• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOMENIKO

October 30, 2017 by dgreca

TREGIM NGA FASLLI HALITI/

1-Faslli-haliti (2) Viz. S. Kamberi, Piktor i Popullit/

Të nesërmen, herët në mëngjes ne, u nisëm për të bërë dru në pyllin e Gjinerukës, në Spolatë. Xhaxhai na mori me vete mua dhe të birin, Fadilin që ai i thoshte Dili me përkëdheli, kurse mua më quante Koni, ngaqë unë isha i imët sa një kone. Shtratin e qerres e mbushëm me dega  të njoma misri  dhe me pjepra, gjysmat e të cilave i vodhëm në bostanet e Daut Sefës. Kështu bënim gjithmonë kur niseshim në pyllin e Gjinerukës. Mua më pëlqente shumë pylli i Gjinerukës. Sepse ishte i madh, i dendur dhe me lisa të lartë e thana të kuqe të bukura. Ne ishim të vegjël. Xhaxhai me Domenikon prisnin dru me sëpatë, ne i afronim drurët e prera  pranë qerres dhe hanim thana të kuqe.

Domeniko ishte më i ri se xhaxhai dhe e përdorte sëpatën si një druvar i vërtetë.

-Sa bukur që e pret lisin qerratai! – çuditej xhaxhai.

Me siguri në këto çaste ai e krahasonte Domenikon me Xhovanin. Të ishte Xhovani nuk do ta priste lisin kështu me kaq ustallëk. Të ishte ndonjë copë hekuri, po. Atë e ngordhte evgjiti. Po këtë,  ë…hë, ë… hë…Këtu as te thoi i këmbës s’i afrohet Domenikos ai. Ja, sëpatën po, e ka kalitur mirë. Grerëz e ka bërë. Edhe pykat…, i ka qarë. Por befas xhaxhait i kujtohet se sëpatat edhe pykat nuk i kaliti Xhovani, por Nuzo Jevgu…

Kur xhaxhai kërkonte ujë ne, ia çonim katruven menjëherë. Xhaxhai punonte shumë, ishte i ngrysur dhe kishte shumë autoritet. Po ne të vegjlit bezdiseshim nga xhaxhai. Ai kërkonte punë, ne donim të luanim…

Pasi ishte ngarkuar qerrja me dru, xhaxhai u ul dhe drodhi një cigare për vete dhe një për Domenikon. Ballin, qafën dhe kraharorin i kishte gjithë djersë. Pasi piu cigaren na mori dhe na çoi mes disa lisave të gjatë e dushqeve gjethedendur që ishin në majë të kodrës që ne të vegjlit I thoshim mal.

– Hajdeni se do t’ju tregoj një gjë të bukur – na tha dhe, na mori për dore.

Mua m’u bë qejfi shumë. Ishte hera e parë që Xhaxhai po sillej ngrohtë me ne, sidomos me mua që ishte treguar përherë i ashpër ngaqë kisha qejf të gjuaja me llastiqe. Unë e kuptova pse ishte i gëzuar Xhaxhai. Ai ishte i gëzuar ngaqë e kishte ngarkuar qerren dingo me kërcunj. Xhaxhai ishte i vetmi në fshatin tonë që e mbushte oborrin me një mal me kërcunj e dru të tjera të thata. Shtëpia jonë kalonte një dimër të ngrohtë edhe sikur dëbora të arrinte gjer në gju apo, siç thoshte vetë xhaxhai, edhe sikur të binin hekura nga qielli.

-Çfarë do të na tregosh? – e pyeti i biri.

Ndonjë fole me zogj të bukur,- thashë­ unë disi me droje.

-Jo fole me zogj, do t’ju tregoj një gjë edhe më të bukur – tha prapë Xhaxhai.

Unë u gëzova që xhaxhai, nuk më foli me inat, – rri aty ti Koni e mos fol! Por duke na tërhequr për dore, ai na ngjiti pak më lart që të shihnim më mirë. Ah, sikur të sillej gjithmonë kështu xhaxhai me ne, sidomos me mua që s’i hiq llastiqet nga qafa. Në fillim xhaxhai ngriti lart të birin që të shihte përtej drurëve.

-E sheh?,- pyeti të birin

-Cilin?- i tha i biri.

-Folenë me zogj, or budalla, i bërtita unë, djalit të xhaxhait.

– Po detin, or detin  – tha Xhaxhai

-Pse deti është ai atje, po ai është qielli ?,- tha i biri me habi

-Deti, deti, – tha xhaxhai, nuk është qielli. Qielli është lart.

-Sa i madh që qenka deeeeti, – tha shumë i habitur i biri.

Pastaj xhaxhai, më ngriti mua. O, sa u gëzova unë. Xhaxhai po më mbante në supe. Kjo për mua ishte më shumë se të shihja mijëra fole zogjsh e gjithë detet e botës. Xhaxhai kishte qenê shumë i egër, i ftohtë i vrazhdë me mua, prandaj unë isha kaq i gëzuar që sot, ai, po më mbante mbi supet e tij…

-Sa i bukur qenka! – thashë unë me habi, jo pse deti ishte vërtet aq i bukur, por ngaqë xhaxhai po tregohej i afërt me mua, ai po më mbante mbi supe.. Deti paska ngjyrën e kraharorit të peligorgës, thashë unë gjithë gëzim e habi, por befas u pendova që përmenda emrin e një zogu, sepse kjo mund ta zemëronte xhaxhait e mund të më thoshte se ti mendjen te llastiqet e te zogjtë e ke o i uruar…, por xhaxhai vazhdoi të më mbante mbi sup…

– U kënaqët?, na pyeti xhaxhai.

  • U kënaqëm shumë,- i thamë ne, gjithë gëzim.

Ishte hera e parë që shihja det me sy. Kisha parë vetëm limanin e kënetës së Tërbufit dhe liqenin e sfratit që formohej kur fshatarët zinin përroin për të vaditur misrat.

-Domeniko, Domeniko…Deti.Vieni shih detin – thirra unë. Shihe sa i bukur është, si kraharor peligorge.

-Mos e thirr mor Koni, – më bërtiti Xhaxhai. Mos…se…

Unë u çudita me Xhaxhanë. E pse të mos e shikonte Dominiko detin?

Por Dominiko erdhi. Sapo pa detin, ai mbushi kraharorin me frymë dhe psherëtiu: mare, mare… Zvogëloi sytë për të parë më tutje, më larg, më thellë. Ashtu me sy të zvogëluar ai e pa gjatë detin. Po çfarë shihte ashtu, aq i përqendruar ai ? Pse zgjatej ashtu, e qëndronte në majë të gishtave të këmbëve e përpiqej të shihte sa më larg, larg, larg…?

Përtej ishte atdheu i tij, Italia, ishin fëmijët, nëna, babai,  gruaja, vëllezërit, motrat…

Ai i kërkoi një cigare Xhaxhait. Xhaxhai i vuri përpara kutinë e duhanit. Domeniko drodhi një cigare të trashë me shumë duhan. E ndezi dhe filloi ta pinte. Tymi i cigares largohej si një shami e kaltër drejt detit. Domeniko thithte cigaren dhe shikonte detin i shtangur, i ngujuar aty midis lisave dhe dushqeve të pyllit të Gjinerukës. Diçka i fanitej, diçka përfytyronte. Mbase fëmijët, mbase nënën, gruan…Ai shikonte, kurse ne, nuk shinim gjë.

Xhaxhai nuk i foli. Na porositi që dhe ne, të mos i flisnim. E lamë të qetë, me qëllim që të çmallej me përfytyrimet e tija.

– Ejani, na tha me zë të ulët xhaxhai, ejani të shkojmë te qerja. Lëreni të çmallet. Ai e di rrugën. Na  zë. Ejani !

U larguam ngadalë, pa zhurmë. Ruheshim që të mos shkelnim mbi gjethe dhe degë të thata. Domeniko ndezi dhe shoi disa cigare, po sytë nuk i shkuli nga deti. Ai shikonte me sy të picërruar detin. Ishte i pushtuar i tëri nga malli, nostalgjia. Ne nuk e trazuam. Respektuam mallin, nostalgjinë e tij që po e këpuste.

Ajo ishte një nostalgji që duhej respektuar.

Sapo pa detin, Domeniko psherëtiu:

–Eh, mare, mare.

Përtej ishte atdheu i tij, fëmijët nëna, babai, motrat, vëllezërit. Domeniko pyeti Xhaxhanë:

-Larg deti, Italia, zio Raman?

-Shumë larg! – tha xhaxhai.

-Eh, mare,mare, psherëtiu përsëri italiani.

Unë u çudita. Pse psherëtinte kështu Domeniko. Nuk është mirë në shtëpinë tonë ?  Ne e duam të gjithë. Pse iu mbushën sytë me lot ?

Ai pyeti prapë Xhaxhanë:

-Kaloj io not deti ?

-Jo, tha xhaxhai nuk del dot me not matanë!

–Perche, zio, Raman?

-Mbytesh. Italia, larg.

Xhaxhai e donte shumë këtë italian se ishte punëtor i madh e fjalëpakë.  Italiani pa detin. E pa e pa dhe…

Pashë atë të vraponte nëpër pyll, të zbriste poshtë drejt detit me shpejtësinë e një skifteri që ndjek një zog. Ta shihje si vraponte. Ai nuk vraponte, por rrokullisej si një gur teposhtë. Dredhonte mes drurëve që të mos përplasej në ta. Ai vraponte poshtë, poshtë, teposhtë drejt detit duke thirrur mare, mare, mia patria aspetammi!

Pylli i Gjinerukës përsëriste në italisht :

       -Mare, mare, mia patria aspetammi !

-Iku-tha Xhaxhai,- iku. Kam frikë se do t’i bjerë vërtet detit me not e do të mbytet i  uruari! Gjynah. Ishte punëtor i madh. Duart i kishte flori. Gjynah të mbytet, gjynah…!

Pasi u dëgjuan për herë të fundit britmat e italianit dhe jehona e tyre nëpër pyll,Xhaxhai tha:

-Ecni, ikim !

Dhe m’u drejtua mua:

-E more më qafë – më tha. Gjynah ishte punëtor i madh.

Për një kohë të gjatë unë dëgjoja britmat e italianit që xhaxhai e donte aq shumë:  ”mare, mare, mia patria, mia patria!

Në sy kisha rrokullimën e tij prej shkëmbi që s’e ndalnin dot as lisat e mëdhenj as thirrjet e xhaxhait, mos…! Nuk më hiqej nga mendja, nuk e harrova dot për një kohë të gjatë atë rrokullimë njeriu drejt detit.

Ç’e shtynte ashtu italianin Domeniko? Ç’e tërhiqte atë ashtu, drejt detit…?!

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Domeniko, Faslli Haliti, Tregim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT