• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN E MAQEDONISË

December 2, 2016 by dgreca

Intervistë e Editorit të Gazetës”DIELLI” në SHBA , Dalip Greca, me kandidatin për deputet, vatranin dhe biznesmenin e sukseshëm, prej 13 vitesh në Dibër, z. Ibrahim Kolari./

1-ibrahim_kolari-300x199

* Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?/

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokracisë së pastër, -demokracisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, si dhe kontribues në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane, ç’ka më bën më të sigurtë në përcjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete….Kam 13 vjet që kam cuar investimet e mia në Diber…/

NGA DALIP GRECA/

Mesazhi: I nderuar z. Kolari, në emër të Kryesisë së Federatës VATRA në SHBA dhe Gazetës së Saj “Dielli” uroj që të dilni fitues në zgjedhjet e afërta Parlamentare për në Kuvendin e Maqedonisë. Vatranët dhe lexuesit e Diellit po e ndjekin me emocion e vëmëndje garën tuaj. Tash që fushatës po i afrohet fundi, do të donim për të informuar më mirë vatranët dhe lexuesit e Diellit në SHBA,Kanada, Australi,  Europë, vendlindje, të sillnim më shumë informacion përmes bashkëbisedimit në online.

Ibrahim Kolari: Eshtë kënaqësi të bashkëbisedoj me gazetën më të vjetër të botës shqiptare,zërin e vatranëve, që vijon të botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej 107 vitesh.

Pyetje: Si po ndjeheni tash që dita e zgjedhjeve është në prag? Sa optimist jeni për fitoren?

I.Kolari: Natyrisht ndjehem shumë mirë. Kam përcjellë mesazhe të qarta për elektoratin duke e garantuar se gjithçka kam premtuar do ta realizoj gjatë mandatit tim. Jam i gatshëm t’i shërbej popullit tim. Jam optimist për fitore. Fitorja do të jetë në anën tonë sepse ne sjellim shpresë për ndryshim.

 Pyetje: – Si e kanë pritë bashkatdhetarët kandidaturën e një vatrani, e një biznesmeni, që po kontribuon aq shumë në vendlindjen e vet prej 13 vitesh?

I.Kolari: Bashkatdhetarët dhe Vatranet, prej momentit kur u shpall kandidatura ime, reaguan pozitivisht. Unë mora urime të shumta për të fituar mandatin e deputetit, më ofruan mbështetje të pakufishme. Unë nuk do t’i zhgënjej, do të luftoj deri në momentin e fundit, kur të mbyllet fushata, me 11 Dhjetor 2016.

Pyetje: – Ju e provuat si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale për mandatin e kryetarit të Dibrës, por nuk ia dolët, edhe pse fituat shumë vota. Si e justifikoni rikthimin, jo si kandidat i pavarur por me mbështetje politike?

I.Kolari: Po ju them një fakt: Ne vitin 2015, kur lideri i Opozites Maqedonase z. Zoran Zaev, shpalli të dhënat nga përgjimet-bomba, që tronditën Maqedoninë; doli dhe fakti se votat e mia, si kandidat i pavarur, ishin manpuluar, ishin vjedhur, madje edhe blerë me $20.00 për çdo votues(për dibranët e varfër janë shumë edhe 20 dollarë). Unë nga ana ime e kisha konstatuar manipulimin, vjedhjen, dhe e denonçova me forçë, kritikova ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shkup, mirëpo ishte e kote mbasi VMRO & BDI ishin ne koaliçion te ngushte, të lidhura fort si vëllezërit siamezë dhe mbrojtën me forçë manipulimin. Ata ishin regjizoret dhe ekzekutuesit e maniopulimit. Unë isha pa mbështetje për të mbrojtë votat që dibranët mi patën dhënë.

Pyetje:-Si do t’i përgjigjeshit pyetjes: Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokraçisë së pastër, -demokraçisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, c’ka më bën më të sigurtë në përçjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete.

Jam nga të paktët shqiptaro-amerikan që fitimet në shtetin amerikan i kam sjellë në vendlindje, ku po jap kontribut me investimet e mia, duke punësuar popullin tim dhe duke zbutur varfërinë e papunësinë. Shumë herë qytetarët e Dibres më drejtohet per shume halle, per çdo dite duke mu ankuar se u mungon sigurimi shendetsor, duke mu ankuar për mungesën e vendeve të punës, për jetën e vështirë, ku mungon shpresa për  një të nesërme të pasigurtë. Unë konstatoj se qytetartë janë të pasigurtë për të nesërmen, pa perspektivë, të friksuar deri në palçë nga partitë politike, nga pushteti.Të gjithë këtu, si të moshuarit ashtu edhe të rinjët ndjehen të pakënaqur nga pushteti. Unë shpresoj shumë se do të jem fitues në këto zgjedhje sepse kam çfarë u jap qytetarëve, kam garanci karakterin tim, përvojën që sjell, aftësitë, investimet e mia në vendlindje.

Me Experiencen time, dhe me mbeshtetjet e popullit dibran si në Diber ashtu edhe ne diaspore do të jemi fitues ne keto zgjedhje.

Pyetje- Sa ju ndihmon fryma Kombëtare e Vatrës dhe kontributi juaj prej më shumë se 30 Vjetë në Vatër?

I.Kolari: Natyrisht që fryma vatrane që unë sjell këtu në Dibër është një arsye më shumë përse qytetarët dibranë duhet të votojnë për mua. Vatra ka të shenjtë çështjen Kombëtare dhe me këtë frymë jam edukuar unë. Vatra ka ndikimin e vet,jo vetëm në diasporë por edhe në të gjitha trevat etnike të banuara nga shqiptarët, pra edhe këtu në Maqedoni, edhe në Dibër. Në Mandatin tim në Parlamentin e Maqedonisë, do të keë edhe mbështetjen e Vatrës, edhe frymën e Vatrës. Unë do të jem një zë I dobishëm për popullin tim, unë besoj në Demokraci dhe sjell përvojën e demokracisë amerikane, ku kam qenë I përfshirë aktivisht, me lidhje në politikën amerikane. Si pjesë e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe Vatrën, lidhjet e mia me politikën amerikane, veçanërisht me Republikanët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, do të jenë të dobishme për elektoratin tim.

Zeri im do të jete shume i fuqishem ne Parlamentin e MK, mbasi besoj ne Demokraci, dhe në shtetin ligjor. Pa zbatim korrekt të ligjeve nuk funksionon shteti,nuk ka ekonomi të zhvilluar, kjo është fryma që sjell unë.

Pyetje – Ju keni drejtuar Shoqatën Atdhetare “Dibra” në SHBA”, përbën ky fakt një plus në konkurimin Tuaj?

I.Kolari: Shiko, unë jam dibran, jamë pjesë e popullit tim.Kjo ka qenë arsyeja që po u kërkoj votën qytetarëve të mi, por edhe mandatin që më patën dhënë dibranët e Amerikës për ta drejtuar shoqatën, përbën një besueshmëri Plus.

Sherbeva në Shoqatën Demokratike Dibrane në SHBA për dy mandate  të suksesshme. Unë do të jemë përherë në anën e dibranëve dhe askush nuk do t’më infektojë nga mikrobi i korrupsionit. Unë do të jem një avokat i fuqishëm i qytetarëve që përfaqësoj. Në fund të mandatit unë jam i bindur se do të jem po aq faqebardhë sa ç’jam para hyrjes në Parlament.

Pyetje:- Po formacioni i dr.Seles, që keni zgjedhur, sa ju ndihmon në mision tuaj për të qenë pjesë e Parlamentit?

I.Kolari: Se pari, kur une pranova ftesen nga dr.Sela qe te behem pjese LRPDSH, e Pyeta z. Sela per Platformen politike, për motivin e marrjes së tij me politikë, pashë rezymenë e tij, dhe u binda se une tek formacioni i tij gjeja veten dhe e pranova bashkëpunimin. Sot ne jemi në ALEANCE per Shqiptaret, kemi bërë bërë kualicion me dy partitë të tjera, UNITETIN që ka në krye Gjeneralin, Gezim Ostrenin, dhe RDK, me kryetar , Vesel Mehmeti. Kemi gjëra të përbashkëta dhe luftojmë me një Platformë që do të rikthejë shpresën e humbur të qytetarëve. Jemi një formacion politik qe besojmë se do të kurorëzohemi me fitore, natyrisht nëse do të respektohet ligji i zgjedhjeve, nëse zgjedhjet do të jenë të qeta dhe demokratike.

Pyetje: Çfarë mendoni Ju se i mungon Dibrës dhe çfarë do t’i jepni Ju asaj.

I.Kolari: Z.Editor i Diellit; Dibra per çdo dite po zbrazet nga nataliteti, por edhe po shkatrohet nga infrastruktura, ish,Myftiu i Dibres, sot Kryetar I Dibrës, po e drejton Dibren si mos më keq, po e keqmenaxhon qytetin, nuk respekton ligjin. Të gjitha premtimet e tij elektorale i ka marrë era, asgjë nuk ka realizuar. Ai po e drejton Dibrën sikur ta ketë çiflik të tij, nuk ka një plan urbanistik, nuk ka ujë në periudhën e Verës kur vijnë emigrantët, shumë punime në qytet nisin dhe nuk përfundojnë jo për një muaj e dy, por me vite, mbeten nëpër këmbë. Kur bashkëbisedoj me qytetarët, më thonë se janë shpresëhumbur, vetëm vizat për të ikur mund t’i shpëtojnë nga jeta mizerabël që bëjnë, ku mungon gjithçka. Duke qenë se unë vij nga Diaspora, e di se çfarë u duhet ofruar qytetarëve dibranë. Jam i bindur se Misioni im do të jetë i dobishëm për dibranët.Unë kam premtuar në elektorat se pagën time të deputetit do ta përdor për studentët e elitës dibrane, që nuk kanë mundësi financiare për t’u shkolluar.

– Cili është mesazhi Juaj për dibranët në prag të zgjedhjeve?

I.Kolari: Mesazhi im është i thjeshtë: Dibranë, ma jepni votën sepse do të jem zëri dhe shërbëtori Juaj në Parlament. Kam që në vitin 2003, që solla nga SHBA në Dibër investimet e mia, dhe nuk jam larguar edhe pse nuk kam pasë mbështetje, ç’ka tregon vendosmërinë time për të qenë pranë Jush.

Unë u bëj thirrje bashkqytetarëve të mi dibranë që së bashku ta largojmë me votë të keqen që është instaluar në Maqedoni që nga viti 2001, duke u bërë gangrenë e Demokracisë.Ju risjell në vëmendje dibranëve dhe të gjithë shqiptarëve, video incizimin që shpërndau në FB Gazmend Kërkuti, duke iu drejtue dibraneve, m’jaft  i duartrokitët ata qe ju shkatërrojnë per çdo dite, ata qe vendin e kane shnëdrrue ne Anarki.. Dibranet jane ata qe lotojnë jo vetem në morte, kur vajtojne, por fatkeqsisht edhe dasmat po i lajne me Lot…Le t’i themi ndal këtij relaiteti fatkeq të gatuar nga pushtetarët aktualë.MJAFT!

Partia Aleanca per Shqiptaret , me jep mbështetje te jashtzakonshme… Besoj se ketij vendi do i kthehet dinjiteti. Qytetarë, Ju garnatoj, ne nuk jemi Ata, Jemi Ndryshe..!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar, Zoti i bekofte Shtetet e Bashkuar të Amerikes, dhe falenderim i veçantë per shpëtimin e Kosovës..!

-Faleminderit për Intervistën

Nju Jork-Dibër, 2 Dhjetor 2016

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, e maqedonise, Ibrahim Kolari, NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN

SHPIRTI VATRAN DHE FESTA E 28 NENTORIT 2016 NË NJU JORK

November 29, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

1-albnainan-hymn-asll-bucaj4

Presidenti i Nderit i Vatrës, 91 vjeçari Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu(i paralizuar) sfiduan pleqërinë dhe sëmundjet dhe erdhën në Festën e Flamurit. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane. Nju Jorku pati dy manifestime kryesore për 28 nëntorin e këtij viti, një me 26 Nëntorit, ku u tubuan ata që për dy vite i bashkohen ansambëlmenit Mark Gjonaj, një nismë që mbushi 2 vjetë- dhe ai tradicionali, 104 vjeçar, tubimi i Vatrës dhe Bashkësisë shqiptare( Komunitetet Fetare, Vatra, Legaliteti, Rrenjët Shqiptare(Albanian Roots), Shoqata “Rugova”, Shoqata “Miqtë e Korçës”, “Albanian Ameican Open Hand Association INC”) etj.Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do  ta mbajnë edhe nesër.

1-alb-dom-pjeter1-agimin1-a-nuzi-torte1-ambasad-besiana1-ambasad-teut-2

***

Nuk ka qenë i lehtë hartimi i kronikës së Festës të Flamurit, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, mbrëmjen e së Dielës, 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor në Bronx, NY. Sa herë e skicoja në mendje kompozicionin e kronikës,më prishej rregulli tradicional i ndërtimit të një kronike klasike, ku nisja duhet bërë nga Hymnet, bekimi i festës, prezantimi i të ftuarëve kryesorë; ambasadorëve, politikanë, përfaqësuesëve të organizatave, fjalimmbajtësit  etj… E nisja kronikën dhe e fshija sërish nga kompjuteri sepse  më dilnin përpara dy simbolet e Vatrës,protagonistët e Festës, që kishin ardhë me sakrifica të mundimshme deri aty; njëri (Jonuz Ndreu) i ulur në karrocë (Welchair) pas paralizës që ka pësuar prej kohësh dhe i ndihmuar nga vajzat e tij Desi dhe Xhemilja,Sokoli, Astriti,Çezari, Fatbardhi,  Kastrioti, Shpetimi dhe të afërmit e dashur të tij,përfshi dhe një tavolinë me miqtë e tij, si dhe Agim Karagjozi i ndihmuar nga i biri Zyhdi Karagjozi dhe nipi…

dsc012821-ansambel-flet-mark1-gjoni-flet1asllan-salle1-a-salle-polt-valle

Ata ishin protagonistët e mbrëmjes. Shumë prej të pranishmëve në festë nxitonin të kishin një foto kujtimi me Inxhnier Agim Karagjozin, president Nderi i Vatrës, drejtues i saj për dy dekadash, dhe Jonuz Ndreun, ish ushtarak amerikan, pinjoll i Ndrejëve, nip i Elez Isufit,piramidës së kufijëve të Atdheut, vatran deri në kockë. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane.

1-dega-queensdsc01230dsc013411-albanian-salledsc01595

…Nuk e di nëse mund t’ia ofroj përfytërimin e atmosferës lexuesve të largët, që nuk ishin natën e festës me vatranët. Askush prej organizatorëve nuk mund të arrijë që të sjellë në Festën e Flamurit burra të tillë, që e kanë në shpirt Flamurin si simbol të Kombit. Çdo llojë organizatori, mund të bashkojë qindra, ndoshta dhe mijëra pjesmarrës në një festë, por nuk mund të sjellë burra të atillë që  Flamurin e kanë të shenjtë dhe për të kanë luftuar tërë jetën, dhe në nder të Flamurit Kuq e Zi, braktisin shtratin, ku shtyjnë sëmundjen dhe vijën e bashkohen me brezat e vatranëve. Ata që në karrierën e tyre janë “takuar” vonë me Flamurin Shqiptar, e kanë të pamundur t’i kuptojnë se çfarë i detyron ata për të qenë pjesë e Festës së Flamurit, edhe kur shëndeti nuk i lejon, edhe sëmundja i tërheq nga vetja… Duhet ta kesh në gjak atdhetarizmin, ja kështu si këta….shpirtrat e këtyre burrave atdhetarë janë të njësuar me Flamurin si akt patriotizmi dhe atdhedashurije.Vatrani veteran Jonuz Ndreu ka porositë edhe një tortë me Flamurin Kuq e zi. Ç’dhuratë më të bukur do të kishte ajo mbrëmje përveçse asaj torte me Flamurin kuq e Zi?

Dikush më pyeti në mbrëmjen e darkës së Flamurit: Përse nuk u bashkuat me manifetsimin e Bruklinit?Ç’ti thosha? Ajo traditë e re bashkimi nisi vjet,ndërsa këta vatranë dhe bashkësia shqiptare kanë 104 vjet bashkë që mbahen pas atij Flamuri. Ata ishin tek Flamuri,kush guxon t’u thotë: Lereni se tash do ta marr unë Flamurin?!Ta fillosh tani traditën do të thotë të fshishë nga kujtesa 104 vite! Po atëherë përse i numërojmë vitet nga 28 Nëntori i 1912 deri më sot? Kur shoqatat e  katundeve dhe krahinave në Amerikën e Veriut u bashkuan më 28 Prill 1912 në Vatër, Faik Konica tha: Tash do të bëhet Shqipëria! Po mos vallë, 104 vite më pas, duhet të kthehemi sërish tek shoqatat krahinore për të bashkuar Kombin?

Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do  ta mbajnë edhe nesër.

Bashkë me Vatrën në Nju Jork edhe degët e saj në Amerikë e Kanada organizuan festimet e Pavarësisë. Vetëm në Florida Vatra kishte tri manifestime. Dega e Tampës mblodhi 650 vetë ën manifestimin e saj, por ambasadorja e shtetit shqiptar, nuk iu përgjigj ftesës së Vatrës. Vatarnët nuk mërziten ata i kanë bërë festat e Flamurit pa ambasadorë për 50 vitet e  Komunizmit, kështu që mund ti bëjnë edhe tani. Gjithësesi gazeta Dielli e pasqyroi aktivitetin, ku shkoi ambasadorja.

Vatra e organizon Festën e Flamurit si detyrim shpirtëror të parardhësve të vet, ndërkohë që sot përpiqen që ta shfrytëzojnë këtë ditë edhe për të bërë para’, edhe për të bërë karrierë, ca janë kthyer në “tregtar Flamujsh”. Për këtë ditë të shënuar duhet jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë.Siç thoshte luftëtari i lirisë, një ndër ata që qenë krah Ismail Bej Qemal Vlorës në aktin historik të ngritjes së Flamurit me 28 Nëntor, tribuni  Luigj Gurakuqi:” E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut.?”

Shembulli i dy vatranëve na dikton respekt: Faleminderit Agim Karagjozi! Faleminderit Jonuz Ndreu! Na  e hijeshuat Festën e Flamurit!Po kjo diasporë,a  do ët reflektojë ndonëjherë se si po e kryen misionin e saj për të frenuar asimilimin e shqiptarëve, veçanërisht në Mal të Zi, Luginën e Preshevë-Bujanoc, detyrimin që ka ndaj Çamërisë, apo do të vazhdojë me folklorizëm derisa të asimilohen fare vëllezërit tanë ? Ja ky do të përbënte aktin e Pendimit tonë për detyrën e moskryer, qoftë dhe në Samitin e Kryeminsitrit në Tiranë.

KRONIKA E FESTIMIT

Manifestimi i përvitshëm i Festës së Flamurit nga Vatra dhe Bashkësia shqiptare në Nju Jork, u mbajt të Djelën me 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor. Një sallë e madhe me kapacitet prej rreth 600 vendesh, hijeshuar me flamuj kombëtarë dhe ngyrat kuq e zi, ishte e mbushur plot. Tre breza festuan bashkë. Fëmijët dhe të rinjët ishin veshur me simbole kombëtare.Manifestimin e Vatrës e nderuan:Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, ambasadorja Teuta Sahatçiu,ansambëlmeni i shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendres Islame Shqiptaro-amerikane ne Garfield dhe Xhamine e Brooklynit,  dhe nje grup përfaqësues nga Qendra Islame Shqiptare në Garfield, NJ, Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane Islame në Queens, si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesit Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.

Festën e ka hapë zv/kryetari i vatrës Asllan Bushati. Në fjalimin e tij z. Bushati tha: Të nderuar bashkatdhetar, përfaqesues të komuniteteve fetare, diplomatë, vatranë, përfaqesues të medias, artistë dhe të rinj të komunitetit shqiptar  në NY dhe më gjërë. Më lejoni që në emër të organeve drejtuese të Vatrës ( të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë), të Kryetarit Dr.Gjon Buçaj dhe të komisionit të organizimit të përvjetorit të 104 të pavarsisë t’ju uroj mirseardhjen.

Vatra jonë e dashur  gati 105 vjeçare, si asnjë institucion ose organizëm shtetror, për të 104-tën herë në vazhdim të traditës së trasuar nga korifejt e saj Faik Konica e Fan Noli, vazhdon të festojë ditën e Flamurit tonë Kombetar dhe ditën e Pavarsisë. Këto festime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, jo 104 por ndoshta edhe 1004 vite të tjera, sepse Vatra është simbol i bashkimit për çuarjen përpara të çeshtjeve e të punëve të mëdha kombëtare.Parlamentarët, qeveritë e të zgjedhurit vendor e qëndror shkonë e vijnë, por Vatra jonë e dashur do të ndjek traditën dhe do të jetë oponencë e qeverive e personaliteteve të larta të zgjedhura, për të çuar gjithnjë përpara kauzën kombëtare shqiptare.Te nderuar bashkatdhetar, në një periudhë të shkurtër kohore, Vatra ka organizuar aktivitete të rëndësishme kushtuar figurave të  madhore të Kombit si Fan Noli, Arshi Pipa, Akademik Mark Krasniqi, por më e rëndësishmja ka qenë ajo e këtij viti (2016), “Viti Konica”, e cila u mbyllë dje me një konferencë shkencore, promovim librash, konkurs  letrar dhe ekspozitë. Në këtë aktivitet morën pjesë me libra, studime, ese, artikuj studimor etj, personalitete të ndryshme dhe njohës të mirë të të madhit Faik Konica, një prej të cilëve është sonte midis nesh, Zoti Fotaq Andrea të cilin gjej rastin ta  përshëndes përzemersisht. Por një punë të madhe dhe të mundimëshme ka bërë edhe grupi i  punës i Vatrës  ku dëshiroj të veçoj “trup vogëlin e punëmadhin “, anëtarin e Kryesisë dhe Editorin e “Diellit”, Zotin Dalip Greca ,pa të cilin do të ishte i pamundur përfundimi me sukses i aktivitetit.Me këtë rast e përshëndes atë me shumë respekt. Po ashtu dëshiroj të përshendes edhe anëtarin e Kryesisë së Vatrës Prof. Mithat Gashi dhe antarin e Keshillit Drejtues gazetarin e studiuesin e nderuar Idris Lamaj per ndihmesen qe dhane.

Aktivitetet e Vatrës janë të shpeshta, por ato  do të ishin të vakta e deri të pamundura për t’ja bërë me dije publiku, pa ndihmesën e madhe që na ka dhënë TV Kultura Shqiptare me të nderuarin Adem Belliu, Gazetarin e TV 21  Halil Mula, gazetari e fotografi i talentuarin Dritan Haxhia dhe miku i  Vatrës gazetarin Beqir Sina, të cilët i përshëndes  gjithashtu përzemërsisht.

Të nderuar pjesëmarrës më lejoni që si moderator të kësaj mbrëmje   t’ju praqes artistin shumë të mirnjohur të të gjithë trevave kombëtare dhe vatranin e nderuar Frederk Ndoci, i cili me zërin e tij brilant, me kolegët e tjere këngëtar dhe me orkestrën e tij, do te na argëtojë me këngë e valle nga gjithë trojet kombëtare.

BEKIMI I FESTËS, MESAZH DASHURIE PËR KOMBIN DHE FLAMURIN

Në traditën e Vatrës,janë pjesmarrës të tre besimet fetare, ku çdo vit e mbanë fjalimin njëri prej klerikëve. Këtë festë e bekoi famullitari i Kishës Katolike Shqiptare dom Pjetër Popaj. Me një gjuhë të bukur shqipe, me fjalë të zgjedhura, ai përcolli mesazhe kombëtare.Duke iu drejtuar personaliteteve të ftuara; klerikëve, ambasadores Kadare, Konsulles Sahatçija, Kryetarit të Varës dr. Gjon Buçaj, vatranëve,të gjithë pjesmarrësve, dom Pjetër Popaj uroi Festën e Flamurit! Për çdo vjet, tha Ai, e kremtojmë këtë festë duke falenderuar Zotin, dhe duke kujtuar e nderuar heronjët tanë, që kanë dhënë jetën për këtë ditë. Dita e Pavarësisë është edhe dita e përgjegjësisë. Në këtë përkujtim mbajmë gjallë ndjenjat tona kombëtare, dashurinë tonë për Atdhe e histori.

Më tej ai citoi Faik Konicën:”Kujtimi i 28 nëntorit të 1912-ës, nuk është një goditje kundra fqinjëve tanë, jo lakmimesh e rrëmbimesh por kujtime për vetmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar.”

Kjo ditë do të ishte edhe më e gëzuar po të valvitej Flamuri i Kastriotit, Ismail Qemalit,Dedë Gjo Lulit,  At Gjergj Fishtës, mbi truallin e Shqipërisë së bashkuar. Ne kemi Kosovën shtet të dytë shqiptar, por pjesë të tjera janë akoma të cunguara: Çamëri, Maqedoni, e Mal të Zi.Por megjithëse nuk i kemi trojet e bashkuara, ne e kemi Kombin të bashkuar. Kur komunikojmë me njëri tjetrin, nuk pyesim se prej nga është personi, por kush është. Ai apo ajo, është vëllai apo motra jonë, janë shqiptarë.Kjo është një dhuratë prej zotit që armiku nuk mundet kurrë me na e marrë.

Ne tha Dom Pjetri, respektojmë ndryshimet krahinore, fetare, partive, moshave, nivelit edukativ etj; këto nuk janë përçarje, por pasuri.Janë sikur ngjyrat të bukura të luleve që hijeshojnë kopshtin. Janë sikur thotë Shën Pali:Shumë gjymtyrë që përbëjnë një trup të vetëm.

Armiqtë tanë, duke okupuar trojet shqiptare, kanë menduar se do të na përçajnë si komb. Bashkimi me njëri tjetrin ka qenë bekim prej Zotit dhe na ka ruajtur ndër shekuj. Kjo është porosia e baballarëve tanë:Mos harro se kush je dhe se kujt i përket!

Dom Pjetër Popaj bëri apel për mosasimilim:Mos asimilohemi menjëherë, duke mësuar gjuhë të huaja e të harrojmë gjuhën tonë, se kemi për të harruar edhe njëri tjetrin. Të sjellim ndër mend vargjet e poetit Kombëtar At Gjergj Fishta:

….mallkue njai bir Shqyptari,
qi kete gjuhe te Perendis’,
trashigim, qe na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thafte, po, goja,
qe perbuze kete gjuhe hyjnore;
qi n’gjuhe t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e len mbas dore…

Kremtimi i kësaj feste tha dom Pjetër Popaj, nuk është vetëm përkujtim i ngjarjes së 28 Nëntorit të vitit 1912, por është ditë ripërtëritje të dashurisë për Atdheun tonë, Kombin tonë e për Historinë tonë të përgjakur. Duke u përngja dëshmorëve të Kombit, të punojmë së bashku panda për të mirën e përbashkët sepse duke ruajtë identitetin tonë, ne ruajmë vetëveten.

Famullitari dom Pjetër Popaj do të mbyllte fjalimin e tij me urimet:

Gëzuar Dita e Pavarësisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën e trojet etnike shqiptare!

Zoti e bekoftë Amerikën

Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Zoti na bekoftë të gjithë neve, këtë tubim, si dhe ushqimin që po marrim prej bujarisë së Tij, Amen!

Imam Osmani që e ka marrë fjalën pas, tha s enuk kishte çfarë t’i shtonte bekimit të dom pjetër Popaj, por Falenderoj Zotin,që e ka ruajtë Kombin shqiptar.

 

PËRSHËNDETJET E MYSAFIRËVE

Mysafirëve të nderuar ua uroi mirëseradhjen Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”  dr. Gjon Buçaj. Ai i prezantoi me radhë: Ambasadoren e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullen e përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ambasadoren Teuta Sahatçiu,ansambëlmenin e shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitarin e kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendrës Shqiptaro-Amerikane në Nju Xhersi dhe Xhamise se Brooklynit, si dhe një përfaqësi e  Qendres ne Garfield NJ,  Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane në Queens,si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesin Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.

Dr. Buçaj i falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe në mënyrë të veçantë dy vatranët veteranë,që ia kishin shtuar vlerat këtij manifestimi, z. Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.

Një përshëndetje të veçantë u drejtoi të pranishmëve  Shefja e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, ambasadore Besiana Kadare. Ajo përgëzoi Vatrën dhe Bashkësiën Shqiptare për këtë manifestim dhe foli për vlerat e Diasporës, duke i dhënë rëndësi të veçantë Samitit të Diasporës, si i pari manifestim i bashkuar i Diasporës. Më pas ajo vlerësoi hapat e shtetit shqiptar drejt marrjes së Ftesës për anëtarsim në Bashkimin Europian.Në përshëndetjen e saj Konsullaj e përgjithshme e Kosovës, Ambasadorja Teuta Sahatçiu, ka falenderuar Vatrën, për mbajtjen gjallë të traditës shekullore, dhe ka folë për arritjet e deritanishme të shtetit të Kosovës.Një përshëndetje të veçantë u ka drejtuar pjesmarërsve edhe ansambëlmeni i nju Jork-ut Mark Gjonaj.

Shumë emocione u krijuan kur vatrani veteran Jonuz Ndreu preu Tortën me Flamurin Kuq e Zi, porositur nga Familja e Tij. E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje.Po ashtu u duartrokit edhe takimi e ndarja i dy vatranëve veteranë Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.Artisti brilant Frederik Ndoci i ndihmuar nga grupi i artistëve të sjellë nga Shqipëria, e ka mbajtur të ndezur atmosferën festive gjatë të gjithë darkës. Me repertor të zgjedhur nga të gjitha trevat Kombëtare, është kënduar e vallëzuar deri në orët e vona. Një manifestim i shkëlqyer i Vatrës në 104 vitet e egzistencës së saj, në 104 vitet e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Mirë u takofshim me Vatrën dhe Bashkësinë Shqiptare në 28 Nëntorin e vitit 2017, kur Vatra dhe shteti Shqiptar festojnë 105 Vjetorin, Vatra me 28 Prill, dhe Shteti Shqiptar me 28 Nëntor!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, shpirti vatran, Vatra Festoi 28 nentorin

“STONE CASTLE”-MADE IN KOSOVA- PREZANTOHET NË METROPOLIN NJUJORKEZ

November 17, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

1-alb-stone-castel-2Të Hënën me 14 nëntor 2016 u prezantua vera Stone Castle e Rahovecit, pronë e bashkatdhetarit Rrustem Gecaj, në prani të biznesmenëve që menaxhojnë restorante, shqiptarë dhe amerikanë, diplomatë të ftuar, përfaqësues të komunitetit dhe mjeshtra të testimit të shijeve të verërave. Për këtë event të shënuar ishte përzgjedhur një nga restorantet më me klas në metropolin njujorkez,buzë lumit Hudson, përballë Statujës së lirisë,  në Battery Garden, me pronar një tjetër biznesmen dhe menaxher i suksesshëm, Paul Nicaj, i njohur si një nga ish menaxherët e suksesshëm për shumë dekada i bizneseve të Donald Trump, President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Djali i Rrustem Gecaj, Avniu, që është licensuar për ta eksportuar verën Stone Castle në SHBA, përmes emocioneve, tha se ky ishte një sukses dhe për këtë ai nuk i kurseu urimet për babanë e tij Rrustem Gecaj dhe Harry Bajraktarin, që 10 vite të shkuara e blenë pas privatizimit këtë biznes. Avni Gecaj tha se janë dashur miliona dollarë investime që ky biznes të ripërtërihej dhe të fuqizohej. Investimet u bënë si në vreshta ashtu edhe në teknologji. Nga viti në vit janë shtuar sipërfaqet e mbjella me rrush, janë rivitalizuar vreshtat e vjetra dhe është shtuar fuqia punëtore. Vera e Rahovecit i është nënshtruar testeve europiano-amerikane dhe kanë merituar vlerësimet më të larta të profesionsitëve. Kjo verë vjen në Amerikë si e barbartë me verërat vendase dhe konkuron denjësisht.

1-avniu-flet

Nga ana e tij edhe biznesmeni Harry Bajraktari e ka vlerësuar prezantimin e verërave si një ngajrje të rëndësishme historike jo vetëm për biznesin. Ai tha se Vera Ston Castle i ka të gjithë parametrat e duhura për të hyrë në tregun amerikan. Kjo verë ështt prodhura nga rrushi i mbjellë në tokat e Kosovës, toka të përshtatshme për kultivimin e varieteve me prodhimtari cilësore. Depërtimi i kësaj verë në tregun amerikan, është një sukses edhe për ekonominë e Kosovës, e cila ka përfitimet e veta nga kjo arritje.2-ambasad

Biznesmeni Harry Bajraktari i ka ftuar përmes fjalës së tij shqiptarët e Amerikës dhe në veçanti pronarët e restoranteve, që ta kenë në tavolinat e tyre verën Stone Castle. Kjo jo vetëm për patriotizëm, por për shijen e veçanët që kanë këto verëra, për standartet e larta.

Pamjet që ofroi vidioklipi kushtuar prodhimit të verës Stone Castle,prodhuar në Rahovec, krijuan një përfytërim më konkret për punën që bëhet që në vreshta dhe gjatë procesit të prodhimit të verës në Kantinën moderne. Vreshtat që zënë më shumë se 600 hektarë, me varietet nga më të ndryshëm, puna e palodhur e qindra punëtorëve, më shumë se 700, përfshi dhe ata sezonalë, teknologjia e lartë, proceset e prodhimit të verës, gjithçka dëshmon për një biznes të suksesshëm.

3-marku

Në përshëndetjen e tij ansambëlmeni Mark Gjonaj, përgëzoi zotërinjët Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj për këtë investim me vlera të mëdha, ndërsa depërimin e verës Ston Castle në tregun amerikan, ai vlerësoi në mënyrë të veçantë si një ngajrje e madhe, që e bënë krenar edhe atë vetë, si çdo pjestar të komunitetit shqiptar.

Ambasadorja Teuta Sahatçija ka përshëndetur të pranishmit dhe ka përgëzuar biznesmenin Rrustem Gecaj për këtë investim të fuqishëm dhe për depërtimin në tregun amerikan. Ambasadorja e cilësoi si njagjarje me rëndësi të veçantë edhe për Republikën e Kosovës, ekonominë e saj, por edhe si një ngjarje të veçantë dhe për komunitetin shqiptar në SHBA.

1-gjoni-flet

Një përshëndetje të veçanët e ka bërë edhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, i cili tha se madhështinë e Stone Castle, e kishte prekur gjatë një vizite që kishte bërë në Rahovec, ku kishte shijuar dhe shijen e verërave. Ai përgëzoi biznesmenin Rrustem Gecaj për arritjen e futjes në tregun amerikan, por edhe falenderoi  për bujarinë e vazhdueshme të tij, bujari nga e cila ka përfituar edhe Vatra, ku ai vetë është pjesë e Këshillit Drejtues të saj.

Ndërkohë që specialistët amerikanë të verërave Prof. Ted Nowe dhe Tom Wilen kanë prezantuar me radhë verërat e Stone Castle, të pranishmit i shijonin ato nën shoqërimin e ushqimeve specifike për çdo llojë vere. Llojet e verërave të serviruara dhe të prodhuara nga Ston Castle në Rahovec që u servirën gjatë darkës ishin: Stone Castle Cabernet Sauvignon, Stone Castle Chardonnay Reserve, Shiraz, Vranac Premium, Pinot Noir, Royal Riesling, Amphora etj.

dalip-e-vater

Dy specialistët e ardhur nga Kosova Artur Camaj , menaxheri kryesor dhe tekonlogu  Rrahim Kabashi, përcollën detaje për verërat dhe u duartrokitën.Specilialistë të verërave të restoranteve shqiptare, të pyetur nga Dielli për llojet e verërave Ston Castle, thanë një zëri: Këto verëra duhet të vijnë në tavolinat tona, jo thjeshtë për patriotizëm, por për standartin e lartë, për shijen, cilësinë, parametrat. Provojini dhe do të mbeteni të kënaqur.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Battery Garden, dalip greca, prezantohet, vera Stone Castle

SUZANNA SHKRELI, EDHE PSE NUK FITOI, GUXOI

November 9, 2016 by dgreca

1-bishop-suzanna

Te gjithe e dinim se shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli do ta kishte te veshtire garen elektorale perballe republikanit me pervoje te gjate te kundershtarit te saj politik , republikanit  teper te afte Mike Bishop, qe eshte nje nga zerat me aktiv ne Kongresin Amerikan, por ajo guxoi dhe per kete duhet te pershendetet e te urohet.

2-suzanna

Suzana fitoi 39 perqind te votave, ndaj 56 perqind te republikanit Mike Bishop, 3 perqind te Jeff Wood te Liberalve dhe 2 perqind te Maria Green e te Gjelberve.

1-suzanna

Shqiptaro-amerikania mori 142, 333 vota, ndaj 203, 827 vota te Mike Bishop, 9,577 te Jeff Wood dhe 5,638 te Maria Green.

Ne humbjen e Suzanna Shkrelit mendoj se duhet te merren parasysh keta faktore te humbjes: Hyrja me vonese ne garen elektorale, ndikoi jo pak ne rezultatin e saj.

Se dyti, konsumimi i Partise  Demokratike ne pushtet, kishte koston e vet.

Humbja e Hillary Clinton ne Shtetin e Michiganit, nuk ishte pa pasoje, efekti domino kishte pasojat e veta.

Dhe se fundi kundershtari i saj, qe eshte nje nga politikanet me ndikim ne Michigan dhe ne Kongres, natyrisht kjo  ia beri me te veshtire garen shqiptaro-amerikanes.

Gjithesesi shqiptaro-amerikanet ndjehen krenare qe Suzanna guxoi dhe kandidoi. Le te shpresojme se kjo pervoje e re do t’i sherbeje jo vetem asaj.

Suzanna Shkreli hyri ne gare me platforme te qarte dhe mesazhe qe hyne ne rezonance me masen e madhe te grave pse ajo perfaqesoi nje kauze delicate, luften kunder  abuzuesve seksualë – për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe abuzimit të fëmijëve, mbrojtjen e te drejtave te grave dhe mbrojtjen e grave te perdhunuara e te pambrojtura, ate kauze qe ajo e ben cdo dite ne sallen e gjyqeve dhe ne jeten e perditshme. Ajo eshte nje femer me kurajo, qe nuk eshte terhequr perballe se keqes. Suzanna mbetet nje luftetare kurajoze.

Gazeta Dielli dhe Vatra ne qender por dhe dega teper active ne Michigan, I dhane mbeshtetje Suzanes, ashtu sic I dhane edhe shqiptaret e Michiganit.(Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, guxoi, Suzana Shkreli

PËRSE VATRA I THA JO SAMITIT TË EDI RAMËS?

November 2, 2016 by dgreca

dalip-ok

NGA DALIP GRECA/Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi ”Samit i Diasporës” i kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelktorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysëm milion shqiptarë.

Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që Vatra të mos bëhej pjesë e një farse paraelktorale të Kryeministrit me argumentin se pjesmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.

Edhe Këshilli Drejtues i Vatrës, i mbledhur me 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e  Kryesisë për mospjesmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë.Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se Vatra duhet të marrë  pjesë në Samitin e Ramës ,me qëllim që ajo të mos ”vetëizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga samiti.  Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që Vatra të ishte pjesmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar( Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutëshin, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për  organizatat historike, siç është Vatra me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotogarfisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky samit kanë për të mbetur pas: Fotografite e Ramë(edhe në Fb), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike, dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.

Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propoganduar me aq zë nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa Vatrës i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një perfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?

Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.

Ka zëra që thonë se Vatra nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë. Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por Vatra i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit(Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “ Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”….Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. Vatra e takoi Kryeminstrin Edi Rama më 26 shtator 2013  në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptar.

Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarëve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shënja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vrejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjevet dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vëndit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”

Vatra i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo. Vatra ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formualrin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi Vatra në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht. Ai ka ardhë shpesh në SHBA, pas atij takimi me Vatrën, por ndërkohë që ka pasë kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar , por nuk ka pasë kohë që të vijë t’i hedhë një sy Vatrës, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është Vatra që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë Vatrës.

Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetë të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelktorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe paksojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj)

Ia pafsh hajrin këtij Samiti farsë i nderuar Kryeministër!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, editor i Diellit, i Edi rames, Jo, Vatar dhe Samiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT