• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çadra/Ombrella e turpit

May 18, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Prej kohësh më kishte bërë përshtypje një fakt apo dukuri fare e rëndomtë: shihja kryqeveritarët shqiptarë, apo dhe politikanë të tjerë të rangjeve të larta, në ceremonira të ndryshme, apo edhe thjesht kur dilnin nga zyrat apo Kuvendi dhe, po të ishte duke rënë shi, dikush ua mbante çadrën/ombrellën.( i përdor të dy sinonimet që të mos ngatërrohet me çadrat e protestës). Më dukej një ritual shumë i shëmtuar, si diçka që nuk shkonte e më linte një shije të keqe: tamam anadollakë, thosha me vete, edhe një veprim kaq të thjeshtë, personal, e duan nga të tjerët?! Po kur ndryshuan kaq shpejt këta zotërinj apo shokë, kur vetëm pak kohë më parë, ishin njerëz fare të zakonshëm, si ne të gjithë?! Unë, edhe më parë, e kisha vënë re tjetërsimin që pësojnë njerëzit kur bëhen me pushtet: atyre iu dukej se, me që po i ngrejnë në pozitë, nuk janë më si më parë, por iu ka ndryshuar edhe truri, janë bërë më të mënçur e, për pasojë, nuk janë më ata që ishin por të tjerë, të një rangu më të lartë. Dhe e shihja këtë ndryshim në çdo veprim të tyre. Kush nuk e ka përjetuar një dukuri të tillë mund të mos më besojë kur t’iu them se ata dhe një “Mirëmëngjez!”, nuk ta jepnin më si më parë. Por, të kthehemi tek tema e çadrës.

Edhe pse e vlerësoja si një gjë që stononte, madje të shëmtuar, nguroja të shkruaja diçka, nga droja se dikush mund të më thoshte: “Ama dhe ti me se po merresh?! Punë çadre…A e vlen, kur ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme…”. M’u kujtua, me këtë rast, thënia e një burri të mënçur se “në gjërat/veprimet e vogla të njerëzve mund të zbulosh tipare të rëndësishme të karakterit të tyre”.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Dashje apo pa dashje, në kronikat televizive, pata rastin të shihja shpesh edhe presidentët e poltikanë të tjerë të rëndësishëm, që në kohë me shi, hapnin çadrat për të mos u lagur. Disa herë kam parë Klintonin, Obamën e së fundi dhe presidentin miliarder, Trumpin. Përsëri mu ngacmua tema e vjetër, por siç na ndodh shpesh, prapë e lashë.

Pak ditë më parë, ndoqa në Televizion tek emisioni provokativ i K. Myftarit: “Ju flet Moska”, pikërisht këtë temë. Më në fund mu mbush mendja që të shkruaj dhe unë këto rreshta. Autori i emisionit nuk ndalej vetëm tek kjo dukuri por e ngulte bisturinë edhe më tej: se në ceremonira të tilla përkujtimore, si ajo që paraqiti ai tek Varrezat e Dëshmorëve, as nuk vihet fare me çadër, siç na e ilustroi dhe me një ceremoni të tillë në Francë. Për më tepër që ne kemi dhe vetë një “traditë” të tillë: më kujtohet që në manifëstimet apo parakalimet e 1 Majit, kur binte shi dhe i afroheshin tribunës, nuk na lejonin të mbanim çadra. Lageshim e shpesh, uji na hynte deri në palcë, por kjo mbase nuk lidhet me temën që nisëm. Mirëpo, ja që kujtesa nuk më lë rehat se, siç thashë, autori Myftaraj ndalej dhe në detaje të tjera domethënëse: se çadër-mbajtësi qe një goxha intelektual dhe i biri i një prej përkthyesve më të spikatur, sidomos nga Gjermanishtja. Kjo bëri që të më vërshojnë në mendje tërë ato përjetime nga Diktatura dhe konkretisht nga Lufta e Klasave, dukuria më e tmerrshme e atyre viteve. Shumë nga të ashtuquajturit reaksionarë, edhe pse njerëz të ndershëm e me kulturë, shumë syresh me universitete perëndimore e zotërues të disa gjuhëve të huaja, detyroheshin të bënin punë krahu. Shefat apo bosat e tyre, po të shprehemi me teriminologjinë e kohës, as që mund të krahasoheshin me ata, për nga formimi intelektual e kulturor. Por ja që atyre duhet t’iu shërbenin intektualë me formim perëndimor e shpesh herë, siç kam qënë vetë dëshmitar, edhe njohës e ushtrues të muzikës apo arteve të tjera. Më dhimbseshin mu në shpirt, por as që guxoja të shprehesha publikisht. Me ndryshimin e sistemit, menduam se dukuri të tilla, që stonojnë e të kujtojnë të kaluarën e largët anadollake, do të merrnin fund, por ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kush i manifeston këto “spektakle”, duke u krekosur? Të ashtuquajturit “intelektualë” apo dhe “modernë”, siç përpiqen ta shesin veten, paçka se si zor t’ua pranojë njeri një status të tillë.

Edhe nga ky shembull i vogël del mesazhi aktual: se sa larg jemi Europës ku po përpiqemi të shkojmë, sa haraç të madh na duhet të paguajmë në çdo drejtim.

Nju York, 17 maj 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Cadra, Ombrella e turpit

Basha: Zgjedhje me Ramën kryeministër- as më 18 nëntor

March 20, 2017 by dgreca

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një lidhje të drejtpërdrejt për Tonight Ilva Tare në Ora News ka sqaruar se çfarë është republika e re e propozuar prej tij.Ai thotë se nuk do të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama pa qeveri teknike dhe se zgjedhjet nuk do të zhvillohen duke qenë ai në krye të qeverisë.Basha tha se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë jo vetëm më 18 qershor, por më 18 nëntor.

Inva Basha

Biseda:

Tare: 31 ditë në çadër. Çfarë keni arritur?

Basha: Asgjë nuk është më siç ka qenë para 18 shkurtit. Gjithçka është ndryshe. Frika është vrarë. Kurajoja qytetare është ngritur në këtë shesh. Është një projekt që sot quhet Republika e Re që gjen mbështetje gjithnjë e në rritje jo vetëm tek mbështetësit e opozitës, por mes mbështetësve anë e mbanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë si më parë.

Tare: Çfarë është republika e re?

Basha: Një nga produktet e Republikës së re është që pushtetari ul kokën përpara qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit. Do të thotë një shtet ligjor për të gjithë. Një demokraci e vërtetë, jo fasadë ku qytetarët kanë të drejtë të emërojnë dhe të shkarkojnë pushtetarët në çdo nivel. Do të thotë një drejtësi e vërtetë ku gjyqtarët dhe prokurorët nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare.  Do të thotë konkurrencë e vërtetë, ku çdo qytetar ecën përpara, ndjek fatin e tij dhe jo vetëm një grusht njerëzish që gdhihen dhe ngrysen para dyerve të pushtetit, kontrollojnë gjithë asetet kombëtare, tenderat publikë dhe tregun e zi të drogës.

Luarasi: A nuk mendoni se juve do t’ju shkonte më përshtat një komunikim i ri pa gjuhën e përdorur nga çadra me ato fjalitë që kemi dëgjuar, sepse gjuha e vjetër i takon xhaketave të vjetra….

Basha: Çështja e komunikimit politik është çështje estetike, por sot nuk është më çështje estetike. Ju kujtoj se si kryetari i opozitës në fjalimin tim të parë i kam uruar suksese Edi Ramës dhe i kam ofruar mbështetjen time dhe të PD-së në gjithçka që lidhet me integrimin e vendit. E kam bërë këtë nisur nga koncepti im për demokracinë, për rolin e opozitës, qeverisjes. Është një koncept komplet i ndryshëm nga ai i kundërshtarit tim politik. Përgjigja ka qenë barbare; shkelje e Kushtetutës, shkelje e ligjeve, shkelje e konsensusit duke filluar me nëpunësit civil, futja e kriminelëve në politikë, kthimin e Shqipërisë në hambar droge. Kur i thoshim ne, thonin pse nxini imazhin e Shqipërisë. Sot ke Departamentin amerikan të Shtetit, ke Europolin, që është e zezë mbi të bardhë atë që kemi denoncuar prej fillimit. Çështja këtu nuk është estetike, por etike, morale.Gjuha jonë prej momentit të parë ka denoncuar rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset Shqipërisë jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por gjeneratave të ardhshme në qoftë se vendi kthehet në bastion të krimit të institucionalizuar. Jo thjesht 30 kriminelë deputetë, kryetar bashkish, drejtorë administrate, por në një Republikë ku krimi zgjedh Parlamentin, krimi zgjedh qeverisjen, zgjedh administratën dhe kjo është gati të ndodhë në qoftë se do ta lejojmë jo Partinë Socialiste, pasi është në koma, por Rilindjen e kriminalizuar të zëvendësojë zgjedhjet e lira me një përballje midis politike në një anë dhe krimin në pushtet në anën tjetër.Në qoftë se Elvis Roshi ka përdhunuar në grup një minorene, unë do ta them këtë dhe të skuqen ata që e kanë bërë kryetar bashkie dhe jo unë. Në qoftë se Armando Prenga ka plagosur 4 qytetarë me armë pa leje para komisariatit si cub, unë do ta them këtë dhe le të skuqet ai që e ka bërë deputet.

Tare: Mbani afër zonja dhe zonjusha. E keni për estetikë këtë?

Basha: Këto zonja dhe zonjusha janë ditë për ditë këtu dhe mjafton që media ta hapin pak hapësirat dhe jo vetëm kur flet kryetari. Këto zonja dhe zonjusha për një orë janë shprehur më mirë, më bukur se sa jam shprehur unë për Republikën e Re.

Tare: Rama e ka thënë dje që qeveri teknike nuk ka, shtyrje zgjedhjesh nuk ka…

Basha: Edi Rama është në krizë të thellë politike, psikike dhe morale. Edi Rama ka vetëm një rrugëdalje; të japë dorëheqje. Qeveria teknike është e vetmja garanci për zgjedhje të lira, jo se duam ne, por sepse kështu e solli punën Edi Rama, me krimin në pushtet. Me pesë palë zgjedhje të prishura dhe me asgjësimin e reformës zgjedhore, nuk la asnjë tullë për vete jo për mua. Ikja e Edi Ramës është çështje kohe dhe ne jemi këtu të garantojmë që ikja e tij të jetë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Ndërkohë që ai bën thirrje për dhunë duke kërcënuar protestuesit paqësor si në vitin 1997.

Tare: Rama tha dje se jam i gatshëm edhe në çadër të vijë dhe të dialogojë me ju.

Basha: Të vij këtu vetëm pasi të japë dorëheqjen. Dialog për t’i hedhur hi sy qytetarëve dhe për të vazhduar avazin e vjetër nuk ka për të patur.

Tare: Për të mbërritur në qeveri teknike ju duhet marrëveshje me Partinë Socialiste..

Basha: Do të qëndrojmë këtu dhe do të rritemi gjithnjë e më shumë, gjithmonë e me të vendosur derisa qeverisja, vaji i së cilës ka mbaruar, ta kuptojë se nuk është më qeverisja e shqiptarëve dhe nuk është më asgjë përveçse qeverisja e klaneve kriminale që ka sjellë në pushtet.

Tare: Me LSI ka komunikim?

Basha: Nuk ka asnjë komunikim. Komunikim për telenovelë me Lulzim Bashën nuk ka. Nuk ka asnjë komunikim të nëndheshëm apo të mbidheshëm, negociatë e kam fjalën.

Tare: Udhëtimi në SHBA…zyrtare apo private..Do keni takim me zyrtarë të lartë të DASH?

Basha: Bilal nuk do të ketë në mes. Një Bilal ke të dënuar dhe një kryeministër, të cilit duhet t’i hiqet viza. Bilali i shkretë e hëngri, ky qëndron këtu. Do të kem takime në Evropë dhe në SHBA në funksion të agjendës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ju informoj për këto takime.

Tare: Çfarë ju kanë kërkuar ambasadorët, por edhe ai amerikan gjithashtu? Një nga kërkesat e tyre është që të ktheheni në Parlament dhe të miratoni Vettingun.. Do të ktheheni në Parlament?

Basha: Vetëm nëse ka një pakt kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka disa ambasadorë që janë shprehur publikisht për zgjedhje të lira dhe të ndershme si çështja më akute e Shqipërisë që humbasin pak në mediat e kontrolluara nga qeveria. Përfitoj nga ky ekran për të thënë mendimin tim. Kjo nuk është furtunë në gotë uji, është një krizë e thellë që vlonte dhe papritur ka dalë në sipërfaqe. Është kriza e një shteti kriminalizuar në palcë ku krimi dhe droga kërcënojnë fondamentin e bazamentit të demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Tare: Çfarë parashikon pakti kombëtar?

Basha: Një pakt politik të të gjitha partive politike për një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Tare: Jemi tre muaj nga 18 qershori. Mos po humbisni kohë për të bërë fushatë?

Basha: Zgjedhje fasadë, zgjedhje me drogën, zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë as me 18 qershor dhe as me 18 nëntor. Standardet do të zbatohen. Shqiptarët do të kenë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje sipas standardit evropian, zgjedhje të tjera nuk do të ketë.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Basha, Cadra, Rama, zgjedhjet

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT