Çdo vit, Shtetet e Bashkuara mbështesin me ndihma rreth 100 shtete në botë, që shkon miliarda dollarë. Sipas statistikave të bëra publike nga qeveria amerikane, këto iniciativa bëhen për të mbështetur paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik në botë dhe ndihmë humanitare gjatë kohëve të krizës. Administrata Obama i ka kërkuar Kongresit që për vitin 2017 të alokojë në total në mbarë botën 33.9 miliardë dollarë, me një rënie të lehtë të buxhetit, krahasuar me vitin 2016 që ishte 37.9 miliardë dollarë. Për Shqipërinë është parashikuar një fond ndihme prej rreth 14 milionë dollarësh, të cilat do alokohen për çështje të paqes dhe sigurisë, si dhe për garantimin e të drejtave njerëzore, demokracisë dhe qeverisjes. Duke parë historikun e viteve të mëparshme është shënuar një ulje e fondit (gjatë 2015 kishim 14.096 milionë dollarë; dhe në 2014-n 16.8 milionë dollarë). Një tjetër element që bie në sy është që për fondin e 2017, në ndryshim nga të gjithë vitet e mëparshme, nuk përfshihet arsyeja e zhvillimit ekonomik për ndihmesën e dhënë. Pjesa më e madhe e ndihmës jepet për shtetet e Lindjes së Mesme, por edhe ato në Afrikë dhe Amerikën Latine. {Sh.K}