• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

76 VJET PA POETIN KOMBTAR

December 28, 2016 by dgreca

Shkruar: Nga Danil GAZULLI & Fritz RADOVANI/

1-fishtaFOTO: AT GJERGJ FISHTA O.F.M.23 TETOR 1870 – 30 DHJETOR 1940- (Grafikë nga F.Radovani)/Në çdo fushë ku veproi At Fishta, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit tek muzika, prej humorit tek politika…Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit Shqiptar. Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i At Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”

Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës,  që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:

S’ kan shka bajn? Po a thue të desin?

T’desin pra, nuk kan shka presin!

Apo:

P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,

t’mos korisim Gjergj Kastriotin,

t’mos korisim na sot Hotin…

E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.”

Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!…

Atyne po, u thotë:

T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit

mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,

se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!

At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:

Me gjith këta, por larg nuk shkon

e me i vra ka rr’feja e Zotit

t’ shtat  mbledhë si janë n’London.

Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”

Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.

Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.

At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:

Ndalnju, burra! Ku veni!

Pashi Zotin, lëshoni hutat,

se mjaft gjak asht derdhë!…

Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona Shqipe.

Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi… me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:

Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:

“Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,

E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej…

As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna  dhe e nëpërkambuna Shqiptari.

Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!

Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?

…Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:

Por n’Shqipni pse nji meshtar

Posë se prift do t’jetë Shqiptar,

Shqiptar, po pa dredha.

Unë rektor e profesorë

Sakristan e baçeva

T’gjithë shqiptarë i zgjodha.

Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:

O perendi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lan pa Atdhe

e ti rrin e gjuen n’errfe

lisat n’per male kot.

Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,

“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”

E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:

Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën “Hylli i Dritës.”

Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”

Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Parisit.

Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.

Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.

Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.

Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.

Në vitin 1931 asht ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.

Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.

Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë  mëdha.

Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës Shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…

“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.

Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm…

 

Melbourne, Dhjetor 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 76 Vjet, Danil Gazulli, Dritz Radovani, pa Fishten

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT