NGA ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori është dita më veçantë në historinë moderne të Shqipërisë. Për disa, ajo është dita e çlirimit, për të tjerë – dita robërisë; për disa, ajo është dita e përfundimit të luftës me fitore të nacionalçlirimtares, për të tjerët – dita e fillimit të tiranisë komuniste. Për mua, më shumë nga të gjitha, 29 Nëntori është dita e ndarjes dhe e përçarjes së dhunshme të popullit shqiptar, ndarje dhe përçarje që vazhdojnë edhe sot dhe nuk dihet se sa do të zgjasin. Komunizmi iku së bashku me terrorin e tij, ndarja dhe përçarja mbetën.
Deri në fillim të viteve 1940, populli shqiptar ka qenë një dhe brenda tij nuk ka pasur grindje apo armiqësi. Ka pasur grindje dhe armiqësi midis elitave politike, por jo midis vetë popullit. Ideologjia e tij deri në këtë kohë ka qenë ideologjia kombëtare. Elitat e popullit kishin dallime e mosmarrëveshje për mënyrat dhe rrugët që do të duhej të ndiqeshin për të realizuar sa më mirë çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, por ato nuk ishin armike për vdekje të njëra tjetrës. Pas kësaj kohe, në skenë u fut komunizmi, komunizmi i ideologjisë se internacionalizmit, i cili më shumë se miqësinë me popujt e tjerë, pati kujdes ndarjen dhe futjen e armiqësisë brenda popullit të vet. Komunizmi futi në Shqipëri farën e përçarjes. Ai e ndau këtë popull, në një anë në komunistë, dhe, në anën tjetër, në jo komunistë dhe antikomunistë: në “ne” dhe “ata”. Grindjet dhe ndarjet tashti kaluan nga elitat, te populli: brenda fisit, brenda familjes, duke krijuar në këtë mënyrë ndarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ndarje që u shoqërua me armiqësi dhe tragjedi të panumërta, ndarje që vazhdon edhe sot, ndonëse e pa shoqëruar me tragjedi si më parë.
Ishte fillimi i viteve 90, kur sapo ishin liruar të burgosurit dhe të internuarit politikë. Së bashku me disa shokë, shkuam për vizitë te një shok tjetër, familja e të cilit ishte komuniste e flaktë. Në dhomën e bukur e të mirë ku na pritën, krahas njerëzve të familjes, të veshur e të mbajtur shumë mirë, binte në sy edhe një person tjetër që stononte ndaj atij ambienti: dukej i heshtur, i dobët, i tharë, i nxirë, i veshur keq, me një kasketë të vjetër në kokë. Të jepte përshtypjen se kishte hequr keq. Atë e kishin ulur në një kolltuk në krye të dhomës dhe një nga gratë e shtëpisë i mbante gjithë dashuri dorën. “E shihni këtë – na u drejtua neve – ky është dajoja. Sapo e kanë liruar nga internimi. Nuk e njihnim fare, s’e kishim parë kurrë. Ah, ç’na bëri ai Enver Hoxha! Na ndau nga njerëzit, nga njerëzit e dashur, nga njerëzit e afërm. Dajo, – i drejtohej atij që e quante dajo – je rehat, hë, shtriji këmbët, mirë je? Ah mor Enver Hoxha ç’ na bëre, na ndave nga njerëzit!” – përsëriste. Nuk di se sa zgjati ai qëndrim dashamirës ndaj “dajos”, por, me siguri, jo gjatë. Kur u pa që “dajoja” me shokë, ata që u liruan nga burgjet dhe internimet, jo vetëm që nuk patën ndonjë zë të fortë në Shqipërinë e ardhme, por as ndonjë zë të mekur, u abandonuan si më parë.
Trishtohemi dhe njëkohësisht edhe çuditemi kur mësojmë se në Indi shoqëria ishte e ndarë në kasta në formë hierarkike dhe se ekzistonte edhe një grup që ndodhej jashtë kastave, që quhej grupi i të paprekshmëve, i cili shfrytëzohej, shtypej e përbuzej, që prej kohësh që s’mbaheshin mend, nga pjesa tjetër e shoqërisë, nga shoqëria e kastave. Por, nuk na ka shkuar mendje se edhe ne në Shqipëri gjatë komunizmit kemi jetuar në një sistem apo në një shoqëri të ndarë në kasta apo, ç’është e njëjta gjë, në klasa që ishin më të theksuara e më të kundërta se ato që qenë vendosur në Indi; se edhe ne kemi pasur një klasë shumë të ngjashme me të paprekshmit indianë, madje edhe më të mjerë, edhe më të shtypur, edhe më fatkeqe, edhe më të persekutuar se ajo: “klasën e të deklasuarve”.
Ai që ka pak njohuri nga shoqëria indiane, e di se ajo shoqëri ka qenë e ndarë në kasta të vendosura në formë piramidale me në krye brahminët të cilët pasoheshin nga kshatriat, vaishnavat dhe, në fund sudrat. Pas tyre vinin ata që nuk futeshin në asnjë kastë, ata që ishin lënë jashtë kastave, të paprekshmit. Në ngjashmëri me kastat indiane edhe shoqëria shqiptare kishte brahminët e saj, ata që quheshin udhëheqja e lartë e partisë dhe pushtetit; kishte kshatriat e saj – komunistët e ndryshëm dhe rrethet e tyre që drejtonin në nivele më të ulëta; kishte vaishnavat e saj – intelektualët e ndryshëm, ata që quheshin kuadro, apo monopol i partisë; kishte sudrat e saj – punonjësit dhe punëtorët e zakonshëm dhe, në fund, shoqëria shqiptare, kishte edhe të paprekshmit e saj, të deklasuarit – ata që nuk hynin në asnjë klasë, ata që ishin jashtë klasave. Këta ishin ata që komunizmi i përcaktonte si reaksionarë, si të prekur, si kulakë, si me biografi të keqe, si armiq të partisë, si armiq të popullit, si kriminelë lufte, si sabotatorë të pushtetit popullor, ishin ata që nuk përfitonin triskën e frontit: atë triskë që po të mos e kishe, të pinte e zeza dhe, po ta kishe, nuk të hynte në punë. Këta, çfarëdo që të bënin, sado që të punonin, sado ndershmëri të tregonin, sado zgjuarsi dhe kulturë që të kishin, nuk e përmirësonin dot biografinë e tyre, gjendjen e tyre. Ata lindnin si të deklasuar dhe vdisnin si të deklasuar.
Pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit, komunistët, të pajisur me forcën që u a jepte totalitarizmi tiranik dhe pozicioni i fitimtarit, iu kthyen kundërshtarëve të tyre të luftës si dhe të gjithë të tjerëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë të paqes: nacionalistëve, intelektualëve, tregtarëve, demokratëve, klerikëve, të cilët i kthyen në pre të sadizmit të tyre. Me kundërshtarët fillestarë të regjimit që u shpëtuan vrasjeve dhe me pasardhësit e tyre, u krijua bërthama e grupimit të ri, e klasës së re, e klasës së të deklasuarve, tek e cila do të shfrynte të gjithë sadizmin e tij komunizmi shqiptar.
Komunizmi shqiptar, që erdhi në pushtet me parullën e zhdukjes së klasave, me parullën e krijimit të një shoqërie të lirë e pa klasa, krijoi klasat e veta dhe, ç’është më e keqja, i vuri ato të luftonin me njëra-tjetrën.
Të paprekshmit indianë ishin ata që ishin dhe në grupin e tyre nuk mund të kalonin persona nga kastat e tjera, ata nuk mund të shtoheshin nga jashtë me të gjallë; në të paprekshmit shqiptarë, në të deklasuarit shqiptarë, kalonin vazhdimisht persona, familje dhe fise nga klasat e tjera që e zmadhonin dhe e zmadhonin pambarimisht atë klasë.
Nga shteti indian nuk bëhej ndonjë luftë kundër të paprekshmëve indianë, madje, nga një pjesë e popullsisë nuk kishte as përbuzje ndaj tyre, përkundrazi mund të shprehej edhe njëfarë keqardhjeje për të ta, por për të deklasuarit shqiptarë nuk mund të shprehej asnjë keqardhje. Mbi ta binte e gjithë ligësia e shtetit të komunist dhe e servilëve të tij. Mbi ta binte e gjithë propaganda e regjimit komunist, e gjithë shtazëria dhe urrejtja e sigurimit, e policisë, e hetuesisë dhe gjykatave të kohës, e gjithë vepra e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.
Për çudi, sistemi që pretendonte se do të ndërtonte shoqërinë pa klasa, shoqërinë e të barabartëve, shoqërinë e mos shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, madje të trajtimit të njeriut si “kapitalin më të çmuar”, u bë sistemi që krijoi klasat më të ndara në histori, që krijoi shoqërinë e të ndryshmëve, shoqërinë që u ndërsye e gjitha të luftonte, të shfrytëzonte dhe të poshtëronte në maksimum klasën e deklasuar.
Regjimi komunist jo vetëm që krijoi klasat apo kastat, por i vuri ato edhe në luftë më njëra-tjetrën; ai krijoi luftën e klasave që ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës civile në kushte paqeje. Për atë regjim lufta e klasave ishte “forca lëvizëse e shoqërisë”, një luftë që përbënte veprimin më diabolik të komunizmit. Lufta e klasave zhvillohej në mënyra nga më të ndryshmet dhe objektivi kryesor i saj ishte goditja e vazhdueshme dhe e fuqishme e atyre që nuk konsideroheshin si përkrahës të regjimit, apo që konsideroheshin si kundërshtarë të tij, goditje që kryhej nga të gjitha klasat e tjera, por që viheshin në lëvizje dhe ndërseheshin nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste dhe e shtetit komunist. Ai regjim kishte krijuar një gjendje të tillë që të deklasuarve shqiptarë nuk mund t’u afroheshe, nuk mund t’u flisje, nuk mund t’u merrje vajzën apo djalin për nuse apo për dhëndër, nuk mund të shkëmbeje vizita, nuk mund t’i kishe në rrethin tënd, nuk mund t’i ftoje në gëzime a hidhërime familjare, sepse jo vetëm të “ndotnin”, si të paprekshmit indianë, por të kthenin edhe ty në të paprekshëm, në të deklasuar. Kjo kategori njerëzish, jo vetëm që detyrohej të bënte punët më të ulëta e më të rënda, por bënte edhe punët më të rrezikshme. Ajo punonte për hapje tunelesh, për tharje kënetash, për ndërtime tarracash bujqësore, për nxjerrje mineralesh etj. Në qoftë se u bënë disa ndërtime në kohën e komunizmit, dhe në të vërtetë u bënë, të paprekshmit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të punës në to.
Kur dy persona akuzoheshin për të njëjtin faj, ai me biografi jo të mirë, i deklasuari, do të dënohesh gjithnjë shumë herë më rëndë se tjetri që ishte me biografi më të mirë, se ai që qe “i yni.” Për të njëjtën punë, shpërblehej shumë më shumë “i yni” se “ai tjetri”.
Në qendrën time të punës, u ndërtua nga vetë punonjësit e tij një ndërtesë banimi ku do të strehoheshin kryesisht punonjës që ishin me kushte të vështira banimi dhe që do të punonin për ndërtimin e tij. Kur pallati u ndërtua dhe erdhi puna për ndarjen e apartamenteve, u tha se si kriter për ndarjen e tyre do të ishte masa e punës së kryer nga secili. Njërit prej atyre që kishte punuar sa dhjetë të tjerë, iu dha apartamenti më i keq. Ai u ngrit në mbledhjen që u bë për ndarjen e pallatit dhe tha se atij, për shkak të punës së madhe që kishte bërë, punë që e dinin të gjithë dhe nuk e vinte në dyshim askush, i takonte një apartament më i mirë se ai që i caktoi drejtoria dhe organizata bazë e partisë. Por, për fatin e tij të keq, ai qe i afërt me kastën e të paprekshmëve, kështu që drejtori u ngrit e i tha “Ty nuk të takon apartament tjetër. Biografia tënde nuk është e mirë!” I mjeri punonjës kuptoi se me pretendimin që paraqiti ishte rrezik të humbiste jo vetëm apartamentin që i dhanë, por edhe punën. Kështu, i dëshpëruar, u ul pa e zgjatur. Njeriu me “biografi të keqe,” i paprekshmi, i deklasuari, shërbente vetëm për shfrytëzim dhe për përbuzje.
Dy klasa e kundërta: brahminët shqiptarë dhe të paprekshmit shqiptarë ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Brahminët kishin zonën e tyre të banimit, të ndarë nga pjesë të tjera banimesh dhe të mbrojtur me mure, me gardhe e me roje vigjilente që të shihnin me dyshim dhe me inat kur u kaloje pranë. Ata kishin shërbyes, kuzhinierë, dado për rritje të fëmijëve, makina, shoferë e truproje të shumta. Ata kishin vendet e tyre të pushimit. Ata kishin farmaci e klinika speciale mjekësore ku kuroheshin për urgjenca, se për sëmundje të tjera shkonin jashtë vendit. Ata kishin dyqanet e tyre të blerjes së ushqimeve dhe veshmbathjes.
Edhe të paprekshmit kishin vendet e tyre të banimit, getot e tyre, të ndara nga ato të të tjerëve. Ato ishin burgjet, kampet e internimit, kampet e punës, fshatra të caktuara enkas për ta, ishin kasollet a stallat, ishin bodrumet e shtëpive të tyre në katet e sipërme të të cilave banonin pjesëtarë të kastave më të larta. Ata nuk shkonin dot në shkolla të larta, në ushtri do të bënin pjesë në repartet e punës në të cilat ose do të punonin në bujqësi, ose në ndërtime tunelesh, duke punuar vazhdimisht në rrezikun e shpërthimit të minave. Shumë nga pjesëtarët e të paprekshmëve nuk kishin as varre, sepse vriteshin apo vdisnin nëpër burgje dhe burgu nuk ia jepte trupin e të vdekurit familjarëve të tij.
Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte se mësonin se kishte edhe më keq, se e keqja nuk kishte fund, se sado keq të ishe, kishte dhe një që ishte edhe më keq. Ata sikur e dinin urtësinë kineze që thoshte “Qahesha e ankohesha se nuk kisha këpucë, përderisa pash një që nuk kishte as këmbë.” Dhe, kjo i mbante disi gjallë.
Ndryshe nga të paprekshmit indianë, të paprekshmit e komunizmit shqiptar, të deklasuarit, as që mund të mendohej se mund të ngriheshin dhe të kërkonin trajtim të njëjtë me të tjerët. Ata ishin aq të shtypur e të frikësuar dhe regjimi ishte aq i gatshëm për të mbytur çfarëdo përpjekje për trajtim të barabartë, saqë as mund të mendohej që ndonjë prej tyre të kërkonte ndonjë të drejtë. Atyre as që duhej t’u shkonte nëpër mend se diçka mund të ndryshonte.
Të të kategorizonin si të deklasuar, si reaksionar, si të prekur, si me biografi të keqe, ishte fatkeqësia më e madhe. Ata pa skrupuj, ç’farë nuk bënin për të shpëtuar nga ai kategorizim. Në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue,” At Zef Pllumi tregon:
“Ndërsa punojshem ne lulishten e komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner dhe e ndjeva tue i thanë: ‘Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni…’ Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm, ndërsa armiku i pushtetit, marre e turp!”
Djali, megjithëse kishte kryer aktin e vjedhjes, aktin e dënuar që prej fillimit të botës nga të gjitha fetë, nuk e kishte “turpëruar dhe degraduar” familjen, ajo nuk do të kalonte në kategorinë e të deklasuarve, në kategorinë e atyre që do të vuanin gjithë jetën si armiq të regjimit!
Kur një nga bashkëshortët goditej si i paprekshëm, në një shumicë rastesh, bashkëshorti tjetër e divorconte në vend atë. Kur një person merrte pjesë në një film a shkruante një libër dhe më pas, për arsye të ndryshme, kalonte si i paprekshëm, filmi a libri ktheheshin automatikisht në të paprekshëm dhe hiqeshin nga qarkullimi. Kur një person arrestohesh dhe dënohesh për agjitacion e propagandë, për tentativë arratisje, apo për “krime” të tjera politike, e gjithë familja dhe fisi i tij deri në tre breza kthehesh automatikisht në të deklasuar. Kur dikush kthehesh befas në të deklasuar, të gjithë i largoheshin, të gjithë e mohonin, edhe njerëzit më të afërm, pa lë më kolegët e shokët.
Njëlloj si të paprekshmit në Indi që u ishin nënshtruar fatit, që nuk mund të dilnin nga gjendja e mjeruar, që e pranonin atë gjendje si një dënim që merrnin për një të kaluar jo të mirë të tyre në jetën paraardhëse, ashtu dhe të deklasuarit shqiptarë duhej ta pranonin gjendjen e tyre si ndëshkim për një punë jo të mirë të bërë nga prindërit e tyre, nga gjyshërit e tyre, nga pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, apo qoftë edhe nga kushërinj të afërt apo të largët.
Klasa e të deklasuarve shqiptarë u krijua, u mbajt dhe u shtua si pasojë e sadizmit komunist, për të shfrytëzuar një kategori njerëzish dhe për ta mbajtur atë kategori të shtypur, në mënyrë që të mos kishte mundësi ti shkonte mendja e të ngrihesh për të rrezikuar a rrëzuar komunizmin dhe komunistët, ajo u mbajt edhe si kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë të tjerët. Klasa e të deklasuarve u mbajt gjatë gjithë kohës larg të tjerëve, e mjeruar, e pamësuar, e pazhvilluar, e frikësuar. Qëndrimi për një kohë të gjatë i kësaj klase në këtë gjendje, pati efektet e veta. Nga ky shkak, ajo, edhe kur ranë brahminët si klasë dhe si ideologji, pra kur ra komunizmi, nuk qe në gjendje të kuptonte se ç’ndodhte, madje as që kishte dëshirë të kuptonte, mjafton të dëgjonte se si ish-brahminët, ish-komunistët fanatikë, tashti të “konvertuar” në miq të të paprekshmëve, kritikonin e nëmnin regjimin e tyre të mëparshëm më shumë nga ç’do të dinin t’i kritikonin e t’i nëmnin vetë ata. Të deklasuarit u habitën dhe u kënaqën me kaq dhe nuk kërkuan kurrë më shumë.
E gjithë ajo që ndodhi me atë klasë të mjerë nuk u dokumentua kurrë zyrtarisht. E vërteta e plotë nuk doli kurrë në shesh. Vetë ish-të deklasuarit si grup, apo si klasë, nuk u interesuan aq për të, sasa për të përfituar ndonjë copë nga pronat e shtetëzuara, apo ndonjë këst pagese për burgjet e kryera pa faj, nga ata që i mbajtën në atë gjendje për afro gjysmë shekulli. Përpjekje individuale për të dokumentuar atë që ndodhi pati nga disa idealistë, por përpjekje kolektive, apo zyrtare nuk pati kurrë. Njeriu transformohet kur mbi të ushtrohet vazhdimisht e për kohë të gjatë dhunë e gjithanshme degraduese fizike dhe psikike.
Nga të gjitha të këqijat e komunizmit shqiptar, krijimi i klasave dhe vënia e tyre në luftë me njëra tjetrën pra, lufta e klasave, ishte, ndofta, krimi më i rëndë në historinë e popullit shqiptar. Komunizmi e ndau Shqipërinë në atë kohë dhe ajo ndarje vazhdon gati njëlloj edhe sot. Komunizmi e la Shqipërinë mbrapa në atë kohë, duke e privuar nga një elitë intelektuale dhe morale dhe e lë atë mbrapa edhe sot nga mungesa e një elite të re që do të dilte nga elita e vjetër.
Nju Jork, nëntor 2014 Ilir Hashorva