• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – “Moisiu arbëror”

January 20, 2018 by dgreca

1 Lush Gjergji

Nga Don Lush GJERGJI/

Kaluan 550 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime,  deri te kundërshtimi, urrejtja,  keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm  që aktualiteti i tij,  “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij,  ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit,  atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos  trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje  aftësia e tij në diplomacinë  e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm

 

Filed Under: Editorial Tagged With: – “Moisiu arbëror”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, don Lush Gjergji

Shenjtëreshë për Dashuri – Nëna Tereze (1910-1997)

December 8, 2017 by dgreca

2017- Përvjetorët e Shenjtëreshës- Nëna Terezë: 20 vjetori i vdekjes, 1 vjetori i shenjtërimit; 38 vjetori i Çmimit Nobel për Paqe/

1 Don Lushi

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Vitin që po e lëmë pas, 2017, për ne, Kishën katolike dhe popullin Shqiptar kudo në botë, ka qenë i  shënuar dhe i bekuar, shumë i frytshëm dhe domethënës në shumë kuptime dhe drejtime, sidomos në përkujtimin e përvjetorëve të Shën Nënës Tereze:

1 nene Tereza

  • 38 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (Norvegji), 10 dhjetor 1979;
  • 20 – vjetori i vdekjes së Shën Nënës Tereze,  në Kalkutë,  5 shtator 1997;
  • 1- vjetori i shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, në Vatikan (Romë), 4 shtator 2016;
  • Shugurimi i Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë,  5 shtator 2017.

Këto ngjarje shënojnë historinë e Kishës Katolike në popullin Shqiptar, si dhe historinë tonë kombëtare, me domethënie dhe porosi të mëdha dhe shumë aktuale për ne, por edhe për mbarë njerëzimin.

Ta njohim, zbërthejmë, shqyrtojmë, përjetojmë Nënën tonë Tereze, tiparet e saja dalluese, porositë e saja karakteristike,  risitë që i ka dhuruar Zoti nëpërmjet saj, domethënien  për ne dhe prej brezat e ardhshëm, veçoritë që atë e kanë karakterizuar dhe dalluar,  sidomos në domethënien e  fesë dhe të dashurisë së krishterë.

Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian” në Romë. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)…

Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë,  por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe  për njerëzit e mbarë botës.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.

  1. Disa risi në jetën dhe veprën e Nënës Tereze: feja, shpresa dhe dashuria

Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin në çdo fazë të jetës së saj. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”  dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim. Ajo kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit.

Shpresa – veprim gjithnjë dhe kudo me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë.

  1. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë

Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vendveprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.

Risia e dytë e Nënës Tereze ishte UNIVERSALIZMI në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur në vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë”.

Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për t’ua dëshmuar të gjithëve se çdo njeri është së pari Njeri, i afërmi ynë, vëlla apo motër, deri te ajo që në çdo Njeri ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë Jezusi, dhe këtë me shembullin e jetës dhe dëshminë e përditshme.

Ja çka thotë Nëna Tereze për motrat që i ka themeluar ajo me emërtim “MISIONARET E DASHURISË”: ”Misionarja e Dashurisë duhet dhuruar, por mbi të gjitha duhet ta dhurojë vetveten… Për t’iu dhuruar të varfërve dashuri, ne duhet të jemi të afta ta duam njëra-tjetrën në bashkësinë tonë rregulltare, t’i dhurohemi tërësisht Zotit nëpërmjet të afërmit, nevojtarit… Ne jemi motra rregulltare dhe thirrja jonë nuk është puna me të gërbulur, apo me njerëz në buzë të vdekjes: Thirrja jonë është të jemi tërësisht të Jezusit. Pasi jam e Jezusit, puna ime është mjet për ta treguar dashurinë ndaj Tij. Prandaj puna është mjet e jo qëllim jete”.

  1. Vuajtja – bekim e jo mallkim

Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo e shihte, e njihte, e shërbente  dhe e dashuronte Jezu Krishtin në ata që nuk kishin më as pamje njerëzore.

Ajo thoshte kështu:”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Ne varemi tërësisht prej Provanisë hyjnore… Ja ana më e bukur e rregullit tonë… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi

Risia e katërtë e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.Ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore dhe morale, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit  nëpërmes njeriut.

  1. Kontemplative aktive në botë

Veçoria e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese. Pse dhe si? “Të gjitha për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin”.Urata, meditimi, adhurimi, mesha, kungimi, me një fjalë e tërë jeta shpirtërore ka për qëllim që motrat të aftësohen për dashuri, për dëshmi, për veprim, për ta njohur, ndihmuar, dashur dhe shërbyer Jezusin në njerëz që vuajnë.Kontemplative aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës”.

Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore, Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha  Jetës dhe Dashurisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: (1910-1997), don Lush Gjergji, Nena Tereze, Shenjtëreshë për Dashuri –

Bija shqiptare – Nëna e botës – tani shenjtëresha e dashurisë, Nëna Tereze

August 28, 2017 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/*

Don Lush GJERGJI1 Marjani dila prifti okL Gjergji marjani

Shekujt e pritën dhe përgatiten, ne e përjetuam/

Për ta kuptuar njeriun si qenie personale, familjare, shoqërore, kombëtare, fetare, kulturore, lypset njohur rrethin, ambientin, kontekstin jetësor, sepse pa këto tipare dalluese njeriu humb disi tërësinë, rrënjët, mbetet në “ajër”, pa identitet dhe personalitet bazor.

Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?

Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar.

Përse ajo lindi në Shkup?

Familja e Gonxhe Bojaxhiut u shpërngul nga Prizreni në Shkup për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve turke kundër shqiptarëve, veçmas shqiptarëve katolikë; për shkaqe të epidemisë, sidomos të kolerës, që e përgjysmojë popullatën e Prizrenit gjatë viteve 1850 – 1855, si dhe për shkaqe të kërkimit të tregjeve më të mëdha.

Sipas një dokumenti të gjetur gjatë vitit 2010 në arkivin e famullisë së Prizrenit “Zoja ndihmëtare” të datës 23 janar 1880 Lazër Mark Bojaxhiu, babai i Kolë Bojaxhiut, pra, gjyshi i Nënës Tereze, i kishte dhuruar “të gjitha shtëpitë, tokat dhe pasuritë që gjenden në qytetin e Prizrenit dhe jashtë tij, si të mirat e palëvizshme, ashtu edhe ato të  lëvizshme, të cilat janë ne emër tim, që i kam blerë apo trashëguar… nuk janë më pronë e imja, por i përkasin Argjipeshkvisë katolike dhe Kishës Katolike në Prizren, të cilët janë pronarët e vërtetë e të gjitha këtyre të mirave… tash e përgjithmonë, për mua dhe për pasardhësit e mi…”.

Kush ishin prindërit e saj?

Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë,  si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973).

Në çfarë rrethana lindi, qe edukuar Gonxhe Bojaxhiu?

Ajo lindi më 26 gusht 1910, gjatë sundimit turko-otoman, në një ambient të përzier etnikisht dhe fetarisht. Shkupi atëherë ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe Selia e Ipeshkvisë sonë. Atë e pagëzoi Don Zef Ramaj, e krezmoi argjipeshkvi Imzot Lazër Mjeda. Shkollën fillore e kreu pranë shkollës shqiptare katolike të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, ndërsa gjimnazin në shkollë publike, shtetërore po ashtu në Shkup. Së pari familja, pastaj famullia, atë e edukuan për dashuri flijuese dhe dhuruese, për vëllazëri të gjithëmbarshme, për shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit, sidomos ndaj atyre që vuanin në trup apo në shpirt

Si erdhi te thirrja rregulltare?

Gjashtë vite “luftoi me Zotin”, prej moshës 12 deri në atë 18 vjeçare, dhe pas shumë këshillimeve, lutjeve, shtegtimeve të rregullta në Letnicë, së fundi vendosi: “DUA TË BËHEM MOTËR MISIONARE PËR T’I SHËERBYER TË VARFËRIT E BOTËS”. (Letnicë, 14 gusht 1928)

Pse shkoi në Kalkutë, në Indi?

Sepse si e re kishte  lexuar dhe dëgjuar  në Shkup prej etërve jezuitë, që kishin misionarë në Kalkutë dhe më gjerë në Bengali (Indi), mbi mjerimin, varfërinë, gërbulën si dhe mbi ndasitë fetare, kastore, gjinore, racore, dhe më s’ mund të ishte e qetë, por dëshironte të jetonte me ta dhe të vepronte në mesin e tyre.

Si udhëtoi në Kalkutë dhe kur mbërriti atje?

Udhëtimi për Kalkutë u zhvillua në tri faza: me tren Shkup – Zagreb (26 shtator 1928), prapë me tren Zagreb –Dublin (13 tetor 1928) dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë

(prej 1 dhjetorit deri më 6 janar 1929). Në një mënyrë ky udhëtim simbolizon dhe paralajmëron tri fazat e saja jetësore, si Gonxhe Bojaxhiu (1910-1928), Motra Tereze e Loretos (1929-1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997).

Këto tri periudha jetësore përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Pse quhej Motra Tereze e Loretos?

Sepse atëherë ishte tradita  dhe ligji kishtar i ndërrimit të emrit të pagëzimit me ndonjë emër të ri në rregulltari. Gonxhe Bojaxhiu e ndërroi emrin e pagëzimit në atë të Motra Tereze e Loretos, sepse ishte anëtare e bashkësisë rregulltare të motrave që quheshin “Motrat e Loretos”. E ndërroi emrin për ta ndërruar së pari vetveten, jetën dhe veprimtarinë e saj, pastaj Kalkutën, Indinë, botën mbarë.

Kërkim (feja), angazhimi apo veprimi (shpresa) dhe dhurimi apo flijimi (dashuria), ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

Sa kohë jetoi dhe veproi si motër e Loretos në Kalkutë?

Prej vitit 1929 deri në vitin 1950, kur përfundimisht mori lejen e themelimit të bashkësisë së re rregulltare “MISIONARET E DASHURISË”. Këto tri faza jetësore janë konteksti jetësor i saj, dhe pa këtë ajo s’ mund të kuptohet, edhe më pak të imitohet.

Çka bëri Nëna Tereze për Kalkutën, Indinë, Botën?

Asgjë dhe gjithçka. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, vërtetoi dhe dëshmoi se i vetmi mjekim për trup dhe shpirt, për varfëri, sëmundje, gërbulë, vetmi, për pleq, fëmijë dhe rini, për të këqijat e botës së pasur dhe të varfër, për  të gjithë është DASHURIA VEPRUESE ose NË VEPRIM.

Ajo së pari i përballoi të ligat e Kalkutës, më vonë edhe të Indisë, së fundi edhe të  mbarë botës, dhe ia doli, i tejkaloi të gjitha ndasitë, dallimet, përkufizimet kombëtare, fetare, gjinore, racore, kastore… duke e pasur si pikënisje dhe si përfundim të çdo veprimtarie binomin ZOTI dhe NJERIU.

Për të Zoti dhe njeriu ishin të pandarë, sepse ajo ishte mbi të gjithë që të jetë dhe të mbesë NËNA E TË GJITHËVE.

Për të bërë të gjitha këto vepra bamirësie Nëna Tereze ka themeluar: MISIONARET E DASHURISË (1950), VËLLEZËRIT MISIONSRËT E DASHURISË (1963), BASHKËPUNËTORËT E NËNËS TEREZE (1969), MISIONARET E DASHURISË –DEGA KONTEMPLATIVE (1976) dhe VËLLEZËRIT E FJALËS – REGULL MESHTARAK (1984).

Çka kemi ne prej saj?

Me Nënën Tereze edhe një herë ndriçoi dhe lulëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar martir, dialogu ndërfetar shqiptar krishtero-mysliman, dialogu ndërkishtar katoliko-ortodoks, tradita bujare e mikpritjes dhe e bamirësisë, ndihmës ndaj të varfërve, strategjia paqësore jodhunore, me pak fjalë vlerat tona shekullore të fisnikëruara dhe të begatuara me përvojën madhore të Nënës Tereze.

Me rastin e Shpërblimit Nobel për paqe, së pari gojarisht, pastaj edhe më shkrim para mijëra gazetarëve ma dha këtë porosi në gjuhën tonë shqipe:

Oslo, 10/ 12/ 79

“Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija.

Une lutem për juve”.  

Teresa Bojaxhiu 

Çka kemi ne me beatifikimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze?

Shumë, sepse do të jetë Shenjtëresha e parë Shqiptare edhe zyrtarisht e pranuar dhe e shpallur nga ana e Selisë Shenjte, ajo që bota e shpalli NËNË UNIVERSALE dhe SHENJTËRESHË e mbarë njerëzimit, Nëna e Jetës dhe Dashurisë.

BIJA SHQIPTARE, NËNA E BOTËS, TANI EDHE SHENJTËRESHA E DASHURISË, ja, NËNA JONË TEREZE. Ajo do të lutet dhe do të ndërmjetësojë për ne para Zotit, ndërsa ne do të mundohemi të jemi bijtë dhe bijat e saja në jetë dhe në veprim.

Porosia apo testamenti shpirtëror i Nënës Tereze për ne?

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim”;  “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”;  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Nga goja dhe zemra e plotë lind urata spontane: Shën NËNA TEREZE LUTU PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR KISHËN TONË, PËR BOTËN MBARË! Amen.

 *(Kumtesa në hapjen “Ditët e Nënë Terezës”, Katedralja Nënë Tereze në Prishtinë, 26 gusht 2017)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bija shqiptare, don Lush Gjergji, Kumtese, Shenjtja e Tereze

Djaloshi me dy zemra

March 29, 2017 by dgreca

Protagonisti Blerim Nalli, djaloshi me dy zemra, që kriminelët serbë ia kishin nxjerr organet e brendshme, pra edhe zemrën, dhe ashtu të masakruar e kishin djegur, për t’ia humbur çdo shenjë dhe gjurmë, bëhet për ne Protagonist i historisë së vuajtjes, pësimit, trimërisë, flijimit, lirisë, vdekjes dhe pavdekësisë, me shpresë që do t’i prekë edhe zemrat tona të ngurrëta dhe të gurta, egoiste dhe egocentrike, që udhëhiqen nga fitimi dhe përfitimi, pasurimi dhe karrierizmi,  jeta e shfrenuar, duke shkelur mbi kokat, shpinën dhe gjakun e martirëve tanë./

2 Don Lushi Krushe3 don Lushi Krushe1 don Lushi krush

Nga Don Lush Gjergji/

17349608-10210365135542387-9208103352966836661-o_5410-1-747x580-1-685x400

“Unë do t’ua jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi” (Ez 36, 26).

1 Lush GjergjiKjo monografi dhe vepër publicistike e prof. Dr. Nusret Pllanës është një vazhdimësi e hulumtimit dhe paraqitjes sistematike e tematikës së Luftës, tmerrit dhe ferrit që ka pësuar populli Shqiptar, me ngjarje të panjohura, të njohura dhe të harruara, që mund ta njollosin shpirtin dhe ndërgjegjen tonë, janë shenja dhe mund të kushtojnë tejet shtrenjtë, mund të kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë.Të nisemi me tri konstatime jetësore dhe filozofike mbi  grupet njerëzore.

Ka njerëz që quhen të tillë, kanë pamje njerëzore, por me jetë dhe me veprime, nuk janë fare njerëz, pasi që me të drejtë emërohen  dhe cilësohen si njerëz pa shpirt dhe pa zemër, domethënë pa ndjenja, të udhëhequr dhe të “frymëzuar” nga e keqja.  Të tillë janë ata që urrejnë, shpifin, përgojojnë, bëjnë dallime dhe përjashtime gjinore, kombëtare, fetare, përfitojnë në “shpinë” të  tjerëve, ndajnë dhe përçajnë njerëzit, deri te skajshmëria e vrasjes, masakrimeve, pa kursye askënd. Në këtë kategori janë edhe përfituesit e luftës, ata që janë të prirë nga lakmia, njollosin vetveten dhe luftën, trimërinë, burrërinë, fytyrën, nderin e kombit tonë, “kapitalizojnë” gjakun e dëshmorëve dhe martirëve.

Kategoria e dytë e njerëzve është ajo si të rëndomtë, që kanë zemër, organ, por edhe ndjenja njerëzore, të gatshëm për t’u gëzuar me ata që gëzohen, për të qarë me ata që qajnë, për t’u solidarizuar me të tjerët në kërkimin dhe zbatimin e të mirës së përbashkët. Kjo kategori njerëzish jeton dhe vepron sipas bindjes, ndërgjegjes, përcaktimeve jetësore, janë të prirë të pasurohen me vlera dhe me virtyte njerëzore, familjare, kombëtare, fetare dhe morale, për të qenë pjesë e shëndoshë dhe e ndershme e  shoqërisë.

Kategoria e tretë janë njerëzit “Zemër”, me zemër dhe shpirt të madh, ata që thënë figurativisht kanë “dy zemra”, si organ, raste të rralla, por të mundshme, por edhe më tepër si ndjenja flijimi, dhurimi, shërbimi, altruizmi, atdhedashurie, drejtësie, mbi të gjitha dashurie gjithëpërfshirëse. Këta janë njerëz hero, trima të shquar dhe të dalluar, ata që nuk kursejnë asgjë, as jetën, për ideale të larta, pra, model jete dhe virtyti, flijues të spikatur, martirë të merituar, patriotë që do të duhej të jetonin në  shpirtin dhe mendjen e popullit, në zemrat e brezave, si frymëzim jete dhe veprimi, si kujtesë historike dhe aktuale.

Sot ne Shqiptarët, si individ, familje dhe shoqëri, kemi nevojë për “ndërrimin e zemrës”, pra, për “shartimin” e zemrës së re dhe shpirtit të ri të kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë, sipas shembullit dhe dëshmisë së Shën Nënës tonë Tereze, për kultivimin dhe pastrimin e kujtesës, për “kirurgji shpirtërore dhe kulturore”, që do të na aftësonte që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, historisë dhe trashëgimisë ilire, arbërore dhe shqiptare, që të jemi vetvetja me identitet dhe personalitet tonë burimor.

Protagonisti i kësaj historie dhe monografie është Blerim Nalli, së bashku me 241 të vrarë dhe të masakruar të Krushës së Madhe, edhe më mirë anëtarë të familjes së madhe në dhembje dhe martirizim ndër Shqiptarë, apo siç thotë Autori, “Aushvici i Krushës së Madhe”, që  gati është harruar në kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, në mjetet pamore dhe dëgjimore, në jetën publike dhe shoqërore, përpos ndonjë përvjetori.

Dr. Nusret Pllana, gjatë Luftës ishte zëri i “Kosovës së lirë”,  ndërsa pas Luftës, vazhdon të jetë zëri i heshtjes dhe ndërgjegjes së fjetur, që lufton kundër harresës dhe padrejtësisë, zëri i atyre që fizikisht s’mund të flasin më, sepse janë të vrarë dhe të masakruar. Mirëpo gjaku i tyre flet dhe thërret, bërtet, qorton dhe sfidon njerëzinë dhe lirinë, demokracinë, atdhedashurinë, historinë, të tashmen dhe të ardhmërinë tonë.

Harresa, mospërfillja, anashkalimi, moskujdesi për martirët tanë, si dhe për  familjet e tyre, nënçmimi, përbuzja, injorimi, na rrezikon të gjithëve, që edhe ne të jemi apo të bëhemi “vrastarë”dhe pjesëmarrës në “vrasjen e dytë” të tyre, asaj shpirtërore, kulturore, njerëzore, që fatkeqësisht është një proces në të cilin pothuaj jemi të gjithë.

Protagonisti Blerim Nalli, djaloshi me dy zemra, që kriminelët serbë ia kishin nxjerr organet e brendshme, pra edhe zemrën, dhe ashtu të masakruar e kishin djegur, për t’ia humbur çdo shenjë dhe gjurmë, bëhet për ne Protagonist i historisë së vuajtjes, pësimit, trimërisë, flijimit, lirisë, vdekjes dhe pavdekësisë, me shpresë që do t’i prekë edhe zemrat tona të ngurrëta dhe të gurta, egoiste dhe egocentrike, që udhëhiqen nga fitimi dhe përfitimi, pasurimi dhe karrierizmi,  jeta e shfrenuar, duke shkelur mbi kokat, shpinën dhe gjakun e martirëve tanë.

Prof. Dr. Nusret Pllana nëpërmjet filmit dokumentar, shkrimit dhe botimit, vazhdon ta mbajë të gjallë kujtesën  për  luftëtarët dhe martirët tanë, pasi të gjallët sot, përpos rrethit të ngushtë familjar dhe përjashtimeve pozitive, kanë “valë dhe halle tjera”, nuk merren më me këto ngjarje trishtuese dhe tronditëse, duan ta shijojnë jetën ndryshe.

Simbolika e djaloshit me dy zemra më përkujton simbolin tonë kombëtar, Shqiponjën dykrenore, si dyfishim i së mirës, qëndresës, burrërisë, atdhedashurisë, për t’i përballur baticat dhe zbaticat e shumta historike dhe aktuale, për t’ua “huazuar” një zemër dhe kokë atyre njerëzve që s’kanë zemër dhe kokë, ide, ideale, ndërgjegje, dashuri dhe flijim, dhurim dhe veprim për të mirën e përbashkët,  që nuk dinë dhe nuk duan t’i përkujtojnë dhe nderojnë as të gjallët, as të vdekurit, askënd përpos vetvetes.

O temporal, o mores! O kohëra, o doke! A thua i tillë qenka njeriu ynë, qenkemi ne, që kaq shpejt i harrojmë më të dashurit tanë të vrarë dhe të masakruar,  të zhdukur dhe të përbuzur, edhe më shumë të gjallët e familjeve të tyre! Pse jemi “analfabet”, që nuk dimë ta nderojmë dhe lexojmë as historinë të shkruar me gjak, të vulosur me dashuri dhe vdekje për liri, demokraci dhe pavarësi!

Frikësohem nga kjo harresë dhe përbuzje, që mos të na ndodhë, si shumë herë më parë, që s’kemi mësuar asgjë nga e kaluara, nga historia, dhe si pasojë e kësaj, kemi përsëritur atë një forma dhe trajta edhe më të vrazhdë.

Prof. Dr. Nusret Pllanën e përgëzoj për punë në vazhdimësi për ndriçimin e së kaluarës sonë kaq të hidhët, të tmerrshme, të përgjakshme, por edhe shumë të lavdishme dhe heroike, me klithje nga varrezat e gjetura dhe të pagjetura: Memento nobis – na kujtoni neve, si amaneti të shenjtë dhe të vazhdueshëm, porosi dhe siguri për të tashmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët dhe vëllazërore.

Do ta përfundoj këtë paraqitje me fjalët që ia vë në gojë dhe në zemër Prof. Nusret Pllana,“djaloshit me dy zemra”, Blerim  Nallit: “Nga kushdo që vjen vdekja, qoftë edhe nga plumbi i armikut të tokës sime, është vdekje, sepse është kapak i jetës. Do të thotë, kurdo që vjen vdekja, kësaj jete ia vëmë kapakun për të gjitha kërkesat që mund të ketë njeriu i gjallë. Çudi me njeriun!… Prandaj, pasi i di të gjitha këto, atëherë është krejt e natyrshme të më kujtohen të gjitha ato ngjarje që kanë ndodhur, që kur kam qenë fëmijë krejt i vogël e deri në ditën kur ka ardhur vdekja nga pushka e armikut të vendit tim dhe më ka marrë me vete, vetëm si trup, sepse  shpirtin dhe të dy zemrat i kam këtu. Në tokën time, në tokën e fshatit tim më të bukur në botë, në Krushën e Madhe” (Prof. Dr. Nusret Pllana, Djaloshi me dy zemra, ve. e cit. f. 184-185).

(Kumtesë në promovimin e librit: Prof. Dr. Nusret  Pllana, Djaloshi me dy zemra. (Aushvici i Krushës së Madhe),  Monografi, 2017, f. 230, Prishtinë, 27 mars 2017)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Djaloshi, don Lush Gjergji, me dy zemra

KESHILLA-TESTAMENT QE LA NENE TEREZA

October 19, 2016 by dgreca

*DON LUSH GJERGJI: JU TREGOJ KESHILLEN TESTAMENT QE ME LA NENE TEREZA/

1-takimi-ne-vater

*NJE TAKIM I NGOHTE I DON LUSH GJERGJIT NE VATER/

1-flet-don-lushi

Takimi i së Hënës (17 Shtator 2016) me Don Lush Gjergjin në VATËR ishte një takim i ngohtë me vatranët. Bibliografit të shquar i Shën Terezës, Vikar i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, ia ka uruar mirëseardhjen dr. Gjon Buçaj, kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Dr. Buçaj e përshkroi veprimtarinë e Don Lush Gjergjit në Washington si shumë të suksesshme dhe të dobishme, jo vetëm në përcjelljen e mesazheve për Shën Terezën, por edhe për Kombin Shqiptar.Ai foli për interesimin e madh që u tregua si për bisedën që u zhvillua në Bibliotekën e Kongresit, por edhe gjatë Meshës si dhe në takimin me komunitetin shqiptar, që shtroi drekë për nder të Tij. Kryetari i Vatrës e vlerësoi veprimtarinë e degës së Vatrës në Uashington, të Kryetares Merita B McCormack, dhe të gjithë kryesisë, të cilët edhe familjet i përfshinë në këto veprimtari. Po ashtu Komuniteti i atjeshëm dha mbështetje të pakursyer. Kryetari i Vatrës shtoi se në këto veprimtari ishte e pranishme dhe ambasadorja e Shqipërisë në Washiongton, zonja Floreta Faber.

Më pas kryetari,që e shoqëroi mysafirin edhe në Uashington edhe në Nju Jork,  tregoi për veprimtaritë e don Lush Gjergjit në Nju Jork, ku veçoi takimin në Konsullatën e Kosvës si dhe tek Kisha Katolike”Zoja e Shkodrës” e veprimtari të tjera.
Më pas kanë përshëndetur dhe kanë shfaqur opinionet e tyre zv/Kryetarët e Vatrës Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Nazo Veliu, Marjan Cubi,Pashko Camaj, Zef Përndocaj, Fran Marku, Simon Simolacaj, Adem Belliu, Ilir Cubi, Pjetër Mrnaçaj, Dalip Greca, Mhill Gjuraj etj.
Don Lush Gjergji falenderoi Vatrën për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen që i ka dhënë gjatë kësaj vizite, ku e kreu më së miri misionin që kishte marrë mbi vete. Don Lush Gjergji e pat takuar Misionaren e shquar, Shën Terezën e Kalkutës në vjeshtë të vitit 1968 në Romë, kohë kur nisi miqësia e tyre e pandashme. Don Lush Gjergji, biografi i Shën Terezës ka shkruar 16 libra rreth jetës së saj dhe vazhdon të kontribuojë në sjelljen e mesazheve të fuqishme dhe veprimtarisë së saj fetare e të bamirësisë.
Biliografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, tregoi copëza nga jeta me Nënë Terezën, veçanërisht u ndal gjatë në momentet e takimeve me të, në vizitën në Kalkutë, apo takimet e tjera. Ai përcolli filozofinë dhe mençurinë e Nënë Terezës, e cila, në Kalkutë, veçanërisht atje, shihej si e Shenjtë që në gjallje të saj. Qytetarët e thjeshtë e vinin Nënë Terezën mbi Gandin dhe figurat e tjera të shquara të Indisë. Ai tregoi edhe fragmente bisedash kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqe, kur Kryetari i Komisionit i kishte thënë don Lush Gjergjit: Kurrrë nuk kemi patur një rast kaq unanim si në rastin e Nënë Terezës.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëbisedimit.Don Lush Gjergji iu përgjigj pyetjeve dhe përmes fakteve nga Jeta e Nënë Terezës, uli tonet e debatit.
Psh, kur vatrani i vjetër, Zef Përndocaj, pyeti: Si ka mundësi që Nënë Tereza, vendosi lule tek Varri i Enver Hoxhës, edhe pse ai nuk e lejoi që të shihte nënën e sëmurë apo motrën në gjallje, madje as kur nënë Drania ndërroi jetë, ai prapë nuk i dha leje?! Unë për vete, tha Përndocaj, kurrë nuk do t’ia falje atij gjaksori që më mori 16 jetë të pjestarëve ët familjes.
– Pikërisht, prandaj është e veçantë Nënë Tereza…Ajo ishet mbi ne….tha don Lush Gjergji dhe me urtësi zbërtheu filozofinë e saj për faljen.
Don Lush Gjergji e ka përmbyllë bisedën me fjalën mbyllse të ligjëratës së tij në Bibliotekën e Kongresit, duke sjellë në kujtesë një këshillë që i kishte dhënë dikur Shën Tereza. Ajo i kishte thënë:
“-Është një porosi dhe testament të cilin ta dhuroj ty, dhe ti do t’ua dhurosh të tjerëve.
– Kqyre dorën tënde!
I thashë ‘e kqyr çdo ditë, është dora ime, e njoh’.
-“Jo, jo, kqyre mirë.”!
Pastaj më tha: – ‘Kqyri pesë gishtërinjtë e tu, dhe çdo mëngjes, pasi të zgjohesh pyete vetveten: çdo të bëj sot për Zotin? (Çdo gisht një fjalë)…
Dhe Zoti të ka dhënë edhe një dorë tjetër, dhe pesë gishtërinj të tjerë. Dhe pyete veten ‘çdo t’bëj sot për njeriun?’ Dhe vazhdoje jetën. Në fund të ditës, pyete vetveten: ‘Ç’kam bërë sot për Zotin?’ dhe ‘Ç’kam bërë sot për njeriun?…
Në fund të takimit Don Lush Gjergji i ka dhuruar Vatrës me nënshkrim për Bibliotekën e saj librin album:”Jeta, Dashuria, Dëshmia”- Përshpirtëria e Nënës Tereze.
Më pas ai ka vizituar edhe Bibliotekën e Vatrës, ku editori e njohu me punën që po bëhet për ta sistemuar atë në raftete e reja.
Për nder të mysafirit vatranët kanë shtruar një darkë.Të nesërmen Don Lush Gjergji, i përcjellë në aeroport nga Marjan Cubi, udhëtoi drejt Michiganit.

1-une-ne-kembe

(Korresp i Diellit)

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: dalip greca, don Lush Gjergji, vizitoi Vatren

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT