• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëri-Dita e Sulltan Nevruzit

March 22, 2017 by dgreca

Dita e Sulltan Nevruzit, presidenti Bujar Nishani uron nga teqeja e Ali Postivanit në Përmet/

1 Nishani Novruz

Presidenti Republikës, Bujar Nishani dhe zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Nevruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërsisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj.Me këtë rast Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve, Baba Hekuran Nikollari me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”.Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi:Së pari dëshiroj t’ju uroj nga zemra: Gëzuar festën e Festën e bekuar të Sulltan Novruzit, Gëzuar të gjithëve! Në këtë bukuri që të shikon syri këtu, s’ka sesi zemra të mos jetë njerëzore, e shpirti të jetë bujar.Jam shumë i lumtur që jemi sot së bashku në ditëlindjen e Imam Aliut, këtu në Teqen e Ali Postivanit, në këtë strehë piktoreske të Zotit, natyrës dhe njeriut.

3 Nevruzi

Jam shumë i lumtur të dashur miq që pata edhe ftesën, edhe dëshirën për të më mikpritur, por edhe të jem këtu sot së bashku me ju në një ditë të shenjtë, në një ditë të madhe, në një ditë të veçantë, në ditën e lindjes së Imam Aliut këtu në Teqenë e Ali Postivanit, në këtë strehë sa piktoreske të Zotit, aq edhe të njeriut. Është një kënaqësi për mua dhe një privilegj si President i Republikës, por edhe si një qytetar i thjeshtë, si njëri prej jush që ta uroj këtë festë gjithë bashkësinë e ndritur të bektashinjve, për të gjithë bektashinjtë shqiptarë e për të gjithë bektashinjtë anembanë botës dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen e nderimin për punën e përkushtimin e klerikëve bektashinj, të cilët me aq pasion, me dashuri, me përunjësi dhe me besim, përpiqen çdo ditë për të lehtësuar vështirësitë, problemet e njerëzve tanë dhe për t’i orientuar ata drejt rrugës më të mirë, drejt rrugës së parimeve për të cilat në çdo kemi e do të kemi gjithnjë nevojë.2 Nevruz

Sot ne festojmë ditën më të rëndësishme të besimit bektashian, ditën e ringjalljes dhe shpresës dhe të gjithë ne lutemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, por ne lutemi për një të ardhme më të mirë edhe për të gjithë shqiptarët.

Kam ardhur këtu në Teqen e Alipostivanit, ë bashku me, pranë jush, sepse vetë besimi bektashi sikurse çdo besim tjetër merr vlerën e së vërtetës kur rrezaton edhe në zonat më të thella, anembanë trojeve tona shqiptare, dhe prek nga afër çdo zemër shqiptari, jo vetëm këtu në Alipostivan, jo vetëm në Përmet e në Këlcyrë, jo vetëm në Skrapar e Tepelenë, por deri në Amerikën e largët ku komuniteti bektashian shqiptar është aq i organizuar dhe aq kontribues.

Komunikimi sa më i mirë me besimtarët e vet ka bërë që teqetë e bektashinjve të jenë të shpërndara në pikat më atraktive dhe më dominante të relievit shqiptar, dhe kjo nuk është rastësi. Me ndërtimin e tyre plot finesë ato pasqyrojnë botën e pasur shpirtërore të bektashinjve shqiptarë. Teqetë shqiptare përfaqësojnë një arkitektonikë mahnitëse dhe krijojnë në tokën që jetojmë ne një kostelacion yjesh të përngjashëm me ato që i shohim në qiell.

Brenda këtyre strehave të kultit ato i japin jetë dhe shpresë shpirtit njerëzor nëpërmjet besimit tek Zoti, dijes, atdhedashurisë dhe kulturës që ato përhapin. Më shumë se fjalët këtë bashkëjetesë hyjnore të njeriut me Zotin dhe Atdheun e pasqyron rindërtimi i kësaj teqeje-monument këtu në Ali Postivan.

Prej këtij asambli të bukur e të mrekullueshëm arkitekturor vështrimi depërton përgjatë luginës së Vjosës e deri në Përmet, ngrihet lart në majat përreth dhe malet e Nemerçkës, Postenamit, Trebeshinës, Dhembelit deri tek Maj e Kokojkës, bukuritë që Zoti na i ka falur e duhet të jemi krenarë për to e duhet të punojmë t’i ruajmë fort ato. Teqeja e Alipostivanit nën shembullin e Teqes së Frashërit dhe gjithë teqeve simotra u krijua dhe hodhi shtat në një truall që gjithmonë ka reflektuar dashuri për pavarësinë, për mëvetësinë, arsimin dhe kulturën, për dijen, për qytetërimin e për përparimin.

Merita e baballarëve të saj të nderuar ishte se ata u bënë pjesë aspiratës të popullit që i përkisnin. Madje ata lanë gjurmë të fuqishme në luftrat e popullit të kësaj krahine për liri, shkollë shqipe e flamur kombëtar në të gjitha etapat. Teqetë e kësaj treve, si kudo në trojet shqiptare, krahas misionit fetar u shndërruan në vatra të vërteta atdhetare dhe emancipimi kulturor.

Nuk është rastësi që nga kjo krahinë janë edukuar dhe kanë dalë njerëz të shquar bektashianë si Frashërllinjtë e famshëm, Baba Alushi, Baba Aliu, Baba Abdullai, Dervish Selfo Merdini e shumë të tjerë para kontributit e kujtimit të të cilëve ne sot e përgjithmonë duhet të përkulemi me respekt.

Të dashur miq e besimtarë bektashianë,

Besimi bektashian, në gjirin e të gjithë besimeve të tjera, arriti të vendosë rrënjë të thella në shpirtin tonë e të kthehej në një burim jo vetëm tolerance e harmonie, por edhe në një faktor të qenësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste. Ky besim ia doli të japë fryte të shëndetshme në trojet tona, sepse krahas besimit hyjnor ai gjeti tek shqiptarët një shpirt të gjerë e mendje të hapur si dhe traditat më të arrira të burrërisë, nderit dhe krenarisë. Ndaj ky besim jo vetëm u mirëprit, por u hap gjerësisht dhe sot është një frymëzim i thellë njerëzor, patriotik, por edhe kombëtar.

Nga ana tjetër në Shqipëri teqetë ndihmuan në ndërtimin e paqes fetare dhe shpirtërore si dhe në ruajtjen e identitetit të gurrës së pasur etno-kulturore të besimtarëve shqiptarë. Nga gjiri i bektashianëve do të dilnin poetë, studiues, politikanë dhe letrarë të shquar. Gjenerata të tëra bektashiane të prirë nga burrat e familjes Frashëri i dhanë Atdheut shembuj të mëdhenj të qëndresës dhe diturisë si dhe kontribute të vyera në zhvillimin e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Ideologët kryesorë të Rilindjes sonë kombëtare vendosën në themelin e shtetit shqiptar harmoninë fetare dhe platformën e një shteti me tipare evropiane, atë të shtetit dhe kombit unikal, por me dashuri reciproke midis feve.

Bektashizmi ishte dhe është një nga  katër shtyllat kryesore të kësaj harmonie.

Pjesëtarët e këtij komuniteti të prirë nga baballarët e tyre me zemër të madhe, ishin ndër ata shqiptarë, të cilët hapën rrugën për përparimin e gjithçkaje.

Bektashianët ishin dhe mbeten mbështetës në çdo aksion reformues për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Kjo është edhe arsyeja se pas genocidit komunist të shkurtit të vitit 1967 kur teqetë si dhe objektet e tjera të kultit, u shembën, u rrafshuan, u dhunuan, u mallkuan, por përsëri besimi bektashian në zemrën e njrëzve nuk u shua, por mbijetoi.

Ai mbijetoi sepse ishte ngulur fort në mendjen dhe shpirtin e çdo besimtari shqiptare dhe nuk u mposht nga ateizmi, sepse në themel të filozofisë së tij ishte e mira e përgjithshme. Kështu 25 vjet më parë në 22 Mars të vitit 1992, bektashizmi u ringjall me një forcë të re edhe më të fuqishme se më parë për të zëvendësuar me shpejtësi, atë që ne shpesh e quajmë si kohën tonë të humbur në të shkuarën.

Edhe gjatë këtyre dy dekadave në udhëheqjen e të ndriturit Baba Reshat Bardhi ne i pamë bektashinjtë shqiptarë të ringjallur tek mblidheshin rreth vatrave të tyre të shenjta, kudo në Shqipëri, duke iu drejtuar Zotit për një jetë e të ardhme më të mirë, por edhe duke vënë vetën e tyre në gatishmëri dhe në shërbim për të arritur këtë të ardhme më të mirë. Historia dhe e tashmja e bektashizmit shqiptar ngelen përgjithmonë pjesë e ndërgjegjes së re që krahas ushqimit të filozofisë islame merr jetë edhe nga tradita shqiptare. Kjo është jo vetëm një krenari për të gjitha besimet, por kjo lidhje me interesat e kombit merr akoma dhe më shumë vlerë sidomos në kushtet kur në botë po fryjnë erëra fondamentalizmi, të cilat kurrë nuk kanë gjetur strehë në Shqipërinë tonë të dashur, në zemrën patriotike të besimtarëve tanë.

Një model si ky i bektashianëve, duhet të kthehet patjetër në një gurrë frymëzimi se si mund të jetë modern e njëkohësisht tradicional një besim i cili qëndron së bashku me ndjenjën dhe zakonet kombëtare.

Teqeja e Ali Postivanit është tashmë një strehë e ngrohtë besimi dhe shprese për shpirtrat e lënduar, për qytetarët në nevojë dhe për jetën e aspiratat e secilit prej nesh që dëshiron një Atdhe më të mirë, një familje më të begatë, një individ të sigurtë, e një tokë më të ndriçuar e një shpirt më bujar.

Qysh prej Baba Aliut, kjo teqe për fatin e keq është shkatërruar dhe djegur disa here. Por përsëri është ringritur, është rindërtuar e mbi të gjitha prej dashurisë njerëzore, prej besimit se e mira nuk mund të ndalet, se e mira nuk mund të zhduket. Ajo është ringritur sepse themelet e vërteta të saj janë në zemrën dhe vetëdijen e secilit prej jush, e secilit prej banorëve të kësaj krahine të mrekullueshme.

Të gjithë bashkë jemi dakord se, krahas vullnetit të Zotit dhe kësaj dëshire dhe angazhimi mbarëpopullor, një meritë të veçantë në lartësimin dhe ringritjen nga themelet të këtij asambli të mrekullueshëm ka dhe udhëheqësi i saj, i nderuari Baba Hekuruan Nikollari. Për këtë klerik dhe kontributet e tij tashmë flasin me shumë respekt gjithë banorët e Ali Postivanit, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Skraparit e Kolonjës. Merita, puna dhe sakrificat e këtij biri të Përmetit janë të jashtëzakonshme për kohën që po kalojmë. Udhëtimin e tij në rrugën e Zotit ai e ka përshkuar si një misionar i devotshëm, i cili nuk u nda asnjëherë prej halleve të njerëzve të thjeshtë dhe truallit që e lindi dhe edukoi.Kulturën, botëformimin dhe cilësitë hyjnore ai e vendosi në shërbim të të mirës së përgjithshme. Baba Hekurani në përmbushje të misionit të tij fisnik ka fituar dhe gëzon adhurimin e mbarë krahinës për pritjen e ngrohtë, dashamirësinë, shpresën dhe besimin që përhap ndër bashkëqytetarët e vet.

Sot në këtë ditë të bukur feste do të dëshiroja, duke përfituar nga privilegji i lartë që kam, fati i madh që më është dhënë, por edhe përgjegjësia që ndiej si President i Republikës por edhe si një qytetar i këtij vendi të nderojmë së bashku kontributin e Baba Hekuranit me një dekoratë që mban emrin e një biri të shquar të Përmetit dhe gjithë kombit shqiptar, Titullin “ Naim Frashëri”.

Do të doja gjithashtu që ky vlerësim institucional të shërbejë njëkohësisht si një gjest mirënjohje për kontributin e gjithë klerikëve bektashianë të gjithë kësaj zone, e të gjithë Jugut të vendit por edhe të gjithë trojeve shqiptare.

Në këtë ditë të bukur, të lumtur e të shenjtë feste ju uroj nga zemra edhe njëherë përshumë vjet gëzuar Sulltan Novruzin, shëndet, paqe e mbarësi në familjet tuaja!Rrofshi përherë! Paçi mbarësi dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë, kombin shqiptar, Këlcyrën, Përmetin, gjithë Jugun e Shqipërisë dhe këto vende të mrekullueshme që Zoti na i fali e të dijmë të punojmë të gjithë e t’i gëzojmë!”…

1 Meta

Meta uron bektashinjtë: Ditë e veçantë, ofron mundësi të shkëlqyer për reflektim

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Kryegjyshatën botërore të Bektashizmit në Tiranë me rastin e festës së “Sulltan Novruzit”.

Në këtë ceremoni, z. Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetësi ku i uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë paqe, harmoni dhe begati.Kryetari i Kuvendit u shpreh se “Sulltan Novruzi” është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës.

“Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë, për jetë, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen”, – tha z. Meta, duke shtuar se bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë.

“Është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot. Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Meta.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta

Gëzuar festën e “Sulltan Novruzit”, këtë festë plotë dritë të pranverës dhe shpresës. Urimet më të mira për të gjithë ju për mbarësinë, mirëqenie, paqe dhe dashuri.

Urimet më të mira për të gjithë shqiptarët, që pavarësisht besimit, pavarësisht emrit me të cilin adhurojnë Zotin e tyre dhe që është një, janë sot bashkë duke u lutur për një të nesërme më të mirë, për veten, për fëmijët, për familjet për miqtë dhe për fqinjët e tyre.

Dita e sotme është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës. Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë për jetën, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen.

Bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë. Ai është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot.

Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria.

Duke festuar sot duke uruar njëri tjetrin ne e shohim këtë festë edhe si një tjetër simbol të bashkëjetesës sonë të shlyer dhe tolerancës fetare. Kjo është një nga pasurit tona më të mëdha.

Ky është monumenti ynë më i rëndësishëm evropian ndaj në këtë ditë feste dhe besimi lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi për shoqërinë tonë, më shumë harmoni dhe punë të ndershme. Lutem, shpresoj dhe besoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita e Sulltan Nevruzit, shqiperi

Dita e Sulltan Nevruzit – Haxhi Baba Edmond Brahimaj thirrje për paqe, dënon aktet terroriste

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars.- Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi sot besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Në fjalën e tij para besimtarëve bektashinj, Haxhi Baba Edmond Brahimaj duke bërë thirrje për paqe, dënoi ashpër çdo akt dhune dhe terrori që po bëhet ndaj njerëzimit në botë.

“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj. Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj. Në këtë ditë gjejmë rrugën për te i madhi Zot për të na lehtësuar me praninë e tij qëllimin tonë për t’iu afruar drejt tij. Ne të gjithë së bashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në rrugën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën e mbi të gjitha paqe në veten tonë. I lutem Zotit të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë, të falim dashuri te njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ai uroi qofshi përherë të lumtur kudo që ndodheni, Zoti ju uroftë e bekoftë të gjithëve.

Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në 1996. Në vendin tonë sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91

Filed Under: Opinion Tagged With: – Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Dita e Sulltan Nevruzit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT