• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Botohet në Kosovë libri publicistik i Ramiz Mujajt, “Diellin nuk lind vetëm në Rugovë”

December 8, 2023 by s p

DOKUMENTARJA DHE ARTSITIKJA 

TË SINTETIZUARA NË NJË LIBËR

Në vend të parathënies për librin e Ramiz Muajajt “Dielli nuk lind vetëm në Rugovë”

Besim Muhadri

Ramiz Mujaj vjen me librin e tij “Dielli nuk lind vetëm në Rugovë”, që është edhe libri i tij jetësor. Në këtë libër autori ka përmbledhur një jetë të tërë veprimtarie dhe krijimtarie, të zhvilluar brenda një periudhe pothuajse pesëdhjetëvjeçare e mbase edhe më gjatë. Me një fjalë, këtu përfshihet tërë jeta e tij në Kosovë dhe Amerikë, ku jeton tash e dyzet vjet. 

Ramiz Mujaj ka një biografi të bujshme, në të cilën përmblidhet aktiviteti i tij letrar, publicistik dhe atdhetar. Autori e ka konceptuar librin e tij në tri periudha jetësore, ku secila ka karakteristikat e veta, që janë të ndërlidhura në mënyrë ciklike. Autori flet për jetën, për familjen e tij të ngushtë dhe të gjerë, por flet edhe për punën e tij krijuese, publicistike dhe veprimtarinë e tij të palodhshme atdhetare, që ai e ka zhvilluar qoftë në Kosovë, qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton që nga viti 1986.

Fokusi i Ramiz Mujajt në këtë libër është i përqendruar në tri fusha: Në ata atdhetare, në atë krijuese dhe në atë humanitare. Një pjesë të madhe të librit ai i kushton veprimtarisë së tij në Shoqatën Panshqiptare “Vatra”, në të cilën ai vepron tash më shumë se tridhjetë vjet. Periudhat e jetës së Ramizit, krahas fatit dhe peripecive të tij jetësore personale, janë të ndërlidhura me fatin e Atdheut. Kudo që të lexojmë, shohim se Ramizi ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i përkushtuar edhe ndaj familjes, gruas dhe fëmijëve. Natyrisht se në këtë kontekst, ai nuk ka lanë në asnjë moment anash as vendlindjen e tij të dashur dhe heroike, Rugovën. Këtë e shohim në kontributin e tij dhe të bashkëvendësve të tij Rugovanë në formimin dhe zhvillimin e Shoqatës “Rugova”, të Ansamblit autokton “Rugova”, përmes të cilës Shoqatë ai sheh jo vetëm kujtimin krenar për vendlindjen, por edhe për ruajtjen e vlerave dhe të traditave kulturore autoktone kombëtare.

Ëndrrat e tij jetësore ishte të shihte “Vatrën”, siç shprehet ai, të kolosëve Noli-Konica, për të cilën para se të vinte në Amerikë kishte dëgjuar përmes librave dhe profesorëve që kishin folur për të kur ai ishte nxënës dhe student në Kosovë. Interesimi i tij për të “prekur” “Vatrën” ishte këmbëngulës që në ditët e para të kalimit përtej Atlantikut dhe të vendosjes së tij me familje në Amerikë. Dëshira dhe ëndrra e tij u realizua dhe që nga ajo ditë ai nuk rreshti së punuari dhe vepruari për “Vatrën”, të cilën ai nuk e gjeti siç kishte dëgjuar në libra e siç dëshironte ta shihte. Mirëpo, vullneti i tij, i vëllezërve të tij dhe të shumë veprimtarëve të tjerë, bëri që “Vatra” të ringjallej dhe të hapëronte drejt rimëkëmbjes së saj, bashkë me gazetën e saj “Dielli” për të cilat Ramizi nuk kurseu as mundin e as dijen. Natyrisht se gjatë këtyre viteve ai do të ballafaqohej me situata jo të mira, të cilat do t’i shohim të shpërfaqura përmes rrëfimeve dhe reagimeve intelektuale të Ramizit, qoftë në shtypin e kohës, qoftë edhe përmes debateve të ndryshme. Të gjitha këto do t’i shohim në faqete e këtij libri.

Ramiz Mujaj në asnjë moment nuk la anash shqetësimet e tij për Kosovën, të cilën kur emeigroi në Amerikë e la në një robëri dhe shtypje të rëndë. Situata në atdheun e autorit sa vinte e rëndohej dhe do të vinin vitet ’90 të shekullit të kaluar, ku shpërtheu edhe lufta për liri. Ramizi, bashkë më shumë veprimtarë të tjerë atje në Amerikë, nuk qëndruan duarkryq. Prandaj iu rrek e iu rrekën punës dhe organizimit, qoftë përmes tubimeve të ndryshme anekënd Amerikës, për ta sensibilizuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare që kalonte përmes miqve tanë të përhershëm amerikanë. Në vitin 1998, kur shpërtheu lufta në Kosovë, Ramiz Mujaj dha kontributin e tij të çmuar, qoftë në aspektin material, qoftë në gatishmërinë e tij për të shkuar në Kosovë. Të gjitha këto përpjekje dhe kontribute Ramiz Mujaj i ka përshkruar bukur dhe realisht në faqet e këtij libri.

Ramiz Mujaj është poet dhe piktor, njëkohësisht. Në poezitë dhe në pikturat e tij, të llojit dhe stilit të veçantë, në brumin e tyre, krahas aspektit artistik të admiruar, kanë atdheun dhe figurat kombëtare, të cilat ai arrin t’i përjetësojë në mënyrën e vet të duhur.

Libri, krahas teksteve të fuqishme, është i shoqëruar  edhe me fotografi të shumta, që janë një aspekt tjetër dokumentues për ato që flet dhe i prezanton para lexuesit. Prandaj, libri “Dielli nuk lind vetëm në Rugovë”, është një libër sa personal, aq edhe përgjithësues. Sa dokumentues, aq edhe artistik, brenda të cilit shkrihet shpirti i artistit dhe i atdhetarit njëkohësisht.

Filed Under: LETERSI Tagged With: BEsim Muhadri, Ramiz Mujaj

“AVDYL GJOCAJ, MËSUES DHE LUFTËTAR” SI DËSHMI E LUFTËS SË LAVDISHME TË UÇK PËR LIRINË DHE PAVARËSINË E KOSOVËS

June 19, 2023 by s p

Sokol Paja/

Libri “Avdyl Gjocaj, mësues dhe luftëtar” i shkruar nga Prof.Besim Muhadri është një dëshmi e gjallë e luftës së lavdishme dhe sakrificave heroike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Luftëtari dhe mësuesi Avdyl Gjocaj është një dëshmitar i çmuar i përpjekjeve të lavdishme dhe heroike dhe sakrificave familjare në shërbim të lirisë së atdheut. Libri “Avdyl Gjocaj, mësues dhe luftëtar” ka vlera historike dhe studimore të veçanta pasi rrëfen betejat ky Avdyl Gjocaj ishte pjesëmarrës, përshkruhen me detaje aspekte të panjohura të luftimeve në zonën e Junikut, Kosharës e zonave përreth, paraqet dimensionin e një luftëtari dhe edukatori në kushte të jashtëzakonshme që kalonte Kosova e kombi shqiptar në përballje me regjimin gjenocidal serb.
Sakrifica e familjes Gjocaj për çlirimin e Kosovës përbën një faqe të ndritur, krenare dhe të lavdishme në historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rrëfimet e kujtimet e familjes, miqve, bashkëluftëtarëve e patriotëve për Avdyl Gjocajn përbëjnë një kontribut të çmuar në memuaristikën dhe historinë moderne të shtetit të Kosovës në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Libri “Avdyl Gjocaj, mësues dhe luftëtar” i shkruar nga Profesor Besim Muhadri është një libër që i shërben çdo Instituti Historik, Katedrave Universitare, shkollave e qëndrave të edukimit pasi shpaloset më së miri virtytet dhe vlerat më të larta të shqiptarit trim, patriot. Luftëtar e burrit të mirë siç ishte Avdyl Gjocaj.
Ky libër na njeh me shumë personazhe të lirisë së Kosovës që nëpërmjet kujtimeve përjetësohen në memorien e çdo shqiptari. Patriotizmi, forca, besimi, qëndresa, trimëria, bujaria ishin vlera që Avdyl Gjocaj i transmetoi edhe të bashkëluftëtarët e tjerë, duke qenë një pikë kyçe e mbështetjes së luftës për liri e pavarësi ku me trimërinë e tij, me urtësinë e tij, vendosmërinë e tij dhe dinjitetin e tij, bashkë me trimat e luftëtarët i dhanë lirinë Kosovës. Rroftë përjetë e mot Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nderim dhe mirënjohje përgjithmonë luftëtarëve, çlirimtarëve dhe heronjve të lirisë së Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: avdyl gjocaj, BEsim Muhadri, Sokol Paja

VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT

January 28, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë njofton dashamirësit e librit dhe publikun e gjërë se nesër, më 29 janar 2023 ora 11 AM do të organizojnë promovimin e veprimtarisë shkencore të Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Me këtë rast do të promovohen këto vepra:

1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”;

2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”;

3. “Esencat e mendimit letrar” dhe

4. Studies on Albanian Literature and Ethnology

Për librat e Prof. Besim Muhadrit do të flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr. Bexhet Asani, Dr.Paulin Marku, Fran Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dok. Arjeta Ferlushkaj.

Pjesë nga krijimtaria e autorit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend Gjocaj.

Promovimi mbahet në ambientet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, në orën 11 AM.

Adresa: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458

Ftohet media dhe publiku i gjërë që të marrë pjesë.

Filed Under: ESSE Tagged With: BEsim Muhadri

ARSHI PIPA – LIDHJET E TIJ ME “VATRËN”- FILLIMET DHE ZHVILLIMI I KRIJIMTARISË SË TIJ LETRARE E SHKENCORE NË AMERIKË

December 22, 2022 by s p

Besim Muhadri/

Profesor i asociuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë/

Hyrje

Arshi Pipa është një nga figurat më komplekse letrare, shkencore dhe intelektuale shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. I lindur në Shkodër më 28 korrik të vitit 1920, në një familje me tradita të shquara atdhetarie, nuk kishte se si merrte edukatë tjetër, pos të saj që duhej marrë: të një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, që siç tregon edhe vetë Arshiu në autobiografinë e tij, vinte nga Libohova, ishte jurist i njohur dhe me një kulturë të gjërë, e mbi të gjitha ishte një patriot dhe demokrat. Ndërsa e ëma, Hatixheja, ishte një shkodrane tradicionale dhe një grua me virtyte të larta njerëzore e prindore. Mësimet fillore dhe ato të mesme Arshiu i mori në vendlindje, ndërsa studimet universitare në Universitetin e Firencës në Itali, në të cilin universitet, më 1941u  dilomua në temën “Morali dhe feja tek Bergson”. Pas kthimit në Shqipëri, prej vitit 1941deri në fund të vitit 1944 punoi në gjimnazet shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit, ku dha lëndën e filozofisë 

Në vitin 1944, kur vëllai i tij Myzaferi filloi botimin e revistës «Kritika», Arshiu mori përsipër udhëhqejen e saj, në të cilën do të publikonte disa nga shkrimet më të thelluara të kohës dedikuar figurave letrare si Konica, Migjeni, Noli etj. Përmes këtyre shkrimeve Arshiu u shqua “për nji trajtim origjinal dhe objekiv të këtyre personaliteteve” (Çefa, …. ), një veçori e cila do ta shquajë pothuajse gjatë tërë jetës. Profesionin e mësuesit ai e vazhdoi për pak kohë edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 punoi mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Po në të njëjtin vit (tetor 1945) mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ndërsa kur filloi botimi i revistës së kësaj Lidhjeje “Bota e Re”, ai u zgjodh anëtar i Këshillit botues të saj.  Mirëpo nuk shkuan as dy vite të plota, përkatësisht më 27 prill 1947, ai arrestohet nga regjimi komunist, nën akuzën se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist”, ndërsa gjatë punës me studentët e vet kinse ai akuzonte pushtetin komunist si terrorist. Për të gjitha këto akuza ai u dënua me 20 vjet burg, nga të cilat i mbajti nëntë vite, duke provuar  burgjet e Durrësit, Gjirokastrës dhe të Burrelit. Gjatë qëndrimit në burg ai kishte arritur të shkruante shumë poezi, të cilat kishte arritur t’i nxirrte që andej, për t’i botuar pas daljes nga burgu, me titull “Libri i burgut”. KKëtë libër e botoi në Romë në vitin 1959 nën  përkujdesjen e mikut të tij, Martin Camaj, me të cilin pati raporte shumë të mira, por jo edhe me Koliqin

Pas lirimit nga burgu më 26 prill 1956, ai shkoi në Shkodër, por nuk qëndroi gjatë, sepse  në vitin 1957, bashkë me motrën, Fehimen, arratisen në Jugosllavi. Fillimisht vendosen në Sarajevë e pas qëndrimit njëvjeçar kalon në Romë e nga andej, në vitin 1958 shkon dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe mbylli sytë përgjithmonë më 20 korrik 1997, pak para së të mbushte 77 vjet. 

Profesor kolegjesh amerikane dhe drejtues departamentesh

Arshi Pipa, pas arritjes në Amerikë më 1958, si çdo mërgimtar, fillimisht u mor me punë të rëndomta, mirëpo pa kaluar shumë kohë, ndoshta pa i bërë dy vite të plota, përkatësisht më 1960, fillon punën në profesionin e tij si profesor i filozofisë. Emërimi i tij i parë u bë në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi, ndërsa në vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Xhorxhia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe, në të njëjtën kohë, jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62).  Në vitet 1961-62 në Universitetin Kolumbia punoi pedagog i gjuhës italiane, kurse profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njëjtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira.

Gjatë viteve në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Gjatë viteve 1963-66 ishte profesor i asociuar. Në këtë kohë, përkatësisht në vitin akademik 1963-64 punoi në departamentin e gjuhës italiane të universitetit Berkley të Kalifornisë. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Nga viti 1966, angazhohet në fakultetin e Universitetit të Minesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti që të bëhet pjesë e stafit universitar të  Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota, duke  kontribuar në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane, programi i themeluar në vitin 1968 dhe nën drejtimin e tij u shkruan dhe u miratuan shumë tema diplomash si për master ashtu edhe për disertacione doktoraturash. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshirë seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të masterit, në gjuhët frënge dhe italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Vashington, D. C., në shtëpinë e së motrës, ku qëndroi derisa vdiq më 20 korrik 1997.

Lidhjet e Pipës me “Vatrën” dhe fillet e krijimtarisë së tij letrare 

e shkencore në Amerikë

Siç e shohim, angazhimet e tij nëpër universitetet amerikane janë të shumta duke marrë edhe gradën më të lartë akademike, profesor. Mirëpo gjatë këtyre viteve të qëndrimit dhe angazhimeve në SHBA, ishte e pamundur që të mos intensifikoheshin lidhjet e tij me shqiptarët e veçanërisht me Federatën Panshqiptare “Vatra” dhe me organin e saj, “Diellin”, ndër më të vjetrat shqiptare jo vetëm në Amerikë, me të cilën ai pati një bashkëpunim të ngushtë dhe botoi disa nga shkrimet e tij që kishin të bënin me “Vatrën”, por edhe për probleme  të tjera, veçanërisht me ato të gjuhës shqipe dhe të çështjes së Kosovës e të shqiptarëve autoktonë që jetojnë aty. Po ashtu, në të njëjtën kohë, ai bashkëpunonte edhe me gazeta të tjera të emigracionit, si me gazetën “Flamuri”, organ i emigrantëve ballistë, pastaj me gazetën “Shqiptari i lirë”, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë që vepronte në Nju Jork etj. Në këtë kohë ai shkon në Boston dhe takon Fan S. Nolin, për të cilin kishte një respekt të madh, madje e quante edhe Babai i mërgatës shqiptare në Amerikë, sado që në atë takim, të parin e të fundit të jetës së tij, nuk u nda edhe aq fort i kënaqur, për të mos thënë edhe i zhgënjyer, për shkak të indiferencës së Nolit në lidhje me mosinteresimin për bashkëveprimtarët e tij të dikurshëm, disa prej të cilëve, siç thoshte Pipa, kalbeshin burgjeve komuniste, apo ishin degraduar në atë masë saqë jo vetëm ishin harruar, por edhe përbuzur. 

Cilat janë shqetësimet e Pipës në shkrimet e tij të botuara në gazetat shqiptare në Amerikë?

Siç u tha, Pipa gjatë tërë jetës dhe punës në Amerikë pati një numër të konsideruar publikimesh në gazetat shqip që botoheshin në atë kohë aty. Në shumicën nga to, ai shpreh shqetësimet e tij për gjendjen e shqiptarëve, qoftë të atyre që jetonin dhe vepronin në Amerikë, qoftë të atyre që jetonin në Shqipërinë komuniste, apo në Kosovën e okupuar nga Serbia. Ndonëse shkrimet e Pipës në gazetën Dielli apo edhe në gazeta të tjera janë të shumta, megjithatë, unë do të ndalem vetëm në dy shkrime të tij: “Mendime për zhvillimin kultural të  Vatrës në lidhje me qëllimin e Fondit të studentëve” dhe “Për shpëtimin e Vatrës”.

Shkrimi i parë, “Mendime për zhvillimin kultural të  Vatrës në lidhje me qëllimin e “Fondit të studentëve”, është botuar vetëm tri vite pas arritjes së tij në Amerikë, përkatësisht më 1961, ndërkaq shkrimi tjetër “Për shpëtimin e “Vatrës”, tri dekada më pas. “Mendime për zhvillimin kultural të  Vatrës në lidhje me qëllimin e “Fondit të studentëve”, po ashtu është botuar tri dekada para se Pipa të merrte drejtimin e “Vatrës”, apo vetëm pas tri arritjes së tij në Amerikë, gjatë të cilës kohë ai kishte parë dhe studiuar mirë gjendjen e shqiptarëve, pothuajse në të gjitha aspektet e veçanërisht në atë të organizimit të tyre kulturor, përmes të cilit organizim shihte edhe të arriturat e tjera të shqiptarëve në këtë shtet dhe kontinent. 

“Vatra” të bëhet vërtet një vatër e kulturës shqiptare

Shkrimi “Mendime për zhvillimin kultural të  Vatrës në lidhje me qëllimin e “Fondit të studentëve”, është botuar në “Diellin” e 1-8 marsit të vitit 1961. Në të Pipa, përveç mbështetjes së nismës së “Vatrës” për ndarjen e bursave për studentët shqiptarë, ai edhe jep disa ide interesante dhe shumë të dobishme në lidhje me realizimin e kësaj nisme, ide të cilat edhe sot mund të konsiderohen aktuale. Pas një elaborimi goxha të gjatë që i bën gjendjes së komunitetit shqiptaro-amerikan, karshi komuniteteve të tjera që jetojnë në Amerikë, Pipa, me shumë arsye, ngre problemin e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare, por edhe atë të mosinteresimit për historinë e origjinës nga ana e vetë shqiptarëve. Nismën e “Vatrës” për krijimin e fondit të studentëve e cilëson si pozitive, sado që sipas tij “nisma nuk ishte tërë puna, por vazhdimi apo shpirja deri në fund e kësaj pune dhe realizmi i qëllimit, përveç entuziazmit, duhej edhe vullneti: 

“S’ka njeri të cilit mos të ja marrë mendja, pa qenë nevojë të ketë shumë shkollë, se nisma e “Vatrës” për krijimin e fondit të studentëve është pozitive, për t’u përshëndetur. Por nisma nuk është tërë puna. Ajo që është me rëndësi është vazhdimi i punës gjer në fund. Dhe që të shpihet puna gjer në fund, duhet më shumë se sa entuziazëm, vullnet të mirë”. 

Pipa është tepër realist kur shpreh brengën e tij, ngase ka parasysh atë se si ndërmarrje të tilla ishin nisur edhe më herët, por që për shkak të mungesës së qëllimit dhe planifikimit të duhur të tyre, kishin dështuar. Ai “këshillon” që të merren si individuale, por gjithsesi të një njeriu që ia do të mirën “Vatrës” dhe si një njeri i cili dëshiron që ajo të bëhet më të vërtetë një vatër e kulturës shqiptare.

Në diskutimin e mëtejmë tij në lidhje me fushatën e “Diellit” për projektin e “Vatrës në krijimin e fondit të studentëve, Pipa uron “Diellin” për sensibilizimin e opinionit për grumbullimin e fondit të studentëve, i cili do të përdoret për një qëllim kultural, ndoshta si asnjëherë më parë në historinë e “Vatrës”, sado që është i brengosur për atë se në asnjë artikull të gazetës në fjalë nuk i kishte zënë syri të ishte shtruar çështja e qëllimit të këtij fondi. Mirëpo shpreson se ata që kanë nisur këtë punë duhet të kenë menduar mbi atë. 

Duke e konsideruar këtë nismë si një rritje të kulturës shqiptare, ai është i mendimt se këtu nuk duhet të bëhet fjalë vetëm për kulturë shpirtërore, por edhe materiale, të cilat duhet të shkojnë krahas njëra-tjetrës:

“Kultura shpirtërore dhe kultura materiale venë së bashku; në rastin ideal ato janë si dy faqet e së njëjtës monedhë… Një popull mund të jetë i pasur, i pajisur me të gjitha të mirat e rrojtjes, por kulturë të vërtetë shpirtërore mund të mos ketë shumë”.   

Kur e thotë këtë ai ka parasysh atë se sdo që gjatë historisë kanë ndodhur zhvillime e qytetërime të arta shpirtërore në kushte jo të mira materiale, megjithatë, zakonisht lulëzimi i arteve dhe i shkencës, nga njëra anë, dhe, nga tjetra, ai i tregtisë dhe i industrisë, kanë ndodhur në epoka historike të cilat i kishin të zhvilluara që të dyja anët e kulturës.

Këtu Pipa ka parasysh Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një vend me mendësi të fortë materiale, ku zhvillimi i kulturës varet në pjesë të madhe nga filantropizma private, në të cilin magnatët e ekonomisë amerikane kanë një rol kryesor. Kjo gjë, Pipa thotë se është për t’u menduar, sepse pasanikët e mëdhenj, zotrit e parasë, kanë kuptuar me kohë se jo paraja e tyre por përdorimi me mend i saj në shërbim të disa objektivave shoqërore do t’u sigurojë atyre një vend në kuptimin e popullit.

Duke përdorur këta shembuj, ai apelin e drejton te shqiptarët e Amerikës, sado që ai e di se nuk janë aq të pasur, por as të varfër.  “Dhe shqiptarët e këtushëm nuk janë të pasur, por nuk janë edhe fare të këputur, siç ishin më parë dhe diçka mund të bëjnë po të nxiten… Nuk janë ata shqiptarët e para dhjetë apo më shumë viteve, sepse gjendja e tyre ekonomike ka ndryshuar”. 

Meqenëse gjendja e tyre ekonomike tashmë ka ndryshuar shumë, atëherë , Pipa thotë se kjo i shtyn ose duhet t’i shtyjë ata drejt përmirësimit të gjendjes së tyre kulturore. 

Pipa apelon te shqiptar-amerikanë që të investojnë në këtë drejtim, sepse është i bindur se investimi në kulturë, është investim afatgjatë në ruajtjen e identitetit tënd kudo dhe kurdo që ke jetuar.

Kur trajton dhe elaboron punën e Fondit të studentëve, që është edhe një nga qëllimet parësore të këtij shkrimi të Pipës, ai ishte i mendimit se  “Bursat  që do t’u jepen studentëve me origjinë shqiptare, duhet të jepen me konditë që t’i vlejnë kulturës shqiptare”. Kjo do të thotë se bursisti duhet të angazhohet t’i bëjë studimet e tij në lëndë ose në subjekte që paraqesin anë të botës shqiptare: gjuhë, letërsi, histori, politikë, ekonomi, sociologji, artizanat, art, muzikë, kanun e të tjera. Emfaza duhet të vihet mbi gjuhën shqipe.

Pipa fokusimin e tij në studimin e gjuhës nga ana e mërgatës, e bën me bindjen më të thellë për gjuhën si një nga elementet më të vlefshme dhe si një shprehje maksimale e kulturës së një kombi. Po ashtu studimin e gjuhës e sheh si rritje të peshës së kulturës shqipe në botë dhe interesimin e të huajve për shqiptarët. 

“Edhe ata studentë që do të studiojnë anë të ndryshme të botës shqiptare përveç gjuhës, do të kenë të bëjnë domosdo me gjuhën. Një interes për linguistikë shqipe do të zhvillohet patjetër në këtë mënyrë, në lidhje të ngushtë me interesin për albanologji dhe që të dyja do të rrezatohen ndër qarqet akademike, t ‘Amerikës dhe të botës tjetër”. 

Në lidhje me dhënien e bursave për studentët, Pipa ka një mendim interesant dhe tejet praktik, ndërkohë që gjithmonë i mëshon fort problemit të studimit të gjuhës, letërsisë dhe historisë shqipe. Po pse pikërisht orientimi në studimin e këtyre tri degëve? Sepse te këto tri degë, ai shihte elementet e zhvillimit kulturor dhe kombëtar, zhvillimi që do të shpinte edhe në suksese të pashmangshme në fusha të tjera. 

Përveç kësaj, ai sugjeronte edhe se ku mund të orientoheshin studentët që të studionin këto degë. “Studentët do të kërkojnë kurse në lidhje me këtë subjekte dhe do të drejtohen tek departamenti i gjuhëve sllave me të cilat shoqërohet shqipja (kur shoqërohet) ndër universitetet amerikane. Një departament i tillë, në mos gabohem, i vetmi i llojit në SHBA, gjendet sot në Columbia University, Nju Jork. Kërkesa do të sjellë ofertë, sido që kjo mund të mos vijë menjëherë. Një universitet amerikan do të gjendet, sidoqoftë, i cili do të interesohet për çështjen e kurseve të shqipes, kur të shikojë se prapa kësaj çështjeje është një lëvizje e tërë. Kështu, pas traktativave të tëra mes “Vatrës” dhe universitetit në fjalë, kurse të shqipes mund të shtohen aty ku kishte, ose të vendosen aty ku nuk kishte. Me kohë një departament i shqipes mund të krijohet pranë universitetit”. 

Ndërkaq problemin e financimit të këtij projekti, Pipa nuk e konsideron edhe aq të vështirë sa duket, sepse mundësinë e shihte te sponsorët. Ai ishte optimist se mund të gjendeshin universitete të cilat sponsorizojnë, së paku një pjesë, të ndërmarrjeve të tilla, por një gjë të tillë mund ta bëjë edhe vetë bashkia apo qeveria. Ai në fund e shihte shumë të arsyeshme që një kontribut të tillë mund të japin edhe vetë shqiptarët në financimin e një vepre, e cila, përveç që do të shtonte pahun e tyre, ajo dhe do të rriste krenarinë e tyre kombëtare.

Suksesin e mundshëm të kësaj nisme Pipa e shihte në krijimin dhe zhvillimin e një lëvizje kulturore, e cila do të sillte zgjimin, por edhe fermentimin dhe shpërthimin e energjive të fshehura të fisit shqiptar. Përmes këtyre zhvillimeve shihte edhe rezultate të tjera në ngritjen e institucioneve të tjera. Pra zhvillimi kulturor, në këtë rast arsimor, sipas Pipës do të sillte edhe zhvillimin ekonomik, por edhe politik të shqiptarëve, që nënkuptonte inkuadrimin e tyre në rrjedhat aktive politike dhe ekonomike amerikane. Kjo do t’i sillte dobi jo vetëm individit, por edhe kolektivit, në këtë rast popullit shqiptar dhe çështjes shqiptare, të cilën ai e konsideronte të pazgjidhur në Ballkan.

Pipa në shkrimin e tij parashihte edhe formimin e një klubi ose shoqërie kulturore nga ana e studentëve bursistë, ku përmes angazhimeve dhe aktiviteteve të tyre ata do të “piqeshin” mirë dhe do të formoheshin në një qendër të kulturës shqiptare në mërgim, e cila do të përmblidhte dhe do të rrezatonte energjitë kulturore shqiptare nga Amerika gjer në Shqipëri. Ekzistimin e një organi të tillë Pipa e shihte si shumë të nevojshëm për botën shqiptare. 

Kur e thoshte këtë, ai kishte besim te kapacitetet e Vatrës, si në aspektin e prestigjit të së kaluarës së saj, e po ashtu edhe në vrullin e së tashmes. Ai e përmbyllte shkrimin e tij me urimin për Vatrën për nismën e saj dhe me shpresën se idetë e tij do të bëheshin një ditë realitet dhe do të merreshin në konsideratë:

“Uroj që nisma e “Vatrës” të ketë qëllimësi të frymëzuar në vështrimin e sipërm. Në këtë mënyrë ajo do të rritet, si pema nga lastari, duke i shërbyer njëkohësisht vendit nga i cili u suall si dhe vendit tek i cili u mboll”. 

Riorganizmi- shpëtim për funksionim e “Vatrës”

Njëzet e dy vite pas shkrimit të parë, Pipa do të botonte një shkrim tjetër që kishte të bënte me prosperitetin e “Vatrës”, ashtu siç do të bënte edhe tri vite të tjera më vonë, me rastin e 28 nëntorit të vitit 1986, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Shkrimin e botuar në numrin 16 të Diellit të vitit 1983, e pati titulluar “Për riorganizimin e Vatrës”, kurse të dytin “Për shpëtimin e Vatrës”, të cilin e lexoi me rastin e 28 Nëntorit 1986, për ta botuar në “Diellin” e 28 shkurtit 1987. Këtu nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar dhimbjen e sinqertë të Pipës, sepse vetë titujt tregojnë. Njëri thotë për riorganizimin e Vatrës e tjetri për shpëtimin e saj. Riorganizimi ndodh vetëm atëherë kur diçka nuk është në rregull, apo kur gjërat duhet të ndryshohen pas gjithë asaj që ka ngecur në zhvillim. Kurse te fjala “shpëtim”, kemi të bëjmë me një gjendje më  tepër se alarmante dhe shqetësuese. Për të shpëtuar atë që po tretet, atë që po vdiste. Janë shprehje paksa të ashpra, por shumë të sinqerta në brendi të tyre. 

Te shkrimi apo projekti i titulluar “Për riorganizimin e Vatrës”, profesor Pipa ndalet në disa çështje kryesore, mirëpo ajo që mua më duket më qenësore por edhe sot aktuale, është ai për veprimet që duhet të ndërmerrte “Vatra”, në mënyrë që emri i kësaj organizate të ngrihej në nivelin e saj meritor.  

Pipa përmend kontributet e Vatrës në kohën kur “shqiptarët e Amerikës nuk kishin parti politike, por ishin unik, ndërsa brenga kryesore e tyre ishte pavarësia e atdheut, krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, kohë kur “Vatra” mbrojti me vendosmëri integritetin tokësor të Shqipërsë. Kur pas Kongresit të Lushnjës dërgonte Nolin si përfaqësues të vetin në Parlamentin shqiptar, pastaj përmes tij përfaqësonte Shtetin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, për t’i bindur shtetet e botë në pranimin e shtetit shqiptar në atë organizatë ndërkombëtare. 

“Këto suksese, thoshte Pipa,  “Vatra” i arriti tue veprue si përfaqsuese e gjithë kombit shqiptar, pa dallim feje e krahine, klase shoqnore o partie, me prestigjin e nji organizate pan-shqiptare jo-partiake”.

Pipa ia përmend “Vatrës” përçarjen dhe shthurjet e saj, duke u larguar nga misioni i saj kombëtar, të bëra në periudhën e dytë të zhvillimit të saj, kohë kur një pjesë e saj favorizonte monarkinë, ndërsa pjesa tjetër ishte për një Republikë demokratike. “Kjo, thotë Pipa qe periudha në të cilën Vatra u çthur, tue rrezikue të zhdukej”. 

Gjallërimin e “Vatrës” Pipa e shihte tek pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të së cilës qenë inkuadruar personalitete të politikës shqiptare të ardhur si emigrantë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe mohimit të kthimit në atdhe të të gjithë atyre që kishin qenë pjesë e pushtetit monarkik apo ithtarë të atij dhe kundërshtarë të komunizmit. Kjo larushi apo pluralizëm në “Vatër”, ndonëse ndikoi në dobësimin e strukturës së mëparshme si dhe në peshën politike të organizatës, megjithatë ndikoi në depolitizimin e saj.

Mirëpo Pipa “Vatrën” e shihte edhe si një strehë për refugjatë, në të cilën çdo shqiptar mund të futej. Mjafton të paguante kuotën e anëtarësisë dhe të pranonte Kushtetutën e saj, e cila përjashtonte politikën nga veprimtaria e organizatës. Përjashtimin e politikës  nga veprimtaria e “Vatrës” Pipa e percepton si një trup pa palcë kurrizore, i cili nuk mund të lëvizë veçse “mbi nji fron me rrota”. Ndërkaq politkbërjen e saj si një politikë pa program të caktuar dhe pa vazhdimësi, apo politikë konjukturale pa perspektivë.

Pas të gjitha këtyre elaborimeve dhe analizave mbi statusin dhe veprimtarinë e “Vatrës”, Pipa i kthehet kohës së shkrimit dhe botimit të shkrimit të tij, ku shpërfaq shqetësimin e arsyeshëm në lidhje me gjendjen e “Vatrës”. Sipas Pipës ajo po përjetonte ndoshta momentet më të vështira të ekzistimit të saj, madje duke rrezikuar edhe mbylljen e organit të saj, “Diellit”. Negativizmin e saj, të ndikuar edhe në veprimet kulturore, Pipa e shihte te mungesa e një platforme të qartë politike. Prandaj ai gjërat i shihte të devijuara dhe madje shumë të dëmshme për komunitetin shqiptar. Ai përmend mungesën e organizimit të shkollës shqipe, që kishte mbetur në fatin e disa qendrave fetare, punë të cilën më parë e kishte organizuar Vatra. Pipa është i brengosur edhe për mosbotimin e librave e madje edhe të revistave, ashtu sikurse që shprehet i shqetësuar edhe për mosorganizimin e ndonjë konference shkencore a seminari ku do të trajtoheshin çështje me rëndësi afirmimi për shqiptarët në Amerikë etj. etj.

Se a duhet të funksionojë apo jo Vatra dhe se a duhet të mbyllet organi i saj, “Dielli”, Pipa është i mendimit që për këtë duhet të pyeten vatranët e vjetër, ata të cilët në kohë të vështira e kishin mbajtur gjallë atë. Duke pasur parasysh këtë, ai shprehte mendimin se kjo mund të vendosej vetëm me anë të një referendumi, e assesi nga Kuvendi i “Vatrës”.

Pipa ishte i bindur dhe kishte shumë të drejtë që Vatrën e asaj kohe e shihte shumë prapa Vatrës së dikurshme. Në “Vatrën e viteve të para të aktiviteteve të saj edhe në fushën e kulturës, por edhe të buxhetit. Ai kërkonte që të rritej kuota e anëtarësisë, për mendimin e të cilit ishte tepër e mjerueshme. Me kuotën prej 30 dollarëve të pagesës së anëtarësisë, Pipa thoshte se Vatra e zhvlerësonte veten, prandaj kërkonte që ajo të dyfishohej, sado që ishte skeptik dhe madje edhe kritik në realizimin e një kërkese të tillë. Krijimin e fondeve jo vetëm nga pagesa e anëtarësisë, por edhe përmes ndonjë rruge tjetër, Pipa e shihte me interes dhe një nevojë të patjetërsueshme, që do të përmbushte nevojat e aktiviteteve kulturore, në të cilën fushë ai nuk shihte asnjë rezultat: 

“Kemi plot nji shekull në këtë vend. Dhe çka kemi prodhue në fushën e kulturës? Dy tri pika uji në nji det. Ku janë librat dhe revistat shkollare, çpikjet dhe zbulimet, çmimet dhe fitoret me të cilat t’i bahemi të njohun botës? Ku janë njerëzit tanë me pozita kyçe n’administratë, ndër partitë politike, në themelimet shkencore, n’universitete, në ndërmarrje industriale, ndër shoqni tregtare, ndër bankat, ndër sindikatat? Ku janë personalitetet tona në fushat e shkencës dhe t’artevet, të letërsisë dhe të muzikës, të theatrit e të kinemasë? Gjatë nji shekulli nuk kemi qenë të zotët të nxjerrim, bahen a s’bahen nja dhjetë të dokturuem me PhD. Nuk kemi ende nji revistë shkollare. Vazhdojmë të mburremi me emnat e Nolit e të Konicës. Nuk jemi ende të zotët të nxjerrim nji përfaqësues tonin në lamën politike, dhe duhet t’i vardisemi njenit e tjetrit, të cilit  çashtja shqiptare i levertisë vetëm me ba karrierë. Dhe kur ndonjiherë qëllon e na del emni në shtyp ose në radio, nuk asht për lavd, por për turp, për veprimtari mafioze o për vëllavrasje”.

Sipas Pipës kjo ishte gjendja e mjerueshme e “Vatrës” në të cilën ishte katandisur, prandaj kërkonte që të ndryshohej që nga themeli, duke marrë mësim e shembuj në fillimet e saj, kur ajo ishte vërtet “nji vatër patriotizmi e kulture”. Prandaj kërkonte me shumë dashamirësi, me shumë sinqeritet, madje duke e quajtur patriotizëm që ajo të bëhej  një vatër kulture, që ishte dhe duhej të ishte misioni dhe arsyeja e qenies së saj.

Përfundime

Ky shkrim, ashtu siç janë edhe disa të tjerë, i paraprijnë ardhjes së Pipës në krye të Vatrës dhe të Diellit në mars të vitit 1991. Misioni dhe përpjekjet e tij për një periudhë pak më shumë së njëvjeçare në krye të Vatrës dhe Diellit, njëkohësisht, siç duket nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, në ndërkohe që ai u tërhoq dhe vazhdoi jetën e tij në Uashington, në shtëpinë e së motrës. Megjithatë, na duhet të themi se Pipa gjatë kohës së jetës në Amerikë, punoi me përkushtim dhe në vazhdimësi në fushën e shkencës dhe të botimeve, përmes të cilave ai mendonte se po afirmonte vlerat kulturore shqiptare. Këto shkrime dhe këto përpjekje atë e bëjnë më të integruarin në jetën arsimore dhe shkencore amerikane. Këtë e dëshmojnë edhe titujt akademik që i mori në institucionet më të larta arsimore të Amerikës, sikurse edhe veprat e tij me përmbajtje shqiptare, të botuara në gjuhën angleze, por edhe në gjuhë të tjera, përmes të cilave ai donte të realizonte atë që propozonte që ta realizonin “Vatra” dhe vatranët, si një nga organizatat më të vjetra të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë.

Pipa, përmes këtyre shkrimeve dhe punës së tij të palodhur në këto fusha, pa menduar asnjëherë që të krijonte ndonjë pasuri materiale, do të mbetet një nga personalitetet e rëndësishme të kulturës dhe të letërsisë shqiptare, pavarësisht se vepra dhe emri i tij u anashkaluan dhe u rezignuan nga ana e shtetit shqiptar deri në rënien e regjimit komunist. Me punën dhe përpjekjet e tij si dhe me publikimet në gjuhë angleze, Pipa do të mbetet edhe një nga luftëtarët më të denjë në diasporë në sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ndërkaq, shqetësimet e tij të shpërfaqura në lidhje me “Vatrën” nuk janë shqetësime vetëm për zhvillimet në “Vatër”, por edhe shqetësime të përgjithshme për shqiptarët që jetojnë në Amerikë. Shihet se fokusi i Pipës, prej fillimit deri në mbarim, është ai i zhvillimit kulturor, arsimor e intelektual të shqiptarëve në Amerikë. Përmes këtyre zhvillimeve ai shihte integrimin e tyre në jetën dhe shtetin e amerikan. Këto shqetësime të tij, të shpërfaqura këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, sikur janë aktuale edhe sot, prandaj duhet vlerësuar angazhimin intelektual të tij, nëse kjo nuk ka ndodhur deri më tani.

ARSHI PIPA – HIS RELATIONS WITH “VATRA”, THE BEGINNING AND DEVELOPMENTS OF HIS LITERARY AND SCIENTIFIC CREATIVITY IN AMERICA

Prof.Asoc.Phd Besim Muhadri

“Fehmi Agani” University. Gjakova, Kosova

Summary

Arshi Pipa is undoubtedly one of the most complex figures of Albanian literature and the affirmation of its values in the United States, where he lived and worked from 1958 until his death in 1997.

During this time, his connections with the Albanians and especially with the Pan-Albanian Federation “Vatra” and with the newspaper “Dielli”, were inevitable, while in the spring of 1991 he was elected chairperson of “Vatra”, a task in which he ran for one year. His goal was to put “Vatra” in the service of problems of historical importance for our nation such as: democratic developments in Albania and finding a solution for the Kosovo problem. During this noticeably brief time, he devoted all his energies to the recovery of “Vatra” and did a lot of valuable work.

These contributions of Pipa will be in the focus of our work, without neglecting his other contributions, both in the field of literary study and in the affirmation of the cultural and literary values of Albanians in the United States of America, through magazine “Albanica” ect.

His mission and efforts for a period of a little more than a year as the head of Vatra and Dielli, at the same time, apparently did not give the desired results, while he retired and continued his life in Washington, at his sister’s house. However, we must say that Pipa, during his life in America, worked diligently and continuously in the field of science and publications, through which he thought he was affirming Albanian cultural values. These writings and these efforts make him the most integrated in American educational and scientific life. This is evidenced by the academic titles he received at the highest educational institutions in America, as well as his works with Albanian content, published in English, but also in other languages, through which he wanted to realize what he proposed to make “Vatra”, as one of the oldest organizations of Albanians living in America.

Pipa, through these writings and his hard work in these fields, without ever thinking of creating any material wealth, will remain one of the important personalities of Albanian culture and literature, despite the fact that his work and name were overlooked and resigned from the Albanian state until the fall of the communist regime. With his work and efforts as well as with publications in English, Pipa will remain one of the most worthy fighters in the diaspora in raising awareness and solving the Kosovo issue.

Meanwhile, his expressed concerns about “Vatra” are not only concerns about developments in “Vatra”, but also general concerns for Albanians living in America. Pippa’s focus, from beginning to end, is that of the cultural, educational and intellectual development of Albanians in America. Through these developments, he saw their integration into American life and state. These concerns of his, expressed here sixty years ago, seem to be relevant even today, therefore his intellectual commitment should be appreciated, if this has not happened until now.

Referencat

  1. Çefa, Anton. – “Arshi Pipa, nga arratisja më 1959 tek jeta si pedagog në universitetet amerikane”, Gazeta “Nacional”, 30 korrik 2021.
  2. Kalakulla,Uran.-Arshi Pipa-Njeriu dhe vepra, Plejad, Tiranë 2010, ISBN: 9789995657383.
  3. Pipa, Arshi.- “Për riorganizimin e Vatrës”, “Dielli”, nr.16, 1983.
  4. Pipa, Arshi. -“Për shpëtimin e Vatrës”, “Dielli”, Vol.78 No.2 Frebuary 28, 1987.
  5. Pipa, Arshi. -“Kosovars tragedy albanias shame”, “Dielli”, Boston Mass. USA, Frebuary 15, 1990, page.5

Filed Under: LETERSI Tagged With: BEsim Muhadri

ROLI DHE KONTRIBUTI I KRISTO FLOQIT NË PAVARËSINË E SHQIPËRISË DHE NË NDËRTIMIN E INSTITUCIONEVE TË SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR

December 2, 2022 by s p

BESIM MUHADRI
Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë

BEDRI MUHADRI
Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë

Juristi, politikani, publicisti, e para së gjthash dramaturgu e komediografi Kristo Floqi, është pa dyshim një nga figurat interesante të periudhës para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse ai ka lënë gjurmë të pashlyera në këto fusha, megjithatë pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas instalimit të regjimit komunist dhe diktatorial në Shqipëri, ai jo vetëm që u harrua, por u eleminua tërësisht nga jeta publike, madje edhe u persekutua dhe vdiq në gjendje tepër të mjeruar, ashtu sikurse edhe shumë personalitete të rëndësishme të të tjerë të Shqipërisë.
Kjo figurë kaq komplekse e kaq e rëndësishme, por mjerisht e fatkeqësisht e harruar nga shteti komunist shqiptar dhe e përmendur apo e prezantur vetëm me ndonjë komedi në Kosovë, doli nga arkivii i harresës dhe mjaft e kompletuar, me anë të librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” të Prof. As. Dr. Jonela Spaho, pedagoge në Universitetin “Fan. S. Noli” të Korçës.

Kristo Floqi lindi në Korçë më 15 nëntor 1920. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. U diplomua për drejtësi në Athinë, ku punoi në profesionin e avokatit më 1899, ndërsa në Korçë hapi një zyre avokature, ku punoi gjatë viteve 1902-1908. Gjatë kësaj kohe ai punoi si avokat edhe nëManastir, por edhe në Dibër, si anëtar i gjyqit të shkallës së parë.
Siç dihet, në kohën kur studioi dhe filloi të punonte Kristo Floqi, Shqipëria ende ishte nën pushtimin turk, prandaj i duhej të mësonte turqishten. Dhe, për të mësuar turqishten, iu desh të kalonte një kohë në Stamboll. Atje, si shqiptar dhe atdhetar që ishte, nuk mundi të rrinte indiferenet ndaj zhvillimeve dhe aktiviteteve kombëtare që po bëheshin nga intelektualë dhe atdhetarë të shquar shqiptarë të saj kohe. Prandaj, pa humbur kohë, u aktivizua në lëvizjen Kombëtare, duke njohur personalitete të njohura të kohës, atdhetarë e shkrimtarë shqiptarë të asaj kohe. ky aktivitet atij do t’i shkaktone telashe me pushtetin turk, prandaj, me shumë vështiërsi, iu desh të ikte dhe, më pas të lëshonte edhe Shqipërinë dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimi në Amerikë -kontributi i tij në botimin e gazetës “Dielli” dhe në themlimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”

Në Amerikë, shumë shpejt do të inkuadrohet në zhvillime të rëndësishme dhe aktivitete kombëtre të shqiptarëve, duke fituar një autoritet dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga ana e mërgatës shqiptare. Për një kohë ai drejtoi gazetën më të vjetër të shqiptarëve, “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe tani. Ai nuk është vetëm vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe iniciatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Ndonëse Faik Konica dhe Fan Noli konsiderohen nga ata që hodhën farën e bashkimit, mirëpo thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai Floqi, më 11 dhjetor 1911, përmes gazetës Dielli,të cilën e drejtonte ai në atë kohë. Pra, si editor i “Diellit” Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit dhe duke eleminuar apo luftuar përçarësit. Ajo qëështë edhe më e rëndësishme, edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga Kristo Floqi.
Të gjitha këto aktivitete e organizime në komunitetin shqiptaro-amerikanë, kishin një qëllim: Përgatitjen e shqiptarëve për punë të mëdha të zgjidhjes së çëshjes kombëtare, në këtë rast, të procesit të pavarësisë së Shqipërisë. Përveç Nolit, Konicës, Sotir Pecit e disa të tjerëve, ndër figurat kyçe të këtyre zhvillimeve shohim të ishte Kristo Floqi, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte shkuar në Amerikë.
Akti i Pavarësisë dhe i formimit të shtetit shqiptar Kristo Floqin, ashtu sikurse edhe Konicën, Nolin dhe të tjerët i gjeti në Amerikë. Këtë akt ata e pritën me entuziazëm, ndonëse nuk ishte ajo që ata kishin punuar dhe ëndërruar. Tani duheshin punë të tjera, siç ishte çështja e ndërkombëtarizimit dhe të pranimit të shtetit të saposhpallur të pavarur shqiptar. Duheshin punë, angazhime në arenën ndërkombëtare. Takime me burrështetas të shteteve të mëdhe dhe kyçe të botës dhe të Evropës, për të bërë diçka për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Gjendja ekonomike dhe shumë aspekte të jera të jetës dhe të rrugëtimit të shtetit të saposhpallur ishin si mos më keq, prandaj dueheshin angazhime nga të gjithë e veçamas nga ata që kishin bërë emër e miq nëpër botë. Ndër ta ishin edhe Noli, Konica, por pse jo edhe Floqi.

Në ndërkohë, njëKongres panshqiptaar u mblodh në Trieste. Kjo u bëme iniciativën e Austro-Hungarisë, e cila dëshironte që shqiptarët të kërkonin mbretin e tyre nga dinastia e Habsburgëve. Nga “Vatra” si përfaqësues në këtë kongres u zgjodh Konica, ndërsa ortodoksët dhe klerikët e Amerikës zgjodhën Nolin si përfaqësuesin e tyre, i cili do të bashkohej me Konicën në Trieste. Shumë shoqëri shqiptare në Amerikë i kërkuan edhe Floqit që të shkonte në Trieste, por për shkak se Konica me Nolin ishin larguar, i mbetej atij që të merrej me çështjet patriotike në Amerikë. Megjithatë, ai do të niesët për të marrë pjesë në këtë kongres, në kjohën kur ai veç kishte përfunduar punimet me rezuktate të suksesshme për çështjen e Shqipërisë, duke njohur qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit dhe duke shprehur mbështetjen e patundur për të. Po ashtu në Kongres u dikutua edhe puna e kufijve etnikë të shtetit të ri, prej nga edhe u dërguan rezoluta të fuqishme kryeqyteteve europiane dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që ishte në punimee sipër, ku u bëhej thirrje për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe heqjen e bllokadës greke”.
Aty Floqi u takua me Nolin dhe Konicën me të cilët diskutoi për rezultatet pozitive të kongresit, në dobi të çështjes shqiptare.Pas kësaj kohe, Floqi dëshironte të shkonte në Vlorë, mirëpo ishte i penguar nga forcat greke që e kishin bllokuar hyrjen për në Vlorë. Prandaj ai shkon edhe në Venecia, mirëpo prapë kthehet në Trieshë e së fundi, me propozim të Nolit, shkon në Napoli, që të takonte dukën e Napolit, Montespier, pretendentin e fronit të Kastriotëve, i cili kishte mundësi të çante kufirin me jahtin e tij dhe t’i çonte ata në Vlorë.

Në Napoli mësuan se qarqet qeveritare italiane ishin zemëruar për shkak se shqiptarët nuk e bënë kongresin në Itali, por në Austri, sepse sipas tyre, Italia e kishte ndihmuar shumë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për bisedime konkrete, ata dërguan agjentët e tyre, të cilët u takuan me Floqin dhe Nolin në Napoli. Italianët iu propozuan të qëndronin në Napoli, duke iu premtuar një zyrë shtypi, e cila të drejtohej prej tyre në favor të çështjesshqiptare. Kjo ishte e rëndësishme sepse duke pasur një zyrë dhe një organ shtypi, mund të ndihmonin propogandën shqiptare dhe mbrojtjen e qyteteve kryesore të Shqipërisë; Shkodër, Korçë dhe Gjitokastër, të cilat rrezikoheshin të aneksoheshin prej Serbisë dhe Greqisë. Ky propozim i italianëve iu ra në ves austriakëve, të cilët shqiptarëve zyra dhe një shtypshkronjë, me qëllim që shqiptarët tëqëndronin në Trieste. Në ndërkohëFloqi u thirr nga Drejtori i Sigurimit Publik të Triestes, i cili i premtoi krijimin e të gjitha lehtësive që gazeta të dilte brenda tre muajsh. Por ai nuk e pranoi këtë propozim, në emër dhe të shqiptarëve të tjerë, sepse prej kohësh ju kishin kërkuar autoriteteve austriake që të hapnin një gazetë shqip në Trieste por ata kishin refuzuar,ndërkohë që kur nuhatën qëllimet e Italisë u zgjuan dhe kërkonin të rivalizonin me ofertat e tyre.
Shqiptarët kërkuan prej italianëve vetëm agjensinë e lajmeve “Tefani” dhe akomodimin, për një periudhe prej 3 muajsh, të 6 shqiptarëve që do të punonin atje, me mendimin se këto shpenzime do t’i paguante një ditë qeveria shqiptare. Kështu Hil Mosi që ndodhej atë kohë në Milano, pasi hyri në bisedime me autoritetet qeveritare italiane, iDërgoi Floqit një shumë prej 150 koronash, me qëllim që ai të vinte në Milano. K.Floqi u nis për në Milano me shpresën që të tërhiqte me vete, së shpejti, e dhe shokët.
Në Milano e pritën Hil Mosi dhe Xhuzepe Skiroi, të cilët i propozuan të formonin një shoqëri shqiptare, bashkë më shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, me shpenzimet e qeverisë italiane.Floqi kundërshtoi duke thënë se nuk pranonte as ai, as shokët e tij të holla nga qeveria italiane, sepse ata nuk ishin aventurierë por patriotë që do punonin për çështjen e Shqipërisë, por Skiroi e bindi se Italia do të ishte shumë e kënaqur të ndihmonte patriotët shqiptarë që të punonin për çështjen e Shqipërisë, sepse në fakt ekziston te dhe rivaliteti meAustrinë. Pas disa ditësh K.Floqi thirri në Milano shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, rreth 16 veta, midis të cilëve, Nolin, Gramenon, Sotir Gjikën, Spiridhon Ilon dhe së bashku dhe me Skiroin dhe Kozmo Seremben, themeluan komitetin shqiptar “Shqipëria e re”.
Pas disa kohësh Fan Noli u largua për në Rusi dhe Rumani dhe më pas edhe Hil Mosi. Ata shqiptarë që mbetën filluan punën. Floqi tregon se rezultati i punës i solli dobi çështjes shqiptare. Telegramet dhe apelimet që ju dërgoi komiteti qarqeve qeveritarte europiane, por dhe Shteteve të Bashkuara, shpëtuan Shkodrën, Korçën dhe Gjirokastrën, nga thonjtë e Serbisë dhe Greqisë. Ndërkohë, Duka Montpensier kishte mundur të çante bllokun në Vlorë dhe të silltenë Napoli Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Ismail Qemali pasi mësoi për ekzistencën e komitetit shqiptar në Milano, bisedoi në telefon më Floqin i cili i raportoi për punën e komitetit dhe programin e veprimit. Ismail Qemali do të shkonte në Vjenë duke kaluar nga Venediku dhe Kristo Floqi i propozoi të ndalej në Milano, për t’u takuar e biseduar më konkretisht. Ai e pranoi propozimin. Ismail Qemali ndenji katër ditë në Milano dhe u nis prej andej në Vjenë, por duke e njoftuar se Vlora dhe rrethinat e saj po rrezikoheshin nga uria, për shkak të bllokimit të kufirit prej flotës greke, prandaj i porositi anëtarët e komitetit që të gjenin një mënyrë për zgjidhjen e krizës.
Pas ikjes së Ismail Qemalit, Floqi hyri direkt në bisedime me qeverinë italiane dhe me anë të Ministrit të Jashtëm të kësaj qeverie u arrit që të jepej urdhër për nisjen në Vlorë të një vapori me mallra ushqimore, madje u garkua dhe një ekip për shpërndarjen e tyre.
Qeveria italiane i propozoi Kristo Floqit që të nisej në Vlorë për të shoqëruar anijen. Floqi këtë propozim e priti me një entuziazëm të madh, jo vetëm se pas kaq kohësh do të shkelte prapë në atdheun e tij, por për më tepër që do të shkonte për të shpëtuar popullin e Vlorës nga uria. Në Vlorë shpërndarja e ndihmave u bë në mënyrë të rregullt, sipas listave të paraqitura nga Bashkia e Vlorës, dhe pas mbarimit të misionit ai u bë gati të nisej për në Milano.
Në këtë kohë, ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Ismail Qemalit, Petro Poga, i nënshkroi menjëherë dekretin me anë të të cilit e ngarkonte me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, si dhe me misionin për organizimin e sistemit gjyqësor në gjithë vendin, detyrë të cilën e pranoi.
“Unë u ndesha në një pozitë delikate, se si patriot s’mund të refuzonja një shërbim zyrtar me të cilin më ngarkoj e para Qeveri Shqiptare, sado e vogël që qe rroga. Po nga ana tjetër, si i ngarkuar me mision nga ana e qeverisë italjane, me një qëllim mirbërës për shqiptarët e Vlorës, s’munt edhe të mos kthehesha në Milano ku kisha dhe detyrat eKomitetit tonë përsipër, do të shprehet në mes tjerash Floqi në kujtimet e tij..

Pas kthimit në Atdhe, Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit.
Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqion Postolit etj.
Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve, ku ka ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik.
Me gjithë këto kontribute në fusha të ndryshme, si në aspektin jurdik, ashtu edhe politik e letrar, Kristo Floqi pat një fund tragjik. Vdekja e tij ishte tepër tragjike dhe e dhimsbhme. Vdiq një vit pas daljes nga burgu (1951), në një gjendje plotësisht të mjeruar, i braktisuar e i harruar. Askund nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Mendoj se libri i botuar i studiueses Jonela Spaho, është një ndër kontributet më të rëndësishme që hedh dritë mbi jetën dhe kontributet e Kristo Floqit, këtij eruditi e patrioti të madh shqiptar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: BEsim Muhadri

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT