• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes

May 7, 2016 by dgreca

Nga Donald Lu/*

Kryetar i Bashkisë, familje mikpritëse, vullnetarë të rinj dhe të vjetër të Korpusit të Paqes, personel i talentuar i Korpusit të Paqes, zonja dhe zotërinj!

Kur them vullnetarë të vjetër të Korpusit të Paqes, më kujton se sa shumë vite kanë kaluar që kur isha në vendin tuaj e prisja që të bëja betimin me Ambasadorin tim. Të jesh në Korpusin e Paqes ngjan pak sikur bie në dashuri për herë të parë –është emocionuese, turbulluese, jetëndryshuese dhe paksa frikësuese.Sot do të ndaj me ju historinë e ditëve të mia të para në fshat pasi u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes.  Pastaj dua të them dy fjalë se përse Korpusi i Paqes është një burim kaq i çmuar mes dy vendeve tanë.  Së fundi, kam disa fjalë për të falënderuar familjet kaq bujare që pritën vullnetarët. Ditët e para Në kohën që unë isha me Korpusin e Paqes kishim motoçikletë. Nuk isha motoçiklist shumë agresiv dhe kam rënë më shumë herë prej tij sesa do të doja ta pranoja. Për të shkuar në fshatin tim për herë të parë m’u desh të kaloja nëpër një urë të bërë me trungje palme. Ato nuk ishin vendosur në varg për ta bërë të vështirë udhëtimin. Ato ishin tre trungje të vendosura për së gjeri, ndaj me mjeshtëri të madhe (e cila më mungonte) duhej ta ngisja motoçikletën në qendër të trungut të mesit dhe të lutesha që të mos rrëshkisja, përndryshe do të përfundoja në lumë dhe motoçikleta do të binte mbi mua. Mora guximin, shtypa pedalen e gazit e kalova vrik përmes urës më shpejtë sesa e kisha menduar. Dhe kjo ishte jeta ime për shumë ditë. Merrja frymë thellë, merrja guxim, e shkoja përpara si shigjetë. Një makinë nga zyra e Korpusit të Paqes së bashku me Zv/Drejtorin e Korpusit të Paqes për programet shëndetësore, Dr. Juxton Smith, zbritën dy valixhet e mia dhe një kuti me ushqime që e kisha sjellë nga kryeqyteti.  Kur ai u largua me makinë, mbaj mend ndjesinë e thellë të braktisjes.  Me sa kuptoj, këtë gjë e shmangin këtu, pasi ju paketojnë në një furgon të linjës së Elbasanit dhe ju urojnë fat. Unë isha 22 vjeç.  Me njohuri shumë të kufizuara gjuhësore mësova si të lëvizja. Mësova si të gatuaja dhe të pastroja.  Mësova t’i bëja miq njerëzit me të cilët ndaja pak gjëra të përbashkëta.  Mësova si t’i kërkoja ndihmë komshiut tim.  Ishte me të vërtetë pak frikësuese, por kur kthej kokën pas them se ishte koha ime e preferuar në Korpusin e Paqes.  Në jetën tuaj, në kohë të ndryshme do të jeni më shumë ose më pak të hapur ndaj përvojave të reja. Ju sugjeroj se çasti i sotëm është një nga ato raste të jetës suaj kur ju do të jeni më të hapur se kurrë. Tani gjithçka duhet të bëni është të shtypni pedalen e gazit dhe të mbaheni fort gjatë udhëtimit.

Përse kemi një Program të Korpusit të Paqes?

Kur isha në Korpusin e Paqes, shumë njerëz besonin se qëllimi i programit ishte i mbrapshtë. Në Afrikën Perëndimore ka libra të tërë të shkruar për mënyrën se si vullnetarët e Korpusit të Paqes janë përdorur për të rrëzuar qeveritë dhe për të kontrolluar popujt e Afrikës Perëndimore. Më lejoni t’ju siguroj se ky është një absurditet i plotë dhe se gjëja e fundit që Uashingtoni dëshiron të bëjë është kontrolli i Afrikës Perëndimore, Shqipërisë apo 77 vendeve të tjera ku kemi Korpusin e Paqes. Ajo që jemi të përkushtuar të bëjmë është t’i ndihmojmë të 8,655 vullnetarët që shërbejnë aktualisht në Korpusin e Paqes të jenë qytetarë më të mirë globalë.  Shpresojmë që të merrni me vete një pamje më të sofistikuar dhe më të mprehtë të rolit të Amerikës në botë.  Shpresojmë të mësoni gjuhë të huaja dhe të ndihmoni të ndani me njerëzit anembanë botës se si janë në të vërtetë amerikanët –përtej imazheve të Hollivudit dhe të medias.

Kur iu bashkova Departamentit të Shtetit 25 vite më parë, një e katërta e klasës në të cilën isha regjistruar për në Shërbimin Diplomatik, kishin shërbyer si vullnetarë të Korpusit të Paqes.  Kishim mësuar ta donim aventurën e të jetuarit në vende të tjera; të folurën e gjuhëve të rralla; dhe krijimin e lidhjeve me njerëz që kanë pasur përvoja të ndryshme jetësore.  Shpresoj që për të gjithë ju periudha në Shqipëri të jetë një përvojë po aq transformuese si ajo që unë kalova si vullnetar i Korpusit të Paqes.

Dhe në përfundim, më lejoni t’ju them disa fjalë falenderimi familjeve tona pritëse.  

Të dashur prindër pritës të vullnetarëve, faleminderit që ndani atë që është më e mira e kulturës shqiptare – ndjesinë e jashtëzakonshme të mikpritjes.  Shpresoj që do të qëndroni në kontakt me fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes.  E di se shumë prej fëmijëve tuaj biologjikë dhe fëmijëve të Korpusit të Paqes do të mbeten përjetë miq dhe do të bëjnë vajtje-ardhje mes Shqipërisë dhe Amerikës.  Ju i keni bërë këta burra dhe gra ambasadorë më të mirë të vendit të tyre. Jam i sigurtë se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ju i keni njohur ata kur sapo kishin nisur të mësonin mbi vendin tuaj.  Kur ata të shkojnë në komunitetet e tyre të reja në Librazhd, Shushicë, Thanë, Belsh, Bishem, Pajovë dhe Peqin, miqtë e tyre të rinj dhe familjet pritëse do t’i pyesin se nga kanë mësur për tavën e kosit, të thonë “shëndet” pas prerjes së flokëve ose si të pijnë raki siç duhet.  Mund t’ju siguroj se sa herë të ndodhë kjo, fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes do t’ju mendojnë. Faleminderit sërish për mikpritjen tuaj të mrekullueshme. Trajnues të Korpusit të Paqes, përpara se t’ju dërgoj përmes urës imagjinare me trungje palme pa motoçikletë, kam edhe një punë tjetër për të bërë.

Nëse mundeni të ngriheni në këmbë për të bërë betimin dhe të ngrini lart dorën tuaj të djathtë:

Unë, thoni emrin tuaj, solemnisht betohem ose pohoj

se do ta mbështes dhe do ta mbroj

Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm,

se do të tregoj besim të vërtetë dhe besnikëri ndaj saj;

se unë e ndërmarr këtë detyrim lirisht, pa asnjë hezitim mendor apo qëllim shmangieje;

dhe se do t’i zbatoj mirë dhe me besnikëri

detyrat e mia në Korpusin e Paqes. 

Ndaj, Zoti më ndihmoftë!

*Fjala e plotë e Ambasadorit Donald Lu, gjatë Ceremonisë së Betimit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes ( Tiranë 6 maj, 2016)

Filed Under: Komente Tagged With: Donald Lu, i Korpusit të Paqes, Kur u betova si vullnetar

Ndaloni lojërat politike !

May 4, 2016 by dgreca

Nga Donald Lu/*

Kam një mesazh shumë të thjeshtë: Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Por fatmirësisht, ne nuk do ta lejojmë të dështojë. Vendi po shpreson që ju ta realizoni këtë reformë me sukses. Ne do t’ju ndihmojmë ta bëni këtë.

Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ata, së bashku me kontributin tuaj dhe nën drejtimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, kanë përgatitur këtë draft përfundimtar të projektit të reformës në drejtësi.

Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara. Di gjithashtu që askush nga ju nuk ka pasur mundësinë ta lexojë atë. E mbështes atë sepse besoj në integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të këtyre dy ekspertëve ndërkombëtarë. Unë besoj në aftësitë e tyre dhe në dëshirën e tyre të sinqertë që Shqipëria të ketë sistemin gjyqësor më të mirë të mundshëm.

Ju bëj thirrje ta studioni këtë dokument. Ngrini pyetje dhe diskutoni mbi atë që do të gjeni këtu për t’u siguruar që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar. Në fund të ditës, ju kërkoj të gjithëve të votoni pro reformës në drejtësi.

Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë. Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë.

Por më shumë se kaq, ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë. Nëntëdhjetë e një për qind e mbështesin këtë reformë. Mendojeni pak. Shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra e megjithatë 91 për qind mund të bien dakord se vendi ka nevojë për këtë reformë.

E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë.

Së fundmi, i kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit.

Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë.

*Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, sot, 4 Maj 2016

Filed Under: Editorial Tagged With: Donald Lu, Ndaloni lojërat politike

Ju kujtohet Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro tek “The Untouchables” (Të Paprekshmit)…

March 23, 2016 by dgreca

Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Aktivitetin për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (23 mars, 2016)/

Ministre Harito, Z. Hroni, zonja dhe zotërinj, Partneriteti për Qeverisjen e Hapur ka lidhje me bërjen e qeverisjes më përgjegjëse dhe më transparente përmes hedhjes dritë mbi korrupsionin, mashtrimin dhe paaftësinë.  Por ju në këtë sallë e dini se këto përpjekje të rëndësishme do të ishin boshe pa policë hetimorë të pavarur, që nuk kanë frikë të ndjekin çunat e këqij.Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit).  Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone.  Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”.  Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit.  Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.  Ka  një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane. Po përse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit? Për shkak se Shtetet e Bashkuara do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara.   Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate.  Dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar. Në shënimin 13 në fund të faqes të opinionit përfundimtar, Komisioni i Venecias mirëpret funksionet anti-korrupsion të BKH-së që do të vendoset nën një prokuror të posaçëm të pavarur, të pavarur nga të dy, si nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Policia e Shtetit Shqiptar.  Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë gjyqësorë. Drejtori i saj për anti-korrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm, të pavarur.  Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar. Udhëheqësit politikë po përpiqen ta përdorin debatin për BKH-në për arsye politike.  Të gjithë ata bien dakord se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri. U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakord se BKH-ja është një institucion jetik për anti-korrupsionin në Shqipëri.  U kërkoj atyre të bien dakord për modelin anti-korrupsion që diskutova sot – një institucion të mbështetur nga FBI-ja amerikane, i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. Dhe u kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me reformën në drejtësi.  Në fund të fundit, reforma në drejtësi do të krijojë zyrën e Prokurorit të Posaçëm, SPAK-un, që do të drejtojë përpjekjet anti-korrupsion të BKH-së. Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “të Paprekshmit”.  Njëri prej policëve elitarë, i luajtur nga Sean Connery, e pyet prokurorin që është kreu i të Paprekshmëve: “Ju më thatë se donit të kapnit Kaponen.  A doni ta kapni atë me të vërtetë?  A e kuptoni se ajo që po them është: çfarë jeni të përgatitur të bëni?” Prokurori i përgjigjet:  “Gjithçka brenda ligjit”. Le të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur. {SH.K}.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: “The Untouchables”, (Të Paprekshmit), Donald Lu

Ambasadori Amerikan, Donald Lu, Shpresa e të rinjve

March 4, 2016 by dgreca

Na shkruan një gjimnazist nga Shqipëria/

Nga Renato SHKULAKU-Maturant/

Sot, fatkeqësisht mundësite e të rinjve po zvogëlohen gjithnjë e më shume . E ardhmja e tyre në Shqipëri nuk është më e sigurt, dhe shkak për këtë janë faktorë të ndryshëm, ku më kryesori mbetet korrupsioni. Në vendin tonë ka shumë njerëz si politikanë, gjyqtarë, prokurorë etj. të korruptuar, dhe këtë fenomen e vërtetojnë mediat, por edhe arrestimet, denoncimet që bëhen nga burime të ndryshme etj. Por këto arrestime ndodhin në masë të vogël, dhe përsëri mbetemi një vend i mbushur me njerëz të korruptuar dhe të papërgjegjshëm, që mendojnë vetëm për interesat e tyre, dhe e kanë lënë popullin dhe vendin në gjendje të mjerueshme. Shumë të rinj shqiptarë, zgjidhjen më të mirë dhe më të arsyeshme, shohin largimin nga vendi. Por jo cdokush e ka mundësinë për tu larguar dhe detyrohen të qëndrojnë në Shqipëri.Por cdo ndodhë me ta? A do t’i gjejnë ata mundësitë që të jetojnë në një vend me drejtësi, ndershmëri, apo do detyrohen të qëndrojnë nën “hijen” e këtyre politikanëve të korruptuar?

Edhe pse duket e vështirë zhdukja e këtij fenomeni, në Shqipëri duket se ka lindur një “shpresë”, një “shpresë” e cila po ju shpall luftë këtyre politikanëve, dhe po mundohen ta bëjnë Shqipërinë një vend sa më të mirë, ku të mbizotërojë ligji dhe drejtësia, ku cdokush do të marrë atë që meriton. Kjo “shpresë” simbolizon ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Në deklaratat e tij, ai vazhdimisht thekson luftën ndaj korrupsionit, ju bën apel politikanëve dhe institucioneve përkatëse për   reformat në drejtësi dhe marrjen e masave për zbatimin e ligjit. Gjithashtu kohët e fundit ai deklaroi se SHBA ju ka ndaluar hyrjen në vend, të gjykatësve të korruptuar. Ata ju kanë hequr apo jua kanë anulluar vizat atyre, dhe kjo gjë është një fakt i cili duhet vlerësuar dhe mbështetur në maksimum, ku tregon se prioriteti kryesor i ShBA-së në Shqipëri mbetet lufta ndaj korrupsionit. Këto hapa, janë fillimi i një lufte të gjatë për vënien në vend të drejtësisë. Ky politikan duhet marrë shembull nga politika shqiptare, ku shohim se ai vërtet mendon për Shqipërinë. Edhe fakti se ai flet shumë mirë gjuhën Shqipe, tregon edhe njëherë respektin dhe dashurinë që ka për vendin tonë. Donald Lu është një frymëzim për të gjithë ne, të rinjtë Shqiptarë. Me deklaratat e tij, me luftën ndaj korrupsionit që ai po zhvillon, ne ndihemi të “fuqishëm” përballë tiranisë së politikavë të korruptuar. Ne po na lind një fije shprese, se edhe Shqipëria, në të ardhmen do jetë një vend akoma më i mirë dhe më i zhvilluar, ku do jetojmë dhe do jemi pjesë e një shoqëri të drejtë dhe se zbatimi i ligjit do jetë qëllimi ynë kryesor . Më në fund ne po na lind siguria, se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, dhe ku cdokush do ndëshkohet për ato që ka bërë. Kohët e fundit shohim se dhe shumë Shqiptarë po solidarizohen dhe shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj korrupsionit. Tashmë ata nuk kanë “frikë” por mundohen ta luftojnë këtë fenomen në mënyra të ndryshme si me denoncime, publikimet etj. Kto ngjarje janë shumë të rëndësishme që tregojnë hapat e para ndaj një shoqërie europiane, dhe meritën për këtë e ka sigurisht edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Ne jemi me fat që kemi një mbështëtje kaq të madhe, dhe tashmë largimi nga vendi nuk është më zgjidhja e duhur, sepse ne, rinia e sotme Shqiptare, jemi e ardhmja e vendit. Ne duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë, duhet të përqafojmë drejtësinë, dhe sëbashku me njerëzit e duhur, ti detyrojmë të gjithë politikanët e korruptuar të qëndrojnë para ligjit, dhe të ndëshkohen për krimet e tyre. Tashmë Shqipëria nuk duhet të mbetet vend i prapambetur për shkak të këtyre personave, por duhet ta bëjmë një vend shumë të zhvilluar dhe të gatshëm për ta bërë pjesë të Bashkimit Europian dhe Kjo gjë realizohet vetëm duke besuar tëk drejtësia, tek shteti i së drejtës, dhe falë ambasadorit, ky besim po rilind pak nga pak .

Renato Shkulaku

Maturant

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Lu, Renato Shkulaku, shpresa e te rinjeve

Ambasadori Lu:Në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit

January 27, 2016 by dgreca

Intervista e plotë e ambasadorit LU dhënë sot për Zërin e Amerikës
Shtetet e Bashkuara presin nga klasa politike e Tiranës miratimin brenda pranverës të reformës në drejtësi, por me mbylljen e këtij kapitulli, nuk mbyllen përpjekjet e Uashingtonit për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Në një intervistë të gjatë dhënë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu deklaroi përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. 
“Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita”, deklaron Lu.
Kryediplomati amerikan në Tiranë ishte sërish i drejtpërdrejtë kur foli për reformën në drejtësi, këtë herë duke vendosur edhe afate kohore.
“Kam shumë besim se në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Bashkimi Europian ka thënë se kjo reformë do t’i hapë dyert, dëshirës së Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit. Së fundi, kjo reformë ka mbështetjen e plotë dhe entuziaste të partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria”, u shpreh kryediplomati amerikan.
Lidhur me ligjin e dekriminalizimit, Lu tha se ligji është një mjet i fuqishëm për të ndarë politikën nga bota e krimit.
“Shpresojmë që si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Europë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës”, tha Lu.
Kritikave për ndërhyrje të fortë në politikën shqiptare, Donald Lu iu përgjigj duke thënë se “po mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.
“Unë do të pyesja, cili është roli i një ambasadori të huaj? Në mëndjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi”, u përgjigj Lu.
Në fund, kreu i përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë rrëfen edhe pse zgjedh të flasë shqip në daljet publike.
“Përpiqem të përdor çdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë diçka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura”, përfundon intervistën e tij Donald Lu.

Filed Under: Featured Tagged With: Donald Lu, Intervista e ambasadorit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT