Nga Dimal Basha – New York/
Secili prej nesh ka të drejtë të pyes pse Kosova po dështon gjenerata të tëra dhe gjasat për të prodhuar artistë, sportistë apo biznismen të suksesshëm janë shumë të vogla? Si ka mundësi që Kosova me 1.8 milion banorë arrin të nxjerr shumë pak talent derisa diaspora shqiptare korrë suksese në të gjitha sferat pavarësisht se janë minoritet në secilin shtet ku ata jetojnë?
Një mik në rrjetet sociale me shaka tha se sikur Xherdan Shaqiri të kishte jetuar në Kosovë ai me siguri se ishte duke shitur fara të zeza. Sigurisht se nuk ishte qëllimi denigrmi i të rinjëve shqiptarë në Kosovë, apo përulja e Shaqirit që e dëshmon të kundërtën, por një përshkrim i një gjendje reale e një vendi ku talenti vdes i paeksploruar.
Kjo vie rrjedhimisht nga krahasimi i suksesit të shqiptarëve në diasporë dhe dështimi i të njejtit popull në Kosovë. Shembulli i parë është kombëtarja e Zvicrrës. Shteti helvetikë që ka gati 8 milion banorë besohet të ketë përafërsisht 150 mijë shqiptarë. Nëse zbërthehet më tutje kjo i bie se shqiptarët nga të gjitha trevat Ballkanike përbëjnë jo më shumë se 6% të populates zvicerrane. Të njejtën kohë, jemi dëshmitarë të sukseseve të shumta të shqiptarëve atje dhe njëra prej tyre është kombëtarja e futbollit të Zvicrrës që dëshmon se edhe pse shqiptarët përbëjnë vetëm 6% të popullatës totale, ata kanë arritur që të kenë gati 40% të kombëtares që fillon në njëmbëdhjetëshen e parë.
Nëse kaloni përtej Atlantikut, gjithashtu gjeni rrëfime të shumta suksesi të diasporës shqiptare. Shqiptarët në SHBA, për shembull, vazhdojnë të citohen në shtypin amerikanë si shembull i suksesit në biznes pavarësisht numrit të vogël të tyre. Vitin e kaluar gjatë një takimi me z. Mark Gjonaj, asembleistin e pare shqiptaro-amerikanë në asamblenë e New York-ut, ai tregonte për suksesin e madh të shqiptarëve në New York. Përveq tjerave, ai citoi një reviste revistë të njohur biznesi në New York ku theksonte se shqiptaro-amerikanët janë pronarë të mbi 30% pronave komerciale në Bronx. Kjo komunë ka përafërsisht 1.5 milion banorë derisa, sipas burimeve të vitit 2009, komuniteti shqiptarë përbënë vetëm 3% të popullsisë totale. Pra, 3% të komunitetit shqiptarë janë pronarë të mbi 30% të pronës komerciale me një komunë që ka mbi 1.4 milion banorë.
Diaspora shqiptare gjithashtu ka prodhuar intelektual e nobelistë të shquar. Shqiptarët kanë talentin dhe aftësitë të jenë edhe biznismen, edhe intelektual por edhe sportistë me renome botërore. Gjatë fushatës zgjedhore shpesh u përsërit nga elita politike se “ne nuk mundemi të prodhojmë kompjuterë, makina apo makineri të përsosur.” Unë besoj se është një pikënisje e gabuar dhe mesazh i keq i politikës që synon ndryshime me sllogane “nuk mundemi. Jam i bindur se nëse shteti ofron mundësitë dhe kushtet gjithçka është e mundur. Dallimi kryesorë pse Xherdan Shaqiri “nuk shet fara” por është një sukses janë kushtet dhe mundësitë që i ka ofruar shteti helvetikë. Të njejtën kohë arsyeja pse shqiptaro-amerikanët vazhdojnë të jenë rrëfim i suksesit në biznesin amerikanë është mundësia dhe kushtet që ofrojnë SHBA-të për të gjithë qytetarët e saj.
Çka është me rëndësi të theksohet është se populli shqiptarë duhet të kuptojë se shteti nuk krijon fabrika, biznese apo sportistë. Kanë përfunduar kohërat ku shteti është punëdhënësi kryesorë me dhjetëra ministri e zavendësministra koti. Roli kryesorë i pushtetit është të krijojë kushtet dhe mundësitë bazike për secilin individ që të zhvilloj talentin apo biznesin e tij, diçka që Kosova vazhdon të dështoj tash e sa vjet. Raporti i individit me shtetin janë sikur natyra me bimët. Sikurse drita, ajri dhe uji që janë faktorë që ofrojnë zhvillimin e një bime dhe mungesa e njëra prej tyre shkakton vdekjen e bimës dhe rrjedhimisht shteti gjithashtu duhet të ofroj kushtet bazë ku individi është i lirë të zhvillohet.
Prandaj, është e domosdoshme që pushteti i ardhshëm të mos vazhdoj traditën me qeveri të madhe dhe të funksionalizoj një pushtet të vogël që punon mençur dhe ofron kushte dhe mundësi te barabarta për zhvilllimin e individit, përndryshe, nëse vazhdohet me këtë qasje, sikur bimët, rinia do të vazhdojë të “thahen” në mungesë të kushteve dhe mundësive bazë.
FITUESIT DHE HUMBËSIT NË ZGJEDHJET E ARDHSHME PARLAMENTARE
NGA DIMAL BASHA/
Mbase mund të duket se është shumë herët për një parashikim, rrjedhat në zgjedhjet e fundit dhe veprimet dhe deklaratat e disa liderëve partiak më japin të konstatojë se në zgjedhjet e ardhshme LDK merr primatin si pasojë e përcarjes së PDK-së dhe dështimeve të politikave të tyre për tetë vite-së derisa VV vazhdon të qëndrojë kokëfortë për cfardo kompromisi dhe rrjedhimisht nga kjo përfiton AAK që tash e sa kohë duket që është e gatshme të flirtojë me cilendo parti fituese që të jetë pjesë e pushtetit pas një pauze të gjatë në opozitë.
PDK
PDK është munduar që të injoroi përqarjet brenda-partiake me formimin e partisë së z. Limaj dhe z. Krasniqi, megjithatë, edhe vet emra të njohur të partisë pranuan se kjo do të ju shkaktoj dëme në zgjedhjet e ardhshme. Dëmi i dy protagonistëve të Nismës, z. Limaj dhe z. Krasniqi, do të jetë i mjaftueshëm sa për të lënë PDK-në në opozitë. Sidocoftë, faktorë për humbjen e PDK-së nuk është vetëm formimi i partisë së z. Limaj dhe z. Krasniqi, por një rol të madh luan edhe dështimi i politikave të PDK-së pas tetë viteve në pozitë ku 1) qytetarët e Kosovës ende mbesin të izoluar në raport me Evropën me gjithë premtimet e liberalizimit të vizave ku si zavendësim i vetëm ishte “Europe Street” që mbeti rruga e vetme ku qytetarët sot shëtisin pa viza, 2) korrupsioni vazhdoi të mbetet një shqetësim i madh, dhe 3) cka është më me rëndësi, papunësia ende mbetet në nivel depresivë dhe konsumimi i partisë vërehet te vazhdimi i rritjes së pagave në institucionet publike në mungesë të ndonjë plani zhvillimorë të sektorit privatë.
LDK
Deri tani LDK ka pasur shumë probleme që zanafillën e kanë në udhëheqësinë e saj që përbëhet prej një grup penzionerësh të konsumuar në shekullin e kaluar. Tetë vitet e fundit problemet filluan me z. Sejdiu, i cili përpos që ra ndesh me kushtetutën, ishte arsyeja që vendosi të jetë në pushtet me PDK-në dhe funksiononte nën hijen e saj. Edhe atëhere kur planifikuan rrëzimin e PDK-së me tërheqjen nga koalicioni dështoi kur kjo e fundit prap mbijetoi me një pushtet të arrnuar. LDK vazhdon prap ta ketë problemin kryesorë udhëheqësinë e saj dhe kjo u vërejt më së miri në zgjedhjete fundit lokale. Edhe pse kjo parti pati një kthim të befasueshëm në komunat si Ferizaj, Gjilan, e Pejë LDK prap arriti të dal si partia e dytë më e votuar në vend dhe arsyeja pse nuk doli si partia më e madhe ishte vet kryetari i saj, i cili humbi Prishtinën dhe mbeti tamam sic edhe e mendoi, me duar në xhepa. Megjithatë, unë mendojë se, si rezultat i dështimi të politikave të PDK-së në kombinim me themelimin i Nismës LDK do të merr primatin në zgjedhjet parlamentare, por kjo fitore asesi nuk do të jetë meritë e aftësive të lidershipit partiak që mbetet avazi i shekullit të kaluar.
AAK
Me gjithë entuziazmin pas kthimit të liderit të saj, AAK bëri shumë gabime të njëpasnjëshme. Gabimi i parë ishte pritja madhështore e organizuar nga z. Thaqi me kthimin e tij dhe entuziazmi i qytetarëve që për një moment i dha z. Haradinaj të besoj se ai do të filloj aty edhe ku e la, si kryeministër. Pritja ishte një salltë tjetër e menduar mire politikisht nga z. Thaqi kurse gëzimi i qytetarëve nuk ishte se kishte ardhur “Mesaja” por fitorja e luftës së drejtë të UCK-së. Z. Haradinaj nuk e lexoi drejt asnjërën. Populli pushoi shpejt dhe vazhdoi të vëzhgoj politikat e z. Haradinaj derisa flirtonte me PDK-në kurse z. Thaqi lozi të njejtën lojë deri në atë moment kur z. Haradinaj e mbaroi “muajin e mjaltit” dhe shumë shpejt mbaroi gjithcka. Sot z. Haradinaj po kërkon rrëzimin e po të njejtit pushtet që dikur flirtonte të jetë pjesë e tij dhe sigurisht se këto luhatje kursi brenda një periudhe të shkurtër sollën humbjen e seriozitetit, jo vetëm tek partitë që nuk po e përkrahin nismën e tyre, por edhe në sytë e qytetarëve.Gabimi i dytë ishin zgjedhjet lokale ku qytetarët e ndëshkuan në Gjakovë dhe Pejë për të prishur komoditetin e tepruar të kësaj partie dhe rrjedhimisht e lanë të kuptojnë që neglizhenca ndëshkohet dhe nuk ka më qytet të garantuar që trajtohet si pronë personale pa marrë parasysh statutin e tyre. Ky ndryshim dërgoi një mesazh të qartë se populli e rrespekton sakrifikicën e heronjëve në luftë por tani kërkon luftëtarët e paqës që ofrojnë vende pune dhe zhvillim. Statusi i heroit sot mbetet histori. Këto gabime në kombinim me humbjen e një numri të madh të elektoratit në Pejë e Gjakovë do t’i kushtojnë AAK-së dhe rrjedhimisht do të mbetet partia e katërt më e votuar në vend. Megjithatë, AAK e shef si rastin e fundit për të qenë pjesë integrale e një koalicioni dhe me ngulm do të insistoj që të merr kryeministrinë për të vazhduar ëndrrën e tij në kohën kur la këtë pozitë, mirëpo do të mbetet vetëm një kujtim i mirë sepse z. Mustafa nuk do të pranon një rokadë të tillë. Me fjalë tjera, AAK nuk do të merr kryeministrinë mirëpo prap do jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme pas një pauze të gjatë në opozitë duke përfituar nga refuzimi i VV që të jetë pjesë e qeverisjes.
Vetëvendosje!
Sa të jetë z. Kurti në krye gjithmonë do të jetë i lehtë parashikimi i kësaj partie. Ai beson se ose të gjithë duhet të ju binden politikave të tij ose nuk bëhet ndryshe. Fitoren e mendon vetëm kurr merr gjithcka dhe ckado më pak se gjithcka e shef si humbje sic edhe deklaroi për RTK-në se nëse nuk del si partia më e madhe në vend do të vazhdoj të mbetet në opozitë. Z. Kurti deklarohet se është në kundërshtim me cfardo kompromisi mirëpo është po i njejti, i cili për cudi hasi në kompromis me të gjitha partitë për vendimin që Kosova të mbetet një-zonë zgjedhore. Ky veprim nuk do hamendje se mbetet një kalkulim politikë sepse përndryshe nëse Kosova do të kishte zona të shumta zgjedhore z. Kurti do kishte frikë se VV nuk do të kalonte as pragun duke marrë parasysh se ata nuk kanë bazë të qëndrueshme jashtë kryeqytetit. Sa për kujtesë, VV dështoi në shumicën e komunave jashtë Prishtinës ku në 10 komuna morri më pak se 5% të votave dhe në asnjë komunë, përveq Prishtinës, nuk arriti të shkoj në balotazh dhe arsyeja kryesore mbetet përqendrimi i “trurit” të partisë në kryeqytet.
Suksesi i z. Ahmeti do të shërbej në rritjen e votave në zgjedhjet e ardhshme mirëpo nuk besoj se z. Kurti ishte direkt pjesë e kësaj fitore. Mendimi im është se janë dy faktorë për suksesin e VV në Prishtinë. E para, ishte udhëheqja e një kampanjëtë mrekullueshme nga Dardan Sejdiu, i cili, sipas mendimit tim, me mjeshtri arriti të mbajë nën hije z. Kurti me disa tjerë që kanë kapacitet të irritojnë masat me fjalime inflamuese, dhe e dyta, këtë e ndihmoi sigurisht fuqishëm edhe arroganca e z. Mustafa që nuk nxirrte duart nga xhepat dhe injoronte të gjithë kandidatët nëpër debate.Nuk duhet harruar se VV ka filluar të ndryshojë kurs dhe kanë pushuar qeverisjen në rrugë duke kuptuar se vandalizmet, hudhja e domatëve dhe krijimi i armiqëve nuk sjellin fryte. Gjithashtu mendoj se ka edhe shumë anëtarë të VV që nuk dëshirojnë të mbeten në opozitë përgjithmonë pasi që aktualisht gjasat që të dalin si partia e parë janë shumë të vogla mirepo idetë fikse të z. Kurti po mbajnë peng një parti të tërë që do të dërgojë në skadimin e saj duke qëndruar në opozitë të përhershme. Prandaj, ndryshimin e VV e shoh vetëm te pushimi i z. Kurtit në krye të partisë dhe që rrjedhimisht nënkupton ndryshim të mëtutjeshëm të qëndrimeve dhe hapjes për kompromise që eventualisht rrit gjasat për zgjërimin e bazës elektorale përtej kryeqytetit.
Pushteti i ardhshem
Rrjedhat e tanishme japin sinjale që më bëjnë të konstatojë se LDK do të del si partia më e madhe si pasojë e përcarjes brenda-partiake të PDK-së si dhe dështimeve të politikave të tyre gjatë këtyre tetë viteve derisa VV do të vazhdoj në opozitë që mund të ngushtojë edhe më tej elektoratin në vend, dhe rrjedhimisht nga kjo situatë përfiton AAK që pritet të vazhdojë flirtimin me partinë fituese derisa të jetë pjesë e pushtetit të ardhshëm pas një pauze të gjatë në opozitë.
HESHTJA E IDIOTËVE
Shkruan: Dimal Basha/
Kosova është shumë keq. Ndoshta Kosova është mirë, por populli që jeton në këtë vend është keq. Është keq sepse qe rrafsh 14 vjet është udhëheq keq e kjo udhëheqje vjen si pasojë e përbashkët nga disa që kanë zgjedh keq dhe disa që kanë zgjedhur mos me qenë pjesë e kësaj të keqe duke injoruar të drejtën e votes për të votuar. Tash të dy palët janë keq, por ma keq janë ata që janë në këtë gjendje të keqe për shkak të përzgjedhjes së keqe të tjetrit.
Njëri ushtron të drejtën e votës dhe prap hjek keq, mirëpo ky gjithmonë ma pak keq sepse vota e tij ka raste kur shpërblehet, kurse ai që zgjedh me injoru të keqen është idiot që i imponohet e keqja pa zgjedhjen e tij dhe rrallëherë shpërblehet. Prandaj më së keqi janë idiotët. Nuk flas për idiotët që në psikologji cilësohen personat me të meta mendore, këtu kemi teë bëjmë me idiotë që në Greqinë antike janë quajtur personat që nuk kanë marrë pjesë në zhvillimet politike. Shkurt, një njeri që nuk ka votuar për shembull është quajtur idiotë dhe këta idiotë në Kosovë janë më së keqi duke refuzuar të participojnë dhe vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj zhvillimeve politike. Injoranca e idiotëve prandaj është gjithashtu shkaku për gjendjen që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e gëzojnë dhe ka sjell Kosovën në një finale të mbijetesës. Aty ky nuk luftohet për progres e zhvillim, por për mbijetesë dhe degradim. Progresi dhe zhvillimi që ju servohet nga lartë është “zhvillimi ekonomik më i miri në rajon dhe gati jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk jemi ndikuar nga krizat botërore” sepse këtu me qëllim konfuzohet opinioni duke konsumuar progresin selektiv si fitore. Në shikim të parë, duket mahnitëse! Sikur të kishim një jashtëtokësorë dhe t’i ofronim këto të dhëna me siguri se do të mbetej i impresionuar. Kjo ngjarje edhe mund të mbetej bindëse me kusht që jashtëtokësori të na besoj se këto të dhëna janë e vërteta absolute dhe të mos lejohet të ketë qasje për botën që na rrethon.
Në të njejtat kushte jashtëtokësori kishte me u impresionuar edhe në Afganistan sepse Afganistani, prej vitit 2003 deri në vitin 2012 ka pasur një rritje ekonomike me mesatare 9.3% kurse në vitin 2012/13 ky zhvillim ekonomikë ka ngritur në 11.8%. Janë statistika që dokumentojnë se zhvillimi i ekonomisë në Afganistan ka pasur ngritjen më të lartë në botë në 10 vitet e fundit. Mirëpo kjo mbetet gjithmonë impresionuese vetëm për jashtëtokësorët në kushte të izoluara ngjashëm sikur në kohën e komunizmit kur propaganda e Enver Hoxhës ishte i vetmi mjet informimi dhe në izolim u thoshte popullit se Shqipëria është një kopsht me lule kurse e gjithë bota vdes urie. Kurse për ata që dëshirojnë ta kuptojnë kafshatën që po e kapërdisin ka më shumë se atë që ju servohet. Për shembull raporti i UNICEF-it të vitit 2010 tregon se papunësia për të rinjtë nën moshën 25 vjeqare është 73%. Sondazhi i QKSS-së tregon se 1/3 e popullsisë deklarohet se dëshirojnë të shpërngulen nga Kosova dhe mbi 20% shprehen se gjendja ekonomike është përkeqsuar. Sipas Business Inisder, nga 25 vendet më të mjera në botë Kosova zë vednin e nëntë. Ata që i keni zgjedhur të ju udhëheqin ju kanë shpërblyer juve dhe idiotët me një sistem gjysëm-autoritarë, siç e cilëson raporti i fundit nga Freedom House. Ju jetoni me një vend ku, sipas sondazheve, mbi 40% e qytetarëve nuk kanë besim në Kuvendin e Kosovës që përmban deputetë milionerë. Sipas sondazhit të UNDP-së, mbi 65% e qytetarëve të moshes 18-30 vjeq janë të pakënaqur me drejtimin e zhvillimeve politike. Kurse nga 176 vende, Transparency International na rendit në pozitën e 105 nga vendet më të korruptuara në botë në të njejtin nivel me Gambinë, Malin, Bolivinë.
Prandaj, të gjitha këto të dhëna do duhej ta pozicionin qeverinë si një force të zhveshur pa gëzuar ndonjë legjitimitet. Megjithatë, marshi vazhdon dhe 14 vjet pas çlirimit të vendit që dikur e mendonim se do ta bëjmë një kopsht me lule, kemi një pjesë që zgjedh të marr rrugët e botës për të siguruar kafshatën e gojës, një pjesë që vazhdon të zgjedh të keqen dhe pjesa tjetër janë idiotët që vazhdojnë të mbesin indiferent ndaj zhvillimeve në vend.
Dhe çka mbetet enigmatike është se pas gjithë kësaj skamje dhe degradimi pushtetarët ende mbesin më të uritur se populli.Sigurisht se një ndër fajtorët kryesorë janë idiotët që sikur zgjedhin të flasin me hije duke menduar se bota përfundon në shpellën e Platonit.Megjithatë, heshtja e juaj inkurajon edhe më shumë gjendjen ku jeni dhe forcon sistemin semi-autoritarë duke lënë të kuptohet se ata në krye po bëjnë një punë të mirë. Nuk kanë sesi të mendojnë ndryshe kur kanë një turmë që i votojnë dhe një tjetër që kanë zgjedhur të mos zgjedhin ndryshe që përkufizohet nga karakteri i Pogos që thotë “ne kemi takuar një armik, dhe ai armik jemi vet ne.”
Është e arsyeshme që mungesa e alternativave në sistem ju lë të mbeteni idiotë mirëpo keni një solucion të vetëm që të ndëgjohet zëri juaj.Kjo mbetet hapësira dhe sheshet publike ku mund të shprehni paknaqësitë tuaja me anë të protestave paqësore pa ju bashkuar asnjë partie politike.Aty ku sot me miliona njerëz nëpër botë kanë zgjedhur të kundërshtojnë regjimet që nuk përfaqsojnë intereset e qytetarit dhe nuk kanë prioritet mirëqenien e tyre. Duhet të jetë e natyrshme ngritja e zërit kundrejt padrejtësive sepse edhe foshnja vajton kur ndjehet e uritur dhe britmat shpeshherë ndihmojnë sadopak në lirimin e dhimbjeve që përjetojmë kur truri na e shkëput vëmendjen, që së paku për momentin, na jep hapësirë të mos mendojmë për dhimbjen.
Ekonomia në Kosovë edhe mund të ketë pasur rritje por dinjiteti dhe humanizmi në këtë vend ka degraduar. Të dhënat e ngritjes ekonomike mbesin impresionuese për ata që pranojnë të shofin botën përmes vrimës së qelësit, përndryshe, të gjitha raportet tjera dhe faktet në teren dëftojnë se ky vend është duke u përdhunosur. Ju mbeteni të konfuzuar duke konsumuar progresin selektiv si fitore.
Ata që janë përgjegjës për të keqen e përbashkët dhe që përjashtojnë veten nga drejtësia që e kërkojnë nga unë dhe ti nesër do të amnistohen. Duke pa që fleni gjumë, kanë zgjedhur që krimin ta pastrojnë me amnisti në të gjitha hapësirat me afat të pacaktuar dhe nëse ti zgjedh të mbetesh idiotë dhe nuk kundërshton të keqen e përbashkët nuk mban asnjë të drejtë të fajësosh përzgjedhjen e së keqes së tjetrit por vetëm heshtjen tënde sepse zgjedhja, çfardo qoftë ajo, gjithmonë triumfon ndaj heshtjes. Nëse mendoni dhe nuk e ngritni zërin prap mbeteni përjashtimi i definicionit të eksitencës i formuluar nga René Descartes i cili e përkufizon ekzistencën me “mendoj prandaj jam” sepse ju ndoshta mendoni por nuk ekzistoni.
Dimal Basha/Twitter: @dimalbasha
www.dimalbasha.com
ANTI-SEMITIZMI DHE ISLAMI RADIKAL NË KOSOVË
Shkruan : Dimal Basha – New York/
Propaganda anti-semitike e Hitlerit ishte njëra ndër veglat kryesore për “justifikimin” e diskriminimit, segregimit dhe persekutimit të hebrejëve gjatë luftës së dytë botërore. Edhe pse kemi komentime të ndryshme në lidhje me origjinën e urrejtjes dhe fanatizmit të tij për të asgjësuar një popull të tërë, nuk ka asnjë dyshim për deluzionin e tij se hebrejët ishin arsyeja për të gjitha parregullsit dhe ku si pasojë pësuan jetërat e milionave njerëzve, në mesin e të cilëve shumica ishin hebrejë.
Hitleri përdori hebrejët si vegël para se të fitoj zgjedhjet në Gjermani dhe urrejtjen ndaj tyre e bëri platformë politike dhe shëndrroi në ‘kryqëzatë’ pas ardhjes në pushtet! Dallimi i tij prej një individi të rëndomtë ishte se Hitleri fitoi pushtetin që i dha fuqinë për të kryer krime në një masë të tmerrshme.
Tani që shqiptarët gëzojnë një rrespekt për shpëtimin e hebrejëve që ndiqeshin nga persekutimet gjatë asaj kohe dhe që njifeshin botërisht për tolerancën dhe rrespektin ndërfetarë, ky kurs ka marr një kahje të çuditshme me ardhjen e një Islami i importuar nga vendet arabe menjëherë pas luftës. Janë këto rryma të një Islami fundamentalist që përdorin të njejtën propagandë naciste që përçon urrejtje dhe legjitimizon dhunë!
Shumica e këtyre aktorëve fundamentalistë janë intolerant dhe sipas Yahya Sadowsky karakterizohen me tri kritere. E para, besimi i tyre se çdo individ që nuk ndan besimet e tyre strikte konsiderohen si të devijuar dhe denoncohen si jo-besimtarë. E dyta, shpesh-herë zhyten në teori kosnpirative duke arsyetuar se hebrejët janë arsyeja kryesore për të gjitha të këqijat dhe shpesh i akuzojnë ata për luftën kundër botës Islame. E treta, muslimanët shiia i konsiderojnë si armiqt më të përbetuar dhe predikimet ndaj tyre , hebrejëve, dhe të gjithë që nuk ndajnë besimet e tyre përmbajnë një gjuhë urrejtje, përcarëse por edhe raciste. Janë një numër individësh që për agjendë e kanë ngulfatjen e cfardo mendimi ndryshe dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes janë mënyra që ata shpeshherë rezonojnë.
Në këtë grup kemi edhe racistin Enis Rama, hoxhë që është pjese e ketij mullini që prodhon urrejtje anti-semitike. Shpesh thirret në paqë por nuk heziton të shfaq ndjenjat raciste dhe urrejtjen për grupe të caktuara duke e shoqëruar me teori konspirative.
Në njërën nga ligjërat e tija që është e publikuar në YouTube, ai shpreh racizmin e tij ku thotë se “në rrafshin njerëzor, nuk ka lloj njerëzor, kabile fis apo ngjyrë më shkatrrues, ma t’prisht edhe ma fesaxhi se çifutët.” Me tej, hoxhë Enis Rama konludon ngjashëm sikur Hitleri dikur se “burimi i secilit sherr shpie te çifutët” dhe akuzon hebrejët për të gjitha problemet ne lindjen e mesme duke thënë se “lufta në Siri… është luftë e drejtpërdrejt mes një besimit të pastër dhe asaj të ndytë të jahudive.”
Nuk ka dyshim se kjo gjuhë raciste çon në urrejtje të mëtutjeshme dhe nuk është çudi që predikimet si kjo gjithashtu shpiejnë tek incidente sikur që kishim përdhunosjen e varrezave hebraike në Prishtinë. Frika ekziston se çfarë pasoja do të ketë në të ardhmen kur rritet numri i individëve aktiv që mendojnë sikur racisti Enis Rama?
Është gjithashtu vështirë me paramendu se çfarë mendon Enis Rama me bashkëmendimtarët e tij për miqt tanë hebrejë si ish sekretarja e shtetit Amerikanë Madeleine Albright, që ishte shtytësja ma e madhe për intervenimin në Kosovë dhe vet njëra nga të përndjekurit e regjimit nacist, apo edhe kongresmenin Eliot Engel, ish zëdhënësin James Rubin, senatorin Charles Schumer e sa e sa miq tjerë hebrej që mbajnë pozita kyqe në administratën amerikane dhe janë mbështetës dhe shtyllë kryesore e shtetit që e gëzojmë?
Duket e pakapshme me kuptu se si një popull që historikisht u shquam për tolerancë dhe rrespekt arritëm që veq pas më shumë se një dekade Kosova të kthehet në një fole fundamentalistësh ku gjuha raciste si kjo e Enis Ramës është pjesë e një propagande që kalon pa u vërejtur.
Rrëziku po rritet kur Islami fundamental në Kosovë po kalon në atë radikal. Ky i fundit përkufizohet atëherë kur feja legjitimizon dhunën për të arritur një objektiv dhe ky legjitimizim vie nga Shefqet Krasniqi, njeriu më i paskrupullt që në emër të Zotit e legjitimizon dhunën. Në emisionin Rruga e Ndriçuar të 4 Prillit, hoxha merr një pyetje nga një qytetarë ku thuhet, “a kam hi në gjynah se i kam ra shuplakë një personi të moshuar kur ndjeva që ai përdorte gjuhë ofenduese ndaj Allahut?” Përgjigja e hoxhës ishte e thjeshtë, “jo s’ke hi n’gjynah, jo inshallah!”
Shkurt, një person ka sulmuar fizikisht një tjetër në moshë për arsye se ka ndëgjuar fjalë që nuk përkojnë me besimin e tij dhe krimineli në këtë rast kërkon legjitimizimin e aktit të tij përmes hoxhës që i tregon se, sipas dogmës së tij talibaneske, nuk ka kry një gjynah dhe rrjedhimisht feja e tij “paqësore” e lejon këtë dhunë! Radikalizmi brina nuk ka dhe kombinimi i një gjuhe raciste si ai i Enis Ramës me legjitimizimin e Shefqet Krasniqit mund të ketë pasoja radioaktive përbrenda shoqërisë sonë por edhe si shtet në arenën ndërkombtare.
Medeomos mbes i palëkundur në besimin se shumica e popullit shqiptarë mbeten të arsyeshëm dhe me siguri se shqetësohen nga këto predikime radikale, mirëpo qetësia dhe pasiviteti kundrejt kësaj gjuhe raciste e shumicës është pasojë e frikës së cenimit të drejtpërdrejtë të një radikalizmi që është në rritje e sipër që vie si pasojë e neglizhencës nga vet autoritetet dhe qeverisë që qëndrojnë indiferent ndaj propagandave naciste dhe legjitimizimit të dhunës.
Unë si një qytetarë i Kosovës nuk më mbetet të elaboroj më shumë për urretjen që përçohet nga këta radikalë sepse i mbetet autoriteteve të mirren me ta, mirëpo mund të kërkojë falje për shumicën e një populli që i shef si miq Albright e të gjithë të tjerët të cilët, pa marr parasysh religjioni, etnie apo ngjyre, ishin dhe mbesin pjesë e miqve të shumtë që na përkrahën në ditët kur vet ishim subjekt asgjësimi.
A E DEGJON SHQIPERIA DHE KOSOVA THIRRJEN E DIASPORES?
Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre./
Nga DIMAL BASHA/
Kur ishte koha për “Vendlindja Thërret,” mërgimtarët ju përgjigjen thirrjes. Tash, para se të ndërroni faqen, gjeni pak kohë të lexoni se si t’i përgjigjet qeveria projektit “Diaspora Thërret.”Diaspora shqiptare, që përbën një të tretën (1/3) e popullit tonë vazhdon të jetojë jashtë vendit dhe mbetet e neglizhuar. Problemet e Kosovës janë probleme të shqiptarëve kudo. Kudo që gjenden ata i okupon çështja e politikave dhe gjendjes së vendit të tyre.
A duhet që mërgimtarët të ju kujtojmë bijve e bijave të tyre që ata të mendojnë për Kosovën nëse Kosova nuk mendon për ta? Diaspora e ka dhënë borxhin ndaj vendit të tyre, a duhet që këtë borxh Kosova e Shqipëria të ja kthejnë diasporës?
Sot, arsyet për kujdesin e diasporës kundrejt vendit tyre janë të shumta! E para, numri më i madh i tyre janë gjenerata e parë jashtë vendit dhe kjo bën që të jenë shumë të ndërlidhur me vendin. E dyta, shumica ende kanë të afërmit që jetojnë në Kosovë. E treta, përgjegjësia dhe afërsia e diasporës lidhet direkt me varfërinë e popullit sepse kjo i bën të obliguar të ndihmojnë familjarët që dështohen nga qeveria.
Nuk mendoj se kjo gjendje do të qëndrojë derisa qeveria nuk ndërron kurs. E para, ndërlidhja me vendin nuk do të jetë e njëjtë pasi që numri i madh i tyre janë lindur e rritur jashtë vendit. E dyta, ata/ato nuk do të kenë të afërm që do të shërbente si arsye për vizita. Rrjedhimisht, nëse jam i sinqertë, nuk besoj se djali im do t’i dërgojë fëmijët e tij për pushime në Kosovë. Gjeneratat ndërrojnë shpejt dhe nëse qeveria nuk i qaset seriozisht këtij problemi dhe nuk ndërmerr hapa konkret t’i mbajë afër, ata do mbesin një pasuri e humbur për vendin.
Shifrat tregojnë se Kosova ka pranuar plot katër miliardë euro prej vitit 2004. Me fjalë të tjera, 500 milionë euro në vit. Pyetja që duhet të shtrohet është se sa do të zgjatë ky trend? Pas gjithë kësaj, mund të konkludohet që qeveria prapë vazhdon ta neglizhojë diasporën në mungesë të planeve konkrete. Shumica e strategjive “brain gain” kanë mbetur veç letra në sirtarë, kurse Ministria e Diasporës ka mbet si një institucion që pak njerëz e dinë që ekziston. Thjesht, qeveria e Kosovës, por ajo e Shqipërisë, kanë një fuqi të madhe që nuk po e shfrytëzojnë dhe është koha që të ndryshohet kursi.
Ka disa solucione që janë të realizueshme por kërkojnë një qasje serioze nga qeveria dhe është koha e fundit që të fillohet një pilot-projekt. Projekti “Diaspora Thërret” në vija të trasha ofron një nismë të mbarë që do të përfitonte më së shumti Kosova. Është projekt apolitikë që është një urë më shumë në mes diasporës dhe vendit tonë.
Aplikimi
Në radhë të parë, ky projekt mundëson aktivizohen studentë që jetojnë dhe arsimohen jashtë vendit. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ambasadat e tyre dhe Ministrinë e Arsimit duhet të hapin konkurse për të gjithë studentët që dëshirojnë të mbajnë klasa verore një-mujore për nxënësit e klasave të mesme dhe atyre fillore (parauniversitare).
Ky plan kishte me pas përfitime të dyanshme. E para, një numër i konsiderueshëm nxënësve do të përfitonin gjatë një kohe ku shumica e tyre janë me pushime dhe kalojnë kohën pa ndonjë aktivitet. Nxënësit do të përfitonin njohuri të reja nga lami të ndryshme dhe do të ishte një përvojë dhe stimulim për kreativitet.
Në anën tjetër, studentët të arsimuar jashtë vendit do të kishin një arsye më shumë të vizitonin vendin e tyre. Të njëjtën kohë ky program do t’i ofronte ata me njerëzit e tyre duke qenë afër me fëmijët dhe duke kuptuar përafërmi sfidat dhe popullin e tyre që do të shërbente si stimulim për ide të reja dhe interesim më të madh të tyre në të ardhmen.
Duhet të cek se varësisht prej përgatitjeve të aplikuesve, ambasadat duhet të jenë të hapur ndaj çfarëdo kursi. Të lejojnë hapësirë që të ofrohen kurse nga arti, politika, ekonomia, muzika e çkado tjetër. Kjo do të mundësonte që nxënësit të ekspozohen lëmive të ndryshme dhe diçka që ndoshta nuk është e rëndomtë në kurrikulumet në Kosovë.
Kriteret
Qeveria duhet të caktojë kriteret për aplikuesit. Për shembull, të gjithë studentët që kanë të mbaruar fakultetin dhe master kualifikohen për të dhënë një kurs një-mujorë në shkollat fillore edhe ato të mesme.
Gjithashtu duhet të lejohen të aplikojnë edhe artistë apo edhe individë që kanë zeje të ndryshme apo përvojë dhe aftësi të veçanta. Shkurt, aplikimi mbetet i hapur për të gjithë dhe një staf ekspertësh duhet të vendosë se cilat planprograme mund të ndihmojnë më së miri nxënësit tanë.
Për tu kualifikuar, duhet të kërkohet të gjithë aplikuesit të ofrojnë programin mësimorë për një muaj.
Gjithashtu duhet të ceket në aplikim minimumi i përmbushjes së orëve. Për shembull, minimumi mund të përcaktohet të jetë për shembull 5 orë mësimi në ditë.
Numri i aplikimeve duhet të ndahet në kuota të përafërta. Për shembull, nëse Zvicra ka numrin më të madh të diasporës, atëherë edhe numri i ligjëruesve duhet të jetë më i madh nga ai vend. Nëse Zvicra nuk e përmbush numrin, atëherë ai numër mund të zëvendësohet nga aplikimet e vendeve tjera.
Gjithashtu, aplikuesit duhet të cekin vendqëndrimin, apo vendqëndrimet e tyre (komunat) që ata mund të qëndrojnë, për shkak që të ketë mundësi më të lehtë akomodim që lehtëson udhëtimin e tyre brenda Kosovës. Për shembull, një student që jeton në Amerikë dhe ka mundësi qëndrimi në komunën e Pejës e lehtëson përcaktimin e tij apo saj në atë komunë në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi.
Aplikimet duhet të dorëzohen në ambasada gjashtë (6) muaj para fillimit të sezonit verorë për të lejuar kohë të mjaftueshme për organizimin e implementimit.
Incentivat
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet që t’ju ofrojë studentëve që fitojnë të drejtën për të ligjëruar nga një shumë të caktuar të hollash. Kjo duhet të caktohet me shuma të caktuara varësisht se ku gjinden gjeografikisht. Për shembull, studentët nga SHBA duhet të marrin një shumë prej 1,000 Euro derisa ata nga Evropa 700 Euro. Këtu pra përfshihen një shumë bruto që mbulon një pagë minimale të mësuesit dhe një ndihmë-pagesë për udhëtimin. Tjerat shpenzime duhet të mbulohen nga vet studentët. Një shumë e caktuar do të lehtësonte ndërlikimin që krijohet nga një burokraci inefektive.
Ndoshta ka prej atyre që kundërshtojnë që një shumë e tillë do të ishte e tepërt. Unë ju kujtoj se një numër i madh i këtyre studentëve janë të papunë dhe incentiva do të shërbente që ata të mbulojnë vetëm një pjesë të harxhimeve. E dyta, kjo pagesë nuk përmban asnjë agjendë ngase fëmijët e të gjitha shtresave do të përfitojnë nga ky projekt. E treta, ky është një investim afat-gjatë. Nëse Kosova mendon të kthej trurin dhe të stimulojë gjeneratat e ardhshme të investojnë dhe mendojnë për vendin e tyre, ky projekt i ofron ata me realitetin më shumë se kurrë.
Konkludimet
Në përfundimin e kurseve, secili ligjërues duhet të vlerësohet nga nxënësit. Ky vlerësim duhet të përmbajë pyetësorë pa emër dhe mbiemër që secili nxënës ka rastin ta vlerësojë ligjëruesin pa cekur emrin e tij/ saj. Vlerësimet për nxënësit nën moshën 14 vjeçare duhet të plotësohen nga prindërit.
Të gjitha ato vlerësime duhet ti dorëzohen Ministrisë së Arsimit e cila pastaj në bazë të tyre llogarit nëse i njëjti person fiton të drejtën të aplikoj prapë. Të gjitha këto vlerësime për ligjëruesit duhet t’i dorëzohen ambasadave përkatëse që të kenë shënime për referenca.
Më tej, me përfundimin e ligjërimit, secili ligjërues duhet të merr një certifikatë falënderimi nga Ministria e Arsimit në Kosovë që ju shërben atyre si një dokument faktues për rezymenë e tyre dhe njëkohësisht një falënderim nga qeveria e Kosovës.
Përfundimisht, secili ligjërues është i obliguar të shkruaj një përmbledhje personale reflektimi dhe të njëjtë kohë të ofroj vlerësimin për nxënësit dhe çfarëdo rekomandime tjera që mund të përmirësojnë arsimin në vendin tonë.
Ky projekt nuk është perfekt dhe mbetet një ide e kahmotshme e imja, por me siguri se ofron një shteg drejt një nismë të mbarë. Projekti duhet të merret seriozisht dhe realizimi konkret mund të fillojë me një pilot-projekt në njërën nga ambasadat tona. Për mendimin tim, këtu përfitojnë fëmijët në Kosovë dhe njëkohësisht e afron diasporën me vendin. Gjithashtu, nuk përmban asnjë agjendë politike andaj duhet të përkrahet nga të gjitha partitë politike.
Koha është armiku më i madh dhe çfarëdo neglizhimi i mëtejshëm vetëm do ta bëjë këtë më të vështirë që të realizohet. Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre. Nëse nuk ndërrohet kursi, edhe Kosova edhe Shqipëria rrezikojnë të humbin margaritarin që e kanë jashtë vendit. Diaspora ju përgjigj thirrjes “Vendlindja Thërret”, është koha që Kosova t’i kthejë borxhin diasporës dhe t’i përgjigjet projektit “Diaspora Thërret.”
Autori është:Student në The New School University – New York. Mund ta ndiqni në Twitter @dimalbasha