• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreth etimologëve popullorë dhe shkencorë

April 26, 2023 by s p

Bledi FILIPI/

Për këtë shkrim mora shkas nga shkrimet dhe emisionit të ditës së djeshme në mediat e përditshme kommbëtare. Mendoj me vete ku po shkojmë? Është për të ardhur keq që sot kur ecet me gjuhën e shkencës, disave u pëlqen të merren me mite a legjenda e të flasin pa prova dhe si rrjedhojë po bëhemi qesharakë në sy të botës. Nuk po kuptohet vitet e fundit se kush është gjuhëtar, kush mjek, kush jurist e me radhë, dhe mos të them që ka dhe nga ata që i bëjnë të gjitha. Një miku im më nisi dje një shkrim, duke më kërkuar t’i jepja një shpjegim pasi unë merrem paksa me etimologji, por kur pash atë shkrim dhe dhe se autori në fjalë ishte akademik, shtanga, falënderova të madhin Zot që jam një mësues dhe deri më sot u kam ofruar nxënësve ato gjëra që janë të sakta shkencërisht.
Para se të hyj në tematikën që do të trajtoj, dua t’ju them se kohët e fundit edhe ju mbase si unë keni ndjekur emisione “të forta” ku “gjuhëtarë” të vetëshpallur ngrenë zërin e thonë se shqipja është në na e gjuhëve; por ç’ke ti mund të thotë dikush nga ju, s’të pëlqen? Më pëlqen. Dua me gjithë zemër por ashtu si dhe në gjyq duhen dokumente e prova dhe gjuha do dokumente. A i kemi? Kur fillojnë? Disa të tjerë dalin e thonë me plotë bindje se Muhamedi qenka nga Skrapari dhe Jezusi nga një fshat i Mirditës. Nga njëra anë për të qeshur e nga tjetra për të grushtuar kryet. Po le të kthehemi tek çështja jonë vjetërsia e shqipes dhe etimologjia. Edhe këto dy disiplina gjuhësore kanë rregulluat e tyre, madje janë rregulla ndërkombëtare të cilat vërtetohen me dokumente. Para se të kalojmë tek çështja kryesore, do të bëni durim dhe të lexoni se ç’është etimologjia dhe si ndahet ajo. Etimologjia është një degë e shkencës gjuhësore, që merret me prejardhjen e fjalëve. Ajo përcakton se kjo apo ajo fjalë e një gjuhe është fjalë vendi apo e huazuar, zbulon lidhjet e dikurshme midis fjalëve të një gjuhe si edhe lidhjet e tyre gjenetike midis fjalëve me fjalët që u përgjigjen në gjuhët motra.
Etimologjia merr dhe studion kryesisht fjalët rrënjë të një gjuhe dhe ato që sot ndihen të tilla. Për të sqaruar drejt prejardhjen e fjalëve , ajo sjell material për krahasim nga gjuhët e afërta. Kjo është etimologji shkencore. Etimologjia popullore përcakton prejardhjen e fjalëve , duke u mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme, tingullore me fjalët e tjera të njohura zakonisht pa marrë parasysh ligjet e zhvillimit historik të gjuhëve. Fjala etimologji përdoret në praktikë jo vetëm për të treguar atë degë të gjuhësisë , që studion prejardhjen e fjalëve, por edhe për të shënuar vetë prejardhjen e fjalës (kështu themi se etimologjia e kësaj fjale është e vështirë, e paqartë). Përcaktimi i etimologjisë së fjalëve ka, veç interesit shkencor, edhe një rëndësi të madhe njohëse. Studimet etimologjike ndihmojnë drejtpërdrejt në historinë e një populli, sepse historia e një gjuhe nuk mund të shkëputet nga historia e një populli që e flet, ato janë të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën.

Gjetja e etimologjive është një punë tërheqëse edhe për njerëzit e zakonshëm, që nuk merren me gjuhësi, por etimologjia shkencore në vetvete nuk është një punë aq e lehtë, ashtu si mund të duket në vështrim të parë. Ajo kërkon një njohje të thellë të ligjeve që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit historik të një gjuhe, njohje të gjuhëve motra si edhe njohuri të gjera në lëmin e historisë dhe të kulturës së popujve. Në përcaktimin e etimologjive gjuhëtari duhet të mbështetet jo në ngjashmëritë e rastit midis fjalëve, por në korkondancat fonetike, që u përgjigjen ligjeve fonetike që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit të një gjuhe. Së pari, duhen marrë në shqyrtim ligjet fonetike kur krahasohen fjalët, së dyti, duhet vështruar struktura gramatikore e fjalës dhe ndryshimet e saj dhe së treti, duhen pasur parasysh marrëdhëniet kuptimore midis fjalëve; fjalët krahasuar nga ana fonetike, gramatikore dhe kuptimore. Të tria këto duhet të përforcojnë dhe të plotësojnë njëra-tjetrën.
E di që u zgjata por duhej t’i sqaroja këto që të dalim tek thelbi i shkrimit. Akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Abdulla Memeti krahas shkrimit etimologjik shkencor, na sjell një arritje, etimologjinë popullore të fjalëve të mëposhtme emri i festave fetare islame të Bajramit, me prejardhje nga gjuha shqipe dhe burim nga traditat e lashta Pellazge-Ilire tezë për diskutime dhe reflektim. Me emrin Bajram, dy festat kryesore fetare Islame njihen vetëm ndër popujt që janë sunduar nga Perandoria Osmane, në trojet e lashta pellazge-ilire, jo edhe në botën arabe, siç e shpjegojnë etimologjia e kësaj fjale në gjuhën shqipe dhe historia e prejardhjes së këtyre festave sipas traditës së lashtë pellazge-ilire.
Prejardhja dhe kuptimi në gjuhën shqipe i fjalës Bajram BAJRAM-I; Bajramin (kall.): BAJ (bëj) – R (i/e re) – AMIN (lutje). Në kuptimin më të gjerë nënkupton: Bërje e lutjes (Amin),
Për pranimin e agjërimit dhe ibadeteve të tjera nga Zoti, për Një fillim të ri, pas agjërimit (pastrimit) në muajin e Ramazanit. Edhe fjala tjetër-Fitër, që i bashkëngjitet fjalës Bajram, gjen shpjegim të plotë në gjuhën shqipe: Fi (t)-ri; fillim i ri; nga fjala fit (fyt), që nënkupton fillimin e ngrënies dhe pijes pas. Kuptimi i fjalës LEBERAN në gjuhën shqipe është më i plotë dhe i qartë se në të gjitha shpjegimet përmes gjuhëve të tjera, që janë bërë nga studiuesit e derisotëm. LE (lind) BE (besim) ANË (vise, vende). Festat që lidhen mefillimin e besimeve monoteiste në ato vende. Me këtë rast duhet të përmendim faktin se, përhapësit e besimeve fetare në një Zot (monoteiste), fillimisht të fesë së Krishterë dhe më vonë të fesë Islame në botën Lindore, kanë qenë padyshim ilirët-shqiptarët, gjatë sundimit të Perandorisë Romake Lindore dhe të Perandorisë Osmane etj., etj.
Kur lexon kësi etiomash dhe nga akademikë, të vjen të ulërish. Qesharake por dhe mjerane se ku po e katandism veten. Njeriu thoshte i ndjeri prof. Demiraj duhet të flasë e shkruaj me mend në kokë dhe këmbë në tokë. Nëse vazhdojmë të flasim kështu do të bëhemi qesharakë në sy të botës. Nga ana tjetër në Top Chanal të ftuar profesori i nderuar Xhevat Lloshi, Elena Kacaqi dhe si fillim fjala i jepet Elenës e cila me pasion flet për gjuhën shqipe si çelës i gjuhëve botërore dhe se çdo fjalë rruzulli ka kuptimin shqip. Flet me pasion për fjalët rrokore etj. Kur merr fjalën prof. Lloshi, dhe flet me gjuhën e shkencës, me maturi dhe kulturë, e Kocaqi mundohet t’i ndërpresë fjalën. Profesor Lloshi sjell fakte të mbështetura në shkollat më në zë dhe literatura botërore të viteve të fundit. Dhe nga ana tjetër me një qetësi shkencëtari filonë të sjellë argumente shkencore dhe arritjet e deritanishme të shkencës gjuhësore shqiptare. Por nga ana tjetër zërit kundra do ti bashkëngjitet edhe Llalla, i cili dashur padashur rrëmbehet nga emocionet dhe fyen profesorin.
Kocaqi nga ana tjetër që hedh baltë mbi nismëtarët e etimologjisë shkencore shqiptare dhe në adresë të AShSh-së. Profesor Lloshi sërish me kulturë mundohet t’i shpjegojë rolin e AShSh-së por sërish ajo zhurmuesen dhe këmbëngulëse që shqipja gjuha më e vjetër në botë.
Por siç e thekson edhe prof. Lloshi nuk mund të flasim për gjuhë të vjetra mbi dy mijë vjeçare, pasi këtu lind gjuhë tjetër e re. Nga debati i krijuar në studio, më pëlqeu shprehja e prof. Lloshit, që duhen ndërgjegjësuar shqiptarët për prejardhjen e shqipes dhe etimologjitë shkencore. Përse them se më pëlqeu? Them më pëlqeu pasi kohët e fundit mediet jaanë mbushur me persona të që i kanë hyrë etimologjisë popullore dhe po keqinformojnë brezat.
Të gjithë duam që gjuha jonë të jetë e stërlashtë, pasi e meritojmë se jemi një popull i lashtëë dhe në tokat tona, porse kur vjen puna tek historia e gjuhës dhe etimologjia duhen fakte, ashtu sikur kërkon dhe historia. Këto gjëra me përpikëri dhe maturi u përpoq profesori i nderuar t’i shpjegonte, porse është e vështirë që shkenca të pranohet nga të gjithë. Gjuhësia shqiptare ka një shkollë të sajë që është arritur me mund e përpjekje, ka fillesat e etimologjisë që ka ecur paralel me ato botërore dhe është mëkat të hidhet baltë mbi punën e vyer të atyre që shkrinë jetën për të. Etimologjia popullore u ngjet përrallave që pëlqehen nga të gjithë, dëgjohen me gojë hapur, por ama etimologjia shkencore përballet me faktedhe krahason. Është bukur të themi që gjuha shqipe është shqip se është “gjuhë e shqyer” siç e cilësojnë etimologë popullorë, por nëse pëballemi me shkencën dalim qesharakë. Nuk ka ngelur fjalë e familjes indoevropiane pa e pasë zanafillën nga shqipja. (Megjithëse tashmë kanë dalë edhe nga ata që po nxjerrin edhe nga familja semitike.) Kur përballesh me gjykatat duhen letra ashtu dhe gjuha do shkrimet e saja për të bërë krahasimet me gjuhë të tjera të po asaj familjeje. Si përfundim, dua të theksoj se emisione të tilla duhen, por të flasin specialistët ashtu siç foli prof. Lloshi. Debati? Po edhe ai duhet pasi nga debati lindin rezultate, por në debate do folur me maturi, duhen sjellur fakte jo të hedhim baltë mbi ata shkencëtarë që e gjetën shkencën e gjuhësisë zero dhe hodhën themelet e hekurta të saj.

Filed Under: Fejton Tagged With: Bledi Filipi

Në kujtim të 100- vjetorit të lindjes së Androkli Kostallarit (1922-1992)

November 7, 2022 by s p

Bledi Filipi 

Si  sot, një shekull më parë, në 7 nëntor 1922, lindi gjuhëtari Androkli Kostallari. 

Lartësimi i shqipes ishte forca e rëndesës që e priu drejt përmbushjes së vokacionit të tij, gjuhësisë. Zotëronte një formim teorik tejet të gjerë, si rezultat i hulumtimeve vetjake dhe i studimeve të ndjekura në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1949-1954).

Ka zënë vend në enciklopedinë e gjuhësisë shqiptare me personalitetin e vet shkencor krahas figurave të shquara, si: A. Xhuvani, E. Çabej,  K. Cipo, M. Domi, I. Ajeti, S. Riza etj., që së bashku me gjuhëtarë të tjerë të mëparshëm si: S. Frashëri, K. Kristoforidhi etj., si dhe albanologë të shquar të së kaluarës e të së tashmes, krijuan e pasuruan atë që quhet trashëgimia e gjuhësisë shqiptare.

  Në opinionin shkencor shqiptar emri i këtij studiuesi të shquar të shqipes, lidhet në rend të parë  me ndihmesën e tij të madhe për njësimin e shqipes standarde dhe në fushën e leksikografisë shqiptare; përkatësisht në hartimin e Fjalorëve shpjegues të shqipes dhe fjalorëve dygjuhësh , dhe sidomos fjalorëve terminologjikë, përfshi këtu edhe organizimin  dhe udhëheqjen e punës për realizimin e tyre. (Kostallari 5-209)

Por do të ndalemi në ndihmesën e drejtpërdrejtë në fjalëformimin e shqipes, këtë  e sjellin studimet e tij të gjera mbi kompozitat.

 Punimet e tij hedhin dritë mbi disa veçori themelore të fjalëve të përbëra dhe mbi zhvillimin e tyre.

 Prof. Kostallari vërteton qenien e kompozitave të mirëfillta me krahasime të shumta me sanskritishten, greqishten dhe latinishten, dhe e mbështet mbi dëshmimin e gjerë të tyre në dialektet dhe në shkrimet e vjetra të shqipes.

Të gjitha studimet dëshmojnë se ai ka ecur në hullinë e hapur nga K. Kristoforidhi e S. Frashëri, mbështetet drejtpërdrejt në shqipen popullore dhe i pasqyron objektivisht fjalët e përbëra. Këtë traditë më parë e kishin ndjekur edhe N. Jokli, me artikullin “Naim Bej Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe”, K.Cipoja me punimet “ Rreth disa kompozitave”, dhe A. Xhuvani me punimin “Kompozitat”, të cilët u mbështetën  në materialin e gjallë leksikor të shqipes së shkruar dhe të folur. (Kostallari 5-203)

Megjithatë, këta autorë e kuptuan se studimet e  formimeve të përbëra si një punë që sapo kishte nisur dhe shtruan detyra të gjera lidhur me të. A. Xhuvani, bie fjala, vinte në dukje se kompozitat e shqipes u hapnin studiuesve “ një shesh të madh studimi, pse janë shumë e gjithfarësh” dhe atyre duhet t’i kushtohet një studim i gjithanshëm dhe i shkoqitun” (A.Xhuvani-11)

Punimet e prof. Kostallarit duket se e kanë dashur të përmbushin këtë detyrë. Ato përshfaqin një problematikë të gjerë e mjaft të shkoqitur për historikun e kompozitave.  

Vepra e tij mbetet një pikë referimi për çdo studiues të shqipes brenda dhe jashtë vendit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bledi Filipi

Migjeni uragan i letërsisë shqipe

October 14, 2022 by s p

Bledi Filipi 

Në kujtim të diëlindjes së Millosh Gjergj Nikollës ( 13 tetor 1938- 26 gusht 1938)

 „…vepra ime ka karakter luftarak dhe, paraprakisht, për kushtet e veçanta tonat, duhet me e manovrue, pra, disa herë, edhe në mënyrë të maskueme. Unë s’mund t’ua spjegoj këto grupeve. Ata duhet t’i kuptojnë vetë. Qarkullimi i veprës s’ime  diktohet nga imperativi i etapës shoqnore që po kalojmë. Për veten time, unë e quej veprën t’ime si një kontribut për bashkimin e këtyre rretheve. Në rrnofsha, vepra ime konspektivisht do të kryhet. Kam besim se vegimet e mia do t’i verifikojë zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve..”.-Migjeni ( “Nëntori” 11 1955/ f.69).

Migjeni ndoshta e parandiente që do të largohej shpejtë nga kjo botë. Ndaj edhe shkrimi i mësipërm vjen si një profeci që ai bën për jetën dhe veprën e tij. Shkrimtar që pëlqehet nga çdo moshë dhe vargjet e tij pëlqehen nga cilido, kjo për të vetmen arsye: se ai ishte vetvetja dhe e nxirrte atë çka i vlonte në gji.

Migjeni , ky uragan i letërsisë shqipe që qe zëri i rinisë së atëhershme jetoi pak por la pas një vepër madhore. Veprimtaria  e Migjenit përmblidhet në vitet 1934-1936. Gjer më 1936-tën ai pati  shkruar pjesën më të madhe të vjershave dhe prozave të tij. Më 1937-1938 shkroi  pak sepse sëmundja sa vinte dhe e rëndonte më tepër. Në  mbarim të vitit 1937 Migjeni do të niset për në Torino të Italisë për t’u mjekuar  dhe ndjekur studimet për letërsi.

Por fati nuk mbajti në anën e Migjenit, sëmundja e rëndoj edhe më tepër dhe pikërisht në marsin e vitit 1938, poeti u shtrua në sanatoriumin e Torinos, dhe më 26 gusht  kur ende nuk kishte mbushur 27 vjeç, Migjeni u shua.

Migjeni , mbetet një ndër shkrimtarët e pëlqyer në letërsinë shqipe si poet dhe si prozator. Prozat e  Migjenit  kanë rëndësi jo vetëm për gjerësinë e tematikës, forcën e ideve, vlerën artistike, por se ato, i flasin hapur lexuesit sikur dialogojnë me të. Përmes alegorisë Migjeni fshikullon anët e errëta të shoqërisë së atëhershme. Kjo duket te : ‘’Sokrati i vuejtun apo derr i kënaqun”, këtu ai godet hipokrizinë shoqërore.

Tek Migjeni nuk mungon as elementi  romantik. Elementi romantik është pjesë përbërëse e  realizmit të Migjenit. Si në prozë ashtu edhe në poezi, Migjeni ka stilin e vet, një stil që i dallon menjëherë shkrimet e tij. Stili i tij është energjik dhe sulmues; gjëmon dhembja për të mjerët. Nëse në poezi Migjeni zgjatet, në prozë bën të kundërtën: shkurt dhe prerazi.

Për gjuhën e Migjenit mund të nxirren këto përfundime:

Ai shkroi në të folmen e Shkodrës, por edhe të folmeve të krahinave të saj. Tek poeti ndeshet ndonjëherë edhe  ndonjë influencë të rrallë të  toskërishtes, kjo për arsye se kishte jetuar në Manastir. Disa nga fjalët gegërisht që e pasurojnë  gjuhën e Migjenit janë: aht, biban, i harlisun,marre,   i molisun , dikon, zhelmel etj.

Gjithashtu në shkrimet e Migjenit hasen edhe  fjalë neolatine: akord, akrobaci, alegori, apotezë, diskret, ekstazë, fatal etj.

Migjeni,  jetoi pak por la pas një vepër madhore. Fuqia e tij e fjalës , saktësia e përshkrimit, njohja e jetës e çuan  i dhanë shtysë për të ecur në krijimtari. Migjeni poeti i madh që i reziston kohërave është dhe mbetet një Bodler i letërsisë shqipe.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bledi Filipi

Migjeni uragan në letërsinë shqipe  

August 30, 2022 by s p

Bledi Filipi 

„…vepra ime ka karakter luftarak dhe, paraprakisht, për kushtet e veçanta tonat, duhet me e manovrue, pra, disa herë, edhe në mënyrë të maskueme. Unë s’mund t’ua spjegoj këto grupeve. Ata duhet t’i kuptojnë vetë. Qarkullimi i veprës s’ime diktohet nga inperativi, i etapës shoqnore që po kalojmë. Për veten time, unë e quej veprën t’ime si një kontribut për bashkimin e këtyre rretheve. Në rrnofsha, vepra ime konspektivisht do të kryhet. Kam besim se vegimet e mia do t’i verifikojë zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve..”.-Migjeni ( “Nëntori” 11 1955/ f.69).

Migjeni ndoshta e parandiente që do të largohej shpejtë nga kjo botë. Ndaj edhe shkrimi i mësipërm vjen si një profeci që ai bën për jetën dhe veprën e tij. Shkrimtar që pëlqehet nga çdo moshë dhe vargjet e tij pëlqehen nga cilido, kjo për të vetmen arsye: se ai ishte vetvetja dhe e nxirrte atë çka i vlonte në gji.

Migjeni, ky uragan i letërsisë shqipe që qe zëri i rinisë së atëhershme jetoi pak por la pas një vepër madhore. Veprimtaria e Migjenit përmblidhet në vitet 1934-1936. Gjer më 1936-ën ai pati shkruar pjesën më të madhe të vjershave dhe prozave të tij. Më 1937-1938 shkroi pak sepse sëmundja sa vinte dhe e rëndonte më tepër. Në mbarim të vitit 1937 Migjeni do të niset për në Torino të Italisë për t’u mjekuar dhe ndjekur studimet për letërsi.

Por fati nuk mbajti në anën e Migjenit, sëmundja e rëndoj edhe më tepër dhe pikërisht në marsin e vitit 1938, poeti u shtrua në sanatoriumin e Torinos, dhe më 26 gusht kur ende nuk kishte mbushur 27 vjeç, Migjeni u shua.

Migjeni, mbetet një ndër shkrimtarët e pëlqyer në letërsinë shqipe si poet dhe si prozator. Prozat e Migjenit kanë rëndësi jo vetëm për gjerësinë e tematikës, forcën e ideve, vlerën artistike, por se ato, i flasin hapur lexuesit sikur dialogojnë me të. Përmes alegorisë Migjeni fshikullon anët e errëta të shoqërisë së atëhershme. Kjo duket te : ‘’Sokrati i vuejtun apo derr i kënaqun”, këtu ai godet hipokrizinë shoqërore.

Tek Migjeni nuk mungon as elementi romantik. Elementi romantik është pjesë përbërëse e realizmit të Migjenit. Si në prozë ashtu edhe në poezi, Migjeni ka stilin e vet, një stil që i dallon menjëherë shkrimet e tij. Stili i tij është energjik dhe sulmues; gjëmon dhembja për të mjerët. Nëse në poezi Migjeni zgjatet, në prozë bën të kundërtën: shkurt dhe prerazi.

Për gjuhën e Migjenit mund të nxirren këto përfundime:

Ai shkroi në të folmen e Shkodrës, por edhe të folmeve të krahinave të saj. Tek poeti ndeshet ndonjëherë edhe ndonjë influencë të rrallë të toskërishtes, kjo për arsye se kishte jetuar në Manastir. Disa nga fjalët gegërisht që e pasurojnë gjuhën e Migjenit janë: aht, biban, i harlisun,marre,  i molisun, dikon, zhelmel etj.

Gjithashtu në shkrimet e Migjenit hasen edhe fjalë neolatine: akord, akrobaci, alegori, apotezë, diskret, ekstazë, fatal etj.

Migjeni, jetoi pak por la pas një vepër madhore. Fuqia e tij e fjalës, saktësia e përshkrimit, njohja e jetës e çuan i dhanë shtysë për të ecur në krijimtari. Migjeni poeti i madh që i reziston kohërave është dhe mbetet një Bodler i letërsisë shqipe. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bledi Filipi

Në përkujtim të albanologut Norbert Jokli

May 7, 2022 by s p

                         Norbert Jokli (1877-1942)

Bledi Filipi

Më 6 maj 1942 u shua Norbert Jokli.

Albanologu i njohur austriak prof. dr. Norbert Jokli, (që ia kushtoi gjithë veprimtarinë e gjithë jetën studimit të gjuhës shqipe), mbante kontakte të vijueshme me shqiptarë dhe ishte i lidhur me ndjenja miqësie të ngushtë me mjaft prej tyre, studentë universitarë në Vjenë ose figura të shënuara të jetës kulturore e shkencore të Shqipërisë.

(M. Domi, SF 1986/2:157)

Këto fjalë të prof. Domit flasin shumë për një figurë madhore të studimeve albanologjike.

 Norbert Jokli, lindi më 25 shkurt 1877 në Bisenz (Bzenec, Moravi Jugore), ndërsa shumë herët u shpërngul  në Vjenë, ku vijoi shkollimin dhe studimet.

Fillimisht studioi për jurisprundencë dhe u diplomua në këto shkenca më 1901, për të punuar një kohë jo shumë të gjatë në praktikën juridike. Në moshën 25 vjeçare iu kthye studimeve të rregullta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe sllave, gjermanike, romane.

Në vitet 1903 – 1923 punoi si bibliotekar kryesor në Universitetin e Vjenës dhe paralelisht zhvilloi studime e  mësimdhënie sidomos për fushat e gjuhësisë fino-ugriane dhe filologjisë sllave-baltike-shqiptare. Më 1929 u zgjodh anëtar i Akademisë  Romune të Shkencave, ndërsa më 1936, në kohën kur albanologu dhe indoevropianisti Holger Pedersen ishte kryetar i Akademisë së Shkencave  Daneze, u zgjodh anëtar i saj.

Më 1937 Mbreti Zog i dha “Urdhrin e Skënderbeut”.

Qysh më 1916 Jokli kishte nisur të bashkëpunonte me Vjetarin indoevropian, dhe jepte shënime të begatshme për shqipen.

Norbert Jokli studimet për shqipen i bëri objekt kryesor të punës hulumtuese të tërë jetës së tij.

 Prof. dr Çabej këtë mjeshtër e cilëson si një sjellës së frymës së re  të këtyre studimeve në krahasim me paraardhësit e tij të mëdhenj, solli gjerësinë  e vështrimeve,  solli risi në metodat e hulumtimit, e thelloi qenësisht njohjen e gjuhës shqipe. (Çabej,I-1986:17)

Si specialist për gjuhët sllave, baltike e shqipe, Jokli pati nisur hulumtimin për gradën “Doktor i Shkencave” me titull: “Një ligj i lashtë (para) sllav i denazalizimit” të mbrojtur  më 1907, ndërsa më 1912  “Studime për  etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”.

Gjatë jetës së tij Jokli pati botuar dy vepra të veçanta: “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortblildung” (1911) dhe “Linguistisch-kulturohistoriche Untersuchungen aus dem Breiche des Albanischen” (1923).

Më 1942, në valën e përndjekjeve naziste për hebrenjtë në Vjenë, Jokli ishte vënë në pozitë të vështirë. Përpjekjet e miqve e të kolegëve austriakë, italianë e shqiptarë (madje dhe të zyrtarëve shqiptarë) nuk kishin qenë të mjaftueshme për ta shpëtuar albanologun shqiptar nga kthetrat e nazistëve…

Për rrethanat e zhdukjes së Joklit, ashtu si dhe për veprat e tij, kanë shkruar shumë studiues të ndryshëm. Mendohet se ndoshta më 6 ose 8 maj 1942 me një transportim hebrenjsh për në kampet e përqendrimit në Poloni , ose të jetë ekzekutuar në Vjenë. Ka edhe disa zëra që mund t’i ketë dhënë fund vetë jetës.

Vdekja e tij e parakohshme qe një humbje e madhe për gjuhësinë shqiptare, pasi ai i pati hyrë hulumtimeve për një fjalor të madh etimologjik dhe  një gramatikë historiko-krahasuese të shqipes.

 Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip

Ai në studimet e tij i jepte përparësi historisë së fjalës, por burimin etimologjik të fjalës synonte ta mbështeste në një pamje sa më të plotë të saj, të formimit dhe të historisë së saj në të gjitha zhvillimet.

Studimet etimologjike të Joklit i shquan, përveç thellësisë së shqyrtimit të gjithanshëm, edhe shoshitja e elementeve të kulturës materiale. 

Vepra e Joklit nuk ishte përfunduar. Vetë Jokli mendonte të përfundonte një gramatikë historike krahasuese të shqipes dhe një fjalor të madh etimologjik.

Prof. Çabej shënon se në gjurmimin etimologjik të fjalëve Jokli zhvilloi me kohë edhe një metodë kërkimore të vetën, në pajtim me kushtet  e veçanta të shqipes pikë së pari ai gjurmoi dhe solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë  në punë të historisë së saj. Për veç kësaj ai kreu një analizë të thelluar të strukturës  morfologjike të fjalëve që studioi, një tipar metode që mund të thuhet së është karakteristik për punën e këtij dijetari.

(Çabej, I -1986:19)

Qëllimi i kërkimeve të tij  nuk u kufizua vetëm rreth historive të fjalëve e për të gjetur burimin etimologjik të një fjale, por edhe për t’i dhënë një pamje të plotë fjalës, formimit dhe historisë së saj, për ta ndjekur këtë fjalë në të gjitha zhvillimet e saj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bledi Filipi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT