• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AVNI PONARI, NJERIU I PUNËVE TË MIRA…

October 11, 2018 by dgreca

1 sigal

Nga Dëfrim CANI –publicist/1 avni Ponari
1 Sigal1

1.Duke ju siguruar se vlerësimet për një njeri si Avni Ponari, nuk vijnë nga këmbëngulja publicitare apo njohja që, njëri apo tjetri ka me këtë personazh publik, po nga marrëdhënia që Ponari dhe njerëzit e dimensionit të tij kanë me shoqërinë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, një nga refleksionet e para që i vjen një njeriu të zakonshëm për këtë lloj komunikimi social, vjen nga një fakt i thjeshtë, nga një përvojë e thjeshtë, e njohur nga thellësitë e kohrave për punët e mira që duhet dhe mund të bëjë një njeri në jetën e tij. Njerëzit e “punëve të mira” janë kaq të shumtë në jetën tonë të përditshme sa koncepti duket i hershëm, i zakonshëm dhe që nuk zgjon ndonjë përjetim emocional në dukje të parë. Në të vërtetë nuk është kështu.

Njerëzit e punëve të mira janë fundamentet tona jetike-jetësore që në ditën e parë që ne vijmë në këtë jetë, që në momentin e parë që krijojmë marrëdhënien sociale brenda familjes dhe më gjerësisht se me familjen tonë. Njeriu i parë i punëve të mira është familja, janë nëna dhe babai, të cilët mbartin sakrificën fondamentale të përgatitjes sonë jetësore për të marrë vlerë dhe funksione sociale. Në thelbin e vet, shoqëria njerëzore e ka shtresuar këtë mesazh dhe fundament në raportin dhe detyrën e prindit me fëmijën. Në fund të fundit kjo është një punë e mirë. Pas këtij momenti, çështja e punëve të mira të njerëzve tanë, ato që i njohim dhe ata që nuk i njohim bëhen më të dukshme, më të rëndësishme dhe më reflektare në jetën tonë.

Në historinë e veprimtarisë njerëzore, çështjet e njerëzve të këtyre punëve të mëdha, e kanë ushqyer përvojën njerëzore me shembuj të shkëlqyer, të cilët kanë krijuar jo vetëm shembuj të humanizmit, të shoqërisë në zhvillim, por kanë ngritur sisteme referenciale të zhvillimit njerëzorë. Që në antikitetin e lashtë, në të gjithë kujtesën njerëzore, e cila na ka ardhur përmes burimeve të shkruara dhe të pashkruara, historitë e njerëzve të punëve të mira iu kanë rezistuar kohërave për shkakun e një lloje marrëdhënie universale që ata vendosin me kohën, me njerëzit dhe zhvillimin, si modeli progresiv i pranueshëm.

2.

Shënimet e thjeshta për Avni Ponarin nuk mund të nisin ndryshe, jo për veçanësinë e tij në këtë kohë që po jetojmë, por për shkakun e një modeli të njohur njerëzorë, i cili në thelbin e vet ka humanizmin njerëzorë nga njëra anë, dhe për arsyen e krijimit të këtij modeli në një kohë relativisht të vështirë në vendin më të veçantë të Ballkanit, siç është Shqipëria, me një të shkuar të afërt problematike, por dhe me një të tashme po kaq problematike.

Por përkundër gjithë kësaj problematike bazike të vendit, Avni Ponari ka arritur të krijojë një model emblematik, një shembull valorizues dhe të qëndrueshëm, përmes të të cilit mëson për këtë personalitet interesant, por dhe për një model, i cili arrin të “imponojë” një përvojë praktike- psikologjike, shpresë-dhënëse dhe të dobishme për shoqërinë shqiptare në lëvizje dhe zhvillim. Shoqëritë njerëzore, madje vendet e zhvilluara, më së shumti kanë bërë progress dhe janë zhvilluar mbi modelet e mira, mbi punët e mira të individëve.

Avni Ponari sot njihet mjaft mirë nga të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe jashtë saj, në Kosovë apo në trevat e tjera shqiptare. Ai njihet si Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQUA GROUP AUSTRIA, një nga grupet më të njohura dhe më gjithpërfshirës të sigurimeve shqiptare. Ka diplomuar në Fakultetin e Marinës në Vlorë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, duke dëshmuar një dashuri dhe vullnet të fortë për dije dhe kulturë. Në vitin 1999, kur në Shqipëri u liberalizua tregu i sigurimeve, Avni Ponari i besoi intiutës dhe ndërmarrjes së tij private, dhe në shkurt të vitit 1999 krijon Shoqërinë e Sigurimeve “SIGAL”, një ndërmarrje e vështirë, të cilës në Shqipëri i mungonte përvoja. Zakonisht në këto raste, njerëz me aftësinë për të kaluar aktualitetin e tyre, arrijnë të ndërtojnë “projektin” e tyre, i cili kërkon inteligjencë, kurajë dhe guxim. Ashtu siç dihet, “fati” ndihmon më së shumti “guximtarët”.

Jo vetëm në themelimin e SIGAL, por në hapësirën gati 20 vjeçare të tij, ka një të vërtetë të rëndësishme, që lidhet me Avni Ponarin, njeriun më të rëndësishëm dhe më përfaqësues të kësaj kompanie. Avni Ponari pa më të voglin dyshim ka pasur dije të qëndrueshme për ta praktikuar këtë përvojë të njohur në shoqërinë perëndimore, por aspak të lehtë në një vend si Shqipëria, e cila vazhdon të ketë një kulturë të pakët mbi praktika të tilla. Në këtë terren bosh, por dhe të vështirë për ta zgjuar dhe bërë aktiv, punoi dhe kontributori Avni Ponari për të ngritur dhe zgjeruar Kompaninë e Sigurimeve SIGAL. Aftësia për të krijuar besim më së pari, puna dhe transparenca për t’u bërë present dhe i dëgjueshëm tek njerëzit dhe disiplina për të demonstruar korrektësi dhe besim tek njerëzit, kanë bërë që SIGAL të tejkalojë vetveten për t’u bërë present në treguan e avancuar perëndimor, e që nga 13 vjet duke u konsuliduar në këtë treg, duke qenë pjesë e njërës nga kompanitë austriake më të njohura të sigurimeve në Europë.

Në këtë hapësirë 20 vjeçare SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA është shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, duke qenë present gjithashtu në gjithë Europën. Në këtë hapësirë 20 vjeçare, SIGAL është një nga partnierët më të besueshëm në tregun e sigurimeve me numrin më të madh të produktit të hedhur në këtë treg.

3.

Duke u nisur me një bazë të vogël financiare, rreth 400 mijë dollarë, SIGAL në rrugëtimin e vet 20 vjeçarë ka arritur të jetë një nga kompanitë lidere në tregun e sigurimeve, duke krijuar një marrëdhënie të gjerësishme dhe lamishme të veprimtarisë së vet në këtë treg, por dhe në një investues aktivitetesh dhe veprimtarish me akses kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç dhe kuptohet, slogani “Mendo që idetë e mëdha ndriçojnë rrugën”, ka qenë një ide dhe angazhim funksional për SIGAL-in dhe Avni Ponarin, duke i dhënë të drejtë atij në një kohë relativisht të shkurtër.

Duke kthyer kokën pas, Avni Ponari dhe aktiviteti i tij ka vazhduar të rritet, pavarësisht në një klimë të vështirë ekonomike të vendit, të mungesës së një kulture të nevojshme për politikën sociale të sigurimeve, por dhe në një mjedis jo të shëndetshëm ligjorë për këtë lloj veprimtarishë. Gati në çdo rast, në prononcimet brenda dhe jashtë vendit, Avni Ponari ka ngritur shqetësimin lidhur me politikat e munguara të shtetit, lidhur me stimulimin dhe krijimin e një klime optimiste për veprimtari private me përfitim dhe ndikim të drejtpërdrejtë social.

Duke kuptuar thelbin e veprimtarisë që SIGAL ka për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme në progres të vazhdueshëm, Avni Ponari dhe stafi i tij i mrekullueshëm arriti të ketë një terren të konsiderueshëm në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni përmes një mekanizmi të sukseshëm, të cilin Ponari e quan çelësi i punës së tij, për të cilën në një intervistë të tij ai shprehet:”Mendoj që transparenca është çelësi i suksesit të një kompanie sigurimi dhe plotësimi i kërkesave të klientëve me produktet që duan ato”, dhe pse në Shqipëri mund të ketë produkte evropiane pa pasur blerës evropian. Në këtë lloj marrëdhënie funksionale për SIGAL dhe të Avni Ponarit, kompania e tij gjatë kësaj periudhe ka dhënë për shërbimet e klientëve të saj mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, duke krijuar një besim të fortë tek klientët e tij.

Në “ballafaqimin” madhorë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe për të diktuar një lloj kulture perëndimore dhe në Shqipëri, kultura dhe orientimi i Ponarit, i cili konsideron se “sigurimi nuk është taksë por investim”, SIGAL tashmë përmes investimit general, Platformës Diçitale (në vigjilje të 20 vjetorit të krijimit), krijon një marrdhënie dhe bashkëpunim të rëndësishëm lidhur me shumllojshmërinë e sigurimeve për makinat, për shëndetin, për pensionet private dhe një sërë sigurimesh të tjera, në të cilat mund të gjejnë vetveten gjithë shtresat sociale të vendit. Larmishmëria e sigurimeve në një klimë dhe në një vend si Shqipëria, është e rëndësishme për t’i përfshirë shqiptarët në një skemë sigurimesh. Ky është një lloj investimi dhe një llojë mundësie, që në vetvete shpjegon dhe një tregues të rëndësishëm të humanizmit të Avni Ponarit dhe të stafit të tij.

Fuqizimin e SIGAL-it e tregon investimi që ai ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar dhe një marrëdhënie qytetarie dhe të besueshme që SIGAL ka krijuar me abonentët dhe të interesuarit për të. SIGAL dhe Ponari duket se kanë reflektuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi të rëndësishëm në mjedisin shqiptar, të cilët praninë e tyre e kanë sendërtuar në bashkëpunime të të gjithë niveleve.

SIGAL dhe Avni Ponari kanë përdorur mjaft mirë mundësitë që iu ka krijuar klima e mundësisë për të investuar dhe për t’iu ardhur në ndihmë dhe mbështetje, nismave, projekteve dhe nevojave lokale dhe ata me ndikim kombëtarë.

Avni Ponari është president dhe i “Toyota Albania”, ku në sallonin e saj të ri (të kësaj marke japoneze) pjesë e Sigal Businnes Center, me vendndodhje në Autostradën Tiranë-Durrës – km 5, ku gjenden versionet e fundit të Toyotës, që nga Aygo, ato të teknologjisë Hybride deri tek unikja Hilux.

Kështu, Avni Ponari nga viti 2008 e drejton Federatën Shqiptare të Basketbollit, si presidenti i saj, duke i afruar krahas gjithë veprimtarisë së saj dhe mbështetje financiare.

Po ashtu, Ponari dhe SIGAL i ka afruar mbështetje klubit sportiv të basketbollit Sigal Prishtina dhe skuadrës së basketbollit për femra “Flamurtari”.

Është iniciatori i hapjes së Klubit të Artit e Kulturës në Durrës, një klub që promovon artistët e rinj.

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ponari dhe SIGAL është kontributori i rëndësishëm i prurjes në Shqipëri të armëve të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies të Shqipërisë me Perëndimin dhe me historinë e saj, një histori që shpjegon qasjen perëndimore të shqiptarëve që nga lashtësia.

Avni Ponari ka një kulturë të qëndrueshme në formimin e tij. Vendlindja e tij, treva historike, kulturore, ekonomike, turistike përgjatë luginores lumore ku bashkohet Valbona me Drinin, ku tokë ndodhet rrënjas fisi i Ponarëve– më i vjetri fis në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), dhe Dushajt (fis tjetër i ardhur aty), Raja (Breg Lumi), Tplani, Geghyseni me Arvejë, janë një perlë e natyrës së Veriut Shqiptar, me një traditë kulturore dhe një lloj romantike natyrore, që reflekton në natyrën poetike të kësaj treve, e cila ka lënë brenda tij, Avni Ponarit, një ndjeshmëri poetike në marrëdhëniet dhe refleksin për të dhënë ndihmë dhe kulturë bashkëpunimi.

Kështu, kanë nderimin për Avni Ponarin dhe SIGAL rikonstruksioni i shkollave në Vertop, Lukovë, Lybeshkë dhe projekte të tjera. Do të veçoja shkollen e mesme të Fierzës, të qytetit të dritës ku u ngrit Hidrocentrali i madh i Fierzës me digën e tij nga më të lartat, me dy liqene artificial – të Fierzës e të Komanit; shkollës ku mësuan qindra nxënës nga Ponari e viset rreth tij dhe nga e gjithë Tropoja e Puka, nga e gjithë Shqipëria, ndër ta dhe vet Avni Ponari ishte në bangot e saj. Ai rikthehet aty si një investitor mjaft kontributor, pasi në cilësinë e Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe të fuqisë së tij si biznesmen i sukseseve, e kreu rikonstruksionin e brendshëm të kësaj shkolle, pastaj e ndërtoi nga e para çatinë e shkollës, e– hapi i tretë, pajisja më 20 kompjutera e materiale të nevojshme për klasat e mësimit. Kjo shkollë në rreth një gjysëm shekulli, prej 1 shtatorit 1972 të kohës së hapjes si shkollë e mesme profesionale tredegëshe (ndërtim, elektrike e mekanike) për nevojat e veprës së dritës të Fierzës e prej 1 shtatorit 1982 të kthimit në shkollë e mesme e përgjithshme, nuk kishte parë e ndjerë një investim të tillë proçesor,  tërësorë, kaq efektiv, bashkëkohor. Tani, mbi 400 nxënës të fshatrave të Fierzës, të Rajës (Breg Lumi), Ponarit të Lekës, Dushajt, Tplanit, Degës, Lekbibajt (Nikaj-Mërturit), etj. do të zhvillojnë mësimin në kushte normale në Shkollën e Mesme të Bashkuar Fierzë, falë dhe interesimit e investimit të Avni Ponarit, birit të trevës ku ngrihet kjo shkollë, i kësaj treve luginore dybigore ku bashkohet Valbona me Drinin.

Po ashtu mbështetja financiare e SIGAL-it e Avni Ponarit ka qenë dhe për Festivalin Ndërkombëtar të Gjirokastrës, Festivalin Ndërkombëtar të të Vokalit Operistik “Marie Kraja”,  publikimin e rëndësishëm të veprës monografiko-historiko-psikologjiko-social të At’ Zef Pllumit të titulluar “Rrno për me tregue” dhe “Nata vjeneze e stilistit Eno Peçi”…

Të kthyera në vlera monetare, bashkëpunimi dhe mbështetja e projekteve që SIGAL ka afruar vetëm në Kosovë, kryesisht për krijimin e industrisë në këtë shtet mbi 1.4 milionë euro, pa harruar mbështetjen financiare mbi 1 milionë dollarë për pesë herët kampion të Shqipërisë në Ligën e Basketbollit të ekipit të “Valbonës” të Tropojës, por dhe të ekipit SIGAL Prishtina, me një investim rreth 1.3 milionë euro, si dhe shumë mbështetje të tjera të cilat i kanë ardhur në ndihmë dhe në mbështetje komunitetit dhe njerëzve në nevojë.

 

4. 

SIGAL dhe Avni Ponari janë histori suksesi dhe vlere, e mbështetur kryesisht në punët e mira. Avni Ponari është njeriu i punëve të mira e për këtë shkak ai ka një ndikim shoqërorë në veprimtaritë dhe forumet sociale brenda dhe jashtë vendit.

 I qartë në dinamikën e projekteve të vogla dhe të mëdha, kontribues i projekteve sociale për zonat rurale, veçmas për fëmijët, iniciativat ambjentaliste dhe projektet kulturore, Avni Ponari është nderuar me tituj të shumtë si “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit; “Qytetar Nderi” i Elbasanit; sivjet dhe “Qytetar Nderi” i Tropojës – vendlindjes së tij; “Personalitet i Vitit” nga gazeta “Telegraf”; “Biznesmen i Vitit” nga gazeta “Koha Jonë”; “Njeriu i Vitit Internacional Who’s”; “ Profili Ndërkombëtar i Drejtuesve më të Mirë”, “Lideri i Vitit” dhe nderime të tjera.

Veprimtaria e tij shoqërore, kulturologjike dhe humanitare reflekton dhe në të qenët themeluesi i Shoqatës së Sigurimeve Shqiptare të Marinës (Shoqatë me të drejta të plota të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve të Marinës, me seli në New York), anëtarë për shumë vite në bordin e FIAA (Shoqata Shqiptare e Investimeve të Huaja) dhe AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Nga shumë kohë Avni Ponari është anëtar i Dhomës Amerikane  të Tregëtisë në Shqipëri dhe anëtar i Komisionit të Financës së FIBA  Europë.

Siç dhe kuptohet, veprimtaria për Avni Ponarin, SIGAL UNIQUA Group Austria dhe bashkëpunimet e tjera janë të gjera dhe një tregues absolutisht të një personaliteti të biznesit dhe të veprimtarisë kulturore-sportive-arsimore, të cilat kanë lënë gjurmë dhe shenjat e dukshme, duke qenë në thelb punë të mira. Punët e mira jetojnë gjatë dhe iu shërbejnë të gjithë njerëzve. Për këtë të gjithëve në duhet t’i themi Avni Ponarit –Faleminderit!

Sado të përpiqem të shkruaj bukur, është e pamundur ta bëj një gjë të tillë. Punët e mira të Avni Ponarit janë më të bukura se çdo shkrim tjetër!

 

                                                                                                                                       Dëfrim CANI / Publicist.

   Tiranë, tetor 2018                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Avni Ponari, Defrim Cani, I PUNËVE TË MIRA, njeriu

MITI I MBIJETESËS DHE FORCA PËRBASHKUESE E ASPIRATËS NJERZORE

October 27, 2015 by dgreca

Nga Sulejman DIDA*/
Libri “Diell i vështirë dhe koha e poezisë” i studiuesit Defrim Cani mendoj se përbën një prej botimeve të rëndësishme shqiptare të 20 viteve të fundit. Përmes studimit estetik-letrar hedh dritë mbi raportet e vështira të artistit dhe shoqërisë në kohën diktaturës komuniste si dhe mbi të jetuarit me jehonën e mitetve si energji ekzistence. Ndonëse ka në fokus artin poetik të Ferik Ferrës, studiuesi Cani analizon edhe relacionet e lirisë dhe artit të fjalës në gjithëkohësi. Eshtë një studim që i ka munguar shkencës së letërsisë.
Ndonëse kisha lexuar ndonjë vjershë të tij diku, vetëm studimi i zotit Cani më bëri ta njoh poetin Ferik Ferra, i cili për shkaqe që argumentohen në studim, nuk u njoh si poet për shumë vite, as në rininë e vet e as deri rreth moshës 60 vjeç. Por në art ai mbeti i ri. Gjithsesi, pa studimin në fjalë, lexuesit shqiptarë ende nuk do ta njihnin atë. Sepse në shkrimtarinë dhe publicistikën e sotme gati të gjithë flasim vetëm në përgjithësi dhe thjesht rrotull temës pa hy asnjëherë në brendësi, pa u ndalë te brendia e vetë temës, gjë që lexuesit ia bën të vështirë orientimin.
Në histori ka ndodhë që, një njeri i caktuar me ide, që shkojnë kundër rrjedhës, ose ka veshur, mes ujqërish lëkurën e ujkut dhe ka ulëritë si ata, ose është sakrifikuar duke shkuar dëm e, shumë rrallë është sakrifikuar si hero. Për diktaturën që ka përjetuar Shqipëria, nuk ka qenë e lehtë kjo e fundit, pra, e shndrrimit në hero. Sepse flaka e rrebelimit shuhej që para se të dukej në horizont. Nuk kishte kushte për art të lirisë apo për disidencë. Prirjet e veçanta të njerëzve janë shtypë nga ndikimi i përditshëm i politikës si dhe nga nevoja për me mbetë gjallë, me mbijetu si akumulim kulturor në një konstrukt njeriu të rrezikuar. Shkrimtarët e mbijetuar, gati në të gjitha rastet kanë humbur shenjtërinë e lirisë së shprehjes.

Por siç e nënvizon Cani, poeti Ferra nuk ka kënduar me zë të lartë që të mund të dëgjohej nga kujdestarët e regjimit. Madje, askush ndoshta nuk e ka ditur se ai shkruan poezi. Duke ndjekë mënyrën e jopublikimit të vjershave të veta, ai ka jetuar larg detyrimit joletrar për të shkruar në përputhje me skemat e gatshme. Ai ka ndjekë thjesht zërin e zemrës pa u rrjeshtuar në korin e kohës. “Ferra ka qenë poeti “i panjohur”, të cilin nuk e kanë detyruar të shkruajë tematikisht poezi si pjesa më e madhe e brezit të tij të poetëve, të cilët sot i kanë lënë letërsisë shqipe një varrezë të madhe librash”. (f.13)

Mbas analizave te thella letrare, estetike dhe filozofike, mbas zbërthimit të vlerave artistike përmes simbolikës dhe alegorisë së tekstit të shqyrtuar, studiuesi e cilëson Ferik Ferrën me rezultanten e paçmontueshme “poet brilant, elitar dhe prodhues”. (f.18)

Si e ruajti Ferra tharmin poetik e filozofik duke mos e “shkarkue” për një kohë të gjatë? Studiuesi Cani e gjen përgjigjen qoftë duke iu referuar shkencës së psikoanalizës, qoftë me subjekcion duke përbashkuar shenjat e dritës, të trashendencës shpirtnore të poetit Ferra si platformë e mbijetesës jo vetëm fizike.
“Dielli i vështirë…” është një vështrim hulumtues i poezisë si kumt, si letërsi e kohës së gjithëkohëshme me gjurmët dhe gjëmimet e kohës aktuale, një analizë e produktit letrar jo të zakonshëm dhe e faktorëve gjithpërfshirës psikologjikë e kulturorë, politikë e historikë, letrarë dhe joletrarë, që profilizuan poetin Ferra. Studiuesi argumenton në mënyrë shkencore se stili i krijimtarisë së Ferrës përbën një kualitet të veçantë të vargut shqip dhe se nuk ishte tipar i kohës në të cilën jetoi, i sistemit të shprehjes së asaj kohe, por një tipar individual i tij.

Me “Diellin e vështirë…” studiuesi Cani futet thellë në shpirtin e pezisë dhe sillet me të dhe me sistemin e saj në mënyrë krejt ‘familjare’. E merr brengën artistike, e shtjellon dhe e shprish me kompetencë dhe afinitet duke përdorur terma interesantë, terma të vjetër dhe terma të rinj, që nuk i kemi dëgjuar, por asnjëherë nuk na shkon mendja se janë përdorë pa finesë. Sipërfaqja e vogël poetike, parcela poetike, fjalë lider e ftillueshmërisë, kohë gjatësore etj. etj. të thëna apo të përdurura nga ndonjë autor tjetër do të më tingëllonin të çuditëshme. Do të tingëllonin të çuditëshme edhe në gojën e Canit në kontekst të ndryshuar. Por në studimin e poezisë së Ferrës dhe më gjerë, në optikën e mitit të mbijetesës këto terma, të përdorur si mjet dhe stil komunikimi e afrojnë lexuesin me lëndën poetike duke i dhënë një ‘antimit’, si një “ilaç” që e bën imun ndaj dritës së fortë të gjenialitetit, të cilën njeriu, në ‘kohë gjatësore’, gati asnjëherë nuk e përballon. Cani e përdor fjalën me mjeshtri dhe kompetencë të pashoqe. Mjafton te gjendet një emër apo mbiemër për çfarëdo gjë, si semantikë a metaforë, stilemë a ndajshtim e ai, e fut në punë si gdhendësi, që prej guri nxjerr figurën që kërkon.

Një numër poetësh, shumë të mire, shkojnë dëm duke u arkivuar në pluhurin e harrimit, e ndoshta edhe të vdekjes, pikërisht, sepse, nuk ka një kritikë realiste për to, nuk ka një studim. Ndoshta jo një studim kaq të thelluar, pasi do të ishte një luks i pamundur, por një sitë vlerash, për hatër të shenjtërisë së krijimit. Nga ana tjetër, dhjetra poetë minorë dhe shkrues të tjerë janë fiksuar në libra studimorë dhe tekste shkollore për koniukturë e jo për vlera artistike. Faqet e shtypit të shkruar dhe portale të ndryshme mbushen përditë me lavdërime, që autorët miq i bëjnë njëri-tjetrit, kryesisht ata që kanë akses në këto gazeta dhe portale. Shkurt, mund të them se, ajo që po ndodh në jetën politike dhe publike në Shqipëri, po ndodh edhe me letërsinë. Po të kemi parasysh gjendjen ku ndodhet Shqipëria, jo vetëm ajo Shqipëria e letërsisë, del se ne po ndërtojmë profilin tonë më të shëmtuar. Kjo ngjet sepse, ndoshta na mungon dashuria për këtë vend. A keni harruar që De Rada e cilësonte edhe dashurinë për atdheun si dukuri estetike? (Parimet Estetike).

Studimi i Canit përshkohet jo vetëm nga këmbëngulësia e pashoqe për të vështruar sa më thellë e sa më imtësisht, por edhe nga shpirti krijues i cili shpaloset, nder të tjera, edhe në ritmin e frazës dhe shkallëzimin përmbajtësor. Ja një rast, jo i rastësishëm, kur ai jep këtë përkufizim për Homerin, ‘një misionar i madh i një qëllimi të nevojshëm dhe të domosdoshëm për njerzimin’. E nënvizova këtë sepse, ka një paralele që Cani heq qysh në krye të herës mes Homerit të verbër, siç thotë legjenda, dhe sjelljes së vetëdijshme të Ferrës apo të krijuesve të tjerë të mëdhenj, të cilët për ti shpëtuar përndjekjes dhe eleminimit fizik, ‘jetuan’ sikur nuk kanë parë asgjë dhe as kanë dëgjuar. Ndoshta Homeri nuk ishte aspak i verbër, por verbëria, kjo indiferencë gjeniale u zgjodh si një mjet, një alibi gjithëkohore për të shpëtuar poemën e madhe nga ndikimi politik i kohës, i kohës kur u shkrua, por edhe më vonë, për të ruajtur kështu gjeniunitetin e ngjarjes së ndodhur më herët. Sepse, akush tjetër nuk mund të kalkulojë një stisje koniukturale në poemë përveç autorit, pra pikërisht Homerit, por mjerisht ai është i vërbër, e, kjo gjendje sanksionon përgjithnjë mosndërhyrjen. Eshtë padyshim ngjashëm me detajin e thembrës së Akilit, siç e perifrazon autori Cani, një kompromis i përjetshëm.

Paralelizmi i guximshëm, i palëkundshëm e i paanashkalueshëm, që Cani bën mes Ferrës së kohës tonë dhe Homerit të lashtësisë, mendoj se ka në themel fillin përbashkues mes dy gjenive. Poeti Ferra, për të ruajtur thelbin e artit, dëshminë e fuqisë artistike, ka bërë siç thotë një proverb shqiptar, një sy qorr e një vesh shurdh, dmth, ka bërë sikur nuk po ndodh asgjë. Po nga ana tjetër në rregjistrat e shpirtit dhe mendjes së tij janë fiksuar britamat e kohës dhe gjëmimet e lindjes së kohëve të reja. Nëse Homeri do të pohonte shikimin e vet, aftësinë për me pa, sunduesit e asaj kohe, e ndoshta edhe çdo bandit i mundshëm, do të kërkonte vend në epope. Edhe Ferra, dhe jo vetëm ai, nëse do të dëshmonte talentin qysh në diktaturë, kjo e fundit ose do ta kthente për vete ose do ta ekzekutonte fizikisht. Heshtja e Ferrës, pra mosdëshëmimi talentit ishte si verbëria e Homerit.

Ferra është përdorur si provë letrare dhe formulë e mbijetesës e kohës së poezisë, në të ashtuquajturën “kohë e vështirë” të mohimit të lirisë së njeriut. Për studiuesin Cani, poeti Ferra është ‘etalon i vlerave filozofike të mbijetuara’, e, unë i jap të drejtë. Ai e vendos Ferrën në vendin që i takon në historinë e letërsisë shqipe.
George Bernard Shaw pat thënë dikurë se kritiku nuk e di si bëhet arti, nuk e di procesin krijues, sepse përndryshe do ta linte kritikën dhe do të merrej me krijimin e artit. Kjo thënie vlen për të gjithë taborret e opinondhënësve dhe kritikëshkruesit apo emulativët (mbushësit e tabelës së emulacionit, ku është katandisur media shqiptare). Siç e nënvizuam pak më parë, gati të gjithë shkruajnë për të gjithë dhe, gati të gjithë, pa iu afruar asnjëherë thelbit për të cilin flasin. Mjerisht kemi një kritikë që nuk njeh, jo vetëm procesin krijues, por as misionin e kritikës, parimet e saj. Po rasti i zotit Cani është krejt i ndryshëm nga turma e opinionaxhinjve, ai nuk është një kritik i zakonshëm, por një studiues i thuktë, që famirësisht njeh mirë edhe procesin krijues. Dhe merret fuqimisht me studimin e aktin krijues të poezisë, në rastin e dhënë të Ferik Ferrës, por edhe me strukturën dhe simbolikën e poezisë në tërësi. Në mënyrë të admirueshme ka argumentuar vlerat estetike të poezisë së Ferrës duke depërtuar edhe në aktin e krijimit. Një art i madh, që u ruajt i padëshmuar për dhjetra vite dhe që u shpalos, jo menjëherë mbasi ndryshoi sistemi politik, por me nge si një arkeologji e dhimbjes, një koncentrat gjëmues prej drite. Koha, në qenien e Ferrës, në shpirtin e tij prej të pamposhturi në pritje “për të jetuar, ishte shndrruar në simbolika dhe shprehje artistike”. (f.35). Nën ‘diellin e vështirë’, simbolet u kthyen në mardhënie kolektive, ishte pak a shumë një marrëdhanie e shenjave (ajo mes njerëzve me prirje rrebele). Brenda vargjeve të Ferrës, studiuesi Cani vëren me kujdes edhe rrethanat jashtëletrare të kohës së ‘diellit të vështirë’. Ai argumenton se tharmi artistik i Ferrës mbijetoi aq gjatë edhe për faktin se u mëkua me mitet e vjetra, që kanë frymëzuar njerzimin, siç janë letërsia antike, eposi i kreshnikëve e kështu me rradhë. Mitet vazhdimisht kanë shërbyer si energji ekzistence dhe forcë përbashkuese e aspiratës njerzore. Arti i Ferrës ka patur në këtë rast udhrrëfyes të pagabueshëm dhe dorëzani të fuqishme.

Si ishte ajo kohë! Për të siguruar ekzistencën fizike poetit i është dashtë me krye edhe vetvrasje artistike, me djegë e me zhdukë çdo fletë poezie. Sepse poezia u kujton njerëzve lirinë, e liria ishte një sakrilegj. Poeti Havzi Nela, i ekzekutuar me varje në litar në vitin 1988, i ka pasë mësuar përmendësh një pjesë të vjershave të veta, shumë prej të cilave, mjerisht i mori në varr. Edhe Ferra i ka djegur poezitë. Të tjerë kanë bërë po ashtu. Gjithçka që sot kemi në dorë është si ajo lënda jokolektive që shpëton nga përmbytja. Sistemi totalitar përbënte, për të përdorur një term të Canit, një dijetari fatale e destinuar për falimentim, një humnerë, ku do të bien të urtët dhe bandidët. Një talent si Ferra etj nuk kishte asnjë rrethanë për të mbijetuar. Do të mjaftonte që dikush të dinte se ai ekziston, them si talent me prirje jokonformiste, dhe levat e sistemit, ‘pushtuesit totalitar të fjalës së lirë’ (f.100) do të kryenin likujdimin fizik, e ndoshta më parë edhe nënshtrimin dhe përdorimin e tij.
Një nga aksionet më fatale të pushtetit komunist në Shqipëri ishte edhe ‘vrasja’ e letërsisë së madhe, kryesisht e gjysmës së parë të shekullit XX, madje edhe vrasja që në embrion e çdo tendence për një krijimtari liberale. Atëherë, në kushtet e konsolidimit të programit shtypës të lirisë, energjitë krijuese u shvendosën në frontin e ‘ruajtjes së ekzistencës fizike dhe përceptimit kulturor të lirisë’. Poetët mbajtën qëndrimin e tyre ose duke heshtur ose duke sofistikuar artin e vargut dhe metaforën aq sa ekspertët vrasës nuk e arrinin dot. Por edhe kjo dukuri dënohej duke u akuzuar për ‘hermetizëm’.

Fatkeqsisht, edhe sot letërsia shqipe mbetet e paliruar nga kthetrat e aksiomave mbytëse të lirisë. Mbase edhe për këtë arsye, pirgje me libra kalben në bodrumet e magazinave a prapa qelqeve të librarive ku nuk i blen askush, madje injorohen si një mall fals dhe i skaduar. Cani i quan varrezë librash, madje prej atyre varrezave që as kanë lavdi as emër. E nënvizoj përsëri se një nga rreziqet që i kanoset letërsisë është kritika konuikturale (joprofesionale), shkrimet jo të sinqerta (të thelluara josesejo), tregu i monopolizuar i ideve e kështu me rradhë. Nëse do të kishim më shumë studime të tilla si ky i “Diellit të vështirë…”, do t’i bëhej një shërbim kulturës në tërësi dhe shkencës letrare në veçanti. Vetëm kështu do harrej gjithë ajo prurje amatore dhe koniukturale e letërsisë, gjithë ajo shkrimtari’ rifuxho, ndërsa do tu linim brezave si trashëgim një shportë më të vogël krijimesh shqiptare, por një shportë brilantesh. Nuk mungojnë studimet shkencore, edhe estetike si ky i Canit, por shumica janë për autorë të pohuar tashmë qysh nga koha e socrealizmit e një pjesë tjetër për autorë të “fabrikuar”.
Cani është marrë, meritueshëm, edhe me termat disident apo mospranus, kundërshtarë aktivë apo të heshtur të diktaturës. Edhe këtu ka treguar kompentencë, ka plotësuar një boshllëk, pasi në mungesë të dritës së mjaftueshme për ndriçimin e asaj kohe dhe katrahure, dhjetra autorë të sotëm shpenzojnë energji duke fabrikuar disidentë dhe kundërshtues të sistemit politik monist. (f.114). Mburren me plagët e marra e jo me talentin, aq sa të krijohet përshtypja se shoqërisë tonë i intereson më shumë përvoja e shuarjes së talenteve se sa drita që do ti dihmonte për të shikuar përpara.
Ky libër është një tekst jo shumë i lehtë për lexuesin e pamësuar. Eshtë një studim elitar, një lëndë informuese dhe formuese për studentët si dhe një plaformë për studimet letrare-estetike, veçmas të poezisë, këtij predikimi sublim të njeriut.

*-Rreth librit studimor “Diell i vështirë dhe koha e poezisë” të autorit Dëfrim Cani –

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Diell i vështirë, Defrim Cani, dhe koha e poezisë”

NËNËMADHE DEMIRE DUROLLARI,FUQIA E NJERIUT TË URTË…

November 23, 2014 by dgreca

Shkruan: DEFRIM CANI*/
Jeta dhe veprimtaria e një femre në një libër, e cila është nënë dhe bashkëshorte, është një ngjarje e mirë jo vetëm për kulturën e librit dhe kujtesën njerëzore, por është një vlerë e nevojshme për kohezionin e një vendi, krahine dhe të një familje. Shembujt historik dhe epik të jetës së një nëne në libra, janë të rrallë, jo pse ata nuk mund të shkruhen apo nuk mund të gjenden autorë për t’i shkruar, por librat e tillë gjithmonë janë të vështirë, janë të gjerësishëm, kanë kaq gjëra që duhet të thuhen mirë, në gjuhën e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Librat e shkruar posaçërisht për nënat, nuk janë të shumtë, siç janë librat për luftëtarët dhe heronjtë, për dyert e mëdha dhe për kullat. Në këtë vështirësi shtohen dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me aftësitë e autorëve për t’i zbuluar vlerat, shpirtin, ndjesitë, karakteret, gjendjet, raportet fondamentale, që një nënë ka më gjithë çfarë e rrethon atë në çdo çast, në rrugëtimin jetësore, në situatat që ata përjetojnë thellësisht dhe kur bota në sipërfaqen e vet duket e qetë dhe paqësore.
Po ashtu, dhe pa mëdyshjen më të vogël, librat e këtij lloji kërkohet të kenë një lloj fuqie, thënë ndryshe, duhet të kenë fuqinë e njerëzve të urtë, siç janë nënat, fuqi që duhet ta zbulosh, ta gjesh, ta sjellësh dhe ta bësh pjesë të komunikimit me njerëzit, me ngjarjet, me protagonizmin jetësorë të historisë, aktualitetit dhe të ardhmes. Jam i bindur se një lloj mendimi analitik do t’i duhej cilitdo njeriu të librave, të cilit do t’i kërkohej të vlerësonte një libër të këtij lloji, pasi ata janë libra të vështirë, sepse kanë një kohezion vertikal të dukshëm dhe horizontal të domosdoshëm.
Do të më duhej t’i parashtroja vështirësitë e një pune të tillë për të kërkuar dhe gjetur klimën e brendshme të një libri të këtij lloji, pavarësisht se modeli i parë, përmes të cilit e kam nisur leximin e tij, ka qenë ai i nënës sime që më ka lindur, më ka rritur dhe vazhdon të më përjetojë me dhimbje dhe shqetësim nëne në të gjithë rrugëtimin tim.
1.Libri që i kushtohet nënës së njohur shqiptare nënës Demire Hudënishti- Durollari, nuk është një libër thjeshtë për atë, veprimtarinë e saj, sakrificën e saj dhe të gjithë atë që ajo ka bërë, por është një libër për nënat dhe gratë e një kombi, të cilat ishin të shtrënguara dhe të destinuara ta kryenin detyrën e tyre në një vend dhe nëpër kohët më të vështira të një vendi si Shqipëria. Ajo është një nga nënat dhe gratë më jetëgjata të botës, fakt të cilin mund ta interpretosh në disa mënyra, si nga çështjet gjenetike, të jetës aktive që ajo ka bërë, të sjelljes korrekte me shëndetin dhe çështje të tjera.
Në këtë rast fatlumë, unë mendoj se ka dhe çështje që lidhen me thelbin jetësorë të kësaj nëne, e cila duket se kishte lindur jo vetëm për të jetuar gjatë, por për të bërë me sakrificë detyrën e nënës, veprimtares, patriotes dhe politikanes madje. Ramiz Lushaj ka arritur ta shpalosë me takt dhe sens, në morinë e mijëra ngjarjeve dhe zhvillimeve të familjes, ku ajo jetoi si vajzë dhe asaj që jetoi si bashkëshorte dhe nënë, të gjithë tharmin e personit, që me të drejtë është shndërruar në një njeri publik, që dëgjohej dhe vlerësohej.
Në historinë shqiptare, veçmas që nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në dekadën e tij të fundit, shqiptarëve iu është dashur të përballen me armikun e huaj dhe armikun e tyre të brendshëm, ç’ka e ka bërë të vështirë, por heroike, veprimtarinë e njerëzve atdhetarë dhe patriot. Pikërisht në dimensionin atdhetarë dhe patriotik shpaloset dhe jeta e nënës Demire Hudënishtit- Durollarit në këtë libër të mrekullueshëm.
Libri është interesat dhe për shkakun themelorë që një libër mëton dhe duhet të bëjë në këto raste, pasi autori ka arritur të kapë dhe t’i propozojë për lexuesin nyjet e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollari, në një përthyerje të motivuar mirë të zhvillimeve familjare të saj, por që kanë përkuar me zhvillime historiko- sociale të Shqipërisë dhe të kombit shqiptarë, ku familjari i mirë dhe prindi i mirë plotësonte dhe atdhetarin dhe patriotin e mirë, pra kemi të bëjmë me një simbiozë jo të zakonshme dhe as të rastësishme.
Kapja e zhvillimi i këtyre çështjeve, herë të dukshme dhe herë jo të dukshme, e bën librin për një nënë të tillë emblematik, serioz, e bën dëshmi dhe dokument të mirë për shumë gjëra të diskutueshme dhe të keq- përdorura për shumë kohë në Shqipëri.
2.Autori ka arritur t’i ndërtojë librit një bazament të fortë dhe të besueshëm, duke kuptuar vështirësitë që kanë zakonisht këto lloj librash. Jetën dhe veprimtarinë e një gruaje dhe nëne, një bashkëshorteje dhe luftëtareje, e ka referuar në raportet historiko- politike, duke e mbushur “koincidencën” e jetës së saj me ato zhvillime, përmes ngjarjeve të forta, të kushtëzuara dhe njohura për lexuesin shqiptarë.
Pavarësisht ngjarjeve historike, për të cilat shumëkush ka njohje e vet, në jetët njerëzore dhe përmes jetëve dhe ngjarjeve njerëzore ata marrin një dimension tjetër dhe më të besueshëm. Parë në këtë këndvështrim, përmes rrëfimit dhe veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollarit, Hudënishti, Pogradeci, Korça, Përmeti, Kolonja dhe ndonjë vend tjetër merr tjetër peshë dhe fiton tjetër njohje.
Po tjetër njohje merr e vërteta e luftës politike, luftës së papajtueshme ndër shqiptarët, të cilën e iniciuan dhe e shpallën komunistët pas prishjes së Mukjes dhe gjatë gjithë kohës tjetër, kur ata erdhën në pushtet. Kalvari jetësorë dhe aktiviteti i nënës Demire Hudënishti, e bën absolutisht të besueshme në të gjithë përmasën e vet atë luftë, prej të cilës mbetën mijëra njerëz të vrarë, dhjetëra mijëra njerëz të luftuar, po kaq më shumë mbetën të internuar dhe të degdisur nëpër burgjet e tmerrshme të diktaturës.
Nënëmadhja Demire Hudënishti- Durollari ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për ta sfiduar diktaturën. Sfida e një nëne të tillë, nuk shpjegon vetëm cilësitë e saj, por dhe mizorinë në të cilën është gjendur ajo në Shqipëri. Pra, Ramiz Lushaj ka arritur të na sjellë një tjetër dimension dhe një tjetër prerje informuese për një nga kohën më emblematike dhe më të debatueshme nga historiografia dhe opinioni shqiptarë, atë të luftës më të pashembullt të partisë– shtet kundër njerëzve të vet.
3.Përmes një leximi analitik, libri që i kushtohet nënëmadhes Demire Hudënishti- Durollari, kupton se autori ka arritur të depërtojë në thelbin e çështjeve të sakrificës, kombit dhe individit, duke afruar një qasje serioze për dimensionin e vërtetë të patriotizmit njerëzorë.
Nënëmadhja Demire Hudënishti –Durollari ka “qerthulluar” dhe mbajtur në këmbë katër breza të familjes së saj, duke qenë njeriu më i rëndësishëm i saj. Në dëgjimet fëminore dhe me sytë fëminorë, ajo ka parë dhe ka dëgjuar burrat luftëtarë të derës së prindërve, pastaj ka përjetuar shku- ardhjet e njerëzve të dëgjuar të historisë dhe të dijes, ka prekur nga afër dhe ka qenë në një miqësi të përhershme me familjen mbretërore në të gjithë dimensionet e saj, kur ka qenë nënë ka parë bashkëshortin e vrarë nga fashistët dhe ka ndjerë peshën e jetës totale mbi supe, ka bërë detyrën më të ndershme njerëzore duke shpëtuar jetën e 6 të huajve të zënë robër nga fashistët, që kërkoheshin të vriteshin nga pushtuesi, ka guxuar të bëjë një zgjedhje të vështirë por të guximshme duke mbështetur dhe duke qenë përherë me partinë e Legalitet, një arsye serioze për t’u shpallur kulak dhe për të iu grabitur pasuria, ka guxuar dhe asnjëherë nuk ka hezituar për të qenë kundërshtare e komunizmit në Shqipëri, dhe kur jetonte në Shqipëri, dhe kur jetoi në SHBA.
Përmes një vështrimi dhe informimi të tillë, që libri i monografit Ramiz Lusha i sjell përmes një strukture rrëfimtare të ndrëtuar mirë dhe funksionalisht, historia e jetës dhe e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishti- Durollari është interesante. Jeta e saj eci nëpër rrjedhën e ngjarjeve të mëdha, nëpër të cilat ajo diti të triumfojë dhe të jetë protagoniste e tyre, duke qenë në të gjithë rastet nënë dhe veprimtare.
Është e vështirë të jesh nënë dhe veprimtare. Në vitin 1949, kjo nënë arriti ta sfidojë diktaturën, duke parashikuar në mënyrën më të qartë atë që do të vinte pas në Shqipëri. Komunistët i kishin sytë në gjak dhe ajo nuk e pranoi atë, e nënvleftësoi atë, e refuzoi atë dhe iku nga vendi, iku nga atdheu duke mbetur nënë përballë familjes dhe luftëtarëve, përballë atdheut, historisë dhe kombit. Atdheu i shkoi pas në mërgim, pasi ajo e mori me vete. E mori deri atje në Amerikën e largët me vete atdheun dhe ruajti atë siç ruhen gjërat e shenjta.
4. Nënat, motrat, gratë janë luftëtare të heshtura, janë heronjtë që rrinë në llogoren e thellë të sakrificës dhe dhimbjes njerëzore. Një luftëtarë i rënë në fushën e betejës prek lavdinë në këngë dhe emër, por një nënë, motër apo grua mbjell një dhimbje të thellë e të pamat në shpirtin e saj qëndrestar. Prandaj asaj i duhet të qëndrojë, siç qëndron ninulla nëpër kohë, siç qëndron atdhedashuria nëpër breza dhe këngë, siç qëndrojnë gurët e kalasë e muret e shtëpisë, siç qëndron lisi në shtrëngatë.
Një luftëtarë shkon në fushën e betejës dhe bën luftën, ndërsa nënat, gratë dhe motrat bëjnë atdheun. Ky konstatim i rëndësishëm e dimensionon të gjithë librin, që i është kushtuar nënës Demire Hudënishti- Durollari. E gjendur në vendin e lirisë njerëzore, ajo vazhdoi të jetë udhëheqëse shpirtërore e familjes dhe mishëruese e njeriut shqiptarë me cilësitë më të mira të trashëguara që nga e drejta zakonore shqiptare e deri në ditët tona. Kudo ajo shkoi qe dhe mbeti një mësuese e gjuhës shqipe dhe një figurë burrërore e kombit në emigracion.
Ramiz Lushaj e ka bërë të besueshëm portretin e saj, sepse ajo ngjante dhe ishte si një atdhe që ecën. Ajo qe mërgimtarja e parë që preku atdheun e saj nga mërgimi sapo diktatura ra në Shqipëri. Gjithë jetën kishte qenë dhe mbeti një luftëtare e lirisë njerëzore. Njëqind e pesëmbëdhjetë vjet e dyqind e njëzetë e katër ditë jetë, duken si një sfidë dhe qëndresë përballë të keqes. Ajo jetoi gjatë dhe ndoshta iu lut zotit të jetonte gjatë për ta parë Shqipërinë e saj pa diktatorë dhe pa kriminelë. Dhe e preku atë ditë të shënuar. Ajo dhe qëndresa plotësuan njëra- tjetrën. Monografisti i njohur Ramiz Lushaj, e mundësoi këtë histori dhe jetë njerëzore ta njohim të gjithë, për të cilën kemi nevojë të gjithë.
* Studiues/ Tiranë
Foto Mbreteresha Geraldina e Shqipareve, Nenemadhe Demire Durollari e djali i saj Guri Durollari.

Filed Under: ESSE Tagged With: Defrim Cani, FUQIA E NJERIUT TË URTË…, NËNËMADHE DEMIRE DUROLLARI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT