• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Java me bizneset e diasporës shqiptare

October 18, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Qeveria partner i bizneseve nga diaspora/

1 Diaspora1 ok diapsora

Prishtinë, 17 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/“Bizneset nga diaspora  nuk do të jenë partner të padobishëm dhe në asnjë moment nuk duhet të ndihen vetëm. Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e “Java me bizneset e diasporës shqiptare”, e cila u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare.
Në hapjen e javës së bizneseve,  kryeministri Haradinaj duke iu uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve tha se kjo është një ngjarje me rëndësi, dhe për këtë duhet  falënderuar të gjithë ata që kanë punuar për këtë ditë,  dhe rëndësinë e kësaj ngjarje e dëshmon edhe kujdesi ynë me prezencën këtu.Kryeministri Haradinaj tha se që nga fillimi i punës së tij, nuk ka dashur që të kthehet pas për asnjë minutë, por vetëm të ecet para, duke e bërë diferencën në vend.
“Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se një sipërmarrës sot mund të krijojë përvojë korrekte në komunikim me institucionet e vendit, në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje bizneseve të diasporës që gjatë javës sa janë këtu ta shfrytëzojnë që së bashku të punojnë si partner të dobishëm.
Duke falënderuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve nga vende të ndryshme, kryeministri Haradinaj porositi ata që të shfrytëzojnë kohën, në mënyrë që të plasohen idetë e tyre ose për të gjetur ide se si mund të bashkëpunohet.Kryeministri Haradinaj tha se një ndër projektet me rëndësi të veçantë është edhe Parku Inovativ Trajnues në Prizren, park ky, i cili do të sjellë ekspertizë, kualitet pune dhe aftësim profesional, duke shtuar se edhe diaspora është me rëndësi të bëhet pjesë e tij.
Kryeministri, gjithashtu rikujtoi faktin që bizneset janë të liruara nga tatimi për lëndën e parë; janë të liruara poashtu në importin e pajisjeve teknologjike;  të gjitha eksportet trajtohen me TVSH zero; tatimi në fitim është 10 për qind në Kosovë; tatimi në dividendë është zero për qind dhe tatimi në të ardhura personale është më së shumti 10 për qind.
Kryeministri tha se janë në proces e sipër të hapjes të tregut me të gjithë dhe se do të bëjnë hapa konkret me Shqipërinë, do t’i heqim të gjitha procedurat  dhe burokracitë e lodhshme të kufirit Kosovë-Shqipëri, duke i siguruar që do ta reduktojnë kohën e pritjes.Zëvendëskryeministri dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se është nder dhe kënaqësi që diaspora është në vendin e vet, këtu në Prishtinë dhe që kryesisht vijnë nga Gjermania, Kanada, por edhe vende të tjera. Ministri Gashi tha se do të kenë mundësi që në ditët në vijim të diskutojnë për thellimin, përmirësimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve të vendit dhe bizneseve të diasporës, në të mirë të bizneseve të tyre dhe ekonomisë në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se Parku Inovativ dhe trajnues në Prizren do të udhëhiqet nga një menaxher gjerman dhe se është një  mundësi e mirë për ofrimin e trajnimeve profesionale për punëtorët dhe bizneset, në të njëjtën kohë ka potencuar edhe investimin nga Qeveria gjermane në këtë Park.
 Nora Hasani, Drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, tha se e mbështet fuqishëm bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve dhe kjo jave është tejet e rëndësishme që të avancojmë në këto raporte.Në hapjen e javës së bizneseve nga diaspora të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, dhe ministri i Shtetit për Diasporë nga Shqipëria, Pandeli Majko./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, diaspore, Java me bizneset, Kosove

Diasporë: Shumë pak qendra kulturore për promovimin e trashëgimisë shqiptare

February 22, 2018 by dgreca

 1 Qendrat Kulturore_GerminOrganizimi, promovimi, mbrojtja e identitetit dhe trashëgimisë kulturore në Diasporë vazhdon të forcohet nga shoqatat shqiptare atje. Përkundër hapit pozitiv për krijimin e tri (3) Qendrave Kulturore në tri qytete të botës: Cyrih, Malmo dhe Stamboll nga ana e Ministrisë së Diasporës në Kosovë, shpesh herë është vënë në pikëpyetje roli dhe organizimi i tyre përgjatë viteve. Pas shumë premtimeve dhe zero realizimesh për hapjen e qendrave të kulturës shqiptare edhe në vendet tjera, komuniteti shqiptar është organizuar vet në forma të ndryshme.
Për të hapur një debat dhe për të marrë rekomandime rreth organizimit të qendrave kulturore,  organizata Germin ka organizuar diskutim virtual më datë 21 shkurt 2018 me temën “Rrjetëzimi përmes Qendrave Kulturore në Diasporë”. Paneli diskutues përbëhej nga: Albana Sejati, shoqata “Vatra”-  Stamboll, Bekim Dalipi, portali “Albinfo.ch”, Zvicër, Ridvan Murati, ushtrues detyre i Qendrës Kulturore në Cyrih, Bashkim Meholli, shoqata “UraCult E.V.”, Gjermani, Jetmira Kaziu, shoqata “MAAS Besa” ShBA dhe u moderua nga Denis Nushi, ekspert i shkencave sociale, në Cyrih.

Fillimisht u potencua që qendrat kulturore në Diasporë sot nuk duhet të krahasohen asesi me organizimet e klubeve shqiptare dikur, ngase ato si për qëllim nuk kanë pasur integrimin e shqiptarëve në vendet pritëse, dhe nuk janë shembulli më i mirë i promovimit të kulturës shqiptare. Prandaj, panelistët u pajtuan se organizimi në diasporë duhet të vazhdohet përmes programeve të arsimit, kulturës dhe artit (filarmonisë, teatrit, filmit, ansambleve tradicionale, klasave të gjuhës shqipe, ekspozitave, klubeve sportive, klubeve fetare, baletit etj).

Një tjetër problem që u theksua nga paneli ishte edhe ndikimi i politikës në 3 qendrat akuale të krijuara nga Ministria e Diasporës në Kosovë, mos-koordinimi në mes të qendrave dhe shoqatave në organizmin e festave të ndryshme, mungesa e qendrave të kulturës në shumicën e qyteteve ku jeton komuniteti shqiptar.

Për këtë, paneli shprehi mirëseardhje për marrëveshjen e re për Qendrat Kulturore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, duke shpresuar që palët do të rrisin bashkëpunimin dhe do të ndajnë në masë të barabartë financimin e tyre, ngase mungesa e fondeve ka ndikuar edhe në organizimet e mëparshme të tri qendrave kulturore. Po ashtu, ata rekomanduan që qendrat e reja të cilat do të hapen duhet të përbëhen nga një komision, i cili udhëhiqet nga përfaqësuesit e rrjetit të studentëve, shoqatave dhe bizneseve të Diasporës.

Filed Under: Emigracion Tagged With: diaspore, Qendra Kulturore, shume pak

PRESIDENTI NISHANI DEKORON INDIVIDE NE DIASPORE

September 24, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson figura dhe personalitete me kontribute të spikatura të Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane: Krenarë që jemi shqiptarë!/

24 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.

“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.

“Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. – vuri në pah Presidenti Nishani.

Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”;zotin Vehbi Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike, duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut; kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Nishani u shpreh se: “është kënaqësi e veçantë të jem në mesin e bashkëkombësve të mi, të cilët kanë ardhur këtu për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë ardhur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës tuaj në Amerikë, ju e keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendin tënd. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët.

Shqiptarët e Amerikës, të gjithë brezat kush më shumë e kush më pak, dikush më miqësitë në nivele të larta politike, dikush më miqësinë me median, dikush më kontribut financiar e fizik, e dikush tjetër duke mbajtur familjet e tyre në trojet shqiptare, keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm. Kur askush në këtë anë të botës nuk e njihte Shqipërinë, diaspora e hershme këtu, ka bërë që Amerika të ishte në anën e shqiptarëve. Kur shteti zyrtar shqiptar vetëshpallej armik i Amerikës, ju shqiptarët e Amerikës keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi që Amerika mos t’i braktistë shqiptarët mos ta harronte çështjen shqiptare. Kur ne po rigjenim lirinë pas errësirës së komunizmit, ju shqiptarët e Amerikës ishit të parët që ndihmuat, të parët që rivendosët lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për ta rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë, tashmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjatë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët për të ngritur zërin, për të ndërgjegjësuar administratën amerikane për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve. Nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat më qindra e mijëra familje kur ato kishin më së shumti nevojë, djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe ishit të parët që investuat për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Ju çdoherë dhe në çdo kohë keni punuar dhe vepruar që sot të gjithë ne të themi me mburrje: JAM SHQIPTAR!

Kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. Sonte, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam vendosur që të dekorohen disa figura të shquara të diasporës shqiptare të Amerikës, por, secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!

Zoti e bekoftë popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë në botë!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në përfundim të kësaj pritjeje me bashkatdhetarët Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehu Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e Tij besnike e të përkushtuar që ka treguar ndaj anëtarëve të Komunitetit Ligjzbatues Shqiptaro-Amerikan në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: diaspore, figura, presidenti Nishani, vleresim

AVOKATI PËRKUSHTUAR I DIASPORËS SHQIPTARE SABRI (SAM ) GJONI

November 6, 2015 by dgreca

Nga Qatip Mara/
Në Manhattan, në godinën shumëkatëshe 401 Broadway # 1111, New York 10013, është zyra e avokatit të mirënjohur Sabri Sam Gjoni,e intelektualit të talentuar nga Ulqini që jeton prej afro tre dekadash në SHBA,por asnjëherë nuk harron Atdheun duke e shprehur me krenari se është biri i Kombit Shqiptar. Me sy të qeshur të çiltër,të sinqertë e shpirt atdhedashurie avokati mirëpret me shumë dashamirësi emigrantët duke u ofruar mundësitë juridike ligjore për pasisjen me dokumeta të rregullta amerikane.
Në paradhomën e zyrës së tij shërbejnë me shumë kulturë komunikimi dy specialiste që regjistrojnë kërkesat e emigrantëve për takim me avokatin e formatojnë platformën e proçedurës së paisjes me dokumetnta të rregullta amerikane. Kjo platformë në ndihmë të emigrantëve realizohet nga aftësitë e talentuara të avokatit Sabri Sam Gjoni ,i cili nuk ka njohur humbje në çështjet gjyqësore për pasijen e emigrantëve me leje qëndrimi të përhershme në SHBA. Seroziteti i tij në përgjegjësinë e kryerjes së detyrës juridike të avokatit ka fituar besimin e institucioneve të drejtësisë amerikane,të cilat i kanë miratuar e i miratojnë në vazhdimësi kërkesat e argumetuara për paisjen me dokumenta të rregullta amerikane për emigrantët. Sejcili që ka aplikuar në zyrën e avokatit Sabri Sam Gjoni ka fituar të drejtën qëndrimit të ligjshëm në këtë vend të bekuar ku respektohet e garantohet liria e individit me hapësirat për të jetuar vetëm me punë e vetëm me punë korrekte e të ndershme.
Janë të shumta vlerësimet e falnderimet e emigrantëve për punën e përkushtuar e të sukseseshme të avokatit në paisjen e tyre me dokumeta të rregullta amerikane. Me mirënjohje ata e shprehin kënaqësinë e shërbimit të devotshëm të avokatit në shumë çështje legjislacioni, si në immigracion, në përfaqësime gjyqësore, në lëndime personale e në patundshmëri duke i realizuar proçedurat në aftatin e caktuar e me rezultate pozitive.
Në medien virtuale janë publikuar shkrime për punën cilësore të avokatit Sabri Sam Gjoni, të cilin e vlerësojnë për performancën solide të karakterit të tij dashamirës në ndihmë të bashkëkombësave shqiptarë,të cilët pas zhgënjimeve të herëpasëhershme të jetës në vendlindjen e tyre, kishin nisur rrugën e vështirë të integrimit në jetën amerikane duke gjetur dritën jeshile e të shpresës edhe tek zyra juridike e avokatit të mirënjohur,intelektualit të talentuar Ulqinas Sabri Sam Gjoni.
Ndoshta zakonisht shprehet mendimi se në përgjithësi puna e avokatëve matet me sasinë e parave që fitojnë në proçeset gjyqësore,por avokati Sabri Sam Gjoni në punën e tij udhëhiqet nga ndjenja e lartë atdhetare që të ndihmojë emigrantët të pasisen me dokumeta të rregullta për një jetë normale. Këtë e dëshmonë edhe një bashkëkombas që jeton e punon prej vitesh në SHBA, Naser Nika, i njohur si pronar i kompanisë së liçensuar “Albis partys “ , i cili me fakte tregon ngjarjen e fundit ku nipi tij u pais me dokumenta amerikane. Naser Nika shprehet se :
– “Nën mbikqyrjen e avokatit të njohur me origjinë nga Ulqini Sabri Sam Gjoni shumë nipër e mbesa të mi kanë fituar dokumetat e rregullta amerikane. Ftoj dhe sugjeroj të gjithë bashkëatdhetarët që dëshirojnë të paisen me dokumeta të rregullta amerikane, se porta e sigurtë është avokati Sabri Sam Gjoni. Askush nuk ka dalë nga zyra e tij i zhgënjyer dhe është i përkushtuar që ndihmon realisht shqiptarët që jetojnë atje. Në çdo rast që ka marrë në dorë,rezultati ka qënë 100 % i sukseshëm, i garantuar “.
Avokat Sabri Sam Gjoni,është jeta e një intelektuali shqiptar nga Ulqini në SHBA që ka ecur mes vështirësive për tu integruar denjësisht në jetën konkuruese të vlerave njerëzore të shoqërisë e shtetit ligjor amerikan. Në moshën e rinisë kur sapo kishte kryer studimet universitare ëndërronte të punonte me dashuri e përkushtim në vendlindje.Përkrahu lëvizjen studentore të vitit 1981 dhe shprehu publikisht idetë për liri e demokraci të trevave shqiptare në ish jugosllavi. Pas demonstratave të marsit të vitit 1981 pushteti shovenist serbosllav ushtroi dhunë e terror mbi intelektualët shqiptarë. Në kushte të vështira për mbijetesë intelektuali i guximshëm Sabri Sam Gjoni nisi rrugën e mundimshme të emigracionit duke kapërxyer oqeanin për një jetë më të mirë e të sigurtë. Me inisiativën e vet, me këmbëngulje e vullnet të hekurt ,pa mbështetje të askujt konvertoi diplomën universitare europiane duke filluar studimet amerikane në profesionin e avokaturës në New York. Me talentin e tij konkuroi midis studentëve më të mirë duke realizuar objektivin e tij ,integrimin si intelektual i aftë në elitën e inteligjencës juridike amerikane.
Avokati Sabri Sam Gjoni ka 14 vjetë që drejton me suksese zyrën e tij të avokatisë në qëndrën e madhe botërore Manhattan, duke konkuruar me zotësi në tregun juridik amerikan dhe me aftësi e intuitën e arsyetimit deduktiv –induktiv analizon e argumentonë proçeset gjyqësore e të drejtës të piasjes së emigrantëve me dokumenta të ligjshme amerikane, duke zbuluar me fakte,atje ku e drejta mund të jetë gjykuar gabim nga gjyqtari . Ai është shumë i vemendshëm në bashkëpunim me emigrantët për të siguruar prej tyre dokumentacionin më të hollësishëm të çështjeve që paraqiten në organet gjyqësore apo prokurorisë. Me këmbëngulje qartëson çdo emigrantë që paraqet kërkesën për ndihmë juridike në zyrën e tij. Ai zbaton me korrektësi filozofinë : “ Mate shtatë herë e pri një herë “ !
Në një intervistë mediatike televizive avokati mirënjohur Sabri Sam Gjoni shprehet : “
-Të punosh si avokat në SHBA është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurenca është shumë e madhe. Duhet të bësh “luftë” të vërtetë që të mund të bësh emër. Doktori -mjeku po gaboi me pacientin e tij në përcaktimin e sëmundjes edhe mund ti ndërroj ilaçet dhe e korigjon gabimin e tij, por avokati duhet të përcaktoi qartë fjalën argumentuese sepse e humbet të drejtën e emigrantit për tu pasiur me dokumente,apo edhe çështje të tjera. Jeta e intelektualit shqiptar në SHBA është shumë e vështirë sepse duhet të integrohesh si në jetën ekonomike, ashtu edhe në jetën politike. Gjithashtu duhet t’i përshtatesh edhe shkollimit sepse ai ka një dallim të madh me shkollimin tonë.”
Perfomanca e avokatit Sabri Sam Gjoni karakterizohet edhe nga ndjenjat e tij kombëtare. Zemra e tij ushqen dashuri e mall për vendlindjen, atdheun e kombin shqiptar. Është një veprimtar aktivë i çështjes sonë Kombëtare. Ai shprehet në intervistë se:
“ – Lëvizja “Atdheu na Bashkon” është një organizatë mjaft e re, por ka qëllime dhe një program afatgjatë, që nëse realizohet do të jetë një gjë shumë pozitive për diasporën shqiptare. Lëvizja ka dëshirë t`i bashkojë të gjitha forcat intelektuale, por edhe afaristët shqiptarë, nën një ombrellë, që t`u përkushtohen problemeve në atdhe.Lëvizja nuk është krijuar për të na ndihmuar neve në SHBA, por ajo është krijuar me qëllimin që të ketë kontakte më të shpeshta me vëllezërit tonë. Nëse Lëvizja ia arrin qëllimit të vet do të bëjë shumë sepse nëse bashkëpunojmë me subjektet si ekonomike, ashtu edhe politike në atdhe, duke gjetur mirëkuptim, atëherë mund ta çojmë interesin kombëtar shumë lart.”
Avokatin e mirënjohur Sabri Sam Gjoni e kam njohur në vitin 2009 në një cermoni familjare –martese në New York. Kishte kulturë komunikimi të ëmbël duke rrezatuar buzëqeshje e mëqësi të sinqertë. Vallet shqiptare .muzika e larmishme shqiptare na miqësuan shpejtë. Bashkë me ne vallzonin edhe intelektualë nga kontitentet e tjera të integruar në jetën amerikane. Kur familjarisht shkuam për vizitë në familjen e tij, nuk u befasova nga bukuria e lagjes që banon në New York, sepse Amerika është e bukur kudo e qëndisur me kujdes e disiplinë të rreptë ligjore urbanistike. Familjarisht u mrekulluam kur hymë brenda në shtëpinë e tij. Të gjithë në familje flisnin bukur gjuhën tonë të ëmbël shqipe, gjuhën mjaltë të të mëdhenjëve Naimi-Fishta. Edhe dhomat kishin zbukurime me motive etno-kulturore shqiptare. Nga komunikimi i ngrohtë vllazëror “harruam” se ishim në dheun e huaj, por na dukej sikur ishim në atdheun tonë të shtrenjtë. Edhe muret e shtëpisë na dukeshin sikur na buzëqeshnin që bisedonim shqip. Fëmijtë e tij, tre djem e një vajzë na takuam me shumë respekt e dashamirësi. Emrat e tyre ishin me origjinë të lashtë Ilire.Avokati Sabri Sam Gjoni i kishte edukuar fëmijtë e tij me dashurinë për gjuhën shqipe, djali i vogël edhe pse kishte lindur e rritur në New York fliste rrjedhshëm gjuhën e nënës tonë Shqipëri.
Këto ditët e para të nëntorit shkova në zyrën e avokatit Sabri Sam Gjoni për ta takuar e dhuruar librin tim “Vlora Djepi I Pavarësisë. Bashkëbiseduam me shumë dashamirësi. Në zyrën e tij fiksuam edhe këtë foto që shoqëron shkrimin që dëshiroj të publikohet në medien virtuale shqiptare për vlerat intelektuale të Ulqinasit shqiptarë Sabri Gjoni që rrezaton kulturë juridike e shpirtë të lartë atdhedashurie. Në ato pak minuta të takimit tonë biseduam miqësisht e vllazërisht me mall si shqiptarë të larguar nga atdheu vetëm fizikisht sepse shpirtërisht edhe në gjumë të shoqërojnë kujtimet e vendlindjes që nuk harrohen kurrë.
Ai është në lidhje të vazhdueshme me vendlindjen e tij duke bashkëpunuar e ndihmuar në angazhimin për shpalosjen e folklorit dhe të kulturës së trevës Ana e Malit. Sipas portualit Ulqini-online, thuhet se “avokati mirënjohur nga Ana e Malit, ka dhuruar 5000 dollarë për SH.A. “Tradita” për kulturën në vendlindje”
Avokat Sabri Sam Gjoni është veprimtarë aktivë i diasporës shqiptare në New York edhe për ruajtjen e traditave etno-kulturore të kombit shqiptarë duke ua trasmetuar me edukatë të kualifikuar fëmijve shqiptarë që jetojnë në SHBA. Hapjen e shkollës shqipe në Bronx e kishte mirëpritur me shumë gëzim atdhetar.Ai ishte zgjedhur në Bordin drejtues të shkollës shqipe në Bronx. Duke vlerësuar shkollën shqipe në Bronx,në një intervistë televizive në emisjonin “ Alba Life “ New York me gazetaren,poeten, intelektualen e talentuar të disporës shqiptare në New York Kozeta Zylo,avokati shprehej :
“ – Hapja e shkollës shqipe për diasporën shqiptare në SHBA është një punë shumë e bukur. Unë i përgëzojë ,ata, që hapën shkollën shqipe me përkushtimpër mësimin e gjuhës shqipe,sepse nëpërmet gjuhës shqipe,muzikës shqiptare,folklorit shqiptar do ti edukojmë fëmijtë tanë këtu në Amerikë me traditat më të mira të popullit shqiptar.të cilat janë një thesar i kulturës sonë kombëtare. Fëmijtë tanë duke njohur folklorin shqiptar do të dinë ta krahasojnë atë me kulturën amerikane e do të ruajnë në vazhdimësi traditat e familjes shqiptare. Familja është baza e lumturisë së jetës së çdo individi. Po qe se ke familje të shëndoshë,të konsoliduar me traditat tona atdhetare do të ruhen e respektohen edhe nga trashëgimtarët- fëmijtë tanë.
Kur avokati mirënjohur Sabri Sam Gjoni preku me dorë librin që i dhurova , meditoi me sy të ndriçuar duke thënë me emocione se :
“ –Shekulli XXI që po jetojmë është shekulli i popullit shqiptar.Sot kur Kosova është shtet i lirë dhe shteti shqiptar është demokratik,jam optimist se këto nuk do të mbeten më, si pjesë të ndara pa nënë, por do të realizohet ideja kombëtare e Shqipërisë Etnike që do të bashkojë popullin shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë në truallin tonë të lashtë. Ai shqiptar që nuk ndjen dhimbje për Çamërinë, për luginën e Preshevës,për qytetin e Manastirit,për trevat shqiptare në Malin e Zi e Maqedoni, duhet të ndërgjegjësohet se është koha për bashkimin e popullit shqiptar. Edhe Fuqitë e Mëdha, Britania e Madhe, SHBA etj tashmë e kanë kuptuar padrejtësinë që i është bërë popullit shqiptarë duke u copëtuar në pesë shtete dhe nuk do ketë qetësi në Ballkan pa u bashkuar të gjitha trevat shqiptare.. Realizimi i bashkimit kombëtar do bëhet i natyrshëm, sepse tokat shqiptare dikur ishin të bashkuara e do të bashkohen përsëri sepse tani Republika e Kosovës po konsolidohet,Republika e Shqipërisë po bënë hapa demokratike.Komuniteti i diasporës shqiptare ka zhvilluar e po zhvillon veprimtari të dobishme për çështjen kombëtare, duke siguruar miqë në arenën ndërkombëtare,ka krijuar ura komunikimi midis shqiptarëve duke mbjellë farën e bashkimit kombëtar edhe tek brezi i ri që janë shpresa jonë kombëtare…”.
Kur takon jashtë atdheut bashkëkombas të devotshëm me performancë të admirueshme si është avokati Sabri Sam Gjoni ndjehesh i gëzuar e krenar për emrin shqiptar.Sigurisht në diasporën shqiptare ka intelektual të shumtë e të shquar,të cilët janë një pasuri e madhe kombëtare me vizione të qarta për çështjen kombëtare dhe me atdhedashuri të lartë kombëtare u digjet shpirti nga malli për mëmëdhenë,por që edhe u qanë zemra kur vendlindja keqëqeveriset duke i varfëruar shqiptarët me korrupsionin e pangopur të politikanve të pandërgjegjshëm. Ndërgjegja e ulët shoqërore e çdo politikani e pengon konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare. Ato janë një binom i pandarë që lulëzojnë kombin.
Duke u larguar nga zyra e avokatit të përkushtuar Sabri Sam Gjoni mësova se edhe djali tij Genti që është rritur në New York kishte kryer studimet juridike për avokaturë, dhe punonte me përkushtim si avokatë në një firmë në Manhattan.Duke arritur suksese në punën e tij ka lartësuar emrin shqiptarë në komunitetin shqiptaro-amerikan në New York.
Qatip Mara
Bayside New York 4 nëntor 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: Avokati Sam(Sabri) Gjoni, diaspore, perkushtim

Komunitet-Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë

October 18, 2015 by dgreca

Nxënësit e Shkollave shqipe në Amerikë janë një urë e artë shpirtërore midis Atdheut dhe Diasporës/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Është krenari dhe njëherazi detyrë kombëtare për të kontribuar në mësimin e Gjuhës Shqipe ndër fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trungut amë.
Nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” në Staten Island dhe Brooklyn u ulën pranë bankave në mjediset e shkollave publike amerikane për të filluar vitin e ri akademik 2015-2016, ndërkohë po punohet për të gjetur mjedis për të vazhduar mësimin dhe në Manhattan, pasi kemi pasur vështirësi në gjetjen e klasave, për shkak të ndërrimit të administratës në shkollën ku bëmë mësim vjet.
Ndonëse kemi hyrë në vitin e tetë të hapjes së shkollave shqipe, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e përjetojnë me të njejtat emocione fillimin e vitit të ri shkollor si në ditën e parë të hapjes.
Çuditërisht edhe natyra duket sikur merr pjesë në këto aktivitete patriotike, që mbartin një botë të tërë shqiptare, një histori që s’harrohet kurrë sa të ketë dhe një shqiptar përmbi dhé.Flladi i lehtë i oqeanit iu përkëdhelte flokët e bukura si kurorë malesh gjithë nxënësve që takoheshin me njeri-tjetrin sikur të jenë miqësuar ndër vite. Prindërit e rinj me ngazëllimin në shpirt iu urojnë gjithë mësueseve punë të mbarë për këtë mision fisnik dhe tejet atdhetar.
Sa emocione ju jep fëmijëve dhe prindërve dita e parë e shkollës! Të gjithë prej nesh e mbajnë mend mirë ditën e parë të shkollës dhe askush nuk e harron në jetë, por shkollat shqipe në Diasporë gjithmonë kanë veçantinë e tyre, sepse ndryshe nga shkollat e huaja ku ata janë integruar, në shkollat shqipe ata kanë mundësi të mësojnë dhe të flasin SHQIP, gjuhën e të parëve të tyre!
Bota e tyre të magjeps, të befason në përgjigjet dhe pyetjet e ndryshme, bota e tyre të rinon dhe ti ndihesh i sigurtë të ecësh në urën e artë që ata ndërtojnë midis Atdheut dhe Diasporës. Ja psh: A nuk të befasojnë përgjigjet e tyre kur pasi i përshëndeta në klasë për mirëseardhjen e tyre fillova t’i pyesja me radhë se çfarë kishin dëshirë të bëheshin kur të rriteshin?
-Shumë prej tyre më thanë këngëtare, balerin, pilot, aktor, doktor, mësues, ndërsa një fëmijë i vogël më befasoi kur më tha: “Unë do të bëhem president i Amerikës”!
-Uau! Shumë bukur i thashë! Po pse do të bëhesh president e pyeta unë?
-Sepse jam shqiptar u pergjigj Brendan 4 vjeçar!
Të gjitha këto m’i tha në anglisht me një buzëqeshje të çiltër fëminore dhe me sytë blu si qielli që i ndrisnin. Duke e përqafuar mendova: Ku i dihet, mundet që nga bankat e shkollës shqipe “Alba Life” të dalë një president i Amerikës dhe atëhere me siguri që do të ketë një shkollë institucionale shqiptare në Nju Jork.
Të gjitha mësueset si Dita Kacupaj, Dr.Valbona Watkins, Entela Muda, Entela Elezi, apo Raimonda Hysolli qe sapo i eshte bashkuar programit tone
më thonë se është nje përjetim i bukur, kur i shikon nxënësit më të vjetër se si përqafohen dhe bisedojnë herë shqip dhe herë anglisht, apo nxënësit më të rinj pasi prezantohen me njeri tjetrin përshëndeten: “Hej Shqipe!” është një kod i heshtur, i pashkruar, por që përdoret shpesh ndër shqiptarë të Diasporës në përshëndetje e sipër. Dhe më pëlqen më futet në palcë të shpirtit kjo lloj përshëndetje edhe pse mund të mos jesh takuar kurrë, por të takon Gjuha Shqipe me përshëndetjen e bukur: Tungjatjeta Shqipe! Kur i shikon dhe ndjen se me sa zell ata vinë të mësojnë Gjuhën Shqipe medoemos të kujtojnë Fishtën e madh kur thotë se: “Edhe shqyp na thanë se Zoti/ për shqyptarë Shqypninë e fali/ se sa t’enden stina e moti/ do ta gzojn kta djalë mbas djali”.
Është e natyrshme se shumë prej fëmijëve me prindër shqiptarë të parën fjalë që kanë dëgjuar në jetë ka qenë shqip, pavarësisht se shumë prej prindërve i mbyt rutina e jetës dhe u krijojnë vështirësi fëmijëve për të folur dhe shkruar bukur shqip. Por ne si prindër s’duhet të harrojmë agimet e para të jetes sonë, kur luanim dhe këndonim së bashku, kur kapnim xixëllonjat dhe i përkëdhelnim shqip në pëllëmbë të dorës me dritën e bukur që ato bënin që siç shkruan Fishta: “Shqyp na vete, po pik’ mâ para/ n’agim t’jetës kur kemi shkue/ tue ndjekë flutra nëpër ara/ shqyp ma s’pari kemi kndue”.
Edhe pse jam mësuar dhimbshëm gjer në asht me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër shumë fëmijë të Diasporës dhe me humbjen e Gjuhës Shqipe ndër miliona shqiptarë nëpër botë, përsëri kam shpresë se do të lindin ata burra dhe gra shqiptare që ta marrin tejet seriozisht shërimin e kësaj sëmundje që metastazat e saj i ka nëpër shekuj.
Të parët shërues me siguri do të jenë këta nxënës që ulen në bankat e shkollës dhe që mësojnë me aq dashuri të flasin dhe të shkruajnë Gjuhen e ëmbël Shqipe.

Tetor, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Atdhe, diaspore, Keze Zylo, nxenesit e shkollave shqipe, ure

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT