• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dje dhe sot

December 4, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300

Nga Astrit Lulushi/

Devijimi më i vogël nga e vërteta shumëzohet më vonë një mijëfish, ashtu si njeriu mund të bëjë gabim në jetë, por jeta kurrë nuk bën gabim me njeriun. Por ka edhe të tjera që e çojnë njeriun në të njëjtin përfundim; fuqia, pushteti tërheq të korruptuarin, pastaj e korrupton atë më tej. Shenja e parë e korrupsionit është kur qëllimi bëhet justifikim për mjetin; kur rezultati i mirë justifikon çdo gabim të kryer; një fushatë me fonde të paligjshme e shtyn një parti të mendojë se fitorja në zgjedhje do të justifikonte çdo mjet të përdorur, ose një kandidat, me qëllim për të fituar votat, bën premtime boshe.
Përkeqsimi i çdo qeverie fillon me prishjen e parimeve mbi të cilat u themelua, thotë Montesquieu. Të gjithë precedentet e këqinj, patën filluar si masa të justifikueshme.
Por le të jemi mirënjohës, sepse në qoftë se nuk mësuam shumë nga jeta, të paktën mësuam pak; nëse disa arritën të mos mësonin fare, të paktën nuk u sëmurën; nëse u sëmurën, të paktën nuk vdiqën burgjeve e internimeve, as nuk u rrezikuan. Pra, le të jemi mirënjohës, sepse kurrë më parë nuk vodhëm; edhe nëse na vodhën, të paktën nuk na morrën jetën; nëse na i morrën të gjitha, prapë nuk ishin shumë; le të jemi mirënjohës, sepse ne ishim të grabiturit dhe jo grabitësit. Ndryshe nga sot, jeta ishte e errët atëkohë, si një labirinth plot dredha, padritë, papasqyrë, plot me njerëz të verbër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, DJE DHE SOT

Dje dhe sot, Dita Amerikane ne Korce

October 22, 2017 by dgreca

donald Lu

Nga Shefqet Kercelli/

Kjo fundjavë solli një prej aktiviteteve më të veçanta në qytetin e Korçës, Diten amerikane. Ne kete kuader me daten 21 dhe 22 tetor, ne qytetin juglindor u zhvilluan aktivitete te shumta kulturore-artistike kushtuar emigracionit te banoreve te Korces ne SHBA si dhe miqesise shqiptaro-amerikane. Diten e djeshme per te pranishmit u dha gjithashtu nje koncert me repertor e kengetare te njohur nga te gjitha trevat.Nderkohe pjese e kesaj feste te vecante u be dhe ambasadori Lu se bashku me personel nga Ambasada.

Marrëdhënia e gjatë e Korçës me emigracionin në Amerikë, prej më se një shekulli, u festua me aktivitete simbolike në “Pazarin e vjetër” të qytetit, ku prania e diplomatit Lu ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.Ai vizitoi ekspozitën e hapur me materiale, foto dhe letra nga jeta e shqiptarëve në Amerikë ndër vite, ku edhe u njoh me historinë e hershme të emigracionit për disa prej familjeve të qytetit juglindor.

Gjithashtu Zoti Lu vlerësoi shumë prej elementëve të spikatur në qytetin e Korçës.“Mësuesja ime e parë në Amerikë për gjuhën shqipe ishte korçare dhe një nga fjalitë e para që kam mësuar ishte ‘Ja korçare, ja hiç fare. Kam mësuar gjithashtu që ushqimi dhe muzika nga Korça janë më të mirat. E sidomos birra nga Korça, sigurisht më e mirë”, tha ambasadori Donald Lu gjate shetitjes ne pazarin e Korces.

Më tej, zoti Lu vizitoi edhe këndin e kuzhinës, ku simbolikisht ishin përgatitur gatime tradicionale amerikane. Ambasadori pranoi jo vetëm të shijonte këto gatime, por nuk hezitoi që për pak kohë të bente dhe kuzhinierin. Theksojme se organizimi i festave te tilla sjell ne kujtesen e shqiptareve jo vetem emigracionin ne SHBA, por i sherben direkt forcimit te miqesise tradicionale midis dy popujve tane.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita Amerikane ne Korce, DJE DHE SOT, Shefqet Kercelli

POLITIKA DHE ETIKA DJE DHE SOT

October 29, 2015 by dgreca

NGA Eugjen Merlika/Itali/
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka edhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin.”-ATJON V. ZHITI/
Politika si koncept përfshin një tërësi njohurish, rregullash e ligjesh që merren me themelimin, organizimin dhe mbarështimin e shtetit dhe të jetës publike të një shoqërie e të një kombi. Etika është një term i futur në gjuhën filozofike nga Aristoteli në Athinën e lashtë. Duke shfletuar një enciklopedi universale italiane gjeta këtë përkufizim të fjalës, që ka hyrë në gjuhët e botës ashtu si e pati sajuar filozofi i madh grek në shek. IV p.K. : “Disiplinë politike që merret me probleme morale ose të sjelljes (gr. ethos) në lidhje me mjetet, qëllimet apo shkaqet. Dy degët kryesore të etikës janë teoria e vlerës ose assiologjia dhe teoria e detyrimit. E para studion kuptimin e termave vlerësuese (i mirë, i keq, i dëshiruar) dhe natyrën e së mirës, e dyta kuptimin e termave që shprehin detyrime (i drejtë, i padrejtë, i ndershëm etj.) dhe natyrën e drejtësisë morale.”
Të dy konceptet lidhen me njëri tjetrin sepse janë të ndërshkëmbyeshëm në sendërtimin e tyre praktik. Mbarështimi i shtetit, në të gjitha shfaqjet e tij të larmishme, nëpërmjet marredhënieve që krijohen mes institucioneve dhe shtetasve, apo mes vetë atyre të parave, dashje e pa dashje, i nënështrohet një gjykimi të përhershëm që bazohet mbi parimet dhe kriteret e mirësjelljes, të respektit të ndërsjelltë, të mos përballimit me mjetet e dhunës, qoftë dhe asaj folëse apo konceptuale.
Në historinë tonë të viteve 1944 – 1991, si pasojë e zotërimit të parimit komunist “Partia është e pagabueshme” dhe të mendimit të vetëm të personifikuar prej saj, ai kod etik i pashkruar u mënjanua krejtësisht nga jeta shoqërore. Njësh mendimi, i sanksionuar në ligje, urdhëra e udhëzime të hapura apo të fshehta, i ligjëruar juridikisht me nenin 55 të kodit penal që dënonte penalisht çdo shprehje të opinionit të kundërt me të, u bë për një gjysëm shekulli alfa dhe omega e botës shqiptare. Karakteri i theksuar klasor i sistemit, që i mohonte një pjese të popullsisë, asaj të përndjekur nga regjimi, të drejtat më parake njerëzore, çonte në koncepte të tilla skajore, sa disa nga elementët më thelbësorë të natyrës njerëzore të trajtoheshin si “mbeturina borgjeze e mikroborgjeze”, “të dëmshme” për shoqërinë e, pra, të dënueshme në format më të ndryshme. Në këta kushte edhe etika, me përbërësit e saj të mirësjelljes, të respektit e të edukatës, i u nënështrua kriterit klasor të vlerësimit të dukurive. Në teori ajo zbatohej vetëm me njerëzit “e mirë”, të cilët ishin, kryesisht, shërbyesit më të zellshëm të regjimit, të cilët i hasim sot, me pseudonimet më të ndryshme në faqet e internetit, duke i bërë jehonë asaj mendësie e duke vazhduar së sulmuari ndonjë “të prekur” që “guxon” të shprehë në shkrime mendimet e tij.
Plotfuqia e politikës së dhunës së gjithanëshme e kishte degdisur etikën në hapësirat ndëryjore, duke prerë çdo lidhje mes këtyre dy përbërsësve shumë të rëndësishëm të jetës jo lëndore të shoqërisë sonë deri në vitin 1991. Kjo qe trashëgimia e përcjellë nga gjysëm shekulli komunist, të cilën duhej t’a ndryshonte koha e re dhe njerëzit e saj, kryesisht klasa politike. Por vetë formimi i asaj klase, edhe se e re në moshë, linte pak shpresë në një rikthim të etikës. Të rritur e të shkolluar në institucionet e diktaturës, këta drejtues të rinj të Shqipërisë pas komuniste e kishin të vështirë, sa hap e mbyll sytë, të fitonin shprehitë e një shoqërie demokratike e të përvehtësonin elementet e etikës politike për t’i vënë në jetë në veprimtarinë e tyre. Mendohej se, me kalimin e kohës, me ripërtëritjen e vazhdueshme, me vetë emancipimin e shoqërisë, së cilës i u hapën dyert e botës dhe mundësia për t’u shkolluar në Vende të ndryshme, kjo dukuri e trashëguar do të arkivohej, duke hedhur poshtë opinionet e dashakeqëve të shqiptarëve mbi “pamundësinë” e tyre për të ndërtuar një shtet që të ishte shprehje e një shoqërie të qytetëruar.
Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Arsyet duhet t’i kërkojmë kryesisht në veten tonë, në konceptin, ende të fortë, se kundërshtari politik duhet asgjësuar, se e vërteta absolute është pronë vetiake, se “qëllimi justifikon mjetin” dhe se çfarëdo lloj mjeti është i dobishëm kur arrihet qëllimi. Po t’i shtojmë këtij bagazhi të trashëguar edhe ndonjë shembull negativ nga bota që na rrethon e të cilin e përvehtësojmë pa vështirësi, kuadri plotësohet. Ai ka epiqendrat e tij kryesore në Kuvendet e Tiranës dhe të Prishtinës, ku skenat skandaloze janë të pranishme gjithënjë e më shpesh. “Duelet” neveritëse të personazheve të Tiranës gjejnë jehonë në skena të papërfytyrueshme të kuvendarëve të Prishtinës. Pamjet e ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës janë me të vërtetë rrënqethëse, për nga cilësia e lartë e huliganizmit. Gra të reja, që gjuajnë me vezë kryeministrin e Vendit apo hedhin bomba lotsjellëse në sallën e kuvendit, janë të pakonceptueshme si krijesa të botës shqiptare. Ato bëjnë të dridhen në varre eshtrat e Nexhip Dragës, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit, të Isa Boletinit, të Shotë Galicës, të Xhaferr Devës, të Marije Shllakut, të Shaban Polluzhës e sa e sa burrave e grave që përfaqësuan, që luftuan e flijuan jetën për Kosovën shqiptare. Cilido të jetë motivi i asaj sjelljeje nuk mund të përligjë kurrë atë qëndrim. Këtu nuk flitet më për etikë politike, por për shkelje të rendit publik, gjë e pakonceptueshme për cilindo përfaqësues të popullit.
Ka vite që në Kuvendin e Shqipërisë shpalosen akuza të ndërsjellta për korrupsion, për vjedhje, madje së fundi edhe për komplote vrasjesh. Populli voton deputetë njerëz të paditur apo të dënuar për krime ordinere jashtë shtetit, për më tepër milionerë në euro, e kjo përligjet me mungesën e një ligji që do të kërkonte çertifikatën penale edhe të qëndrimit në Vendet e huaja. A është vetëm “naivitet” i papranueshëm mungesa e kësaj norme, kur gati gjysma e popullsisë shqiptare jeton jashtë Vendit ? Sigurisht që jo. Përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi atë forcë politike që i ka në gjirin e saj këta elementë, sepse ligji nuk u miratua as kur në fuqi ishte kundërshtarja e saj.
Mungesa e etikës shpaloset çdo ditë në politikën shqiptare. Dukuria, si vazhdimësi, nis që me vitet e para të tjetërsimit të sistemit. Etika kërkonte që në impiantin administrativ të shtetit pas komunist, të bënin pjesë edhe përfaqësuesit e njerëzve të dhunuar edhe ata të bashkësive shqiptare jashtë. U bë shumë pak në vitet e para n’atë drejtim e që nga 1997 humbi çdo gjurmë e kësaj pranie. Etika kërkonte që, në vitet 90, të mos luftohej varfëria e shqiptarëve me mjete iluzore, mashtruese e të kundërligjëshme, si “piramidat” financiare. Etika u shkel katërcipërisht kur, me dështimin e tyre, nuk u kthyen paratë e mbetura qytetarëve, siç u mundua të bëjë Qeveria Meksi në muajt e parë të 1997-ës, por u grabitën paturpësisht nga Qeveria Nano, që fitoi edhe zgjedhjet me premtimin e kthimit të tyre.
Etika nuk është vetëm mirësjellje me kundërshtarin në kuvend për sy e faqe, megjithëse edhe kjo është një dukuri e rrallë e për t’u vlerësuar. Etika është luftë për të drejtën, për moralen, mos pajtim me të keqen, me shthurjen, me veprimet kundërligjore, me idenë e përgjithëshme se politika është mjeti për t’u pasuruar. Etika është e lidhur edhe me përfytyresën që kombi jep para botës, nga e cila, fatmirësisht, nuk jemi më të ndarë nga “perdja e hekurt”, por duam të bëhemi pjesë e saj përbërëse.
Çfarë kapitali politik mund të ketë një Vend, në të cilin hapur, prej vitesh fluturojnë paditë për krime të ndërsjellta dhe asnjë “kriminel” nuk dënohet, madje edhe kur jemi para faktit të katër qytetarëve të pa armatosur, të cilët vriten nga plumbat e shtirë nga ndërtesa qeveritare ? Çfarë kapitali moral mund të paraqesim kur të tjerët na fotografojnë parcelat me kanabis e laboratorët e drogës në territorin tonë e kur nuk jemi në gjëndje të kapim vrasësit e një oficeri në krye të detyrës, edhe se n’atë veprim ishin angazhuar qindra forca të rendit ? Çfarë besueshmërie mund të fitojmë kur i drejtohemi të huajve për personel hetues, sepse nuk jemi në gjendje të bëjmë një hetim që përfshin majat e shtetit, madje edhe kur na i bëjnë ato ekspertiza i nxjerrim si të pasakta ? Çfarë besimi mund të frymëzojmë te të tjerët kur, për të zbatuar një rregull të pranuar në të gjithë botën, atë të pagesës së korrentit të konsumuar apo dhënien e kuponave tatimore, duhet të bëjmë një “revolucion” e të shtojmë nenet e kodit penal ? Çfarë reklame i bëjmë Vendit tonë dhe mundësive të tij për të qenë objekt tërheqës për kapitalin e huaj kur, në panairin më të rëndësishëm të ekonomisë botërore për ushqimin, siç qe EXPO 2015 në Milano, paraqitemi me një pavion që ka një gur në hyrje e maketin e një mulliri me ujë brënda, veç projektimit të diafilmave mbi vlerat e personazheve tona të njohura ? Fantazia e organizatorëve është aq e shterpër sa që të mos gjejë mënyrën të paraqesë larminë e prodhimeve bujqësore, blegtorale apo të pemtarisë, që klima e jonë mesdhetare na jep mundësi të shijojmë ?
Do të ishte e padrejtë, pra edhe jo etike, të mos viheshin në dukje dhe ato shfaqje të politikës shqiptare që shkojnë në drejtimin e duhur. Qe një nismë e lëvdueshme e Qeverisë Berisha festimi i njëqind vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, një nismë që nuk gjeti kundërshtim tek Opozita, për sa i përket vlerësimit zyrtar të meritave të firmëtarëve. Qe një ide mbresëlënëse ajo e ekspozimit të portreteve të 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, në rastin e vizitës së parë n’Evropë të Papës Françesku, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por… a pati ndonjë nismë lokale a qëndrore për të emëruar ndonjë shesh, rrugë apo objekt kulturor me emrat e tyre ? Nëse ata janë martirë, nuk duhet të jenë vetëm në fasadën e një dite, sado të rëndësishme, duhet të skaliten në kujtesën e një populli e jo vetëm në fjalët e ndonjë qeveritari në raste përkujtimoresh….
Është e lëvdueshme prirja për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të kombit në përballimin me kombet e tjerë, si harmonia fetare, shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, apo përkatësia shqiptare e Nënë Terezës, krenarisë sonë. Por këto vlera duhet të paraqiten në tërësinë e tyre të së vërtetës historike, për më tepër në kuadrin e trajtimit të tyre nga regjimi i diktaturës, shumë përfaqësues të së cilës, sidomos në sferën kulturore e intelektuale, janë përsëri veprues. Përndryshe paraqitja e vlerave mbetet gjysmake, nëse nuk shfaqet kurajua dhe burrëria të paditen kundër vlerat e sistemit komunist që, këtë pasuri të paçmuar të kombit, e përdhosi për një gjysëm shekulli.
Si një ish fëmijë e atij kampi, nuk mund të mos falënderoj Qeverinë Rama për pllakën e vendosur në ish kampin e çfarosjes së Tepelenës dhe për fjalët e përfaqësueses së saj n’atë rast, ashtu si edhe për vendimin e dëmshpërblimit për ata që kanë kaluar vite jete në atë skëterrë “socialiste”. Janë të lëvdueshme disa nisma të fundit mbi mbledhjen botërore të përfaqësuesve të besimeve fetare në Tiranë, por edhe ideja e ftuarjes së të rinjve serbë në Shqipëri, me rastin e ndeshjes së futbollit Shqipëri – Serbi. Meriton, simbas mendimit tim, një falënderim rendi publik për zhvillimin pa incidente të asaj veprimtarie sportive.
Ishin këto disa nga përsiatjet e një qytetari të Shqipërisë, që mëton nga politika e Vendit të tij të jetë gjithënjë e më shumë bashkëngjitur etikës, vlerave, moralit. Ndoshta kjo dëshirë do të mbetet një iluzion i paarritshëm por, afër fundit të jetës, mund të jetë më e dobishme të përkundem në të.
Në krye të këtij shkrimi solla një frazë të një Djaloshi, sa të madh në mendime e ideale aq të ri në moshën e përjetëshme e dua t’a mbyll po me një shprehje të Tij, që duhet të nxisë vazhdimisht brezin e Tij : “ Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojmë, e duan të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e tij.”
Kemi një nevojë të pamasë për ndryshimin dhe përmirësimin që uron filozofi ëndërrimtar, por a do t’i a arrijmë atij ?…..
Tetor 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, Eugjen Merlika, Politika dhe Etika

ËNDËRRA SHQIPTARE DJE DHE SOT

September 22, 2015 by dgreca

Nga  Eugjen Merlika/

Tema që dua të trajtoj sot me këtë shkrim të thjeshtë mbart në vetvete lashtësinë e një shekulli dhe shqetësimin e çdo dite, dikur në qendrën e jetës politike, kulturore e shpirtërore të një populli për tre dhjetëvjeçarë, më pas e lënë në harresë, madje e quajtur “dalë boje” dhe “e rrezikëshme” edhe për t’u menduar në pjesën tjetër të shekullit, e kushtëzuar nga rrethanat ndërkombëtare, fatkeqësisht gjithnji të kundërta, por edhe nga një mungesë vullneti e guximi nga ana e jonë, kryesisht në sferën politike.

Problemi ynë kombëtar lindi pak më shumë se një shekull më parë, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, me pushtimin e tokave tona nga aleatët ballkanas, si pasojë e paaftësisë së Perandorisë Otomane për të përballuar sulmin e tyre, paaftësi në të cilën kishim dhënë edhe ne ndihmesën tonë me kryengritjet e vitit 1912, e duke u ligjëruar nga Konferenca e Londrës e pranverës së vitit 1913. Vullneti i shteteve fqinjë, i përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, përcaktoi kufijtë e cunguara të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e trojeve shqipfolëse.

Njëqind vjet në historinë e Evropës kanë sjellë kaq shumë ndryshime në fizionominë e saj, sa që nuk mund të krahasohen me periudha shumë shekullore të së shkuarës. N’Evropë u kryen dy luftëra botërore, më shkatërrimtaret e historisë së njerëzimit, kaluan diktatura mizore, të shkurtëra në kohë, si fashizmi e nazizmi e më të gjata si komunizmi, por që sollën  pështjellime të mëdha në jetën e qindra milionë njerëzve, ndërmjet tyre edhe të tre milion shqiptarëve, sa ishin në mbarim të luftës së dytë botërore.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, si simbolikë e shëmbjes së komunizmit, i dha shkas të tjera ndryshimeve epokale, të cilat duhen mbajtur parasysh në lidhje me gjëndjen tonë. Një çerek shekulli më parë Gjermania, e ndarë në fillim në katër pjesë e më pas në dy, fill mbas mbarimit të luftës së dytë botërore, me një vendim të Qeverisë e të Parlamentit të pjesës perëndimore të saj dhe me miratim të drejtuesve të mbifuqive të kohës, SHBA dhe BRSS, u bashkua në kufijtë e vendosura në Konferencën e Paqes së Parisit 1946.

Shkërmoqja e “perandorisë” komuniste të projektuar në Teheran dhe Jaltë nga tre fituesit e luftës, si pasojë e dështimit të ekonomisë e të kalbjes së sistemit, ndryshoi hartën e Evropës dhe të një pjese t’Azisë. Jugosllavia, krijesa e Versajës, si pasojë e prirjeve shkëputëse të popujve e qeverive të përbërësve të saj, nëpërmjet një proçesi relativisht të shpejtë e të dhimshëm, përsa i përket humbjeve njerëzore e krimeve të kryera, u kthye në një grumbull shtetesh të pavarura, përfshirë këtu, fatmirësisht, edhe Kosovën. Bashkimi Sovjetik, bashkësi e popujve sllavë të Lindjes e jo vetëm të tillë, i ngjizur nga vullnetet shumë shekullore të Carëve dhe i plotësuar nga duart e hekurta të bolshevikëve dhe Carëve të rinj të tyre, Leninit e më shumë Stalinit, nuk është më. Në vënd të krijesës së stërmadhe janë shtete të pavarura, në marrëdhënie miqësore apo armiqësore ndërmjet tyre dhe Rusisë. Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën paqësisht ndarjen  në dy shtete të Çekosllovakisë. Sot prirjet shkëputëse janë ende të pranishme në Vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Belgjika e ndonjë tjetër. Të gjitha këto ndryshime të statu – quos së Evropës, që u kryen në pajtim me vullnetet e popujve të ndryshëm të saj, nuk sollën “kataklizmat” e pritëshme, por ndihmuan në sjelljen e një ere të vërtetë lirie në kontinent e në përmirësimin e jetës së atyre popujve.

Në gjithë këtë përmbysje konjukturash, vendimesh e traktatesh ndërkombëtare, populli shqiptar pati një “mrekulli” në anën e tij, shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e mëpastajme të saj. Të vetëdijshëm për përmasat e kësaj mrekullie, duke e quajtur atë si hapin e parë të madh në rrugën e gjatë të bashkimit të kombit, duhet të ngremë stekën e mëtimeve tona. Këtë mund t’a bëjmë nëse arrijmë të ndërgjegjësohemi si shoqëri e si komb se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet vetëm si ëndrra që përkundim që prej njëqind vitesh dhe gjithashtu se vendimet e diplomacive, qofshin këta edhe të Fuqive të Mëdha, nuk janë tabu të përjetëshme.    

Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? A jemi të gjithë të një mëndjeje, qoftë edhe me sfumatura të ndryshme, se misioni ynë kryesor, krahas zhvillimit ekonomik, është ai i bashkimit ?

Para se të arrijmë në ftillimin e hollësive të atij projekti, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta  kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institutet e posaçme. Nëse përgjigja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.

Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë.

Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.

Për t’a bërë të mundshëm sendërtimin e projektit duhet jo vetëm vullneti i popullit por edhe gatishmëria e institucioneve dhe e politikës në përgjithësi për të marrë përsipër rolin e saj drejtues në përçuarjen e aspiratës së shqiptarëve në tryezat e vendimeve. Por a kemi ne një klasë politike me shtatin moral e profesional të përshtatëshëm për të çuar përpara çështjen kombëtare në ballafaqimin me diplomacitë e botës dhe me kundërshtimet skajore të fqinjëve ? A është ajo në lartësinë e detyrës që shekulli i ri, me të gjithë problemet e tij të ngatërruar, i ngarkon ? Ndoshta kjo është pika më e brishtë e projektit, sepse përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ngjallin optimizëm edhe për faktin se me ndonjë përjashtim të rrallë drejtuesit e politikës shqipfolëse kujdesen më tepër të ruajnë “korrektësinë” me të huajtë se sa të bëhen zëdhënës të interesave të kombit të tyre. Teza e përdorur gjërësisht se hyrja në Evropë do të zgjidhë të gjithë problemet tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar. Prandaj bëhet e domosdoshme që shtysa nga poshtë të jetë tepër e fuqishme dhe këtë shtysë mund e duhet t’a japin kryesisht të rinjtë e viseve shqiptare nëse janë të bindur se ëndrra e gjyshërve të tyre ka qënë domosdoshmëri edhe në të mirë të s’ardhmes së tyre.

Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.

Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët   shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu  një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.

Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish,  por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e të gjitha trevave ku flitet gjuha shqipe. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Ata tubime, në rregullsinë e vazhdimësinë e tyre do të jenë armët më të fuqishme për të vrarë tabunë e politikës botërore kundrejt kombit tonë. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.

Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së  synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.

U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, ËNDËRRA SHQIPTARE, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT