Fran GJOKA
-Recence për librin “Vajza e Manaferrave” të poetit Delo Isufi.
Kur flet shpirti, gjërat bëhen hyjnore dhe jeta të duket një magji, ku gjithçka lulëzon, gjallërohet dhe të falë gëzim. Zakonisht janë poetët ata që krijojnë situata të tilla, që ledhatojnë shpirtërat e njerëzve, që nxitin njeriun drejt zhvillimeve dhe pasqyrimit të ndjenjave të holla e delikate, që lëvizin bashkë me gjakun dhe krijojnë frymëzime dhe mendime të guximshme për jetën. Këto ndjesi i fitojmë edhe duke lexuar libra të mirë poetikë, të frymëzuar, që na emocionojnë thellë dhe na bëjnë më aktivë në veprimet tona. Ndjesi të tilla krijova edhe unë gjatë leximit të vëllimit poetik “Vajza e Manaferrave”, të poetit Delo Isufi. Është një libër që lexohet me një frymë dhe, pasi e mbaron, ndihesh i mbushur me më shumë dashuri për jetën, për stinën e bukur të pranverës, për mirësinë dhe dashurinë, për marrëdhëniet mes njerëzve, harmoninë dhe ecjen më të sigurtë në jetë, secili në drejtimin, pasionin dhe frymëzimin e tij. Siç shprehet në një artikull kushtuar këtij poeti, shkrimtari i njohur Viron Kona: “Shpirti krijues i Delos Isufit është i lidhur ngushtë dhe i dashuruar me hapësirat e gjera e ku, veçmas, ai ka përjetuar e dashuruar hapësirën e paanë qiellore, qysh atëherë, kur mjaft i ri në moshë pilotonte avionët supersonikë, ditën dhe natën, e ku bashkudhëtarë e shokë të pandarë kishte hënën vezulluese dhe yjet e ndritshëm…” . Autori nuk sjell personazhe të nominuar në poezitë e tij, por ai sjellë “muzikën” e tigullimtë të vargut, harmoninë unifikuese të dashurisë. Ai dashuron me pasion, nuk i trembet dashurisë dhe forcës së saj sublime, sepse prej saj edhe vet jeta gjallërohet dhe fiton impulse, nxitje e ritme të reja e të vazhdueshme. Lexuesi i vëmendshëm gjen pozitivitet në çdo poezi të Delo Isufit, gjen mrekullinë e ëndërruar, gjen joshjen, pasionin, gjen dritën që ndriçon brenda shpirtit.
“Bashkë kaluam këtë natë, / Zjarr e prush i mbuluam, / s’kish nevojë për dritë e flakë, / Me puthje qiellin ndriçuam…”.
Poeti Delo Isufi
Delo Isufi të përfshin si pakuptuar në melodinë e poezive krejt natyrshëm, saqë, kur fillon t`i lexosh ndjen dëshirën e brendshme t`i recitosh, madje t`i këndosh ato vargje që të falin frymëzim, freski, ngjyrime dhe dritë. Libri e ka si një specifikë të vetën ndezjen e ndjenjave të dashurisë, “punët” dhe “lojërat” e shpirtit e të zemrave dashurore, përjetimet e thella që zgjon dashuria. Ndihet në këtë libër poetik edhe forca e brendshme shpërthyese, që e bënë të magjishme poezinë, metafora, mbretëresha e figurave aristike, e, krahas saj, vargjet sjellin te lexuesi bukurinë e krahasimeve mbresëlënëse, metonimive, simboleve, epiteteve, si dhe një kanistër plot me figura të tjera poetike, që e bëjnë vëllimin krejt origjinal: “Pritmë, mike, në pranverë, / T`jesh e bindur, aty jam, / Do të sjell lule me erë, / do t’i mbjell në fustan.”
Fuqishëm shfaqet ndjenja e zjarrtë e dashurisë edhe te vjersha “Mall për miken”, ku vargjet duken sikur shkrihen me hapësirën dhe vijnë te lexuesi të stolisuar plot shije dhe bukuri: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin patkonjtë,/Tek jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë…
Sigurisht që nuk mund të mos krijosh dhe të mos tërhiqesh drejt një “mikrobote” përjetimesh e ndjenjash të bukura, kur të rrëmbejnë poezi kaq të këndshme, të cilat sikur hedhin valle në përfytyrimet e tua si lexues dhe shpalosin para teje peizazhe të mbushura me cicërima, me “muzikë” burimesh e përrenjsh, me gjelbërim, me freski e me gurgullimë shpirti. Kështu, me ngjyrime, vjen poezia “Piktorja”, ku lirizmi pikon në shpirtin e poetit dhe ai shkruan: “Vajzën piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin në sy.”
Poeti është kundër tipareve të këqija njerëzore, që shajnë, poshtërojnë, që mezi presin t’i shpallin armiq njerëzit, që mendojnë ndryshe, apo ata ekzemplarë që, iu bën të mira dhe në fund të “shpërblejnë” me mosmirënjohje etj., fenomene negative këto, të njohura në marrëdhëniet dhe botën e rëndomtë, e me të cilat autori nuk pajtohet kurrë.
Libri ka ritëm, çdo poezi sikur është ndërtuar si një kulm më vete, secila është, herë një bisk pranveror, herë një gonxhe e sapoçelur, herë një trëndafil që spërkat me aromë natyrën, duke iu gëzuar rrezeve të ëmbla dhe të ngrohta të diellit apo dritës së Hënës dhe yjeve të ndritshëm. Besnik në erotikën e tij, Deloja shpalos vazhdimisht dashurinë dhe respektin për krijimtarinë popullore, ndërkohë që vargjet e tij frymëzojnë respekt dhe dashuri për perlat e poezive tona popullore. Te poezia “Poetja këngëtare”, ai derdh vargjet: “Një indiane e nisi këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/Në gjuhën tonë perëndie,/ “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër dashurie.”
Poeti Isufi, nuk lë mënjanë “burimin” e dashurive të mëdha në jetë, figurën madhështore të nënës, duke e imnizuar figurën e saj të shtrenjtë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. “Unë nuk dua asgjë tjetër, / Veç t’më thuash: -Si je nënë? / Se jam ligur, se jam tretur, / Veç t’më thuash: – Si ke qenë? Se jam nënë e mbetëm nënë!”
Për Delo Isufin janë shprehur shumë krijues, mes të cilëve Viron Kona, Agim Bajrami, Kadri Tarelli, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka etj., dhe, të gjithë kanë shkruar me respekt dhe entuziazëm për krijimtarinë e këtij poeti. Me ata bashkoj edhe unë mendimin, duke vlerësuar te Deloja veçanërisht gjuhën e zemrës dhe të shpirti të tij të bukur, botën e tij të pasur me ndjenja, sinqeritetin, simpatinë dhe dëshirën për harmoni në jetën mes njerëzve dhe natyrës.
Leximi librit poetik “Vajza e Manaferrave” të frymëzon, të sjell paqe, qetësi shpirti dhe freski, ai nxit emancipim dhe dashuri, por edhe na nxit kureshtjen të hulumtojmë pak më shumë edhe për poetin Delo Isufi, për jetën dhe përvojat e tij, për vëllimet e tjera poetike që ai ka shkruar e botuar: Mësojmë se Deloja Delo ka lindur në fshatin Brataj të Vlorës, më 15 korrik të vitit 1944. Pasi mbaroi arsimin e mesëm, ndoqi studimet në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, ku u diplomua “Pilot Gjuajtës Bombardues”. Vitet e para si pilot shërbeu pedagog për fluturimin në Akademi, ku mësoi pilotë të ardhshëm në teori dhe praktikë fluturimi. Fluturoi në të gjitha kushtet e kohës dhe të motit, në re, natën, në muzg e agim për 26 vite me aeroplan luftarak rekativ mbizanor, deri në vitin 1992 me detyrën zv.komandant regjimenti apo kopmandant i fluturimeve, me gradën kolonel. Në vitin 1974 mbaroi edhe Fakultetin e Shkencave politike juridike, dega Drejtësi, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua Jurist. Prej vitit 1992 e në vazhdim punon avokat. Nga viti 2002 e deri në vitin 2006, ka qënë Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, në periudhën e fundit, edhe Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, tani avokat privat.
Deloja ka botuar shtatë libra: Një novelë: “Ndiej tek ikën”, 2008 dhe gjashtë vëllime poetike, që janë: “Magjia e syve”, 1998, “Lulet e zemrës”, 2003, “Kur lahet hëna”, 2006, “Ëndërr e grisur”, 2012, “Tavolina e rezervuar”, 2016, “Vajza e manaferrave”, 2019. Ndërkaq, Delo Isufi ka shqipëruar shumë poezi nga gjuhët Angleze, Ruse e Frënge. Si poet, ka marrë pjesë dy herë në një festival të poetëve nga mbarë bota në Indi. Për tre vite me radhë, poezitë e tij janë botuar në Antologjinë Poetike Internacionale Shumëgjuhëse të Shtetit Andhra Pradesh, Indi.
Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me vlerësimin poetik, që i bënë poezive të Delo Isufit, redaktori i librave të tij, shkrimtari Viron Kona, i cili vë në dukje se: “Kur shkruan poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e tij të bukur.”