Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */
Në fillim të pandemisë, shumë pak ekspertë menduan se bota do të kishte një vaksinë efikase kundër Covid-19. Në fakt, sot kemi disa vaksina, dhe më shumë se 3 miliardë doza të shpërndara tashmë në të gjithë botën. Edhe pas pesëmbëdhjetë muajsh që Koronavirusi shkaktoi një mbyllje globale, pandemia është ende e ndezur në shumë pjesë të botës. Në të njëjtën kohë, Koronavirusi ka evoluar në variante super të transmetueshme që përhapen më lehtë se versioni origjinal i tij. Përplasja midis këtyre ndryshorëve do të përcaktojë qasjen e pandemisë në muajt dhe sezonet e ardhshme, sidomos për vendet e pavaksinuara ose me vaksinim të ulët në të gjithë botën. Këtu, pra, janë tre parime të thjeshta për të kuptuar se si ato ndërveprojnë. Me paralajmërime dhe nuanca, së bashku, ato mund të shërbejnë si një udhëzues për manaxhimin e kësaj pandemije globale dhe të ardhmen tonë të afërt.
DELTA, VARIANTI MË I TRANSMETUESHËM I SARS-COV-2
Një gjë është e qartë: Koronavirusi po bëhet më i transmetueshëm nga dita në ditë. Që nga fillimi, kur virusi u shfaq në Kinë, ai ka pësuar mutacione që e ndihmojnë atë të përhapet më lehtë mes njerëzve. Varianti Alpha, i zbuluar për herë të parë në Britani të Madhe vitin e kaluar, është 50 përqind më i transmetueshëm se versioni origjinal, dhe tani varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi dhjetorin e kaluar, është të paktën 50 përqind më i transmetueshëm se sa varianti Alpha. Koronavirusët, si të gjithë viruset, fitojnë mutacione në kodin e tyre gjenetik ndërsa kopjohen gjatë replikimit të tyre mbrënda qelizava tona, dhe SARS-CoV-2 nuk bën përjashtim. Kurdoherë kur një virus infekton një mbartës te tij të ri, ai bën kopje të vetvetes, me ndryshime të vogla gjenetike – mutacione – që dallojnë viruset e reja nga “prindërit” e tyre. Shumë nga këto mutacione nuk kanë aspak ndikim në qasjen e mëtejshme të virusit. Por disa mund të ndryshojnë strukturën ose funksionin e virusit. Identifikimi i ndryshimeve në sekuencën gjenetike të një virusi është relativisht e thjeshtë. Të kuptosh se si ato ndryshime ndikojnë në mënyrën e përhapjes së një virusi nuk është aq e thjeshtë. Për shkencëtarët, proteina gjemb që rrethon Koronavirusin, e cila ndihmon virusin të hyjë në qelizat tona, është një vend i mirë për të filluar të shohim këto ndryshime.
ALPHA DHE DELTA, A JANË TË RREZIKUAR NJERËZIT QË JANË VAKSINUAR?
Ndërsa një epidemi zgjerohet, zgjerohet edhe diapazoni i mutacioneve dhe viruseve që mbajnë avantazhe që i lejojnë ata, për shembull, të përhapen më lehtë ose të kalojnë sistemin imunitar për të tejkaluar paraardhësit e tyre standardë. Kështu kemi marrë variante super të transmetueshme si Alpha dhe Delta. Dhe, ndërsa virusi “rrotullohet” ai krijon mënyra që përfundimisht ne mund të përballemi me variante që mund të infektojnë edhe njerëz të vaksinuar. Pra, të bëjnë vaksinën, për të cilën shkenctarët kanë punuar kaq shumë, jo efikase ndaj tij! Mutacionet që ndihmojnë virusin të lidhet më fort me qelizat tona mund ta bëjnë më të lehtë transmetimin e tij nga një person te tjetri. Imagjinoni sikur merrni frymë dhe në një pikël që përmban SARS-CoV-2 të përmbajë viruse me aftësi lidhëse më të forta, ato do të jenë më efikase në gjetjen dhe infektimin e qelizave tona. Ndërsa nuk është e ditur ende se sa grimca të SARS-CoV-2 duhet të thithën për t’u infektuar, e dimë se pragu ka të ngjarë të jetë shume më i ulët për një virus që është më i mirë në kapjen e qelizave tona. Prandaj, ku variant i virusit dhe dominon.
VARIANTET E REJA TË SARS-COV-2 RREZIKOJNË TË PAVAKSINUARIT
Njerëzit e vaksinuar janë më të sigurtë se kurrë, pavarësisht nga variantet, përfshirë këtu dhe variantin Delta. Por njerëzit e pavaksinuar janë në rrezik më shumë se kurrë për shkak të këtyre varianteve. Edhe pse ata do të fitojnë një farë mbrojtje nga imuniteti i të tjerëve, ata gjithashtu priren të grumbullohen shoqërisht dhe gjeografikisht, duke mbjellë shpërthime edhe brenda komuniteteve shumë të vaksinuara. Lajmi i mirë është se vaksinimi ofron mbrojtje të fortë kundër variantit Delta. Studimet e reja tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech ishte 88 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta në njerëz plotësisht të vaksinuar. Vaksina AstraZeneca siguroi pak më pak mbrojtje. Dy doza ishin 60 përqind të efektshme kundër variantit. Efikasiteti i një doze të secilës vaksinë, megjithatë, ishte shumë më i ulët – vetëm 33 përqind. Një lajm akoma më i mirë është se ne nuk jemi aq të prekshëm sa ishim në fillim të pandemisë. Vaksinat induktojnë një shumëllojshmëri të antitrupave mbrojtës dhe qelizave imune. Këto mbrojtje gjithashtu ndryshojnë nga personi në person, kështu që edhe nëse një virus i shmanget grupit mbrojtës të një personi, ai mund të ndalet kur hidhet në një mbartës të ri. Nuk kemi arsye për të besuar se do të ketë papritmas një variant që shfaqet dhe shmang gjithçka, dhe papritmas vaksinat kundër Koronavirusit të jenë të padobishme. Por sa më shumë zgjat, dhe më shumë virusi “rrotullohet”, për çdo ndryshim hap-pa-hapi të virusit, një farë mbrojtje humbet tek individët. Për këtë arsye, peshën kryesore të transmetueshmërisë së varianteve të reja do ta mbajnë personat e pa vaksinuar.
NDIKIMI I VARIANTEVE TË SARS-COV-2 NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS DHE NË BOTË
Me ritmet e vaksinimit në rritje, transmetueshmëria e shtuar e virusit nuk do të ndikojë në ecurinë e pandemisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.). E pamë se variantiti Alpha që nxiti shqetësime rreth një rritjeje gjatë muajve të pranverës, në fakt nuk rezultoi një rritje masive infektimesh. Përqindja e rasteve Alpha vazhdoi të rritet, por numri i përgjithshëm i infeksionëve vazhdoi të ulet. Megjithëse se Alpha u bë dominante në Sh.B.A. dhe virusi ishte bërë më i transmetueshëm biologjikisht, ai nuk po transmetohej tek me shumë njerëz. Kjo është ajo që ne presim dhe për variantin e ri Delta. Çelësi për kontrollimin e kësaj, si dhe të gjitha varianteve të njohura deri më tani ka qenë dhe do vazhdojë të jetë: sa më shumë njerëz të vaksinuar. Globalisht, më shumë njerëz kanë vdekur nga Koronavirusi në gjysmën e parë të këtij viti sesa në të gjithë vitin e kaluar – një fakt i rëndë, duke pasur parasysh daljen e vaksinave në fund të vitit të kaluar. E vërteta tragjike është se, për pjesën më të madhe të botës, vaksinat dhe mund të mos ekzistojnë. Tre të katërtat e vaksinave Covid janë administruar në vetëm dhjetë vënde të botës, ndërsa vëndet më të varfra kanë marrë më pak se gjysmën e një përqind të furnizimit, duke treguar një pabarazi të madhe. Në SH.B.A. rreth 50 përqind e popullsisë janë plotësisht e vaksinuar. Në Indi, ku virusi u “ushqye” pjesërisht nga përhapja e shpejtë e variantit Delta gjatë muajve të fundit, vetëm 3.3 përqind e popullsisë ka arritur vaksinimin e plotë. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të dhurojnë gjysmë miliardë doza në përpjekjen globale të vaksinimit; shpresojnë të japë dyqind milion deri në fund të vitit. Britania e Madhe dhe vendet e tjera evropiane kanë dhuruar gjithashtu qindra miliona doza në vendet më të varfra. Këto përpjekje janë të rëndësishme dhe do të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë – por jo për disa muaj, dhe ndoshta deri në vitin 2022. Ndërkohë, shumë vende do të vazhdojnë të përballen me sfidat sociale dhe ekonomike të krijuara nga valët e krijuara nga variantet e reja dhe masat e shëndetit publik për të ndaluar këto valë të reja. Edhe atje ku ekziston vullneti politik për vazhdimin e masave të tilla, ai nuk është i pafund; vendet nuk mund të qëndrojnë në bllokim përgjithmonë.
DELTA ËSHTË VARIANTI I PARË I PERIUDHËS SË PAS VAKSINIMIT
Në një kuptim, mund të themi se Delta është varianti i parë i periudhës së pas-vaksinimit. Një pjesë e njerëzimit, mbase gjashtëqind milion njerëz nga 7,6 miliardë njerëz, janë kryesisht të mbrojtur kundër tij, megjithë transmetueshmërinë e tij të lartë. Për ta, kapitulli më i ri i pandemisë është diçka si një epilog, pasi historia kryesore për ta, në fakt, tashmë ka përfunduar. SH.B.A të paktën ka një furnizim të mirë të vaksinave për të mbushur ato boshllëqe nëse është e nevojshme. Në vendet pa doza të mjaftueshme për ta ndaluar atë, varianti Delta paralajmëron shumë më tepër telashe për popullsinë e tyre. Në disa mënyra, është një luks të thuash që efektet e tanishme të Delta-s në SH.B.A janë të paparashikueshme. Por, për ata që mbeten të pavaksinuar, me zgjedhje ose nga mungesa e vaksinave, Delta përfaqëson sfidën më të fundit në një seri betejash në vazhdim. Në një botë pjesërisht të vaksinuar ose të pavaksinuar, varianti Delta do të vazhdojë t’i ekspozojë ata ndaj rreziqeve të rritura për t’iu nënshtruar Covid-19.
* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës –VATRA.