• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RUGOVASIT E NJU JORKUT FESTUAN 6 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 15, 2014 by dgreca

   Të shtunën në mbrëmje, 15 Shkurt 2014,në mjediset e Shoqatës “Rugova” në Arthur Ave në Bronx, u organizua festimi i 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Shoqatës “Rugova” z. Adem Muriqi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve në festën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ai tha për gazetën Dielli se rugovasit ndjehen të gëzuar në këtë festë pasi Kosova është e lirë dhe e pavarur. Cdo vit shoqata e Rugovws nw New York e feston pwrvjetorin e pavarwsisw. Më pas e ka marrë fjalën Idriz Celaj i cili ka mbajtur një kumtesë. Folësi u ndal gjatë kontributin që dha arkitekti i Kosovës së pavarur, presidenti i parë i saj, dr. Ibrahim Rugova.

Celaj e përshkoi me detaje jetën e dr. Rugovës, që nga lindja me 2 dhjetor 1944,  në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Dihet fakti, tha Celaj, se më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Celaj evidentoi faktin se gjyshi Rrustë dhe baba Ukë, ishin pjesë e batalionit të major Zhukë Haxhia.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare. Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Dr. Ibrahim Rugova ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb në Kosovë. Permes deklaratave dhe intervistave et shpeshta ne shtypin e huaj dhe ate shqiptar kerkon trajtimin ndryshe te shqiptareve dhe denoncon dhunen serbe.
Si intelektual me emer që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Z. Celaj u ndal gjatë edhe në krijimtarinë letrare artistike të dr. Ibrahim Rugovës. Ai solli fragmente nga libri I bajrush Morinës”Dy personalitete”, kushtuar dr. Rugovës dhe akademik Mark Krasniqi.Vecanërisht në focus të fjalës të ligjëruesit ishin simbolet shtetërore,Flamurin e Dardanisë,  që kanë për krijues dr. Rugovën, fjalori politik të tij, gurët…etj.Në rezonancë me me mentalitetin dhe filozofinë e I Rugovës vijnë edhe urtësitë e fjalëve dhe shprehjeve të nënë terezës, që Rugova e vlerësoi shumë.

Gjatë festimit rugovasit, kënduan dhe kërcyen bashkë. Festa u shoqërua me ushqime tradicionale dhe pije. Foto nga aktiviteti. .(Korresp i Diellit)

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, e Pavaresise se Kosoves, festoi 6 vjetorin, Shoqata rugova

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 105 VJEÇ

February 15, 2014 by dgreca

105 vjet! Mbijetesa shekullore ua rrit krenarinë Shqiptarëve të Amerikës, të cilët e mbajtën gjallë këtë thesar të  Kulturës Kombëtare, “Dielli “, që sot i mbushi 105 vjetë -15 SHKURT 1909- 2013- 

Nga Dalip Greca/

Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 105 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja, por asnjë vleërsim nga shteti shqiptar, qoftë dhe simbolik. Në Kuvendin e ardhshëm të Vatrës, që mendohet të mbahet me 28 prill 2013, në përvjetorin e 101 të themelimit të Federatës, redaksia e Diellit do të kërkojë botimin si të përdyjavshme, për ta rikthyer në një periudhë jo shumë të largët në të përjavshme, për të realizuar kështu ringjalljen e plotë.

***

Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditëlindjen, të premten, me 15 shkurt mbushi plot 105 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.

Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur  se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.

Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.te plote do ta lexoni ne Diellin e printuar)

NE FOTO: STAFI I GAZETES NE VITIN 1916 -Duke pergatitur numrin e ri ne shtypshkronjen e Diellit

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Dielli 105 vjec, Konica, noli

Shqiptarët e Amerikës gjashtë vjetë më parë marshuan në Manhattan

February 15, 2014 by dgreca

Kur shqiptaro-amerikanët pushtuan Tajms Skuer-in për Pavarësinë e Kosovës/

Nga Dalip Greca/

Times Square, 17 shkurt 2008- Ndërkohë që Prishtina nënshkruante dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e  Nju Jork-ut vazhdonin shëtitjen e  Pavarësisë nëpër rrugët njujorkeze. Një varg i gjatë makinash të zbukuruara me flamuj kombëtar shqiptar dhe me flamurin amerikan i binin kryq e tërthor qytezave ku banojnë shqiptarët. Arthur Avenue, Williamsbridge, Third Ave, Astoria Bulevard në Kuins, Fordham Rode në Bronx, rrugë-kalimet e Bruklinit dhe të Ridge Wood, Nju Xhersi e Kenektikat, kanë ushtuar nga jehona e borive të makinave dhe thirrjet e shqiptaro-amerikanëve: “Kosova-USA”, “Kosova e pavarur”, “Thank You USA”…”Thank You President Bush”!”Thank You President Clinton”!

Shëtitja e Pavarësisë së Kosovës në Nju Jork, u kurorëzua në Times Square, ku vargu i makinave kalonte përmes sheshit të famshëm të mbushur plot me kalimtarë. Ndërkohë që vargu i gjatë i makinave të mbushur me shqiptarë, të veshur si për festë, shumë prej të cilëve të mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të shtetit amerikan, thërrisnin e brohorisnin për pavarësinë e Kosovës, grupe të shumta dilnin nga Sabuej dhe i bashkoheshin manifestuesve që qëndroninn në trotuare. Të parët ishin grumbulluar që në orën 11 e 45. Gjithëçka ishte spontane, intuitive. Kishin mjaftuar vetëm disa tekste mesazhesh të nisur nga një grup të rinjësh përmes celularëve dhe secili njoftonte miqtë dhe të afërmit e vet. Teksti i nisur që në mbrëmjen e së shtunës ishte i shkurtër: ”Nesër, e dielë 17 shkurt do të celebrojmë pavarësinë e Kosovës në Times Square. Merrni flamuj shqiptarë dhe amerikan me vete. Ta gëzojmë pavarësinë…!”.

Ky tekst pati një efekt të jashtzakonshëm, gati magjik. Në fillim qindra e më pas mijëra pushtuan sheshin Times Square, i cili këtë të dielë kishte aq shumë turistë.

Të ardhurit nuk pushojnë marshimin ne metropolin njujorkez…Manhattani flet shqip. Nga të gjitha kryqzimet duken flamujë…sa shumë manifestues! Çdokush nga kryetaret e shoqatave të shumta që kemi në komunitet, apo presidentët e fondacioneve, që nuk arrijnë asnjëherë të mbushin sallat, do ta kishin zili këtë mënyrë grumbullimi. Në të gjithë manifestimet që u zhvilluan këtë të dielë në Nju Jork, askush nuk mund të krahasohet me mënyrën e organizimit të të rinjëve që mbushën Times Squar-in… Ky rast tregoi se shqiptarët  mund të organizohen në mënyrë të shkëlqyer pa pasur nevojë shumë për prijësit e lodhur…

Illyria e ndoqi që nga fillimi e deri në fund manifestimin. I gjithë ekipi ishte aty dhe regjistroi gjithëçka u zhvillua në  Times Square.

Me grumbullimet e para shfaqet dhe policia. Fillimisht vetëm pak policë, por me shtimin e manifestuesve, vjen duke u shtuar dhe prania paqsore e policëve amerikanë, të cilët e kanë të vështirë ta disiplinojnë trafikun. Makinat e shqiptarëve nuk pushojnë asnjë cast dhe sapo e përshkojnë gjatësinë e Time Square, rikthehen sërish dhe përsërisin ritin e manifestimit.

Fillimisht shqiptarët kanë zënë vetëm njërën anë të avenjusë së shtatë, më pas zënë dhe anën përballë, por gjithësesi hapësira është e ngushtë për t’i zënë të gjithë ata që vijnë nga drejtime të ndryshme; del e domosdoshme që të pushtohet edhe një avenjue tjetër… Mitingu nisi me qindra e më pas u bënë mijëra.

Në miting gjenë nga të gjitha moshat, që nga të rinjtë, e deri tek fëmijët e vegjël, nga invalidët e deri tek të moshuarit. Edhe një veteran amerikan i kthehet disa herë sheshit dhe përshëndet shqiptarët manifestues. Është pak ftohtë, por askush nuk jep shenja se e ndjen të ftohtin.

Bleron Baraliu është mbështjellë me një flamur kuq e zi dhe brohoret për Kosovën. Aktorja Liza Zagreda dhe Luan Bexheti treten mes turmës dhe urojnë për pavarësinë e Kosovës. Veterani Shaqir Gashi afrohet tek kamera e TV “Kultura Shqiptare”  dhe zbraz emocionet qe ndjen. Ka ardhur bashkë me zonjën në shesh. Gazetari Sulejman Gashi merr intervistat e çastit për t’i përcjellë në Prishtinë përmes ekranit të RTK-së me ndihmën e kamerës së Damianit. Edhe Halil Mula fikson pamje dhe intervista e i përcjell për në Prishtinë përmes RTV 21. Tek Adem Belliu afrohet një Afgano-amerikan i cili thërret në anglisht për pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Afganistanit. Të huajët kalojnë pranë manifestuesëve dhe kërkojën të marrin fotografi kujtimi me flamujë shqiptarë.

Secili ndjehet i emocionuar në këtë ditë historike.

Në turmën e madhe të manifestuesëve mbizotëron mosha e re. Një gazetar i NBS, thotë se ndjehet i mrekulluar tek sheh njerëz kaq të gëzuar që manifestojnë me kulturë. Ju nderoni vendin tuaj dhe Amerikën, tha ai.

Edhe pse Sheshi është i rënduar nga pjesmarrja e shumtë, vajza dhe djem të rinjë ia improvizojnë dhe ia nisin edhe valles aty, ndërsa ka dhe instrumentistë që kanë marrë me vete tupanët dhe çiftelitë.Është ditë gëzimi… Është dasma e Kosovës.

Sa shumë të rinjë dhe fëmijë që ka në radhët e manifestuesve! Arberie Hetemi eshte bashke me te shoqin dhe i gezohen manifestimit. Të gjithë gëzojnë dhe thërrasin për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Piktori vlonjat Fejzo ka qëndruar në qendër të turmës dhe i gëzohet entuziazmit që përshkon manifestiuesit. Sali Bollati uron kosovarët dhe uron që së shpejti dhe çështja came të gjejë rrugën e zgjidhjes. Mimoza Dajçi ak ardhur së bashku me të motrën dhe mbesën.

-Jemi të gëzuara që Kosova e fitoi pavarësinë , thotë stërmbesa e Isa Buletinit.

Agim Rexha nuk mund ta linte këtë rast, ai qëndron në qendër të manifestuesëve që në fillim dhe brohoret bashkë me të rinjët.që e rrethojnë. Pak më tej shoh me kamer Damianon, që fokuson pamjen të mrekullueshme, të fytyrave të qeshura, flamujë që valviten, pllakateve e banderolave, ku shkruhet” “Kosova Indipendent!”, “Thank You USA”…!”Kosva free and Praud”

-Kush e organizon këtë miting, pyeti një prej policëve të ardhur rishtaz me grupin përforcues, një të ri të mbështjellë me flamurin kuq e zi…

Një vajzë e qeshur, së cilës ia zbukuron trupin një  flamur amerikan, ndërkohë që në kokë ka vënë një shami kuq e zi, i përgjigjet:” “Kosova Indipendent!” …Polici largohet përgjatë rreshtit dhe kërkon që të mos lëvizet jashtë kufizmimeve, por  e ka të vështirë…

Manifestimi ka vazhduar deri në orën 4 e 30 Pm. Ky ka qenë manifestim historik jo vetëm pse iu kushtua një dite historike, por edhe pse për nga përmasat dhe organizimi ishte i jashtzakonshëm.Ua kemi borxh të rinjëve këtë miting të shkëlqyer, të cilin do ta kujtojmë vit pas viti, sa herë të festojmë pavarësinë e Kosovës.(U botua se pari ne Illyria, 17 shkurt 2008) Foto: Dalip Greca duke marre intervista per TV Kultura Shqiptare me president Adem Belliu.I intervistuari ne fotografi, Ermira Muja)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, kur shqiptaret, per pavareisne e Kosoves, pushtuan, Times Squar

Mustafë Elezi, nga Dragobia në ShBA, një jetë mes dy botëve

February 12, 2014 by dgreca

Mosha nuk e ndanë Mustafë Elezin nga VATRA. Në mbledhjen e së dielës të 2 shkurtit 2014, Zef Përndocaj më dorëzoi një zarf nga Mustafë Elezaj, ku vatrani kishte vendosë një Chek me $1000.00! Kështu veproi dhe vitin e shkuar, edhe para dy vitesh, edhe para…! Faleminderit vatran i dimrit dhe beharit, sic thoshin vatranët e kohës së Nolit e Konicës. Po kush është vatrani veteran, Mustafë Elezi?/

Nga Dalip Greca/

Mustafë Elezi është një ndër shqiptarët që erdhi në SHBA në fundvitet ’60 të shekullit të shkuar. Ai jeton në shtëpinë e tij dy katëshe në Yonkers, NY. Ftesa qe i bera për një intervistë për sfidat dhe sukseset e jetës së tij, e gëzoi pa masë. Na priti në krye të shkallëve të shtëpisë dykatëshe. Atë ditë kishte mysafirë nga Shqipëria, të nipin me të shoqen, që të dy juristë. Mustafa ka siguruar një mirëqenie të kënaqshme falë punës  dhe përkushtimit të vetë atij dhe të fëmijëve, që i ka të mbarë e të suksesshëm. Suksesin e  tij e pasqyron dhe shtepia private ku jeton, komode dhe tradicionale ne mobilim.Ndjehet i gëzuar nga mirënjohja dhe përkujdesja që tregojnë fëmijët për të, për të cilët ai thotë se janë krenaria dhe gëzimi i jetës së tij. Ka investuar por dhe ata ia kanë shpërblyer. I ka shkolluar të gjithë dhe mundimi nuk i ka shkuar kot. Edhe pse vitet ia kanë shtuar pleqërinë, Mustafë Elezi nuk ndahet nga veprimtaritë  e komunitetit. As nga Shqipëria që e do aq shumë, paçka se ia patën mohuar. Udheton shpesh drejt Shqiperise. Kur shkova për ta intervistuar ishte në prag të një udhëtimi drejt vendlindjes. Vizitat në vendlindje, ia mbajnë shpirtin ngrohtë, siç shprehet vetë ai. Mustafa e ka mbajtë shpirtin gjallë edhe me poezitë e bukura që ka shkruar për lirinë, Flamurin kuq e zi, gjuhën shqipe, Atdheun dhe kombin tonë ilir.Në prag të 28 Nëntorit 2010 ai botoi librin e tij të dytë me titull”Nuk e harrova Malësinë e  Gjakovës”, një libër që i kalon kufijtë e një autobiografie. Në 465 faqet e librit ai përcjell shpirtin mëmëdhetar. Mustafë Elezi është bujar, gjithë jetën ka dhuruar për cështjen Kombëtare. Në mbyllje të vitit ai dhuroi njëmijë dollarë për gazetën më të vjetër të Shqiptarëve, gazetën Dielli, zërin e Federatës Panshqiptare”Vatra”.

***

Mustafë Elezi ndjehet vatran në shpirt dhe që prej vitit 1968, ku është bërë pjesë e saj, nuk mund t’i largohet.Ishte edhe në veprimtarinë e fundprillit te vitit 2009 organizuar nga Vatra në promovimin e librit “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”, të Fahri Balliut, ndërsa në festimin e 98 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk mundi të vinte, por dërgoi mesazhin e tij, një poezi të bukur për 28 Nëntorin dhe Flamurin Kombëtar dhe kontributin e tij financiar. Është antikomunist me shpirt nga që komunizmi ia pat nxirë jetën, jo vetëm atij, por të gjithë fisit. Lufta më absurd e komunizmit shqiptar është ajo kundër familjeve nacionaliste. Familja e Jah Elezit të Dragobisë, pjesë e së cilës është Mustafa, në shekullin e shkuar ishte me emër në të gjithë Malësinë e Gjakovës e më tej. Ajo përmendej për tradita e trimëri në Kosovë , Plavë-Guci e Shqipëri. Para Luftës së Dytë Botërore, kjo familje e madhe prej më shumë se 50 anëtarësh i nënshtrohej rregullave të traditës patriarkale, ku punët përballeshin bashkë e miku pritej me bujari e besë. Familja e Jah Elezit ka jetuar në Dragobi dhe Çerem. Sa herë mësynin sllavët nga Gryka e Dragobisë, Eleztë ishin në ballin e luftës. Komunizmi këtë familje të madhe nacionaliste, e shpalli armike të popullit! Për pesëdhjetë vjet kalvari që përshkoi  familja e Jah Elezit, qe i përgjakur; me të pushkatuar, të burgosur e të internuar deri në vitin 1990.

Luftëtarët e lirisë shpallen armiq

Lufta e Dytë Botërore i gjeti Eleztë në ballin e Luftës për liri. Tre djemtë e Sali Jah Metalisë; Jah Sali Metalia, Abaz Sali Metalia dhe Mustafë Sali Metalia   ishin rreshtuar në radhët e luftëtarëve të lirisë kundër pushtuesve. Njëri vëlla, Jah Sali Metalia i ishte përgjigjur menjëherë kushtrimit për të shkuar në Kosovë. Ai kishte përfunduar gjimnazin e Shkodrës dhe ishte ndër ata djem që me thirrjen e parë të Mit’hat Frashërit shkoi në Kosovë. Gjatë kohës së pushtimit ai ishte kryetar i komunës së Junikut. Ishte koha kur një pjesë e inetelektualëve të Shqipërisë dhe të Kosovës menduan se ishte realizuar bashkimi kombëtar dhe rrezikuan veten për të shërbyer sipas aftësive intelektuale, kudo ku kishte nevojë Kosova. Ishte koha kur Ago Agaj, Kudret Kokoshi, e intelektualë të tjerë të Shqipërisë i shkonin në ndihmë Kosovës. Jah Metalia mbeti ushtar dhe idhtar i Mit’hat Frashërit dhe iu përgjigj thirrjes së tij. Në betejën e Junikut Jah Sali Elezi ishte në ballë të luftës. Tri ditë zgjati beteja, por heronjët u ndëshkuan duke u shpallë armiq të popullit. Komunistët shqiptar dhe ata jugosllavë  e akuzuan Jahon për bashkëpunim me pushtuesin, ndërkohë që Juniku i tij dhe e tërë Kosova ranë sërish në pushtimin sllav. Ai u masakrua së bashku me 100 kosovarë. U pushkatuan pa gjyq ata që deshën të mbronin Junikun dhe Kosovën.Familja Elezi trashëgonte patriotizmin e Jah Elezit, që kishte prirë në betejën e Valbonës. Ai kishte marrë pjesë së bashku me Bajram Currin në mbrojtje të Prizrenit, pat luftuar për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë dhe kudo ku kriste pushka e shqiptarit për liri.

Ish partizani shpallet armik i popullit!

Mustafë Elezi ishte vetëm 17 vjeç kur iu përgjigj thirrjes së Atdhut për të luftuar për liri. Ishte një ndër partizanët e vegjël në moshë të Brigadës 25  partizane. Kur partizanët çliruan Tropojën, i kërkuan atit të tij që të niste me ta djalin. Ishte djalë i ri plot ideale dhe mendonte se populli shqiptar pas lufte do të vendoste pushtet demokratik dhe do të gëzonte një jetë më të mirë.Sakrifikoi rininë e vet nëpër male në të ftohtë e shpesh i pangrënë. Luftoi që nga Tropoja në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë etj. Por u zhgënjye shpejt; në vend të demokracisë komunistët vendosën diktaturën më të egër në të gjitha vendet ish komuniste.Jo vetëm kaq, por komunistët shqiptarë  bënë pakt vëllazërimi dhe u bashkuan me Titon duke zhgënjyer vëllezërit kosovarë. Ata dorëzuan Kosovën dhe shumë nga djemtë shqiptarë që kishin ushqyer iluzionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ose kishin luftuar me parullën “Kosova është Shqipëri” , u ndëshkuan. Tronditjen më të madhe Mustafë Elezi e pësoi kur u kthye nga lufta, shtëpia e tij në Dragobi ishte djegë nga bashkëluftëtarët e tij partizanë. Ishte një zhgënjim tronditës. Familja e madhe qëndronte në qiell të hapur, pa patur një strehë ku të fusnin kokat. Shpërblim i bukur për kontributin e dhënë në luftë!-psherëtinë gjatë rrëfimit Mustafë Elezi.Ai i kishte kërkuar pushtusit nëpër male, por ata paskishin qenë aq pranë!

Era e së keqes po frynte me tersëllimë edhe në grykën e Dragobisë. Tani sllavët nuk vinin më me taborre sulmi përmes luginës së Valbonës për ta ndalë turin tek shpella e Bajram Begut! Ata ishin ulur këmbëkryq në Tiranë dhe u dorëzonin komunistëve shqiptarë listat e atyre që kishin luftuar për një Kosovë bashkë me Shqipërinë, pra ishin kundër vëllazërimit me serbët. Pas djegies së shtëpisë erdhën të tjera fatkeqësi për familjen Elezi; në vitin 1945 komunistët kishin pushkatuar pa gjyq xhaxhanë e Mustafës; Asim Jah Elezin, duke lënë në katër rrugë të shoqen dhe tre fëmijët e tij.Mustafës ende nuk i kishte ardhë radha. Ai kishte ende meritat e luftës. Po sa do ta mbronin ato? Vazhdonte të shërbente si nënoficer në ushtri duke qenë shef i prapavijës në batalionin e  artilerisë bregdetare. Dukej se ishte larg rrëbeshit që po i rrëzonte një nga një burrat e familjes Elezi, por ky ishte vetëm iluzion i përkohshëm.Tragjedia vazhdon të godasë familjen e madhe të Elezëve me një fuqi goditëse si një tërmet nëntë ballësh; në vitin 1946 arrestohet tek po kryente shërbimin ushtarak në brigadat shqiptare në Maqedoni, vëllai tjetër i Mustafës. Tragjedia në familjen e Jah Elezit nuk ka të ndalur. Rrethi po i afrohej edhe vetë Mustafës. Arrestohet dhe vëllai tjetër i tij, Adem Sali Elezi, ish myfti në Kukës, vetëm pse predikonte Kosova dhe Shqipëria janë një. Pas pak kohësh në pranga përfundon edhe xhaxhai Azem Jahja, ish imam në Tropojë.Të dy ata u përballën përmes një kalvari të tmerrshëm nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I vetmi “faj” i tyre ishte nacionalizmi, patriotizmi ndaj Kosovës, e cila i ishte dorëzuar Jugosllavisë.

Arrestimi i Mustafë  Elezit

Mustafa po e parandjente se po i afrohej arrestimi edhe pse tregohej i kujdesshëm, që të mos i shpëtonte asnjë fjalë e pamatur apo ndonjë gabim teknik në detyrën që kryente, ai nuk mundi ta shmangte të keqen. Hafijet kishin filluar t’ia përgjonin hijen. Iu vunë prangat në vitin 1949.Ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës në artileri bregdetare, kur dëgjoi akuzën e tmerrshëm: “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Filluan edhe për atë vuajtejt dhe torturat e tmerrshme. Hetuesia vazhdoi për më shumë se dy muaj. Një hetuesi e ashpër me tortura spartane të huazuara nga rusët ra mbi të. Pas hetimit, ku ai nuk pranoi asgjë, erdhi gjyqi ushtarak.U gjykua për faje që nuk i kishte kryer. Cilësohej armik ai që kishte luftuar për liri. Nuk kishte as avokat që të mbrohej; prokuror, gjykatës, avokat ishte Partia Komuniste. Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, ndërsa trupi gjykus e la me tetë vjet. Nga burgu i Tiranës e çuan në Korçë. Atje u përball me vdekjen. Këneta e vdekjes mori shumë trupa të sfilitur të burgosurëve politikë. Mustafa thotë se ishte me fat që i shpëtojë vdekjes. Në kujtesë ka ende ënjtjen e trupit nga sëmundja e skorbutit, që ra mes të burgosurve dhe mori shumë jetë. Edhe Mustafa s’mund të bënte përjashtim. Dr. Isuf Hysenbegasi, që ishte i burgosur, arriti t’i shpëtojë duke kërkuar me këmbëngulje domate në mungesë të vitaminave për të burgosurit. Nuk i harrohet as Ram Halili, një i burgosur , që e ka lënë policët tërë ditën në diell e tërë natën jashtë, të lidhur këmbë e duar dhe më pas çonin tek ai të gjithë të vargun e të burgosurve, që ta pështynin. I shkreti, mezi e përballoi Maliqin, por nuk përballoi Peqinin. Vendosi që të ikte nga skëterra, por e tradhëtoi shoku me të cilin pat vendosë të arrastisej. Ai ishte spiun dhe në momentin e arratisjes e kapën dhe e vranë Ramën. Nga viti 1949 deri në vitin 1957 jeta  e Mustafës kaloi sprovat e qëndresës në burg dhe kampet e internimit. Ka punuar edhe në kanalin Peqin-Kavajë. Aty ka gjetë vëllanë e vet Ademin. Vuajtjet nuk kishin të mbaruar. Më pas e kanë çuar në ndërtimin e fushës së aviacionit në Kuçovë. Nuk mbaruan me kaq vujatjet. Pasi të burgosurit përfunduan ndërtimin e  fushës së aviacionit i dërguan në ndërtimin e kanalit Vjosë-Levan-Fier.Vuajtën shumë në Shtyllas.Një vit e gjysëm ka qëndruar në ndërtimin e kanalit.Më pas i kanë çuar për ndërtimin e fushës së aviacionit në Tiranë.Edhe pse kampi ruhej në mënyrë të rreptë, pesë nga të burgosurit hartojnë një plan arratsije. Të prirur nga Abaz Korçari ata hapën një kanal të nëndheshëm në fshehtësi dhe hartuan planin e arratisjes. Pasi kanë bërë gati kanalin, kanë dalë, por në dalje e sipër i ka dikutuar roja dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Njëri prej të arratisurëvë është vra. Pas kësaj ngjarjeje në kamp ka shkuar vetë Mehmet Sheu dhe u ka mbajtë një fjalim të ashpër, duke i cilësuar armiq, të poshtër e fundrina të shoqërisë. Pas kësaj ngjarjeje kanë shtuar masat e sigurisë.Vuajtjet ishin të pafundme.Kur është liruar nga burgu, Mustafa e ndjeu veten të shkatërruar e tepër të lodhur.

Mbushet kupa e vuajtjeve, vendosë të arratiset

Në vitin 1957 kishin filluar sërish dënimet dhe internimet masive. Familja Elezi kishte ndërtuar një shtëpi të re me 12 dhoma pas asaj që ia dogjën gjatë luftës. Edhe këtë shtëpi ia kishin marrë komunistët dhe po përgatitej internimi masiv pasi ishin shpallë kulakë, duke u hequr edhe kartat e Frontit.I erdhi në mbrëmje një mik nga Kolgecaj. Mustafa kish qenë në luftë me mikun e tij. Ai e lajmëron se kishin sjellë nga lartë listat e internimeve të reja. Në këto lista ishin të parët emrat e atyre që ishin liruar nga burgjet, ku ishte dhe emri i Mustafës. Falenderoi mikun dhe vendosi që të arratisej. S’kishte rrugë tjetër, ndryshej do t’i duhej të mbyllej në kampin e internimit, ku dera e burgut mbetej përherë e hapur. Ka qenë një ditë e ftohtë dimri. Binte dëborë.Kaloi mesnatë në Morinë, ku u strehua në një familje myftinjësh, që aty në postë të policisë. Të nesërmen e dërguan në Junik, ku dha intervistën. I dhanë strehim politik dhe e transferuan në Prishtinë, ku gjeti shumë nga anët e veta.Më pas e vendosën në Ferizaj. Një jetë e re nisi në Ferizaj. Për dhjetë vjet jetoi mes shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë pjesa e familjes së mbetur në Shqipëri vazhdoi të përballej me dhunën komuniste. Pas ikjes së tij u arrestua vëllai, Jakup Elezi, që ishte në moshën 60 vjeçare.Arrestimi i vëllait erdhi në vitin 1957. Një vit më pas u arrestua Abazi, i cili në moshën e  arrestimit nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Gati të gjithë meshkujt e familjes së madhe Elezi provuan ferrin e burgjeve komuniste. Arsyeja ishte se diktatura kishte vendosur që t’ia ulte kryet nacionalizmit shqiptar. Në vitin 1960 dy vëllezërit e Mustafës, Jakupi, që kishte dalë nga burgu, së bashku  me bashkëshorten, Zizën e djalin si dhe Xhemajli me djalin, arratisen duke dalë në Gusi. Ata dolën pas një beteje të ashpër me forcat e kufirit. Kjo ikje në grup e me luftë ishte si reagim dëshprues ndaj burgosjeve dhe internimeve masive të fisit Elezi. Përveç burgosjeve qeveria komuniste mbajti në internim 85 pjestarë të familjes Elezi derisa u shemb sistemi dhe erdhi demokracia. Ndërsa nipi i Mustafës, Riza, u vra dhe mbeti pa varr.

Kur e pyes  Mustafën, pse komunizmi e kishte stërmunduar aq shumë familjen  Jah Elezi, ai përgjigjet me një rrëfimin e një ngjarjeje, që ka ndodhë në Dragobi në vitet e luftës: Ka shkuar atje Fadil Hoxha i shoqëruar me disa serbë dhe ka mbledh popullin dhe u ka folë për vëllazërimin dhe miqësinë pas lufte.Është ngritë i ati Mustafës, Sali Jah Elezi dhe i ka thënë:Fadil Hoxha: Ti je shqiptar dhe je i mirëpritur mes shqiptarësh, por jo me ata që ke me vete. A mund ta harrojmë ne përgjakjen me sllavët në Plave e Guci, në Prizren, Dragobi etj? Mos na i fut sllavët në shtëpi se nuk kanë besë. Ndoshta që atëherë familja e Jah Elezit u fut në rreth të kuq.

Rrugëtimi drejt lirisë

Në Ferizaj Mustafa e rregulloi në një farë mënyre jetën e tij. Aty u martua me një vajzë nga dera e Nezajve nga Malësia e Gjakovës. I lindën tre fëmijë atje, dy djem dhe një vajzë. Mërgimi, Bashkimi dhe Shpresa. Ata ia mbushën jetëm me gëzim, por dhe ia rritën detyrimin për të gjetur një shteg drejt perëndimit. Kjo ishte ëndërra e Mustafës. Jeta në Ferizaj po bëhej përherë e më e vështirë. Shërbimi i fshehtë Jugosllav po shtonte provokimet dhe presionin mbi nacionalistët. Disa nga shqiptarët kishin pranuar që të bëheshin bashkëpunëtorë të UDB, një pjesë rezistonin derisa të gjenin një shteg për të dalë në Evropë.Mustafa thotë se u qëndroi larg ofertave për bashkëpunim. Të bëhej spiun i Beogradit do të ishte një tradhëti për idealet e njerëzve të tij të përgjakur me serbët. Kështu që ai u përpoq që të gjente një mënyrë shpëtimi për t’iu larguar së keqes.

Qëllimi i Mustafë Elezit ishte emigrimi në SHBA. Mes shqiptarësh kishte filluar qarkullimi i pasaportave, me të cilat mund të kaloje deri në Trieste e më pas nuk hynin në punë. I  siguruan pasaportat me anë të Nderim Kupit dhe Abedin Mulosmanit. U larguan nga ish Jugosllavia në gusht të vitit 1967. Kaluan nga Ferizaj në Beograd, që andej në Triestë. Familja përbëhej prej pesë vetëve; Mustafa me bashkëshorten dhe tre fëmijët si dhe familja e Muharrem Elezit prej tre vetash. Askënd nuk njihnin në Beograd. Dikush u kishte rekomanduar Dom Preng Ndërvashaj.Telefonin e tij ua kishte dhënë  Abedin Mulosmanaj.I telefonoi Preng Ndervashës dhe i kërkoi ndihmë. I tha se ishin tetë vetë në Beograd dhe donin të kalonin në Itali, por nuk dinin se si dhe ku të shkonin.Askush nuk i priste.

Ai udhëzon që sapo të arrinin në Trieste t’i hidhnin pasaportat dhe të merrnin taksi e të paraqiteshin në kampin e emigrantëve në Trieste. Atje, u kishte thënë dom Ndërvasahj, do t’i priste nipi i tij. Ashtu vepruan. Morën trenin dhe u nisën. Sapo kanë mbërritur në Triestë kanë marrë taksinë dhe janë paraqitur në kampin e emigrantëve. I priti i nipi i Preng Ndërvashës. Interpoli i mori në intervistë. Që aty i dërguan në Latina, ku qëndruan gjashtë muaj. Më pas i mori ambasada amerikane dhe i intervistoi. Edhe sot në kujtesën e Mustafë Elezit ka mbetur sjellja shumë e ngrohtë e personelit amerikan.Mirëpo dikush e bllokoi familjen Elezi në çastet e fundit. Ishte një urdhër i Ministrisë së Brendshme që s’dihet se në ç’rrethana u gatua. Më pas i vendosën në San Piage. Atje jeta ishte e vështirë. Mustafa së bashku me Hasan Isufin dhe Halil Hamzën, shkuan në Vatikan për të kërkuar ndihmë. Atje takuan Preng Ndërvashaj.Shkon dhe Gjon Markaj dhe pasi bisedon me ta bën një raport për në Ministrinë e Brendshme Italiane.Pas gjashtë muajësh Italia ua hapi dritën jeshile drejt Amerikës. Nuk e harron atë ditë Mustafë Elezi. Ka qenë 24 shkurt 1968. Edhe pse qe ditë e ftohtë dimri, Mustafa thotë se ai dhe e gjithë familja, fëmijët më shumë, ndjenin ngazëllimin e një pranvere në shpirt.

Fillimi i vështirë në SHBA

Me ndihmën e mikut Uk Qerimi,  u vendos në Bronx të Nju Jork-ut, në një apartament, që u kish zënë ai me rentë. Ëndërra për të ardhë në Amerikë e kishte munduar tërë jetën Mustafë Elezin, por kur u vendos aty e pa se në jetë nuk ishte si ëndërr. Mosditja e gjuhës angleze i shumëfishonte vështirësitë. Italishtja dhe ajo pak frëngjishte që dinte nuk i hynin në punë. E kujton fillimin e vështirë, ku në një bllok të vogël shënonte emrat e rrugëve që të mos humbte dhe kërkimet e pasuksesshme për të gjetur një punë për të mbajtë familjen e për të paguar rentën. Kaluan shtatë muaj pa punë dhe vetja po i  rëndohej çdo ditë e më tepër. Në ndihmë i ka ardhë miqësia dhe shoqëria, që i kanë dhuruar ndihma për  të jetuar e për të paguar rentën.Pas shtatë muajësh ka qenë Imam Isa Hoxha, që Mustafën dhe shumë të tjerë nga Malësia e Gjakovës i ka  sistemuar në pastrime në Manhattan në 14 rrugë, në avenunë e parë. Mustafa u ndje mirë aty nga që i hyri në punë italishtja. Pronari ishte Italian dhe kuptoheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.Ai kujton se ndihmoi edhe shqiptarë të tjerë si Xhaferr Elezin, Sali Nezën e shumë të sapoardhur, që më vonë krijuan bizneset e tyre e u bënë me emër në Amerikë. Më pas, Mustafa, nisi një punë tjetër, duke larë dritaret. Iu desh kohë derisa të stabilizohej si portier  në Muzeun Metropolitan në Avenunë e Pestë në Manhatan. Aty punoi derisa doli në pension.

Nga çështja kombëtare s’hoqi dorë. Mustafa u anëtarësua që në fillim në Federatën Panshqiptare Vatra. Ia kishte dëgjuar emrin e madh Vatrës dhe mori një grup shokësh dhe trokiti në derën e saj në qershor 1968.Që atëherë nuk u nda nga Vatra duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte federata. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë. Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn. Ashtu siç çdo popull këtu në Amerikë ka faltoret e veta edhe muslimanët shqiptarë duhej të kishin faltoret e  tyre, thotë ai.

Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë, në kohën kur kryetar ishte Rexhep Kumbarçe, apo më vonë me Abdulla Kaloshin. Në kujtesë ka shumë aksione për mbledhjen e të hollave në ndihmë të xhamisë. Kështu në kohën e Rexhep Kumbarçes ai udhëhoqi një aksion të sukseshëm, ku u mblodhën rreth 90 mijë dollarë, një shumë e madhe për atë kohë. Ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor  Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.

Në kujtesë ka ditën e  inaugurimit të Qendërs Islame Shqiptare në Bruklin, kur kishin ardhë për t’u gëzuar me ta shumë shqiptarë nga shtetet e Amerikës, madje edhe nga Kanadaja. Në gëzimin e tyre ishte bërë pjesë edhe “Zëri i Amerikës”. Mustafa ka mbajtë fjalimin atë ditë dhe është duartrokitë e përgëzur për fjalët atdhetare, që tha aty.

Së bashku me Abdulla Kaloshin ai ishte përkrahës dhe pjesmarrës në të gjitha demonstratat e komunitetit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe atyre kundër komunizmit në Shqipëri. Në demonstrata, kujton ai, nuk mungonte asnjëherë  Imam Isa Hoxha.Ai kujton se 3 mijë shqiptarë kanë demonstruar në Washington.Mustafa ka qenë përherë i dashuruar pas fjalës shqipes. Ai ka shkruar në vazhdimësi poezi për ngjarje historike dhe ato ngjarje që ka përjetuar vetë dhe që i kanë lënë gjurmë në shpirt. Për shumë kohë ka qenë dhe një nga drejtuesit e revistës ”Pëprjekja jonë”, duke qenë nënkryetar i Këshillit Botues. Ishte jo vetëm fetare revista, por edhe letrare. Mustafë Elezi, nuk është  kursyer për çështjen kombëtare.Ka kontribuar qoftë për Vatrën, qoftë për xhaminë dhe në të gjitha veprimtaritë, ku ka marrë pjesë. Mustafa së bashku me Ahmet Rexhepin dhe Hasan Gashin ka hapur shkollën shqipe, të cilën e mbajtën për dy vjet në Nju Jork. Ka qenë edhe anëtar i këshillit të Vatrës deri në vitin 2002.

Krenaria për sukseset e  fëmijëve

Familja Elezi, siç respektonte kodin tradicional të besës e të traditës, po ashtu shkollonte gjeneratën e  re. Vetë Mustafa kishte marrë arsim të rregullt të kohës, kishte studiuar për finance në Ferizaj. Vëllai, Jaho, që u pushkatua në Pejë, ka pasë mbaruar gjimnazin në Shkodër, një vëlla tjetër ka pasë studiuar në Medrese në Tiranë; edhe një kushëri i tij, Hysni Hoxha ka qenë një ndër nxënësit e shkëlqyer të Medreses në Tiranë dhe është përzgjedhur si ndër më të mirë për të vazhduar studimet e larta të Kajro. U diplomua shkëlqyshëm për Teologji dhe filozofi. U bë një ndër profesorët e Universitetit qendror të Arabisë Saudite, ku dha mësim deri në vitin 1972. Kur erdhi në SHBA dhe u bë pjesë e demonstratave dhe u thoshte shqiptarëve; në vend të përshëndetjes ”tungajtjeta”, përshëndetuni me njëri-tjetrin me fjalën ”Kosova”. Mustafë Elezi ndjehet i gëzuar sepse investimi më i madh i tij ka qenë në shkollimin fëmijëve. Të tre fëmijët e lindur në Ferizaj dhe dy të lindur në SHBA; Sanija dhe Nderimi, i janë përkushtuar  arsimimit të plotë dhe kanë arritur suksese në jetë. Mërgimi, djali i madh, pasi përfundoi shkëlqyshëm shkollën e mesme, studio në Peas University, Bashkimi i ka kryer studimet universitare në Iona College në New Roshell.Të dy djemtë kanë arritur rezultate të shkëlqyera në studimet universitare. Mërgimi punoi shumë kohë si anlalist në Golden Sections, tani është Chif  Ekzecutiv for Information në City Group. Ndërsa Bashkimi ka punuar menaxher në një kompani ndërtesash në Manhattan, ndërsa tani vazhdon që të merret me Realy State.Ai ka kompaninë e vet. Vajza e madhe, Shpresa, e lindur në Ferizaj, edhe pse kishte përfunduar shkollën e mesme shkëlqyshëm, sipas traditës u martua për t’iu përkushtuar familjes, por nuk iu nda shkollës së lartë derisa përfundoi studimet në Adelphi University.

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, Mustafe Elezi, nga Dragobia ne ShBA

Vëllai i pengut-ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT

February 12, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca*/

 Në burg Reshat Agaj përcolli shokët e qelisë që u dënuan me vdekje dhe në ditarin e tij ai jep hollësi se si Reshat Stërmasi para se të pushkatohej pa në ëndërr fundin e vet tragjik; të njëjtën gjë përjetoi edhe  Vasil Llazari. Ata, para pushkatimit ia treguan ëndërrat priftit Irine Banushit, i cili përpiqej që t’ua largonte parandjnjën.Ditari i Agajt sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite. Një tjetër tablo dhune vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës. Ai tregon se me 14 maj 1948 i njoftuan se do t’i dërgonin në atë që quhej këneta e vdekjes në Maliq të Korçës. Jo pak,por 400 të burgosur i nisën që në mëngjes herët drejt kënetës së vdekjes. Në çdo kamion ishin vendosur 15-20 të burgosur, bashkë me plaçkat e tyre dhe të gjithë ishin të lidhur në një zinxhir të gjatë që lidhte duart e tyre rreth e qark. Reshati shkruan se ka qenë një udhëtim skllevërish, me vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme, se në çdo lëkundje të makinës, lëkundeshin dhe ata, për pasojë duart u shtërngoheshin dhe u bëheshin plagë nga  zinxhirët e trashë. Kur arritën atje pasdite vonë, gjetën dhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Durrësit dhe Elbasanit, plot 2000 të burgosur, të strehuar në gjashtë baraka të gjata druri, mbuluar me llamarina dhe mushama të vjetra dhe brenda ishin dy radhë vende për fjetje, shtruar me dërrasa. Pikërisht aty kaloi plot gjashtë muaj të tmerrshëm, që nuk mundi t’i harronte derisa mbylli sytë në Kenosha e u varros në Detroit.

Reshati dëshmon se gjatë kohës që punoi atje pa vdekjen me sy. Aty vdiqën nga torturat, sëmundjet dhe mundimet supernjerëzore 135 shqiptarë të burgosur dhe u varrosën të gjithë në bregun para xhamisë së katundit Vloçisht, aty afër. Tetë vetë u vranë nga policët në mënyrë barbare , qoftë pse guxuan të bënin ndonjë kundërshtim të vogël, qoftë pse deshën policët për qef, t’u shtinin tmerrin të tjerëve me akte çnjerëzore dhe të frikshme.

Reshati dëshmon:” Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas që kish dhe djalin e tij të burgosur, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen i ndotur, në rrugën që të çonte në kanal, atje në vendin e punës, në baltën e tmerrshme të Maliqit.”

Jeta në kampin-burg ishte llahtar. Zgjimi bëhej në orën katër të mëngjesit dhe brënda një ore, duhej të bëheshin gati dhe të viheshin në rresht, pasi të kishin marrë atë lugë çaj dhe bukën që iu jepej qysh në mëngjes e niseshin për t’u përballur me baltën dhe shkopinjët e policëve. Në fillim të kanalit ishte balta e tmerrshme e Maliqit plot me shushunja, që ngjiteshin nëpër këmbët e zbathura dhe ua pinin atë pikë gjak, që u kish mbetur. Çdo i burgosur duhej të mbushte normën e përditshme, që ishte tre metra kub dhe’ të gërmuar, për ta transportuar në anën e kanalit me karroca dore. Kjo ishte një normë me të vërtetë  çnjerëzore,po të merrej parasyshë dobsia trupore, rezistenca e ulët e trupave të tyre, ushqimi mizerabël, balta e ngjeshur prej shekujsh nën ujë, gjatësia e ditës së punës, që i kalonte 12 orët etj.

Ai kujton se kishte të burgosur që e hanin racionin e bukës 700 gramësh menjëherë në mëngjes, sapo e merrnin në dorë dhe e kalonin ditën me gjellën e drekës dhe të darkës pa bukë. Kish njerëz që, për një paketë duhan, e shisnin gjysmën e bukës dhe mbanin barkun zbrazur për ato të shkreta cigare dhe mbeteshin në rrugë, duke i shtyrë policët me dru prapa kurrizit, në mos më keq.Le ta shfletojmë ditarin:” Këtu kam parë me sytë e mi se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u enjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin. Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të. Polici më i tmerrshëm i këtij kampi ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnje. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj. Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe, po të kisha lëshuar një zë sado të vogël ,apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi.”

Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës, atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën.Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë:- A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?

Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar.

Një tjetër polic i thirri:

– Ik përpjetë, ik përpjetë!

Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa zuri kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.

Ai shkruan në ditar se aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij.I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi.

Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri.Në ditar gjenë raste ekstreme dhune, gjenë të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të guzhinës, të cilat i hanin si të babëzitur.

Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave.

Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme.Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë Viktor Dosti. Edhe pse i tha policit se libri vërtetë ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishte Englesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht.Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të raskapitur.

NJË MAJ 1949, lirimi nga burgu

Pas rënies së Koçi Xoxes dhe influencës jugosllave, qeveria bëri shumë lirime nga burgu në 1 majin e vitit 1949. Nga burgu u vjetër i Tiranës, ku qëndronte i mbyllur Reshati, atë ditë u liruan plot 250 vetë. Disa oficerë të Sigurimit rrinin te porta e burgut dhe u jepnin nga një deftesë për transportim për në vendet, ku seicili prej tyre do të shkonte pranë familjeve. Reshatit i qëlloi  numri 199 dhe priti, deri sa I erdhi radha. Me plaçat ngarkuar si Zhan Val Zhani i Viktor Hygosë, siç e përshkruan ai në romanin “Të mjerët”, doli jashtë i veshur me rrobat e vjetra personale. Bashkë me të ishin dhe Idriz Ruka, Kajtaz Abedini, që e akuzoi në gjyq, kur e arrestuan dhe Xhevit Mëhilli nga Dukati. Shkuan zunë një vend në një hotel të Tiranës për t’u nisur të nesërmen për në Vlorë.

Të nesërmen shkoi në Vlorë, e prtiti Ejup Zotaj, që ishte bërë drejtor i Spitalit të Vlorës, për arsye se e shoqja ishte kushërira e Hysni Kapos. Ai i dha kurajo duke i thënë se me siguri do ta merrnin sërish në punë si stenograf.

Tablo e zymtë mjerimi  

Të nesërmen shkoi në Drenie pranë familjes. Pertefi, i vëllai ishte i burgosur dhe nuk dihej asgjë më shumë. Refua, nëna e tij, motrat Zineti, Manua dhe Elizabeta, gruaja e tij Drita dhe kunata Erveheja me dy fëmijët e saj Fillandën dhe Astritin, që kish lindur më 1946-ën, kur ai ishte në burg, e pritën krahëhapur. I gjeti të gjithë shëndoshë e mirë, por të mjerët s’kishin bukë, se u ishte mbaruar misri. Nga e tërë bagëtia, që kishin pasë më parë, u kishin mbetur nja 10-12 dhen dhe një lopë e racës “Shkodra”, e cila ishte shumë e dashur për fëmijët se i mbante gjallë me qumështin e saj.Qeni Gumo, që mezi e mbanin lidhur me zinxhirë, kur Reshati ishte i lirë, tashti ish i sëmurë dhe kish rënë për të dhënë frymën e fundit. Çohej nganjëherë në këmbë dhe lëshonte për një çast atë zërin e tij, por përsëri binte në shtratin e tij, i bërë fare skelet. Të nesërmen Gumo ishte shtri përdhe dhe rreth e rreth të tërë fëmijët e qanë me lot. Gumo i shkretë ngordhi se s’kish ç’të hante dhe fëmijët hanin lakra të pjekura në furrë me një dorë miell poshtë dhe një dorë miell sipër, për t’i dhënë pamjen e byrekut dhe një dorë kripë. Ky ishte ushqimi i vetëm i familjes. Nënë Refoja, i bënte Reshatit nga një kulaç të vogël, të cilin ia jepte ta hante veçmas, kurse ata vetë rrethonin një sofër druri e hanin të gjithë njëherazi rreth tepsisë me lakra e petë misri.

Në një vakt, kur po hante, i shkoi pranë duke u hequr rëshqanthi pas murit Astriti i vogël, djali i Pertefit, që  ishte tre vjeç dhe e pyet:

– Çeço, ç’bën ti, ha bukë?

Reshati shkruan me pikëllim:”Unë kurrë s’do t’i harroj ato fjalë, sa të jem gjallë. Ai foshnjë i mjerë, i ushqyer keq e mos më keq, vështronte që unë po haja nga gjaku i tyre, se ata të gjithë hanin lakra. Buka m’u zu në fyt menjëherë dhe nuk pranova më të ha veç nga ata dhe i thashë nënës se doja të hanim të gjithë  bashkë, lakra ju e lakra unë.”

 PËRSËRI STENOGRAF NË TIRANË

Nuk vonoi dhe pas një jave e thirrën në Tiranë për punën që kishte patur më pare. Dukej se kjo ishte arritë me interesimin e Ejupit. Puna e tij e mëparshme në gazetën “Bashkimi” ishte pëlqyer si stenograf i mirë e i përpiktë, saqë kësaj here e morën në shërbim në gazetën “Zëri i Popullit”, gazeta e Partisë Komuniste, që drejtohej nga Fadil Paçrami, ish anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë. Redaktor i lajmeve të jashtme, nga i cili varej Reshati, ishte Agron Frashëri, një ish i pasur prej Korçe. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe sillej shumë mirë me të, kurse redaktorët e tjerë e shikonin me bisht të syrit dhe mundoheshin të mos shkëmbenin asnjë fjalë me të. Jo rrallë edhe e provokonin. Një herë,në mbledhjen e Këshillit të Sindikatës së gazetës, ku si nëpunës bënte pjesë edhe ai, u shtrua çeshtja e pranimit të tij si anëtar i sindikatës. Një vajzë u ngrit dhe e akuzoi duke thënë se nuk duhej të pranohej, sepse kishte qenë kapiten gjatë luftës civile, në shërbim të Ballit Kombëtar. Iu përgjigj se  kurrë nuk kishte qenë kapiten dhe në asnjë punë ushtarake dhe se ajo kishte informacione të gabuara.

Në atë kohë, ish miku dhe përkrahësi i tij, ish drejtori i gazetës “Bashkimi”, Petro Marko, qëndronte në burg dhe Reshati s’kishte më njeri që t’i thoshte një fjalë të mire për punën. E dinte gjithashtu edhe faktin se aty tolerohej vetëm për shkak të profesionit dhe për asnjë meritë tjetër. Agron Frashëri redaktori i lajmeve të jashtme e respektonte dhe i fliste gjithnjë me të butë dhe njerzillëk. Ai ishte nipi i Fazlli Frashërit, mikut të ngushtë të Mbretit Zog.

– Se çfarë e kishte hedhur Agronin në lëvizjen komuniste, duke qenë nga origjinë beu, është një punë interesante të dihej. Në kohën e lëvizjes komuniste, gjatë okupacionit italian dhe gjerman shumë djem të shtëpive të para dhe shumë fetarë u tërhoqën në këtë rrjedhë si ajo flutura pa mend, që vërtitet rreth llampës që do e djegë e do ta bëjë hi me flakën e saj, arsyeton Reshat Agaj në ditarin e tij.

Në kohën që punonte në Zërin e Popullit, gjyqet me rëndësi kundër “armiqve të popullit” kishin mbaruar dhe detyra e tij ishte të merrte shënimet e radiove të Athinës, Londrës, Moskës e Beogradit dhe veçanërisht komentet e ditës. Komenti i ditës i Radio Moskës ishte i domosdoshëm të merrej dhe të zbardhej tërësisht. Ai koment i bërë nga njerëz të rëndësishëm të Moskës, që dinin drejtimet e politikës ruse, u jepte dhe kolegëve të Shqipërisë ndihmën të kuptonin se nga frynte era.

DENIMI ME VDEKJE I VELLAIT, PERTEFIT

Në një gjyq ushtarak, që filloi në Vlorë, fshehur nga publiku në dhjetor të vitit 1949 e që vazhdoi dy muaj, u dënuan me vdekje vëllai i Reshatit, Pertefi dhe 12 të tjerë, midis të cilëve dhe Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni e të tjerë. Lajmi që u përhap shpejt në Vlorë e shqetësoi pa masë.Kujt t’i drejtohej për ndihmë?

Të nesërmen shkoi në shtëpi të Kadriut dhe i dha lajmin që ai e dinte fare mirë.

– E di, – i tha, – po ti, në emër të nënës tënde, duhet t’i bësh një lutje Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Siri Çarçanit, duke i thënë se ajo nuk ka ndihmë tjetër veç tij e mbase e merr lutjen parasysh.

Të nesërmen shkoi në Prokurori dhe paraqiti lutjen në emër të nënës Refo. Asnjë përgjigje.

Pas nja dy javësh shkoi prapë të takonte Kadriun, pasi kishte takuar më parë rastsisht Hysni Kapon, në një mbledhje të Frontit Demokratik, ku bënte detyrën e stenografit për gazetën. Hysniu ishte sjellë mirë, me fjalë të buta e të qeta,dhe si me çudi i tha:

– Nuk ma merrte mendja kurrë që Pertefi të bënte kaq gjëra kundër nesh; ai kishte marrë trakte në Gjirokastër, futur nën samarin e mushkës dhe i ka shpërndarë në Vlorë.

Reshati u përpoq që ta shfajsonte vëllain. I tha Hysniut se Pertefin e kanë marrë në qafë shokët e tij, por iu lut t’ia falnin jetën. Hysniu i premtoi që të mos bëhej merak për jetën e Pertefit se do të kujdesej ai vetë.

Pas një jave shkoi për të t’i kërkuar ndihmë sërish Kadriut, i cili e priti me këto fjalë:

– Ti Reshat dhe njerëzit e tu mendoni se unë e kam në dorë jetën e Pertefit? Po unë jam vetëm një oficer dhe, nëse vritem unë, ose pësoj ndonjë aksident, partia e ka hazër oficerin tjetër të më zerë këmbën. Për partinë një oficer më pak, ose një më shumë nuk ngre kandar. Ti duhet të dish se unë nuk mund të bëj asgjë për Pertefin, po nuk ndihmove ti vetë vëllan tënd.

I habitur me këto fjalë, Reshati e pyet se ç’mund të bënte më shumë për pushtetin.

Kadriu kishte vazhduar sulmin për të dalë tek plani që ata e kishin parapërgatitur:- Familja juaj, ka qenë e tëra kundër nesh dhe shtëpia jote, e dimë ne me prova dhe me fakte, ka strehuar edhe të arratisurin Lahe Nuro me shokë.

Reshati i tha se gjëra të tilla s’kishin për të ndodhur më.

Por Kadriu vazhdoi sulmin për të dalë atje ku synonte: – Po qe se Hatja, ose ndonjë tjetër miku yt, na ve në shteg Izet Vrezhon, ose ndonjë tjetër të arratisur që vjen nga Greqia, atëhere shpëtoi jeta e Pertefit. Ose në qoftë se ti i shkruan një letër Ago Agajt në Itali që të shërbejë për ne, dhe atëhere shpëton jeta e Pertefit.

I habitur nga propozimet, Reshati ia kthen aty për aty:- Letër Agos s’kam si t’i shkruaj, se s’ia di adresën dhe e dyta nuk e besoj që ai personalitet politik të ulet kaq shumë për të shpëtuar vëllanë tim.Po për propozimin e parë dua të vete në Amonicë, të takohem me xhaxha Haton dhe Hodon e t’i pyes nëse mund të bëjnë gjë në këtë drejtim.

Kadriu i tha se Ago dhe shokët e tij jetojnë keq e mos më keq në kampet e emigrantëve dhe, sa për letrën, dinin ata se si e ku t’ia dorezonin. Por, ngaqë Reshtai nuk pranoi,Kadriu i tha të shkonte në Drenie për të parë nëse mund të bënte gjë për propozimin e parë.

Shkoi në Drenie dhe takoi me dy njerëzit e tij më të afërt dhe më të besuar, xhaxhanë  Hate dhe kushëririn Hodo Mystehakun nga Mavrova, të cilëve u tregoi pa asnjë rezervë çdo bisedë, që kisha patur me Kadrinë. Të tre erdhën në një mendje për të bërë çmos që të shpëtonim jetën e Pertefit, pa rënë në tradhëti, ose duke u vënë në kontakt me ndonjë të arratisur dhe kështu t’i bënin ata të pushtetit që të besonin se këta po mundoheshin.

Edhe kur shkruante ditarin tridhjet vjet më pas, Reshatit, nuk i shkuleshin nga mendja fjalët e kushëririt:

– Ne duam ta shpëtojmë jetën e Pertefit, po nuk duam kurrsesi të futemi në tradhëti kombëtare, kur vendi ynë është mbytur në gjak kundër komunizmës dhe me mijëra nacionalistë janë vrarë nga duart e tyre. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa rënë në tradhëti, se atëhere humbasim edhe Pertefin, edhe gjakun e kaq dëshmorëve.

Pas dhjetë ditësh u kthye në Tiranë dhe i tregoi Kadriut situatën në Vlorë. Pas asaj bisede Kadriu i bëri atë propozimin e papritur, ku ai do të ishte peng për vëllanë dhe vëllai peng për Reshatin.

Kadriu i tha:- Reshat, unë s’mund të të ndihmoj, po nuk na dhe ti ndonjë ndihmë nga ana jote për shpëtimin e jetës së Pertefit. Unë e kam kushëri Pertefin dhe më vjen keq ta vras me duar lidhur, sepse vdekja e tij nuk është e domosdoshme, që të shpëtojë pushteti i popullit. Jeta e tij nuk luan asnjë rol në këtë drejtim. Unë dua ta shpëtoj, po ti duhet të më ndihmosh me vetë përpjekjet e tua.

– Po ç’duhet të bëj?- ia ktheu Reshati.

Atëherë Kadriu ia tha hapur idenë e tij: -Ti duhet të arratisesh dhe të shkosh në mërgim jashtë shtetit, në Itali dhe të na shërbesh që andej. Vetëm atëherë shpëton jeta e Pertefit. Po mendohu, se kemi kohë të bisedojmë për këtë çeshtje.

Pas pak Kadriu shtoi se do të udhëtonte në Vlorë, ku pritej që të dënuarit me vdekje të ekzekutoheshin. Tha se do të takohej edhe me Pertefin.

Kur Kadri Hazbiu u kthye nga Vlora, pas dy ditëve Reshati shkoi në shtëpi dhe e pyeti se si shkonin punët e Vlorës.

Kadriu tha se – Ata të gjithë u ekzekutuan, me përjashtim të Pertefit. Në vend të tij, në gropën e caktuar për Pertefin, kishin future një kufomë kafshe. Ai shtoi se Pertefin e kishin marrë fshehurazi dhe e kishin sjellë në Tiranë dhe po e mbanin me një emër të rremë në një vend të fshehtë.

– Po pastaj? – e pyeti i habitur, çdo të ndodhë?

– Jeta e tij është në dorën tënde dhe ti do shkosh jashtë si i arratisur, do punosh për ne dhe kështu, kur të na shkruash informatat që do të kërkojmë ne, atëhere ai shpëton.Reshati iu lut, që të mos e vinte në këtë provë të rrezikshme se nuk mund ta bëntei. Karakteri i tij nuk ishte për punë të atilla.

– Kjo punë ka marrë fund,- i tha Kadriu. – Këtë plan e ka firmosur komandanti, Enver Hoxha, dhe ti do të shkosh jashtë në shërbimin tonë. Nesër mbrëma do të vish këtu, ku do të të ve në kontakt me oficerët që kanë në dorë punën tënde dhe me ta do bësh të gjitha përgatitjet për nisje dhe rregullimin e të gjitha punëve të tua.

I habitur dhe i tronditur nga kjo bisedë, nuk mundi të shtonte asgjë tjetër, por vetëm tha se, pa u takuar një herë me vëllanë,Pertefin, nuk dëshironte të largohej, sepse kushedi kur do të shiheshin.

-Po, – i tha Kadriu, – do të takohesh me Pertefin, kur të vijë koha.

I ngashëryer dhe disi i qetësuar nga ky premtim, u nda kësaj here me Kadri Hazbinë, kushëririn e tij, djalin e ri që dikur e kishte pasur në kujdes në Shkollën Tregtare, por që tashti së bashku me Mehmet Shehun ishin çifti më i rëndë në tërë vendin dhe para tyre dridheshin të mëdhenj e të vegjël.

Të nesërmen shkoi në shtëpinë e Kadri Hazbiut, sipas porosisë që i pat dhënë më parë dhe aty gjeti oficerin, që ish caktuar për ndërlidhje.Për çudinë e tij, aty pa Skënder Konicën, po atë oficer që, kur e arrestuan më 1946, e torturoi tmerrsisht dhe më pas i përgatiti procesin. Kur e pa Skënderin, bëri sikur u gëzua, e i shtërngoi dorën, duke i thënë derrit dajë, si i thonë në Labëri. Kadriu gjoja u  çudit se si ata e njihnim njëri-tjetrin. Ishte i bindur se ai i dinte punët fill e për pe.

Aty nuk biseduan shumë, veçse Kadriu i tha se Skënderi ishte këtej e tutje ndërlidhësi mes tyre. Porosia ishte e rreptë: Kushdo që nxjerr fjalën për këtë punë, e pret plumbi në kokë.

*( Fragmenti vjen nga një cikël artikujsh-dossier- që botova në vitin 2008 në gazetën Illyra dhe nw shtypin e Tiranës. Isha i pari që shfletoja ditarin e një nacionalisti,Reshat Agaj, që para se të ikte nga kjo botë ia kishte besuar ditarin e  vet një familjeje kërcovare, e cila e dorëzoi në Vlorë tek familja sapo u hap Shqipëria. Miku im, Teki Gjonzeneli dhe bashkëshortja e tij fisnike, e shumëvuajtura Finlanda, e bija e “pengut” të pushkatuar nga diktatura, Pertef Agaj, ma besuan ditarin, të cilin më vonë e ktheva në libër, me titullin e shumëgjetur nga vetë Finlanda”Vëllai i pengut”. Ditari ishte i zverdhur nga koha dhe u desh kohë e punë për ta kompjuterizuar, redaktuar e paraqitur për botim. Ditari mbetet një nga burimet e drejtëpërdrejta për tragjedinë shqiptare gjatë kohës së diktaturës komuniste, jo vetëm pse “vëllai i pengut” dëshmon mbi vujatjet e tij, të vëllait, familjes, shqiptarëve, sjell copëza nga jeta në hetuesitë e kohës, burgjeve, kampeve të shfarosjes, por ai jep edhe një tablo të jetës së Mërgimit. Për të gjitha këto vendosa që të përcjell në Dielli online disa nga dosierët që pata publikuar para se Ditari të kthehej në libër.( Vijon)

 

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, me pune te detyruar, ne Keneten e Maliqit, Vellai i Pengut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT