• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

February 3, 2022 by s p

Don Lush GJERGJI /

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes. Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi. Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne.

NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
 

Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
 

Urrejtja është djallëzore, vdekje-sjellëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11). 
Jezusi thotë:“Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990? 

Gabimi i parë më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja. 

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët. 

Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve. 

Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe. 

Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë! 


Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.

 Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë…
Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…”
 (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).
 

Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës, vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tone edhe lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.
 

Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË! 

Prandaj para çdo veprimi pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria. 

Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT. 

Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.
 

Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja? 
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
 

S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.                                                                              

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve: 

  • Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. 
  • E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje. 
  • Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë. 
  •  Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin. 
  • Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit. 
  • Urrejtja, dëshira për hak apo gjak-marrje është diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë. Atë duhet ta flakim apo mposhtim ne, me ndihmën e Zotit, si dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit. Kush nuk është i aftë për të kërkuar falje dhe për të falur, nuk jeton, është për së gjalli “në varr”, sepse është i kushtëzuar dhe përcaktuar vetëm ndaj të keqes. Jeta e njerëzve të tillë është boshe, pa kuptim, qëllim, synim, sjell vetëm fatkeqësi për vete dhe për të tjerët.

     “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike. 

    “Koka” apo “Zemra” e Pajtimeve ishte Prof. Anton Çetta, veprimtar i shquar dhe i dalluar, Populli,   ata që kanë falur, “heronjtë e ditëve tona”, vetëdijesimi dhe përcaktimi ynë për jetë, për paqe, për liri, demokraci dhe pavarësi.

    Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve, ende nuk kemi asnjë studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar.  

    Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.  

                                                                                          Don Lush GJERGJI

Filed Under: Komunitet Tagged With: Don Lush Gjergjin

Krishtlindja me Shën Nënën Tereze

December 26, 2020 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/

Shenjtëresha e jetës dhe dashurisë, Shën Nëna jonë Tereze, kishte një përshpirtëri të veçantë ndaj Krishtit të Vogël, lindjes së Tij në shpellën e Betlehemit. Ajo gjithnjë i ftonte motrat e saja “Misionaret e Dashurisë”, nëpërmjet tyre edhe neve, mbarë botë, që ta pranojë këtë Dhuratë të Qiellit, Foshnjën hyjnor, në stilin e Virgjërës Mari, me fe të gjallë dhe dashuri vepruese.

Ja disa tekste, porosi dhe propozime të Nënës Tereze për ne sot:

“Lindja e Jezusit në Betlehem i solli botës dhe çdo zemre njerëzore gëzim. I njëjti Zot bëhet Njeri – Fëmijë, vjen në zemrat tona në kungim.

 Ai dëshiron të na dhurojë vetveten, duke ardhur në zemrat tona. Me gëzim dhe paqe.

Të lutemi shumë, që ta marrim këtë hir për zemrat tona, për bashkësitë tona, për Kishën dhe për botën mbarë. Të lutemi, që të jemi të gatshëm ta pranojmë Jezusin për Kërshëndella – jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot me dashuri dhe përvujtëri, një zemër të nxehtë të dashurisë së ndërsjellët, siç ishte ajo e Marisë.

Unë nuk mund të paramendoj asnjë ditë, orë, çast, pa Jezusin. Ai është jeta ime, dashuria ime, gjithçka për mua. Ai erdhi në botë për ta sjellë Lajmin e Mirë, që Zoti na do, që Zoti është Dashuri, që më do mua dhe ty, dhe që ne duhet ta duamë njëri-tjetrin ashtu si na do Ai ne.

Kure shikojmë grazhdin e Betlehemit, kuptojmë si na do, duke vuajtur. Në kryq  me gjak dhe dashuri, është vulosur dashuria e Tij për mbarë njerëzimin. Nuk mjafton ta duam Jezusin në Eukaristi, por duhet ta duam edhe në vëllain apo motrën njeri.

Kur meditojmë për kryqin e tij, kuptojmë si na ka dashur: vdiq në kryq, sepse na donte dhe dëshiron që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. Ai na ka dashur dhe na do gjithnjë, e ne?

Në Betlehem të gjithë ishin plot me gëzim: barinjtë, engjëjt, mbretërit, Jozefi dhe Maria. Gëzimi ishte shenjë karakteristik i të krishterëve të parë. Gjatë përndjekjeve rrezatonte në fytyrat e tyre gëzimi.

Edhe ne duhet të jemi plot gëzim, dhe ta bartim gëzimin e dashurinë e Zotit te tjerëve.

Gjëra më e bukur e Marisë ishte, kur Jezusi hyri në jetën e saj, ajo me shpejti shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhënë Jezusin asaj dhe birit të saj ende të palindur, Gjonit. Maria ishte një misionare e vërtet, sepse nuk pati frikë të vihej jo vetëm në shërbim të Zotit, por edhe ndaj Elizabetës, duke krye punë të një shërbëtores… Këtë shërbim ajo e bën edhe sot, për mbarë botën dhe Kishën, për çdo njeri.”

Duke menduar për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, të pambrojtur, nga ana e prindërve, ajo me zemër zë plasur, duar të hapura kah Qielli, e tha  dhe e dha këtë porosi dhe uratë:

“Varfëria më e madhe në botë është mungesa e dashurisë. Dështimi është nisja e të këqijave në botë. O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra tejet e shenjt, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin Fëmijë, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.”

“Dikur Jezusi lindi në shpellën e Betlehemi. Sot lind në altar, në Meshë, Eukaristi, që ne të jemi Tabërnakulli i gjallë dhe veprues i pranisë dhe dashurisë së Tij në mesin tonë. I krishteri është Tabernakulli i Zotit të gjallë… T’i ndihmojmë njerëzit që ta zbulojnë, njohin dhe duan Krishtin në ata që vuajnë… Kujdesi për të tjerët është fillimi i shenjtërisë…

Çfarë mrekullie: Zoti e ka vendosur mbarë botën në duar të Marisë. Prej Marisë duhet të mësojmë: për të dashur, si na do Jezusi ne. Për të qenë fryt gëzimi, ashtu si është Ai. Për të qenë më afër Asaj, si ishte Ai. Për t’i ndarë të gjitha me Te, edhe kryqin, si shenjë e përkatësisë me Krishtin”.

Si përfundim i këtij meditimi: Me Shën Nënën Tereze për Kërshëndella, ja disa porosi shumë aktuale të saja për botën e sotme:

“Gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.

Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.

Dashuria e shëron vetminë

Uria më e madhe e jetës është dashuria.

Me Zotin – Dashuri edhe ne gjejmë vëllain apo motrën njeri.

Mishërimi i JezuKrsihtit është “hyjnizimi” i njeriut.

Kur nuk ke asgjë, atëherë dhuron gjithçka, vetveten.

Të gjithë njerëzit janë vëllezër – motra, sepse jemi të krijuar nga dora e dashur e Zotit. 

Jeto me dashuri dhe për dashuri, dhuro dashuri, ji ti Dashuri.” 

Krishtlindja nuk është vetëm një datë

Është Krishtlindje çdo herë

kur i buzëqesh vëllait

dhe e  merr për dore.

Është Krishtlibdje çdo herë

kur je në heshtje

për ta dëgjuar të afërmin.

Është Krishtlindje çdo herë

kur nuk i pranon ato parime

që i robërojnë të ndrydhurit

në skajet e shoqërisë.

Është Krishtlindje çdo herë

kur shpreson me ata që s’kanë shpresë

në varfërinë fizike dhe shpirtërore.

Është Krishtlindje çdo herë

kur pranon me përvujtëri

kufizimet dhe dobësitë tua.

Është Krishtlindje çdo herë

kur ia mundëson Zotërisë që të rilind te ti

për ta dhuruar të tjerëve.

[Nëna Tereze]

(Kortezi- DRITA)

Filed Under: Featured Tagged With: Don Lush Gjergjin, Krishtlindja

Haradinaj priti Don Lush Gjergjin dhe Don Shan Zefin

November 9, 2017 by dgreca

1 Haradinaj & Dom Lushi

Prishtinë, 9 nëntor 2017-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Shan Zefi.Ata e uruan kryeministrin Haradinaj për marrjen e përgjegjësive të reja në krye të ekzekutivit të Kosovës, duke vlerësuar me këtë rast vullnetin dhe energjinë e madhe që po e dëshmon kryeministri në përmbushjen e agjendës shtetërore.Kryeministri Haradinaj vlerësoi kontributin e Ipeshkvisë së Kosovës në të gjitha etapat e historisë së Kosovës si dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë” para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, njëherësh kryeministri vlerësoi lartë tolerancën ndërfetare në Kosovë.Përfaqësuesit e Ipeshkvisë së Kosovës, falënderuan kryeministrin për pritjen, duke ofruar bashkëpunim të gjithanshëm në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave njerëzore në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: dhe Don Shan Zefin, Don Lush Gjergjin, Haradinaj priti

Artikujt e fundit

  • LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE
  • Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti
  • TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU
  • Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë
  • Shuhet në New York nacionalisti Pjeter Mernaçaj, Vatra ngushëllon familjen
  • Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë
  • VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KOMUNITETI SHQIPTAR NË ILINOIS, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • SHBA-Shqipëri, 103 vite marrëdhënie diplomatike! Ambasada amerikane në Tiranë: Krenarë për partneritetin tonë
  • Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
  • Për një vetëdijësim gjuhësor
  • Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut
  • Gazeta “Dielli”, drita e kombit në mërgim
  • DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 
  • TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT