• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEW YORKU DHE SHTETET VERILINDORE DO TË HAPPEN ME 15 MAJ

April 16, 2020 by dgreca

*Edhe pse SHBA raportoi sërish mbi 2 mijë viktima (dje 2,658), New Yorku për herë të parë raportoi të enjten shifrën më të ulët, 606 viktima nga 888 ditën e mërkurë,- rënia e dytë nën 700 vdekje ditore në nëntë ditët e fundit.

  • Për guvernatorin Cuomo gjendja është plotësisht në kontroll.Ai tha se spitalet në mbarë shtetin janë poshtë shifrës 18,000 për herë të parë. E njëjta vlen edhe për pranimet dhe intubimet e kujdesit intensiv.
  • De Blasio: Unë ia bëra të qartë Presidentit Trump se qyteti i tij i lindjes, New Yorku, ka nevojë për të!

          -The Washington Post: Dëshmi të reja që kanë dalë tregojnë se koronavirusi që po shkatërron globin mund të ketë shpëtuar nga një laborator i paisur në Wuhan, Kinë, ku studiuesit po kryenin eksperimente të rrezikshme të sëmundjes virale…

Nga Dalip Greca

New York, 16 prill- 2020- Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijonë që të përjetojnë dhimbshëm ofensivën kundër COVID-19 me shifra të larta të infektuarish dhe të vdekurish.Ndodhi, ashtu siç ishte parashikuar, mesi i prillit paraqiti një tablo të zymtë të betejës kundër koronavirusit.Dita e sotme, e enjte 16 prill, dha këtë tablo: 26 mijë e 826 të infektuar të rinj(dje, e mërkurë- 30 mijë e 187- numri i përgjithshëm 674 mijë e 215), numri i viktimave në tërësi 34 mijë e 475(vetëm ditën e enjte 606),ndërsa numri i pacientëve të shëruar kap shifrën e mbi 57 mijë pacientë, në gjendje kritike janë 56 mijë e 587.

Po New Yorku dhe shtetet përreth? 

    Pas një dyluftimi të zgjatur të Guvernatorit Cuomo me Shtëpinë e Bardhë për autoretin dhe kopetencat mes federalit dhe shteteve, pas replikave dhe kundëreplikave të Kryebashkiakut de Blasio me presidentin Trump për statistikat e New Yorkut për numrin e viktimave, guvernatori zgjati mbylljen e bizneseve jo thelbësore në New York deri më 15 Maj(Presidenti ka rekomanduar 1 Majin), ashtu siç deklaruan edhe disa shtete të tjerë të Verilindjes si New Jersey, Connecticut etj.

Cuomo tha të enjten se ka vendosur mbylljen e shtetit, për bizneset jo thelbsore, deri më 15 maj, duke komentuar se hapi tjetër do të merret në përshtatje me situatën,të dhënat dhe në konsultim me  specialistët e fushave.

Cuomo komentoi se 606 persona humbën jetën ndaj virusit në 24 orët e fundit në New York. Ky është një sinjal pozitiv, që tregon ulje, është rënia e dytë nën 700 vdekje ditore në nëntë ditët e fundit, tha ai.

Shteti i New York-ut raportoi 226 mijë e 347 të infektuar në total(të enjten 26 mijë e 826), numri i viktimave në total 16 mijë e 251( 606 të enjten).

NYC ka regjistruar më shumë se 11 mijë e 477 viktima nga COVID-19 në të pesë bashkitë, ku Queensi vijon të prijë me mbi 36 mijë të infektuar, dhe mbi 3 mijë e 532 viktima, Brooklyn mbi 31 mijë  e 279 të infektuar dhe 3 mijë e 519 viktima, Bronxi 25 e 638 të infektuar dhe 2 mijë e 513 të vdekur, Manhattan 15 mijë e 538 të infektuar e 1 mijë e 527 të vdekur etj…

Në fakt pat një përplasje mes Albany-së dhe Washington-it, që erdhi pasi presidenti Trump tha se New Yorku shtoi ditën e djeshme më shumë se 3 mijë të vdekur në statistika,të cilat nuk ishin raportuar më parë. Dukej se debatet përqëndroheshin mes të raportuarëve të vdekur në spitale dhe atyre që vdiqën nëpër shtëpi, apo disa të tjerë në shtepitë e kujdesit të pleqëve, të cilët më parë nuk pasqyroheshin në statistikat shtetrore. New Yorku, duke shtuar zërin”vdekje të mundshme nga COVID-19” shtoi shifrat duke nënkuptuar se qytetarët e paraportuar vdiqën ose nga koronavirusi ose nga shkaqe të ndësjellta të shkaktuara nga ai.

Gjatë azhurnimit të tij të fundit, guvernatori tha se Njujorkezët do të duhet të vazhdojnë distancimin social edhe pse shteti e ka nën kontroll virusin e padukshëm, që ai e krahasoi me një bishë të egërsuar.

Për guvernatorin gjendja është plotësisht nën kontroll. Ai tha se spitalet në mbarë shtetin janë poshtë shifrës 18,000 për herë të parë gjatë kësaj jave. E njëjta vlen edhe për pranimete reja dhe intubimet e kujdesit intensiv.

Guvernatori tha se niveli i infeksionit në shtetin e Nju Jorkut tash është 0.9 përqind, bazuar në faktin se sa njerëz infekton personi i infektuar.Në Wuhan të Kinës, ku ishte origjina e virusit, niveli u ul në 0.3 përqind.

Cuomo tha se në 30 ditët e kaluara, mbi 500,000 njujorkezë janë testuar për koronavirusin në të gjithë shtetin.”Këto janë disa nga politikat më ndryshuese të jetës që qeveria ka nxjerrë ndonjëherë,” tha Cuomo, dhe përsëriti urdhërin e një dite më parë: Qëndroni në shtëpinë tuaj, mos prekni një person tjetër, vendosni një maskë! Ai pranoi se këto janë politika të vështira, por ato duhet të zbatohen,sepse kjo është gjëja e duhur.

   Guvernatori Cuomo theksoi rëndësinë e urdhërit ekzekutiv për të mbuluar fytyrën, i detyrueshëm për të gjithë, që nga mosha 2 vjeç e lart.Mbajtja e maskave u është përcjellë të gjithëve, përfshi operatorët dhe pasagjerët e sistemeve të transportit publik e privat.

***

Nga ana e tij kryebashkiaku de Blasio komentoi buxhetin e luftës, siç e quajti.Kryetari i bashkisë tha se qyteti është duke humbur 7.4 miliardë dollarë të ardhura nga taksat, që  ai i përshkroi si një “shifër tmerruese”.Gjithësesi për kryetarin e bashkisë rëndësi parësore e buxhetit mbetet siguria dhe mirëqenia e njujorkezëve gjatë betejës me koronavirusin.

        Kryetari i bashkisë tha se foli me Presidentin Donald Trump të Mërkurën në lidhje me tablonë e zymtë të buxhetit dhe komentoi se qyteti nuk do të jetë në gjendje të rikuperohet pa ndihmën federale.

“Unë ia bëra të qartë presidentit, qyteti i tij i lindjes ka nevojë për të,” tha De Blasio….. Kjo është thirrja ime, ndihmoni qytetin e Nju Jorkut, z. President!. 

Ndër shkurtimet drastike të buxhetit të njoftuara nga kryebashkiaku janë të ardhurat  e munguara nga pishinat në natyrë të qytetit. 

Kryebashkiaku tha se ende nuk është marrë një vendim nëse plazhet publike të qytetit do të jenë të hapura.

***

Duke filluar nga Persidenti Trump në SHBA dhe në Botë po flitet gjithmonë e më shumë se COVID-19 është produkt i një laboratori në Wuhan të Kinës. Dëshmi të reja kanë dalë që koronavirusi që po shkatërron globin mund të ketë shpëtuar nga një laborator i paisur në Wuhan, Kinë, ku studiuesit po kryenin eksperimente të rrezikshme të sëmundjes virale, që çuan në pandemi.

Në mars të vitit 2018, SHBA dërgoi përfaqësues diplomatik në Institutin e Virologjisë Wuhan, të cilët lëshuan dy kabllo diplomatike “të ndjeshme” për masa të papërshtatshme të sigurisë në laborator, njoftoi The Washington Post, duke cituar burime të inteligjencës.

Kablloja e parë paralajmëroi eksperimentet e kryera në laboratorin e koronavirusit në lakuriqë përfaqësonin një rrezik të një pandemie të re, sipas raportit.

Kablloja, e shkruar nga dy zyrtarë të ambasadës amerikane-Kinë, informoi se ekziston një “mungesë serioze e teknikëve dhe investigatorëve të trajnuar siç duhej për të operuar me siguri këtë laborator…

Laboratori në Wuhan po merrte ndihmë nga organizatat amerikane, përfshirë një laborator në Degën Mjekësore të Universitetit të Teksasit, por kablli diplomatik sugjeroi që SH.B.A. duhet të sigurojë mbështetje shtesë sepse hulumtimi ishte shumë i rrezikshëm.

Kabllimet diplomatike kishin për qëllim të jepnin alarmin për kushtet e sigurisë në laborator – dhe zyrtarët e ambasadës po bënin thirrje për më shumë mbështetje të laboratorit për të ndihmuar në rregullimin e problemeve të tij, – kanë thënë burimet për gazetën The Waashington Post.

Gazeta shkrtuan se nuk ka asnjë provë që të provojë që koronavirusi është prodhuar në mënyrë laboratorike- por kjo nuk përjashton mundësinë që aksidentalisht virusi shpëtoi nga Instituti i Virologjisë Wuhan ose nga një laborator tjetër i ngjashëm në qytetin kinez.

Presidenti Trump është pyetur në lidhje me mundësinë në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të Mërkurën dhe tha se SHBA po hetonte origjinën: “Gjithnjë e më shumë po dëgjojmë historinë … ne po bëjmë një ekzaminim shumë të plotë të kësaj situate të tmerrshme,” tha ai.

Fox News të Mërkurën tha se zyrtarët e administratës besojnë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një eksperiment në një laborator të Wuhan-it.

Burimet që folën për Fox News thanë se ka të ngjarë që pacienti zero, që punonte në laborator ,dhe ishte infektuar atje, e ka përhapur atë në popullatën e qytetit.

Një gjë që është e qartë, burimet i thanë kanalit të lajmeve Fox News, se ka një përpjekje të bashkërenduar midis zyrtarëve kinezë për të mbuluar gjurmët se virusi shpëtoi prej pakujdesisë nga laboratori.

Zyrtarët vendas treguan një treg, ku  supozohet se u shfaq virusi – por burimet i thanë Fox se tregu kurrë nuk shiste lakuriq. 

E gjitha kjo, ka të ngjarë që është përpjekje për të larguar fajin nga laboratorët në Wuhan, thanë burime Fox.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u shpreh të mërkurën në mbrëmje se SHBA po punojnë në këtë drejtim.

“Ajo që ne dimë është se ky virus ka origjinën në Wuhan, Kinë. Ne e dimë se ekziston Instituti i Virologjisë Wuhan, vetëm disa kilometra larg nga vendi ku ishte tregu, “tha ai.

“Ende ka shumë për të mësuar. Ju duhet të dini që qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me zell për ta zbuluar këtë, “shtoi ai.

Instituti i Virologjisë Wuhan u ngrit në 1978 pasi një seri institucionesh të tjera kërkimore në qytet u bashkuan për të formuar laboratorin aktual, sipas webfaqes së tij në gjuhën angleze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, dalip greca

REFLEKTIM NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

April 4, 2020 by dgreca

Nga Prof. As. Dr. Zef Gjeta/Duke qëndruar në shtëpi, i detyruar nga rregullat e vendosura nga qeveria në kuadrin e mbrojtjes nga Covid-19, përveç leximit, të shkruarit e punëve familjare, kam parë edhe televizor. Programet që transmetojnë, cilësia e tyre, por edhe ndërhyrja e qeverisë (identifikuar e personalizuar tek kryeministri), më bënë që të ulem e të shkruaj këtë material në formë të një reflektimi.

Fillimisht është me rëndësi të them se nuk jam i angazhuar politikisht me asnjë krah të politikës (disa e quajnë edhe si mangësi timen), por edhe po të isha, njeriu duhet të jetë realist kur flet e kur shkruan. Që të mos zgjatem, merakun e kam të lidhur me përballimin e kësaj situate të virusit në vendin tonë. Janë marrë masa, të cilat për bindjen time kanë ndikuar në mos përhapjen në e kësaj sëmundje. Por, e thënë këtë, çfarë ka më tej?

Më duket se ka një sërë fenomenesh dhe praktikash, të cilat të bëjnë të mendosh se gjërat nuk po shkojnë mirë e që qeverisemi keq. Ne kemi qënë të qeverisur keq prej shumë kohësh. Por, pa patur si mision të shaj mbretin e diktatorin (i kanë kritikuar tashmë kushdo që ka mundur të shkruajë), së paku këto tre dekadat e fundit jemi qeverisur shumë keq. Aq keq, sa qeveritë që pasuan njëra tjetrën.Ato kishin garë me veten si t’ia kalojnë asaj paraardhëse për keq qeverisje. Të gjitha këto, na kanë sjellë në situatën kur shfaqen fenomene negative dhe që nuk po e lënë këtë vend të zhvillohet. Disa prej këtyre fenomeneve mendoj se janë:

Protagonizëm fals deri në kult individi. 

Udhëheqësit tanë, ata që kanë “uzurpuar” postin, sapo janë “akomoduar” në atmosferën e zyrës, kanë filluar të shfaqin “njëshin”. Duan  të kontrollojnë çdo gjë, mendojnë se dijnë çdo gjë, krijojnë insinuata sikur vetëm prania e tyre është shpëtimi i vendit tonë dhe i kombit mbarë. Kjo ka ndikuar që termi administratë të jetë vetëm një garniturë pa shije dhe formë, e pazonja të bëjë asnjë rezistencë, asnjë oponencë, asnjë vërejtje  për çfarëdo lloj situate që krijon lideri, për çfarëdo lloj paligjshmërie, sido dhe kurdo që është shfaqur. Një mik imi disa vite më parë më ka thënë: “administrata jonë është e llastuar dhe e kastruar”( e tredhur.) dhe mua më duket krejt e vërtetë . Natyrisht që kjo nuk karakterizon çdo individ që punon në shtet, por në të shumtën e rasteve, kështu është. 

Nepotizëm.

Duke qënë që liderat nuk janë të mbështetur në parime, as në profesionalizëm, janë të prirur që për punësim të ndjekin zinxhirin e neporizmit. Në parti thirret fisi, kushërinj të liderit e kushërinj të gruas të liderit, e kështu me rradhë.. Kjo pasohet edhe në administratë. Por, kjo tendenceë ndiqet edhe në biznes: pas çdo ndryshimi në pushtet, ndodh edhe favorizimi  e ngritja e biznesit të atij krahu, duke penguar dhe diskriminuar çdo biznes që nuk është i lidhur me liderin dhe sinxhirin nepotik. Kjo ka bërë që struktura “Yes-men!” të jetë e pranishme jo vetem në administratë, por edhe në ambjentet e biznesit. Kjo gjë ka sjellë një asfiksi të iniciativës së lirë dhe ka nxitur ryshfetin, informalitetin dhe fenomene të tjera që e dëmtojnë ndjeshëminiciativën e lirë. 

Papërgjegjshmëria dhe paligjshmëria

Këto janë janë fenomene të tjera që po shoqërojnë zhvillimet në vend në këto vite. Të nxitur nga të huajt, për t’ju hedhur “hi syve” atyre dhe popullit, pushtetarët hartojnë e miratojnë ligje, në dukje mjaft të mira. Por, sapo vjen puna për zbatim, se ku e gjejnë një kleçkë, një shteg, një të çarë në ligj, një përjashtim, që askush s’e paska parashikuar, por që kushtet specifike e “imponojnë” këtë. E kështu, rast pas rasti, ligji bëhet leckë dhe përjashtimi behët një zakon i përhershëm, që i kthen veprimet në paligjshmëri. E gjitha kjo përfundon në një lloj paligjshmërie, për të cilën thuajse asnjë zyrtar nuk ka pësuar ndonjë “dhimbje koke”. Kjo papërgjegjshmëri lidhet si me zhvatjen e vazhdueshme të shtetit deri në “shtresën” e fundit të mundëshme, por shtrihet edhe në mungesën e inventarit. Nuk trashëgojmë dokumentacionin e duhur zyrtar, por edhe kur ky është, ose e neglizhojmë ose e zhdukim. Kështu mund të shpjegohet periudha 30 vjeçare pa mbyllur çështjen e ish të përndjekurve. Po kjo periudhë nuk na mjaftoi të zgjidhnim problemin e ish pronarëve, në kushtet që sistemi i kaluar kishte të shënuar çdo fakt apo sajesë ndaj të dënuarve, kur ai shtet kishte të regjistruar çdo centimetër katror tokë (qoftë edhe atë jo produktive). Kjo “edukatë”  u shfaq thuajse masivisht gjatë gjithë këtyre tre dekadave: zyrat dorëzohen pa inventar (sa herë që ka rotacion), investimet nuk lënë gjurmë (janë investuar miliarda dollarë në Shqipëri dhe nuk ka një zyrë që të tregojë sa dhe ku janë shpenzuar), njoh disa sisteme kanalesh në Myzeqe që janë investuar mbi tre herë gjatë këtyre dekadave, e aktualisht nuk punojnë ose punojnë fare pjesërisht, deri edhe shpenzimet e buxhetit të shtetit nuk monitorohen, pra nuk ka një “inventar” se ku shkon paraja. 

Frikë dhe nënshtrim

 Ky ëshë “parimi” i të udhëhequrit në këtë vend. Të edukuar në sistemin e kaluar, të katapultuar nga “rruga” në politikë, pa eksperiencë, të panjerëzishëm, udhëheqësit tanë nuk dinë të dëgjojnë, nuk dinë të dialogojnë, nuk dinë të “ngjizin” vendimet me kolegjialitet, e për pasojë ushtrojnë udhëheqjen me “dorë të hekurt”. Kjo filozofi justifikon edhe situatën kur këshillëtarët e udhëheqësve të lartë janë në mes 26-40 vjeç, avantazhi kryesor i të cilëve është njohja e anglishtes dhe predispozita e tyre për të bërë çdo punë që u kërkojnë shefat. Ndërkohë që një këshilltar, duhet të jetë një njeri i zgjedhur nga më të mirët në fushën e vet, që ka dhënë kontribute, që ka repuracion, e që jo detyrimisht por duhet të jetë mbi 55 vjeç. Përndryshe është i emëruar këshilltar, por bën punën e sekretares së “tulatur” që pret urdhëra dhe që përgjigjet: “Si urdhëron shef!”. 

Gjithë sa u përshkrua, çon në një populizëm të skajshëm, a si quhet rëndom në “kinezeri”, sikur udhëheqësi nuk fle natën për shkak se kujdeset për shtetasit e vet, se ai nuk ha dot bukë, sepse janë njerëzit pa punë, apo nuk rri dot me pushime në vend, sepse i vjen keq për fshatarët. Aktrimi para kamerave (që janë 24 orë “live”), bën që të perdhosin figurën dhe pozicionin që mbajnë, bën  të duken krejt pa bojë në sy të popullit.

Pa dashur të zgjatem shumë në këtë arsyetim (megjithëse edhe të shkruhen njëmijë faqe nuk e tregojnë dot sa keq jemi qeverisur këto tre dekada), dua të ndalem në disa aspekte që janë dëmtuar deri në prag të “mosqënies” nga këto praktika e veprime kaq të shëmtuara të qeveritarëve e pusht-etarëve tanë. 

*Janë dëmtuar pa kthim: industria dhe mineralogjia. Minierat janë katandisur në atë farë derexheje, sa duhen investime të shteteve të pasura (ose totalitare) për t’i kthyer në punë, pasi janë dëmtuar keqas. Në galeritë, janë shkelur rregullat teknike dhe janë shfrytëzuar pa kriter. Për uzinat e fabrikat nuk po flas, se mund të dukem qesharak.

*Janë dëmtuar e “zgerlaqur” polici, mjeku, juristi, mësuesi , pedagogu, gazetari e deri tek zyrtaruci më provincial. Vetështetarët, politikanët, deri edhe vetëdrejtuesit e tyre (të dale nga “gjiri” i tyre), kanë sharë, mallkuar, akuzuar, llastuar, diskredituar këto figura që në kushte normale duhej, të mirëpaguheshin, t’u kërkohej llogari, pasi ato janë jo vetëm pasqyra e shtetit, por edhe farkëtuesit e së ardhmes. 

*Janë goditur e çuar në “zgrip” sektorë jetikë të venditsi: shëndetësia, arsimi dhe bujqësia. Duke mos u investuar, duke u deleguar në drejtim njerëz pa as më të voglën njohuri për këta sektorë, duke mos i konsideruar jetikë, i kanë sjellë në atë stad kur kanë mbetur “kockë e lëkurë”. Shëndetësia jonë nuk kishte mjete mbrojtëse për mjekët apo personelin ndihmës, nuk ka as gjysmën e ilaçeve për të shtruarit, nuk shërben dot si referencë për të sëmurët apo të afërmit e tyre, që në të shumtën e rasteve i shikojnë si “armiq” dhe jo si shpëtimtarë. Mësuesit janë në ditën e tyre më të keqe: të vjetrit nuk ndjekin dot metodat e reja, të rinjtë nuk kanë as njohuritë e duhura e as përkushtimin për profesionin. Janë të paguar keq e të pa vlerësuar. Aq më keq bujqësia është e pafinancuar, e keq referuar, e dëmtuar nga prishja e strukturave kërkimore dhe të këshillimit.Ajo mezi mbahet në këmbë. Është aq keq, sa një bujk që sot quhet “qytetar” nuk konsiderohet as si profesion, as si njeri. Blegtori nuk e ka të lehtë të gjejë një të “voblektë” ta marrë për nuse.  

*Kanë “startuar” në mënyrën më të keqe sipërmarrja private, infrastruktura dhe turizmi. Që të dy këta sektorë janë nisur mbi bazë të fallsifikimit: biznesmenët e parë ishin të “fortët” që mundën të “zhvasin” ndonjë gjë nga shteti, ndërsa turizmi u iniciua mbi bazën e grabitjes së tokës (rërës a detit) dhe ndërtimet e paplanifikuara e të paligjshme. Pasojat janë të dukshme: bisnesi i tulatur, pa iniciativë e pa kreativitet, ndërsa turizmi me pamundësi të përballojë asnjë lloj fluksi të dëshiruar me turistë sado pak elitarë. 

*Është dëmtuar deri në “shkatërrim” institucioni përfaqësues i këtij vendi: “Akademia e Shkencave”.

 E udhëhequr nga politikan (ish-shkëncëtar i vetëshpallur), me botime minimale, me anëtarë të përzgjedhur me “lupën” e politikës, nuk ka as opsion, as financim, as një “busull” se ku do të shkojë. Ky institucion është më mirë të mos ishte se siç është në gjendjen aktuale. 

Natyrisht që nuk dua të merren hiç me sallën e Parlamentit, apo kabinetin e qeverisë të cilat pa asnjë hezitim mund të konsiderohen si: “Teatri i Estradës” dhe “Teatri i Komendisë” i këtij vendi.

 Të gjitha këto nuk i rendita për t’u dukur “ i mençur ”, por për të argumentuar një gjë: nëse shteti do të ishte ai që duhet dhe jo ky që është katandisur, pandemia e virusit do të ishte planifikuar dhe përballuar ndryshe. Nëse strukturat do të funksiononin “mbyllja”portave do të bëhej menjëherë, të dyshuarit do të gjurmoheshin, do të testoheshin, do të kuroheshin dhe pjesa tjetër e vendit do të funksiononte: me kujdes, por jo të paralizuar e të bllokuar siç jemi. Kjo, jo vetëm se nuk na e mbajnë “këllqet” e buxhetit, as të shtetit as të privatit, por edhe për arsye njerëzore (një muaj të izoluar, si të ishim të gjithë të burgosur), për arsye shëndetësore (shumë njerëz po i drejtohen psikologëve), as për 1000 arsye të tjera. 

Megjithatë, në këtë situatë të paprecedentë, dëshiroj të falenderoj të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor që u përball me situatën në mënyrë dinjitoze. Përgëzoj edhe të gjithë ata që u morën me kërkimin shkencor por edhe ata që shpëndanë lajme të mira. Për të tilla lajme ka nevojë popullata (që nuk e din edhe aq thellë shkencën mjekësore), por mezi pret të dëgjojë se përtej disa “protokolleve”, virusi po largohet dhe po punohet intensivisht për vaksinën që do të na mbrojë prej këtij “përbindëshi” të padukshëm.

Në këtë situatë të “ngulimit” në shtëpi të populates, pashë që “trimat” nuk u shfaqën edhe aq. Mendoni sa mëkatarë janë, sa frikë kanë si nga virusi si nga qeveria. Megjithëatë janë të rinj e të “mbrojtur” nga virusi, nuk kishin guxim të dilnin. Megjithëse janë “gangstera”, i tremben urdhërit për të mos dalë. Kam bindjen e plotë se nuk kanë dalë pasi janë mëkatarë deri në palcë, e prandaj u ka hyrë frika aty ku nuk thuhet. 

Në mbyllje të këtij refleksioni, i lutem qeverisë, kësaj aktualës e çdo lloj qeveria që do të vijë:

*Të mos trembet nga këta “gansterat” që më së shumti kanë ndërruar brekët këtë muaj!

*Të mos u ndërhyjë në punë profesionistëve, por t’i lërë ata të punojnë, e mundësisht t’u plotësojë kërkesat për bazëmateriale!

*Të mos u japë mundësinë çdo “hori” apo “halabaku” të jetë pjesë e administratës!

*Të financojë me prioritet sektorët jetikë: arsim, shëndetësi, bujqësi, turizëm!

*Të lërë në dorë të shkencëtarëve Akademinë e Shkencave, ta financojë e ta nxisë të ketë studime me taban kombëtar!Kam fare pak shpresë  që këto gjera që parashtrova, të meren parasysh nga politikanët aktualë. Por, kur je në karantinë, njeriu edhe “filozofon”. Së paku u jep lexuesve 

Filed Under: Analiza Tagged With: Coronavirusi

SHBA REGJISTROI 9,815 TË INFEKTUAR NË 24 ORËT E FUNDIT (5000 VETËM NË NY) DHE 129 VIKTIMA PLUS…

March 25, 2020 by dgreca

Përgatiti:Dalip Greca/

Coronavirusi nuk po e pushon ofensivën mbi shtetin e New Yorkut dhe në një farë mënyre po e godet në mënyrë të pamëshirshme. Guvernatori Cuomo jep parashikim të zymtë, ndërkohë që koronavirusi vetëm në NYC(qytetet) ka regjistruar 199 të vdekur dhe në rreth 30,000 të prekur në rang shteti.

Shifrat nuk janë pozitive në shkallë unioni për SHBA: Në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të infektuarëve arriti,sipas të dhënave te 25 marsit ,64,671, ndërsa në 24 orët e fundit ishin shënuar 9,815 të prekur të rinj, dhe viktima të reja 129;  gjysma e shifrës totale i përket Nju Jorkut.

Nisur nga situate e mbingarkuar epidemike Guvernatori Cuomo e ngriti zërin dhe dha alarmin të Mërkurën se rastet e koronavirusit dhe vdekjet janë të shumta në New York.

Guvernatori lëshoi ​​një thirrje të re që ndalon kontaktin në sheshet e lojërave të qytetit, Playgraundet, dhe paraqiti propozimin për të mbyllur disa nga rrugët e qytetit të Nju Jorkut.

“Ne jemi ende në ngjitje, tha Cuomo, duke treguar kurbën në rritje të rasteve pozitive dhe të vdekjeve.

Tani shteti i madh i New York-ut ka 30.611 raste me koronavirus dhe 5000 raste të reja. New York City ka 17,000 raste dhe më shumë se 3000 raste të reja në 24 orët e kaluara.

Rreth 199 njerëz në New York City kanë vdekur nga pandepidemia, pasi u raportuan shtatë vdekje brenda natës, thanë zyrtarët e qytetit. Shumica e rasteve janë nën 50 vjeç, por pothuajse të gjitha viktimat janë të moshës mbi 45 vjeç. Numri i vdekjeve në mbarë shtetin e New Yorkut është afër 300.

I pyetur rreth deklaratës së Presidentit Trump që Amerika mund të hapej deri në Pashkë, 12 Prill, Cuomo tha se nuk është mirë të mbash ekonominë e kombit të mbyllur për një kohë të pacaktuar,por ai u zotua që kurrë nuk do të ndodhte që të braktisen viktimat e mundshme nga sëmundja në shtetin që ai drejton dhe që për momentin është qendra e pandepidemisë.

I pyetur rreth dekretit të presidentit Trump: Që kushdo që ka qenë në New York City duhet të karantinojë veten e tij për 15 ditë, guvernatori Cuomo, tha se ai nuk do ta respektonte.

Guvernatori dha lajmin e gëzuar se tashmë qarku i Westchester County, dikur pika më e nxehtë në shtet,

ka vetëm 800 raste.

“A mund ta ngadalësojme përhapjen COVID-19, pyeti ai, dhe po vetë u përgjigj: “Po, ne e bëmë atë në Westchester.”

Cuomo tha se rritja më e madhe e pacientëve në spitalet e mbingarkuara mund të vijë në tre javët e ardhshme.New York ka nevojë për rreth 140,000 shtretër, nga 53,000 që ka tani.

Spitalet kanë rënë dakord të rrisin kapacitetin e tyre dhe zyrtarët federalë po ndërtojnë spitale në terren dhe po dërgojnë një anije spitalore në Portin e New York. Shteti do të përdorë mjedise bosh dhe shtëpi pleqsh për të përmbushur nevojat e ardhshme.

Cuomo hodhi shigjeta goditjesh për planin stimulus prej $ 2 trilionë dollarësh.Duke u përplasur në një dyluftim të ashpër fjalësh me Trump, Cuomo vuri në dukje se ai foli me Presidentin të Mërkurën dhe lavdëroi Jared Kushner që ishte “jashtëzakonisht i dobishëm” per perballimin e krizës.”Ne po punojmë për një sfidë të përbashkët,” tha Cuomo.

Guvernatori përsëri kërkoi të frymëzojë njujorkezët me retorikën e shpresës dhe vendosmërisë se ditët e errëta do ikin dhe drita do të vijë.

Cuomo u zotua se Ai dhe njujorkezët do t’i jepnin një shembull kombit duke luftuar kundër panepidemisë.

         Duke i hedhur një vështrim statistikave të tablosë botërore të COVID-19 shifrat nuk sjellin optimizëm se fundi po afron. Shprehem kështu sepse vetëm 24 orët e fundit ishin 40,151 të infektuar të rinj në të gjithë botën dhe rreth 2 mijë vdekje, ndërkohë që 14,378 pacientë të infektuar janë në gjendje kritike. Shifra e përgjithshme e të infektuarëve po i msynë gjysëm milonshit. Italia që ka qenë më e goditura në këtë panepidemi po jep shenja pozitive për rritjen e të shëruarëve, por ende është i lartë trendi i vdekjeve 24 orëshe, ku u regjistruan 683 duke e kaluar shifrën e një dite më parë, ndërkohe që rastet e të infektuarëve të rinj ishin 5210. Shteti i gadishullit Apenin ka shënuar më shumë vdekje duke qëndruar në vend të parë me 7503 viktima. Edhe Spanja po përjeton gjendje alarmante epidemiologjike të COVID-19: Edhe pse ka rreth 15 mijë të infektuar më pak se SHBA, ky shtet ia kaloi për numrin e viktimave Kinës, duke regjistruar 3644 viktima, me 656 vdekje vetëm në 24 orët e fundit dhe trendi ka tendencë rritjeje, madje rastet e rinj u shtuan në 24 orët e fundit me 7457 të infektuar.Le të presim me shpresë 24 orëshin tjetër.

Filed Under: Kronike Tagged With: Coronavirusi, Dalip Greca-Gjenocidi kunder Cameve-Greket

KRYEBASHKIAKU DE BLASIO PARALAJMËROI NJUJORKEZËT PËR NJË JAVË SFIDUSE

March 23, 2020 by dgreca

Qytetet e New York-ut regjistruan këtë shkallë infeksioni: 3.621 të infektuar në Queens, 3,494 në Brooklyn, 2.572 në Manhattan,1.829 në Bronx, 817 në Staten Island/

Shteti i New York-ut është cilësuar si epiqendra e krizës së Coronavirusit, ndërsa NYC ka regjistruar 60 përqind të të gjithë rasteve të shtetit duke regjistruar 12.300 të rasteve të infektimeve dhe 99 të vdekur. Ne, tha De Blasio, jemi epiqendra e krizës.

Kryetari Bill de Blasio përgatiti Njujorkezët gjatë ditës së hënë për atë që ai tha se do të jetë një “javë sfiduese” në luftën kundër shpërthimit të koronavirusit.

Gjatë konferencës së tij të përditshme me gazetarët, de Blasio u shpreh se është koha që banorët të mësohen të jetojnë në një mënyrë që është “absolutisht e paparë  më parë në jetën tonë”.

Mjafton të themi, se tani të gjithë e kuptojmë plotësisht se çfarë po ndodh tha ai. 

 Ne jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm si një qytet, duke punuar me qeverinë e shtetit , por edhe duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me qeverinë federale për të adresuar këtë krizë. Po përpiqemi në çdo mënyrë për të ngadalësuar rritjen e kësaj sëmundjeje, për të ndihmuar të gjithë qytetarët në nevojë. 

De Blasio tha se numri i rasteve pozitive në qytet e New York-ut kishte arritë në 12,339 deri në mëngjesin e së hënës, përfshirë 99 vdekje.

Përshkallëzimin e të infektuarëve sipas qyteteve, kryebashkiaku e paraqiti kështu:

3.621 të infektuar në Queens

3,494 në Brooklyn

2.572 në Manhattan

1.829 në Bronx

817 në Staten Island

Kryetari i bashkisë komentoi: Askush nuk e dëshiron këtë situatë, as edhe një prej nesh, por është e vërtetë që ne jemi epiqendra e kësaj krize, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, veçanërisht nga qeveria jonë federale, për ta kaluar krizën.

Kryetari i bashkisë theksoi edhe një herë rëndësinë e qëndrimit në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe, nëse duhet të dilni jashtë, të jeni vigjilentë për distancimin shoqëror, porositi ai.

Ndërsa qyteti punon për të rritur numrin e shtretërve, de Blasio bëri një turne në Spitalin Coler në ishullin Roosevelt më herët të hënën. Ai tha se Coler do të jetë në gjendje të trajtojë 100 shtretër të rinj këtë javë dhe 240 javën e ardhshme.

De Blasio foli me optimizëm për një spital të ri fushor në Javits Center:”Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Ne jemi duke bërë presion që qeveria federale të sjellë gjithçka që ata kanë, çdo formë mbështetjeje, dhe të gjithë e vlerësojmë punën e madhe të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë. Kjo do të thotë 1.000 shtretër të rinj. Do të jetë jashtëzakonisht e dobishme, “tha de Blasio.

Kryebashkiaku informoi gjithashtu për nevojën e madhe të qytetit për furnizime mjekësore. Ai tha se kishte folë me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin Mike Pence të dielën në mbrëmje, duke theksuar realitetin e përditshëm të asaj që përballen punëtorët e kujdesit shëndetësor. Si rezultat i këtyre diskutimeve, de Blasio tha se 400 ventilatorë nga rezervat federale janë duke ardhur për në New York City.”Nevoja jonë për ventilatorë është me mijëra, por ne do të luftojmë çdo ditë në betejë për ta përballuar atë. Ne do të jemi në një garë të vështirë kundër kohës, kështu që edhe 400 ventilatorë janë një hap i madh përpara për të na ndihmuar të kalojmë këtë javë dhe në tjetrën, tha de Blasio, duke shtuar se ai ishte” shumë mirënjohës për ndihmën e dhënë nga qeveria federale.

De Blasio foli me optimizëm edhe për rolin e ushtrisë: “Shpresa ime është se roli ushtarak do të vazhdojë të zgjerohet në ditët në vazhdim,” tha de Blasio, duke iu referuar nevojave në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku tha se qyteti ka qenë furnizues kryesor dhe po i dërgon materialet jetike në spitalet publike dhe private, duke përfshirë 200,000 maska ​​N95, 2 milion maska ​​kirurgjikale dhe 70,000 mbrojtëse të fytyrës. Ai tha se ndihma shtesë po vjen nga shteti federal, përfshi: 430,000 maska ​​kirurgjikale, 170,000 maska ​​N95, 175,000 palë doreza, 98,000 mbrojtëse të fytyrës dhe 72,000 unifoma kirurgjikale.

De Blasio falënderoi gjithashtu kompanitë private si ASO Corp të Floridas për dërgimin e 600,000 dorezave vinyl, American Express për 36,000 maska ​​N95, Merc për 500,000 maska ​​kirurgjikale dhe një pjesë të vogël të kompanive vendase që vazhdojnë të prodhojnë dhjetëra mijëra mburoja të fytyrës.

E Hëna ishte dita e parë e zbatimit të urdhrit të “qëndrimit në shtëpi”. Klasat rifilluan për studentët e shkollave publike të Nju Jorkut të hënën, plotësisht online.(Pergatiti:Dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: Coronavirusi, dalip greca

BASHKËSHORTËT HOXHA NË VIJËN E PARË TË FRONTIT KUNDËR CORONAVIRUSIT NË NEW JERESY,ShBA

March 22, 2020 by dgreca

Bisedë me specialistë të shendetit z.Taulant Hoxha i cili së bashku me bashkeshorten e tij janë në vijë të pare në frontin e Luftës kundër Coronavirusit në Amerikë/

NGA KEZE KOZETA ZYLO/

Taulanti punon në departamentin e Radiologjisë dhe skanon pacientët që janë me simptomat e Covid19, ndërsa Entela është infermiere në repartin intensiv (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit.  Taulanti qëkur ka qenë student, ka shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu ka publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe.

Taulant Hoxha MBA RT (R) MR, teknolog i Rezonancës Magnetike dhe bashkëshortja e tij Entela Hoxha BSN RN Infermiere e Regjistruar, janë specialistë të shendetit njerëzor dhe punojnë në spitale të njohura në Amerikë, për të mbrojtur shëndetin e popullit amerikan.  Në këtë kohë Pandemic Corona Virus ata janë në vijë të parë të Frontit të Luftës kundër Coronavirusit Covid 19.

Z.Hoxha, jemi në kohë lufte sipas presidentit Trump dhe OBSh-së ku ju keni detyrat tuaja në shëndetësi për t’i shërbyer popullit amerkan.  Më konkretisht cilat janë detyrat tuaja në këtë situatë tragjike?

Unë punoj në departamentin e Radiologjisë dhe skanojmë pacientët që janë me simptomat e Covid19, pasi virusi atakon rrugët e frymëmarrjes dhe veçanërisht mushkëritë. Për momentin jemi në gadishmëri të plotë dhe në kontakt të vazhdueshëm me CDC (Agjensia e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve). Ata na njoftojnë për çdo zhvillim të fundit të Covid19 dhe në baze të informacionit dhe udhëzimeve të CDC, ne përshtasim protokollin për trajtimin e pacientëve që shfaqin simptomat e Covid 19. 

Bashkëshortja Entela, është infermiere në repartin intensive (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit. Entela gjithashtu është në gadishmeri të plotë bashkë me kolegët e saj duke dhënë maksimumin për të shpetuar sa më shumë jetë dhe mposhtur këtë virus pandemik

Në cilat spitale shërbeni dhe cilat janë disa nga problemet akute që ju përballeni në këtë kohë?

         Unë punoj në Hackensack Meridian Health Palisades Medical Center dhe bashkëshortja punon në Select Specialty Hospital. Një nga problemet që ne po ndeshemi për momentin faktikisht jo vetem ne por e gjithë Amerika, është numri i kufizuar i mjeteve mbrojtëse si maskat N95, dorezat, dhe veshjet speciale. Megjithatë spitalet tona po bëjnë punë të shkëlqyer për të na i siguruar këto mjete dhe ne po i menaxhojmë me shumë kujdes për mosshpërdorimin e tyre. Spitali gjithashtu ka marrë masa për rritjen e fluksit se pacientëve që deri tani nuk ka krijuar ndonjë problem.

Gjatë shërbimit tuaj në shendetësi në këtë kohë keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

         Jo fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur ndonjë shqiptar me Covid19 apo me simptomat e këtij virusi. 

Cilat janë këshillat tuaja si profesionistë në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

         Higjena është mbrojtja kryesore nga ky virus. Larja e duarve me sapun për 20 sekonda, mosprekja e fytyrës (hundës, syve dhe gojës), pastrimi i sipërfaqeve dhe dorezave të derës me alkohol pasi në metale ky virus qëndron me ditë. Nëse njerezit dalin për të bërë pazaret menjëherë të lajnë duart pasi karrocat e marketeve jane vektor transmetimi i virusit. Distancimi nga njerëzit është shumë i rëndësishëm pasi jo vetëm që të mbron nga virusi, por ndërpret përhapjen e virusit Covid 19 në masë. 

        Për t’u mbrojtur nga ky virus duhet të marrim sa më shumë Vitamin C dhe të pijmë ujë të ngrohtë me limon çdo 15 minuta. Arsyeja se pse duhet të pijmë ujë çdo 15 minuta është sepse virusi qëndron në fyt për të depërtuar në mushkëri. Duke pire ujë çdo 15 minuta, virusi transportohet në stomak ku shkatërrohet nga acidi i stomakut. Një tjetër rekomandim është gargara me ujë dhe kripë.

         Besoj se së shpejti do i rikthehemi normalitetit. Qeveria amerikane po punon nonstop për mbrojtjen e qytetareve dhe po mbështet shkencën dhe mjekësinë për zhvillimin e kurës së Covid19 dhe të vaksinës për parandalimin e saj. Trump ka akorduar miliarda dollar dhe ka vënë në gadishmëri agjensitë e shëndetit dhe FDA (Agjensinë për miratimin e ilaçeve) për miratim sa më të shpejtë të kurës dhe vaksinës së Covid 19. 

Nju Jorku dhe disa shtete të tjera po bëhen shtete të frikshme me një përhapje me shpejtësi të Coronavirusit si do të parandalohet kjo epidemi që po merr jetë njerëzish?

         Masat tashmë janë marrë si kudo nëpër botë me ndalesën e qarkullimit të njerëzeve. Publiku po edukohet për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të përhapjes së virusit. FDA sot aprovoi (test kit) tampon qe jep zbulon  Covid 19 brenda 45minutave. Një lajm shumë i mire është se jemi shumë pranë kurës së Covid 19. President Trump lajmëroi në konferencën e shtypit të së shtunës, se Hydroxychloroquine në bashkëpunim me antibiotikun Azithromycin janë shumë efektive në luftën kundër virusit. Nga testet e bëra, 90% e pacientëve me Covid 19 u janë zhdukur simptomat dhe kane rezultuar negativ vetem 6 ditë pas trajtimit me këtë kurë. 

Cili është edukimi juaj dhe si i keni ngjitur shkallët e karrierës në mjekësi?

         Unë jam diplomuar me BSAST Bachelor Shkencor për Shkencat e Aplikuara dhe Teknologji në Medical Imaging në Thomas Edison State University. Gjithashtu jam diplomuar me Master për Administrim Biznesi, specialiteti menaxhim në Fitchburg State University. 

         Bashkëshortja është diplomuar me BSN Bachelor në Shkencat e Infermierisë.

         Për të dy ka qenë e vështirë në fillim, sepse ishim studentë me kohë të plotë dhe nuk kishim mundësi të punonim shumë. Ka qenë sakrifice shumë e madhe, pasi përveç shkollës duhej edhe të shkonim nëpër spitale për të bërë praktikën deri natën vonë. Dëshira dhe pasioni për fushën e mjekësisë na motivonte që të ecnim përpara pavarësisht vështirësive. Por në Amerikë pas sakrificës vijnë vlerësimi dhe frytet e punës. Pas diplomimit dhe specializimeve, oportunitetet kanë qenë më të mëdha për ngjitjen e shkallëve të karrierës. Personalisht jam përpjekur të jap maksimumin për fushën e Radiologjise pasi e dashuroj si profesion. Qëkur kam qenë student, kam shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu kam publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe. 

Sa e vështirë është për ju të dy si bashkëshortë të punoni në këto ditë të vështira dhe si e menaxhoni kohën?

Është pak e vështirë sepse në një kohë që të gjithë ndodhen pranë familjeve të tyre ne jemi në frontline, duke e luftuar pandeminë virale që ka traumatizuar gjithë globin. Për momentin të dy jemi të fokusuar në punë, pasi pacientët kanë shumë nevojë për ne në këto momente jo vetem fizikisht por edhe psikologjikisht. Në të tilla profesione sidomos në emergjencë kombëtare koha është luks dhe e kuptojmë shumë mirë njeri-tjetrin. 

Keni frikë nga kjo epidemi se mos ju transmetohet nga të sëmurët?

         Jo sepse ne gjithmone jemi të ekspozuar nga sëmundje edhe më të rrezikshme vdekjeprurëse. Megjithatë kujdesi është shumë i lartë dhe ndjekim protokollin e duhur në përballimin e saj. Meraku është se mos bëhem vektor transmetimi për prindërit dhe marr gjithë masat e duhura para se të dal nga spitali duke lënë uniformën në punë dhe duke bërë larjen e duarve. Ky virus është i rrezikshëm për moshat e treta dhe sidomos nëse kanë sëmundje ekzistente.   

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptar, por dhe si specialist?

         Mendoj që masat e marra nga shteti shqiptar janë të domosdoshme dhe njerëzit duhen ta marrin pak më seriozisht vetëizolimin, sidomos duke parë gjendjen e rënduar ne Itali që është shume herë më e zhvilluar se Shqipëria. Njerëzit duhen të ndërgjegjësohen dhe të ndjekin rregullat e vetëizolimit, sepse përbejnë rrezik jo vetëm për veten e tyre dhe familjarët, por për të gjithë qytetarët e tjerë. Të mos harrojmë që Shqipëria është një vend i varfër dhe përshkallëzimi i situatës për shkak të pakujdesisë apo kapriçove të disa qytetarëve do e çonte vendin në kolaps total. Ndihmë nga shtetet tjera do mungonte ashtu sic i mungon Italise pasi çdo shtet do të  sigurojë qytetarët e saj. Megjithatë popullsia dërrmuese janë përgjigjur më mirë seç pritej dhe po zbatojnë instruksionet e specialistëve dhe instancave qeveritare. Shpresoj që ta kalojne sa më shpejti dhe pa u rritur numri i viktimave. Fatmirësisht kura qe po zhvillohet me kombinimin e 2 ilaçeve te lartpërmendura ka dhenë shumë shpresë në bazë të rezultateve të deritanishme dhe ato ilaçe ndodhen rëndome nëpër farmaci kudo nëpër botë.

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

         Personalisht kam pasur nje femijëri të lumtur dhe më gëzon fakti që nuk kishim teknologji të zhvilluar si fëmijët sot, sepse na bënte më social dhe mendjen më pjellore. Krijonim vetë lojra nëse topi i llastikut çahej, dhe ndoshta ajo më ka ndihmuar edhe për shpikjen që bëra këtu në Amerikë. 

E kishit ëndërr kur erdhet në Amerikë të punonit në fushën e mjekësisë?

         Amerikën gjithmonë e kam pasur ëndërr dhe të them të drejtën se mendoja kurrë që do punoja ne fushën e mjekësisë. Kur fillova kolegjin, ne fillim u regjistrova për Computer Science (Shkencat Kompjuterike) por një student i klasës më bindi të ndërroja degë në Radiography dhe kur bëra orientimin ne Radiography u dashurova menjëherë. Pjesa tjetër është histori.      

Kur keni ardhur në Amerikë?

         Në Amerikë kam ardhur me ane tëllotarisë Amerikane në prill të vitit 2000, para 20-vjetësh dhe isha 19 vjeç. Llotaria më ra mua vetëm, pa familjen. Ishte një aventurë drejt të panjohurës ku realiteti ishte komplet ndryshe nga çfare dëgjoja në Shqipëri apo shikoja në televizor. Ishte një fat shumë i madh, që më ndryshoi jetën time dhe të familjes 190 gradë ku dhe njoha shoqen e jetës që kemi kaluar çdo vështirësi të jetës së bashku dhe më ka bekuar dhe dhuruar 2 djem të bukur  Brian dhe Kevin që mezi presin të vizitojnë Shqipërinë.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, Keze Kozeta Zylo, Taulant Hoxha

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT