• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disa mësime të javës së parë të protestës studentore…

December 12, 2018 by dgreca

1 a zef preci

NGA ZEF PREÇI/

Përtej kryefjalës së këtyre ditëve, “student”, dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila në çfarëdo fjalori demokratik është një protestë politike dhe nuk mund të jetë ndryshe, të paktën qysh nga Plutarku deri në ditët e sotme, pavarësisht repertorit të çështjeve që ngrihen në to. Në rastin e protestës së studentëve duket se janë kryesisht çështje që lidhen me menaxhimin e sistemit arsimor, me përfaqësimin e studentëve në të, me koston e shkollimit në një sistem të promovuar si “falas” si dhe me kushtet e infrastrukturës në arsimin e lartë publik.

Duke ndjekur me kujdes evoluimin e kërkesave të studentëve nga njëra ditë në tjetrën, shihet qartë se suksesi i saj i derisotëm lidhet, nga njëra anë, me mbështetjen publike e politike që gëzon (kjo e fundit e perceptuar si garë mbështetjen e pazëshme të forumeve partiake dhe “ndeshje” midis tyre për kontrollin eventual edhe/ose pronësimin e “fryteve” të saj në fund). Nga ana tjetër, duken të dështuara përpjekjet për ta mbajtur atë në kornizat e një proteste për punë “tarifash studimi dhe kondita fjetoresh në konvikt”, gjë që u reflektua edhe në monologun tmerrësisht të gjatë të z. Rama në mëngjesin e ditës së 7 të protestës. Pra, të gjitha palët, ndoshta përveç opozitës, e cila e ka “detyrë parësore” të sajën menaxhimin dhe shfrytëzimin e çfarëdo pakënaqësie ndaj qeverisë ndër grupet e ndryshëm socialë të vendit, kësaj radhe janë kapur në befasi.

Nëse analizohet me kujdes thelbi i protestës dhe mbështetja publike e gjeneruar ndaj saj, mund të thuhet, së pari, se ajo shënon pa diskutim një hap përpara në emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë së sotme shqiptare, emancipim që fillon me njohjen e problemeve të kësaj shoqërie. E kur vjen puna për problemet, nuk ka diskutim se në vetëm 7 ditë proteste, studentët flakën tutje perden shumëvjeçare të retushimit të realitetit deri në ndërtimin e një Shqipërie virtuale, që dita-ditës largohet me shpejtësi nga Shqipëria reale, plot dhimbje, vuajtje e privacione dhe pak shpresë për një jetë më të mirë, në të cilën jetojnë shumica e studentëve dhe familjeve të tyre.

Së dyti, kjo protestë dëshmon edhe faktin se lidershipi i sotëm politik në pushtet është larguar shumë nga realiteti dhe është zhytur në korrupsion dhe skandale, nga të cilat nuk e shpëton dot një media e (keq)përdorur dhe stërpërdorur si kjo e jona, duke përfshirë edhe median audio-vizuale kombëtare.

Kështu, ardhja në Tiranë këto ditë e një mashtruesi indian dhe pritja glamoroze e tij dhe suitës që e shoqëronte në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit, e përcjellë më zë dhe me figurë nga disa portale dhe e pademontuar nga protagonistët apo mbrojtësit politikë të kësaj vizite, të lë një shije shumë të hidhur, që flet më shumë se deklaratat dhe tautologjia në rrjetet sociale e udhëheqësve që “nuk i zë gjumi për hallet e popullit…”. Nuk po flas për koncesione e PPP klienteliste, për “rrugë pa rrugë” dhe për tenderë të pakërkuar e pa konkurrencë apo për falsifikimet prej dhjetëra miliona dollarësh, të cilat nuk ka SPAK në botë, që i gjen e i ndëshkon mirëfilli.

Së treti, edhe pse të artikuluara si kërkesa minimaliste, në dukje tërësisht ekonomike, nga njëra ditë në tjetrën këto kërkesa u plotësuan me problematikën e gjerë të sistemit arsimor universitar të vendit, me nevojën e luftës kundër mediokritetit, keqqeverisjen e rektorateve, mungesën e paqartësitë e politikave publike në këtë sektor, ndikimet ne rritje të lobeve të biznesit dhe të oligarkisë, largimin nga Deklarata e Bolonjës dhe eksperimentimet e pafundme që kanë sjellë situatën në të cilën jemi sot.

Së katërti, për shkak të diversitetit të formimit civil të studentëve pjesëmarrës në protestë, por edhe të solidarizimit me ta të studentëve nga disa nga qytetet kryesoret vendit dhe prindërve të tyre, nga tërësia e fjalëve të tyre përshëndetëse, vihet re se ata kanë arritur përgjithësisht të bëjnë cilësisht dallimin midis gjendjes në vendnumëro të dekadës së fundit dhe shitjes së këtij stanjacioni si progres dhe hapa përpara. Ndoshta ky është edhe mësimi më i madh i javës së parë të protestës – klasa politike në pushtet dhe në opozitë, por veçanërisht ajo në pushtet, e diskredituar dhe pa reputacion të vërtetë publik (por me votat që blen, numëron dhe “gëzon” vetë), e dyshuar dhe e përfshirë gjerësisht në korrupsion, në një vend me institucione drejtësie të munguara dhe thuajse plotësisht të kontrolluara prej saj, nuk mund të vazhdojë “të bëjë politikë” ashtu si deri më sot. Pra, “gota” e mbushur plot e përplot e pakënaqësisë publike rrezikon të derdhet dhe duket se kësaj radhe shqiptarët nuk do t’i drejtohen me dëshpërim aeroportit për të marrë rrugët e botës si muhaxhirët dikur, por do t’u kërkojnë llogari deri në një qeveritarëve të vet, atyre që kanë marrë përsipër qeverisjen e vendit

 

Filed Under: Analiza Tagged With: disa mesime, Protesta e studenteve, Zef Preci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT