• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reagim- A DUHET PERURUAR BUSTI I AQIF LLESHIT NË DIBËR TË MADHE?

September 18, 2020 by dgreca

Më datë 23 shtator 2020, në Dibër të Madhe do të inagurohet busti i Aqif Lleshit, njërit ndër bashkëpunëtorët e kauzës shoviniste serbo-madhe në gjysmën e parë të shekullit të kaluar,jo vetëm në krahinën e Dibrës, por në mbarë hapësirën shqiptare. Që ironia të jetë edhe më e madhe, pas tërë kësaj ceremonie të shëmtuar qëndronKëshilli komunal i Dibrës. Nuk e kemi të qartë se cilët kanë qenë arsyet, dhe mbi cilët fakte është mbështetur, kur ka vendosur të marrë një hap të tillë, kur dihet mirëfilli se të gjitha burimet arkivore në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Beograd tregojnë se Aqif Lleshi së bashku me vellanë e tij, Halit Leshin, ishin zbatues te vendosur të politikave antishqiptare të Nikolla Pashiqit, S.Vukmanoviç Tempos, Rankoviçit  etj. Por, kush ishin vëllezërit Lleshi dhe çfarë thonë burimet relevante të kohës.

     Vëllezërit Halit e Aqif Lleshi në historiografinë shqiptare e më gjerë konsiderohen si dy figurat më të besuara të politikës serbomadhe. Miqësia e tyre me Beogradin daton që nga viti 1915, kur para Milisav Jeliç (bashkëpunëtor i Nikolla Pashiqit) betohen se do t’i zbatojnë në përpikmëri detyrat e dhëna nga Qeveria e Mbretërisë Serbe. (Milisav Jeliç: Halit Lleshi ka qenë vazhdimisht për bashkëpunim më të ngushtë me Serbinë dhe i qëndronte gjithmonë rob ndaj fjalës së dhënë.). Që të dy, gjatë Luftës së I Botërore u rreshtuan në rradhët e ushtrisë serbe dhe për dy vjet rresht (1916-1918) si ushtarë të Esat Pashë Toptanit së bashku me ushtrinë serbe qëndruan në ishullin e Korfuzit. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kur ushtria serbo-malaziaze pushtoi Dibrën e Poshtme, Lumën dhe Hasin, në këto krahina, krahas vendosjes së administratës së dhunshme civile, pushtuesit serb themeluan edhe një këshill me emrin “Këshilli i shqiptarëve të organizuar”, në krye të të cilit qëndronin disa mercenarë (esadistë), si Ymer Efendiu, Halit e Aqif Lleshi, Taf Kaziu, Alush aga i Lumës etj.  Në kuadër të këtij këshilli, u formuan njësi të xhandarmërisë”, të cilat qenë nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë SKS-së, përkatësisht, të konsullit të saj në Dibër, Nikolla Jovanoviç. Të tilla batalione u formuan dy në Dibër nën komandën e Halit Lleshit dhe të Tafë Kaziut si dhe një në Lumë, që drejtohej nga Alush Aga i Bicajve. Ndër këta batalione, besueshmëri më të madhe tek autoritetet politike e ushtarake serbe, pati batalioni që udhëhiqej nga Halit Lleshi. Këtë e pohonte komandanti i Armatës së III, i cili përmes një letre, kërkonte nga Ministria për Punë të Jashtme, që batalioni i Halit Lleshit, të shpërblehej për besueshmërinë e dhënë ndaj politikës serbe:

“…Te batalioni i Halit Lleshit nuk mbisundon çrregullimi dhe disciplina. Batalioni i Halitit jo vetëm se nuk duhet çarmatosur e të konsiderohet si i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në front, porse duhet shpërblyer dhe të pranohet haptazi besueshmëria, lojaliteti dhe gatishmëria që me urdhërin tonë të futet menjëherë në aksion dhe të njëjtin ta kryejë me dëshirën më të madhe. Në këtë pikëpamje batalioni i Halitit është më i mirë dhe më i sigurt se të tjerët, sepse nuk ka tradhëtuar, siç është rasti me batalionin e krahut të djathtë…”.

   Në gusht të vitit 1920 kur paria e Dibrës dhe e Lumës në krye me Elez Isufin organizoi kryengritje të përgjithshme për çlirimin e këtyre krahinave shqiptare, thuajse tërë paria e Dibrës u rreshtua përkrah kryengritësve në përjashtim të dy vëllezërve Lleshi, Haliti dhe Aqifi, të cilët si agjentë të politikës serbe, me batalionin e tyre qenë rreshtuar përkrah ushtrisë armike, përkatësisht asaj SKS-së. Siç është e njohur botërisht pas shuarjes së kryengritjes, ushtria serbe së bashku me mercenarët shqiptarë, përfshi këtu edhe dy vëllezërit Lleshi, dëbuan mbi 40.000 banorë shqiptarë nga këto dy krahina, të cilët u vendosën në Tiranë, Elbasan e Shkodër, dogjën e shkatërruan mbi 140 fshatra, 738 persona (gra, fëmijë, pleq, burra) u vranë apo u dogjën të gjallë; u shkatërruan tërësisht  6.248 shtëpi, 101 magazina dhe dy dyqane, 113 mullinj, 50 teqe, 18 xhami; u plaçkit apo u shkatërrua 11.057.750 kg drithë, u rrëmbyen 6.228 bagëti të imët e të trashë dhe 1.535 kuaj.

    Si rrjedhojë të asaj dhe të veprimeve te tjera antishqiptare, Halit Leshi u vra si tradhtar i kombit në vitin 1923 nga ana e  disa atdhetarëve shqiptarë të Dibrës së Poshtme. I vëllai i tij, Aqifi vrasjen e Halitit e konsideroi si një vrasje e “porositur” drejtpërdrejt nga Ahmet Zogu. Menjëherë pas kësaj, Aqifi së bashku me familjen e tij e të vëllaut u arratis në Beograd, ku vazhdoi t’i shërbente politikës serbo-madhe, për të cilën ai qe betuar. Kjo dëshmohet edhe në Elaboratin e hartuar në vitin 1929 nga atasheu ushtarak jugosllav në Tiranë, në të cilin ndër të tjerave thuhet: “Aqif Lleshi – i njohur si kundërshtar i A. Beut dhe miku i ynë…”. Falë kësaj miqësie, qeveria e atëhershme Mbretërore Jugosllave me fondet e veta shkolloi të birin e Aqifit, Mustafën, dhe të birin e Halitit, Haxhi Lleshin. Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtria fashiste italiane, me urdhër të qeverisë jugosllave, Aqifi së bashku më të birin dhe nipin e tij vendoset në Dibër të Madhe, nga ku përpiqen të krijojnë klimë për një kryengritje të financuar dhe menaxhuar nga jugosllavët. Më vonë, përkatësisht pas kapitullimit të Italisë dhe formimit të organizatës nacionaliste shqiptare “Lidhja Dibrane”, në të cilën u kyç thuajse e tërë paria e atëhershme dibrane, në përjashtim të Aqifit e të Haxhiut, të cilët vazhdonin t’i shërbenin Ozna-s (UDB-së), vetëm se tash e kishin ndërruar gëzofin, duke u shndërruar në komunistë. Ata me urdhër të Svetozar Vukmanoviq – Tempo (i deleguari special i KQ LKJ-së dhe i Titos për Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi), në tetor të vitit 1943 arritën ta dëbojnë udhëheqjen politike e ushtarake shqiptare nga Dibra e Madhe për ta vendosur atë jugosllave. Menjëherë pas kësaj në Dibër erdhi Tempo, i cili në fjalimin e tij të gjatë, Dibrën e Madhe e shpalli si një “Zonë të lirë jugosllave”. Rrjedhimisht u vendos administra jugosllave në vend të asaj shqiptare si dhe në vend të shkollave shqipe u hapën shkollat jugosllave. Një dukuri e tillë zgjati deri në nëntor të vitit 1943, kur paria dibrane në krye me  Ali Maliqin, Uk Camin, Hysni Demën, Fiqiri Dinen, Shemsi Hatipin etj., pas një kryengritje të shpejtë arritën t’i dëbojnë komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë me në krye Haxhi e Aqif Lleshin, me çka Dibra e Madhe sërish u shpall qendra politike, kulturore dhe arsimore e prefekturës.

Mirëpo gjatë luftës se Dyte Botërore, Aqif Lleshi, i dërguar nga jugosllavët, veproi aktivisht në prefektuatën e Dibrës, për të nisur dhe shperthyer atje luftën civile mes shqiptarëve dhe për ngritjen atje të pushtetit komunist jugosllav. Në arkivat e shqipërisë ka fakte të shumta per ketë veprimtari. Po përmendim vetem dy ngjarje në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe, në vitin 1943. Në betejen e Peshkopisë, 19 tetor 1943, mes forcave nacionaliste, ku merrte pjesë gjithë paria e Dibres nga njera anë, dhe nga ana tjetër forcat nacionalçlirimtare, ku merrte pjesë batalioni i rekrutuar nga Aqif Lleshi prej 100 mercenarësh, bashkëngjitur  edhe batalioni serbo-maqedonas prej 60 vetësh i komanduar nga ultra-shovinisti Peter Brajeviç ( i cili më vonë mori pjesë në betejën e Drenicës kundër Shaban Polluzhës, ku bumbi edhe njerën këmbë, si edhe më pas kryegjyqtar në qyqin kundër Gani Kryeziut në Beograd për ta dënuar atë me vdekje, por nuk e lejuan britanikët). Paria e Dibrës kërkoi vetem që të largohej batalioni i huaj nga Peshkopia dhe te mos kishte luftë mes shqiptarëve. Por shtabi komunist refuzoi. Ndërhyri eshe oficeri britanik Hends, por nuk u dëgjua. Në raportin e Njazi Islamit, komisar i batalionit partizan të Dibrës, drejtuar Shtabit të përgjithshëm NÇ, më 24.10.1943, lexojmë “Parija, tue pa se ne mbanim gjithënjë pozitat tona e tue marrë si pretekst që ne s’e kishim mbajtur fjalën që kishim dhanë se do të largojshim partizanët jabanxhinj, rrethojnë Pëshkopinë. Tue e pa këtë gja, zëmë prita luftimi. Puna u ashpërsue keq. Atëhere del përsëri kapiteni anglez, i cili kërkon me kambëngulje që të mbajmë fjalën e dhanë dhe t’i heqim partizanët e huaj”.

Në këtë luftë u vranë dhe u plagosën 60 nacionalistë, dhe disa partizanë, mes tyre u vra edhe edhe malazezi Vllado Rakoceviç, i batalionit serbo- maqedonas, që më në fund u largua për në qytetin e Dibrës. Sipas Lutfi Rusit, agjent i Beogradit, i ngarkuar per te mbikëqyrur Strugën “çeta partizane e Sharrit, nën komandën e Petar Brajoviç- Gjuro, ndërhyri menjëherë në luftimet e Peshkopisë dhe partizanët e kësaj çete treguan trimëri të rallë, duke kontribuar që të thehet rrethimi i qytetit dhe të zmbrapsen forcat mercenare të bajraktarëve”!( Botimi “Lufta civile ne Shqipëri 1943-1945”). 

Beteja tjetër e përgjakshme u bë më 27-31 tetor 1943 në qytetin e Dibrës. Edhe këtu merrnin pjesë batalioni i Aqif Lleshit si edhe batalioni serbo-maqedonas i Peter Brajeviç. Gjatë luftimeve në Dibër, forcat nacionaliste humbën 70 luftëtarë, ndërsa forcat partizane 5 të vrarë dhe 12 të plagosur. Një luftë civile e nxitur dhe e realizuar nga sllavo-komunistët dhe veglat e tyre shqiptare, si Aqif Lleshi etj.

Haxhi Lleshi i shkruante Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH më 21 tetor 1943, pra dy ditë pas betejës së Peshkopisë: “Një fjalim që mbajti Tempo në Kërçovë drejt vijës së luftës sonë, tha se së shpejti edhe në Dibër do të ngrehim flamurin maqedonas dhe në rast se do të kundërshtojnë reaksionarët, do ta ngrehin Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare. Kjo, shumë me vend”- shkruante me dorën e tij Haxhi Lleshi.

Pas mbarimit të LDB-së, Haxhi Lleshi u emërua ministër i Punëve të Brendshme të Qeverisë së RP të Shqipërisë(1944-1946).Si ministër iPunëve të Brendshme ai bashkëpunoi ngushtë me qeverinë Jugosllave dhe në marrëveshje me ministrin e Brendshëm të Jugosllavisë Rankovicrealizuan vrasjen e 1000shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë, që kaloninin nëpër Shqipëri dhe brenda teritorit të Shqipërisë (Kukës, Pukë, Shkodër, Ulqin) gjatë muajve mars-prill 1945 , kur kolonat me shqiptarë të rekrutuar edhe nga trevat shqiptare te Tetoves, Shkupit, Dibres, (eshaloni i dytë) shkonin per t’u asgjesuar në Tivar për spastrim etnik të Kosovës dhe trevave shqiptare në Maqedoni. (Masakra e Tivarit ku u vranë pabesisht 3447 shqiptarë të pafajshëm dhe u zhdukën shumë të tjerë).

E pohojëkëtë dokumentet jugosllave (Arkivi i LNÇJ nr.9/4 K1411; Arkivi I Kosovës, F OKKM-k10/29, 335 dhe dokumentet shqiptare(AQSH, F206, v 1945) Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë .  Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë  Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur  në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”(Arkivi I MJ të Shqipërisë dosja 191, v.1949),

Në tëvërtetë  ministër I brendshëm në virtin 1945,kur u realizua masakra e Tivarit ka qene Haxhi Lleshi, jo Koci Xoxe, por qeveria shqiptare e fshehu emrin e Haxhi Lleshit. Ndersa Aqif Lleshi ka qenë rekrutuesi i shqiptarëve në krahinën e Dibrës për t’i çuar ata si mish për top në Tivar.

Për këto shërbime dhe shumë të tjera, Aqif Lleshi u shpërblye nga padronët e tij jugosllavëfillimisht me postin e kryetarit të rrethit të Dibrës, e më pas edhe të deputetit republikan e federativ. I biri i tij, Mustafa Lleshi u emërua kryeshef (naçallnik) i OZN-ës, më vonë i UDB-ës dhe përgjegjës kryesor i brezit kufitar Ohër-Tetovë. Roli i tij antishqiptar erdhi në shprehje veçmas pas Informbyrosë (korrik 1948), ku në emër të “zbulimit” të informbyroistëve shqiptarë, kreu arrestime e vrasje të shumta në Dibër, Strugë e më gjerë. Burimet arkivore hedhin dritë se autoritet e atëhershme komuniste jugosllave kishin hapur disa qendra të spiunazhit në brezin kufitar me shtetin shqiptar, përfshi edhe në Dibër të Madhe, me të cilën qendër udhëhiqte pikërisht  i biri i Aqifit, Mustafa Lleshi. 

    Më 4 shtator të vitit 1950, Aqifi së bashku me të birin e tij Mustafën dhe me anëtarët tjerë të familjes, u arratisën në Shqipëri. Burimet e proviniencës policore hedhin dritë se arratisja e tyre qe organizuar nga anae vet UDB-së, me të cilën udhëhiqte Mustafa Lleshi. Ky shërbim sekret jugosllav-maqedonas, menjëherë pas “arratisjes” së Lleshajve, ndërmorri një aksion të dhunshëm në Dibër të Madhe dhe fshatrat shqiptare përreth, me ç’rast arrestoi 38 persona, gjoja si bashkëpunëtorë të ngushtë të Aqif Lleshit, të cilët u dërguan në burgun famëkeq jugosllav Goli Otok. Ndërkohë familjarët e tyre në numër 262 u internuan në Gradsko të Velesit.

    Lidhur me figurën e Aqif Lleshit, gazeta e atëhershme në gjuhën Shqipe “Flaka e Vëllazërimit”, gjatë vitit 1950 ka shkruar në dy raste. Përderisa në korrik të atij viti, Aqifi konsiderohej si “burështetas i vërtetë jugosllav”,menjëherë pas largimit do të etiketohet si “kulak, bajraktar dhe spiun i hegjemonisë serbe”. Ja se si kjo gazetë e përshkruante atë në dy pamje te ndryshme:

“…Një ndër kandidatët që gjendet në listën e Frontit Populluer të Maqedonisë për deputetë në parlamentin e RFPJ, asht edhe Aqif Lleshi, të cilin rrallë ka njerëz në vendin tonë që të mos e njofin ose të mos kenë ndigjue për te. Qysh në vitin 1941, Aqifi megjithse plak, së bashku me familjen e tij, rroku armën dhe filloi luftën kundër okupatorit… Në vjetin 1943 Aqifi u lidh dhe u bashkua me Lëvizjen Nacjonal Çlirimtare dhe prej atëherë punonte dhe luftonte simbas udhëzimeve të saj… Ai sikurse edhe në kohën e luftës edhe tashti mbas çlirimit, në kohën e drejtimit të vendit tonë dhe të një jete ma të lumtun për njerëzit tonë punues punën e vetë nuk ka ndërpremun, por gjithnji pa kursye kurgja e vazhdon prej çlirimit për çdo aksjon gjindesh për ballë  popullit dibran.. Për të gjithë këto merita që ka Aqifi, populli i Dibrës që në ditët e para mbas çlirimit i besoi detyrën me rëndësi dhe e zgjodhi si kryetar të këshillit të rrethit të Pushtetit Populluer të Dibrës…”, – thuhej në shkrimin e parë të gazetës, ndërsa, në shkrimin tjetër tre muaj më vonë: “Polit emigrantat në vende inform-byroiste dhe zotnit e tyne të udhëheqjevet të partivet inform-byroiste fituen edhe një forcë të shëndoshtë – kullakun bajraktar, njeriun e pallatit dhe spiunin në shërbim të klikës hegjemoniste serbomadhe të paraluftës dhe të organeve fashiste italjane gjatë okupacjonit të vendit tonë, Aqif Lleshin, që para do kohe hiku në Shqipnin Enveriste…”.

   Mund të paraqisnim edhe argumente të tjerë, por mendojmë se janë të mjaftueshëm dhe shpresojmë për një reflektim te Këshillit Komunal Dibër si edhe të qytetarëve të saj, për të mos e lejuar inagurimin e një busti për antikombëtarin Aqif Lleshi.

Uran Butka, studiues, Tiranë

Qerim Lita, studiues, Shkup

Saimir Lolja, studiues, SHBA

Shoqata “Bashkësia Dibra”: Tofik Jegeni, kryetari Këshillit, Saimir Shatku, sekretar i Pergjithshem, Prof.Bujar Kapexhiu, kryetar.

13 shtator 2020

*

Disa dokumente arkivore per ilustrim:

Ministria e Ushtrisë dhe e Marinës

Njësia e përgjithshme ushtarake

Proc. Xh. Nr. 48.425

28 janar 1920, Shkup

KOMANDANTIT TË ARMATËS SË QARKUT TË III

    Komandanti i krahut të majtë të Frontit Shqiptar përmes Procedimit Nr. 92 nga data 17 të këtij muaji ma dërgoi raportin me sa më poshtë vijon:

“Vice Konsulli z. Nikolla Jovanoviq më njoftoi se, ka hyrë në negociata me Shaqir Demën parinë e Hemeshit, i cili më herët është arratisur te italianët, ndërsa tash dëshiron kthimin e sërishëm në anën tonë dhe ta ndihmoj çështjen tonë.   Kushtet e Shaqir Demës janë: Të largohet Halit Lleshi nga Bulqiza dhe t’i jepen 300 napolona për shpenzimet që i ka pasur deri më tash. Z. Jovanoviq ia ka dhënë besën të qëndrroj në Homesh përderisa nuk merr përgjigje nga Ministria për Punë të Jashtme. Z. Jovanoviq mori përgjigje se mund të pranohet dhe t’i jepen para sa është e mundur….”

*

KOMANDANTIT TË ARMATËS SË QARKUT TË III

Halit Lleshi e ka marrë Çafë Bulqizën, dogji 3 shtëpi, ende po zhvillon luftime.

Kolonel, Mihajlloviq

(ДАРМ. Ф. ВИИ, М. 342, Пов. Бр. 210)

*

….Në Mirditë shpërtheu kryengritja e përgjithshme kundër Qeverisë së Tiranës dhe në përgjithësi kundër unitetit të Shqipërisë. Bajraktari i Mirditës, Marka Gjoni, më 17 korrik 1921 shpall Republikën e Mirditës, me qendër në Shkodër dhe themelon qeverinë e republikës së re, e cila në Paris dërgoi delegacionin e saj. Kryengritjes i bashkëngjiten ish përkrahësit e Esat Pashës, Osman Bali dhe Halit Lleshi ….Që nga viti 1915 Halit dhe Aqif Lleshi ishin të lidhur me Serbinë dhe kjo miqësi e Llesheve ishte e njohur. Pas vrasjes së tij, Aqifi kaloi kufirin dhe u vendos në Beograd, ndërsa te Lleshët arrinin lajmet se ka pasur pritje miqësore si mik i vjetër dhe i besueshëm. Në Shqipërinë e atëhershme, kjo pati rëndësi të madhe për çka gjatë kohë kjo është përfolur….”.

(ДАРМ.Ф. ВИИ.М.349, Beograd, 11 maja 1952 godine)

8

Filed Under: Analiza Tagged With: Busti i Aqif Kleshi, Uran Butka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT