Dom Shtjefën Kurti (Ferizaj, Kosovë, 25.12.1898 – Gurëz, 20.10.1971) prift, u pushkatua para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës. E se kishte pagëzuar një fëmijë. Po ai kishte bërë shumë më tepër. I kishte shkruar letër Papës, duke i treguar një të vërtetë, që nuk duhej ta kalonte kurrë kufirin e rrethuar nga telat me gjemba.
“Edhe pse jam meshtar i thjeshtë, po marr, plot respekt, guximin, t’i paraqes Shenjtërisë Suaj sa vijon, me që po më jepet rasti për ta bërë këtë, ndërsa është e pamundur për Ipeshkvijtë tanë.
Atë Fort i Shenjtë, do t’ Ju dhembë shumë, kjo që po Ju tregoj, por ngushëllohem kur mendoj se derdhi në zemrën engjëllore të përbashkët, hidhërimin me të cilin është përplotë shpirti ynë i krishterë e meshtarak. Ne, kleri shekullar e rregulltar, jetojmë në epokën e persekutimit të mirëfilltë.
Të gjitha veprimtaritë tona, në të gjitha fushat, janë ndërprerë; e jo vetëm, por edhe janë shkatërruar pjesërisht ose janë vënë nën mbikqyrje të rreptë. Janë mbyllur Seminaret, si ai Papnor i Shkodrës, ashtu edhe ai i françeskanëve e i jezuitëve, sipas udhëzimeve të bolshevikëve rusë, stërholluar nga urrejtja satanike e qeveritarëve tanë.
Përveç këtyre dhunimeve e mungesave, Kleri është në zi për vdekjen e dhunshme, të paraprirë nga tortura të padëgjuara, të nëntë meshtarëve, ndërsa vijojnë të vuajnë dënimin, në burgje të tmerrshme, nëntëmbëdhjetë të tjerë: e si të mos mjaftonin, çdo ditë flitet për arrestime të reja. Në çastin, kur po i shkruaj këto rreshta, më vjen lajmi se janë arrestuar edhe tre meshtarë të tjerë si dhe një numër i madh besimtarësh, katolikë e myslimanë: njëri nga tre meshtarët e kremtoi Meshën e tij të parë më 8 të muajit në vijim. Secili nga ne pret, me nënshtrim të qetë, të njëjtin fat. Ne e besimtarët tanë katolikë, nuk kemi shpresë të gëzojmë të drejtat e qytetarit, sepse njihemi si nënpunës të Vatikanit. Kushdo që na mbron, pas pak kohe, e vetëm për këtë arsye, flaket pa mëshirë në burg. Kush është me Selinë e Shenjtë, shikohet si reaksionar e armik i qeverisë së sotme komuniste. Vazhdimisht në gazetat, në fjalimet publike, në revistat humoristike, në trasmetimet radiofonike e në çdo mjet tjetër komunikimi, vihen në lojë feja, liturgjia, Vatikani e Personi Juaj August, ndjekur me ankth nga të gjithë katolikët e shpirtrat e ndershëm të besimeve të tjera. Jemi gati të vuajmë e të durojmë gjithçka, veç shpotitjes së Mëkëmbësit të Krishtit, gjë që na e pikëllon shpirtin e na i thellon varrët e dhembjes sonë të pamasë.
Këtu nuk ka kurrfarë lirie të fjalës, as të mendimit e as të shtypit. Gjithçka është vetëm në dorë të qeverisë ateiste e askush nuk mund t’u kundërvihet gabimeve, që përhap. Kush guxon të kundërshtojë, zhduket menjëherë nga faqja e dheut, pa shenjë pa dukë.
Shenjtëri, ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera për t’u thënë, po mua më duhet të kufizohem me sa shënova më sipër, duke e shkruar ngutshëm këtë letër, nga frika se mund të kapem me dorë në të. Edhe një herë Ju siguroj se më vjen tejet keq, që po e hidhëroj kaq shumë shpirtin e ëmbël të Shenjtërisë Suaj me këtë letër kaq të ankthshme. Përkulur tek këmbët e Shenjtërisë Suaj, lypi përvujtërisht bekimin Tuaj Atëror Apostolik, për vete, për klerin e Tiranës, të kryedioqezës, popullin e për të gjithë, si ugur për një ardhmëri më të mirë e, sidomos, me shpresë se do të na mbështesni në luftën e sotme, pa asnjë luhatje, për fenë tonë e për lidhjen e pazgjidhshme me Personin Tuaj August”.
Letra, himn për besnikërinë e Dom Kurtit e të Kishës Shqiptare ndaj Kryebariut, drejtuar Papës në çastin tragjik, kur vihej në lojë vetë ekzistenca e Kishës Katolike në Shqipëri, datohet: 19. 09. 1946. Nuk dihet me ç’rrugë u nis, as nëse arriti ndonjëherë në dorë të Papës Piu XII. Dikush është në kërkim të saj.
Ndërkaq dihet nga të gjithë se më 1 korrik 1949, Kongregata e asokohsme e Zyrës Shenjte (sot Kongregata për Doktrinën e Fesë) botonte Dekretin, që njihet si “Shkishërim i komunistëve” (Scomunica ai comunisti), me të cilin Kisha Katolike distancohej nga ideologjia komuniste. Sipas së drejtës kanonike, nuk bëhet fjalë, formalisht, për shkishërim të dhënë nga Selia e Shenjtë me nismën e saj, por për një deklaratë zyrtare sipas së cilës:
“Të krishterët nuk duhet të shkruhen në partitë komuniste ose t’i ndihmojnë komunistët. Nuk duhet të botojnë, të përhapin ose të lexojnë libra, revista e gazeta ose pamflete, që mbështesin doktrinën ose praktikën e komunizmit, e aq më keq, të shkruajnë ndër to. Besimtarët, që dëshmojnë doktrinën komuniste materialiste e antikristiane, posaçërisht ata, që e mbrojnë dhe e përhapin, bien ipso facto në shkishërimin e rezervuar nga Selia e Shenjtë dhe përjashtohen prej sakramenteve, si mohues të fesë katolike”.
Të gjithë ata, që besojnë me të vërtetë, e kanë për detyrë ta përhapin ketë dekret të Zyrës Shenjte, shkruar nën papninë e Piut XII! Thua të ketë lidhje ndërmjet Letrës, përpjekje tejet e guximshme e një meshtari shqiptar për t’ia prerë hovin ideologjisë, që po i vinte flakën gjysmës së botës, e “Shkishërimit” të Piut XII? Do të vërtetohet, kur të flasin arkivat!(Kortezi-Radio Vatikani)