin luftën civile mes shqiptarëvet.Ky rireshtim forcash nuk u konvenonte asnjërës palë,andaj dhe filluan goditjet ndaj nacionalistëve nga të dyja krahët,bombardimet e avionëve të ndërthurura me veprimet luftarake këmbësore,tregojnë më së miri se frika e pushtuesve ndaj nacionalistëve ishte reale.Dhe nga ana tjetër bandat mercenare të partizanëve të komanduara nga Sheqet Peçi e Haxhi Lleshi tentonin që si të thejnë forcat e Cenit,Mefailëve,Xhemës e deri tek Mulla Idrizi e Sylë Hotlla,në marrëveshje e bashkëpunim me forcat partizane,çetnike serbosllave.Kjo tregon katërcipërisht se Cen Elezi e Mit’hat Frashëri jo vetëm që nuk kanë bashkëpunuar me armikun fashist ( siç paragjykon historiografia komuniste dhe „historianët“ e saj servil) por përkundrazi mbi ta është derdhur zjarr e hekur për t’i zhdukur fizikisht pa kursyer as fëmijët e djepit.

  Gjatë betejave në malet e Dibrës dhe të Mavrovës e deri në Karadak,ka pasur raste kur janë zënë dhe robër partizanë komunist shqiptarë dhe Ceni ka dëshmuar ate humanizmin e madh duke i liruar me shpresë se ata do të edukohen që të mos ngrejnë pushkë kundra vëllaut të një gjaku,por të luftojnë pë  mbrojtjen e tokës arbërore. Mirëpo kjo ëndër e bukur e Cenit ishte e kotë,meqë partizanët komunist shqiptarë veçmë ishin shitur këmbë krye tek bandat sllavokomuniste të Titos,ata veç kishin filluar të godisnin pas shpine nacionalistët.Kështu një faqe e re luftërash do të shkruheshin nga vatra e Ndrevet edhe kundër gjermanëve,ku kryeheroi mbetet gjithnjë Ceni.

Janë të njohura tanimë se pse plaku trim e vital kishte mbetur „në hije „gjatë gjithë kësaj periudhe.Mendoj se kjo më shumë se me Cen Elezin ka të bëjë me keqpërdorimin e historisë.Nuk duhet haruar faktin se aso kohe qarkori i Partisë Komuniste në Dibër,shpërndante dhe zbatonte urdhërat dhe direktivat e marra drejt përsëdrejti nga udhëheqja komuniste jugosllave e Dibrës së madhe.Janë dokumenta të përpikëta Angleze që kanë vërtetuar tani se edhe misionet angleze në Dibër të vendosur pranë komandave partizane,nuk lejuan në asnjë moment të lidheshin me parinë nacionaliste të Dibrës.Edhe atëherë kur anglezët me inicijativën e tyre vajtën për bisedime në shtëpinë e Cen Elezit,ata u rrethuan dhe u deshën jetët e disa pinjollëve të kësaj familjeje të martirizoheshin që të shpëtonin miqtë kokën e tyre.Ndera e vatrës shqiptare thotë ; të mbrosh mikun.Mirëpo partizanët shqiptarë tashmë rrokulliseshin në labirintet e pandershmërisë komuniste-sllave.

Sidoqoftë,ndërkohë u krijua një urë marrveshjeje midis Esat Ndreut,Nijazi Islamit dhe Sotir Vullkanit nga njëra anë dhe Cen Elezit me një pjesë të parisë së Dibrës nga ana tjetër për të bashkëpunuar në luftë kundra gjermanëve.Kjo marrëveshje u hodh poshtë nga komanda partizane shqiptare,madje ironikisht është anatemuar si kompromisi i ngjashëm me ate të Mukjes…!. Dhe sikur të mos mjaftonin të tëra këto pazare të komunistëve shqiptarë,regjimi i ndyrë i diktatorit Hoxha,që në ditët e parat ë „fitores“ dhe ardhjes së tij në pushtet,që atëherë kur si parazit filloi të ushqehej me gjak shqiptari,thiri edhe emrin e patriotit,nacionalistit e atdhetarit,trimit Cen Elezi. Por Ceni ishte ai,i cili që në moshën miturake të tij kishte përkdhelur këmbëzën e pushkës,i kishte dhënë besën atdheut dhe s’mund të dorëzonte armën,ndaj ai del në male,lufton dhe shpreson.Populli e fsheh dhe e ushqen.Në kërkim të jetës së tij vihen me qindra mercenarë komunist shqiptarë,ashtu si dikur që i ishin vënë prapa qindra e mijëra serbë, italianë.Përballë kësaj tragjedie plaku do të ligështohej.

  Kapërcen malet e Dibrës së bashku me Mehdi Elezin,Qazim Hazizin,Dan Kaloshin e Lam Bazën,ato male që i deshi si fëmijët e tij,kaloi në pjesën tjetër të atdheut të vet,tashmë nën jugosllavinë titiste.Ka qenë përfunduar muaji i mjaltit Hoxha-Tito,por gjithsesi gjuha e gjahtarit të krimit ndaj nacionalistëve shqiptarë do të vazhdojë e përbashkët. E përbashkët do të ishte kjo gjuhë edhe në kërkim të trimit Cen Elezit. Pas tij tanimë do të vëhen OZNA dhe UDB-ja me gjithë arsenalin e vet të spiunëve.Ceni tradhëtohet dhe burgoset në qelitë e ftohta dhe të erëta në burgun e Shkupit,torturat dhe mundimet ngelin mes atyre katër mureve të qelisë,që në 9 majin e vitit 1949 në mënyrë mizore dhe të mistershme ja shuajnë jetën këtij burri të madh të shqiptarizmës.

  …Ka jetë fati i të cilëve paracaktohet.Por nëse ky fat lidhet me ate të një populli të tërë me lirinë e tij,atëherë bën pjesë në radhët e atyre që kombi do dhe të respekton,dhe Cen Elezi u  përket këtyre njerëzve që e mbajtën dhe nuk e thyen askurrë besën e dhënë Atdheut.

Bern-Zvicër, nentor 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Bese nga malet e Dibres, Cen Elezi, Eugen Shehu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT