• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE- 45 VJET- KUJTESE: POEMA “DIELLI DHE RRËKERAT”….

December 16, 2017 by dgreca

1 Faslli Haliti

ME RASTIN 16 DHJETORIT,  45 – VJETORIT TË BOTIMIT TË POEMËS“DIELLI DHE RRËKERAT”,- CIKLI ME 9 POEZI, BOTUAR NË  PRILL 1972,  DHE POEMA “DIELLI DHE RRËKERAT”, BOTUAR MË 16 DHJETOR 1972,DY SHKAKTARËT E DËNIMIT ME PUNË TË DETYRUAR TE POETIT FASLLI HALITI: 4 VITE NË KOOPERATIVË ,6 VITE NË KOMUNALE DHE HEQJES SË DREJTËS 10  VJEÇARE TË BOTIMIT NË SHTYP./___________________________________________________

   FASLLI HALITI/

    DJALË “ I MIRË”/

Ai qenka djalë i mirë

Unë qenkam djalë i keq.

Ti këte ma thua shpesh.

Pse shoku shef?

Pse — “po”

Pse : “mirë”

Pse : “ urdhëro!”

Të thotë ai ty shpesh

Kur ti ke dhe s’ke të drejtë?

Pse të ngrihet në këmbë

Kur ti e pyet këmbë përmbi këmbë,

Kurse unë të përgjigjem këmbë përmbi këmbë,

Kur ti më pyet këmbë përmbi këmbë?

Pse duart nga xhepat ai i heq

Kur ti me duar në xhepa e përshëndet,

Kurse unë të përshëndes me duar në xhepa

Kur ti me duar në xhepa më përshëndet?

Për këtë ai qenka djalë i mirë

Dhe unë qenkam djalë i keq?

SHETITJE

Është verë.

Është natë.

Bije vesë,

Yjet varen si pjepra në qiell atje lart.

Unë shetis i vetmuar nëpër bulevard.

Ora 12

Tek dera e Komunitetit nderon një polic

Del me një libër në sqetull sekretari i partisë.

Ai më sheh.

Më thërret,

Më jep dorën,

Më fut krahun

Dhe zë pastaj më flet.

Bisedojmë bashkë

Dhe shetisim bashkë

Si dy shokë,

Si dy poetë,

Si dy miq të rinj,

Si dy të  shqetësuar  përjetë…

O POPULL

O popull …

(Sa e vogël të duket vetja kur i drejtohesh popullit,

Sa i zbehtë të duket edhe zëri më i fortë).

O popull!

Ka njerëz me 4

me 8,

me 40, 200 sy

Por i kanë për vete

Të 4,

të 8,

të 40, të 200

Dhe asnjë s’e kanë për ty.

Por edhe një gjysëm syri po më mbeti

Do ta qorroja netëve me siguri

Për ty o popull

O popull për ty!

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.

Mos e fusni djalin e sekretarit

Klubeve, pastiçerive, kafeneve.

Mos ja hidhëroni buzët me kafe,

Mos i jepni cigare me filtër,

Mos ia zverdhni  dhëmbët dhe gishtat,

Mos e mësoni me birrë,

Me verë,

Konjak,

E raki,

Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë

Ai ende është adoleshent, fare  i ri,

Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.

Ju jeni pleq.

Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,

Djali i sekretarit nuk është vaksinë,

Nuk është tel përçues i temsionit të lartë.

NJERIU ME KOBURE

 Ai pret të fryjë era

Jo që të zhvishen pemët,,

Jo që të shkunden gjethet e verdha,

Por që t’i ngrihet cepi xhaketës,

T’i duket pas brezit koburja.

Ai pret të vijë pranvera

Jo që të bjellë e të korrë.

Por që të xhveshë xhaketën

T’i duket pas brezit

Koburja.

MARRËDHËNIE

                     Nxënësve të mirë. 

F

a

t

b           V

a            i

r            s

d     u    a

h     n    r        

i      ë     i

Kështu ne dilnim shëtitje,

Kështu diskutonim të tre,

Renditja ishte thjesht estetike,

Unë qëndroja midis jush

Si me i shkurtër

Dhe jo si mësues.

ÇIFLIKU

Reforma agrare i zhduku çifligjet,

I ngushtuam oborret kooperativistët.

Por mbeti në ndërgjegjen individuale, në shpirt,

Çifligu i miqësisë,

Çifligu i shoqërisë.

Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,

Shëndoshen deshët rudak të favoreve,

Kali i zi i hatëreve bredh

Dhe ik e ndale po deshe dot,

Të turfullon në fytyrë,

Të shkel me këmbë,

Të merr përpara me gjoks.

Çifliuu miqësi,

Çifligu shoqëri.

I përjetshëm të duket,

I pashpronësueshëm të duket ty?

Por ja ne shpikëm një tjetër reformë,

Reformën e kontrollit punëtor;

Shpronësimi filloi,

Shpronësimi vazhdon.

PËLHURA E ZEZË

Lida.

Ne e pamë festivalin tek Bashkimi.

U mblodhëm shoqërisht.

Midis nesh, punëtorë,

Nënpunës,

Mësues,

Mekanikë,

Midis nesh një kozmopolit.

Ti dole.

Na qeshi, buza, na qeshën sytë,

Zhurma u ndërpre në fabrikë,

Domethënë të dëgjonim ne, Lida.

Të dëgjonin edhe shokët e turnit të dytë.

Fillove,

Tezgjahët mbetën gojëhapur,

Sovajkat vallen e ndërprenë,

Kozmopoliti hapi gojen.

Sovajka e gjuhës së tij filloi të endë:

Kjo për rritëse pulash, po,

Kjo për mjelse është e mirë,

Kurse Iva, Orjeta kanë lindur për muzikë,

Por unë të mbrojta ty Lida,

Shokët e mi të mbrojtën,

Ç’ishin në dhomë të mbrojtën të gjithë.

Ja grisëm pëlhurën e zezë

Që kozmopoliti endi midis nesh.

Por unë e di.

Shokët e dinë

Edhe ti Lida vetë e di

Orjeta këndon më mirë,

Iva këndon më mirë se ti.

Por unë këngën tënde e kam si vajzen time,

Vazja ime tashti po çohet në këmbë,

Ajo tashi ka filluar të eci nëpër bulevard,

Ecën,

Nxitohet, qesh,

I ngatërrohen këmbët

Dhe bie mbi asfalt.

Por unë e ngre,

E ngrenë dhe ata që shetisin në bulevard.

Kjo është një rënie madhështore, Lida,

Kjo është rënia e ngritjes sa më lart.

MIMOZA

Mimoza!

Mos e qëndis atë degë mimoze tek gjoksi,

Lere bluzën ashtu të pastër të bardhë,

Do shkosh pa një qëndismë ne fakultet në mëngjes,

Por me një lëndinë shikime djemsh në gjoks

Do të kthehesh në drekë.

Mbi këtë lëndinë

Si zambak shikimi im…

_____________________________________________________

( REVISTA  “NENDORI” Nr. 4.VITI XIX I BOTIMIT   PRILL 1972 )

KY CIKËL POETIK, BOTUAR NË  PRILL 1972,  DHE POEMA/

“DIELLI DHE RRËKERAT”, BOTUAR MË 16  DHJETOR 1972, U BËNË  SHKAK I DËNIMIT TË POETIT

PËR GABIME IDEORE NË POEZI, SIDOMOS NË POEMËN “KATRAN ME BOJË”, SIÇ E  CILËSOI ATË SEKRETARI I PARË I KP  NË NJË MBLEDHJE- GJYQ, AUTODAFE MESJETAR E CILA BËRI  QË POETI TË DËNOHEJ 10 VJET ME PUNË TË DETYRUAR: 4 VITE NË KOOPERATIVË, 6 VITE NË KOMUNALE DUKE IU HEQUR E DREJTA E BOTIMIT PËR 10 VJET PLOT: 1973- 1983./

DIELLI DHE RRËKERAT/ 

                   .poemë . 

Çatia e shtëpisë sime është qaramane.

Shtëpia ime është sentimentale,

Dy re në qiell

Ajo vu lotët,

Dy re në qiell

Ajo vu me të madhe.

 

Nga sytë e tavanit tim

(Tavani ka dhjetëra sy)

Lot gjerbësh rrjedhin vu, vu,

vu, vu

Natë e ditë

Rrjedhin me të madhe

rrjedhin

Pi-

kë,

Pi-

kë,

Jorganët e mi

Si jorganët e një personazhi melodramatik,

Mbytur në lot gjerbësh të verdha

Librat e bibliotekës sime

Me faqe të përlotura nga gjerba.. 

Beni,

Blerta,

Zamir!

Këto faqe librash

Kur t’i lexoni

Pas viteve shtatëdhjetë

Mos i merrni për lotët e mamasë’

Mos i merrni për lotët e babait këto gjerbë.

As mamaja,

As babai

Nuk ishin sentimentalë,

Sentimentale qe shtëpia jonë

Sentimental ishte tavani i saj,

(megjithëse dhe shtëpia dhe tavani ishin frymë e vjetër

Dhe s’kishin shumë faj.)

***

Në çdo faqe objekti të dhomës sime-gjerbë…

Në çdon faqe objekti

Një figurë abstrakte e verdhë.

***

Dy gjëra s’ka prekur gjerba në shtëpinë time: 

(I kam siguruar ato të dyja në qoshet e shtëpisë)

Portretin e Enverit,

Historinë e Partisë.

***

 Çatia ime sentimentale,

Dy re në qiell-

Ajo vu lotët,

Dy re në qiell-

Ajo vu me të madhe.

Nga sytë e tavanit tim

Rrjedhin lot gjerbësh vu, vu,

Vu,

Vu,

Natë e ditë,

Rrjedhin me të madhe,

Rrjedhin

Pi-

     kë,

                  pi-

 

                           kë!

Janë dadot tona,

Janë gjyshet tona

Këto pikë,

Këto gjerbë

Që na vënë në gjumë,

Me zërin e tyre të verdhë

Dhe për çudi,

Këto gjerbë,

Këto pikë

Vënë në gjumë edhe shokun Lili

(Shefin e strehimit në komitetin ekzekutiv.)

***

Jashtë erë,

Jashtë shi,

Kurse gjerbët heshtin tashti!

Zgjoj gruan,

Fëmijët i zgjoj

Dhe mes gjerbave të verdha, familjarisht,

I drejtohem Enverit,

I drejtohem Partisë:

***

Mos rrini fare të menduar!

Ne për ju flemë edhe në ujë,

Ne për ju flemë mbi dyshekë akujsh,

Ne për ju flemë dhe me çarçafë dëborërash mbuluar!

Ne për shokun Lili na vjen keq

(Shefin e strehimit)

Ne për shokun Koli na vjen keq

(Kryetarin e këshillit)

Që në pallatin e ri që mbaroi

Nuk na caktoi ne,

Nuk caktoi traktoristin Qazim Gjoni,

Nuk caktoi elektricistin Met Myzeqari,

Nuk caktoi muratorin Llazi Lala;

Nuk caktoi arkitektin Koço Mina,

Por

Soj –

          e

              soro-

 

                          llopin e tij caktoi.

Soj-

         e

               soro-

                            e  llopin e tij

Që dezertoi nga fshati.

Që la shtëpinë në fshat,

Që erdhi nga fshati tashti

Dhe i pari mori hyrje në pallat.

***

Qazimi zbukuron fushat me traktorin e tij,

Qazimi në një dhomë u bë dhëndër,

Qazimi në një dhomë bëri shtatë fëmijë.

*** 

Met Myzeqari elektrifikoi disa fshatra,

Meti në qindra dhoma dhëndurësh vuri llamba.

Dhe gjeti një nuse në fshat,

Një nuse si shtyllë elektrike,

Një nuse të bukur syllambë,

Por Meti ende rri fejuar

Për një hyrje, shoku Lili,

Elektricisti Met ende s’është martuar.

***

Muratori Llazar

Ka zbukuruar qytetin me pallate,

Por Llazi ka disa vjet

Që rri në një barakë pupuliti 3 me 3

Me gruan, nënën, fëmijët, vetë i tetë.

*** 

Kurse kushëriri yt,

Ka një hyrje, shoku Lili,

Ai dhe gruaja, vetë i dytë.

***

Shoku Lili,

Shoku Koli,

T’u ankua Qazimi, Meti, Llazari,

Të erdhi Qazimi, Meti, Llazari,

Në zyrë,

Në komitet?

Dhe mos mendoni se ishin të ndrojtur,

Mos mendoni se ishin leshko,

Mos kujtoni se s’e dinin që kishin të drejtë!

Jo!

Ata e dinin që kishin të drejtë,

Por i mbanin hatrin Partisë,

Që strehimin s’e ka të lehtë.

Ju me sakrificën e tyre keni abuzuar

Dhe vite me radhë s’i keni strehuar.

***

Jashtë erë,

Jashtë shi,

Ne flemë,

Na zë gjumi prapë,

Fle dhe shoku Lili

(Shefi i strehimit),

Fle shoku koli

(Kryetari i këshillit)

Partia

Enveri

            prapë zgjuar rrinë

dhe vënë dorën dorën aty ku pikon,

dhe s’ka gjerbë që s’e dinë !

Dhe jo vetëm e dinë

Aty ku rrjedh

Aty ku pikon,

Hapin themele

Hedhin çatinë.

***

Shkretëtira e kontradiktës së strehimit

Bëhet lëndinë.

Nën shiun e djersës së klasës punëtore

Lulëzojnë lule pallatesh pambarim.

*** 

 I këputën lulet e apartamenteve:

Nr. 1

Nr. 2

Nr .3 

I ndamë

Numër 1

Ia dhamë shokut Qazim

Numrin 2 shokut Llazar,

Numrin 3 shokut Meti ia dhamë. 

***       

Në vend të shushurimës së gjetheve,

N ë vend të erës së luleve,

Brenda petaleve të murevetë pallatit të ri,

Dogjo të qarat e vajzës së Metit,

Dëgjo  të qeshurat e vajzës që lindi,

Dëgjo ninullat e nuses së Metit,

Shoku Koli

Shoku Lili.

***

Për një hyrje,

Për një hall,

Ne trokisnim tek ju,

Trokisnim në portat e buzëve tuaja,

Me gishtin e halleve tona trokisnim,

Shoku Koli,

Shoku Lili;

Portat e buzëve tuaja s’hapeshin

Dhëmbët tuaj kyçeshin

Me nervozizëm kërcisnin.

Vinte miqësia,

Hynte pa trokitur,

Vinte shoqëria, hynte pa trokitur,

Portat e buzëve hapeshin vetë,

Muret e dhëmbëve shkëlqenin.

Qindra kërkesat tona thyenin kokën,

Nuk futeshin dot,

Nuk i hapnim dot.

Një trokitje miku,

Një trokitje shoku,

Një cigare me filtër,

I hapte fare lehtë.

Një rekomandim,

Miku,

Shoku,

Një porosi

Shoku,

Miku

Përpara ju vinin ata

Ju vinin përpara një cigare, një paketë.

Ju-

Një hyrje iu vinit atyre përpara

Një apartament.

***

Shtëpia ime sentimentale

Vazhdon të qajë,

Të pikojë,

Të gjerbojë.

Por

Në secilën pikë të shtëpisë sime,

Në secilën gjerbë,

Ne po hapim nga një themel

Nga një pallat të ri vigan po ngremë.

Në truallin e shtëpisë sime sentimentale,

Ne po ngremë një lagje të re vigane.

Shkretëtira e kontradiktës së strehimit

Do të bëhet një qytet i ri banimi.

Urdhër!

Me grushtin e klasës punëtore

Thyejani dhëmbët burokracisë!

Thyejani dhëmbët shokut Koli,

Shokut Lili!

Po ua thyejmë,

Na duhen gurë,

Makinat në gurore u vonuan.

Po i murosim dhëmbët tuaj.

Ne s’mund të rrimë pa punë

Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë

Enverin,

Partinë,

Ne i kemi piketa duart e tyre,

Piketa ku duhet të hapim themele

Piketa ku duhet të heddim çatinë.

Partia,

Enveri

Zgjuar rrinë?!

Dhe vënë dorën ku pikon?!

Dhe s’ka gjerbë që s’e dinë?!

Si s’ka gjerbë që s’e dinë?!

 1972, Zëri i Rinisë

***

KRITIKA E 10-të GJIMNAZISTËVE PËR POEMËN

”DIELLI, DHE NJË POEMË QË SPEKULLON ME TE”-

(Shënime kritike nga dhjetë gjimnazistë -gazeta ‘ ‘Shkëndija” 25 janar 1973)

,Nuk na e priste mendja se Faslli Haliti do të shkruante një poemë të tillë si “Dielli dhe rrëkerat”. Ajo është frut i një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë, të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin. Ky karakter i shtrembër ideologjikisht nis që me vargjet e para të poemës, në të cilat thuhet:

“Ndërsa çatia e atdheut tim është e kaltër, optimiste.

Çatia e shtëpisë time është qaramane”.

Ç’kuptim kanë këto vargje? A nuk është “çatia e atdheut” vetë çatia e popullit? Dhe, po ta zhveshim mendimin prej figurës, a nuk ndërtohet socializmi në Shqipëri nga populli e për popullin, a nuk është qielli ynë “i kaltër dhe optimist” për të gjithë ata që luftojnë e punojnë me popullin e për popullin? Vështrimi i F. Halitit në këtë poemë është errësuar dhe kërkon (bile jep edhe “urdhër”) që edhe në të tjerët të shikojmë një tabllo të errët dhe t’i bëheshin shokë në pikëpamjet që ai shpreh në këtë poemë. Ai mendon se nga tavani (i kujt: i vetë poetit apo nga tavani i popullit?) “lot gjerbësh rrjedhin vu, vu… nat’ e ditë, rrjedhin me të madhe”. Sipas poemës të gjithë qenkan keq dhe njerëzit e pushtetit flekan gjumë të rehatshëm, iu mbyllkan dyert e zyrave punëtorëve, shtrëngokan buzët, strehokan “soj e sorollopin” e tyre dhe paskan degjeneruar deri në atë shkallë sa për “një cigare filtër, një rekomandim” u venë përpara të njohurve “një apartament”. Nga e gjithë poema del se pushteti ynë qënka burokratizuar deri sa nuk mban më, se askush nuk i qan hallet e popullit, se punëtorët duhet ta rregullojnë vetë strehën e tyre dhe në poemë u jepet “urdhër” atyre që t’u thyejnë “dhëmballët burokracisë” dhe po u munguan gurët të shkulin dhëmbët e nëpunsave. Si t’i marrim të gjitha këto, si vargje figurash të bujëshme, apo si pikëpamje të gabuara për realitetin tonë revolucionar? Jo, ato nuk tingëllojnë aspak drejtë në luftën kundër burokratizmit, flamurin e sëcilës e mban kurdoherë partia, por gumëzhijnë për anarshi dhe rebelizëm.

Që të kthehemi prap tek figurat artistike, në poemë si përfaqësues të vetëm të pushtetit dalin shoku Koli dhe shoku Lili, të cilët sikurse “uni i poetit” nuk mund të mos jenë përgjithësime artistike dhe këto përgjithësime janë negative. Në poemë, për realitetin konkret për të cilin flitet, autori nuk na jep asnjë të drejtë të mendojmë se ata janë “tipa të rastit” dhe as përjashtime nga gjëndja e përgjithëshme, prandaj edhe mendon, se “shkretëtira e kontradiktës” nuk mund të zgjidhet as me shokun Lili, as me shokun Koli. Pa shihni se ç’rrugë propozohet?! Duke u nisur prej aksioneve revolucionare për ndërtimin e banesave me kontribut vullnetar, autori i poemës, duke injoruar të vërtetën, mendon këtu se asgjë nuk është bërë për punëtorët, se atyre u është përvetësuar djersa. A nuk është shpifje me qitje të largët kjo? A nuk kalohet prej luftës kundër burokratizmit nga pozitat e partisë në pozitat e kundërvënies ndaj pushtetit popullor? Fundi i poemës tingëllon pikërisht kështu.

Madhështia dhe forca e partisë sonë është se ajo ka farkëtuar një unitet të çeliktë me popullin. Në Shqipëri nuk ekziston një parti që rri e numuron gjerbat, që trishtohet në mënyrë sentimentale për hallet e njerëzve dhe që rri pa gjumë prej “melodisë diletante të pikave, po një parti luftëtare që udhëheq popullin në revolucion dhe është kurdoherë në veprim për të mirën e masave punon jëse. Çdo gjë tek ne është vepër e partisë, e shokut Enver dhe e gjithë popullit. Partia realizon çdo ditë dhe kudo demokracinë socialiste dhe drejtësinë për popullin, duke qëndruar pranë tij, duke qarë hallet me të, duke e bërë atë të ndërgjegjshëm. Përballë kësaj të vërtete të madhe autori ka mbyllur sytë dhe ka krijuar në poemë një përfytyrim subjektivist krejt të dyshimtë mbi marrëdhëniet parti-popull-pushtet, duke u orvatur të krijojë të çara për të futur kontrabandë pikpamje anarshiste mikroborgjeze. Sipas poemës askush nuk bën gjë, kështu që i mbetet “unit të poetit” të japë “urdhërin”: “Thyejani dhëmbët burokracisë!” Ky është një shtrembërim flagrant i së vërtetës, që e ka burimin në mentalitetin e vjetër e tërë të çara të autorit, që ose shitet shumë “naiv” në politikë, ose është prej atyre që shfrytëzon situatat revolucionare për të nxjerrë në shesh kundërshtimet e tij prej mikroborgjezi. Pra, ndërsa “fle shoku Lili… fle shoku Koli”… në këtë situatë (autori është kontradiktor, në gjithë këtë konfuzion ideologjik, poema nuk di cilës shpifje t’i hapë portën më parë) shoku Lili dhe shoku Koli prashitin si të duan dhe “qindra këkesat” e punëtorëve “thyejnë kokat” se “nuk hyjnë dot” në zyrat e tyre.

A është kjo e vërteta e jetës sonë socialiste? A mund të shkruhet kështu për partinë dhe klasën tonë punëtore? A kemi nevojë ne për një poezi që të na gënjejë me lajka për partinë, që të shikojmë me dyshim realitetin dhe të na bëjë thirrje të ngrihemi kundër tij? Jo, për një poezi të tillë nuk kemi nevojë. Ne e hedhim poshtë atë me përbuzje dhe jemi të bindur se vjersha të kësaj natyre, të servirura me çfardo dredhirash e marifetesh stilistike, kurrë nuk do të mund të spekullojnë dhe ta errësojnë diellin e jetës sonë.

Poema “Dielli dhe rrëkerat” botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 16 dhjetor 1972, na kujtoi se ky konfuzion ideologjik ka pasë nxjerrë kokë edhe në krijime të mëparshme të F. Halitit, me të cilat ne nuk kemi qënë dakord. Mjaft vjersha të tij ideologjikisht të gabuara apo gjysëm formaliste që lexonin nëpër faqet e organeve letrare (duke u çuditur si botoheshin) ne na revoltonin. Prandaj për këtë poemën e fundit, është kjo arësyeja që menduam se do të gabonim sikur të heshtnim më gjatë.

Sa për mendimin që është hedhur se F. Haliti në poezitë e tij shquhet për prirjen që shkrin në një të vetme personalen me shoqëroren, do të mjaftonte dhe një ballafaqim fare i shpejtë i egocentrizmit dominues në krijimtarinë e tij me faktet nga çështjet e tij personale, për të hedhur poshtë këtë “prirjen e shkrirjes”. Përkundrazi, ai, me personalen i kundërvihet shoqërores dhe pikërisht këndej fillon çoroditja, duke i vënë së përgjithshmes revolucionare vulën e personales mikroborgjeze. Për këtë le të marrim rastin e poemës që po diskutojmë.

Ne të gjithë e dijmë që F. Haliti ka trashëguar prej paraardhësve të tij një shtëpi të vjetër të madhe në qendër të Lushnjës, të cilën deri para pak kohe dhe për disa vjet rrjesht nuk ka dashur ta këmbeje me apartament modern. Siç tregojnë faktet, këtë nuk e ka bërë “për sentimentalizëm”. Se “as babai, as mamaja nuk ishin sentimentalë”, po për t’ia shitur pushtetit popullor me pare “mallin e trashëguar” Ai pengoi për dy vjet e sa rrjesht ngritjen e një pallati të ri në vënd të karakatinës së tij përballë kinoteatrit që po përfundon në qendër të qytetit. Nuk u tund e nuk pranoi asnjë lloj strehimi për derisa futi në xhep shumën e parave me të cilën u vlerësua shtëpia e tij. Jo vetëm kaq, por kundërshtimet e tij arritën deri aty sa të pretendonte t’i jepej një vilë më vehte. Më në fund mezi pranoi të marrë një apartament. Prandaj nëqoftëse pikënisja personale e poemës është kjo histori prej xhambazësh, atëhere ne do të thoshnim se jo vetëm që nuk ka asgjë nga “shkrirja e personales me shoqëroren”, por këtu shtrembërohet e vërteta, dhe autori bën gabim kur e vë vehten në një radhë me traktoristin “që zbukuron fushat me traktorin e tij”, me elektriçistin “që elektrifikoi disa fshatra”, dhe me muratorin që “ka zbukuruar qytetin me pallate”, se punëtorët as mendojnë as veprojnë si F. Haliti dhe, qoftë edhe si personazhe, u vjen turp të vihen në shërbim të egoizmit mikroborgjez, që shprehet në poemën “Dielli dhe rrëkerat” duke e analizuar atë qoftë në planin e karakterit përgjithësues të figurës artistike dhe të “unit të poetit”, qoftë në planin e thjeshtë personales.

Pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez F. Haliti nuk mund të na japë poezi të shëndosha të realizmit socialist, por përkundrazi ashtu siç vihet re nga ecuria e krijimtarisë së tij, ai ka rrezik të thellohet në çoroditjen ideologjike dhe atëhere do të jetë tepër vonë.

________________________________________

Poema, dhe kritika për të, i jepet lexuesit saktësisht siç janë  botuar  më 16 dhjetor 1972 në gazetën” Zeri i Rinisë”, dhe në gazetën  “Shkëndija” më  25  janar 1973) , Janë përjashtuar vetëm emrat e gjimnazistëve si autorë apokrifë të kritikës….

Filed Under: Histori Tagged With: «DIELLI DHE RRËKERAT», 45 vjet, botimi i Poemes, Faslli Haliti

TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR POEMËN «DIELLI DHE RRËKERAT»

March 10, 2017 by dgreca

NGA  FASLLI HALITI/

1-Faslli-haliti (2)

Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»________________________________

-Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg. Më tha Ramiz Alia, sapo u futa në zyrën e tij në KQ

________________________________

-TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR KRITIKËN  E 10 GJIMNAZISTËVE KUNDËR POEMËS «DIELLI DHE RRËKERAT»/

-Kritikuesit e poemës, beniaminët, militantët e komitetit të partisë dhe të sekretarit të parë, kishin përhapur versionin se mua nuk’më kishte pritur fare Ramiz Alia, se më kishin nxjerrë me shqelma nga zyra e tijPor e vërteta …../

Kërkova të takohesha me shokun Ramiz Alia që ishte sekretar i Komitetit Qendror për ideologjinë.Pas dy-tre kërkesash u takova me të.Ilo Kodra më tregoi zyrën e shokut Ramiz. Trokita dhe u futa.Në zyrë ishte shoku Ramiz dhe Hamit Beqja. Me të më parë shoku Ramiz shprehu habinë:

-Ti qenkë Faslli Haliti?

Unë të përfytyroja më të moshuar. Ti qenke i ri.

Unë atëhere isha 37 vjeç.

Hamit Beqja më tha të hiqja pardesynë mbasi zyra ishte e ngrohtë. Unë nuk e hoqa pardesynë, pasi xhaketën e kisha të vjetër. Ai më thotë përsëri:

-Po hiqe xhaketën se bën ngrohtë.

-Mirë e kam – i them.

-Po hiqe – më thotë.

-S’ka gjë se mirë e kam – i them.

Ndërhyri shoku Ramiz:

-Lere Hamit, lere, se myzeqarët edhe në mes të korrikut rrinë me fanela leshi.

U ula.

Hamit Beqjen e kisha përballë. Në krye të tavolinës në formë T-je qëndronte shoku Ramiz.

Në fillim biseduam për gjëra të zakonshme. Më pyeti për familjen. Mua më ishte tharë buza nga emocionet. Gjatë bisedës buza po më lëngëzohej. Më thotë:

-Ka diell Myzeqeja?

-Ka, si s’ka – i them.

-Të paskan tmerruar ata lushnjarët. Ç’duan të thonë ata me këtë “sa pa qenë tepër vonë”? Domethënë sa pa të fut në burg?

Pastaj shtoi me seriozitet.

-Mirë, mirë. Ne nuk jemi dakord me atë pjesë të kritikës që të bëhet në planin politik e personal. Për këtë do t’u heqim vërejtje atyre shokëve të gazetës “Shkëndija” dhe atij shokut të Komitetit të Partisë që përgjigjet për gazetën. Kritika që të bëhet për poemën qëndron, është e drejtë.

Ndërkaq shoku Ramiz nxjerr nga sirtari i tavolinës së tij, gazetën “Zëri i Rinisë ku ishte botuar poema dhe gazetën “Shkëndija” ku ishte botuar kritika e 10-të gjimnazistëve.

Më thotë:

-A bëjmë një diskutim krijues?

-E bëjmë – i them.

Diskutuam për poemën dhe kritikën.

Në kritikë thuhej se unë bëja thirrje me qitje të largët për përmbysjen e pushtetit popullor. Kjo ishte insinuata në planin politik. Në kritik thuhej gjithashtu se unë kërkoja vilë, kjo ishte insinuata në planin personal.

Kishte dhe insinuata të tjera. Kritika ishte vepër e përbashkët e H. Ç. Dhe e Razi Brahimit. Ndihmesë të madhe në përpilimin e saj kish dhënë padyshim edhe Gazmend Kongoli, konformisti, shkrimtari mediokër, Demka i sekretarit të Komitetit të Partisë, servili i

e prorëve, pederasti i demaskuar publikisht.

Më pyeti shoku Ramiz:

-Ky titull “Dielli dhe rrëkerat” mos ta kujton pak atë thënien “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet rrugës?”

-I jam ruajtur kësaj. E dija që këtë e ka kritikuar shoku Enver – i them shokut Ramiz.

-Këtë s’kishe se si të mos e dije ti – më thotë shoku Ramiz.

Në të vërtet unë s’e dija që Enver Hoxha e kishte kritikuar, por ma bëri të ditur poeti Fatos Arapi, kur unë i dhashë poemën ta lexonte për të dhënë ndonjë mendim ose sugjerim. Dhe ai më sugjeroi që titullin e poemës ta ndryshoja, t’i vija një titull tjetër, sepse shprehjen se uji nga lart vjen i kulluar, por e turbullojnë rrugës të cilën e kishin thënë klerikët në gjyq dhe, Enver Hoxha me ta mësuar, e kishte kritikuar thënie e tyre. Atëherë i hoqa poemës titullin «Burimi dhe rrëkerat» dhe i vura titullin «Dielli dhe rrëkerat». 

Pastaj shoku Ramiz më tha:

-Ti Faslli, kap tema të mprehta dhe bën mirë. Më kanë pëlqyer disa poezi të tuat në revistën “Nëntori”. Vetëm duhet të kesh një gjë parasysh. Duhet që këto tema të mprehta të trajtohen saktë nga nga ana ideologjike. Kritika të integrohet, të shkrihet në gjithë poezinë. Nuk duhet që një strofë të jetë pozitive dhe tjetra negative. Pozitivja dhe negativja të shkrihen në një, në tërë poezinë.

Ndërhyn Hamit Beqja:

-Lenini ka thënë se « jeta ka tmerret e veta. Po u more me këto tmerre, tmerron dhe të tjerët veten edhe ».

-Stalini, pasi kish lexuar poemën «Bataku» të Demian Biedni e cila merrej me anët e errëta të jetës i tha ati se ai kishte rënë vetë në batak.

-I ditke mirë këto, më thotë Shoku Rmiz! Pra duhet të jesh më i saktë ideologjikisht. Me këtë nuk dua të them që t’i hedhësh verës ujë, domethën të mos e zbusja kritikën.

Kjo shprehje më dha zemër. Edhe habija e Ramiz Alisë se unë i dija mirë vërejtjet që i bëheshin Demjan Bjednit nga Komiteti Qëndror i PKBS, personalisht nga Stalini, tek i cili poeti ankohej se i bëheshin kritika tendencioze, më dha zemër. Fillova të bisedoj më lirshëm, më me guxim. Ramiz Alia m’u duk shumë i komportueshëm, shoqëror, gati liberal. Me të mund të bisedoje gjërë dhe thellë. Ndjehej shpirti tolerant i tij. Me mendje krahasova pritjen që më bëri Rrap Gjermeni, me pritjen që po më bënte Ramiz Alia. Ku njëri, ku tjetri.

-Edhe një gjë të kesh parasysh, – më thotë Ramiz Alia. – Partinë nuk duhet ta fetishizomë, apo jo?

-S’e kam fetishizuar – i them – ja e kam konkretizuar:

“Partia dhe Enveri kanë vënë dorën aty ku pikon” i lexova gjithë strofën. Më thotë me seriozitet:

-Që ti je një poet i talentuar, kjo s’ka diskutim.

Më bëri përshtypje ky vlerësim i Ramiz Alisë. Edhe më erdhi mirë, por edhe se si m’u duk, sikur…

Tani pas 17 vjetësh më duket sikur unë e  politizova bisedën. Nuk e di në se kam të drejtë, por kështu m’u duk.

Ramiz Alia kishte folur mirë për disa poezi të miat, sidomos për ciklin e nëntorit të vitit 1971 dhe të vitit 1972.

I pari përshtypjet e Ramiz Alisë, m’i tha Dritëro Agolli në prani të Nirvanës, gruas sime duke ecur drejt Radio Tiranës, ku Dritëroi po shkonte për të dhënë një intervistë. Dritëroi më tha se për poezitë e mia atij i kishte folur Ramiz Alia, se i kishte vlerësuar ato. Atë ditë Dritëroi më foli me entuziazëm për krijimtarinë time. Këtë vlerësim të Dritëroit unë e mora si diçka etike. Meqë unë isha me gruan, ai në sytë e saj, më foli me superlativa  për poezitë.

Edhe Kadareja pasi lexoi kritikën për poemën më tha se:

poema është në rregull, se për të i kishte folur mirë Ramiz Alia, kur kishte shkuar në shtëpinë e tij që ta uronte për lindjen e vajzës, Besianës. Në bisedë e sipër për letërsinë, ra fjala për poetët e rinj. Ramiz Alia, më pyeti për ty nëse të njihja apo jo. I thashë se e njoh, se jam kujdesur për botimin e librit të parë «Sot».   Dhe ja tani shoku Ramiz më foli vetë direkt për poezitë e botuar në revistën «Nëntori»

Xhevahir Spahiu gjithashtu, më tha atëherë se për këto poezi të revistës  «Nëntori», kryeredaktori i «Zërit të popullit», Dashnor Mamaqi, kishte folur me entuziazëm para gazetarëve të Zërit…

Kjo poezi na duhet, iu tha Mamaqi gazetarëve.

Në fund të takimit shoku Ramiz më tha:

-Pra jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin ideologjik, por nuk jemi dakort me kritikën që të bëhet në planin politik e personal. E kupton?

-E kuptoj – i them.

Takohemi. Më rrok në qafë. U ndam . Dola nga zyra. Poshtë në korridor më priste Kiço Blushi, i cili më shoqëroi gjatë gjithë peripecisë.

Një diçka.

Kiço Blushi insistoi dhe më nxiti që unë ta ngrija zërin kundër asaj kritike ultra denigruese. Bile i vinte inat që unë nguroja të takohesha me shokun Ramiz. Një nga arsyet që guxova të takohem me Ramiz Alinë ishte edhe nxitja e Kiço Blushit. Por nxitja më e madhe qe çasti kur Kiço më tha:

-Bisedoja një ditë me Ismail Kadarenë për punën tënde Faslli. Ismaili më thotë:

-More Kiço, pse është tulatur kaq shumë Faslliu, sikur të ketë ndonjë grup dhe ai të jetë kryetari i tyre.

I them Kiços duke qeshur:

-Si, si? Unë grup? Vërtetë kështu tha Ismaili?

-Po. Kështu tha. – Të betohem.

Të nesërmen kërkova takim me shokun Ramiz.

Ecja dhe mendoja. Para sysh më kalonin të gjitha telashet.

Pas leximit të kritikës së pashembullt që mund të ishte bërë për ndonjë krijues.

Kadare më thotë, mos u mërzit o Faslli Haliti. Mjafton të mos ia kemi me hile Partisë. M’u duk mjaft e sinqertë, inkurajuese kjo thënie e tij dhe me një formulim  që tregonte afërsi shoku, vëllai, madje. Sapo dola nga Komiteti Qëndror, bëra një copë rruge me Kiço Blushin.

-Hë, – më thotë, si vajti takimi.

-Shumë mirë, – i them, – shumë mirë.

Ecëm gjer te sheshi i Skënderbej. Aty u ndava me Kiçon.

Afër Lidhjes së Shkrimtarëve,përballë Kinema “Republika” takoj Ismail Kadarenë. Ishte me Luan Qafëzezin.

Hë, më tha, u takove me shokun Ramiz? U takova, i thashë. Si të priti? Shumë mirë, i them. Ç’të tha?  Më pyeti se mos titulli i poemës të kujton pak atë thënien se uji nga lart vjen i kulluar por turbullohet rrugës?

Kjo është e vërtetë, tha Kadare, pavarësisht se këta nuk duan ta pranojnë…

Unë u habita që Ismaili foli kështu në sytë e Luan Qafëzezit.

Po tjetër, më pyeti Ismaili. Tjetër, më tha, se nuk ka dyshim që ti je një poet i talentuar. Por të duhet të shprehesh më qartë kur trajton tema të guximshme, siç është lufta kundër shfaqeve të burokracisë apo kur kritikon kuadro të nomenklaturës…

-Po për Razi Brahimin të pyeti. Më pyeti, si s’më pyeti.

U habita që shoku Ramiz më pyeti për Raziun e zi, Gazmend Kongolin dhe për Hasanin, kunatin e zëvendës ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ç’kanë këta me ty?, më pyeti. Nuk e kuptoj, i them.

Po me Ismailin ç’kanë? Razi Brahimi e ka inatin me Ismail Kadarenë. Pse ç’ka Raziu me Ismailin? Raziu ka një urrejtje biologjike për Ismail Kadarenë. Po këta dy të tjerët, Gazmendi dhe Hasani, ç’kanë ?  Këta mbajnë anën e Raziut. Po Gazmendi si sillet me ty? Çkaaaaaa, i them duke e zvarritur fjalën çka.

Po  pse e vë dorën në zjarr, për atë maskara, mor Faslli Haliti, më tha Kadareja i cili i njihte mirë këtë xhongler, ambicjozt, xheloz dhe me karakter bitum.

***

Kur u ktheva në Lushnjë, më rrethuan shokët. Shtëpia u mbush plot. Djali im Helidoni që ishte i vogël, tre-katër vjeç, nuk e kuptonte pse vinin kaq shumë njerëz ato ditë në shtëpi. Manjola, vajza e mitur, gjithashtu. Plaka, nëna ime, e kuptonte se diçka e keqe vërtitej. Ajo  rrinte me gjak të ngrirë. Po kështu dhe gruaja ime, me të cilën bisedoja gjithçka.Në qytet qarkullonin lloj-lloj mendimesh, fjalësh, supozimesh, pohime, mohime.Dashamirësit thoshin se me porosi të Ramiz Alisë, mua më  sollën me «Benz» nga Tirana në Lushnjë.Ramiz Alia nuk e di ku ka kokën e vet, u thoshte me nervozizëm  përkrahsve të poemës, vëllai i sekretarit të parë të komitetit të partisë që duke qenë vëllai i anëtarit të KQPPSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili ishte në dijeni të disa zhvillimeve për të cilat nuk dinin gjë njerëzit e thjeshtë. Kritikuesit e poemës, beniaminët, militantët e komitetit të partisë dhe të sekretarit të parë, kishin përhapur versionin se mua nuk’më kishte pritur fare Ramiz Alia, se më kishin nxjerrë me shqelma nga zyra e tijPor e vërteta qëndronte ashtu siç e tregova unë më sipër.

   Shkurt 1973

Filed Under: LETERSI Tagged With: «DIELLI DHE RRËKERAT», ËR POEMËN, Faslli HalitiP

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT