• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIALOGU NDËRFETAR NË KOSOVË

June 7, 2015 by dgreca

Nga Don Lush Gjergji/
Dialogu ndërfetar në Kosovë, si dhe gjetiu në botë, sot është një ndër çështjet më të rëndësishme, do të thoja edhe jetësore, për ne Shqiptarët, si dhe për të tjerët. Sa i përket të kaluarës, pjesërisht edhe të tashmes, në këtë lëmi, ne qëndrojmë mjaft mirë, sepse vëllazëria gjithëshqiptare është mbi ndasitë tona fetare, pra, më e thellë, më e fuqishme, do të thoja e natyrshme dhe kuptimplote, shembullore, si për ne, ashtu edhe për të tjerët.
Mirëpo njeriu i sotshëm, shpesh edhe ne besimtarët, flasim për dialogun ndërfetar, pra, në emër të Zotit dhe të fesë, lidhjes dhe jetës sonë me Të, ndërsa pothuaj rregullisht, cekim vetëm elementin horizontal, njerëzor, pa uratë, ndihmë dhe përkrahje të vertikales, hyjnores. Duam të rritemi dhe të përparojmë vetëm në një drejtim, atë horizontal, tokësor, njerëzor, duke harruar dhe përjashtuar anën vertikale dhe hyjnore.

Aspekti i dytë tejet i rëndësishëm është qëndrimi përjashtues, nënçmues, deri te urrejtja e të tjerëve, atyre që janë apo duken se janë ndryshe prej nesh. Dhe prapë edhe një gabim trashanik, që në emër të Zotit dhe të fesë, të vijmë deri te urrejtja dhe vrasja e të tjerëve, kinse atyre që na pengojnë apo rrezikojnë në synimet tona. Papa i madh dhe i “pavdekshëm” Shën Gjon Pali II thoshte kështu: “Urrejtja dhe vrasja e njeriut është krim. Krim i krimeve është kur ajo bëhet në emër të Zotit”.
Aspekti i tretë i dialogut ndërfetar është përvujtëria, si virtyt bazik, për ta kuptuar dhe pranuar së pari Zotin, Krijuesin dhe Atin tonë të përbashkët, pastaj tjetrin, si vëllaun apo motrën tonë, dhe së fundi vetveten. Ne, të prirë nga mentaliteti shekullar apo laik, kryekëput ateist, theksojmë vetveten me tendenca egoiste dhe egocentrike: unë di, unë dua, unë mundëm, duke u munduar që tjetrin ta “objektivizojmë” apo vegëlsojmë për qëllime dhe njete tona.
Dialogu ndërfetar mbështetet doemos së pari në Zotin, burimin tonë të përbashkët, si zanafillë e vëllazërisë gjithënjerëzore, dhe në jetën tonë fetare, shpirtërore, ku falja dhe pajtimi, kërkimi i faljes, ndërrimi dhe përmirësimi ynë, janë fryt dhe gërshetim i hyjnores dhe njerëzore, dhe dëshmi se besimtari është ndryshe prej të tjerëve, jo pse di, do dhe mundet, por pse e ka ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e bashkësisë fetare. Për një dëshmi të tillë ka nevojë Kosova jonë, populli Shqiptar, edhe më gjerë, mbarë njerëzimi.
Së fundi me keqardhje theksojmë edhe një herë botërisht mungesën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës për mosmiratimin e Ligjit që do ta njihte dhe pranonte Personalitetin Juridik të Bashkësive Fetare dhe Kishave në Kosovë, si pengesë e madhe për mirëvajtjen e jetës së besimtarëve tek ne. Shpresojmë dhe urojmë që kjo çështje, tashmë e hapur me vite, të zgjidhet sa më shpejtë dhe më mirë, në dobi të të gjithëve qytetarëve dhe besimtarëve tanë.
Prishtinë, 28 maj 2015 Don Lush GJERGJI

Filed Under: Analiza Tagged With: dialgu nderfetar, don Lush Gjergji, Kosove

OSCAR ROMERO (1917 – 1980), Martir i lirisë dhe demokracisë

May 24, 2015 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/
“Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”-(Mt 5, 11-12)/
“Nuk është e përndjekur Kisha, por populli. Meqë është Kisha në anën e popullit, edhe populli në anën e Kishës, ajo është pjesë e përndjekur me popull… Unë e di se lufta e popullit tonë është puna e së vërtetës dhe drejtësisë, edhe pse më urrejnë shumë në vendin tim për shkak se i mbroj të varfëritë dhe nëpërkëmburit… Pozita ime baritore më detyron të jem solidar me të gjithë ata që vuajnë, të mbështes çdo përpjekje drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor… Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa jeta njerëzor… Pashkët janë thirrje e fitores. Askush nuk do të mund të shuajë atë jetë të cilën e ringjalli Krishti, dhe se askurrë nuk do të mund të ngadhënjejnë vdekja dhe urrejtja: Krishti është ngadhënjimtar!”
Oscar Romero/
Oscar Arnulfo Romero u lind më 15 gusht 1917 në Ciudad Barrios, vend i vogël në Salvador, afër kufirit me Hondurasin. Familja e tij ishte e varfër dhe jetonte nga puna modeste e të atit; pranë shtëpisë së tyre të vogël kishin pakë tokë dhe bagëti. Me siguri se edhe Oscar do të vazhdonte traditën familjare, mirëpo ishte me shëndet të lig, i paralizuar qysh kur kishte vetëm shtatë muaj. I ati ishte telegrafist, kurse e ëma amvise. Osckari i vogël gati se në gjithçka trashëgoi të atin e vet në punë, mësoi të shkrim-leximin, të luante me flaut, ishte i mahnitur pas teknologjisë telefonike.
Nuk dihet pse dhe si hyri në seminar. Disa thonë se për këtë vendosën bashkëvendësit e tij, për të pasur mundësi ai të bëhet meshtar i tyre vendor. Të tjerët thonë se pranë dëshirës së prindërve dhe vendasve, edhe ai vet dëshironte të bëhej meshtar, gjithsesi i shtyrë edhe nga rrethanat e jetës dhe sëmundja… Një gjë është e sigurt: Zoti është shërbye me këto apo rrethana të ngjashme dhe e solli që t’i shërbejë. Shpenzimet e seminarit ishin të mëdha, kurse i ati nuk ishte në gjendje këto t’i paguajë. Për këtë Oscar ishte i detyruar të braktisë seminarin pas një kohe të caktuar, e të punoj si minator, me këtë t’i ndihmojë familjes, por edhe vetvetes. Puna e minatorit ishte shumë e rëndë dhe mjaft e rrezikshme. I riu Oscar, mendonte gjithnjë dhe e ëndërronte seminarin, mësimin, lutjen, meditimin dhe pikërisht shkaku i kësaj ishte mjaft i lënduar, pak edhe i dëshpëruar në jetë. Koha kalonte dalngadal dhe në monotoni…
Edhe kjo gjendje fatbardhësisht përfundoi mirë. Rektori i seminarit San Migueli kishte mirëkuptim dhe mëshirë ndaj familjes Romero, kështu që lejoi kthimin e Oscarit në seminar edhe atë pa pagesë. I riu ishte i lumtur me këtë shenjë të mirësisë, dashurisë dhe bamirësisë. Që të kthente disi këtë dashamirësi, ishte i angazhuar thellësisht në jetën e përshpirtërisë, në lutje, në mësim dhe ndryshim të sjelljes, në gjithçka. Ishte i gjithanshëm: luante në piano, shkruante poezi, lexonte, mësonte, organizonte jetën kulturore, ishte shumë i gjallë dhe i lumtur. Më në fund gjeti veten dhe thirrjen e tij të vërtetë!
Pikërisht kjo gjallëri intelektuale, sjellja e mirë shpirtërore dhe materiale në seminar, ishin “vizë” për studime në Romë. Banoi në institutin Latino-amerikan të cilin e drejtonin etërit jezuitë, kurse studionte në Gregorian. Roma do t’ia hapë edhe më tepër mendjen dhe zemrën dhe do t’i ofrojë përvojën e jetesës së përditshme të katolicizmit. Studenti i ri i teologjisë Oscar ishte tejet i lumtur, i dhënë pas studimeve dhe jetës shpirtërore, me plot përgjegjësi, thuajse gati edhe më tepër se moshatarët e tij. Në veçanti ishte i mahnitur me studimin e historisë së Kishës së San Salvadorit dhe i dashuruar në një mënyrë në thirrjen meshtarake.

“UNË JAM MESHTAR PËR VUAJTJE DHE
PARAQITJE”

Lufta e Dytë Botërore nuk e kurseu as Romën. Gjatë Luftës më 4 gusht 1942 Oscar Romero realizon ëndrrën jetësore, bëhet meshtar i Kishës së Krishtit. Ja si e mendoi meshtarinë i riu, Don Oscar Romero: “Të jesh meshtar do të thotë para të gjithave të ndash kryqin e Krishtit dhe vuajtjen me popullin e Zotit… Vuajtja është sikur hija e duarve të Zotit e cila bekon dhe falë. Për këtë dhembja bashkon, i bënë njerëzit mes veti solidarë dhe i afron te Zoti… Unë jam meshtar për vuajtje dhe paraqitjen e jetës sime Zotit, Kishës, popullit, të gjithëve, edhe atë me dashuri…”
Me plotë zell apostolike, me njohurive dhe përgatitje të mirë filozofiko-teologjike, por edhe më tepër i pasuruar shpirtërisht, Don Oscar Romero kthehet në atdheun e vet. Gjendja në Salvador ishte shumë e ndërlikuar dhe tendosur me regjimin diktatorial të Fulgencie Batisste-s. Në vend të mirëseardhjes, Don Romero dhe një mik i tij po ashtu meshtar me të cilin udhëtoi, qenë të burgosur si kinse spiunë, dhe vetëm pas shumë mundimeve, nënçmimeve dhe ndërmjetësive qenë liruar. Ndeshja e parë me realitetin e atdheut ishte shumë e mundimshme dhe e rëndë. Kryqi nuk do t’i mungojë asnjëherë.
Don Romero u emërua shpirtëror ndihmës dhe sekretar personal i ipeshkvit, derisa miku i tij u emërua vikar gjeneral i ipeshkvisë. Me jetën dhe fjalët e tij publike, zemrën e tij të madhe dhe bujare, shumë shpejt fiton besimin e ipeshkvit, të klerit, të popullit, në një mënyrë bëhet apostull i të përvuajturve, të varfërve, mik dhe vëlla i të vuajturve.
Gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit, Don Oscar Romero është emëruar monsinjor dhe sekretar i Konferencës Ipeshkvore të Salvadorit. Kjo emërim e detyroi ta braktiste San Miguelin, ipeshkvin e tij, punën pastorale, në veçanti me rini dhe me familje. Më nuk ishte i ri, kishte 50 vjet, me plotë përvoja, por shëndet jo të mirë, megjithatë duke mos u kursyer asnjëherë. Në rrethin dhe detyrën e re erdhi në shprehje saktësia e tij në punë, këmbëngulësia në ndërmarrje katekistiko-pastorale, idetë e thella në mësimdhënie, përzemërsia dhe sinqeriteti i komunikimit me të gjithë.
Pas tre vjet pune (1970) është emëruar edhe Sekretar Gjeneral i Konferencës Ipeshkvore të Amerikës së Mesme, një obligim dhe detyrë e rëndësishme dhe e lartë. Mirëpo, ai edhe me këtë emërim nuk e “humbë kokën”, porse edhe më tutje mbeti krejt i thjeshtë, përvuajtur, i bindur se është i ftuar të shërbente në dashuri dhe nga dashuria në kërkim të së mirës së përgjithshme.

LUFTËRAT SHOQËRORE

Kush është në të vërtetë Oscar Arnulfo Romero? Çfarë në të vërtet do të thoshte për te të jesh ipeshkëv dhe bari i Kishës Katolike në Salvador, pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, atje ku mbretëronte varfëria, padrejtësia, diskriminimi, diktatura, vrasjet dhe shfrytëzimi i popullatës. Përse dhe kush e vrau në altar? Çfarë na mbetet sot nga jeta, mësimi dhe martirizimi i tij? Pse fliste, besoi dhe mësoi: “Vuajtja e skamnorëve është vuajtja e vet Krishtit”? Përse ishte në anën e të vegjëlve, të shtypurve, të shkelurve, edhe pse e dinte se kjo është shumë e rrezikshme?
Përzgjedhja dhe përcaktimi i tij ishin të pashmangshme, çështje ndërgjegjeje, edhe më tepër pyetje e fesë, bindjes, jetës, dëshmisë së krishterë. Ky përcaktimi i guximshëm do e sjell deri te martirizimi, do e bëjë bashkëpjesëmarrës të vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit.
Selia e Shenjt njeh në mons. Oscar Romero-n njeriun e vlefshëm të Kishës dhe për këtë e emëron ipeshkëv ndihmës të San Salvadorit. Rrethanat shoqëroro-politike janë tepër të komplikuara dhe rrezikshme, ato kishtare të pasigurta, të ndara në dy rryma apo drejtime: njëra pro-shtetërore, tjetra popullore, me këtë anti-shtetërore.
Ipeshkvi i ri, është ende i pavendosur, mendon, mediton, lutet, do të dëshironte të këshillohej me të gjithë, të njohë sa më mirë realitetin, për të pasur mundësi që më mirë dhe lehtë të përcaktohet për qëndrim të drejtë dhe ungjillor. Disa shohin rrezik vetëm nga e majta, nga komunizmi, kurse të tjerët vetëm nga e djathta – diktatura e pasanikëve, të cilët e konsideronin veten të krishterë, mirëpo, fatkeqësisht nuk ishin të tillë edhe me jetë.
Në vitin 1974 Mons. Romero është emëruar ipeshkëv rezidencial në Santiago de Maria, qytet dhe ipeshkvi në periferi. Menjëherë filloi me vizita baritore, që për së afërmi dhe për së drejti të njihet me nevojat e popullit, me botën e varfër, me mungesën e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, drejtësisë, shkollimit, kulturës, me të gjitha. Shpeshherë thoshte: “Kjo qeveri nuk ka asgjë të mirë, përpos vuajtjes dhe durimit, besimit për një të ardhme më të mirë.”
Kleri në pjesën më të madhe është me popullin dhe për këtë përjeton përndjekje të rënda diktatoriale. Përndjekjet dhe vrasjet janë gjithnjë e më të shpeshta. Pesë besimtarë janë të prerë nga grupet ushtarako-policore kombëtare në njërën nga famullitë e tij. Mons. Romero proteston ashpër kundër kësaj vepre të tmerrshme, kërkon drejtësi për të gjithë; ai nuk u ndal me kaq, por bëri edhe një hap më tutje, sulmoi dhe fajësoi regjimin totalitar i cili ngufatë lirinë e popullit. Edhe më shpesh vizitonte famullitë e tija, kremtonte me popull eukaristinë, predikonte fjalën e Hyjit, kërkonte dhe lutej vazhdimisht për liri, trimëronte popullin…

ARQIPESHKËV I MADH PËR SAN SALVADORIN

Në vitin 1977 Vatikani e emëron arqipeshkëv të kryeqytetit San Salvador, në befasi të të gjithëve, e në veçanti të pushtetit. Përgjegjësia ishte e madhe, shkaku i gjendjes politike e cila u krijua me vite të tëra. Dora e fortë dhe e rëndë diktaturiale nuk e kursente më askënd, po as njerëzit kishtarë e institucionet. Arqipeshkvi tashmë ishte në anën e popullit, me ta ndanë fatin.
Policia së shpejti reagoi dhe e “demaskoi vetveten” me vrasjen e atë Rutili Grande, mikun dhe bashkëpunëtorin shumëvjeçar të mons. Romero-s. Atë Rutili ishte njëri ndër meshtarët më aktiv dhe i dhënë në pastoralin e të rinjve dhe në mbrojtje të lirive të të varfërve. Ishte përcaktuar për parimet ungjillore: të jesh me Krishtin dhe popullin e Zotit deri në vdekje!
Mons. Romero, ishte i goditur thellë, i pikëlluar, i shqetësuar, ndjehej i provokuar të ndërmerrte diçka. Menjëherë protestoi kundër kësaj vepre të keqe dhe kriminale, kërkoi vendosmërisht zbardhjen deri në fund të këtij rasti, i përjashtoi nga Kisha Katolike vrastarët, caktoi tri ditë pikëllimi dhe urate për argijpeshkvinë e tij, udhëhoqi personalisht ceremonitë e varrimit, vendosi për ndërprerje të të gjitha marrëdhënieve me pushtetin deri sa mos të zbulohet dhe dënohet vrastari dhe vrastarët!
Mirëpo, edhe qeveria zyrtare kishte marrë qëndrim të fortë, edhe më tepër përndjekje Kishën, kërcënonte dhe paralajmëronte hakmarrje të reja…
Mons. Oscar Romero udhëton për në Romë dhe paraqet në hollësi gjendjen e rëndë të Kishës në San Salvador. Papa Pali VI e inkurajoi që të vazhdojë rrugën e nisur në mbrojtje të lirisë, derisa institucionet tjera vatikanase ishin pakë më të rezervuara, të shqetësuara për jetën e arqipeshkvit, si dhe për shkak të qëndrimit të ngarkuar dhe të “egër” mes Kishës dhe shteti, kështu që e këshillonin për kujdes më të madh dhe maturi.
Pas një kohe të shkurtër vritet edhe një meshtar dioqezian, Don Alfonso Navaro, në moshë 35 vjeçare, mik dhe mbrojtës i të varfërve. Vdiq si martir i madh i krishterimit, duke iu falur dhe lutur për vrastarët e tij.
Në homilinë e varrimit Mons. Romero ndër të tjera tha: “Ne këtu jemi Kishë e gjallë e cila sjell shpëtimin e njeriut jo vetëm pas vdekjes, por edhe këtu në këtë tokë… Duhet të luftojmë për një shoqëri më humane, kundër dhunës, kundër të këqijave…”
Në angazhimet baritore ai ishte gjithnjë e më i guximshëm, ungjillor, i themeluar në të vërtetën dhe dashurinë, në shërbim. Ja dëshmia e tij mbi Kishën: “Kisha nuk është e lidhur për ndonjë parti apo organizata tjera politike… Pikërisht për atë se është e interesuar për të mira e përgjithshme e njeriut, publikon vlerësimin e gjendjes së vendit, dhe për këtë kërkon mbrojtjen e të drejtave të njeriut… Kisha është renditur në anën e atyre që vuajnë, sepse dëshiron t’ju shërbejë të gjithëve, kështu që nga historia e tyre të arrijnë te historia e shëlbimi… Kjo nuk është marrja me politikë, por ndërtimi i Kishës, përmbushja e detyrave kishtare me fuqinë e identitetit saj… Kisha lufton kundër mëkatit dhe kjo shoqëri duhet dëgjuar mësimin e saj dhe të kthehet për të pasur mundësi të jetë e atillë çfarë kërkon Hyji. Kisha në Salvador është e përkushtuar në mbrojtje të varfërve dhe krenohet me atë që ‘përziu’ gjakun e meshtarëve, katehistëve dhe bashkësive të saj me gjakun e popullit të masakruar, dhe krenohet që ishte gjithmonë e përndjekur: dhe pikërisht për këtë ajo pengon dhe atë e diskreditojnë, nuk dëgjohet zëri i saj i cili qorton kundër padrejtësive…”

ME POPULLIN DREJT LIRISË

Mons. Oscar Romero gjithë e më shumë bashkohet dhe identifikohet me popullin, apo siç kishte dëshirë të thoshte, “me njerëzit e mi”, që t’i udhëhiqte drejt lirisë së vërtetë. E keqja, pushteti, pasuria, dhuna ishin shumë mirë të organizuara dhe të institucionalizuara sikur pushtet apo shtet, një grusht njerëzish që doemos dëshironin për çdo çmim të zotërojnë mbi të gjithë. Ai së bashku me Mons. Rivera Damas-in botërisht e kundërshton pushtetin dhe mundohet të shpëtonte atë që ende mund të shpëtohet. Në vitin 1978 në gjashtë pikë prezanton politikën e cila do të ishte më tepër në shërbim të qytetarëve: pluralizmi politik, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe të lira, nderimi i të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërprerja e urrejtjes dhe persekutimin nga ana e diktaturës, amnistinë për të gjithë të burgosurit politik.
Në ndërkohë, pas vdekjes së befasishme të papës Gjon Palit I ishte zgjedhur papa i ri Gjon Pali II, kardinal nga Polonia komuniste.
Mons. Romero pak ishte i shqetësuar, por prapë pati besim në zgjidhjen e Shpirtit Shenjt. Salvadori, dhe gati se e gjithë Amerika Jugore, atëherë jetonin në kushte mjaft specifike, në frikë nga diktaturat e majta, kumunizmi, derisa në të vërtetë ishin nën diktaturat e rrepta të djathtistëve, të cilat me fjalë paraqiteshin si të krishtera, por me jetë dhe qëndrime ishin tërësisht tjetër. Papa Sllav i njehte shumë mirë dhe personalisht rreziqet nga komunizmi dhe ateizmi shtetëror, mirëpo do duhej të kishte njohuri edhe për varfërinë dhe shfrytëzimin e popullit nga ana e djathtistëve. Pas disa ditëve Mons. Romero i shkroi një letër të gjatë dhe konfidenciale Papës Gjon Palit II mbi gjendjen e Kishës dhe popullit në Salvador.
Papa Gjon Pali II i jep mbështetje të plotë pranisë së Kishës në Amerikën Latine. Në Pueblo më 27 janar 1979 kryeson Konferencën Gjenerale Ipeshkvore të Amerikës Latine, si vazhdimësi e Medellinë-s, por edhe si risi dhe angazhim i Kishës rreth pyetjeve shoqërore.
Martirizimi i Kishës dhe popullit në Salvador vazhdonte. Mons. Romero në paraqitjen publike para Papës dhe ipeshkvijve të Amerikës Latine, para gjithë botës, ashpër dënoi diktaturën ushtarake dhe veprat e këqijat të saja.
Në një rast tha: “Kush e di pse, mirëpo fatkeqësisht është ashtu: fati im është të mbledh ‘frytet’ e dhunës, trupat e vdekur. Fat i tmershëm, të bartësh në supe barrën e tërë popullit, për çdo ditë të shikosh-jetosh-dëgjosh vetëm rrëfime mbi dhunën, vrasjet, vetëm të ngushëllosh, në pamundësi që të ndërrosh e përmirësosh asgjë!”
Ja dëshmia e çmuar e Mons. Romeros: “Krishterimi është Person i cili më do aq shumë dhe kërkon edhe dashurinë time. Krishterimi është Krishti… Dashuria është përmbledhja e të gjitha ligjeve. Dashuria plotëson të gjitha detyrimet e njeriut…unë e di që ka shumë njerëz që në momentin e tundimit janë frikacakë dhe ikin. Edhe unë frikohem, por jo prej vdekjes, persekutimit, por kam frikë mos ta tradhtojë fenë time, dërgimin tim, Kishën time, popullin tim, mos të dështoj fundi i fundit Zotin dhe dashurinë e tij të madhe… Çdo meshtar që është vrarë, i cili ka vdekur me vdekje martire, gjithmonë është i pranishëm në mendjen, në zemrën time, e në veçanti gjatë kremtimit të Eukaristisë. Ata janë inkurajim, sepse ditën të vdesin pa patur frikë… Ajo e cila nuk kalon askurrë, është dashuria… Në fund të jetës sate do të gjykohesh në saje të dashurisë…”

“TË GJITHA I LËSHOJ NË DUAR TË ZOTIT”

Arqipeshkvi Oscar Romero gjithë e më shumë ishte i vetmuar dhe braktisur nga të tjerët, mirëpo ka qenë në “shoqëri të mirë” me Jezusin i cili vuan dhe vdes në kryq. Në këto kushte udhëton për në Romë, në Louvain, pastaj në Bruksel, në Paris…Dëshironte të fliste edhe njëherë, t’ju dëshmonte të gjithëve vuajtjen e Krishtit në popullin e tij. Gjithkund ishte i pranuar me nderime dhe popullaritet. Kjo vetëm sa ia shtonte dhembjen e tij që “gati askush nuk po bënë asgjë për 5 milionë salvadorianë, që të kenë mundësi disi të dalin nga ky ferr i padrejtësisë…”.
Në një predikim disa ditë para vdekjes ai ndër të tjera tha: “I krishteri gjithmonë duhet të besojë, e të besosh në të vërtetë do të thotë të shpresosh. Ne kemi bërë disa përpjekje që të përmirësohet shoqëria, që të largohen padrejtësisë… Me siguri se Zoti do të shpërblen çdo përpjekje në këtë drejtimi. Ka ende shumë punë. Të gjitha i lëshoj në duar të Zotit!”
Në prag të festës së Lajmërimit, më 24 mars 1980 arqipeshkvi Oscar Romero u përgatiste për kremtimin eukaristike në kapelën e spitalit. Ishte lutja e Mbrëmsorjes dhe mesha private, ku vijnë aty këtu ndonjë besimtar nga populli. Arqipeshkvi mbajti një predikim të shkurtër, ku ndër të tjera tha edhe këtë: “Askush nuk është përjetësisht i fuqishëm… Sipas besimit katolik e dimë se këtë moment buka do të shndërrohet në Trupin e Zotit tonë, i cili paraqitet për shëlbimin e botës, dhe vera në këtë kelk në Gjakune Tij, i cili qe çmim i shpëtimit tonë…”
Me flijen e Krishtit ka bashkuar edhe ai jetën dhe vdekjen e tij. Nga dora armiqësore arriti plumbi i cili e goditi dhe rrëzoi për toke, të mbuluar në gjak, pranë altarit, gjatë meshës. Ishte ky akti i fundit i dashurisë për Martirin e Amshuar – Jezusin, për Kishën e tij, për popullin e Zotit, për shërbim në dashuri, për falje dhe drejtësi.
U ndal së rrahuri zemra e tij, mbylli sytë, gojën, veshët, u ftoh dhe iu ngurtësuan duart, këmbët… Mirëpo, gjaku i derdhur, jeta e flijuar gjithnjë flasin dhe dëshmojnë edhe më fortë, paralajmërojnë , thërrasin, inkurajojnë dhe presin përgjigjen tonë…
Mons. Romero thoshte kështu: “Unë nuk dëshiroj të jam as ‘për’ e as ‘kundër’: thjeshtë dëshiroj të jam ndërtues i kësaj të vërtete të madhe, të vërtetës se Zoti na do dhe dëshiron të na shpëtojë… Nuk mund të ketë dashuri aty ku sundo rrena. Mesit tonë i mungon e vërteta, e kur të thuhet e vërteta, njerëzit ofendohen… Zërat të cilët flasin të vërtetën, heshtin… Sa njerëz do të ishte më mirë të mos thoshin se janë të krishterë, sepse nuk kanë fe. Më tepër i besojnë parave të tyre pasurisë, se sa në Zotin i cili ka krijuar edhe paranë edhe pasurinë… Detyra e jonë primare, thelbësore, është të ndezim dritën e Ungjillit në bashkësinë tonë…”
Zoti “vonon”, por nuk harron… Pas viteve të tëra të hulumtimeve, dëshmive, dokumentimeve, së fundi Kisha Katolike në krye me Papën Françesku, nga Amerika Latine, si edhe i Lumi Oscar Romero, më 23 maj 2015, natën e Rrëshajëve, shpallet i Lum, për t’u lutur dhe nderuar në Kishë dhe në botë. Ai ishte dhe mbetet Martiri i lirisë dhe demokracisë, shembull i qartë flijimi dhe dhurimi, guximi, që i vinte nga feja – Jezu Krishti, dhe dashuri – frymëzimi, që e merrte nga prania e Shpirtit Shenjt.

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Martir i Lirise, Oscar Romero

NOBELISTJA SHQIPTARE E PAQES – NËNA TEREZE (1979)

December 10, 2014 by dgreca

Me rastin e 35 vjetorit të marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare – Nënës Tereze (10 dhjetori 1979)/
Nga Don Lush GJERGJI/
Më 10 dhjetor 2014 është 35 vjetori i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare – Nënës Tereze (10 dhjetori 1979) ditë kjo vërtet e madhe, e dalluar, e bekuar dhe shënuar për të gjithë Shqiptarët në mendje dhe në zemra, sepse Bija-Motra dhe Nëna Tereze është e para shqiptare Nobeliste e Paqes.
Kjo njarje befasoi botën atëherë, disa edhe sot, sepse shumë njerëz pyteshin: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulurë, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të palindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:
“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.
Styllat e paqes, sipas Nënës Tereze, janë: pranimi, nderimi, mbrojtja e jetës, prej zanafillës e deri te kalimi në amshim;
Aftësia për të kërkuar dhe dhuruar falje;
Dashuria flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe për të afërmin, sidoms për nevojtarë, ata që janë të kërcnuar dhe të rrezikuar, apo siç thoshte ajo “dashuria në veprim”.
Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urretje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre nejrëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”.
Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.
Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.
Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aereoportin e Osllos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë… Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze…Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).
Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.
Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave…
“Recepti” i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm për çdo njer: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.
Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë (1918-1996). Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në aereoportin e Osllos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.
Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”.
Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha: ”Jo, por kemi ardhur për t’i parë bukuritë natyrore rë Norvegjisë”.
Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.
Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shiqptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN…”
Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e shkrojiti me dorën e saj në gjuhën shqie: “UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLLO; 10/12/79.”.
Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel për Paqe?”
Nëna Tereze tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe…Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”
Nëna Tereze pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, e bashkon shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.
Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënës Tereze, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për njëri-tjetrin, apo si shprhej ajo bukur: “PËR ZOTIN DASHURI dhe PËR VËLLAUN NJERI”.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna jonë Tereze!
Prishtinë, 10 dhjetor 2014 Don Lush GJERGJI

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, NOBELISTJA SHQIPTARE E PAQES – NËNA TEREZE (1979)

Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë

October 23, 2014 by dgreca

Shkruan: Don Lush GJERGJI/
Ne Foto; Nga promovimi i librit te Virgjil Kule ne Prishtine/
Dikur me të drejtë thuhej: “Pa histori s’ka as ardhmëri”. Sot ndoshta duhet të ndryshohet pak kjo thënie, të thekësohet diçka e “re” dhe fatzeze: “Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë”.
Dikur të tjerët, të huajit, na mohonin historinë, gjuhën, traditën, kulturën, identitetin tonë kulturor dhe fetar, duke na vrarë, penguar dhe ndaluar që të jemi vetvetja, sidomos sundimtarët shekullor turko-otoman dhe sllavë.
Sot këtë gjë ia bëjmë vetvetes, duke i mohuar dhe sulmuar personalitetet tona madhore historike dhe aktuale, nisur prej heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skëndebeut, Nënës Tereze, atë Gjergj Fishtës dhe shumë të tjerëve, si një vetëvrasje tragjike shpirtërore dhe kulturore, si përdhosje të historisë dhe rrezikim të së tashmes dhe të ardhmërisë.
Përse jemi të tillë?
Sepse, si duket, fatkeqësisht, për ne Shqiptarët, nuk ka më vlera dhe virtyte të pacenueshme dhe të paprekshme, na mungon “barometri” për ta vlerësuar vetveten dhe të tjerët.
Dikush mjeshtërisht tha: “Bota vuan sespe ka pak njerëz të mençur. Shqiptarët vuajmë sepse të gjithë jem të mençur”.
Servilizmi dhe oportunizmi ynë tashmë i njohur, të nënshtruar ndaj të fortit, të fortë me të dobëtin, na solli deri te “rishkrimi i historisë”, që domethënë ripushtimi kulturor, shpirtëror, fetar, kombëtar. Dikur me shumë qendresë, lufta, heroizëm, me Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mbrojtëm vetveten, gjuhën, traditën, kulturën, qytetërimin tonë shumshekullor të krishterë dhe evropian, mbrojtëm edhe të tjerët, gjë kjo që ka shkaktuar nderim dhe admirim në bota, ndërsa kohëve të fundit “vetëshkatërrohemi”apo “vetëvrahemi” me njëri-tjetrin me cikërrime dhe ngatërrime, me papërgjegjësi dhe anarki, pra, me bashkëpunimin për të zezën dhe “robërinë” tonë të re.
Dikur na martirizuan dhe masakruna, deri te shvarrosja e Imzot Pjetër Bogdanit, djegëja apo tretja e eshtrave, rrënimi i pamëshirshëm i objekteve kishtare, librave dhe personaliteteve të larta fetare dhe kombëtare. Sot ne me indiferentizmin dhe oportunizmin tonë, as që interesohemi më për këto fakte, këta njerëz kaq të çmuar dhe të dalluar, që aty-këtu janë harruar, apo sulmohen pa ndonjë shkas, pa hir dhe mëshirë, sepse paskan qenë “shqiptarë të krishterë”, sikurse ishim edhe ne dikur të gjithë!
Çka të themi në gjithë këtë, përpos klithjes së dhimbshme dhe kushtrimit shpirtëror dhe kulturor: O tempora, o mores!

Shtrembërimi i historisë dhe së vërtetës, ndërrimi i tezave në antiteza, që edhe sundimtarët pesë shekullor turko-otoman na qenkan “vëllazer, miq, të gjakut tonë”, bile edhe “bamirës dhe çlirimtarë”, është arsyetimi dhe legalizimi i së keqës, robërisë, dhunës, deri te apsurdi i sadizmit dhe mazokizmit historik, apo i idilesë apsurde të pësimeve!
Ky proces do të zbatohet herdo-kurdo edhe për Serbët apo çdokend tjetër, sepse si duket jemi bërë tashmë “shoshë”, ironia e fatit tallet me ne.
“I forti të rrah dhe nuk të le të qajësh” thotë fjala e urtë popullore. Kështu disi po ngjan edhe me ne, me “rishkrimin” e historisë shqiptare, me vrasjen e historisë dhe faktologjisë, në emër kinse “të zbutjes apo “humanizimit” e së kaluares. Ku mungon e vërteta dhe dashuria, aty mungon çdo vlerë dhe virtyt, çdo liri dhe demokraci, çdo mundësi jete dhe përparimi, çdo lloj bashkëpunimi dhe bashkëjetese.
Pluralizmin dhe demokracinë ne e interpretojnë në mënyrën tonë arbitrare dhe të përçudëruar.
Mu për këtë edhe një herë i themi vetvetes dhe të tjerëve: Vetëm e vërteta do t’na çlirojë dhe vetëm dashuria do t’na pajtojë me të kaluaren, të tashmen dhe të ardhmen, me Zotin, vetveten dhe të tjerët. Faktet historike, historia, nuk mund të ndërrohet, por sqarohet, thellohet, begatohet, ndriçohet, kompletohet. Çka është edhe më e rëndësishme dhe jetësore për ne në këtë periudhë: ne duhet ta ndërrojmë qëndrimin ndaj figurave, ngjarjeve dhe rrjedhimeve historike, duke i shqyrtuar dhe trajtuar ato në prizmën e së tashmes dhe të ardhmes.
Tek ne po ndodh një çorudi: e keqja, robëria, pësimi, po “glorifikohet”, ndërsa qëndresa, lufta, resistenca, besnikëria, martirizimi, tash po sulmohet si diçka e keqe dhe negative… “Kandari i ndërgjegjes” sonë është dëmtuar dhe çrregulluar.
Në këtë këndvështrim libri i Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryqari i fundit, Fast Track Albania, fq. 546, është një botim i cili na afron dhe dhuron Gjergj Katriotin në një dritë dhe vështrim relativisht të ri historik dhe aktual, të mbështetur në dokumente dhe dëshmi, si burrështetas, njeri të kulturës, të politikës, të diplomacisë, të bashkimit tonë kombëtar, pra, vegimtar të historisë dhe të ardhmërisë, ai që edhe një herë popullin tonë e nxori nga tjetërsimi, asgjësim kombëtar, fetar, kulturor dhe shpirtëror, duke e kthye në “shtratin” apo “djepin” natyror krishtëro-evropian.
Këtë proces të vështirë dhe të domosdoshëm ai e bëri me bashkimin e principatave shqiptare, me bashkëpunim me botën perëndimore, veçmas me Vatikanin, me diplomacinë politike dhe kulturore, me luftë të pashoqe dhe heroike të qëndresës dhe të mbijetesës.

Marin Barleti ndër të tjera shkruan se Gjergj ynë më së miri e njihte perandorinë otomane me ”pikat e saja të forta e të dobëta” (Virgjil Kule, vep. e cit. fq. 14). Shi për këtë kishte vizion të qartë dhe vendimprues për shqiptarët, si Moisiu dikur për popullin e Izraelit, duke përbuzur dhe braktisur interesat personale, mundësitë e jetës dhe të mirat e ofruara nga perandoria turko-otomane, për të luftuar dhe flijuar për të mirën dhe lirinë e popullit tonë arbëror. Shembull i mirë heroizmi, atdhedashurie, flijimi dhe shërbimi.
Kjo dikuj i dukej “ëndërrim” dhe utopi, sot disa e trajtojnë si “tradhti”, por Gjergj Kastrioti besonte, së pari në ndihmën e Zotit, pastaj në bashkimin dhe zgjimin e popullit shqiptar, në bashkëpunimin me aleatët besnikë, ndër të cilët ishte edhe fronti hungarez në krye me Huniadi. Kështu ai e kishte krijuar frontin e dytë, atë të ballkanit, për ta luftuar sundimtarin e madh turko-otoman dhe për t’ia dhuruar botës së krishterë lirinë. Këtë ai e bëri me braktisjen e ushtrisë turo-otomane në betejën e Nishit dhe me bashkëpunimin tashmë të planifikuar me aradhat e krishtëra që i udhëheqte Huniadi në vitin 1443.
Kjo ngjarje ia kishte mundësuar ardhjen në Krujë, ngritjen e flamurit dhe formimin e kështjellës simbol dhe mbrojtëse, krijimin e aleancave me botën e krishterë, luftën për liri dhe pavarësi të tokave arbërore dhe më gjerë. “Skënderbeu kishte vendosur të hynte në atë botë me hapin e ushtarit të Krishtit, si një prijës i devotshëm për të organizuar Frontin e Dytë në Ballkan” vlerëson mirë autori Virgjil Kule /Po aty, vep. e cit. fq. 35/.
Në këto korniza historike dhe faktologjike Gjergj Kastrioti Skënderbeu na dhurohet si figurë qendrore dhe thelbore për historinë, mbijetesën dhe zgjimin tonë nga “gjumi” i sundimit turko-otoman, hapja e perspektivës së re evropiane, perëndimore, që janë synimet dhe kërkesat tona gjithshqiptare për gjendjen tonë aktuale. Ky “djep” apo “shtrat” na rriti dhe na mbajti gjallë, pëlqeu apo nuk i pëlqeu disave, sepse siç thotë fjala e urtë latine: Amicus Caio, amicus Platio, sed magis amica Veritas, që domethë: mik Kaji, mik Placi, por miku më i madh është e Vërteta.
Ky studim dhe botim i vyeshëm dhe mirë i dokumetuar sjellë mjaft burime dhe dëshmi hsitorike, të gërshetuara me mjeshtri dhe saktësi, për ta njohur dhe vlerësuar heroin tonë kombëtar dhe fetar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, kontekstik historik, rrethanat shqiptare dhe më gjerë, miqët dhe armiqët, që dhuron një figurë kaq të njohur, të dalluar dhe të dashur nga gjithë shqiptarët, Njeriun i cili edhe një herë na “ngjalli”, i dëshmoi dhe tregoi botës entitetin dhe identitetin tonë shekullor arbëroro-shqiptar, në driten e ngjarjeve dhe fakteve, dokumenteve të vjetra dhe të reja, gjithsesi të domosdoshme dhe të rëndësishme për historiografinë tonë të mirëfillët.

Autori Virgjil Kule në parathënie e përcakton metodologjinë e hulumtimit dhe të shkrimit, si dhe objektivin që synonte ta arrinte, kur ndër të tjera shkruan kështu: “Ishte kjo mënyra e zgjedhur instiktivisht prej meje që, duke mbetur “rob” i dokumentit, t’ju rrëfeja me pasion dhe, shpresoj me obketivitet, shqiptarin e mençur, Skënderbe” /Virgjil Kule, vep. e cit. fq. 8/.
Ai këtë e ka arritur me shumë përpikëri, saktësi, me të gjitha me shumë përkushtim dhe dashuri.

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe ardhmërinë, don Lush Gjergji, e vret historinë, kush, vret të tashmen

PALI VI – APOSTULLI I RI I BOTËS

October 16, 2014 by dgreca

Ne Foto:Papa Pali VI (1897 – 1978)/
Shkruan: Don Lush GJERGJI/
Giovanni Battista Montini u lind në Concesio (Brescia) në vitin 1897, në një familje të mirë intelektuale katolike, besimtarë të angazhuar në veprimet baritore të Kishës. U bë meshtar në vitin 1920. Më pas vazhdon studimet dhe doktoron në filozofi, drejtësinë kishtare dhe atë civile. Pastaj ndoqi edhe disa seminare në Akademinën Papnore për diplomat të Selisë së Shenjtë. Ishte intelektual i dalluar, shumë i ngritur dhe mendimtar i thellë, kështu që tërë jetën punoi rreth kulturës së përgjithshme njerëzore dhe asaj të krishterë.
Dëshiroi t’i kushtohet pastoralit famullitar, shërbimit të përvuajtur meshtarak, mirëpo planet e Zotit ishin tjera. Gati menjëherë pas përfundimit të studimit qe dërguar në Poloni, në Varshavë, në Nunciaturën Apostolike. Pas kësaj përvoje diplomatike qe ftuar në Sekretariatin Shtetëror të Vatikanit. Në këtë punë askurrë nuk qe udhëheqës i ndonjë seksioni, por meshtar i vërtetë dhe, sa herë që e kishte të mundur, është angazhuar me shumë gëzim në pastoral, në veçanti me rini, në rrëfime, predikime, në takime me botën e thjeshtë e të varfër.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore i ndihmonte të mjeruarve, mori pjesë në kërkimin e personave të zhdukur, të lajmeve dhe ndihmës për të gjithë, në shpëtimin e të plagosurve dhe të rrezikuarve. Tashmë në Romë ishte familjarizuar mirë në punët diplomatike dhe pastorale, gati në studimet e përhershme, ku kishte krijuar shumë njohje dhe miqësi.
Si njeri i mendimeve, studimit, leximit, brendësisë, kulturës, përvujtërisë dhe thjeshtësisë, pakëz i mbyllur dhe përmbajtur në veti, shumë i sofistikuar, i dashuruar në filozofi dhe teologji, krijoi rrethin e vet të miqve dhe të njohurve.
• NJERI I KISHËS DHE KULTURËS
Atë Hämingu për te thotë: “Ka pak njerëz të Kishës që kanë lexuar aq sa Pali VI”. Deri sa lexonte, ai meditonte, nënvizonte shprehjet, mendimet, përmbajtjet e rëndësishme. Sipas dëshmisë së kardinalit Sergjo Pigndollit ai kishte në duar katër vëllime dorëshkrimesh të ushtrimeve të tija shpirtërore. Ishte shumë i dhënë pas jetës së përshpirtshme, në meshtari. Pas përfundimit të punës ditore në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, thuajse gati rregullisht, çdo mbrëmje lexonte, shkruante, përkthente, përgatiste predikimet, takimet, u informonte në përgjithësi mbi ngjarjet në Kishë dhe në botë. Kishte njohuri të mira në shumëçka, thuajse gati në gjithçka. Në dialogim me të tjerët dinte të dëgjonte, të mësonte, të këshillonte. Mbi të gjitha përcolli jetën e Kishës në pjesë të ndryshme të botës.
Giovanni Battista Montini ishte njeri i „kulturës meditative“, siç thoshte atë Dezza, dhe pikërisht për këtë si papë kishte dëshirën e përhershme për dialog konstruktiv me kulturën bashkëkohore, me Kishat e ndara, me të gjitha religjionet e botës.
Mbi të gjitha ishte njeri i Zotit, apo siç thoshin disa miq të tij, “miku i Zotit”, meshtar i vërtetë, i kushtuar Hyjit, Kishës, në të mirë dhe shërbim të gjithëve. E donte thirrjen meshtarake dhe e jetoi besnikërisht, me përkushtim dhe gëzim të plotë.
Sipas bashkëpunëtorit dhe miku të tij të ngushtë; kard. Sergjo Pignedollit, figura e papës Palit VI nuk mund të përshkruhet, sepse ishte jashtëzakonisht i pasur shpirtërisht, jashtë çdo kornize dhe shembulli. E donte dhe nderonte çdo njeri dhe me entuziazëm ishte interesuar për fatin e njeriut dhe njerëzimit. Kishte dëshirë të thoshte se Kisha, të gjithë ne, duhet të jemi “ekspert në njerëzi!”.
Shpeshherë të tjerët nuk e kanë kuptuar sa duhet, ose e kanë keqkuptuar dhe interpretuar gabimisht. Ai e ka bartë edhe atë kryq gati gjatë tërë jetës së tij, dhe nuk është mbrojtur, arsyetuar…
• NGA SEKRETARIA E SHTETIT- ARQIPESHKËV I MILANOS
Montini ishte i befasuar, me emërimin për arqipeshkëv të Milanos, një ndër ipeshkvijtë e rëndësishme të Italisë dhe të botës, në zemrën e industrisë dhe pasurisë së Italisë veriore. Shumëkush ka menduar, ndoshta edhe ka thënë: “Diplomati Vatikanas – arqipeshkëv i Milanos!?” Ai kurrë nuk aspiroi për lavd apo pozitë të lartë kishtare, mirëpo ishte njeri i përgatitur për të zbatuar vullnetin e Hyjit, ishte i dëgjueshëm ndaj Kishës. Pranoi detyrën e re si të rëndë, delikate dhe kërkuese, mirëpo njëkohësisht edhe si dërgim të madh, duke llogaritur mbi të gjitha në ndihmën e Hyjit.
Si arqipeshkëv së shpejti filloi punën pastorale me stil të ri dhe kujdesin e veçantë për familje, punëtorë, për rini, për njerëzit e kulturës, për “Aksionin Katolik”, për solidaritet me të varfër.
Shpeshherë e me kënaqësi vizitonte famullitë e qytetit të Milanos, periferinë, për të parë – njoh – përjetuar personalisht kushtet e jetës, për t’u takuar me njeriun – besimtarin konkret në mesin e tij të jetës dhe të punës. Bashkëpunëtorëve të vet iu thoshte:” Bota është larg Zotit, Kishës. Për këtë është detyra e jonë t’ia afrojmë Zotit dhe Kishës me shembullin tonë, me kujdesin tonë pastoral, me çiltërinë tonë ndaj të gjithëve. Vetëm dashuria do të tregojë rrugën e vërtetë për të arritur deri te njeriu i sotëm, pavarësisht se ku ai jeton, punon, mëson, deri te njeriu konkret…”.
Shumëkush, duke parë angazhimin e tij të gjithanshëm në veprimtaritë pastorale, në kërkim të rrugëve dhe strategjive të reja të botës industriale dhe postindustriale, thoshin se është “kthyer” “Schusteri i dytë ”, duke aluduar në paraardhësin e madh të Montinit, një figurë e madhe dhe shenjtë e Kishës së Milanos.
Kështjella themelore e kardinal Giovanni Battiste Montinit, ishte dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit, apo, siç thoshte ai: “dija për të dashur” për të “mos mbetur të përjashtuar dhe të vetmuar”. Me një rast u foli miqve të tij në Milano mbi vuajtjen e vetmisë dhe të vetmuarit, që ndonjëherë din të shndërrohet edhe në “momente ankthi”. Gjatë një bisede me Pignedollin në vitin 1962 ai tha: “Unë gjithë e më tepër po ndihem i vetmuar, gjithë e më tepër ndiej i braktisur nga njerëzit, sepse këta miq (fliste për miqtë e tij të vdekur, vr. ime) më ishin sikur urë.”
• PALI VI – APOSTULLI I RI I BOTËS
Pas vdekjes së papës Gjonit XXIII, në një konklavë mjaft të shkurtër qe zgjedh për Papë kardinal Giovanni Battista Montini (21 mars 1963). Mori emrin Pali VI për t’i përngja sa më tepër apostullit të madh të popujve, Shën Palit.
Menjëherë pas zgjedhjes, tha: “Pjesa më e mirë e pontifikatit tonë do të jetë kushtuar vazhdimit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, nga i cili të gjithë njerëzit vullnetmirë presin shumë… Paqa nuk është vetëm mungesa e luftës, por jeta në drejtësi dhe në dashuri… Kujdesi ynë pastoral do të jetë i drejtuar kah vazhdimi i veprës së madhe të paraardhësit tonë të madh Gjonit XXIII – arritja e bashkimit.”
Pali VI tentoi që me vazhdimin e Koncilit në të gjitha mënyrat t’i shërbente Zotit, Kishës Katolike, gjitha Kishave të krishtera, botës mbarë. Përmes veprimtarive të ndryshme baritore, enciklikave, përmes takimeve dhe dëshmisë dëshironte të jetë, dhe ishte Urë – Urëndërtues – Pontifex mes Zotit dhe njerëzve, mes Kishës – Kishave dhe botës.
Shpeshherë ishte i lënë pasdore, i braktisur, sulmuar, i përjashtuar, i keqkuptuar dhe keqinterpretuar…Me dhimbje të madhe në zemër thoshte: “Ne shikojmë botën me simpati të madhe, mirëpo fatkeqësisht, bota këtë nuk po e vëren.”
Vuante për dashurinë ndaj të së vërtetës, për njeriun, për Kishën, të cilën e deshi aq shumë me tërë qenien dhe afshin e vërtetë të tij.
Kisha është Nënë dhe Mësuese e të së Vërtetës së shpallur, e dhuruar jetës, dashurisë të cilën duhet dhuruar të gjithëve, siç e shprehu Pali VI në enciklikën “Ecclesiam suam”, duke i dhënë Kishës drejtim, program, lartësim shpirtëror, si model njerëzor të cilin duhet kultivuar në dimensionet e gjithmbarshme dhe për të mirën e të gjithë njerëzve. Pikërisht për këtë, shumëkush atë e ka definuar si “Papa i dialogut”.
• DIALOGU SI DËRGIM
Për të pasur mundësi që të zhvillohej sa më mirë ky dërgim i madh, i dialogut mes të krishterëve të përçarë dhe të ndarë, si dhe mes feve të ndryshme në botën e sotme, në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme, Papa Pali VI themeloi “Sekretariatin për Jobesimtarë”, “Sekretariatin për Bashkimin e të Krishterëve”, si dhe “Justitia et Pax”, “Cor unum”, Sinodin Ipeshkvor, dhe po ashtu zgjeroi edhe kolegjin e kardinajve.
Ai udhëtoi thuajse në të gjitha pjesët e botës, që të nxiste dhe përhapte dialogun, që ta bënte Kishën sa më të pranishme në botë, që të “forconte vëllezërit në fe”. Dialogu përbëhet në promovimin e vetëdijes, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët kudo të jetë e mundur kjo, për të pasur mundësinë që bashkërisht ta realizojmë një botë më të drejtë dhe më të mirë.
Në hapjen e pjesës së dytë të Koncilit tha: “Çka na përket neve, ne jemi të gatshëm për faljen e çdo lloj gabimi apo lëndimi, por edhe të kërkojmë falje. Ati ynë qiellor le ta pranojë në mirësinë e tij këtë deklarim dhe në mes nesh le të mbretërojë paqja vëllazërore… Neve edhe më tutje do të punojmë për të dhënë shembull të mirë të jetës dhe dashurisë së krishterë. Edhe nëse ngjarjet nuk do të mund t’i përgjigjen pritjeve tona, ne do të ngushëllohemi me fjalët e Zotërisë: “s’ka gjë të pamundshme për Hyjin” (Lk 1, 37).
Për Dashurinë asgjë nuk është e pamundur. Për këtë Pali VI thoshte: “Le të hapen kufijtë e dashurisë… Ne do t’i duam të gjithë me dashurinë e Zemrës së Jezusit.”Në kërkim të paqes, të ballafaqimit me problemet e botës së sotme, në kërkim të bashkimit mes të krishterëve dhe në dialog me të gjitha religjionet, ishte i palodhshëm. Publikoi enciklikat: Ecclesiam suam, Mens maior, Mysterium fidei, Populorum progressio, Sacerdotalis coelibatus, Humanae vitae, Evangelium muntiandi.
Themeloi Ditën Ndërkombëtare të Paqes, më 1 janar për çdo vit: ishte shumë i angazhuar rreth Vitit të Shenjtë 1975 me kremtime të ndryshme nacionale dhe ndërkombëtare.
Dashuria për njeriun konkret, për Kishën e Krishtit, ishte kontributi i tij i madh. Patriku Ekumenik Atenagora I e përshkoi atë si “Pali II”, pas Shën Palit, apostullit të botës.
“Pontifikati 15 vjeçar i papës Palit VI, nuk ishte i lehtë, sikur as problematika bashkëkohore e botës dhe Kishës” kështu vlerësoi një gazetar i të përditshmes “Il Tempo”.
Për lëvizjen ekumenike Pali VI thoshte: “Askurrë nuk do të lodhemi së foluri se rruga të cilën duhet kaluar është e gjatë dhe e rëndë.”
Kardinali Franz König, arqipeshkvi i famshëm i Vjenës, duke vlerësuar pontifikatin e Palit VI tha: “Ishte njeri i zhvillimit e jo revolucionit, njeri i përparimit, e jo i ngutësisë së verbër… Ai ishte Papë ekumenik, por mbi të gjitha Papë i paqes. Si i tillë, do të hyjë në histori papa Pali VI”.
Atenagora I tha: “Unë papën Pali VI e quajta Pali II, për të pasur mundësi ta krahasoja me Apostullin (mendon në Shën Palin, vr ime). Të dy ishin shtegtarë dhe lajmëtarë të Ungjillit të gjithë popujve… Ai është profet i madh i së ardhmes… Unë isha gjithmonë afër papës Palit VI…”.
Pali VI, vuajti shumë, shkaku i përndjekjeve brutale të të krishterëve në vendet komuniste të Lindjes. Bashkë me kardinalin Agostino Casarollin, ishte krijues i Ostpolitikës (politikës Lindjes, Ost=Lindje), që do të thotë i politikës së dialogut edhe me regjimet komunisto-ateiste, me qëllim që të krijohet së paku një hapësirë minimale e lirisë për Kishën e heshtjes. Për shkak të këtij disponimi. guximi dhe kujdesi të përhershëm të tij, disa e quajtën “Papa i të drejtave të njeriut”.
Në Vitin 1965, foli në Selinë e Kombeve të Bashkuara mbi paqen, çarmatimin, varfërinë, mbi marrëdhëniet e reja ndërkombëtare. Fjalimin e tij e përfundoi me këto fjalë: “Kurrë më luftë!”
Mbi mbrojtjen e jetës, si dhuratë të Hyjit dhe prindërve, dhe kundër dështimit dhe mjeteve kontraceptive, publikoi enciklikën „Humanae vitae“, e cila kishte shkaktuar shumë shqetësime, mospëlqime, bile edhe kritika të hapura edhe përbrenda vetë Kishës. Mirëpo, ai i mbetet besnik Zotit, Kishës, vetvetes, edhe me çmimin e vuajtjes, shpeshherë i vetmuar dhe i braktisur nga shumica. Sot, pas një distance kohore, shumëkush në Kishën Katolike, në Kishat e ndara dhe në botë, përsëri zbulojnë personalitetin e madh të Papës Pali VI, mendimtarit, njeriut të lutjes, fesë, vuajtjes, guximit, thellësisë teologjike, të dialogut dhe dashurisë ndaj të gjithëve.
Në momentet e errësirës dhe ankthit për Kishën dhe botën, ai diti të qëndronte pranë timonit të anijes së Pjetrit, të jetë shenjë, Vëlla, Atë i të gjithëve, pa farë pompoziteti apo popullariteti të rrejshëm, por në qetësi, uratë, pendesë, që ta drejtonte njerëzimin kah e mira dhe e mbarja. Me tërë zemrën e tij i shërbeu Zotit, Kishës, botës. Vuajti shumë, mirëpo gjithmonë me dashuri dhe për dashuri. I qetë pushoi në paqen e Zotit në Castelgandolfo në vitin 1978.
• Papa Pali VI dhe e Lumja Nëna Tereze
Papa Pali VI ka përcjell me vëmendje, kujdes dhe dashuri atërore jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ja vetëm disa dëshmi dhe hapa konkret në këtë kuptim dhe drejtim. Deri sa shumë njerëz të Kishës, si dhe jashtë saj, nuk mund ta kuptonin karizmën e veçantë të Nënës Tereze, dashurinë flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe Njeriun, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, Papa Pali VI pati mirëkuptim dhe përkrahje të plotë për Nënën Tereze, nëpërmjet saj, si thoshte ai “për veprën e Zotit”.
Do të mbes në histori vizita e tij baritore Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik. Gjatë ditëve 3-6 dhjetor 1964 ishte Kongresi Eukaristik në Bombay, me pjesëmarrjen e Papës si dhe të Nënës Tereze. Përshtypja e Papës për jetën dhe veprën e saj ishte aq e madhe, tronditëse, sa që vendosi t’ia dhuronte automjetin personal “Cadillac” me të cilin kishte lëvizur dhe udhëtuar në Indi me këtë motivim: “për t’i ndihmuar asaj në dobi dhe në të mirë të të varfërve”. Nëna Tereze e qiti këtë automjet në Loteri të Indisë dhe fitoi mjaft para, kuptohet, si gjithmonë për të varfërit ndër më të varfër. Ky gjest e bëri Nënën Tereze shumë të njohur në Kishë dhe në botë.
Më 10 shkurt të vitit 1965 me dekretin papnor “Decretum laudis” Papa Pali VI e kishte pranuar dhe lartësuar bashkësinë e “Misionareve të Dashurisë” si “kongregatë të të drejtës papnore”. Kjo ua mundësoi atyre që së shpejti të mund të përhapeshin dhe vepronin në mbarë botën. Fill pas kësaj mirënjohjeje dhe pranimi “Misionaret e Dashurisë” filluan zgjerimin në botë: në Venecuelë (26 korrir 1965), shtëpia e parë jashtë Indisë e kështu me radhë në Europë, Afrikë, Amerikë, kudo në botë.
Papa Pali VI përkrahu edhe themelimin e Shoqatës ndërfetre dhe ndërkombëtare “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” më 29 mars 1969, duke dhënë bekimin dhe pëlqimin e tij.
Papa Pali VI i kishte dërguar një çek personal “për të varfërit e Nënës Tereze”, duke përkujtuar dhe ndihmuar gjithnjë veprën e saj në dobi të të mjerëve në Indi dhe në botë.
Më 22 gusht 1968 Nëna Tereze hapi shtëpinë e parë të “Misionareve të Dashuris”, në Romë në lagjën “Torfiscale”, gjithnjë me ftesë dhe bekim të Papës Pali VI.
Më 6 janar 1971 Papa Pali VI ia dorëzoi Nënës Tereze “Shpërblimin për Paqe – Gjoni XXIII”, që dëshmonte edhe një herë nderimin, përkrahjen, dashurinë e tij për Nënën Tereze, për “Misionaret e Dashurisë”, për të varfërit e botës.
Këto janë disa nga çastet e bashkëpunimit mes Papës Pali VI dhe Nënës Tereze.
• DUKE LUNDËRUAR NËPËR KUJTIMET E MIA
Ja një pjesë e rëndësishme e fjalës së rastit të Papës Pali VI drejtuar shqiptarëve nga vendet e ndryshme të botës me rastin e 500 vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur ndër të tjera tha:
“Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë dëshirë: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.

Pata rastin dhe kënaqësinë që personalisht ta takoja Papën Pali VI disa herë. Hera e parë qe me 7 shtator 1969 në Castelgandolfo, në Ditën e Studentëve të Kongregatës Propaganda Fide. Papa ishte me ne gjithë ditën, që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes. Lozi me ne tombolë. Foli me ne sikur atë i mirë, kremtoi Eukaristinë me ne dhe për ne. Ishte sikur “njëri ndër ne”! Kur më prezantoi para Papës rektori i atëhershëm i yni mons. Jezerniku, Pali VI, më tha: “Jam i lumtur që së fundi edhe studentët shqiptarë mund të vijnë në Romë për t’u përgatitur për meshtari… E mjera Shqipëri, sa vuan! Guximshëm, Krishti e ka mundur botën!”
Në vitin 1975, kur udhëhoqa grupin e shtegtarëve të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, Papa dëshironte t’na përshëndeste në gjuhën shqipe. Me këtë rast më tha kështu: “Gjithmonë i kam në zemër Shqiptarët, edhe sot dëshiroj të jenë afër meje, para syve të mi, që t’iu tregoj dashurinë time.” Dhe pikërisht ishim në rendin e parë (gjatë Audiencës së përgjithshme, vr. ime) në Sheshin e Shën Pjetrit, afër Papës.
Gjatë viteve të studimeve të mia në Romë (1969-1975), Papa Pali VI për mua ishte orientim i sigurt, frymëzim i madh, shpeshherë edhe ngushëllim për Kishën tonë martire. Kishte një buzëqeshje të dhimbshme, ecje të ngadalshme e të rëndë, sytë të thelluar, zgjeruar, duart e dobëta, trup të plogështuar e të sëmurë… Por, prapë rrezatonte me shpresë, siguri, me përvujtëri dhe thjeshtësi, dhe qysh në këtë jetë ofronte “pamjen” e amshimit.
Sa herë nga dritarja ime në Kolegjin Urbanian mbi Gianicolo kam shikuar dritaren e Papës…Deri sa flinte qyteti, në dhomën e Palit VI deri në orët e vona qëndronte drita e ndezur.
Provania e Zotit ose rastësia deshi që të jem në Romë edhe me rastin e vdekjes së Palit VI (6 gusht 1978). Qysh atëherë kam pasur mundësi të shihja, përjetoja për së afërmi këtë humbje të madhe. Qyteti i amshuar ishte thuajse i zbrazët, njerëzit ishin të pikëlluar. Secili dëshironte të komentonte jetën dhe vdekjen e Papës.
Jean Guitton duke analizuar dy papët e fundit shkruante kështu: “Papa Gjoni XXIII ishte pilot, ai i cili i jepte Kishës krah për të pasur mundësi të fluturimit – të depërtimit në botë. Ishte ky një guxim, një vepër e rëndësishme dhe profetike. Papa Pali VI kishte detyrë edhe më të vështirë dhe delikate, të realizonte Koncilin – ta tokëzonte aeroplanin i cili fluturonte…”
Një fjalë e urtë popullore shqiptare, thotë: “Vdekja gjithçka mbulon, vdekja gjithçka zbulon”. Për Papën Pali VI mund të themi: qysh pas vdekjes, janë të shumtë ata që zbuluan se ishte i madh, shumë i madh. Shumë njerëz do të duhet ende ta zbulojnë, kuptojnë, ndjekin.
Papa Pali VI lumturohet më 19 tetor 2014, ditën e Misioneve, ditën e lumturimit të Nënës Tereze, “përputhje” kjo që e ka dashur Zoti, Provania e Tij, Papa Françesku, që vetvetiu flet dhe dëshmon shumë.

Filed Under: ESSE Tagged With: APOSTULLI I RI I BOTËS, don Lush Gjergji, PALI VI –

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT