NGA ILIR LEVONJA/
JEMI LARG/
e di që je larg/
që jam larg/
ma thotë tingulli në vesh/
që mezi e arrin borën e maleve të tu/
dhe zbrazëtia e këtij qyteti/
ku në këtë orë të mesditës/
endet e përditshmja me reshje shiu si kurora pemësh/
endem edhe unë nga njëra kabinë telefonike në tjetrën/
fryn shi e ftohtë/
ndërsa përpara shikoj pufet e së të bardhës në çatinë tënde/
duke të dëshiruar duke të shikuar se si kullohesh/
në një dritare sa shtegu ku kaluam dikur të dy/
dhe ndofta atje në qytetin tonë/
era e mesditës u rrëfen dy të dashurarve të tjerë
rriskun e ndarjes që mbahet pezull tek ca gjethe gështenjash
të kuqërremta si duar foshnjash kur luajnë me dritën
të mundin largësitë
të mos çapiten nëpër shtigje me kokën mënjanë
të ecin dorë për dore
në katër stinët
që janë edhe jeta e tyre
Mos ke frikë të thuash të dua/
Mos ke frikë të thuash të dua,
Nuk ka asgjë të gabuar, asgjë, asnjëherë.
Sikur edhe një minutë të jesh i dashuruar,
I thuaj të dua sot, nesër dhe përgjithnjë.
Mos ke frikë ta thuash se nuk gënjen,
Nuk mund të gënjesh kur dikush të pëlqen.
Edhe pse bajate mund të duken fjalët që thua,
Thuaje marrëzinë e bukur që ndodh një herë.
Mos ke frikë edhe pse mund të të thonë jo,
Të paktën asgjë nuk ka për të rënduar brenda teje.
Më mirë i refuzuar, nga një bukuri si ajo,
Se sa i refuzuar prej vetes tënde.
Mos ke frikë të duash, ndaj duaj
Atë që syri kap, atë që vështrimi ndjek.
Dhe asnjëherë mos ki frikë të thuash të dua,
Dhe mos u tremb të duash me gjithë mend.
Balancë /
Vjen një orë afër mbrëmjes
Kur ty të duket vetja si ai zogthi i vetmuar,
Mbështjellur sa një grusht frike,
Në një degë të hollë prej kërcelli
I bërë nga uji gjysmë i ngrirë;
I cili çast-më-çast mund edhe të thyhet.
Ndaj flakërojnë përtej dritares tënde
Horizontet e rrufeve si shtrigat e natës.
Dhe gjymi yt i ngjan fëmijës së trëmbur
Që luan nga sikleti lojën me tu fshehur.
Hej, dashuri, mos e nëm veten,
Duke ia kujtuar fatin sikur të jetë një portë
E cila për dikë hapet dhe për ty nuk hapet.
Duke menduar se mes njerëzve
Asnjëherë nuk ka balancim;
Për fate të njëllojta, për qetësi, siguri, etj.
Më kot torturohesh,
Më kot frigohesh.
Sy qeshur me një çarçaf të pastër,
Ashtu siç bënte e mira nënë,
Që për t’i ndjerë butësinë e
Afronte tek faqja,
Ndjeje edhe ti kurmin e trupit tim.
Avitju shtratit të mbrëmjes
Për të parë ëndrrën plotësuese,
Që në anën tjetër ma prishi mua mbarimi i natës.
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit mirëmëngjes,
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit natën e mirë.
Kështu edhe pse larg
Kapur dorë për dorë jemi. Se, a e di?
Nëse nuk pushon pylli,
Nuk ka se si të kulloj kurmin toka.
Sado skajesh,
Sado horizontesh,
Pa këto duar kapur,
Nuk ka natyrë të qetë.
Nuk ka as botë të balancuar,
As kthjelltësi planeti.
Kam diçka
Gjithmonë kam diçka për të thënë
Diçka – sapo ti ikën dhe unë ndihem kaq keq
Sikur ti kurr nuk ke për të ardhur;
Dal tek dera, por e zbrazët avullon rruga
Që nganjëherë më duket sikur do çahet
Dhe ti nuk do kesh mundësi për të ardhur;
Gjithmonë kam diçka për të thënë,
Qoftë darkë apo mesnatë e vonë,
Nxitoj të kthehem të të shoh fjetur;
Pa mundur të të them diçkanë,
Thjesht për qejfin e mëngjesit.
Po diçka tjetër mbetet prapë
Në fundin e filxhanit,
Dhe unë që dal turravrap
Tek dera, sikur ti kurrë s’ke për të ardhur.
U rritën pemët/
Atëhere ishin të vogla
Dhe rrugët dukeshin
Sikur do i shkonin botës
Deri në fund;
Dhe unë
Më për kollaj
E kisha.
Të të shihja
Që nga larg,
Sapo dilje
Tek porta nën pjergull,
Ishin motake pemët.
Sot janë bërë bulërimë,
Kaba,
Pyll,
Errësirë.
Ka humbur porta nën pjergull
Jeton një fërshëllimë.
Dashuritë e njeriut/
pak gjëra i duhen njeriut
një bibliotekë ku fle një libër i pashkruar akoma
i patërhequr asnjëherë
i palexuar po asnjëherë
ai është edhe më i bukuri
pak gjëra na duhen
fare fare pak
një qytet ku dikush ruan fshehtas ca letra dashurie
kur dikush tjetër tërheq perden dhe pikohet në rrugë
aty ku një i panjohur pret si statujë poshtë një peme
atë që fle akoma dhe nuk zgjohet qëllimisht
dhe një tjetër
një i pagjumë i radhës
nga nata që vijon dërgon çmendurisht sms të zjarrta
në kohën kur dikush tjetër
e afron në jastëk një fytyrë
dhe flenë bashkë
bash atë çast jete kur dikush tjetër mori arratinë
ashtu ngacalicur mbledhur nën jakën e palltos
me zhurmë hapash të herta
të shpejta
ky qytet na duhet
ky që të bën të kthehesh hera herës
edhe pse për dikë tjetër
arsyeja e kthimit ka vlerën e qindarkës
por është një univers ndjenjash për ty
pra qyteti yt
pak gjëra i duhen njëriut
aty midis memories
emra me kohë rrugësh
dhe një dashuri e tillë si ajo
ajo që nuk ka ndodhur
ajo që është edhe e pamundur për tu rrëfyer
ajo e jotja
ajo është edhe më e bukura