Nga Marjana Bulku/
Dibra, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht…
Një heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet…një heshtje që dhemb sidomos kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë të përvuajtur.
Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur.Kur varfëria dominon , shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as e pagjallë.Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi të rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të të ikurve.Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës, arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi, banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende estrada, Prefektura Posta…Përtej cdo objekti ka shumë histori të pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të pëshpërisnim dicka jo pa krenari.
Qyteti hesht edhe kur duhet të tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë ,shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur përmendet tradita e gatimit, jetesës , pastërtisë.Qyteti hesht edhe kur në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit…
Kur po ndërtohej Rruga e Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën, jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve gjithashtu…asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte…e vetmja media lokale transmetonte non-stop filmat: “Kapedani” dhe ” Kumbari” madje kujtoj se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.
Qyteti që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që s’ndal.
Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.