• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dhembin degët e shqyera” të poetit Albert Habazaj

March 25, 2015 by dgreca

Vëllim me elegji të spikatura/
Nga Laureta Petoshati/
Kur më ra në dorë libri me poezi “Dhembin degët e shqyera”, m’u krijua ndjesia se kisha një libër me urtësi popullore të sinqerta dhe të vërteta deri në qelizë. Është një libër poetik, ku autori ka në vëmendje që me anë të vargjeve të bëjë një analizë historike dhe sociale. Ai nuk kërkon të zhytet thellë në shekuj, por ai zhytet thellë në mjedisin real bashkëkohor dhe të bashkëkohësve të tij. Në këtë libër ai lëvron një mori temash që si mozaik na japin mjedisin social të cilit i përket autori Albert Habazaj. Ai librin e fillon me poezinë kushtuar Vlorës të titulluar “Prelud për detin”, si simbol i dashurisë së tij për Vlorën, të cilës i kushton vargje siç thotë dhe vetë “vargjet për ty burojnë ujëvarë, / i vemë kurorë një gjethe ulliri”. Pra Vlora shihet si një perëndeshë, që për poetin përbën thelbin dhe tharmin e muzës së tij, por dhe të poetëve të tjerë si Fatos Arapi, që ai i ka për zemër, sepse Vlora është dashuria e tyre e përbashkët. Jo më kot ai këtë poezi e mbyll me emrin e tij, në vargjet me sfond metaforik: “Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!”
Duhet përmendur fakti se poezitë e vëllimit poetik “Dhembin degët e shqyera” janë të karakterit shoqëror dhe me dëshirë njohëse e respekt për njerëz të veçantë që përbëjnë familjen dhe shoqërinë e poetit. Me një brishtësi dhe shumë takt, ai i thur vargje shoqes së tij të jetës, Mejos për 50 vjetorin e lindjes, ku duket sikur bëhet një Lasgush i dytë, kur shpërthen në vargje lirike tepër të ngrohta e gurgulluese: “Nektari i puthjeve nga buza në buzë/ Si lëngu i shegës së çarë në tetor./ O gëzim, o fat, o dinjitet, o shpuzë,/ Mbretëritë në dorë!”
Po ta shikosh me vëmendje vëllimin poeti i këndon me dashuri shumë njerëzve, të cilëve u vë emra konkretë si për shembull poezia “Arkeologu i Poezisë” që i kushton Moikom Zeqos
në vend të kartolinës, për 60 vjetorin e lindjes, por ai i këndon pa me kaq patos edhe mjedisit, peizazhit, deri dhe gurëve. Kjo dukuri ndjehet fuqishëm te poezia “Marshi i Tërbaçit”, ku poeti kalon në dalldi poetike për një dashuri të pamasë për fshatin e lindes kur thotë: “Në – trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!”
Ka shumë poezi në këtë vëllim ku poeti Albert Habazaj u këndon jo vetëm vlerave demokratike dhe antifashiste, por mbi të gjitha atyre njerëzore dhe njerëzve që i bartën këto vlera si te poezitë “Malli për çlirimtarët”, “Kurora e Nderit”, etj. Ngaqë autori flet me emra të përveçëm, herë- herë i gjithë vëllimi poetik duket si një roman historik i shkruar në vargje për persona konkretë.
Krahas këtyre poeti Albert Habazaj ka thurur dhe disa poezi për përditshmërinë në vendin e tij, që në vetvete janë thelbi i një realiteti të dhembshëm, i përshkruar me tone të forta të një denoncimi social, por dhe një shpirtbutësi për të përvuajturit. Hera-herës në poezi të tilla si “Kombi dhe unë”, “Rilevim”, “Toga e lypsarëve dhe unë”, “Shqipëria sot”, etj, qëndrimi i poetit është denoncues, madje dhe ironik. Ka një ironi melankolike midis asaj që ndodh në realitet dhe asaj që ndodh në shpirtin e poetit. Kjo gjë shprehet fuqishëm te poezinë “Kombi dhe unë”, ku me anë të konotacionit thotë shprehimisht: “Ti, zotni fryhesh si bollë, / Unë – si zogu mbi cipal;/ Shihma kërcirin e hollë,/Si unë kombi është në hall!”
Ironia që karakterizon labin nuk ngelet me kaq në poezinë e Albert Habazaj. Ai ka raste që kalon në sarkazëm, ku kjo e fundit merr nota tepër të theksuara në poezinë “Unë dhe shteti” ku në mënyrë lakonike me sarkazëm dhe sinqeritet tregon marrëdhënien e shtetit me qytetarin e vet. që është vetë poeti: “Shteti im – çapaçul,/ Unë të dua, / ti ma ngul!”
Po me nota therëse me një denoncim social për ligësinë dhe njerëzit pa karakter është dhe poezia “Mostra”, e cila të sjell ndërmend poezitë e Nolit apo dhe të Ali Asllanit për nga notat e protestës dhe të sarkazmës. E kush nuk do të qeshte me përkufizimin që i bën njeriut “Mostër” Albert Habazi kur thotë se: “Të gjithë e dinin që ishte / Shok i ngushtë i Tartufit./ Të gjithë e dinin që ishte / Kushëri i parë i bufit…” Por ato që spikasin më shumë në këtë libër janë elegjitë. Duket se një vaj, një qarje e brendshme, shkruar me një delikatesë tregon bukurinë e kujtimeve personale si një rekuiem për të gjithë ata që nuk janë më në jetën tokësore. Thuhet se njeriu vdes vërtetë jo kur ai kalon në përmasën tjetër, por kur ai harrohet dhe nuk kujtohet kush për të. Ndërsa poeti Albert Habazaj i ka vendosur ata në vargje për ti sjellë si të gjallë pranë nesh, aq sa herë pas here të duket se po lexon ndonjë epos si ai i kreshnikëve. Duket sikur diellin e vargut të këtij eposi “shumë po ndrin ky diell e pak po nxeh” poeti Albert Habazaj e ka dhënë në mënyrë krejt origjinale në vargjet e poezisë “Mbi re diellon Teuta”, e cila është një elegji për zonjushën Teuta B. Shkurtaj: “Kisha kohë që kisha ikur,/prapë në parajsë u futa,/dielli m’u duk i mitur,/se diellonte Teuta.” Madje duket sikur kemi një varg dantesk, i cili bëhet më drithërues tek elegjia e dytë për po këtë vajzë nën titullin “Nëna qan vajzën e re” ku thotë se “do të të vinte nëna,/me pesë lekë të mbështjella /në fund të xhepit,/me një trike leshi të thurur/ syth më syth/me kokrrat e lotit.”
Është hera e parë në jetën time që lexoj një vëllim poetik me kaq shumë elegji që më duken si boroitje e mirëfilltë Labërie. Këtu mund të përmendim elegji të tilla si “Baladë për gjyshen”, “Baladë për Badenë”, “Elegji për një mik të mirë” kushtuar kujtimit të paharruar të intelektualit veprimtar Njazi Hamzaraj, “Përshpirtje për Kujtimin”, në nderim tëKujtim Gjondedës, “Në udhë të dritës” kushtuar mësuesit Labë Beqiraj, “ Pëshpëritje për ëndrrën” kushtuar martirit të Mathauzenit Rexhep Bani, “Elegji për medaljen e artë” kushtuar Kujtim Peçit, “Flakadan princëror” elegji për Mësuesin e Popullit- Profesor Kristaq Shtëmbari, “Homazh për vëllain tim poetik Anastas Bita”, “Loton një gjethe mali” për Lako Gjokën, “Edhe varri sot po tundet” kushtuar Ruzhdi Hitës, “Baladë e vogël për një shpirt të madh” kushtuar Sose Dardhës, “Epitaf” si lule fati për Musa Koshenën, ej.
Të gjitha këto poezi janë të ndërtuara me vargje të puthitura ose të gërshetuara, por ka dhe vargje të lira. Poeti Albert Habazaj ka përdorur shumë figura letrare të cilat theksojnë mesazhin e tij poetik dhe flasin për një ndjenjë të thellë njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Dhembin degët e shqyera” të poetit, Albert Habazaj, Laureta Petoshati

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT