• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump shkallëzon përplasjen me shefin e shkarkuar të FBI-së

May 12, 2017 by dgreca

Analiza e Zerit te Amerikes/
Presidenti Donald Trump e ka përshkallëzuar përplasjen me ish drejtorin e FBI-së James Comey, duke nënkuptuar se ekzistojnë regjistrime të fshehta të një prej bisedave të tyre private në fillim të këtij viti.

Presidenti i referohet një darke në Shtëpinë e Bardhë mes tij dhe zotit Comey ku është përqëndruar dhe pjesa më e madhe e polemikave.Në një koment të bërë sot në Twitter, Presidenti Trump shkruante: “James Comey më mirë të shpresojë se nuk ekzistojnë ‘regjistrime’ të bisedave tona, përpara se të përhapë informacione në shtyp!”.Shtëpia e Bardhë mohoi se fjala ishte për ndonjë kërcënim ndaj zotit Comey.

Në komentet që bëri të premten për rrjetin MSNBC, ish-Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha se ai nuk kishte dijeni nëse ka patur ndonjë bashkëpunim mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe zyrtarëve rusë. Ai tha e nuk mund të kishte dijeni, pasi kjo çështje është kompetencë e FBI-së.

Zoti Clapper tha se praktika e tij ka qenë gjithmonë që ta lërë në dorë të FBI-së “nëse i duhet thënë presidentit, apo se kur dhe çfarë i duhet thënë rreth një operacioni kundërzbulimi.”

Pohimet e tij bien ndesh me një koment të bërë me Twitter nga Presidenti Trump, ku ai thotë se zoti Clapper nuk beson se ka ekzistuar ndonjë bashkëpunim (me zyrtarët rusë).

Të martën, presidenti shkarkoi zotin James Comey nga detyra e shefit të FBI-së në një kohë kur ai po drejtonte një hetim mbi pretendimet për ndërhyje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 si dhe mbi një bashkëpunim të mundshëm mes Moskës dhe njerëzve të fushatës së zotit Trump.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë këmbëngulin se shkarkimi nuk ka të bëjë me hetimin, ndonëse presidenti duket se ka dëmtuar besueshmërinë e këtij pohimi me komentet e tij gjatë një interviste televizive të dhënë të enjten.

SI NISI PËRPLASJA

Presidenti Donald Trump la të kuptohej të premten se mund të ketë regjistrime të bisedave që kishte zhvilluar privatisht me drejtorin e FBI-së, James Comey, të cilin ai e shkarkoi të martën.

Në një koment paralajmërues ndaj ish-drejtorit të FBI-së, presidenti tha të premten se James Comey bën mirë “të lutet që të mos ketë regjistrime të bisedës” mes tyre.

Presidenti e bëri komentin përmes një postimi në Twitter, të premten në mëngjes, një ditë pasi kishte deklaruar se ish-drejtori i FBI-së e kishte siguruar tre herë se nuk ishte objekt hetimesh nga FBI-ja.

Komentet e zotit Trump duket se janë një paralajmërim ndaj zotit Comey që ai të mos nxjerrë në shtyp hollësi nga bisedat me presidentin.

AKUZA DHE KUNDËRAKUZA NË UASHINGTON

Akuza dhe kundërakuza kanë përshkuar Uashingtonin këto ditë që pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së James Comey, në lidhje me motivet e presidentit për këtë masë dhe statusin e procesit hetimor mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Të enjten, në një seancë me pyetje përgjigje në Senat, zëvendësi i zotit Comey që tani ka marrë rolin e drejtorit në detyrë për FBI-në, i doli kundër versionit të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me respektin dhe besimin që gëzonte personeli i FBI-së për zotin Comey:Shtëpia e Bardhë ka ofruar një numër shpjegimesh në lidhje me vendimin për të shkarkuar zyrtarin që kryesonte hetimet mbi Rusinë.“Ai nuk po bënte punë të mirë,” tha presidenti.“Stafi i FBI-së kishte humbur besimin tek drejtori,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.Këtyre deklaratave u kundërvihet zyrtari që tani ka marrë detyrën e zotit Comey:“Drejtori Comey gëzonte dhe vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë në FBI,” tha drejtori në detyrë, Andrew McCabe.

Senatorët kishin një numër pyetjesh në lidhje me letrën e presidentit, ku Donald Trump thotë se në tre raste të veçanta drejtori i FBI-së e kishte informuar se zoti Trump nuk ishte nën hetime në lidhje me rolin e Rusisë në zgjedhje:“A është praktikë e rregullt pune e FBI-së që të informojë individë se nuk janë nën hetime?” – pyet Senatorja republikane, Susan Collins.

“Nuk jam në dieni të një praktike të tillë,” përgjigjet zoti McCabe.Në një intervistë për rrjetin NBC, presidenti iu përmbajt variantit të tij:“Në fakt e pyeta Comey-n. I thashë ‘Po të jetë e mundur, a mund të ma bësh të ditur nëse jam nën hetime?’ Ai më tha ‘Nuk je nën hetime,’” thotë Presidenti Trump.

REAGIMI I DEMOKRATËVE DHE REPUBLIKANËVE

Ndërkaq, revoltimi i demokratëve pas kësaj mase ndjehet qartë:“Zoti Comey po drejtonte një proces aktiv hetimesh të kundërzbulimit për të mësuar nëse ka pasur lidhje mes individëve që punonin për fushatën Trump dhe qeverisë ruse apo përfaqësuesve të saj. Është vështirë t’i shpëtosh konkluzionit se vendimi i presidentit për të shkarkuar Drejtorin Comey kishte lidhje me këto hetime. Dhe kjo do të ishte e papranueshme,” thotë Senatori demokrat Mark Warner.

Edhe disa republikanë kanë ngritur pyetje për momentin e zgjedhur për ta shkarkuar zotin Comey, por shtojnë se presidenti gëzon autoritet të plotë për këto masa. FBI-ja këmbëngul që hetimet vazhdojnë:“Puna e punonjësve të FBI-së vazhdon pavarësisht nga ndryshimet në rrethana,” thotë zoti McCabe.

James Comey do të dëshmonte dje para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit mbi hetimet e FBI-së për kundërzbulimin. Pasi u shkarkua të martën, tani ai është thirrur të dëshmojë javën e ardhshme, në një seancë me dyer të mbyllura, ku do të paraqitet si qytetar i thjeshtë.(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Comey, FBI, Presidenti Trump

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT