*MOTO E SHQIPTARËVE NË PARADËN E 20 QERSHORIT NË NEW YORK DO TË JETË:”KUMANOVË JEMI ME TY”!/
* VITIN E KALUAR NË FOKUS ISHTE”CAMËRIA”, KËTË VIT DO TË JETË ILIRIDA!/
* LISA MILICAJ DO TË JETË “GRAND MARSHALL” PËR PARADËN/
Të dielën e 17 Majit në mjediset e Shtëpisë së VATRËS u mblodhën organizatat e Komunitetit Shqiptar të Treshtetshit (NY, NJ, CT) për të nisë përgatitjet për Paradën e 20 Qershorit, që do të mbahet si cdo vit në Sheshin “AMERIKA”. Takimin e organizoi Organizata Rinore”Rrënjët Shqiptare”- “Albanian Roots” me president Marko Kepi, e cila është edhe organizatore e Pardës.
Parakalimi i shqiptarëve organizohet në kuadër të Paradës Ndërkombëtare të Emigrantëve, që për cdo vit organizohet në Manhattan. Prej disa vitesh kuadratit shqiptar i prinë Shoqata e të rinjëve”Rrënjët Shqiptare”, e cila po vazhdon rrugëtimin e nisur nga Liga Shqiptaro-Amerikane, Motrat Qiriazi e të tjerë organizatorë të mëparshëm.
Takimin e së dielës e ka hapë z. Marko Kepi, i cili u ka uruar mirëseardhjen pjesmarrësve dhe ka falenderuar Vatrën, si mikpritëse e takimit.
Në takimin e parë përgatitor për Paradën morën pjesë këto shoqata e fondacione:Shoqata “Rrënjët Shqiptare”, Federata “VATRA”, AAC, FBSH, Ana e Malit, Plavë- Guci, Fondacioni Malësia & “Dedë Gjo Luli”, Albanian American Open Hand Associattion Inc., Akademia e Shkencave Shqiptaro-Amerikane, Klubi i Shqiptarëve Iliriada në Long Island, Instituti”, Albanian American Film Week, Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”, festivalistët “Zërat e Rinj’ të Pranvera Cobo e të tjerë. Po ashtu kanë pranuar pjesmarrjen dhe kanë dhënë mbështetje edhe organizata të tjera, që nuk mundën të ishin pjesmarrëse në takim si: Liga Qyetare Shqiptaro-Amerikane,Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Shoqata e Grave Motrat Qiriazi,Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”- Ansambli “Rozafat”, Bashkimi Kombëtar & Shkolla Shqipe,Levizja e Legalitetit, Qendra Kulturore Hasan Prishtina, Shoqata Dibra, Fondi Paterson,The Women’s Organization “Hope & Peace”, Camëria etj.
Takimi, që zgjati rreth dy orë, është përqëndruar në përcaktimin e fokusit të Paradës, parullat, vendosjen e pjesmarrsëve, prenotimin e Floats, ku u premtuan 5 të tilla, është shifra më e lartë se vitet e tjera. I pyetur nga gazeta Dielli, presidenti i Shoqatës”Albanian Roots” z. Marko Kepi, për fokusimin e paradës dhe motos së saj për shqiptarët, tha: Vitin e shkuar kishim në qendër cështjen Came,më parë gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi, për këtë vit kemi Ilridën, vecanërisht Kumanovën, ku u ushtrua terror shtetëror mbi shqiptarët, shtëpitë e pasuritë e tyre. Është fakt se shqiptarët ndjehen të pambrojtur në shtëpitë dhe trojet e tyre autoktone. Prandaj ne vendosëm njëzëri që parakojmë me kërkesa të përcaktuara për shqiptarët e pambrojtur me moton:”Kumanovë, Jemi me ty”!
Parada për cdo vit ka një zgjedhje nga shqiptarët e suksesshëm. Për këtë vit, Lisa Milicaj do të jetë -Grand Marshall”, tha Marko Kepi për Gazetën Dielli,më e vjetra gazetë në print e botës shqiptare, që publikohet në SHBA prej 106 vitesh .
Takimi ia rdhshëm, tha organizatori Marko kepi, është lënë me 13 Qershor, ku pjesmarrësit dhe organizatorët do të raportojnë për masat e marra në fazën përgatitore.
Lista e përfaqësuesëve pjesmarrës në takimin e organizuar në VATËR me 17 Maj është kjo:
Marko Kepi, Gjon Bucaj, Nikoleta Bucaj, Zef Perndocaj,Asllan Bushati, Rina LIka, Bujar Gjata, Beqir Sina, Haxhi Dauti, Agim Loci, Skënder Kodra, Mentor Mata, Arben Rrustja, Aleksandër Nilaj, Alban Hoxha, Klaudia Rroku, Ismet Kurti, Arlinda Prelvukaj, Lulzim Bucolli, Frank Kukaj, fatmir Rama, Dalip Greca e të tjerë.(d. Greca)-Fotografi nga takimi i gjeni ne Facebook
U PËRKUJTUA MARTIRI I DEMOKRACISË NIK MRNACAJ NË 25 VJETORIN E RËNIES
Flamuri kuq e zi, që u ngrit në Ditën e Lirisë Shqiptare më 10 Maj 2015, do të valëvitet për një javë në majën e shtizës në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla /
Nga Dalip Greca/
Të Dielën e 10 Majit në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla (NY) , u përkujtua 25 vjetori i rënies së martirit të Demokracisë, Nik Mrnacaj nën kujdesin e Familjes Mrnacaj dhe Shoqërisë Kulturore e Artistike Kelemndi. Pjesmarrës të shumtë kujtuan përmes një veprimtarie të mirëorganizuar aktin sublim të martirit Nik Mrnacaj, i cili së bashku me një grup nacinalistësh demokratë udhëtuan 25 vite të shkuara nga Nju Jorku në Detroit për t’u bërë pjesë e një demonstrate antikomuniste, ku mbështetës të sistemit komunist shqiptar, bënin përpjekjet e fundit për t’ia zgjatur jetën regjimit të fundit stalinist në Europë. Mark Tinaj, pjesmarrës në tubimin e 25 vjetorit,ish pjesmarërs në atë demonstratë, tregon për gazetën Dielli:” Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar atje dhe situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi, por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm luftën vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mabj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga një trak i madh, i ngjau një shpërthimi ekspolozivi të fuqishëm. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. Ishte e tmerrshme….”.
Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhet nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…
Babai i Nikës, Marashi, e mbanë veten në këtë përkujtim dhe përpiqet që ngjarjen tragjike që ndodhi 25 vite të shkuara ta përcjellë me stoicizmin tipik të malsorëve të Kelmendit. Nëna Mrije, e ka në sy imazhin e të birit dhe ndjehet krenare tek dëgjon të nipin, avokatin Mikel, të tregojë se si u rrit ai pa babanë Nik e me nënën të ve që Nika e la 24 vjecare.
…Kanë ardhë në këtë tubim shumë bashkatdhetarë që përmes pjesmarrjes aktive në tubim i bëhen krah familjes Mrnacaj dhe kryejnë aktin e mosharresës duke përkujtuar një martir, që mesazhin për demokracinë e dha duke sakrifikuar jetën e vet.
Moderator të veprimtarisë përkujtimore ishin Sokol Smajlaj dhe Valbona Prelvukaj. Pas Hymneve Kombëtare Amerikane dhe Shqiptare tubimin përkujtimor e ka bekuar xhakoni Marash Shkreli. E mbesa e Nik Mrnacaj, Sophia Shkreli ka lexuar proklamatën e nxjerrë nga Robert P. Astorino, Westchester County Executive. Përmes proklamatës vlerësohet akti i lartë i Nik Mrnacaj në përcjelljen e vlerave dhe mesazheve demokratike. Proklamata i është dorëzuar prindërve të Nikës, Marash dhe Mrije Mrnacaj.
Veprimtarisë ia ka shtuar vlerat pjesmarrja e Shoqërisë Kulturore Artistike “Kelmendi” që me një program të pasur artistik, me këngë e valle burimore të trevës së Kelmendit, ka shpalosur bukurinë e folklorit shqiptar, që u duartrokit jo vetëm nga shqiptarët e shumtë pjesmarrës, por edhe nga amerikanë që kishin ardhë për të pushuar në bukuritë e natyrës dhe iu bashkëngjitën veprimtarisë. Martiri Nik Mrnacaj u kujtua me këngë dhe vargje të shkruara nga poetët dhe rapsodët. Kënga për Nik Mrnacaj me tekst të Gjovalin Lumës u duartrokit gjatë. U pëlqye rapsodi lahutar Vasel Shkreli me këngën “Moj Malësi, Kulla e Barotit”, Jug -Veri nga Adem Kaliqi, kënga për Prek Calin, Vallja e Logut e të tjera. Motër e vëlla Antoneta e Klement Buja u shpërblyen me duartrokitje për vallet e bukura. Fëmijët kënduan e kërcyen bukur.
Në fjalimin e tij, ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, tha se ndjehej krenar që sot ndodhej në këtë tribunë përkrah familjes së nderuar Mrnacaj, djali i të cilëve dha jetën për idealet e demokracisë. Ai vlerësoi sakrificën e Nik Mrnacaj dhe përgëzoi familjen Mrnacaj për përkujtimin e përvitshëm, si një obligim për veprën që kreu Nika.Ëshët detyrë e komunitetit shqiptar që këtë Ditë të Lirisë, ta nderojnë.
Veprimtari veteran Musli Mulosmanaj, si një nga dëshmitarët pjesmarrës të demonstaratve antikomunsite të Shqiptarëvetët Amerikës, vlerësoi lart aktin e djaloshit nacionalist Nik Mrnacaj.
I biri i Nik Mrnacaj, avokati Mikel Mrnacaj, që u rrit pa baba, ndjehet krenar për aktin e atit të tij dhe të nënës që mbeti e ve në moshë të re. Aspiratat demokratike të babait të tij e kanë frymëzuar atë në jetë. Duke folur për rrugëtimin e tij në jetë me nënën përkrah, Mikeli i emocionoi të pranishmit me rrëfimin e tij.
Në emër të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës VATRA, ka përshëndetur tubimin zv/kryetari Asllan Bushati. Në përshëndetjen e tij z. Bushati tha:E nderuara Familja Mërnacaj, të nderuar shtetarë vendor të Ëhite Plains, të nderuar bashkatdhetarë.
Më lejoni që në emër të Federatës Panshqipëtare Vatra, të Kryetarit të sajë Dr.Gjon Bucaj, dhe të të gjithë vatranëve, në këtë përkujtimore të 25-të të ndarjes nga jeta të Martirit Demokracisë shqipëtare Nik Mrnacaj, t’ju shpreh ndiesitë më të larta shpirtërore, familjes, të afërmëve dhe dashamirëvë të Familjes Mërnacaj. Përkujtimi vit për vit i këtij martiri te demokracisë i bën mirë vetë familjes, të afërmve, komunitetit shqiptaro- amerikan dhe në tërësi kombit shqipëtar.
Nika humbi jetën duke u këthyer nga një veprimtari e shenjuar kombëtare, duke u kthyer nga një demostratë kundër regjimit komunist të Tiranës, regjimit më të egër e më mizor të të gjitha kohërave. Me pjesëmarrjen në këtë demostratë Nika, kishte shprehur indinjatën dhe forcën e karakterit të tijë si bir i Kelmendit kundër regjimit komunist, papajtueshmerinë e Familjes Mrnacaj me kalvarin e burgjeve e internimeve dhe ndiesite e malesorit trim në një vend të lirë sic është Amirika.Në këtë kuptim kombi e ka për detyrë ti nderojë martirët e vet. Vetëm keshtu e keqja nuk harrohet dhe vetëm kështu plagët e diktatures shërohen.
Kombi ynë nuk i ka zgjdhur akoma tërësisht problemet e veta madhore. Trojet tona ne Maqedoni, Preshevë , Bujanovc,Mal te Zi e Camëri janë nën trysninë e shpërnguljes deri në cfarosje. Dje më 9 maj u derdh gjak shqipëtar në Kumanovë por duket se kurthe e prita të tjera janë bërë gati në shumë vende të tjera kundër shqiptarëve. Politikanët shqiptarë janë të zënë me punë paresh e ryshfetesh dhe nuk kan kohë të merren me punët e kombit. Prandaj s’duhen harruar Nik Mrnacaj me shoket e tij martirë, sa kombi ka plagë të pa shëruara.
Martirëve nuk mafton t’ju bëjmë përkujtimoret, ose emrat e tyre t’jua vemë shkollave e rrugeve, kjo është fare pak për to. Ata kane dhënë jetën për lirinë , demokracinë, prosperitetin dhe bashkimin e kombit. Vetëm kur të realizohen këto atëhere ne i kemi kryer obligimet tona me martirët dhe duke u përulur mbi varret e tyre te themi me gojën plot :” I nderuar qoftë kujtimi i martirëve”.
E nderuar Familja Mrnacaj, në këtë përkujtimore të 25-të të Nikës edhe një herë ju shpreh ndiesitë më të larta të të gjithë vatranëve, duke u përulur me respect përpara tij e duke lutur zotin që shpirti I tij të prehet në paqe e përjetësi. I nderuar qoftë kujtimi I tij.
Në përfundim të veprimtarisë u organizua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar, që do të valvitet aty për një javë në krah të Flamurit Amerikan.
U organizua Shfaqja e filmit dokumentar”Skënderbeu” në Monroe College
Të Shtunën me 9 Maj 2015 në mesditë u organizua shfaqja e filmit dokumentar”Skënderbeu” me regjisor Vladimir Prifti dhe me muzikë të Aleksandër Pecit. Bashkorganizatorë të kësaj veprimtarie ishin Federata Pan -Shqiptare e Amerikës VATRA, Organizata e Grave “Hope & Peace”, pedagogu shqiptar në Monroe College Haxhi Berisha, Mark Shkreli, Astrit Tota, Mimoza Dajci dhe Gjergj Dedvukaj.
Aktivitetin e mbështeti edhe Ansambleisti i Shtetit të Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj,i cili pas egzekutimit të Hymneve Kombëtare përshëndeti të pranishmit.
Z. Gjonaj, i sapo dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani me titullin”Nderi i Kombit”, tha se ndjehej krenar mes komunitetit të tij dhe se Gjergj Kastrioti Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar, që na bënë krenar për atë cfarë ai ka bërë për lirinë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Evropën. Ne po ashtu, theksoi z. Gjonaj, ndjehemi krenarë me Nënë Terezën, që me veprën e saj, i jep nder e krenari Kombit.
Veprimtarinë e ka moderuar profesori i Monroe College, bashkadhetari ynë Haxhi Berisha, i cili ka hapë takimin dhe u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve.
Presidentja e Shoqatës së Grave“Hope & Peace” Mimoza Dajci,ka uruar pjesmarrësit dhe bashkëorganizatorët. Më pas ajo ka uruar të gjitha nënat për ditën e tyre dhe ka dhuruar lule dhe flamuj.
Këtë veprimtari e ka mbështetur edhe Federata Vatra, e cila u përfaqësua me nënkryetarin Asllan Bushati me familje, anëtarët e Këshillit Sejdi Bitici, Zef Balaj, editori i Diellit Dalip Greca e të tjerë.
Në emër të Vatrës, veprimtarinë e ka përshëndetur zv/kryetari Asllan Bushati. Z. Bushati, në përshëndetjen e tij tha: Të nderuar pjesëmarrës,
Takimi i sotëm përkon me disa ngjarje të cilat na bëjnë nderë t’i kujtojmë. Fillimisht dua të theksoj se sot është dita e “Shënkollit të ri” ku me këtë rast, në emër te Vatrës, të Kryetarit të saj Dr.Gjon Bucaj, dhe të të gjithë vatranëve, ja uroj këtë festë të gjithëve atyre qe e festojnë :”Gëzuar e për shumë mot”. Një tjeter festë e rëndësishme këtu në SHBA sot është edhe dita e “Nënave”, ju a uroj te gjithë nënave amerikane festën e tyre e mbi te gjitha nënave shqiptaro-amerikane si pjesë e rëndësishme e korpusit të madh te grave amerikane. Po ashtu ky tubim përkon edhe me dy ngjarje historike sic janë :610 vjetori i lindjes së Heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastriot Skenderbeu dhe 70 vjetori i përfundimit të Luftës Dytë Botërore (LDB). Pikërisht si sot 70 vite më parë (më 9 Maj 1945) u firmos kapitullimi i nazi-fashistëve. Per këtë të fundit kemi detyrim moral të kujtojmë e tu bëjmë nderimet e duhura të gjithë atyre që dhanë jetën për atdheun në LDB. Diktatori Enver Hoxha dhe sllavo-komunistët LDB-në në Shqiperi e këthyen nga luftë clirimtare në luftë vëllavrasëse, por të rënët në këtë luftë nuk kanë përgjegjësi për vendimet dhe veprimet e diktaturës komuniste.Eshtë nderë për ne qe ti nderojmë ata dhe vepren e tyre sot.
Zonja e zotërinj, ngjarja më e rëndësishme e tubimit të sotëm është cfaqja e filmit te ri dokumentarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu realizuar me skenar e regji te “Mjeshtrit të Madh” Vladimir Prifti, dhe kompozitorit Aleksander Peci. Kjo është ngjarje e rëndësishme sepse i perket fushes se kulturës. Kultura është nga gjeneruesit më të mëdhej të energjive të një kombi. Pa kulturë nuk mund të kuptohet drejt e shkuara dhe e sotëmja dhe nuk mund të prognozohet e ardhmja. Pa kulturë nuk mund të radhitesh në grupimin e popujve te kulturuar të botës qytetëruar.Populli yne e ka dashur kulturën, por i ndodhur në shumicën e kohës nën robërinë e të huajve ka dhënë më shumë për kulturën e të tjerëve se sa ka akumuluar kulturë për vehten e tijë.Rilindasit qenë ata që insistuan për një zgjim kulturorë të Kombit Tonë e vecanërisht arbreshët e Italise. Ata e sollën historinë dhe veprën e Skënderbeut në fokusin e kohës. Së bashku me rilindasit e tjerë ata e ngriten figurën e Skenderbeut në piedestalin e Heroit Kombëtar shqipëtar, vunë në pah cilësitë dhe aftësitë e tij si prijës popullor, udhëheqës i madh ushtarak, mbrojtës i lirisë së popullit shqipëtare, dhe civilizimit evropianë për një cerek shekulli.
Edhe në ditët e sotme ne kemi nevoje në radhë të parë për më shumë kulturë. Kemi nevojë që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën dhe historinë e Kombit tonë. Të ingranohen fuqishem në jetën amerikane, por të mos harrojnë për asnjë cast se janë shqipëtarë dhe kane detyrime ndaj kombit. Kombin askush nuk mund ta zgjedh. Atë e kemi trashëgim prej të parëve, e përjetojmë vetë dhe ju a lemë trashëgim breznive që vijnë pas. Në Shipëri , Kosovë dhe kudo në trojet etnike shqipëtare klasa politike, institucionet e shtetit, akademitë e organizmat jo qeveritarë lypset të bëjnë më shumë për kulturën. Vetëm me kulturë bëhemi me te sjellëshëm, më të mencur, më të pranueshëm në cdo mjedis, me të vetëdijshëm për detyrat dhe përgjegjësit që kemi perpara vehtes dhe të ardhmes sonë si komb .
Edhe një herë në emër të Vatrës dhe në emrin tim personal ,ju përshëndes të gjithë juve të pranishëm, organizatorët e këtij evendimenti, piktorin Astrit Tota, dhe ju uroj gjithë të mirat
Gazetari Beqir Sina, i sapo dekoruar nga Presidenti Nishani me Medaljen”Naim Frashëri” ka amrër përgëzimet e ët gjithëve, edhe nga ansambleisti Mark Gjonaj që bëri një falenderim publik.
Gazetari Sina solli një letër të Papa Palit të VI-të, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ish editori i Diellit Dr. Athanas Gegaj kishte përkthyer nga gjuha latine disa pika kryesore të letrës që Papa Pali i VI-të, i kishte drejtuar popullit shqiptar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Letra është botuar në gazetën “Dielli” më 7 Shkurt 1968. Editori i saj Dr.Gegaj shkruante se: “Vatra” dhe të gjithë shqiptarët i mbeten mirënjohës Shejtërisë së Tij Papës Palit të VI-të, për shprehje fisnike që shkroi në atë Dokument të veçant për Skënderbeun, për popullin shqiptar dhe për bijët e tij kudo në botë. Ky është një Dokument për të cilin krenohemi dhe i mbetemi mirënjohës Selisë së Shejtë, thotë në fund të shkrimit Athanas Gegaj.
Kjo letër e përgatitur për botim nga Gjekë Gjonlekaj, ndodhet në Dielli online(www.gazetadielli.com.Shih 27 prill 2015).
Piktori dhe skenografi Astrit Tota ka folë për vlerat e filmit të regjisorit Vladimir Prifti, për abshkëpunimin me të si dhe bëri apel që komuniteti të mbështesë realizimin e mëtutjeshëm të këtij filmi dokumentar.
Rita Saliu, që së bashku me bashkëshortin Ademin, kishin udhëtuar nga Rod Island për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti e ka bërë përshëndetjen me vargje.
Të pransihmit ndoqën shfaqjen e filmit dokumentar.
Organizatorët kishin përgatitur me këtë rast një koktejil me pije dhe ushqime.(Dielli)(Fotografite i shihni ne facebook)
ME GAZETARIN E ZËRIT TË AMERIKËS ILIR IKONOMI NË ARKIVIN E VATRËS
Të Premten, 8 Maj 2015, gazetari i Zërit të Amerikës dhe studiuesi Ilir Ikonomi vizitoi arkivin dhe bibliotekën e Vatrës.
Gazetari Ikonomi u prit nga zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati dhe Editori i Diellit Dalip Greca, si dhe producenti i TV Kultura Shqiptare Adem Belliu.
Z. Ikonomi u njoh nga Editori me dokumente autentike të Vatrës që nga vitii 1910 me rekordet e Shoqërisë Besa-Besën, me rekordet dhe fushatat e Vatrës, me dokumentet origjinale të Huasë Kombëtare 1920-1922 dhe Fushatës së 3 Qershorit 1917,si dhe me koleksionet e Diellit. Për më shumë do t’ju informojmë përmes Gazetës Dielli në print.
ME PRESIDENTIN NISHANI NË MANHATTAN COLLEGE
Të pranishëm edhe një grup vatranësh me Kryetarin Gjon Bucaj/
Gjatë ditës së sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani,ishte në Manhattan College, Riverdale të Shtetit të Nju Jorkut, ku mbajti ligjëratën me temë: “Mbi tolerancën fetare”.
Përpara një auditori të zgjedhur,ku nuk mungonin përfaqësuesit e komunitetit shqiptar dhe një grup studentësh me kombësi shqiptare, që kryejnë studimet në këtë Kolegj, presidenti është duartrokitë e vlerësuar.
Ligjëratën e Presidentit Nishani e ndoqi edhe një grup vatranësh: Kryetari Gjon Bucaj, zv/ Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, zv/Kryetari Asllan Bushati, anëtarët e Këshillit të Vatrës Mithat Gashi, Ardian Neritani, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Manhattan College është një nga kolegjet me histori në Nju Jork. Ai u themelua fillimisht në një ndërtesë të vogël në Canal Street më 1853 nga pesë francezë. Shpejt u diktua nevoja e zgjerimit dhe i detyroi themeluesit që ta zhvendosnin nga Lwer Manhattan, në 131 rrugë dhe Broadway, në seksionin Manhattanville e Harlem. Më pas shkolla u zhvendos përfundimisht në vendndodhjen aktuale në seksionin Riverdale të Bronx. Fillimisht Kolegji ndiqej vetëm nga meshkujt.
Kolegji është i dalluar në fushat e akademikë, artit, inxhinieri, letërsi, biznes, sport dhe fushën e ligjit. Janë shumë personalitete amerikane që janë diplomuar në këtë Kolegj.(Më shumë do të lexoni në Diellie printuar)
- « Previous Page
- 1
- …
- 90
- 91
- 92
- 93
- 94
- …
- 135
- Next Page »