• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA SHTETET E BASHKUARA TË BALLKANIT TEK BALLKANI I HAPUR, 100 VJET PROMOVIM E DËSHTIM

October 6, 2021 by s p

  • Me 23 Shkurt 1923 Lozha e Masonëve në Paris në drejtimin e kryetarit të saj Lucien Le Foyer, organizoi një konferencë mbi Shqipërinë, ku u promovua projekti për Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, Federatën Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit…
  • Një Federatë Ballkanike, sipas modelit amerikan, propozoi edhe Faik Konica në SHBA në Mars 1923.
  • Pas 100 vjetëve treshja Rama-Vuçiç-Zaev i rikthehen projektit për një Ballkan të Bashkuar…

NGA DALIP GRECA

Ballkani i hapur, i konceptuar si treg i përbashkët për shtetet jashtë Bashkimit Europian, nuk është tezë e re e hedhur për konsum politik, ajo ka 100 vjet që promovohet dhe po 100 vjet që refuzohet e dështon me sukses. Në fillim të viteve ’20 të shekullit të shkuar u fol gjatë për Shtete të Bashkuara të Ballkanit, për Konfederatë Ballkanike, Bashkimin e popujve të Ballkanit, bashkëpunim rajonal etj.

   Në fillim të muajit Janar të vitit 1923 shtypi francez shkroi me entuziazëm për një takim “Mbi Shqipërinë”, e cila do të kishte edhe një konferencë nga miku i shqiptarëve francezi Godart. 

      Z. Justin Godart ishte i njohur për shqiptarët për udhëtimet e tij në Shqipëri si dhe nga libri që ai shkroi’ L’Albanie  en 1921’- Shqipëria në vitin 1921. Ai ishte një politikan i suksesshëm në radhët e Partisë Radikale Franceze, shërbeu si nënkryetar i bashkisë së Lyon-it, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministër për Shëndetin Publik, Kryetar i Përkohshëm i Bashkisë së Lyonit, Përfaqësues i Francës në Organizatën Ndërkombëtare të Punës etj. Ai ishte një udhëtar i dashuruar me Ballkanin, veçanërisht me Shqipërinë.

Le të kthehemi tek Konferenca mbi Shqipërinë.Organizatore e konferencës ishte Lozha e Masonëve ’Cosmos’ e Parisit. Media u ushqye me këtë lajm që nga fillimi i janarit deri me 23 Shkurt 1923, kur nisi konferenca e trumbetuar si çelësi i artë që do t’i jepte fund grindjeve në Ballkan. Dukej se organizatorët, për të tërhequr vëmendjen, kishin lënë orët e vona të mbrëmjes. Konferenca do të niste në orën 9 të darkës. Mirëpo ora kishte kaluar mbi nëntë dhe konferenca nuk po fillonte. Nisën pëshëprimat dhe pikëpyetjet: Pse nuk fillon konferenca? Kurreshtja u shua, kur në korridorin e gjatë u ndjenë disa hapa të shpejtuara.Në sallë u shfaq një burrë i gjatë, thatanik, i cili u prit me nderime të veçanta, me protokoll nderi. Mysafiri ishte Ministri i Jashtëm i Serbisë, të cilit iu hap vend në krahun e djathtë të kryetarit të konferencës, ndërkohë që në të majtë ishte vendosur z. Godart.

        Pasi ora po i afrohej 10 e mbrëmjes, kryetari i Lozhës ‘Cosmos’ z. Lucien Le Foyer, e hapi mbledhjen me një vlerësim mbi Shqipërinë;- Shqipëria, tha ai, është një vend i vogël me një milion njerëz, por lipset të kthejmë vështrimin tonë mbi Kombin Shqiptar, sikundër dhe mbi kombe të tjera ballkanikë, se janë popuj të rinj.

Drejtuesi i konferencës u kthy nga Ministri Serb, Spalaikoviç, të cilit i qeshi fytyra, kur Kombi shqiptar u prezantua si komb i ri, ndërsa kombi i tij sllav, qenkish më i moçëm! Shërbim me vlerë i bëri kombit shqiptar ky miku frëng!!

Pasi u bind se efektet e vlerësimit të tij e kishin lumturuar ministrin serb, kryetari vijoi:…Jam i lumtur që këtu ndodhet ministri Serb, i cili na siguron se sot për sot  ka një solidaritet midis popujve të Ballkanit, që mbi bazën e principeve të Kryengritjes Frënge, dhe mbi bazë të këtij populli punëtor, për të cilën Masonët lëvdohen, se janë zhvillonjësit(les commentateurs),mundet dhe lipset të shtrohet Bashkimi i popujve të Ballkanit shumë herë të ndarë në rendin e historisë.Për ne, paqtorët e Perëndimit të Evropës, formula është kjo:’Federata Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara të Ballkanit- Kjo është zgjidhja, e cila pa dyshim, lipset të impozohet një ditë, sado të mëdhenj që të jenë hidhërimet, që coptojnë zemrat e popujve të Ballkanit, sado të mëdha që të jenë dhembjet, bashkimi do të sjellë paqtimin…

Për drejtuesin e Lozhës të Masonerisë së Parisit, prania e ministrit Serb aty, ishte garancia e bashkimit të Ballkanit, paçka se aty mungonin ministrat e Shqipërisë dhe shteteve të tjerë të Ballkanit. Si për konicidencë Ministri i Jashtëm Shqiptar ishte prej dy javësh në Paris, por në konferencë nuk ndodhej.

       Cila ishte arsyeja? Ministri i Jashtëm Shqiptar Mehmed Konica kur u pyet të nesërmen nga shtypi se përse nuk u ndodh në Konferencën për Shqipërinë, u përgjigj shkurt: Shkaku që nuk u ndodha në konferencë është fare i thjeshtë; NUK MË FTOI KUSH!

          Siç duket u pa e arsyeshme që të gjithë Ballkanin mund ta përfaqësonte ministri Serb! Konferenca ishte propaganduar se zhvillohej për Shqipërinë ndërsa i ftuar nderi ishte ministri Serb!Ec e kuptoje këtë përkujdesje të francezëve për Shqipërinë! 

          Në fund të konferencës ministri serb do ta përmblidhte fjalimin e tij në këtë perifrazim: Problemi që ka të bëjë me Konfederatën e Shteteve Ballkanike, Bashkimi i ardhëm i Ballkanit, ose më mirë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, është një ideal, për të pëmbushur një tjetër ideal edhe më të lartë për të cilin flasin shumë dendur në botë.Ky ideal në popujt e Ballkanit mund të realizohet….Në vendin tim, tha ministri serb- ka sllovenë, kroatë, serbë, ka katolikë, orthodoksë, muslimanë. Sot formojnë një organizëm të bashkuar me fuqi.Ja pra nisja e shtetit të Bashkuar të Ballkanit egziston. Po që të vërtetohet ky ideal, lipset që edhe popuj të tjerë të Ballkanit të vijën e të na  bashkohen….Po të vijnë bullgarët dhe Shqiptarët që janë të ndarë, atëherë krijohen Shtetet e Bashkuara të Ballkanit…

        Përgjatë vitit 1923 u fol gjatë për Ballkanin e Bashkuar, për Konfederatën Ballkanike, por konfliktet mes shteteve dolën mbi projektet bashkuse; përplasjet Bullgaro-Jugosllave, Greko-Maqedone-Bullgare, Serbo-Kroate, ku e dyta tentonte shkëputjen nga Jugosllavia, treguan se sa të brishta ishin marrdhëniet mes shteteve Ballkanike dhe çfarë qëllimi fshihej pas projekteve sllave.

         Për një Federatë Ballkanike foli edhe Faik Konica në SHBA në Mars 1923 (Jamestown), në një fjalim mbajtur para amerikanëve. Fjalimi, përvecse në shtypin amerikan, u publikua me 17 Mars 1923 në gazetën”Shqiptari i Amerikës” që dilte në Korçë dhe në Dielli. Në një fjalim të gjatë Konica trajton efektin zinxhir të ngjarjeve në Ballkan, të cilat nuk mbeten lokale, por përfshijnë rajone të tjerë. Kështu e trajtojë ai luftën Ballkanike që nisi në Vjeshtën e Tretë të vitit 1912. Besohej se lufta që nisi në një cep të Evropës lindore do të mbetej e kufizuar, dhe nuk do të kapërcente përtej Adriatikut, por askush nuk mendonte se do të kapërcente përtej Detit të Zi. Por Lufta Ballkanike solli konfliktin me Austrisë dhe Serbisë; tërhoqi në vorbullën e saj Rusinë, Gjermaninë, pastaj Belgjikën, Francën dhe Anglinë, më pas Japoninë, Turqinë dhe Bullgarinë, pastaj Italinë dhe Rumaninë, dhe më në fund hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E gjithë kjo luftë e pati fillesën nga një zënie e vogël në një cep të Ballkanit. Konstatimi i Konicës ishte i dhimbshëm: Ballkani ka qenë dhe mbetet shkaktar për luftra dhe duket se shtetet e Ballkanit kanë dalë të fituara nga luftrat, kanë fituar territore të reja në kurriz të shqiptarëve dhe bullgarëve. Në një analizë të detajuar që bën Konica, konstaton se shtetet e Ballkanit në buxhetet e tyre i japin pjesën e luanit përgatitjes për luftë. Kjo ishte shqetësuese për rajonin. Ai pyet:  Ndërkohë që shtetet e Ballkanit në fund të Luftës së përbotshme muarën çdo gjë që kishin bërë pazarllëk, përse organizojnë pas lufte ushtri të mëdha, përse harxhojnë shuma të çmendura?!

Konica shfaq mendimin se Ballkani mund të paqëtohej nëse krijohej një Federatë Ballkanike, e mbështetur në modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Ai propozonte që kjo federatë të funksiononte lipsej të rritej autonimia lokale për shtetet anëtare të federatës. Natyrisht që edhe  ky projekt ishte i parakohshëm dhe jashtë realitetit.

          Projektet për një Ballkan të bashkuar u hodhën në tryezë sërish pas Luftës së II Botërore për vëllazërimin e Ballkanit, por projekti funksionoi vetëm për Konfederatën Sllave, e cila u zhbë pas luftës etnike të Serbisë.

 Vijmë më së fundi tek projekti tresh:Rama-Vuçiç-Zaev i vitit 2021, që siç thonë ata, pason Projektin e  Berlinit, i ideuar nga Merkel që në 2014-tën.

         E vërteta është se projekti i Ballkanit të hapur nuk është ide as e Ramës, as  e Vuçiuçit dhe as e Zaevit. Ideja e Ballkanit të Hapur (i njohur më parë si Zona Mini-Shengen) u shfaq për konsum politik në fillim të viteve 1990. Fillimisht u lakua si një zonë ekonomike midis shteteve të gadishullit Ballkanik,por, Serbia, ashtu si në të shkuarën, tregoi se nuk prodhon pakte bashkëpunimi e paqeje, por  konflikte e luftra agresive.Planet për bashkëpunim u braktisën përfundimisht për shkak të Luftërave etnike që udhëhoqi Serbia.

      Ideja për këtë platformë bashkëpunimi rajonal hidhet në tavolinë për konsum politik tash kur Evropa ka hallet e veta dhe nuk ka kohë që të merret me integrimin e 6 shteteve të mbetura si një lloj gadishulli i izoluar dhe i larguar nga BE-ja. 

          Në kushtet e një korrupsioni kanceroz, të trafikut kriminal, drogës, krimit të organizuar, Shtetet e Ballkanit, e kanë të qartë se Europa e Bashkuar nuk ka vend për ata, ndaj dhe iu rikthyen teorisë 100 vjeçare të bashkëpunimit rajonal, duke u përpjekur që t’i bëjnë në një farë mënyre karshillëk Bashkimit Europian:Nuk doni të na pranoni? Ok, ne bëhemi bashkë dhe krijojmë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit!

        Bie në sy këmbëngulja e kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili, jo vetëm ka marrë flamurin dhe i prinë projektit, por deklaron me plot bindje se:Ballkani i Hapur është vendosur, ai do të bëhet. Shtetet që e kanë kundërshtuar, do t’i bashkohen, herët a vonë! Se ku e gjenë sigurinë matematike të këtij parashikimi, vetëm kryeministri ynë global e di.

        Të flasësh me kaq bindje, siç bëri kryeministri socialist i Shqipërisë në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të bën të dyshosh, edhe për faktin se qoftë kancelarja në ikje Merkel, qoftë presidentja e Komisionit Evropian, nuk u morën shumë me Ballkanin e Hapur, përveç këshillës së Merkelit se çdo bashkëpunim që ndihmon integrimin, është i mirëpritur. Mirëpo Ballkani nuk ka vetëm tre shtete për të krijuar atë që dikur quhej Mini Shengen, mbi të cilën u ngrit projekti Gjerman, që në vitin 2014, që në fakt tash është fare i zbehur dhe pritet formimi i qeverisë së re gjermane me mazhorancë të socialdemokratëve, për të parë nëse do t’i rikthehet këtij projekti apo do të shtyhet edhe ai në kalendrat greke…

           Politika prej lideri rajonal i Kryeministrit shqiptar duket paksa naive. Pakti i tij me presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedon Zaev, pa marrë dakordsinë e tre shteteve të tjerë, por veçanërisht të Kosovës, që nuk njihet nga Serbia si shtet, ngjason me Konferencën e masonëve në Paris para 100 viteve, ku flitej për Ballkanin e Bashkuar dhe aty ishte vetëm ministri Serb!

         Pyetja shtrohet: Kur Kosova e kundërshton me të drejtë projektin’Ballkani i Hapur’ dhe e cilëson të rrezikshëm paktin Rama-Vuçiç- Zaev, pa njohur Serbia më parë pavarësinë e Kosovës, përse kryeministri ynë bëhet tellall i Beogradit? 

Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti e ka kundërshtuar projektin dhe ka deklaruar se “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze. Rreziku është fare i qartë- si mund t’i bëjë ballë Kosova e pa njohur nga Serbia, Kina, Rusia, tregut agresiv serbo-rus e kinez?  Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet kryeministri Rama dhe jo të merret me sofizma dhe me naivitete konspirative e me strategji rajonale që i shkojnë për shtat Beogradit dhe lënë në harresë njohjen e Kosovës nga Serbi. Dhe një pyetje shtesë: Cili është kontributi i qeverisë Rama në njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës? 

ZERO!

          Kryeministri i Shqipërisë, i cili propagandon shumë paktin që vjen nga Beogradi, dhe kur ka kohë , apo kur i intereson karta nacionaliste, flet edhe për  mbledhjet e përbashkëta pa bukë të dy qeverive, dhe përmend hallet e vëllait të vogël,- është mirë që të dëgjojë zërat që vijnë nga Kosova. 

         Presidentja e Kosovës Dr.Vjosa Osmani, e ka cilësuar të rrezikshëm projektin e “Ballkanit të Hapur”, duke argumentuar se ai e vonon integrimin evropian të rajonit, ndërkohë që  Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit drejt integrimit Europian.

Po nuk është vetëm Kosova që e kundërshton projektin e Beogradit- Tiranës dhe Shkupit, kundër tij janë edhe Bosnja e Mali i Zi.

      Dëgjova me 4 tetor zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazi, i cili e argumentoi”JO”-në e shtetit të tij(me qeveri pro serbe) si një rrezik për gllabërimin e tregut të vogël malazes prej tregut agresiv ruso-kinezo-serb. Ai e quajti projektin e Ballkanit të hapur si një tendencë e Vuçiçit dhe Ramës për të krijuar role liderësh rajonal. Konkluzioni është i qartë, kur Mali i Zi i njohur ndërkombtarisht i friket rrezikut, po Kosova e pa njohur ende nga Serbia e shtete të tjerë, si do të mbrohet nga ky rrezik? 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ballkani I hapur, Dalip Greca-Interviste, SHTETET E BASHKUARA TË BALLKANIT

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

May 26, 2020 by dgreca

– FLET KRYETARI I DEGËS NË HUDSON VALLEY-NEW YORK. Z. SIMON PJETER QAFA-/

         Dega e Vatrës në Hudson Valley ka në radhët e saj vatranë me banim në dy shtete, në New York, por edhe në New Jersey, mandej ka edhe individë që jetojnë në Europë. Qendra është në Hudson Valley të shtetit të New York-ut që prej marsit 2014, kohë kur u formua kjo degë. Në prag të Kuvendit dega e rriti shumë anëtarësinë dhe ka një projekt që shpreson ta realizojë në të ardhmen e afërt, pas kalimit të Koronavirusit, krijimin e klubeve të miqëve të Vatrës nëpër Europë. Kryetar i saj i ri ëshët z. Simon Pjetër Qafa, që e drejton degën që pas Kuvendit të 19 Janarit 2029, organizuar në Teqenë Bektashiane “Baba Rexhebi” në Detroit, kohë kur ish kryetari i degës z. Elmi Berisha u zgjodh kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës” VATRA”.

          Në vijim të rubrikës që gazeta”Dielli”ka hapë: Bashkëbisedim me kryetarët e degëve me qëllim për të sjellë në fokus gjendjen e anëtarësisë vatrane në kohën e Pandemisë, z. Qafa iu përgjigj pyetjeve të editorit.

Ndiqeni bashkëbisedimin:

DIELLI: Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19, këtu në SHBA apo në vendlindje ?

SIMON QAFA: Faleminderit për interesimin.Si familje e ngushtë, faleminderit Zotit, nuk kemi pas probleme me Koronavirusin. Si familje e gjerë po. Kemi pasë tri infektime por e kanë kalue pa pas nevojë që të shkonin në spitale. Ndërsa në rrethin e miqësisë, fatkeqsisht patëm një humbje jete, 

Nje dhanderr i yni, që ishte infektuae, u hospitalizue, luftoi tri javë me koronavirusin, por nuk ia arriti që ta përballonte. E humbi betejën e vështirë me COVID-19 pas tri javëve intubimi e ventilimi mekanik.

DIELLI: Ngushëllime Ju dhe Familjes!

 Z. Simon, u mbushën tre muaj që jemi të izoluar, si i keni mbajtë lidhjet me anëtaret e kryesisë se degës dhe me vatranët e degës tuaj?

SIMON QAFA: Lidhjet me vatranët i kemi mbajtë dhe vazhdojmë t’i mbajmë nëpërmjet telefonatave, rrjeteve sociale, emaileve etj. Flasim me njeri-tjetrin, interesohemi për shëndetin e çdo vatrani dhe familjeve vatrane.

DIELLI: A ka pasë të prekur nga COVID-19 në degën tuaj? 

SIMON QAFA: Fatmirsisht, në degen tone, Hudson Valley, nuk kemi pasë asnjë të infektuar, së paku sipas informatave që unë kam nuk asht infektuar ndonjë vatran deri në këtë moment. Fatkeqisht ka pasë miq të rrethit të vatranëve që kanë kaluar çastet të vështira. Kam dijeni për shumë njerëz qe kanë qenë te infektuar. Disa e kanë kalue pa problem nëpër shtëpi, kurse disa me shumë vështirësi duke qendrue me javë neper spitale. Ka pasë dhe raste kur miq tanë kanë humbë jetën dhe me dhimbje janë përcjellë në banesën e fundit. Jemi lutë për shpirtrart e tyre.

DIELLI: Keni pasë mundësi të komunikoni në mënyrë elektronike, me mesazhe, me telefonata me vatranët e degës tuaj? Po me qendrën e Vatrës, Kryetarin, nënkryetarët, sekretaren, anëtarët e Kryesisë, a i keni mbajtë lidhjet?

SIMON QAFA: E vetmja mënyrë që kemi pas komunikime me vatranët e degës tonë, ka qenë nëpërmjet telefonatave, mesazheve, face time, dhe E Mail. Kurse lidhjet me qendrën, I kemi mbajtë kryesisht me kryetarin e Vatres, Z. Elmi Berisha, me të cilin kemi pasë edhe takime të drejtëpërdrejta, kemi bisedue për çeshtjen e ardhshëmrisë së degës, për lidhjet me vatranët që kemi nëpër Europë, si dhe kam parashturua agjenden time për të ardhmen e deges.
Lidhjet me qendrën i kemi mbajtë edhe nëpërmjet Gazetës Dielli , kemi ndjekë informacionet, intervistat, që ka sjellë gazeta nga Shtete e Bashkuara dhe Europa, Trojet Etnike. Kemi qenë shumë aktiv edhe në rrjetet sociale, veçanërisht nëpërmjet Facebook-ut.

DIELLI: Cila është gjendja reale e degës tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e pas Kuvendit të Vatrës? Keni të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?


SIMON QAFA: Gjendja e degës tonë është e qëndrushme. Nuk kemi humbë deri tash asnjë anëtar por mbesim me shpresa se kemi me shtue antarë të rinj simbas premtimeve dhe projekteve të pas Kuvendit. Po ashtu që para Kuvendit të Vatrës, është një projekt i degës për të krijuar klubet e miqëve të Vatrës në Europë.
Projekti im si kryetar i degës është që një ditë mbasi të qetësohet situata prej koronavirusit, do të mblidhemi dhe do të diskutojmë për ta bërë degën më aktive dhe do të punojmë për t’i shtuar anëtarët. 

DIELLI: Ju falenderojmë për bashkëbisedimin dhe urojmë që dega e Hudson valley të kthehet së shpejti në veprimtaritë e saj aktive.

SIMON QAFA: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe Ju uroj punë të mbarë në misionin tuaj informues përmes gazetës DIELLI. Zoti e bekoftë Vatrën dhe Vatranët!

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Interviste, Hudson valley, mega, Simon Qafa

DR. IRIDA MOLLA MD, NË FRONTIN E PARË TË BETEJËS ME COVID-19 NË CONNECTICUT, SHBA

March 24, 2020 by dgreca

Janë të shumtë mjekët shqiptaro-amerikan që punojnë në frontin e parë të betejës kundër COVID-19. Këtë radhë ne përzgjodhëm për intervistë një nga mjeket e dalluara, e cila ka lënë gjurmët e punës së saj të shkëlqyer kudo ku ka punuar si në New York, në Kentucky  dhe së fundi në Connecticut. Ajo është Dr. Irida Molla MD, mjeke Infeksioniste ( Infectious Disease Physician)

 në Middlesex Hospital në Middletown Connecticut. Ajo është në kontakt të përditshëm me të sëmurët me Coronavirus, merret me diagnostikimin, trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me COVID-19, merret me koordinimin dhe menaxhimin e pacientëve dhe të kolegëve si dhe punonjësve të tjerë të spitalit, që kanë patur ekspozime të dyshuara për COVID-19.

Dr. Irida edhe pse është në ballë të betejës dhe të menaxhimit të pacientëve, gjeti kohë që t’iu përgjigjej pyetjeve të kryeredaktorit të gazetës Dielli, Dalip Greca.

Dielli- Si dhe sa jeni e përfshirë në betejë të Epidemisë Botërore të COVID-19?

Dr. Irida Molla- Personalisht jam e përfshirë direkt në frontin e parë në këtë betejë, duke marrë parasysh dhe specialitetin si mjeke infeksioniste. 

Jam në kontakt të përditshëm me të sëmurë me Coronavirus, me diagnostikimin, trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe të konfirmuar me COVID-19. Gjithashtu puna ime përfshin dhe koordinimin dhe menaxhimin e pacientëve, kolegëve apo dhe punonjësve të tjerë në spital që kanë patur ekspozime të dyshuara për COVID-19.

Dielli- Ju jeni mjeke infeksioniste, çfarë konstatoni në ofensivën e koronavirusit?

Dr. Irida Molla- Ne kemi përpara një betejë të gjatë dhe të vështirë. Lufta me COVID është në fillimet e saj këtu në USA. Ofensiva kundër këtij virusi përfshin dy masa shumë të rëndësishme; së pari është identifikimi i rasteve pozitive, që mund të arrihet me rritjen e numrit të  testimeve. Kjo na jep mundësi të njohim shkallën e përhapjes së sëmundjes dhe menaxhimin e rasteve të prekura dhe të kontakteve të tyre në komunitet. Dhe së dyti, është distancimi social. Është e mirëstudiuar në disa vende në botë si një nga armët më efikase që kemi për momentin për të palandaluar përhapjen në komunitet. Çdo person, pa marrë parasysh moshën, gjendjen shëndetësore apo ekonomike-sociale duhet ta konsiderojë veten lehtësisht të prekshëm nga ky virus i ri. Spitalet dhe shërbimet shendetësore kanë një kapacitet të caktuar, dhe ky kapacitet mund të tejkalohet  nqs të gjithë kanë nevojë për shërbim spitalor në të njëjtën kohë, me të njejtin intensitet. Izolimi social, dhe qëndrimi në shtëpi ngadalëson përhapjen, dhe i jep mundësi spitaleve, mjekëve, personelit shëndetësor të përballojë ato raste që kanë nevojë për hospitalizim, dhe shërbim reanimator. 

Dielli – Si është shkalla e të infektuarve në shtetin e CT? Po në veçanti në Waterbury, ku jetojnë shumë shqiptarë?

Dr. Irida Molla- Shteti i Connecticut ka mbi 600 raste të konfimuara me COVID-19 deri tani, përfshirë dhe 12 vdekje. Ky numër parashikohet të rritet në ditët dhe javët në vazhdim. Duke qenë se në Connecticut ka një komunitet shqiptar të knosiderueshëm, raste të COVID-it në komunitetin shqiptar si në të gjithë komunitetet e tjera, janë të pritshme.  Përsa I përket Waterbury-t, deri më sot, numri I të infektuarve me COVID-19 eshte 27. 

Dielli- Si mjeke infeksioniste si e shihni kohëzgjatjen e kësaj panepidemie?

Dr. Irida Molla- Është e vështirë të bëhen parashikime të sakta. Situata është në zhvillim e sipër. Parashikimet janë që rastet do shtohen në  javët e ardhshme, kjo duke përfshirë edhe faktin e rritjes së numrit të testimeve në popullatë. Shpresa është që duke përdorur në masë testimin,duke vazhduar distancimin social me vetëizolimin, dhe masat parandaluese, të ulen sa më shumë ritmet e transmetimit në komunitet.

Dielli- Si mjekohen të infektuarit që janë me komplikacione?

Dr. Irida Molla- Pacientët me komplikacione, kryesisht ata me komplikacione respiratore, menaxhohen në reanimacion (terapi intensive), dhe disa kanë nevojë dhe për fymëmarrje të drejtuar.

Protokollet e trajtimeve të COVID-19 janë në  studim e sipër. Ka patur disa përparime shpresëdhënëse në këtë drejtim, të cilat jemi duke I përdorur aktualisht. Duke patur parasysh se jemi duke u përballur me një virus të ri, trajtime të ndryshme janë duke u studiuar në qendra të ndryshme nëpër botë, dhe shpresojmë që së afërmi të kemi rezultate dhe më konkrete. 

– Në NY, që shënon epiqendrën e krizës së epidemisë, spitalet kanë dhënë alarmin për pamjaftueshmërinë e hapësirave spitalore dhe mungesën e mjeteve mbrojtëse për personelet. Është e njëjta situatë tek ju?

Duke qenë se kjo është një situatë a paprecedentë, e pakaluar më parë, edhe spitalet janë ndodhur përpara një gjendje të papritur në lidhje me nevojën për hapësira spitalore dhe furnizime me maska dhe mjete mbrojtëse  për personelin. Këtu hyn roli i lidershipit dhe menaxhimit në nivel federal, dhe shtetëror për të asistuar spitalet me furnizimet aq të nevojshme dhe jetike për të përballuar këtë situatë. Mund të konstatoj se këtu në CT ka përpjekje të vazhdueshme nga spitali dhe lidershipët rajonalë për të mirëmanaxhuar burimet që kemi.

Dielli- Çfarë do tu këshillonit bashkadhetarëve tanë përms lexuesve të gazetës Dielli? Si të mbrohen?

Dr. Irida Molla- Këshilla ime, është që të gjithë duhet ta marrim seriozisht këtë situatë. Siç e përmenda dhe më lart,  çdokush duhet ta konsiderojë veten të prekshëm nga sëmundja, dhe kjo duhet të përkthehet në një përgjegjshmëri personale dhe kolektive për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie.  Nuk është koha për panik, dhe është e vërtetë që shumica e të prekurve, sidomos të rinjtë  do e kalojnë këtë infeksion pa symptoma ose me simptoma të lehta. Por rreziku që ky infeksion ti kalojë dikujt, të afërmëve ose të njohurëve tanë që nuk do të jenë në gjendje ti mbijetojnë dot , është shumë real dhe  i lartë në këtë situatë pandemie.

Dielli -Faleminderit dr. Irida. Edhe pse ishit tepër e zënë, ju gjetët kohë tu përgjigjeshit pyetjeve të gazetës Dielli.

Dr. Irida Molla- Faleminderit Diellit!

24 Mars 2020

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dalip Greca-Interviste, Dr.Irida Molla MD

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT