• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRE ADRIOLA!

October 19, 2014 by dgreca

KRONIKE DHIMBJEJE- QINDRA BASHKATDHETARË I DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT ADRIOLA SPAHIUT NË JACKSONVILLE, FLORIDA/
Nga Dalip Greca/
Të Shtunën me 18 Tetor 2014, së bashku me zv/kryetarin e Vatrës, Asllan Bushati dhe Adem Belliun e TV Kultura Shqiptare në New York, udhëtuam nga aeroporti Newark i Nju Xhersit që në orën 5 të mëngjesit. Me peshën e dhimbjes të humbjes së jetës të vajzës të mikut tonë të përbashkët, njëkohësisiht kryetar i degës së Vatrës në Jacksonville, Adriatik Spahiu, ishim nisë nga Bronxi-NY, që në orën 2 e 30 të mëngjesit. Vajza e Adem Belliut,Vera, na kishte përcjellë me makine në aeroport. Pesha e dhimbjes për moshataren e saj ndjehej dhe tek Vera. Pas rreth dy orëve fluturim u ndodhëm në aeroportin e Charlotte-s. Një orë qëndrim aty dhe pas një orë e 15 minutash arrijmë në aeroportin e Jacksonville. Aty takuam kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, që kishte udhëtuar që në mbrëmjen e së premtes, pasi kishim ngushëlluar së bashku, familjen e Anton Rajës, që humbi djalin e tij, Justin. Ishte një fundjavë e dhimbshme për komunitetin shqiptar, kjo që kaluam.
Vatrani Gjergj Lacuku po na priste me makinën e tij në hyrje të aeroportit.
Kur i afrohemi vendit të ngjarjes, ku u këput jeta e 19 vjecares Adriola Spahiu, Gjergji qëndron dhe na tregon dhimbshëm:- Ja këtu ndodhi tragjedia! E shkreta vajzë!
Në orën 10 e 30 arrijmë pranë Shtëpisë Mortore Ponte Vedra Valley . Jemi gjysëm ore para fillimit të shërbimeve funerale. Kemi kohë të mjaftueshme sa të porosisim aty pranë një kurorë lulesh në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Na ndihmon bashkëshorti i vatarnes Lola Hodo, që së bashku me Adem Belliun, shkojnë dhe bëjnë porosinë. Kurora e tufa me lule ka në dërguar edhe dega e Vatrës në Jacksonville, dega e Vatrës së Queensit në New York, dërguar nga dr. Skënder Murtezani,dega e Vatrës në South Florida me kryetar Kolec Ndoja, i cila së bashku me bashkëshorten ka ardhë t’i shprehë ngushëllimet bashkëshortëve Spahiu, dega e Vatrës në Orlando. Në orën 11 me peshën e dhimbjes në shpirtrat tanë shkojmë drejt arkmortit, ku qëndron 19 vjecarja e pajetë Adriola Spahiu.
– Prehu në Paqë, Adriola!
Cfarë t’i thoshim Adriatikut, Lolës, Mateas, për t’i ngushëlluar? Ku t’i gjenim fjalët? Ishim bërë të pagojë nga dhimbja. Mbahu vëlla? Mbahu motër! Kurajo Matea!
Zoti i merr për vete ëngjejt! Zëri ka iku, psherëtima dhe lot!
Njerëzit vetëm se vijnë varg. Shtëpi mortore duket e vogël për numrin e madh të shqiptarëve që kanë ardhë nga cdo cep i Floridës, por edhe nga Nju Jorku, Michigani, Bostoni dhe shtete të tjerë. Shumë rrinë korridoreve apo në sallën ngjitur me atë ku ëshët vendosë arkmorti. Vargu i gjatë ka mbushur edhe hapsirën jashtë Shtëpisë mortore. Për shumë minuta nuk ka fjalë, dëgjohen vetëm psherëtima e dënesa! Zot, të lutemi! Pse na e more këtë gonxhe, që sapo kishte celë pranverën e jetës? Nuk i kishte mbushë ende 19 vjetët? Po Zoti i di vetë punët e veta! Ne vec na dhemb zemra e na rënkon shpirti ndaj i lutemi e i përgjërohemi!
Adriatiku qëndron i fortë. Lola në krah të tij vec loton, Mateas nuk i besohet se nuk do ta ketë më pranë fizikisht motrën e madhe. Rrëketë e lotëve i zbresin faqeve dhe vec shtërngon dorën e nënës së dashur…
…Vatranët duken se kanë ardhë nga të gjitha anët. Kështu është Vatra si një shtëpi e përbashkët që e ndjenë dhimbjen si një familje e madhe. Janë këtu vatranët e Jacksonvilles, ata të South Floridës, të Orlandos, të Nju Jorkut….Shpresa Gallo ka ardhë së bashku me të birin. Në duar mbanë një buqetë shumëngjyrshe lulesh! Avokatja vatrane Lola Hodo ka ardhë së bashku me bashkëshortin, Gjergji Lacuku bashkë me bashkoshorten,avokati vatran Adrian Gjoka, po ashtu Gjergj Shkurtaj, Zani Hakrama, Elton Hysesai, Janë dhjetëra..Bukurosh Curraj, është i kudondodhur, në krye të punëve, ….
Përvec shqiptarëve kanë ardhë dhe shumë amerikanë për të ngushëlluar familjen. Në funeral respektohet tradita shqiptare. Madje edhe simbolet tona kombëtare, përfshirë Flamurin Kuq e zi. Drejtuesi amerikan i ceremonisë flet gjatë për kurajon, qëndresën dhe historinë tonë Kombëtare, Gjergj Kastriotin Skëndërbeun….Për Adriolën….për ëngjëllin që po ikën…
Fjalime për të larguar dhimbjen. Flet edhe kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dr. Gjon Bucaj. Fjalët mezi dalin nga dhimbja: E nderuar Familja Spahiu!
I nderuar Adriatik, Zonja Lola dhe Matea, dhimbjen e tuaj të thellë e kemi përjetuar nga larg, prej ditës, kur mësuam lajmin e idhët të tragjedisë që ju u goditi papritmas… Sot kemi ardhë të gjindemi pranë jush për të përcjellë së bashku Adriolën tuaj të dashtun me lamtumirën e fundit.
Adriola u nda nga kjo botë në pranverën e jetës së vet, duke lanë një lule më pak në kopshtin toksor, por prej tashit e deri në amshim, do të jetë një ëngjëll ma shumë në Parajsën qiellore.
Buzëqeshja e saj dhe dashuria për Ju, që i mori me vete, do të vijnë nga lart mbi ju prindët e dashur e të mirë, si rreze ngushëlluse, dhe mbi motrën e vogël Matean, për t’ju zbutë dhimbjen, për t’ju freskue zemrat, që të gjeni forcë ta pranoni me shpirt të qetë mungesën e saj mbi tokë.
Ngushëllim dhe forcë për ju do të jenë kujtimet e saj, dhe kujdesi me dashuni prindërore për lulen e vogël, që keni pranë, Matean,- ta keni me jetë të gjatë e fatlume!
Së fundmi, dr. Gjon Bucaj, ngushëlloi në emër të Vatrës dhe familjes së tij, duke përcjellë kurajo dhe qëndresë përballë dhimbjes.
Në emër të familjes Spahiu, miqëve dhe vatranëve të Jacksonville ka ngushëlluar me fjalë zemre e dhimbje shpirti, Bukurosh Curre. Duke u drejtuar nga arkivoli, ai pshertiu dhimbshëm:- Adriola…Adriola …Adriola…! Sytë përloten. Zëri dridhet…Fjalët s’binden.
– Na mblodhe sot në këtë kor dhimbjesh…Të vështrojmë me drithërima buzësh e psherëtima shpirtrash…Na mblodhe sot të derdhim lot, që nuk i pushojmë dot…Të themi fjalë që s’dalin zëshëm për t’u dëgjuar…
– Dhimbja u vë pengesë fjalëve…
Duke iu drejtuar qindar pjesmarrësve, ai i falenderoi ata qindra njerëz, që kishin ardhë për të ngushëlluar e për t’i dhënë kurajo familjes Spahiu; babait të Adriolës- Adriatikut, nënës Lola, që po i plas shpirti nga dhimbja, motrës Matea, që i rrjedhin lotët pa pushim.
Më pas Bukuroshi përcjell një jetshkrim të Adriolës, e cila lindi më 13 qershor 1995 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Ishte fëmija i parë i Adriatikut dhe Lolës. Ishte një fëmijë i bukur, plot shëndet, lozonjare, që recitonte, këndonte e vallzonte, si për të shprehur gëzimin për jetën. Ishte e qeshur dhe e dashur përherë. Ishte motra e madhe e Mateas. Rrinin gjithëmonë bashkë si motra e shoqe, ku ndanin së bashku lumturinë e moshës, gëzimin që ndjenin në familjen e gëzuar. Të dyja ishin ëndrra e jetës së Adriatikut dhe Lolës. Të katër së bashku ndjeheshin të lumtur.
Fati e ndihu familjen Spahiu, që në vitin 2004 të vinin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gëzimi e lumturia në tokën e bekur të lirisë ua shtoi lumturinë. Adriola ishte e dedikuar që të sillte mirësi e dashuri për të gjithë.Edhe pse jetoi pak dhe jeta u tregua e padrejtë me të, ajo iku duke lënë pas mirësi. Gjërat më të mira e më të bukura , nuk mund të shihen, as mund të preken, ato i ndjenë vetëm zemra dhe shpirti.
Thonë se Zoti i merr ëngjëjt para kohe, packa se prindërve u drithëron zemrat e u thahen shpirtrat. Ëngjjëlli me emrin Adriola iku shpejt në fluturim drejt qiejve dhe na la pas mesazhin-amanet:-Duhet të duhemi, të jemi të gjithë bashkë, ta duam e ta ndihim njeri-tjetrin; ta kalojmë cdo cast në harmoni dhe të ndjejmë lumturinë…! Jeta është e shkurtër…!
Bukuroshi ngushëllon familjen duke u përcjellë kurajo dhe qëndresë dhe së fundi fton të pransihmit të ndajnë kujtimet që ruajnë për Adriolën. Dhimbja sikur lehtësohet për një cast, por sërish, kur arkivoli mbartet nga shtëpia mortore drejt varrezave aty pranë, pshërëtimat, ofshamat e dhimbjes shtohen. Vargu i qindra pjesmarrësve zgjatet tej rrugës kryesore. Në krye të ceremonisë është dervish Elidon Pashai, që ka ardhë nga Teqeja e Baba Rexhepit në Detroit. Ka bërë gjithë atë rrugë të gjatë me disa ndalesa për të qenë pranë vëllait shqiptar të besimit, Adriatikut, dhe familjes së tij, që shpirtrat u janë copëtuar nga dhimbja. Dervishi i ditur , Elidon Pashai,i ka fjalët e shqipes së bukur- balsam për zemrat që dhembin në këtëo ditë morti. Ai flet e ngushëllon shqip, përcjell kurajo cdo fjalë e tij. Këshillon që t’i qëndrojnë pranë familjes Spahiu për t’ia zbutë dhimbjen.Në Varreza ceremonia e varrimit kryhet në një diell të nxehtë. Flamuri kuq e zi me shqipen dy krerëshe ka mbuluar arkmortin. Fjala e dervish Edison Pashait në përcjelljen e fundme është një esse poetike e mrekullushme, që shkon drejt e në shpirtra. Ka aty dashuri për jetë, por edhe dhimbje mërgimi…. Adriatiku, Lola, Matea, me lule ndër duar i afrohen arkmortit, dhe vendosin mbi të lulet…Lule ishte dhe ajo që po varroset. Një dorë dhe’ sipas traditës, takimi dorë më dorë me familjen dhe gjithcka përfundon aty për të marrë me vete dhimbjen e madhe. Agimi, vëllai i Adriatikut, falenderon pjesmarrësit e shumtë dhe i fton ata që të mos mungojnë në drekën e lamtumirës së Adriolës.
Lamtumirë Ardiola!

Jacksonville, 18 tetor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Adriola Spahiu, dalip greca, kronike dhimbjeje, Lamtumire

ME TINKA KURTIN- Nëpër fjalët e një GRUAJE të MADHE

October 13, 2014 by dgreca

SHKRUAN:MARJANA BULKU/ NEW YORK/
Fjalët e saj do ti mbeteshin në mendje kujtdo, për peshën e mendimit që mbartin, për tonin me të cilin ajo i shqipton ato dhe jo vetëm në respekt të viteve të gjata që mbart mosha e saj ,,,Eshtë e cuditëshme se si grave të tilla vargu i gjatë i viteve ju vesh një lloj fisnikërie që zbukuron portretin edhe pse i plakur nga rrudhat, thinjat dhe vulat e viteve . Thjeshtësia e saj njerëzore jasht skenës dhe rolit më bën të kuptoj se nuk është vetëm fama ajo që fisnikëron portretet e nënave apo gjysheve tona… Keni provuar t’ju uleni pranë, të bisedoni me ta duke ju shtrënguar duart me dashuri , ti pyesni në atë mënyrë sikur mendimi i tyre është i rëndësishëm për ju. Ato flasin e flasin ,,, kanë aq shumë për të thënë ndoshta edhe pse jo gjithcka thonë ka vlerë por është vemendja jonë ajo që din të pëzgjedhë atë që ka vërtet vlerë duke ju falur atyre ndoshta të fundit kënaqësi jete. Gjyshja ime nuk është e famshme por jeta e saj ka kaq shumë histori sa cdo grua e MADHE do të kishte dashur ti dinte . Sepse jeta është shkolla e vërtetë ku parakalojnë vlerat tona : dinjiteti, nderi , krenaria, poshterimi, dhunimi, mbijetesa, forca.
”Vuan më shumë ai/ajo që urren sesa ai/ajo që urrehet” – Kështu tha ajo Gruaja e MADHE (që të madhe nuk e bëri vetëm skena) ,nëpër një bisedë rutinë që i erdhi natyrshëm duke kujtuar ndoshta dhe përvojat e viteve të saj, punës, roleve të shumta ku mbase dhe ajo është urryer pa shkak,,,A mos ndoshta urrejtja është ndonjë derivat i xhelozisë së sëmurë?! Nuk e di, merreni si konkluzion të nxituar përkufizimin tim hipotetik.
” Kështu më mësonte mama” – Përsëriste shpesh e madhja Tinka Kurti edhe pse mban 80 e ca vite mbi shpinë. Dhe unë e përsëris me vete e s’di pse sot dua ta them me zë të lartë sepse ato mamat tona na thanë e rrëfyen shumë,,,janë objekt kujtimesh personale por jo vetëm personale,,, Jo rrallë herë shembujt e thjeshtë frymësojnë, edukojnë. Jetojmë një realitet të cuditshëm ku ekranet pushtohen nga bukuri të retushuara, që duam apo s’duam na imponohen nga reklamat, kopertinat e fotografive dhe fjala ka shpejtësinë e jo dritës ( atë të zërit)… Prandaj, pikërisht ca fraza -jete grash që të mëdha nuk i bëri as bukuria, as fotoshopi, as pushteti ,as paraja, por vetë jeta ,puna, vështirësitë janë dhe do t7 jenë objekti im i vazhdueshëm.
Dhe mama e mësonte atë të madhen jo vetëm prej viteve por edhe sukseseve të saj pafund se si në jetë duhet të të udhëheqë gjithmonë DIJA.
Takimi me Tinka Kurtin më shumë sesa madhështinë e takimit me një artiste të madhe m’u duk se më dhuroi prezencën e nënës, gjyshes që njeriu mundëson ti ketë pranë edhe pse jo fizikisht përmes fjalëve, kujtimeve, copëzave të jetës edhe pse ndoshta të vështira. Jeta e saj është një tablo ku bashkëjetojnë të gjitha ngjyrat duke i dhënë jetë dhe kuptim shoqja-shoqes. Nëpër rrëfimet e saj unë kuptoja se brenda moshës jeton rrugëtimi ynë ku e shkuara bardh e zi ka shkëlqimet e arta të fshehura nga sistemet dhe ku e ardhmja gri ka ngjyrat e vjeshtës ku ndonjëherë bashkëjetojnë të gjitha stinët . Lotët e saj teksa interpretoi aq natyrshëm tek ”VATRA” panshqiptare nuk ishin vetëm lotët e saj,,,ishin LUTJE të ASAJ që i ka falur aq shumë atdheut të vet.Ajo hyri kaq spontanisht te VATRA ,por mbeti përjetësisht aty në kujtesën time, (edhe unë e vizitova për herë të parë VATREN atë ditë) sepse të gjitha vargjet e recituara prej saj me aq ndjenjë në kaq shumë vite jetë, ishin kaq pranë me autorët e tyre që vishnin muret , që flisnin përmes të përkushtuarit zotit Dalip Greca . Fishta, Noli, Koliqi , Konica,,, ( i kisha shpjeguar ne programet mësimore por këtu ato mu dukën vitalë)mijëra kontribues që i dolën zot atdheut në ditë të errëta. Në dalje të godinës ( si teqe shqiptarësh) ajo prek një libër të nanës Terezë dhe vargjet e saj LUTJE ndoshta ishin lutjet e gjithë popullit të një Artistje që i takon gjithë popullit të saj.
Për të përjetësuar njerëz dhe vepra nuk nevojiten vetëm akte madhore a ngjarje,dreka apo darka pompoze ….Mjaftojnë ca xheste të vogla (falemnderit mundësuesve Adem Belliu drejtues i Albanian Culture TV New York që solli artisten këtu dhe Dali Greca për atë mjedis aq sistematik) për të prezantuar anët e vërteta të jetëve njerëzore që dijnë të shkëlqejnë në cdo kohë, në cdo vend, edhe kur dritat e skenës janë shuar dhe perdja ka rënë… shfaqja vazhdon nëpër mendjet tona !
NE FOTO: ME TINKA KURTIN NE SHTEPINE E VATRES.Autorja e shkrimit, Marjana Bulku Zeneli dhe Editori i Diellit-Dalip Greca

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, e një GRUAJE, Marjana Bulku, ME TINKA KURTIN- Nëpër fjalët, të madhe!?

PËRKRAHJE VËLLEZËRVE TË KOSOVËS LINDORE NË TAKIMIN E SOTËM NË MONROE COLLEGE

October 12, 2014 by dgreca

*APEL PËR NDIHMË: TË PARANDALOJMË SHPËRNGULJET NGA KOSOVA LINDORE/
*”TË NDËRTOJMË, TË SHPËTOJMË, TË PARANDALOJMË”!/
Sot, e Dielë 12 Tetor, në orën 1.pm, në Monroe College, një dërgatë nga mërgata shqiptare në Zvicër , përfaqësues të Fondit Humanitar të Kosovës Lindore- Preshevë, Bujanoc-Medvegjë, do të takohen me shqiptarët e New York-ut dhe do t’i apelojnë diasporës shqiptare në SHBA, që t’i përkrahë në nismën Gjithëkombëtare:”TË NDËRTOJMË, TË SHPËTOJMË, TË PARANDALOJMË”!
Ky është një aksion Kombëtar që kërkon të lehtësojë jetësën e vëllezërve tanë të Kosovës Lindore- Preshevë, Bujanoc-Medvegjë, të cilët jetojnë nën Serbi, përmes ndërtimeve atje-të parandalohen shpërnguljet, që Serbia ka me shume se 100 vjet që i nxit, të ndihmohen për shkollim të rinjët përmes fondeve të mbledhura me këtë aksion Kombëtar, të ndihmohen me kredi bujqërit, me qëllim që të mos marrin rrugët e ikjes e tua lënë tokat serbëve….
Të shtunën me 11 tetor, dërgata e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore, u prit nga kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, dr. Gjon Bucaj, i cili shoqërohej nga anëtari i advisory board Zef Perndocaj dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Dërgata e Fondit të Kosovës Lindore përbëhej nga, z. Xhelal Memeti-Kryetar; Adnan Imeri-sekretar, Skënder Ismaili-arkëtar. Ata shoqëroheshin nga kryetari i Shoqatës së Kosovës Lindore në NY, z. Entezam Veseli.
Kryetari i Vatrës, u uroi mirëseardhjen mysafirëve në Shtëpinë e Vatrës dhe i përgëzoi për nismën Kombëtare që i shërben qëndresës në trojet autoktone të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Më pas ai i tregoi shkurtazi historinë e Federeatës Vatra, më e vjetra e mërgatës shqiptare. Dr. Bucaj bëri paralelizëm mes nismave Kombëtare gjatë 100 viteve të Vatrës, me ato të Fondit të Kosovës Lindore, që i bashkon cështja Kombëtare. Editori i Diellit, pwrshkroi dy aksionet mw tw rwndwsisihme tw Vartws, atw tw Shpwtimit tw Shqipwrisw, qw pat nisw nga Vatra me 3 Qershor 1917 dhe “Huaja Kombwtare e Vatrws” e vitit 1920. Kwto dy fushata edhe pse nw kushte tw ndryshme historike, mund tw shwrbejnw si model pwr Fondin e Kosovws Lindore. Fushata e parw e 3 qershorit grumbulloi 150 mijw dollarw dhe shwrbeu pwr mbrojtjen e Pvarawsisw gjatw Konferencws sw Paqes, ndwrsa e dyta, qw grumbulloi 197 mijw dollarw ndihmoi Qeverinw e dalw nga Kongresi i Lushnjws.
Kryetari i Fondit z. Xhelal Memeti, falenderoi për pritjen dhe më pas parashtroi platformën dhe kërkesat e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore. Ai tha se: Gjatë funksionimit 16 vjecar të tij, Fondi Humanitar i Kosovës Lindore në Zvicër, i themeluar nga bashkëatdhetarë mërgimtarë të Kosovës Lindore, ka përcjellë me vëmendje, ngjarjet e rëndësishme në trojet shqiptare të cilat kanë shënuar historinë më të re të shqiptarëve, dhe për aq sa ka pasë mundësi, u ka ndihmuar mbarëvajtjes së këtyre ngjarjeve. Fillimisht, Fondi, ndihmoi popullatën shqiptare në Kosovë gjatë luftës clirimtare kundër Serbisë. Pastaj dha kontribut për UCPMB në Kosovën Lindore , dhe i ndihu Ushtrisë Clirimtare Kombëtare në maqedoni.
Pasi përfunduan luftrat në trojet shqiptare, Fondi i Kosovës Lindore, u përkujdes për jetimët, familjarët e dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës, duke kontribuar për mjekimin, perkrahjen dhe shërimin e tyre; për të vazhduar me kontribute financiare në ndihmë të studentëve të kësaj Treve, kryesisht të atyre që vijnë nga familje me të ardhura të pakta. Prej disa vitesh ky Fond kontribuon me bursa studentore.
Kryesia e Fondit, duke parë se Trojet e Kosovës Lindore po boshatisen nga shpërngulja e shqiptarëve filloi të trokasë në dyert e zyrave të udhëheqësve të subjekteve të organizuara politike e shtetërore me qëllim të parandalimit të këtyre shpërnguljeve që boshatisin trojet autoktone shqiptare. Për këtë qëllim Kryesia e Fondit ka bërë takime me Kryetarët e Komunave dhe Kuvendeve Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Këshillin nacional për Kosovën Lindore, Kryetarët e subjekteve politike në Kosovën Lindore, si dhe me disa përfaqësues në Republikën e Kosovës. Mendimi i përbashkët i këtyre takimeve ishte moshumbja e kohës, por vazhdimi i aksionit Kombëtar për ndërtimin e shtëpive të banimit,-fillimisht të atyre që janë më keq.
Të mos harrojmë eksodet e më parshme në historinë e kombit tonë, si ai shpërnguljes dhe masakrave të Camërisë, apo Kosovës. Disa nga trojet Kombëtare i humbëm, me ose pa fajin tonë, por gjithësesi i kemi humbë dhe këto humbje i ndjejmë si plagë të rënda në trupin dhe shpirtart tonë. Dhe që këtij shpirti dhe trupi mos t’ia shtojmë edhe plagë të tjera, që gjiëthsesi kanë nisë të na therin trupin-; Fondi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, t’i bashkangjiten këtij aksioni Kombëtar.
Shqiptar të New York-ut dhe rrethinave, ejani sot në orën 1.00 në Monroe College dhe dëgjojini vetë misionarët e Kombit, që duan të parandalojnë shpërnguljen e Trojeve autoktone shqiptare.
Për ata që nuk kanë mundësi, për informata të shkojnë në websitin e Fondit dhe të marrin informacion se si mund të japin ndihmën e tyre. Adresa : www. fondihumanitar.ch(Ne foto:Nga takimi i se shtunes mes Vatres dhe Fondit te Kosoves Lindore)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Fondi Humanitar, perkrahje, te Kosoves Lindore, vellezerve shqiptare

ESHTRAT E MID’HAT FRASHËRIT E KANË VENDIN NË PANTEONIN E KOMBIT

October 4, 2014 by dgreca

Dega e Vatrës në Queens- NY, përkujtjoi me një veprimtari emocionuese, 65 vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit…/
Të Premten në mbrëmje, në Douglaston, Queens-NY, dega e Vatrës, me inisativën e kryetarit të saj, dr. Skënder Murtezani, organizoi, për të dytin vit, përkujtimin e emblemës së Nacionalizmit Shqiptar, Mid’hat Bej Frashëri, të birit të Rilindasit të madh, Abdyl Bej Frashërit. Mjedisi i sallës,( që u pagua nga dr. Murtezani), ishte hijeshuar me flamuj Kombëtar të Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe me portretin e Atit të Shtetit Shqiptar, Ismail Bej Vlora, të Mid’hat Frashërit, si dhe themeluesëve të Vatrës, Faik Konica e Fan S. Noli. Po ashtu u përdorën vidio dhe u dëgjua nga BBC intervista që Mid’hat Frashëri dha më 1949, pak caste pas krijimit të Komitetit Shqipëria e Lirë .
Takimin e ka hapë dr. Skënder Murtezani, i cili vlersoi figurën madhore të Mid’hat Frashërit dhe solli rrethanat e mistershme të shuarjes së tij në Hotelin Lexinton me 3 tetor 1949.
Shkrimtari i nohur, ish sekretari i Vatrës, Naum Prifti, vlerësoi figurën e Mid’hat Frashërit në lëmin e Letërsisë, publicistikës, përkthimit. Ai foli me detaje edhe për Librarinë e Lumo Skëndos, si një cerdhe e edukimit kulturor të brezit të ri të kohës(Kjo kumtesë do të publikohet e plotë në Dielli).
“Mid’hat Frashëri dhe Vatra” si dhe”Vlerësimi i Mid’hat Frashërit nga Hasan Dosti” ishte kumtesa që paraqiti editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca.
Sekretarja e Vatrës, zonja Nazo Veliu, solli përshëndetjet e kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ka udhëtuar për në Michigan, dhe nuk kishte mundësi të merrte pjesë në këtë veprimtari. Sekretarja e Vatrës vlerësoi kontributin e Mid’hat Frashërit në cështjen Kombëtare dhe përgëzoi dr. Murtezanin për organizimin e kësaj veprimatrie.
Përshëndeti veprimtarinë edhe studiuesi shqiptar nag Maqedonia z. Kaim Murtishi, i cili u duartrokit gjatë në recitimin e poezisë kushtuar rilindasve.
Këngëtari i njohur i komunitetit shqiptar Haxhi Dauti ka përshëndetur organizatorët e kësaj veprimtarie dhe ka vlerësuar figurën madhore të Mid’hat Frashërit.
Përmes ekranit dr. Murtezani paraqiti në mënyrë vizive castet kryesore të jetës dhe veprës së Midhat Frashërit.
Në fund u dha një koktejl i pasur me pije dhe ushqime, shp[enzime të vetë dr. Murtezanit. Veprimtaria u ndoq nga Adem Belliu-Televizioni Kultura Shqiptare, gazetari i komunitetit Beqir Sina dhe Gazeta Dielli.
***
Editori i Diellit,Dalip Greca, në kumtesën e tij; tha se ish studenti i Universitetit të Sorbonës, ish Kryetari i Gjykatës së Diktimit në kohën e Zogut(edhe pse ishte dënuar si antizogist) ish Ministri i Drejtësisë, ish kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Hasan Dosti, na ka lënë një vlerësim brilant për jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit. Përmes një esseje shpirtërore, lexuar në një vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit, botuar në Gazetën”Shqipëria”organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, që dilte në Nju Jork(1950-56). Është fjalimi i Hasan Dostit tek varri i Mid’hat Frashërit në varrezat Ferneliff-it.
Përvjetori i parë i vdekjes së Mithat Frashërit u organizua jo me 3 tetor-në ditëvdekjen e tij, por me 15 tetor 1950. Ceremonia ishte e thjeshtë dhe kishte për organizator Komitetin Shqipëria e Lirë. Në varrezat Ferneliff-it, ku prehen sot e kësaj dite eshtrat e tij,u mbajt edhe fjala vlerësuese e Hasan Dostit, aso kohe kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë. Fjala e tij është më shumë një esse patetike-heroike me frymë kombëtare.
Shkëpusim nga fjala e Dostit një fragment”Mid’hat Frashëri është fytyrë e Madhe! Koha nuk e hedh në harrim!Përkundrazi, i lartëson emrin, i shton lavdinë.Është njeri i racës së zgjedhur, i gjakut të kulluar, i familjes së ndritur, i biri i Abdylit të Lidhjes së Prizrenit, dhe Dumes, nipi i Samiut dhe Naimit, viganëve të Rilindjes Kombëtare.”
Sipas Dosti, mendja e Mid’hatit ishte ndriçuar nga tre yj’ të madhërisë së parë dalë herët në qiellin e Shqipërisë.Janë yje të qëndrueshëm, jo meteorë të shkuar. Historia e familjes së Frashërllinjëve rilindas është saktësisht Historia e Rilindjes së Shqipërisë.
Mid’hati, i frymëzuar që në vogëli nga tradita e bukur, nga ideali i lartë i prindërve të tij, porsa arriti në pjekurinë e parë, hapi librin e artë të fateve të Shqipërisë. Këndoi punët Kombëtare të të atit, vjershat e Naimit dhe predikimet e Samiut, sidomos përthithi faqet e librit “Shqipëria Ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”- që mbetet ungjilli i shqiptarëve. Këto, në tërësinë e vet, përbëjnë testamentin shpirtëror të frashërllinjëve; frymëzuar nga epopeja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nga ideali i Naum Veqilharxhit; nga dalin dy parime: Liria e Kombit dhe edukimi i popullit.
Mid’hat Frashërit i është dashur që të punojë nën dhe’, në Katakombe, si priftërinjtë e shekujve të parë, që përhapnin Kristianizmin në Perandorinë e Romës Pagane. Kështu, biri i Abdyl Frashërit, ka lënë emrin e pagëzimit Mid’hat, për të marrë atë të Lumo Skëndos nën urdhërin e shqiptarizmit. Duhet të zotërosh mjeshtërinë e penës së Dostit për të përshkruar zgjimin e madh të shqiptarëve të kohës së Mid’hat Frashërit. Të mos ikim larg, por në agim të shekullit XX, Më 1906, Mihal Grameno, biri i madh i Korçës Plakë, me Hymnin e tij- Marsejezën e Shqipërisë:”Për Mëmëdhenë-Për Mëmëdhenë”, rrok trimërisht pushkën dhe del në male për të ringjallur lirinë”përmbi shkëmbinj e gurë”. Flamurin e Kryengritjes e bekonte Papa Kristo Negovani. Ky prift Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do ta lyente me gjakun e trupit të tij. Bëhet dëshmor i parë i shqiptarizmit të ri, si Shën Stefani promartir i Kristianizmit.
Lufta e shqiptarit për liri vazhdon: Në mars 1908 gjëmojnë armët e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit, te Rrapi në Mashkullorë. Burrat trima të Kosovës mblidhen dhe i japin Stambollit ultimatumin e famshëm që shtërngon Sulltanin dhespot të shpallë statutin e popujve të Perandorisë.
Në 1910-11 lufta shqiptare përhapet anë e mbanë trevave të saj; ngrihet Mirdita e dukagjinasit, Malësia e Madhe e Shkodrës së Teutës, digjen, prishen, vriten prej zjarrit dhe predhave të artilerisë t’ushtrisë turke të komanduara prej Muhedin Beut e Turgut Pashës. Shqiptarët valojnë Flamurin nën drejtimin e trimit Dedë Gjo Luli.
Historia arrin kulmin. Vjen viti 1912. Ngjarja e parë madhore për pjekurinë e Lëvizjes Kombëtare, 28 prill 1912 themelohet Vatra, që do të orientojë e mbrojë Kombin. Eshtë kohë lufte:Trevat shqiptare shkrumbojnë nga zjarri i luftës. Shqiptarët hyjnë në Shkup. Është Isa Buletini me trimat e racës së Dardanëve,që kanë çliruar Shkupin. Duket se ëndrra e Shqipërisë në katër vilajete, po realizohej.
Po ky ishet ideali i Fashërllinjëve! Dimri i 1912 shpërthen në zjarr të gjithë Ballkanin. Flaka përhapet prej detit të Zi në detin Adriatik.
Biri i Frashërllinjëve është atje ku e kërkon Testamenti i të parëve; në Shqipërinë e katër Vilajeteve. Ndodhej në Shkup. Atje ndjen se koha e volitshme po vinte. Ora e mbarë për Shqipërinë po trokiste. Flamuri i Indipendecës, idelait të Frashërllinjëve Rilindas kishte ardhë.
Mid’hati hyn në bashkëpunim me patriotë të vjetër e të rinj. Në stinën e pamëshirshme të atij viti, kapërcen malet e mbuluara me borë të Sharit, kalon përmes Fanit të Mirditës, dhe zbret në Tiranë. Pret të zbarkojë Ismail bej Qemali për të ngritur Flamurin e Skënderbeut në buzë-detin e Adriatikut, në Durrës, n’Epidamin e Vjetër të mbizotëruar prej fortesës gjigante të Krujës historike.
Rrethanat nuk janë të favorshme, por Lumo Skëndo nuk dëshprohet. Shkon prej moçaleve të Kavajës dhe të Myzeqesë, drejt Vlorës. Takohet me patriotë të ardhur prej viseve të Shqiptarisë. Dhe vjen dita e bekuar. 28 nëntor 1912, dorë për dorë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Pandeli Cale, e shumë atdhetare të tjerë, ngrenë Flamurin e Lirisë dhe nënshkruajnë dokumentin e Pvarësisë. Lumturohet tek sheh realizimin e aspiratës dhe idealeve të paraardhësve të vet. Vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës duke u bërë Ministër i saj. Është i pari në historinë e shtetit shqiptar,që jep dorëheqje për t’iu përkushtuar idealit kombëtar.
Po Shqipëria duket e pafat.Traktati i Londrës i 30 Majit 1913 e varros Pavarësinë e Shqipërisë. Këputet ëndrra e Samiut, Abdylit e Naimit për Shqipërinë me katër vilajete. Idealistit Mithat Frashëri i dhemb shpirti nga therja e Atdheut copash. Ngjarjet e vitit 1914, ku fqinji jugor, vret, ther, djeg, ia bëjnë zemrën plagë birit të frashërllinjëve. Veçse, atdhetari i madh, nuk është njeri që humb shpresën. Le Shqipërinë dhe merr rrugën e Mërgimit për t’i shërbyer Kombit. Shkon në Rumani, Francë dhe Zvicër, ku vihet në shërbim të Federatës Panshqiptare të Amerikës si diplomat, në mungesë të shtetit. Ai së bashku me Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtulli në Lozanë, bëhen avokatë të kombit nën financimin e Vatrës.
Janë të paçmuara kontributet e Mid’hat Frashërit në kohën e Konferencës së Paqes në Paris. Së bashku me miqtë e tij, ai “gris” publikisht marrveshjete fshehta të fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë. Siç kishte bërë për denoncimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të njëjtën gjë bën edhe për memorandumin e 9 dhjetorit 1919,ku përfaqsëuesit e Anglisë, Francës, por dhe të ShBA-ve, i njihnin qeverisë Italiane sovranitet mbi Vlorën dhe krahinat përreth saj dhe mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar. Ky memorandum i njihte Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene daljen në bregdetin shqiptar. Mid’hat Frashëri me tagrin e delegatit të Vatrës i drejton një memorandum Konferencës së Paqes, ku proteston fuqishëm për padrejtësistë e reja ndaj një vendi sovran e neutral, siç ishte Shqipëria. Ai e vlerësonte memorandumin e të mëdhenjëve si krim ndaj popullit shqiptar. Delegati i Vatrës i shkruante Konferencës se” Qeveria shqiptare i ka vënë vetes detyrë të mbrojë integritetin e Shqipërisë, duke mos lejuar t’i shkelen të drejtat si shtet i pavarur dhe sovran”.
Është e njohur në këtë kohë edhe promemoria që delegati i Vatrës, Mid’hat Frashëri i dërgoi presidentit Uillson, ku i kërkon mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Amerikës për zgjidhjene drejtë të çështjes shqiptare.
Studiuesi i Mid’hat Frashërit, historiani dhe shkrimtari Uran Butka, e ka ndjekur përmes burimeve historike veprimtarinë e Mid’hat Frashërit dhe na ka sjellë të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë anbgazhimin e tij më Vatrën. Në fillim të shkurtit 1920 Mid’hat Frashëri la Lozanën për të shkuar në Paris, ku u bë një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Ndërsa me 23 shkurt 1920, si përfaqësues i vatranëve të Amerikës, Mid’hati i drejtohet me një mesazh, një grupi deputetësh italianë: Mr. Filipo Turato, C. Lazari, Frole, Luigi Ferra, P. Vasullo, T, Menes, për të kundërshtuar planet pushtuese të tokave shqiptare prej Italisë.
Piktakimi i tretë i Mid’hat Frashërit me Vatrën, është Huaja Kombëtare, tha editori i Diellit.Mid’hat Frashëri erdhi në ShBA në shtator 1920. Ai ka mandatin e qeverisë shqiptare që të ndihmojë në fushatën e Vatrës për Huanë Kombëtare. Mid’hat Frashëri shëtiti nën shoqërimin e Kristo Kirkës e vatranëve të tjerë të gjitha kolonitë shjqiptare të Amerikës dhe Kanadasë, bëri thirrje për atdhetarizëm.
Ishte edhe kontributi frymëzues që dha Mithat Frashëri, që Vatra e realizoi Huanë prej 197 mijë dollarësh për Shtetin shqiptar.
Një mision të shenjtë kreu Mid’hat Frashri si mbrojtës i fuqishëm i popullsisë shqiptare të Çamërisë në kohë këmbimin e popullsisë sipas marrveshjes së Turqisë me Greqinë.
Mid’hat Frashëri endet nëpër shtete të ndryshme në shërbim të Kombit deri më 1925. Pikërisht këtë vit kthehet në Shqipëri, por hiqet mënjanë dhe nuk merret me politikë.Vendoset në Tiranë ku drejton Librarinë. Biblioteka e tij pasurohet gjithnjë e më shumë. Libraria e tij u kthye në një strehë-shkollë për edukim Kombëtar, ku mblidheshin studentë e intelektualë. Kishte vendosë që aty ta mbyllte pleqërinë e tij me një shërbim modest ndaj Kombit.Por fati i keq e deshi që ai të shihte Yllin e Shqipërisë të zënë prej mjegullave të kohës. Janë episode dramatike të atdheut të Skënderbeut. Në 7 prillin e 1939-ës, ditën e së premtes së zezë, martirizohet Shqipëria prej forcës brutale të fashizmit. Nuk mund të rrinte mënjanë pinjolli i Frashërllinjëve.Zemra e tij nisi të rrahë vrullshëm. Përpiqet që të japë kontributin e vet. Por mjerisht hyn në mes ideologjia komuniste, që e turbullon gjendjen. Ideologjia e përçarjes ia preu krahët Kombit, duke marrë në shenjë nacionalistët, njësoj si pushtuesit. Shqiptari kundër shqiptarit. Koha punoi për komunistët, apostulli duhet ta braktisë tempullin e adhetarizmit dhe të mërgojë në dhera të huaja. Kapërcen Adriatikun duke humbur meditushëm nën fjalët e këngës :”Moj Shqipni, e mjera Shqipni…, pa harruar vargjet finale”prej Tivari deri në Prevezë”…të Vaso Pashë Shkodranit, shok ideali i Abdyl dhe Sami Frashërit. Zbarkoi në brigjet italiane, ku gjenë strehë në kampet e shërbimeve filantropike të demokratëve perëndimorë. Vazhdon pa ndërprerje luftën kundër komunizmit, bashkëpunon me grupet e tjera politike mërgimtare dhe hyn në kontakt me grupet demokrate perëndimore. Formohet Komiteti Shqipëria e Lirë. Mid’hatit i besohet posti i kryetarit. I drejton Kombit mesazh të kthjellët përmes BBC-së. Vjen në Amerikë për të organizuar luftën e çlirimit të Shqipërisë në bashkëpunim me forcat e tjera të demokracisë Botërore. Por vdekja i thur kurth dhe shuhet apostulli idealist. U varros në tokën e Xhorxh Uashingtonit. Trupi i tij edhe sot kësaj dite dergjet larg Mëmëdheut, duke u prehur nën hijen e Monumentit të Lirisë së Amerikës, simbol i shpresës së gjithë Kombeve të Botës.
Mendoj që në fund të këtij aktiviteti përkujtimor, t’i bëjmë një apel qeverisë dhe politikës shqiptare, duke çuar në vend edhe dëshirën e bashkëluftëtarëve të tij të idealit,të kthehen në Kryeqytetin shqiptarë eshtrat e Mid’hat Frashërit…. Sjell në Kujtesë: Hasan Dosti 64 vite më parë, tek do të mbyllte fjalimin e vet tek koka e mëmëdhetarit, do të rënkonte dhimbshëm:Ah, ai s’mund të rrijë larg popullit të vet…Vendi i prehjes së përhershme të eshtrave të Mid’hat Frashërit, nuk është këtu, në varreza e Ferneliff-it. Vendi i tij është tek Altari i madh ideal i Kombit, tek Tempulli i shqiptarëve të Mëdhenj, në Pantheonin e Tiranës! Zoti do të dojë!
…Edhe unë shpresoj!
(Fotot shihi ne Facebook)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, dega Queens, Dr. Skender Murtezani, Mid'hat Frasherin, Vatra perkujton

DARKË ME PRESIDENTIN NISHANI DHE DELEGACIONET E SHQIPËRISË DHE KOSOVËS

September 19, 2014 by dgreca

VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR DO TË SHTROJNË DARKË PËR DELEGACIONIN E DREJTUAR NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI DHE DELEGACIONIN E KOSOVES/
Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York,në mbrëmjen e 27 shtatorit, do të shtrojnë një darkë , ku janë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Komuniteti Shqiptar ftojnë shoqatat dhe fondacionet që të bëhen pjesë e darkës që do të shtrohet në nder të delegacionit shqiptar të kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, i cili do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që mbahet gjatë muajit Shtator 2014.
Darka do të shtrohet Ditën e Shtunë, 27 Shtator 2014 në orën 7.00 të mbrëmjes në restorantin MAESTRO’S, që ndodhet në adresën:
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
Tel: (718) 792-8844
Vatranët dhe komuniteti janë të ftuar që të bëhen pjesë e kësaj darke.
Telefononi:
917-254-61-03, (718) 365-99-00, 917-848-3999, 914-316-0045; 917-669-2082, 917-355-1486, 914-772-2478, 973-819- 88-67; 914-76- 05-653
Për Shoqatën Camëria, rezervimet mund të bëhen përmes kryetarit Fuat Mamo në telefonin: 201-893-67-76, Për Legalistët rezervimet mund të bëhen përmes Ndrec Gjergji 718-347- 9472, për rezervime nga shoqatat e Malësisë mund të bëhen rezervimet tek koordinatori Esad Gjonbalaj në Tel: 914-4395798, për rezervime nga Shoqata Rugova mund të bëhen përmes telefonit të Shaban Lajcit 917- 445-4126,për rezervime nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thirrni Agim Alickaj në tel:914-237-6400, për rezevime nga Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe telefononi tek Dede Gjonvukaj Tel- 718.933.4141 ose 718.933.4466, Për rezervime nga Shoqata e Shkrimtarëve telefononi Dede Elezaj në tel: 917-445-4126.
Mbremja eshte e hapur per Komunitetin.

Filed Under: Vatra Tagged With: bujar nishani, dalip greca, Darke me Presidentin, Komuniteti, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT