• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË: 30 VJET PA EDITORIN E DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ

January 29, 2018 by dgreca

1 dr.athanas-gegaj30 vjet të shkuara vdiq Dr. Athanas Gegaj. 28 janari është ditëvdekja e ish editorit të gazetës “Dielli”. Dr. Athanas Gegaj u lind me 3 Janar 1904 në Buxhë të Trieshit në Malësinë e Madhe, trojet shqiptare në Mal të Zi. Ai pat studiuar në Kolegjin Illyricum t’etnëve franceskan në Shkodër, ku kreu maturën 1927-28. Më 1931 studioi në Louvain në Belgjikë, ku u laurua në histori-filozofi. Posa u kthye në Shqipëri u shugurua frat. Dha mësim në kolegjin franceskan deri në pushtimin fashist të Shqipërisë. Për shkak të kundërshtimit të pushtimit, u internua në Itali. Që nga ai moment nuk i kthye më në Shqipëri. Më 1941 e barktisi petkun franceskan. Dr. Athanas Gegaj shërbeu si sekretar i Mbretit Zog në mërgim.Më 1962 erdhi në SHBA, ku u bë editor i gazetës Dielli, duke e kryer këtë detyrë për më shumë se 8 vjet.

Ndër veprat kryesore që shkroi Dr. Athanas Gegaj, është monografia “L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle” (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain – 1937), si dhe shumë artikuj të ndryshëm në shtypin françeskan të “Hyllit të Dritës”, dhe shumë shkrime, analiza, shkrime historike, editoriale në gazetën Dielli.

Ndërroi jetë me 28 janar të 1988 në Santa Monica, Los Angeles, California.

Me këtë rast po sjellim një intervistë që Dr. Athanas Gegaj, kur ishte editor I Diellit ia dha Zerit të Amerikës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Intervista u botua për here të pare në gazetën Dielli pasi u trasmetua nga Zeri i Ameriës.(Dielli)

***

 

Intervistë e Zërit të Amerikës me historianin Athanas Gegaj për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me rastin 500 vetorit të Vdekjes së Heroit.

-Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968-

Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbeun ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Përsa kohë punuat për këtë vepër dhe kur e mbaruat?

I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehu për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërisë. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai cëmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb. Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dendur dy vjet. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp,por duke qenë thezë doktorale, m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia. Libri u gjet interesant dhe autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.

Ku i bëtë kërkimet dhe,në qoftë se i mbani mënd, nën cilët profesorë?

Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanërisht në “Bibliothèque Nationale” të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurioziteti im u ngjallë veçanërisht kur për kombinacion, më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco, i shkruar frëngjisht: ”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”, botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923. Libër i vogël po, por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firence dhe në Venedik, duke u ndalua për ca kohë dhe në Milano. Në arshivat dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.

Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbeun?

Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroi i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është ai personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar. Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanërisht kur arriti nga Amerika “Historia e Skënderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër entuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjet e më në fund më shtyu të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtme Skënderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.

Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?

Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u zhveshja nga çdo simpati e ndjenjë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skënderbeun. E qe një problem i rënde, sepse Skënderbeu, si në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe në mua, mbetej përherë hero i kombit, që gjësend nuk mund ta shndërrojë fytyrën e tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vërtetë me botime të panumërta mbi Skënderbeun. Këtu m’u desh të luftoj për të paraqitur një Skënderbe sipas thënieve historike; po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo kusht me çdo mjet, që Skënderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova, por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.

Cilat janë disa nga gjërat e ra, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?

Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skënderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skënderbeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike, kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve, duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndarjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skënderbeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vërtetë e Skënderbeut.

Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?

Rëndësia e këtyre zbulimeve për rreth historisë se Skënderbeut është kryekreje në metodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skënderbeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skënderbeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skënderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër, por historia e kritika, gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë, nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftëtar, si strateg, si hero i një kohe dhe i një kombi.

Sipas mendimit tuaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skënderbeut për shqiptarët në kohe të sotme?

Jeta e veprat e Skënderbeut janë një shembull i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftërat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e independencës së tij. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skënderbeut janë të bazuara mbi vëllazërim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skënderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashkët shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashëgim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim,ashtu siç na mësoi Skënderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.

Cili është shkaku që Skënderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e turqve?

Shkaku kryesor që Skënderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare, qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Otomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati të përballej me ushtritë e sulltanëve, që po marshonin ngadhënjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë në principata, pothuajse të gjitha nën influencën e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij, që nuk pati përkrahje, dhe sa herë ngriti krye, qe përulë nga ushtria e sulltanëve. Me gjithë këta Skënderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se një fuqi e re, Hungaria po luftonte në brigje të Danubit, atëherë Skënderbeu gjeti kohen e volitshme,u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Otomane. Deçizioni i Skënderbeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë otomane është një nga deçizionet më me pergjegjësi të historisë. Vetëm një Skënderbe mund të merrte një deçision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.

Cilët kanë qenë faktorët që Skënderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëve të Turqisë?

Faktorët kryesorë që Skënderbeu me një ushtri te vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë, sipas mejtimit tim, janë këto: Skënderbeu ishte strateg i përsosur, një komandant, që nuk dinte çka është frika, një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skënderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skënderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një rezervë dhe shtegun të hapur, që të mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skënderbeu qe ai që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Ai përballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skënderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kërkonte të bëjë atë gjë që bënte Skënderbeu! Më në fund Skënderbeu dhe kapedanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë. Për këtë gjë Skënderbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV. Kjo është epopeja më e bukur e çdo kohe.

Skënderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e turqve. Pra përse disa vende të Europës, sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?

Nuk ka dyshim se Skënderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua theu hovin fuqive otomane që ishin gati të marshojnë në Itali dhe në Europën qendrore. Skënderbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit, si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun otoman. Sa për Venedik, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë; dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skënderbeun, por qe tepër vonë.

Pas “Lidhjes së Kapedanëve” që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skënderbeun, çfarë formasg administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?

Sipas Lidhjes së Lezhës, Skënderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vetes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kufizuara e shpesh te okupuara nga turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skënderbeut përkrahjen me ushtarë, por shpenzimet e luftës i përballonte Skënderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons, papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës. Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku. Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë, duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë, prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.

Sipas mendimit tuaj, çfarë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërisë sikur Skënderbeu të kishte jetuar më gjatë?

Po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu, sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërisë do të ndryshonin. Ai më 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i siguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive shqiptare-veneciane. Për më tepër Skënderbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin, kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërisë lirinë dhe indipendencën; këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skënderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skënderbeut?

Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skënderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta; këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë. Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te ”Fondazionit Cini”, që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.

***

Shënim

Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Në këtë përvjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda. Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skënderbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skënderbeu” dhe disa relike te tij. Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale për Skënderbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzemërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se intervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua në atë kohë me shumë vëmendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal te Zi. Trieshi qe është vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, duke i dhënë shkollës tetëvjeçare emrin Gjergj Kastriot-Skënderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysmë shekulli, pavarësisht kërcënimeve të ndryshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi, mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagëzuan shkollën e tyre Gjergj Kastriot-Skënderbeu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombëtare në trojet tona te pushtuara nga sllavët e Ballkanit. //Gjekë Gjonlekaj

Filed Under: Opinion Tagged With: 30 vjet, ditevdekja, Dr. Athanas Gaga, Kujtese

ME 13 GUSHT 1983 U SHUA MUSINE KOKOLARI

August 9, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Musine Kokalari, personazh në Romanin “Para Agimit” të Sh.Musarajt/
Besa,Shpresa,Dashuria, ata pra na lartësojnë.Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë.M.K./
Koncepti “ E bukura“, si dukuri estetike në letërsinë e realizmit socialist, kishte karakter klasor.Ta paraqesësh të bukur një personazh në gjithë përfshirjen dhe pastaj ta konsiderosh personazh negativ vetëm pse mendon dhe vepron si jokomunist, këte e bënte vetëm ajo rrymë famëkeqe.
Po jap një shembull të jetuar, për ta bërë më bindës, se sa e vështirë ishte për një mësues letërsie të argumentonte karakterin klasor të dukurive estetike.
Nuk do ta harroj kurrë një vizitë në “Lidhjen e Shkrimtarëve” me një grup maturantësh të gjimnazit “Kristoforidhi”, pasi shkolla ishte pak metra larg kësaj ndërtese.Në ate mbledhje, promovohesh një libër me poezi nga një poet i ri, i cili ndër të tjera lexoi edhe një poezi “Lules”.Kur e mbaroi së recituari dikush nga salla u ngrit e tha:-kjo poezi nuk ka karakter klasor.Shefqet Musaraj që e drejtonte mbledhjen iu përgjegj: kësaj poezie shtoji nje varg: “O moj lulja për merak /Ruhu mos të këpusi ndonjë kulak”Kështu poezia e kaloi testin dhe për mua si mësuese më ndihmoi për ta “kuptuar nxënësit“ate falsitet
Ndërsa për personazhin në fjalë (Ermira Velo) që është, Musine Kokalari, e cila është paraqitur e bukur në pamje,e bukur në shpirt e në mendime, autori Sh.M. nuk gjeti dot një varg të tillë që ta kalonte Musinenë në krahun e “të mirëve”, sepse ajo mbeti deri në fund konsekuente e pikëpamjeve të saj:” nuk jam komuniste”
Musine Kokalari, është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe .
Gjatë 50-viteve të diktaturës, është njohur nga rinia shqiptare si armike e popullit .
Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës . Unë personalisht nuk e kam njohur Musinenë por nepërmjet personazhit (Ermira Velo ) në romanin “Para Agimit “, e kam lakuar këtë emër në dhjetra orë mësimi duke e komentuar në menyrë të përsëritur .
Ajo hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist me emrin, Ermira Velo, pasi autori e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me te gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike,autori e ka paraqitur me kurajo figurën e saj reale të mishëruar në emrin e personazhit( Ermira Velo).
Në përshkrimin e portretit të saj autori shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”
“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”
…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”
Musineja dhe familja e saj, jane paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesione: Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj .
Ermira Velo (M.Kokalari) shkruan autori kish nje respekt te madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idete e tij” v1,f.18,”Para Agimit”
Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual.Falë zgjuarësisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një nga studentët më cilesorë ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi”ne vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.
Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë.
Miqësia e familjes me Mit-hat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mënçur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këte Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten për të gjithë familjen në terësi:
”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte një fakt tjetër që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”
Nje ndikim tjetër tek Musineja, kishte Branko Merxhani,drejtor i Revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kryeartikulli i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam Marksist ,“me anën e të cilit
argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar romanin“Nena “te M.Gorkit, per të cilin kishte thënë: “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .
Bashkëpunimi me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen e të tjerë, kishin bërë që të njiheshin këto lidhje, të cilat u konfirmuan më vonë nga profesor Nexhat Hakiu në një rreth të ngushtë, se pas figurës se Ermira Velos,është M.Kokalari.
Autori Sh.Musaraj, e ka rritur më shumë figurën e Musinesë në roman,edhe pse e kishte vënë në anën e kundërt të ideologjisë sunduese, si personazh negativ. Figura e saj është vënë midis ideologut të saj Mit-hat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit,pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .
Ajo i adhuronte këto dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata,duke ndjekur rrugën antikomuniste dhe luftëtare për çështjen e Shqipërisë Etnike;
veçanërisht për Kosovën dhe për një shoqëri demokratike të tipit evropian.”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K
Për aktivitetin e saj politik e revolucionar gjatë luftës, është më mirë të theksohen fjalët e saj të cilat i ka deponuar në gjyqin special se sa të jepen fragmente nga romani ku autori nuk mund t’i shpëtonte tendencës klasore.Ndër të tjera ajo pohon në gjyq:
Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e Gazetës, “Zeri i Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çeshtjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit .

Autori, Sh.Musaraj, e ka dhënë personazhin në fjalë deri në mbarim të luftës por dhe aty e lë për të kuptuar se do të fillojë kalvari i vuajtjeve të saj. Ne gjyq ajo pohoi vendosmërisht :“S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen “.
Kjo deklaratë e fuqishme, ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme e cila ia mori jetën me 14 gusht 1983.
Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje “
Me pikëllim të madh ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo mori ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq .I jati vdiq sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lenë diçka nga shpirti i saj bujar që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “
Thesari tjetër i vyer qe la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare e cila e radhiti ate në plejaden e shkrimtarëve të viteve 30.
Në botimet e para “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material përpara asaj ideje të madhe që donte të realizonte.
Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide, ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste dhe në të tjera aktivitete që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Që kur ishte studente në Romë u dërgonte mesazhe vajzave shqiptare që të luftonin dhe të merrnin rrugën e shkollimit për t’u bërë forca aktive në progresin shoqëror .
Të gjitha këto e bënë të dalluar Musinenë, si shkrimtare të talentuar, si revolucionare të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj demokratike dhe si një intelektuale përparimtare .
Pas viteve 90, ajo është ndër të parat disidente që u dekorua me medaljen “Martir i Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes bënë çmos për rehabilitimin e veprës së saj.
Fondacioni “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete që e plotësojnë njohjen e saj të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur si pishtar drite e diturie.
Nga Piedestali ku e vendosi koha, Musineja u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë .
p.s.Musine Kokalari u lind me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921 Familja e saj kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë. Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet heqje lirie Me1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri ku nuk u tregua aspak kujdes nga shteti komunist,vdes me 1983.

Filed Under: ESSE Tagged With: ditevdekja, me 13 gusht 1983, Musine Kokolari, Pertefe Leka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT