• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jeronim De Rada – pararadhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1814-1903)

June 21, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Prejardhja dhe jeta 

“Stërgjyshët e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria” shkruan Jeronim De Rada në Autobiografi.

Jeronim De Rada është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. U lind në Makia të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të  asaj kohës…

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

 Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). 

Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë dhe kudo shqiptarë bashkëkohës ishte i madh;. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”

Vepra dhe vlerat

Biografia e tij numëron deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha me damarin e krijimtarisë, me ndjenja të thella dhe burimore të patriotizmit të lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ose “copëza zemre” , si armë në  fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e  Shqiptarëve dhe të Shqipërisë, me një fjalë: për të qenë vetvetja!. 

Edhe atëherë kur për disa njerëz apo rrethana kishte ide shumë të errëta dhe të paqarta, mos të themi të dyshimta,  Jeronim De Rada ishte dhe mbetet tejet i shquar dhe shumë i dalluar, unik, si “pionier” i etnicitetit arbëror dhe shqiptar:

  • si vazhdimësi e etnicitetit të më hershëm ilir dhe arbëror,  së pari nëpërmjet lashtësisë dhe autoktonisë, pra,  gjuhës, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë, pastaj edhe religjionit antik të krishterë prej Shën Palit dhe nxënësve të tij e deri në ditët tona; 
  • më pastaj kujtimeve të gjalla dhe shumë të fuqishme, frymëzuese kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –   Skënderbeut dhe idealeve të tija për  rifitimit të lirisë dhe  pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur apo edhe më qartë, të rrënjët  e lashta dhe të gjithmonë të gjalla. Thelbi i misionit dhe meritave të tija të pamohueshme janë këto: Jeronim  De Rada pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, imzot Pjetër Bogdanit, është vigani i historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë ilir – arbëror dhe shqiptar, së pari për Arbëreshët e Italisë, pastaj edhe për të gjithë shqiptarët, në trojet e dikurshme etnike apo gjetiu. Kjo strategji dhe metodologji që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë dhe autoktonisë, burimeve dhe frymëzimeve është gjithnjë e rëndësishme  dhe tejet aktuale.

Qortimi i tij profetik: O Shqiptarë, perandoria turko – otomane është një “cofëtinë” e madhe, e cila po mbaron, por nëse ne e lidhin fatin tonë me ata, atëherë ne do të hyjmë për së gjalli në varr me ata!!!

Atë Zef Valentini,  thotë se Jeronim De Rada e “nxori” prej varrit të robërisë dhe rrezikut të asgjësimit gjuhën, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë dhe aktual.

Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014,   për jetën dhe veprimtarinë e tij Ismail Kadareja thotë “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.

Ishte studiues i mirëfilltë dhe hulumtues i palodhshëm, gjithnjë në kërkim të mënyrës dhe formave të reja gjuhësore dhe përmbajtësore. Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me  shkrimet dhe poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.

DISA POROSI JETËSORE TË JERONIM DE RADËS:

De Rada thoshte: “Në një shoqëri të organizuar, për të mirë, për kombin, për shtetin, njeriu ndihmon dhe ndihmohet nga të tjerët, në një rreth ku lulëzon dija dhe nderi”, duke theksuar se: “Ky organizim niset nga individi dhe shkon nëpër shkollat, në familje dhe arrin deri në shtet”. Prandaj, sipas Jeronim De Radës: “Shteti është organizëm që udhëhiqet nga ligjet (drejtësia), si shtresë e parë e jetës shoqërore, shtresë që shkon tej jetës së brendshme dhe individuale të njeriut”. Ai në mes të tjerash thoshte: “E mira dhe e keqja  janë si jeta dhe vdekja, janë dy skaje stabile ndërmjet të cilave lëviz dhe paraqitet bota trupore dhe ajo shpirtërore”.

De Rada së shpejti u nxitë që të botojë synimet, kërkesat, dëshirat, planet, aspiratat e kahershme të popullit tonë, si dhe të kohës përmes revistës “Fiamuri Arbërit” apo “La Bandiera Albanese”. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën zanafilla e shtypit shqiptar.  Ai përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar me histori të lashtë dhe të lavdishme, martire, një gjuhë dhe tradita të forta, si parakusht që të  mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarësinë e vendit të vetë, pra, edhe shtet-formimin si garanci e ruajtjes dhe zhvillimit të autoktonisë dhe lashtësisë, por edhe si përballje të suksesshme me batica dhe zbatica aktuale.

 Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarësinë e tij, ai merr përsipër të organizojë dy Kongrese Linguistike Arbëreshe, një më 1895, dhe një në 1897.

Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Pa të gjithë kjo begati dhe trashëgimi do të rrezikohej përgjithmonë. 

Jeronim de Rada ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–shqiptar – arbëresh , themelues  dhe në një mënyrë edhe paraardhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore, jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare, me këtë, kuptohet edhe të vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë së përbashkët gjithë-shqiptare.  Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. 

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund.

Emri i Jeronim  De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko, Zef Jubani, Sami Frashëri, shkrimtaren rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria, si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë.

I mërzitur nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna.

Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira  dhe tejet të pikëllueshme për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash, pra, në vetmi dhe në varfëri. 

Në një çast dëshpërimi, asgjëson të gjithë përmbledhjen e këngëve popullore që i kishte mbledhur me dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italisht.

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare. Mirëpo vepra e tij nuk do të vdesë kurrë

“Skënderbeu i pafaan”, një nga kryeveprat e De Radës, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse.

Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe, t’i takonte, afronte dhe bashkonte principatat arbërore – shqiptare për formimin e shtetit të vogël që i bëri ballë për 25 vite perandorisë së madhe turko-otomane. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafat është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut të asaj kohe.

De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë me të vërtetë artistike arbëreshe, dhe dha një ndihmesë të madhe për tërë letërsinë  tonë kombëtare. Ai qe i pari që ngriti në art epokën e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar “Motin e madh”, kohën e “Skënderbeut”. De Rada hodhi kushtrimin për luftë të armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është njëkohësisht i pari që çeli traditën e mbështëtjes së letërsisë arbëreshe në poezinë popullore. De Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që lëvroi deri diku poemën shoqërore, ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin, ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike dhe letrare. 

Në thelb vepra e De Radës i përket romantizmit përparimtar, një romantizmi veçanërisht origjinal, që nuk i këndon vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe tepër shprehës, i përdorimit të figuracionit, që dallohet për freski dhe ndikim të fortë emocional. Gjuha me të cilën shprehet De Rada, është e pasur, por disi e errët, ndoshta edhe e “tkurrur”. 

Shumë dorëshkrime dhe letërshkëmbime janë humbur, por De Rada kishte lidhje me njerëz të shquar të kohës së tij. Po i përmendi vetëm disa: Dora D’Istria, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Pal Dodaj, Bernardo Belotta dhe shumë të tjerë. Letra me përbajtje atdhedashurie dhe porosi kombëtare, por edhe letrare, u kishte drejtuar: Vaso Pashë Shkodranit, Zef Jubani dhe tjerëve.

Si përbyllje: Jeronim De Rada ishte vegimtar, përparimtar, njohës i mirë i së kaluares, njeri me mend dhe me zemër i angazhuar për kohën dhe hapësirat arbëreshe dhe shqiptare, “profet”, lavërtar dhe kolos për zbulimin, ruajtjen, mbajtjen dhe zhvillimin e “gjakut të shprishur”, që hapi horizonte, përspektiva, rrugërrëfime së pari për Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, pastaj edhe më gjerë, për të gjitha viset tona ilire, arbërore dhe shqiptare, dhe si i tillë ka dhënë frymëzim dhe motivim për breze të tëra dhe në vazhdimësi.

Prishtinë – Llapushnik, 18 qershor 2023                                                     Don Lush GJERGJI

Bibliografia për Reronim De Radën:

  1. Marchianò, Michele, L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902.
  2. Gualtieri, Vittorio, Girolamo de Rada poeta albanese, Palermo: Sandron, 1930.
  3. Kastrati, Jup, Jeronim de Rada | Jeta dhe veprat, Tiranë, 8 nëntor 1987.
  4. Zeqo, Moikom, De Rada | Rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri. Tiranë, 2014.
  5. Kodra, Klara, Erdhi dita e Arbrit, Erik, 2000.
  6. Opera Omnia, në përkujdesje të Prof. Francesco Altimari, 12 vëllime, katedra e albanologjisë, Kozencë, 2005 – 2018.

Botime përkujtimore: 

Shêjzat VIII, 1964, 7-10: 217-460.

Studime 21/2014: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në 200 – vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës. Tryezë shkencore, 21 nëntor 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: De Rada

JERONIM DE RADA-LAVRUES I GJUHËS DHE LETËRSISË SHQIPE

November 19, 2021 by s p

                                                (1814-1903)

Ate që bëri Skënderbeu me shpatë, Ti e bëre me pendë, i madhi De Rada. A.De Lamartini.

Shkruan Ismail Gashi Sllovia/

Romantiku ynë i parë, themeluesi I letërësisë së re shqiptare, bashkë me Naum Veqilharxhin, për rrethana të njohur në hapësira të ndryshme, madje dhe pa asnjë kontakt fizik e njohje krijuese,  nga jashtë atdheut, u bënë tfilluesit e Rilindjës Kombëtare, Madje, Jeronim Jeronim De Rada, me krijimtarinë letrare, bëri romantizmin e letërsise shqipe, të jetë përkrah me romantizmin e letësive evropjane me traditë. De Rada tani po I mbush 98 vjet që kur I mbylli sytë në varfëri, me emrin e Shqipërisë në gojë, atdheun të Tij të dashur, të cilin kurrë nuk e pa me sy, e as nuk e shkeli me këmbë, duke murmurisur para vdekjes “gjaku shqiptarë po shkron, gjaku shqiptar po niset!” Pas tragjedisë familjare, vdekjes së bashkshortës dhe fëmijëve,   në varfëri shpirtërore e material, krejt i vetmuar dhe I mbetur shkret në pleqëri, duke vuajtur edhe për kafashatën e gojës, e asnjëherë pa e ndërprer e pa u ndal në punën për gjuhën shqipe, e asnjëherë pa e lëshuar pendën për te. De Rada mbetët ndër shkrimtarët më eminent në letërsinë shqipe dhe krijuesi më I palodhshëm I saj. Poeti i Makit, (Maqi fasht në Kozencë), u bë nisimtar I parë dhe themelues I një letërsie të re në gjuhën shqipe, e cila deri atëherë pak të njohur dhe pak të zhvilluar. Ndërsa,për të huajt, pa ngurrim mund të themi, ishte krejt e panjohur. Jeronim De Rada, e bëri këtë letërsi, jo vetëm të merr kahje të drejtë, por edhe të njifet prej shumkujtë, të ecë në kohë e barabartë me letërsitë e popujve të tjerë. Kështu, edhe letërsia shqipe veshi petkun e uniormizmit, bashk me letërsitë të tjera në frymën e romantizmit, që atëherë kishte marr hov ndër shumë letërsi të popujve të zhvilluar të Evropës, si në Angli, Francë dhe shtete të tjera të Evropës përendimore.

Jeronim De Rada bëri një hap të ri e të fuqishëm në letërsinë shqipe, në krahasim me ate që ishte zhvilluar para Tij. Kështu De Rada, me të drejtë mirret për themelues të  romantizmit në letërsinë shqipe. Ky punoi atëherë, kur  letërsia shqipe  në trollin amë, nuk kishte asnjë mundësi, të zhvillohet e të ndëmerret dicka e dobishme në këtë drejtim, për të mirën e gjuhës dhe popullit të vet. Kjo fytyrë prej titani që shenoi ditën e nismës më të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe, na bën që, edhe sot të mburremi me te dhe të krahasohemi, sa I përket romantizmit dhe zhvillimit letrar I cilio që vonoi,por eci paralel me letërsitë e shumë popujve të Evropës, pasi patëm De Radën dhe veprën e Tij të madhe”Këngët e Milosaut”të botuar që më 1936. Ngjarje kjo, që shënon dy data për letërsinë shqipe. Një fillimin e romantizmit në letërsinë tone, dhe e dyta, lindjen e një letërsie të re, tfillimin e Rilindjes tonë kombëtare, epokën më ombëbtare,thuaja që vendos identitetin shpirtëror të kombit shqipatarë.Këto dy ngjarje lindën me De Radën dhe u zhvilluan me Santorin, Gavrill Darën e Ri, Skiroin, Zef Seremben në Itali e një varg të tjerë shkrimtarësh nëpër qendra të tjera jashtë Shqipërisë, e më vonë, edhe në Shqipëri.Tani është e pamundur këtu të shenohen të gjitha meritat dhe kontributët e poetit të Makit, Pasi ky është vetën një shkrim I shurtër,artikull gazete, e shënim përvjetori. Siç është bërë traditë,  të shenojmë jubiletë e njerëzve e personaliteteve të mirituara, sepse edhe mes tyre, ka të mirituar ndër të mirituarit, e të veçantë mes të veçantëve. Për poetin e Makit, Maqi Kozencë, do të mundohemi t’i përmendim disa ndër miritat kryesore, të cilat janë shumë, por ne do të ndalemi vetëm në ato themeloret. e kështu të paraqesim nje portret të vogël, për një përsonalitet të madh, në një jubile të rënddësishëm për te dhe kulturën kombëtare shqiptare. Vëllimi dhe cilësia e punës dhe krijimtarisë që njohim për De Radën është e gjërë. Pasi De Rada punoi shumë për komb, gjuhë e letërsi shqiptarë. Kush tjetër, janë rrallë personalitete pos De Radës, që dy të tretat e jetës, pa reshtur ia kushtoi gjuhës dhe letërsisë, ose më mirë të themi, kulturës gjuhësore e letrare kombëtare.  Kusht tjetër përveç De Radës, gjerë në moshën e shtyer, gjerë në frymën e fundit, madje edhe pa minimumin e kushteve të jetës, duke vuajtur edhe për bukën e gojës, si i pat shkruar një mikut të vetë, nuk e ndali punën, për kluturën shqiptare, që e pat filluar dhe e zhvilloi me vrull çdo herë e më shumë. Jeronim De Rada, ashtu si e mori për detyrë dhe obligim jetësor, ashtu edhe e përmbushi  obligimin për vetën e Tij se, puna për gjuhën amtare, kurrë nuk eshtë e mjaftueshme, si edhe për komb e atdhe, kurrë nuk duhet thënë boll, sa edhe për deshirën  për të jetuar. Ky koncept e bëri poetin të jetë i pavdekshëm e personalitet I madh kombëtar, sepse krijoi vepra të mëdha që e bënë të pavdekshëm. Njeriu që krijon vepra të pavdekshme dhe ato vepra ju mbesin  në shërbim pasardhësve të tij dhe breznive të kulturës e historisë kombëtare,për një përparim të tyre, e bënë edhe krijuesin e tyre të mbetët përherë në kujtesën  e tyre për shumë kohë e mote. Tani për De Radën, nuk goxojmë të themi, ka qenë I denuar, pse u lind, jetoi, krijoi, vuajti dhe u nda nga jeta, vetëm fizikisht, vdiç  më 1903 në varfëri të skajshme dhe në vetmi, siç thuhet për njerëz të zakonshem e të rendomët, vetëm për të vuajur, Jeronim De Rada, u lind  më, 19 dhjetor 1814, u lind për të krijuar e për të shkruar, praktikisht u lind për të vuajtur por edhe u lind për të mbetur I pavdekshëm. De Rada për të vuajtur u lind, praktikisht në jetën e Tij ka vuajtur shumë, sepse ka punuar shumë, por ai faktikisht  lind për të krijuar vepra të mëdha, krijimi I vepra të mëdha, krijon edhe  vuajtje të mëdha dhe për të mbetur I paharrueshëm në historine e kulturës  kombëtare.

De Rada nuk krijoi vetëm vepra letrare,si “Këngët e Milosaos”.”Skënderbeu I pafan” dhe “Këngët e Sarafino Topisë”, por edhe vepra foklorike ndër të parët, e të dorës së parë, ate që e pat filluar, që në vendlindje, si I ri, duke mbëedhur thesarin e bashkëvendasve, të cilin e kishin sjellur nga atdheu I tyre I lashtë matan deti. De Rada kështu nxorri veprën “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, e cila te poeti  ngjallë ndenjën e dashurisë dhe kurreshtjes për  gjuhën atnore, për të cilën poeti më vonë, do të shkruajë një varg veprash me rëndësi për gjuhësinë historike, të cilat I rreshtoi në botim pas vitit 1860, dalin në italishtën “Parimet e estetikës”, “Vjetërsia e kombit shqiptarë”,”Letra e G.Stamilës”. Pjesën e fundit të jetës De Rada, pasi fitoi famë edhe jashtë qarqeve italiane me disa nga vepratë e Tija, të cilat u përkthyen në gjuhë të ndryshme të Evropës përendimore, poeti dha edhe një varg veprash të tjera edhe më të thukta, e më me vlerë të madhe gjuhësore, si ‘PELLAZE E SHQIPTAR”,”KONFERENCA MBI GJUHËN SHQIPE”,”KARAKTERE DHE GRAMATIKË E GJUHËS SHQIPE”, dhe një antologji shqipe. De Rada shkroi edhe vepra publicistike, të cilat bashkë me aktivitetin e Tij kulturor, e plotësojnë portretin e madh të këtij poeti e personaliteti të historisë së letërsisë dhe kulturës shqiptare, të cilat I japin një vlerë edhe më të madhe në historine kombëtare.  Jeronim De Rada 60 vjet të tëra, u orvat me pendë, punoi dhe luftoi tërë jetën pa iu nda pendës, dhe kështu veprat I dolën paralel me punën krijuese,  dualën të dobishme dhe me cilësi të lartë shkencore e të dobishme për kombin dhe historinë kombëtare. Por, padyshim, siç edhe njihet dhe e kemi mësuar deri tash, De Rada njihet më shumë dhe ka rëndësi më të madhe për krijimet poetike dhe veprat letrare në letërsinë tone të re, i cili me veprat e Tij na dha një pasqyrë poetike “ të motit të madh” të shekullit 15-t, duke ju përshkruar bashkombasve dhe brezeve në vazhdim “motin e madh të ‘zulmmadhit Skënderbe”, Por, nuk është më pak e rëndësishme as veprimtaria tjetër e poeti dhe krijuesi atdhetar, që u përmend  më parë. De Rada, me veprën e Tij ”Rapsodi e një poeme arbreshe”, na del mbedhësi i parë i folklorit arbëresh dhe ndër mbledhësitë  më të rëndësishëm të folklorit shqiptar në tërësi.  Kjo vepër, jo vetëm se pati rendësi për poetin që e drejtoi në rrugën që me mall e kujtonin edhe arbreshët “matan deti” që, tash duke vrejtur mirë se, edhe shqipja paska pasuri të bollëshme fjalësh, që mund të krijojë vepra të mëdha  letrare, por edhe vet shqiptarët, u bënë të njohur për të tjerët përmes kësaj vepre.  Dora D’Istria, alias Elena Gjika, princezë rumune me origjinë shqiptare, beri një studim për shqiptarët, duke u mbeshtetur kryesisht në veprën e De Radës. Emri I poetit është shumë I madh dhe I rëndësishëm edhe në gazetarinë  e hershme të asaj kohe në publicistikën tone, bile, nëse kishte me u hartua një histori e kësaj dege te ne për historikun  e kulturës sonë publicistike, faqet e para të sajë, pahamendje, vendin e nderit dhe më të merituarin do ta merrte Jeronim De Rada me punën dhe veprimtarinë e Tija në këtë drejtim, që bëri në dy gazetat e Tija,”L’ALBANEZE D’ITALIA”, Shqipëtarët e Italisë, dhe “FJAMURI I ARBERIT”. Nuk do mend se, poeti I Makit, nuk kurseu asgjë, kur fillloi t’i tuboi, mbledh këngët popullore në Maki e rrethinë, më 1834, që atëherë autori veneroi se, arbërishtja e Tij, për nga forca shprehëse, nuk duhet veçuar nga të tjera gjuhë simotra rreth e më larg sajë. Që atëherë ai e kuptoi se, arbërishtja e Tij, është aq e fort dhe ka pasuri leksigu, sa edhe prej sajë mund të krijohen vepra letrare e shencore të njohura edhe jashtë suazave kombëtare. Atëherë Jeronim De Rada, ndërroi gjuhën e shkrimit,me që e pat filluar të shkuajë në Italishten, gjuhë të cilën e kishte shkruar “ODISEN”, poemë në katër këngë, por me motiv shqiptare. Prej këtu e tutje, Jeronimi shkroi në gjuhën shqipe, në gjuhën e Tij, të cilën e lëvroi 60 vjet deri në fund të jetës. Sa I hyri në shpirt gjuha shqipe poetit arbëtresh, mjafton të përmendim, vetëm sa u mundua ai, që këtë gjuhë ta fus lëndë mesimi në Kolexhin Shën Andriano” në Kozencë, që ishte kolegj vetëm për nxënës arbëresh, e ku edhe vet Jeronim De Rada ishte mësimdhënës.

Jeronim De Rada më 1848, pas komplotit kundër Burbunëve, rrymë frenge, që  kishte okupuar Italinë dhe kishte influecë edhe në Kalabri, poeti asaj kohe gjendej në Napuli, shpejt u tërhoq në vendlindje në Maki, si komplotist dhe, mu këtë vit arrijtii që, gjuhën shqipe ta fuste lëndë mësimore të  Kolexhit Shen Andriano. Dëshira e poetit u plotësua dhe dhe zhvillimi I lëndës së gjuhës shqipe,ju besua vet poetit Jeronim De Rada,  që ai të jetë mësuesi I parë I sajë. Jeronim De Rada punoi mësues I gjuhës shqipe, mu aty, ku I ati I Tij, pat punuar mësues I greqishtës dhe latinishtës. Poeti yne ishte I njohur komplotist kundër Burbunëvë, madje për këtë ishte ndjekur, dyshonin në te dhe e burgosën, ia ndërpren punën e Tij mësimdhënësit në Kolexhin Shën Adriano, ndoshta mu pse ishte mësues I gjuhës shqipe. Vetëm katër vjet para se të vdiste, poeti arrijti që përsëri, për të dytën herë, ta fus gjuhën shqipe për lëndë mësimore në Kolexhin Shën Adriano,dhe prap lëndën e gjuhës shqipe ta zhvillojë vet Jeronim De Rada. I mësoi të rinjtë arbëresh dhe ishte timonjer I Gurakuqit tonë të madh, atdhetarit, poetit e burshtetasit e trimit që rrallë lind Malësia, si dhe poetin tonë të mirënjohur lirik Zef Serembe..Jeronimi punën për gjuhën shqipe nuk e ndal me kaq, për ta pasuruar e zhvilluar e njohur sa më mirë, Ai organizoi dy kongrese, në të cilët u mundua, që të folmen arbreshe, ta ngriste në nivelin e gjuhës kombëtare, edhe pse pa farë mbështetje dhe bazë shkencore e natyrshmëri kombëtare, që një ë folme aq e vjetër dhe e konzervuar pa ndonje kontakt dhe e izoluar nga trungu I shqipës këndej Adriatikut, një e folme aq e vjetër e cila nuk, kishte pasur më lidhje-kontakt me gjuhën e trollit amë dhe si e tilllë ishte e folme e lashtë shek 15-t, sa I përket evulucionit të gjuhës shqipe, e cila tani përjetonte një ringjallje dhe tfillim dinamik, duke u munduar që ta përsos një alfabet I cili më së drejti I përgjigjej asaj. Sido qoftë, poetin e Makit vazhdimisht e ka brengosur çështja e gjuhës shqipe dhe problem I alfabetit të saj, simbolin e bashkimit kombëtar të përmbajtur në alfabet dhe gjuhë kombëtare, duke kërkuar që, kjo çështje mos të shkakoj përçarje,” mos jetë alfabeti një arsye që të na prish njërin me tjetërin”, shkruan De Rada, më 1897 ne “La nazione abaneze”.

Jeronim De Rda u bë I njohur edhe jashtë Italisë, jo me kongreset e mbajtura për gjuhën shqipe, por me veprat e shumëta të tija, të cilat në atë kohë ishin të njorhura, jo vetëm në qarqet e arbreshe dhe iatliane, por edhe jashtë Italisë.Tani De Radën e gjejmë se, merr pjesë edhe në Kongrese gjuhësore ndërkombëtare, që organizoheshin në Itali, në të cilat De Rada merrte pjesë në diskutime dhe lexonte kumtesa-trajtesa shkencore nga fusha e linguistikës., duke u përpjekur me punë  shkencore që, shqipën ta bëjë të njohur sa më shumë e ta zgjerojë e t’I njoftoi të huajt për gjuhën shqipe. Më 1899 De Rada mori pjesë në Kongresin e orientalistëve në Romë, ku lexoi një kumtesë për karakteret e gjuhës shqipe. Na është e qart se, Jeronimi, nuk na dha ndonjë vepër nga, ku ta dijmë sa të madhe dhe të rëndësishme gjuhësore, ku kishim me gjetur edhe sot ndonjë mbështetje të madhe gjuhësore e shkencore për hsitorinë e gjuhës shqipe, por na është e kuptueshme dhe mund të themi se, Jeronim De Rada, është njëri ndër pionerët e parë, qe u mundua dhe bëri përpjekje të jep studime për gjuhën shqipe që deri atëherë nuk kishte ndonjë studim nga ndonjë studius I vendit, por vetëm nga të huaj, të cilët më sa njihnin gjuhën dhe shkencën, sado të ngushtë, të gjuhës shqipe e merrnin me qëndrime të ndryshme e të lloj-llojshme. Veprat e De Radës me karakter gjuhësor, na shërbejnë më shumë për historinë ë gjuhës shqipe, dhe si të tilla, ndoshta presin një studim e studius gjuhësor shumë serioz e analitik, në të kundërtën, për të tilla mbesin me pak rëndësi shkencore, sa  rëndësia e tyre shërben vetëm  e rëndësisë datore të studimit dhe studiusve tonë dhe zhvillimit të gjuhësisë shqiptare.

Filed Under: Komente Tagged With: De Rada, Ismail Gashi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT