• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Identiteti fetar dhe kombëtar i shqiptarëve ortodoksë së Rekës së Epërme

April 27, 2015 by dgreca

Shkruan:Doktorant Dorian Koçi/
Kandidat i Shkencave Historike/
Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë gjithnjë si një territor ku identetitet nacionale kanë qenë më të zbehta, krahasuar me vetpërcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e tjera , sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, popullsia e këtyre anëve e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit që synonte formimin e identiteteve kombëtare përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart. Zakonisht kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si vilajeti i Prishtinës, ku predominonte me pak përjashtime një lloj uniformiteti mysliman suni. Kjo gjë ndodh për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në Ish Jugosllavi si një tërësi gjeografike, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitesh fetare të ngjashme me vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashi në Tetovë dhe rrethinat e saj dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit të XIX dhe fillim të shekulit të XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjeteve, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi edhe pse panosmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.
Identiteti fetar ka luajtur një rol shumë të madh në krijimin e identiteteve kombëtare në Ballkan përgjatë shekullit të XIX. Ai së bashku me nacionalizmin është shfaqur si një nga farkëtuesit kryesorë të identiteteve kombëtarë duke ndihmuar në këtë farë mënyre drejtë për së drejti në formimin e shteteve kombëtarë. Ky kontribut i përbashkët i tyre ka sjellë shpesh herë një konfuzion në rolin e tyre duke identifikuar shpesh herë me njëri-tjetrin por dhe në disa raste duke bërë një dallim të qartë midis tyre. Qasja metodologjike afron një mundësi më shumë për të dalluar qartë midis tyre dhe rolin specifik që luajnë në krijimin e kombit. Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.
Pikëpamja e parë konsiston në faktin sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë, ndërsa pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Evropë.
Gjithsesi kjo gjë nuk mund të thuhet përsa i përket krijimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët duke u përkitur shpirtërisht tre feve të ndryshme nuk mund të krijonin një identitet kombëtar të bazuar në këtë faktor. Situata fetare në Shqipëri në prag të zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që analizojnë këta autorë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga territoret e para të rajonit në të cilin Kristianizmi ishte predikuar dhe përhapur por në të njëjtën kohë vendi dhe territori ku influencat e Romës dhe Kostandinopojës si qendra perandorake ishin përplasur, Shqipëria pak a shumë përfaqësonte këtë konflikt jo vetëm në aspektin politik dhe kulturor por dhe në aspektin fetar. Si rrjedhojë, dy dogmat kryesore të Kristianizmit, Ortodoksia dhe Katolicizmi praktikoheshin dhe ishin besime fetare dominante por dhe në konflikt të hapur në Shqipëri përpara pushtimit otoman në shekullin e XV.
Maqedonia ishte një nga rajonet e para të Ballkanit që u islamizua dhe një rol kryesor në këtë proces luajti dhe pozita shumë e favorshme gjeografike, të qenët në mes të rrugëve dhe luginave që bënin të mundur depërtimin osman drejt Serbisë dhe Austrisë. Si është pranuar gjerësisht, pas dështimit për të ngritur një flotë të fuqishme krahasuar me fuqitë e tjera detare europoane, osmanët e përqëndruan strategjinë e tyre në avancimin tokësor duke ngritur fushata të përvitshme dhe të kushtueshme që drithëronin oborret mbretërore së Europës Qendrore. Duke iu drejtuar në veçanti Islamit në qytetet maqedonase, John Thirkelli ka vënë në dukje se gjatë shekujve XV-XVI, feja në Maqedoni, me qendrën e vet në Shkup( e sidomos në një numër të caktuar qytetesh) përbënte një “marsh ushtarak”, nga i cili nisi konvertimi i Serbisë bashkë me Bosnjën. Gjithësesi edhe pse në rastin e popullsisë shqiptare në Maqedoni niveli i islamizmit të kësaj popullsie krahasuar me popullsitë e rajoneve të tjera shqiptare ishte më i lartë , ashtu si kudo gjetkë në Ballkan nuk pati një uniformitet të njëtrajshëm fetar. Një rast tipik interesant në këtë drejtim mbetet popullsia e Rekës së Epërme, popullsi shqiptare që i përkiste besimit ortodoks dhe që mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur në veri të Shqipërisë që arriti të mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar por që edhe përmes një përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri (1868-1915) u përfshi qoftë edhe pjesërisht në lëvizjen kombëtare.
Po kështu edhe brenda popullsisë së islamizuar shqiptare nuk kishte një uniformitet suni-që ishte dhe dogma fetare zyrtare e Perendorisë, por kishte dhe një komunitet të fuqishëm bektashi të përqendruar rreth Tetovës dhe që merrte pjesë në jetën politike të Maqedonisë dhe të lidhjeve të saj me qendrën perandorake. Urdhri i dervishëve bektashi ashtu si gjerësisht edhe në territore të tjera shqiptare predikonin dhe praktikonin urdhrat e ceremonitë e shumta të lidhura me ta. Meqë kishte mjaft ngjashmëri ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit, ata nuk kishin ndonjë vështirësi të madhe që t’i përshtasnin zakonet vendore me urdhërat e tyre. Kjo ndërmjetësi fetare e sektit Bektashi, shumë e veçantë në rastin shqiptar krijonte premisa që identitetet fetare të mos ishin të njëtrajshme por të përthyeshin dhe reflektonin dhe shqetësimet politike të kohës, në vitet e lindjes së nacionalizmit në Ballkan. Periudha nga viti 1804 deri më 1878, në gadishullin ballkanik është ajo e revoltave kombëtare dhe e formimit të shteteve të reja. Gjatë këtyre viteve Greqia, Serbia dhe Rumania do të fitonin pavarësinë, kurse Bullgaria do të bëhej autonome. Në këtë periudhë lind edhe një lëvizje kombëtare Shqiptare. Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare: së pari, formulimi dhe dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim; dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore . Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore: liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe nacionalizmi. Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan,fillimisht nën një zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon. Veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe. Po kështu, elita kombëtare shqiptare nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që rrëmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kish zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në gadishullin ballkanik. Përmes këtij procesi panshqiptar lëvizi edhe ideja kombëtare në Maqedoni dhe në popullsinë shqiptare që përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së saj. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Ishte kjo arsyeja që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identiteti fetar kish luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues, ku nuk u arrit të avancohej apo shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për një kauzë të përbashkët.” . Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se Prizrenit por në vazhdimësi, për t’i quajtur të vetat interesat e perandorisë, do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë.
Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë , ishte i kundërt nga ai shqiptarëve myslimanë pasi në identitetin e tyre kombëtar e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb. Ashtu si sivëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me asimilim nga ithtarët e Patriakanës s Stambollit që bënte përpjekje të vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , mënjëherë pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte qendrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serb; as me bullgarë, po me fjesht shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”. Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. Gjithësesi puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore, statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e Londrës-shënimi im) jo për karekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)
Si dihet pas traktivave të shumta midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për caktimine kufijve veriorë së Shqipërsië, qyteti i Dibrës së Madhe dhe malsia e Rekës së Epërme mbeti brenda kufijve të Serbisë pavarësisht faktit se popullsia shqiptare ishte më e madhe në numër dhe predominonte gjithandej. Popullsia e Rekës së Epërme do të kishte fatin e popullsive të tjera ortodokse shqiptare në Greqi, të cilave identiteti fetar do tu merrej si faktor parësor për të përcaktuar dhe identitetin e tyre kombëtar. Kështu, nëqoftëse shqiptarët myslimanë të Maqedonisë do të kishin mundësi që të përdorinin gjuhën shqip në jetën e përditshme apo qoftë dhe të organizoheshin politikisht në radhët e “Xhemietit” , duke shfrytëzuar identitetin fetar në radhët e partisë islamike të themeluar në Maqedoni në dhjetor 1919, shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme do i nënshtroheshin një presioni për asilim të plotë dhe marrjen e identitetit sllav, përkundrejt atij shqiptar. Megjiatë pavarësisht një presioni të tillë dhe asimilimi të dhunshëm që ushtroi shteti serb pas përfshirjes së kësaj krahine brenda tij, identiteti i veçantë i shqiptarëve të Rekës vazhdonte të ishte problem për shtetin serb deri në vitet 30’dhe të shfaqej si shqiptar. Sipas të dhënave burimore që na servirin famullitarët e kishës katolike të Kosovës Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi, në Promemorien që i kanë dërguar më 5 maj të vitit 1930, Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe ndaj ortodoksëve shqiptarë theksojnë: “Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarë të besimit ortodoksë me sllavët e të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë qëndron në mbajtjen e kësulës në forma të ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe”, ndërsa serbët “kaçketë”. Për të mënjanuar këtë diferencë të dukshme, nënprefekti z. Sokolloviç ka nxjerrë një urdhëresë, me anën e së cilës ua ndalon shqiptarëve të mbajnë çeçe. Po kështu në prememorie nënvizohej se ishte e ndaluar edhe mësimi i fesë në gjuhën shqipe, duke përmendur faktin se shqiptarët ortodoksë të Rekës, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së asaj krahine ishin të ndaluar të përdornin gjuhën amtare në kisha. Pra si shikohet në kuadër të politikave unifikuese për të siguruar kompaktësi etnike shteti serb nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë në Maqedoni por edhe ndaj atyre të Rekës. Disa vite më vonë në një dokument të hartuar më 5 shkurt të vitit 1944, nga konsulli i atëhershëm shqiptar në Shkup, Hamit Kokalari dëshmohet ende prania e fortë shqiptare në këtë trevë. Ky i fundit i dorëzoi qeverisë shqiptare një projekt, i cili konsistonte në botimin e një Atlas-Albumi për Kosovën. Në të ai kishte përfshirë një sërë hartash etnografike, fotografi të qyteteve e katundeve shqiptare të mbarë krahinave, duke përfshirë edhe Rekën. Në projekt, diplomati shqiptar theksonte: “Të mos mbeten mangut edhe zonat ku gjendet popullsi shqiptare ortodokse si Reka e Gostivarit”. Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare dhe veçanërisht në Rekën e Epërme, Kokalari rrëfen se: “Në shumë katunde që kam vizituar pleqtë dhe plakat flisnin një shqipe të kulluar”. Gjithashtu konsulli Hamit Kokalari tregon se shpesh ortodoksët shqiptarë i merrnin për serbë ose për bullgarë, prandaj gjenden fare pak ortodoksë në skajet veriore (në Kosovë e në Malin e Zi) si dhe në skajin lindor (në Maqedoninë Perëndimore).
Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, në një shtet multietnik është bash një rast i mirë që identitete të fjetura(si ka qenë rasti i shqiptarëvetë Rekës) apo intregaliste si ka qenë ai i shqiptarëve të islamizuar të përbashkohen në një identitet kombëtar duke ndjekur prirjet e zgjimit të tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema që nuk i qendrojnë kohës.

Bibliografi:
1- Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë
2- Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, Përpjekja
3- Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996
4- Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos
5- Ferdinanto Salleo.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit
6- John Thirkell. Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans, bot. I Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979)
7- Marenglen Verli. Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë, 2014
8- Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
9- Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë
10- Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë Dituria,2006
11- Qerim Lita. Disa burime arkivore për Rekën e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela, Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar, Prishtinë 2013
12- Ruzhdi Mata. Josif Bagëri, 8 nëntori, Tiranë 1983
13- Stavro Skendi. The Albanian National Awakening 1878-1912. Princeton: Princeton University Press, 1967
14- Stavro Skendi . Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Phoenix , Tiranë:2000

Filed Under: Analiza Tagged With: Dorian Koci, i shqiptareve ortodokse, Idnetiteti fetar, Kombetar, te Rekes

Rikthimi i duhur i Kolonel Tomsonit…

July 26, 2013 by dgreca

Shkruan: Dorian KOCI/

Shqiptarët si komb kanë një problem të njohjes së historisë së krijimit të shtetit të tyre. Për shkak se për 50 vjet  ideologjia komuniste kërkoi dhe zhvilloi një paradigmë mendimi që nënkuptonte krijimin e shtetit shqiptar nga vetë shqiptarët duke mohuar çfarëdolloj kontributi të të huajve në këtë proces, mesa duket për t’ia përshtatur ideologjisë së vet të ndërtimit të socializmit me forcat e veta, shumë personalitete të huaja u përmendën kalimthi apo si zakonisht nëpërmjet kriterit të fillit të kuq që duhet të përshkruante aktivitetin e tyre politik. Mirëpo Shqipëria Politike që gëzojmë sot nuk është vetëm kontribut i patriotëve shqiptarë por dhe i një sërë dashamirësish e miqsh të Shqipërisë që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të ndërtimit të shtetit të ri shqiptar. Mes tyre shquan Koloneli holandez Tomson i ardhur në Shqipëri sëbashku me administrastën e Princ Vidit për të themeluar xhandarmërinë shqiptare. Në krye të misionit të vet që përbehej nga 80 oficerë holandezë , Tomsoni u mundua që të organizonte mbi baza moderne rendin publik në Shqipëri , përpjekje e cila nuk do të rezultonte e lehtë dhe atij për fat të keq do ti kushtonte dhe jetën. I gjendur në mes të rebelimit haxhiqamilist të Shqipërisë së Mesme që me kërkesat e veta absurde kërkonte të zhbënte pavarësinë e Shqipërisë , misioni holandez me në krye Kolonel Tomsonin nuk e braktisi Shqipërinë por i doli zot administratës së Princ Vidit dhe bashkë me të dhe Shqipërisë së porsalindur.

 Kjo ishte një nga arsyet që shqiptarët e njohën që herët kontributin e Kolonel Tomsonit jo vetëm duke i dhënë vendin që meritonte në historinë e ringjalljes së  Shqipërisë por duke e nderuar veprën e tij dhe në monumente të fjalës së shkruar dhe të artit plastik. Fan Noli dhe Skënder Luarasi kanë krijuar poezi dhe monografi për të, por nderimi kryesor iu dha nga qyteti i Durrësit që me taksat e veta më 1923 i ngriti bustin duke shënuar kështu jo vetëm mirënjohjen e shqiptarëve ndaj Kolonel Tomsonit  por duke shënuar në të njëjtën kohë dhe monmentin e parë publik të realizuar në Shqipëri. Busti përkujtimor i Kolonel Tomsonit ka qenë vendosur në vendin ku sot është busti i Mujo Ulqinakut, madje topat me zinxhirë dhe kolona mbi të cilën rri busti, i përkasin monumentit të vjetër. Busti i Kolonel Tomsonit ishte i pranishëm në Durrës deri nga filimi i viteve 50’ , kur rregjimi komunist në kuadër të sterilizimit të kujtesës historike dhe vlerësimit të simboleve të veta, e hoqi dhe më vonë e zëvendësoi me bustin e Mujo Ulqinakut. Ky veprim, për të cilin dhe vetë heroi i popullit Mujo Ulqinaku po të ishte gjallë nuk do ta pranonte, përveçse shprehte mentalitetin mohues të vlerave historike që nuk ishin të lidhura me komunizmin synonte të fshihte çfarëdolloj kontributi evropian në ndërtimin e shtetit shqiptar.

Tashmë që kohët kanë ndryshuar dhe shqiptarët prej kohësh janë njohur me burime të ndryshme historike për kontributin e miqve të Shqipërisë për të krijuar shtetin shqiptar, dhe për më tepër viti që vjen do të jetë 100 vjetori i rënies së Kolonel Tomsonit , do të ishte në nderin e bashkisë së Durrësit që në emër të vlerësimit të drejtë të historisë por dhe të kontributit të këtij miku të shqiptarëve, ta anullojë vendimin e mbrapshtë të heqjes të bustit të Kolonel Tomsonit dhe të marrë vendim për ta rivendosur sërish në pidestal. Një komb që harron martirët e vet apo akoma më keq nuk shpreh mirënjohjen për miqtë që e kanë ndihmuar në kohë të vështira e ka shumë të vështirë të mbijetojë në dallgët që historia dhe fati njerzor ndërthur, ndaj për tu përsosur dhe për tu zhvilluar është mirë që para se të ndërtojë monumente mirënjohje për luftën e afërme të Kosovës, të nderojë dhe ata që kontribuan në krijimin  hershëm të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci, i Kolonel Tomsonit, rikthimi i duhur

“Kodra e Rilindësve” dhe Memoriali i dhunuar i tyre

July 17, 2013 by dgreca

Shkruan:Dorian Koçi/

Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen”  sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve. Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo mohimi apo denigrimi të atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit. Sigurisht që në këtë qasje shqiptare ka vend dhe për korrigjim apo dhe një ç’mitizim që shpesh herë është vënë re në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, por pavarësisht faktit që kohët e fundit ka shumë përpjekje për rivlerësim apo rebalancim të këtyre vlerave duke u përpjekur për të rishkruar historinë, besoj se gjithsecili nuk mund të bjerë dakord me forma ekstreme të përdhosjes së atyre që janë nderuar dhe do të vazhdojnë të nderohen nga pjesa më e madhe e shqiptarëve si baballarët e kombit. Qasja ka të bëjë më tepër me përmbajtjen sesa me shkatërrimin barbar të formave që i përfaqësojnë këto vlera, si po ndodh për fat të keq në Shqipëri. Një rast që ilustron shumë mirë se mund të bëjë fjala akademike e lëshuar pa doganë drejt figurave të kombit por dhe se në çfarë krize neglizhence identitare kemi arritur është gjendja e memorialit të Rilindësve në Gjirokastër.

Në mes të verës, në datën 15 korrik , shqiptarët përkujtojnë ditën e vrasjes të heroit kombëtar Çerciz Topulli dhe aktivistit kulturor dhe gazetarit Muço Qulli në Shkodër nga forcat malazeze të pushtimit, të denoncuar si patriotë shqiptarë nga konsulli grek që ua njihte shumë mirë aktivitetin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Eshtrat e Çerciz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare. Në vitin 1964 u kthyen në atdhe nga Kajro eshtrat e poetit dhe veprimtarit të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako Çajupi dhe me këtë rast shteti komunist i kohës ndërtoi memorialin e famshëm të kohës me shqiponjën dykrenore të derdhur në bronz që qëndronte sipër një obelisku dhe në këmbët e obeliskut preheshin varret e vëllezërve Topulli, A.Z.Çajupit, Koto Hoxhit-pionierit të arsimit shqip në Lunxhëri dhe Pandeli Sotirit-drejtorit të parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë 1887. Kodra prej asaj kohe u quajt kodra e Rilindësve dhe ishte vend ku çdo 7 mars, 28 nëntor apo dhe përvjetorësh të atyre që preheshin atje, vizitoheshin nga nxënës shkollash dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë për të nderuar dhe kujtuar veprën e tyre. Memoriali ishte i veçantë dhe i vetëm i llojit të vet në Shqipëri pasi asnjë qytet tjetër nuk kishte një monument për të përkujtuar figurat e veta të shquara të këtyre përmasave apo si një panteon të vogël nëse mund ta quajmë në këtë llojin mënyre. Ekzistenca e tij nuk i prishte punë asnjë njeriu as ishte i mbushur me ideologji që përfaqësonte fitoren e njërit krah gjatë Luftës së Dytë Botërore që të pësonte shkatërrimin që pësoi pas viteve 90’.

Varret u përdhosën duke u thyer, shkronjat e emrave u fshinë , gurët dhe pllakat rrethuese u vollën dhe u thyen, shqiponja u qëllua me plumba gjatë trazirave të 97’ duke i këputur kokën dhe shpuar gjithandej sa me të drejtë dikush që  kish vizituar Gjirokastrën më parë dhe do të rikthehej sërish në ditët e sotme do mendonte se aty kanë kaluar barbarët ose ndonjë hordhi e huaj që nuk kish asnjë lidhje shpirtërore me ata pesë burra të famshëm që preheshin aty. Një iniciativë e disa të rinjve të Gjirokastrës për të restauruar memorialin e shkatërruar hasi në fillim në indiferencën e pushtetit lokal dhe të degës të institutit të monumenteve kulturore që nuk zgjidhnin mes tyre se përgjegjësi e kujt ishte për të filluar punimet dhe për pasojë Memoriali vuajti për disa muaj nga ky debat administrativ ku të gjithë i donin të tyret Çercizin e Bajon me shokë por asnjëri nuk mendohej që të vinte dorën në xhep për ti dhënë statusin e merituar memorialit të tyre. Në prag të zgjedhjeve lokale 2011, presioni i shoqërisë civile në Gjirokastër dhe Tiranë u rrit dhe kjo çështje u bë një çështje e mirënjohur nëpërmjet shumë kronikave televizive por dhe një emisioni special në Top Shoë ku trajtohej lënia në mëshirë të fatit të këtij Memoriali. Bashkia e Gjirokastrës  më së fundi reagoi duke çelur një fond për restaurimin e memorialit mirëpo, gjërat në Shqipëri edhe kur ka dëshirë për t’iu përgjigjur presioneve që bën shoqëria civile duket që nuk funksion si në të gjitha vendet. Fondi që u çel shpejt e shpejt shërbeu për të restauruar memorialin sipas shijes së atyre që po merreshin me të duke i përngjarë disa varreve publikë me mermerin e zakonshëm dhe asnjë rregullim tjetër territori dhe jo duke ndjekur logjikën e kthimit në identitet të tyre sipas planit arkitekturor që ishte ndërtuar. Në vitin 1964 ishte ndërtuar një lloj guri gëlqeror me pika të zeza për varret e tyre që ishte në harmoni me ngjyrën e bronzit të shqiponjës, e cila ishte gdhendur mjeshtërisht për ti përngjarë një shqiponje gati për fluturim dhe jo një shqiponje statike çka po mundohen sot të bëjnë restauruesit. Është e kuptueshme që nuk mund të riparohen gjërat që kanë kosto shumë të lartë, si p.sh dy pallate që kanë kërcyer si përbindësha atje duke mos bërë të mundur që memoriali të shikohet më nga rruga kombëtare Kakavijë-Gjirokastër por plani urbanistik dhe arkitekturor i Memorialit ekziston në arkiva , ndaj çdo ndërhyrje atje duhej të shoqërohej nga konsultimi me të  duke realizuar kështu kthimin në identitet të këtij monumenti. Çdo dëshirë dhe akt i mirë duhet të shoqërohet me hapat e duhur për të marrë vlerësimin e duhur në komunitet dhe të vjen keq kur kjo ekspertizë që ekziston nuk merret parasysh, dhe akoma më keq dhe kur Memorialin e përdor vetëm për qëllime elektorale dhe sot në datën e vrasjes së pabesë të  “Luanit të Gjirokastrës” nuk lexon asnjë rresht në shtypin e shkruar dhe asnjë veprimtari përkujtimore nuk organizohet. Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh mbi shumëkombësinë, një modeli që Evropa po e braktis për veten e saj, ndaj për këtë arsye dhe për qindra arsye të tjera të ekzistencës së idesë kombëtare të shqiptarëve vlerat dhe idealet e atyre burrave të Memorialit duhen përjetësuar në një vend të denjë prehje për ta, ashtu si populli e emërtoi “Kodra e Rilindësve”

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Dorian Koci, Kodra e Rilindasve, memoriali i Dhunuar

SHQETESIME DIPLOMATIKE DHE CESHTJA SHQIPTARE

February 15, 2013 by dgreca

NGA DORIAN KOCI*/

Ditët e fundit ka një shqetësim të diplomacisë ndërkombëtare të akredituar në Tiranë përsa i përket rritjes së retorikës nacionaliste, si i kanë vlerësuar një sërë deklaratash të udhëheqësve shqiptarë në rajon me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë. Ky reagim nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash që mbulojnë vetëm muajin dhjetor por ka pasur një kurbë në ngritje, gjë që dëshmon se për komunitetin ndërkombëtar stabiliteti i Ballkanit përbën thembrën e Akilit të politikës ekulibruese në rajon. Dëshira e të gjithë atyre që presin që demokracia të funksionojë më mirë në Ballkanin Perëndimor, në fakt ka qenë që këtë zell të madh që po tregon diplomacia botërore për të frenuar pasionet nacionaliste ta kishte dhe për monitorimin dhe mirëfuksioninimin e institucioneve të pavarura duke u bërë në këtë lloj mënyre garante të një ndryshimi të qendrueshëm demokratik të shoqërive të vjetra e tradicionale të Ballkanit Perëndimor që vuajnë pothuajse të gjitha nga sëmundjet e përbashkëta të autoritarizmit e nepotizmit. Mirëpo pavarësisht se kjo gjë nuk po ndodh dhe kur është puna se diplomacia ndërkombëtare duhet të kishte një zë më të fortë për shumë çështje në Shqipëri, sërish shqetsimet e tyre janë të mirëkuptuara dhe të mirëpritura, por dëshirojnë që të kenë një sqarim më të detajuar për të shmangur çdo keqkuptim. Diku në prapaskenë ka interesa të dyshimta dhe faktorë politikë që fërkojnë duart nga kënaqësia në këtë të ashtë quajtur përplasje midis Shqipërisë zyrtare dhe perëndimit, kënaqësi që besoj se nuk do të zgjasë shumë pasi Shqipëria dhe klasa e saj politike është aq në gjendje sa të mos humbasë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar që në të shumtën e rasteve ka qenë bujar me të.

Kjo ndjesi bazohet në faktin e njohur se Shqipëria njeh dhe respekton faktin se çlirimi i Kosovës, krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe mbarëvajtja e tij është një investim ndërkombëtar. Po ashtu si është në dijeni të faktit që stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për SH.B.A dhe B.E, ndaj dhe shqiptarët kanë mëse se 10 vjet që durojnë me një përmbatje të madhe mosrespektimin dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje për të cilën është garant Komuniteti ndërkombëtar. E njëjta gjë ndodhi pak ditë më parë dhe në Luginën e Preshevës, ku forcat serbe të sigurisë ndërhynë për të hequr memorialin e luftëtarëve të UCKPBM, dhe shqiptarët u ftuan sërish për të qenë të duruar dhe të vetëpërmbajtur, ndërsa komuniteti ndërkombëtar lau duar në formë alla Ponc Pilatiane nga përgjegjësia vetë duke deklaruar se heqja apo mbajtja e tij është një çështje e brendshme e Serbisë. Si shikohet situatat janë absurde, pasi ata që duhet të jenë garantë për marrëveshjet e nënshkruara midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe shqiptarëve dhe serbëve në luginën e Preshevës nuk ndihen dhe nuk bëjnë zë, e për më keq ua këshillojnë këtë gjë dhe shqiptarëve. Mirëpo në gjithë këtë politikë vetpërmbajtje që i këshillohet Shqipërisë dhe klasës së saj politike, harrohet tu bëhet një analizë e thjeshtë që ti japë përgjigje pyetjes se deri ku mund të limitizohen të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe ç’rol u është caktuar atyre në rajon. “Nuk ka miq në politikë, por interesa të përjetshme” ka thënë De Goli një nga mjeshtrit e politikës të shekullit të kaluar, e përderisa interesat e shqiptarëve hyjnë dhe në interesat e përjetshme të aleatëve tanë, ata duhet të kenë tagrin që të shijojnë lirinë politike të tyre të vetvendosjes.

 E vërteta është se në këtë shekull të ri është e papranueshme që të ketë qytetarë të dorës së dytë në Ballkanin Perëndimor, vend që tradicionalisht u është rezervuar shqiptarëve në krahasim me fqinjët e vet, prandaj  çdo qeveri shqiptare në vazhdimësi do të kërkojë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të shqiptarëve në rajon. Një përqasje e kujdeshme por këmbëngulëse e shqiptarëve drejt realizimit të aspiratave të tyre do ti bëjë miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojnë që procese që kanë nisur nuk mund të rikthehen mbrapsht. Në të kundërt, nëse vullneti i qytetarëve shqiptarë nga të gjithë trojet etnike shqiptare që u mblodhën në Vlorë, në këtë 28 nëntor do të tradhëtohet dhe do të trajtohet vetëm për interesa elektorale , atëherë do të jetë katastrofa më e madhe pasi jo vetëm që do të bëhemi gazi i botës por dhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të na marrin më seriozisht. Pas njëqind vjetëve shtet, Shqipëria ka hyrë në periudhën e maturisë si shtet dhe shqiptarët duhet të dinë t‘ua dëshmojnë miqve të tyre këtë gjë, për të fituar me siguri dhe mbështetjen e tyre për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare.

 * Falenderojme autorin e shkrimit qe e ndane opinionin e tij me Gazeten DIELLI

Filed Under: Opinion Tagged With: ceshtja shqiptare, Dorian Koci, shqetesime diplomatike

NACIONALIZMI I AVANCUAR I LIDHJES SHQIPTARE SË PRIZRENIT

February 6, 2013 by dgreca

NGA DORIAN KOCI/

Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm. Ky konstatim sigurisht që mbulon një pjesë të madhe të së vërtetës por duhen nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar. Kështu p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Pikërisht kjo ndarje midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën Ballkanike. Pas këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.Të njësosh mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar nacionalizmin shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane” është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.

Një mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në artikullin e tij “Nacionalizmi shqiptar” (1969). Është interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend Egro në artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës. Interesant në këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur greko-otoman,  është dhe përdorimi i termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të dekonstruktojë  një klishe që është vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi kombëtar dhe kulturor  është parë më së pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga nacionalizmi.

Para rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kuvendi në të cilin nacionalizmi shqiptar u shpreh në një formë të pjekur e të maturuar, me kërkesa të qarta për autonomi dhe zhvillim kombëtar. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.

 

 

Burimet:

1-Natalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar–Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përpjekja:Tirana, 2009

2-Historia e Popullit Shqiptar.Vëllimi i II. Toena:2002

3-Myslim Islami. Jeta e Naum Veqilharxhit. Shtëpia botuese 8 Nëntori: Tiranë. 1978

4-Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Botim II, Phoenix, Tirane, 1998

5- Nura Bozbora. Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane. Dituria: Tiranë, 2002

6- Dritan Egro “Rrënjët e nacionalizmit shqiptar” Gazeta Panorama, 5.03.2009

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci, Lidha e Prizrenit, Nacionalizmi i avancuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT