Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Një nga figurat më të errëta të politikës dhe nëntokës shqiptare, pra ish-kreu i SHISH-it shqiptar Fatos Klosi, shkoi para pak ditësh në Prishtinë dhe përmes një ekrani televiziv provokoi shqiptarët e Kosovës dhe të të gjitha territoreve ballkanike e në diasporë, ku ata jetojnë, duke hedh vrer mbi personalitetin e Ibrahim Rugovës. Ai tha në Prishtinë se “Kosova kurrë nuk do të çlirohej – po të varej nga Ibrahim Rugova” dhe se “politika e Ibrahim Rugovës ishte pa krye”. Më pas u zhduk prej andej, duke vrapuar drejt strofkës së vet prej spiuni në Tiranë. Ky farë spiuni dhe krimineli është shpall nga komisioni si veteran i luftës në Kosovë, vendim prej të cilit zotit Klosi do t’i vijnë në konto 300 euro në muaj. Mesa duket nuk i kanë mjaftuar qindramijë markat gjermane, të cilat në vitin 1998-1999 Xhavit Haliti, Ibrahim Kelmendi e të tjerë ia sillnin në zarfe e thasë nga Zvicra e Gjermaniai. Asokohe më ka rastisur të kontaktoj e të ndihmoj pa asnjë qindarkë shpërblim shumë patriotë shqiptarë që vinin nga Zvicra e Gjermania për t’u bashkuar më luftën. Kam takuar dhe prej atyre që në koinfidencë m’i tregonin zarfet e shamitë në brez të përgatitura e të porositura për ministra, si dhe shefin e shërbimit sekret, Klosin. I shihja me habi dhe i mëshiroja këta njerëz idealistë, të cilët besonin fort te liria e pavarësia e Kosovës e nga ana tjetër ndjenin nevojën e ndihmës nga ana e“shtetit amë”.
Klosi, nga ana e tij, këtë ndjenjë të natyrshme të njerëzve në dëshprim e në nevojë të Kosovës e shfrytëzoi mrekullisht përmes parimit marksist e stalinist:“Përça e sundo”. Ai kaloi përtej qëndrimeve të shefit të tij, Fatos Nano, i cili mesa duket kishte vënë re rrezikshmërinë e shefit të shërbimit sekret, të lidhur ngushtë me kreun e parlamentit, kreun e shtetit dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Të katër këta ishin dhe ruajnë të njëjtat pozicione midis tyre sa i përket luftës në Kosovë dhe figurës e rolit të Ibrahim Rugovës për çlirimin e saj. Rexhep Qosja dhe Jakup Krasniqi ishin aso kohe koordinatorët e veprimit përçarës antirugovë në Tiranë. Vila 31 e ish-diktatorit shqiptar ishte bërë qendra e projekteve për përçarjen e shqiptarëve. Aty u hartuan e deklaratat pro Milosheviçit dhe kundër Ibrahim Rugovës, të cilat iu servirën publikut si deklarata në emër të presidentit. Të gjithë ata që e kanë jetuar atë periudhë nuk kanë harruar se atë ditë të fillimit të prillit 1999 presidenti i Shqipërisë, bazuar në informacionet e shtrembëruara të Fatos Klosit dhe presionin e kreut të parlamentit e të ministrit të Jashtëm dënoi në media “tradhëtinë e Rugovës” në Beograd. Kjo deklaratë u dha, sapo presidenti Rugova u shfaq në ektanin e TV Beogradit së bashku me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç.
A kishim të bënim në këtë rast me një inskenim të aranzhuar nga ana e Klosit me Milosheviçin, sepse nuk besoj se presidenti i vendit tim kishte dijeni për këtë aranzhim? Po i referohemi disa fakteve. Renata Flottau ishte e vetmja gazetare perendimore, e cila e maskuar qëndroi asokohe në shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Në ditaret e saj, të botuara në revistën e famshme gjermane “Spiegel”, ajo sqaron të gjitha momentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur brenda atyre mureve. Ai ditar shpërndau mjergullën që kishte krijuar takimi i Rugovës me Milosheviçin, sepse Flotau ditarin e saj ende të pabootuar ia dha ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Dy herë Joschka Fischer ishte bërë garant te kolegët e tij amerikanë e europianë për realitetin dramatic të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Herën e parë Fischer mori në dorë nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë projektin e shpërnguljes dhe asgjësimit të shqiptarëve të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe,të nënshkruar prej Milosheviçit dhe e përdori këtë dokument sekret si dëshmi për të bindur partnerët europianë në luftën e shenjtë për drejtësi e humanizëm në Kosovë. Herën e dytë ai pati në dorë ditarin e gazetares së famshme, Renate Flottau, në të cilin qartësohej fakti se Ibrahim Rugova ishte peng në duart e Milosheviçit. Dhe pengun Fatos Klosi e bashkëpunëtorët e tij e trajtuan si si “tradhëti” të kombit. Madje pak minuta pasi vetë kasapi i Ballkanit dhe i shqiptarëve në Beograd ua dha këtë mundësi, duke pozuar me Rugovën në selinë e tij.
Në ditarin e saj të datës 2 prill 1999 Renate Flottau shkruan se, Rugova i ka deklaruar asaj shprehimisht: “Milosevic spielt mit mir jetzt Katz und Maus. Er ëill mich, ëenn er die Ëelt mit unseren angeblichen Vereinbarungen genügend verëirrt hat, vor meinem Volk als Verräter diskriminieren:. Kushdo që kupton gjermanisht mund të dallojë se në këto dy rrjeshta Rugova ka thënë se “Milosheviçi po luan me mua si macja me miun. Ai do që me mua të çoroditë opinionin ndërkombëtar dhe të më diskriminojë si tradhëtar para popullit tim”. Se Milosheviçi kishte një projekt për diskriminimin e Rugovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, kjo tashmë është faktuar nga shumë analistë dhe kronikanë të ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovë. Dhe se Rugova doli i pastër dhe vital nga kjo përpjekje, këtë e dëshmoi gjithashtu në ballafaqimin e tij me Milosheviçin në Hagë si dhe në rezultatet e zgjedhjeve të pasluftës në Kosovë.
Dhe megjithatë Fatos Klosi vazhdon ta sulmojë Rugovën. Po kështu dhe disa miq të tij të kauzës antirugovë. Ndërkohë vetë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër ta Ramush Haradinaj, tashmë betohen për Rugovën. Mos harrojmë se Haradinaj në kohën e luftës, i ndikuar nga Fatos Klosi e bashkëpunëtorët e tij, e kishte shpallur Rugovën “tradhëtar. Por ai pati guximin ta ndryshojë qëndrimin ndaj liderit historik të Kosovës, sepse duket që nuk është i kapur nga kurtha e Milosheviçit dhe e Serbisë..
Ndërsa Fatos Klosi dëshmoi në intervistën e tij në Kosovë se nuk ka ndërmend të korrigjohet e të ndryshojë mendim për rolin dhe kontributin e Dr. Rugovës për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kanë kaluar 16 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe po bëhen dhjetë vjet që kur Rugova ndërroi jetë. Kanë ndodhur ngjarje të shumta dhe janë publikuar dëshmi të panumërta për këtë kontribut. Bill Clinton, Tony Blair, Chrisofer Hill dhe aktorë të tjerë prominentë të luftës në Kosovë e kanë krahasuar Rugoën me Papën dhe. Megjithatë Fatos Klosi mbetet stoik në akuzat e tij të linjës së Milosheviçit sa i përket rolit dhe kontributit të Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Deklaratat e Klosit janë përçarëse, provokative dhe për pasojë në të njëjtën linjë me politikën e Milosheviçit të ndjekur në raport me Rugovën. Klosi nuk shfaqet vetëm si metafizik në gjykimet e tij. Kur shtrembërohet kësisoj e vërteta, duhet gjurmuar në shkaqet e qëndrimit metafizik të stoicuar. Pse ndodh kjo te Klosi dhe miqtë e tij, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se janë personalitete me mend?! Eshtë e çuditshme! Të katër protagonistët antirugovë në Tiranë të kohës së luftës e që vazhdojnë të mbrojnë pikëpamjet e tyre të gabuara, janë profesorë-doktorë, tre prej tyre në (meta) fizikë dhe njëri prej tyre në histori. Pra nuk janë njerëz që nuk dinë të ballafaqojnë provat e faktet që dalin në dritë, pas atij momentit të parë, kur ata gabuan. Atëherë pse veprojnë me vetëdije kësisoj dhe bëjnë interpretime subjektive permanente kundër njeriut më të merituar në historinë modern të kombit shqiptar?! A thua Klosi të jetë ndikuar nga ato 300 eurot e veteranit të veprimtarisë antishqiptare, për të vijuar të bëjë shërbimin e radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve?!
Klosi, në kohën e luftës më 1998-1999 i udhëzonte drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare që të mos pranonin asnjë bashkëpunim dhe asnjë marrëveshje me forcat e armatosura të krahut të Rugovës. Ai u thoshte atyre që t’i shpallnin luftë me të gjitha mënyrat Rugovës, LDK-së dhe të gjithë shqiptarëve në Kosovë që besonin tek ato. Madje deri në këshillën e modelin enveristo-stalinist: “Këdo që merrni në radhët e UÇK-së do të duhet t’i provoni se ai “e urren Ibrahim Rugovën”. Dhe për këtë qëllim, Klosi udhëzonte që kur bëheshin rekrutime të vinin diku në dysheme fotografinë e Rugovës e t’i kërkonin kandidatit për rekrutim ta shkelte atë, si shenjë besnikërie antirugovë. Këto ndodhnin shumë kohë para se Rugova të merrej peng në Beograd.
Po kush e dëshironte përçarjen e shqiptarëve në këtë kohë lufte, krize e konflikti, përveçse Milosheviçit? A ishte e mundur që shefi i shërbimit sekret të Tiranës të mos e njihte këtë strategji të Milosheviçit?! Sigurisht, që askush nuk beson të kundërtën, pasiqë këtë strategji e njihnin shumica dërmuese e shqiptarëve në Kosovë, të cilët i besuan presidentit të tyre në kohët më të vështira, edhe atëherë kur ata nuk dinin sa viktima kishin lënë në oborret e familjeve të tyre. I besuan e madje, sipas Christofer Hill, i lëshoheshin në gjunjë duke u përkulur me respekt para tij, sikur të ishte Papa. Fatos Klosi ishte në dijeni nga informacionet dhe nga leximi i veprimeve të Beogradit, se Milosheviçi dëshironte ta linçonte presidentin e liderin shpirtëror të shqiptarëve në Kosovë. Megjithatë aso kohe e mbështeti këtë strategji të Beogradit kundër Rugovës. Edhe sot vazhdon t’i bëjë shërbimin e radhës ish-Hitlerit të Ballkanit, tashmë në ferr. Kjo ndodh, sepse Klosi ka mision përçarjen e shqiptarëve, jo bashkimin e tyre, ka mision të krijojë konflikte të brendshme dhe jo homogjenitet te ata.Këtë konstatim e ka artikuluar në reagimin e tij ndaj deklaratave të Klosit shumë saktë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: “Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar. Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës”, shkruan zoti Mustafa.
Në këtë kontekst unë vetëm mund të sjell ndonjë argument shtesë rreth kësaj të vvërtete. Një nga gazetarët më me emër të Kosovës menjëherë pas deklaratave të Klosit e ka etiketuar atë si “kriminel nga Tirana”. A është Fatos Klosi kriminel?! Përveç faktit se veprimet kriminale të tij i kam përjetuar vetë në nëntorin e vitit 2000 dhe në pranverën e vitit 2002, do të doja të jepja dhe disa fakte të tjera. Sa për sqarim Klosi bëri përpjekje asokohe të më likuidonte fizikisht, histori, të cilën e kam denoncuar në kohën e duhur. Por ky nuk është problemi i vetëm. Të gjithëve na kujtohet vizita e ish-liderit të opozitës shqiptare në maj të vitit 2000 në Vlorë dhe dekonspirimi i planit të Klosit për vrasjen e tij. Të gjithë e njohin faktin se si Klosi u denoncua nga personat e ngarkuar për këtë vrasje, madje me detaje të organizimit të vrasjes, duke dëshmuar për llojin e armës që do përdorej si dhe për shumën e dollarëve të vënë në dispozicion nga ana e Klosit. Të gjithë e njohin faktin se çfarë roli pati Klosi në mbrojtjen që u dha vrasësve të Azem Hajdarit për më shumë se dy vite, duke i garantuar ata se nuk do të ndëshkoheshin. Dhe kur ndëshkimi u pa si i paevitueshëm, ai i likuidoi me bomba me telekomandë vrasësit kryesorë, me të cilët kishte pasur kontakte, me qëllim humbjen e gjurmëve të krimit. Janë me dhjetra qytetarë shqiptarë, madje gazetarë, politikanë, njerëz publikë dhe atdhetarë, të cilët mund të sjellin dëshmi të pafund për krimet e Fatos Klosit.
Në Kosovë SHIK-u i shumëpërfolur për aktet makabre krimininale ishte vepër e Fatos Klosit. Njerëzit e Klosit qëndruan me muaj e me vite në Hotel Grand të Prishtinës, me qëllim instalimin e krimit atje, për likuidimin e figurave politike e publike të saj, përfshirë dhe presidentin, Ibrahim Rugova. Ata u paguan nga Klosi, morën gjithnjë udhëzime prej tij, madje u ngarkuan me detyra konkrete në veprat e tyre kriminale. Ky kriminel i klasit të parë, të cilin në prill të vitit 2002 e krahasoja me Bin Ladenin, sot është “bërë veteran” i luftës së Kosovës! Nëse do të duhej gjetur një mënyrë tjetër më diskrutuese për luftën e Kosovës dhe për UÇK-në, është e sigurt se do të ishte e pamundur. Vetëm nëse do të shpallej edhe Milosheviçi veteran i kësaj lufte. Karta e veteranit për Fatos Klosin i thotë të gjitha, kompromenton gjithçka. Por është e pabesueshme si ka mundësi që luftëtarët e UÇK-së, sot pas 16 vitesh kur lufta ka mbaruar të jenë kaq të dhënë pas një krimineli, si Fatos Klosi?!
Jo Ibrahim Rugova, pa të cilin nuk do të kishte kompaktësim të shqiptarëve në Kosovë, strategji dhe vision për çlirimin e Kosovës dhe nuk do të kishte përkrahje ndërkombëtare për luftën, por Fatos Klosi dhe shërbëtorët e tij janë turpi i luftës në Kosovë. Ibrahim Rugovës nuk mund t’i njihet asnjë gabim sa i përket krijimit të harmonisë dhe homogjenitetit të shqiptarëve në Kosovë. Fatos Klosi është sinonimi i përçarjes. Kriteri i bashkimit dhe përçarjes së anëtarëve të një kombi është kriteri themelor i përcaktimit të tyre si heronj apo si tradhëtarë. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, Kosovë e kudo. Mjafton kjo diferencë për të kuptuar se kush ishte atdhetari e kush është tradhëtari, kur ishte i urti e kush është përçarësi. Ishte Rugova që me pak bashkëpunëtorë, si Fehmi Agani e ndonjë tjetër shpërndau mjergullën që Serbia kishte krijuar në gati dy shekuj për Kosovën e kundër shqiptarëve. Me qindra tituj librash antishqiptarë ka shpërndarë e shpërndan Serbia në mijëra biblioteka e librari, arkiva dhe institute në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë, duke luajtur rolin e viktimës, me qëllim krijimin e epersisë së saj në rajon e në luftën kundër shqiptarëve dhe me qëllim ruajtjen e mbështetjes së perendimit për Serbinë.
Ibrahim Rugova në dhjetë vite e çmontoi nga themelet këtë investim serb, duke e bindur botën se viktima nuk ishin serbët, por ishin shqiptarët. Ky është kontributi më i madh i tij në shërbim të kombit e të atdheut, shërbim i cili e mobilizoi NATO-n të bombardonte Serbinë e të çlironte Kosovën. Kjo vepër e Rugovës është unikale jo vetëm në historinë e shqiptarëve, porn ë historinë e Europës e të të gjithë botës.Por unë nuk dua të jem metafizik si Klosi. Eshtë e vërtetë gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe rezistenca e saj e thelloi konfliktin, duke nxit Milosheviçin të ushtrojë dhunë e terror në vend. Pa këtë akt ndoshta NATO nuk do të ishte kompakte në veprimet e saj luftarake të vitit 1999.
Klosi e kishte mundësinë t’i trajtonte në lidhje dhe harmoni këto shërbime të Kosovës në dobi të lirisë e pavarësisë së saj. Por nuk do që ta bëjë këtë. Së pari se është kriminel dhe së dyti se vazhdon të shërbejë për llogari të Milosheviçit, edhe pse ky i fundit ka vite që ka shkuar tek të shumtët.
“Bashkimi klasik ?! Nga kush, si, përse tani, kush përfiton?
Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
“Ose Bashkimi Europian duhet t’i hapë rrugë integrimit të Kosovës në BE, ose Kosova dhe Shqipëria do të realizojnë bashkimin në një shtet në mënyrë klasike”. Ky ishte pohimi i shumëpërfolur këto ditë i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhënë në TV Klan Kosova. Para disa javësh ,në takim në një universitet Italian zoti Rama deklaroi të kundërtën: “Të kërkosh zgjidhje jashtë Europës do të ishte antihistorike dhe jorealiste”, thoshtë ai në atë rast.
Pohimin e kryeministrit për bashkimin klasik të Kosovës me Shqipërinë e përhapën mediat shqiptare. Më pas reaguan mediat serbe. Më tej ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, dërgoi një notë protëste në ambasadën tonë në Beograd dhe i kërkoi Këshillit të Sigurimit të diskutojë rreth kësaj deklarate “destabilizuese”, të zotit Rama. Reagoi dhe kryeministri Vuçiç. Dhe prej Beogradit shqetësimi u transferua në Bruksel. Reagoi me finesë, por me fshikullim aleati më i ngushtë i shqiptarëve, Uashingtoni zyrtar. Në Tiranë më shumë se në Prishtinë, u porositën tryeza diskutimesh dhe debatesh pa fund. Shumica e analistëve bënë “injorantin” dhe diskutuan me formulat e dikurshme të diktaturës, të formës: “Hë, ti je apo nuk je për bashkim”?, “Ç’të keqe ka nëse bashkohemi”? “Pse duhet të na pengojë Europa për t’u bashkuar”? e të tilla arsyetime pa kurrëfarë lidhje me logjikën, me analizën, me realitetin, me mundësinë dhe pamundësinë e këtij procesi, me analizën e faktorëve të brendshëm e të jashtëm, me parapërgatitjet që kërkon një ndërmarrje e tillë. Pra, thjesht një interferim dhe provokim i stilit monist, pa pikë gjykimi prej dijetari, aq më pak shkenctari dhe vizionari lidhur me këtë proces.
Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare vetëvendosja është një nocion gati abstrakt, ndërsa në rrafshin konkret ajo realizohet vetëm gjatë një procesi. Pa një proces relativisht të gjatë nuk ka vetëvendosje. Që një popull të fitojë të drejtën e vetëvendjsjes aktive, do të duhet të ketë përfituar më parë atë passive. Pra që të realizohet shkëputja do të duhet të kesh fituar autonomi të gjerë të brendshme. Kosova është një rast i tillë. Ajo pati një autonomi të zgjeruar me kushtetutën e vitit 1974, e cila iu hoq me dhunë nga Beogradi më 1989. Nga ky moment bota filloi të mendojë që në Kosovë të realizohej procesi i vetëvendosjes offensive, ose për shkëputje. Dhe procesi ende nuk ka përfunduar, megjithëse ka kaluar prej aso kohe më shumë se një çerek shekulli. Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe njohur nga pjesa më e madhe e vendeve të botës dhe Fuqive të Mëdha, çka do të thotë se nuk ka më kthim prapa, por nuk është pranuar si i tillë në Këshillin e Sigurimit dhe në OKB, nuk është endesubjekt ndërkombëtar me të drejta të plota
Deklarata në formë kushtore e zotit Rama e tipit “Ose…. Ose” nuk merr kështu parasysh këtë lloj kurbe të zhvillimit të procesit të vetëvendosjes. Në vend që energjitë e Tiranës të përqëndrohen në këtë aspektin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, këto energji kryeministri ka mundur t’i orientojë në dobi të staturës dhe kredibilitetit të tij politik personal, për shkak se turmat entusiazmohen nga fjala “Bashkim”. Psh prej 1924-ës e deri më sot ende ekziston miti i Shoqatës “Bashkimi” të Avni Rustemit. Madje nënprefektura e Kosovës, pra Kukësi i vitit 1924, e zgjodhi Avniun deputet për shkak të asaj fjalës së madhe “Bashkim. Por ajo organizatë vetëm bashkim nuk i solli Shqipërisë, përkundrazi përçarje, dasi, deri atentate të pafund, duke e çuar vendin në pragun e një lufte civile në funksion të pushtetit.
P të njëjtës formulë është sot pohimi i zotit Rama: “Bashkim klasik i Kosovës me Shqipërinë. Po çfarë është ky farë “bashkimi klasik”? Kush e e ka realizuar këtë lloj bashkimi deri më sot kështu në formën e anarkizmit allias Avni Rustem e Haxhi Qamil?! Edhe Gjermania nuk mundi të bashkohej në formën klasike të pretenduar nga zoti Rama. Opinionistët tanë thonë se Edi Rama me këtë deklaratë synoi të bënte presion në Europë, që ajo të përshpejtojë hapat e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE. Mos duhet të besojmë se Helmut Kohl kishte më pak fuqi se Edi Rama, e për këtë shkak iu përmbajt dialogut si e vetmja mënyrë e bashkimit?!.
Ndoshta zoti kryeministër e gjen frymëzimin e tij te modeli i Nikoliç në Beograd dhe Tsiprasit në Athinë, të cilët sa herë i nervozon Angela Merkel mbërrijnë me vrap në zyrën ovale të Vladimir Putin. Por edhe në këtë rast ndryshon krejtësisht pozicioni i palëve: Nikoliç dhe Tsipras ndjehen ideologjikisht dhe shpirtërisht pro Moskës, kanë një motiv për të qenë kontrapedali i Bashkimit Europian. Ndërsa Rama nuk ka asnjë shans të përfaqësojë interesat e një vendi në harmoni me interesat ruse në Ballkan. Shqipëria dhe shqiptarët ndjehen e do të ndjehen gjithnjë viktima të politikave ruse në këtë rajon e për këtë arsye asnjë udhëheqës politik nuk mund të guxojë të përdorë portën ruse të presionit përkundrejt Perendimit. Prandaj dhe alibia e “presionit” bie, aq më tepër e demanton vetë Rama me deklaratën e tij të mëparshme: “Të kërkosh zgjidhje jashtë Europës, është antihistorike dhe jorealiste”, pohim që në të vërtetë nuk është aq sa korrekt, ndërkaq që mund ta vlerësojmë si jodiplomatik për shkak se aleati historik e real më i madh i shqiptarëve janë dhe mbeten SHBA-të.
Pavarësisht përpjekjeve të analistëve proqeveritarë për t’i dhënë një maskë presioni, deklarata e zotit Rama për “një bashkim klasik të Kosovës me Shqipërinë” mbetet një formulë propagandistike me disa objektiva:
Së pari, shqiptarët po përjetojnë ditët më të këqija pas atyre që ata përjetuan më 1997 e 1999 përkatësisht në Shqipëri dhe në Kosovë. Vetëm në Gjermani kanë kërkuar azil në tre muajt e parë të këtij viti 14 mijë shqiptarë nga territori i .Shqipërisë, një shifër kjo 100 herë më e lartë se në vitin e parë të liberalizimit të vizave. Dhjetra mijë shqiptarë të Kosovës morën gjithashtu rriskun e kurbetit. Kur njerëzit vendosin të braktisin shtëpinë, pronën, të afërmit, kujtimet e brezave, varret e prindërve e të të afërmeve të tyre, ata e bëjnë këtë se qeverisja i ka sjellë në ditën e hallit. Dhe të “zotët e shtëpisë”, në vend të zgjidhin hallet e qytetarëve që qeverisin gjejnë rastin të tundin kartën e nacionalistit. Kështu veproi ish-diktatorit shqiptar komunist në vitin 1978, kur u prish me kinezët dhe me festimet e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit thirri në ndihmë të pushtetit të tij nacionalizmin. Në jkëto kushte liderët e sotëm në qeverisje në vend që të ndjehen përgjëgjës për gjendjen e krijuar, e hedhin topin te Europa, e cila nuk mund të mbajë asnjë përgjegjësi pse në dy shtetet tona udhëheqësit politikë janë të korruptuar, të inkriminuar dhe pa asnjë lloj përkushtimi për interesat e shtetit.
Së dyti, shqiptarët e Kosovës veç çeshjeve ekonomike e sociale, kanë shqetësim kryesor forcimin dhe përfundimin e procesit të shtetndërtimit, rrugë të cilën e vështirëson vetë klasa e saj politike si dhe bllokimi që i bëjnë asaj Serbia dhe Rusia për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Tërheqja e vëmendjes nga ky objektiv me prrallat e “bashkimit klasik” është një atentat ndaj shtetësisë së Kosovës. Dhe nëse Kosova nuk ka e nuk do të ketë shtetësi, ajo nuk mund të vetvendosë aq më pak të përdor veton për bashkim me ndonjë shtet tjetër, përveç faktit që edhe pas kësaj e ka të ndaluar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.
Se “bashkimi klasik” është i dëmshëm për një kohë të caktuar për shqiptarët, këtë pikë rëndese të çeshtjes e kam analizuar disa herë në analiza të tjera. Por për rikujtesë më duhet të ndalem teajo çfarë theksuam pak më sipër. A është interes kombëtar i shqiptarëve ndërprerja e investimit kaq të madh të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për implementimin e një Kosove të pavarur, subjekt me të drejta të plota ndërkombëtare? Nëse bëjmë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke vendosur kufijtë e padefinuar ende me Serbinë pa marrëveshje me ndërkombëtarët, a do të njihej ky lloj bashkimi? Nëse nuk njihet, cila do të jetë pasoja? E sigurt është se në një rast të tillë Serbia do t’i fuste thellë gërshërët e saj në trupin e Kosovës. As zoti Rama dhe as qytetarët e dëshpruar e të nëpërkëmbur të këtyre dy shteteve nuk do të kenë fuqi t’i ndalojnë këto gërshërë, të cilat janë gati në duart e cilitdo lider politik në Serbi. Ndërkaq, me çmimin e ndarjes do të bbiente në ujdi vetë Beogradi për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, madje për këtë nuk do kishte nevojë ndonjë ndonjë kontribut të udhëheqësve tanë “të ndritur.
Nëse Serbia reagon kundër deklaratave të Ramës, kjo ka dy objektiva: Së pari, që shqiptarët të shpallen faktorë destabiliteti në rajon, për çka Beogradi ka investuar më shumë se një shekull. E dyta, në rastin e një lëvizjeje të tillë, të përforcojë “të drejtën” për të kërkuar pjesën e tortës, e cila nuk ka asnjë gram mall e produkt serb, por vetëm mall e produkt shqiptar, pra të kërkojë dhe të marrë territore shqiptare. Sa më shumë të kundërshtojë të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, aq më shumë Serbia i krijon vetes avantazhe në rastin e një tentative të ndrydhimit të kufijve në rajon.
Dhe së fundi, askush nuk beson se në rastin bashkimit “klasik” ose jo klasik të Kosovës me Shqipërinë, shqiptarët e Maqedonisë do të pranojnë as një ditë të bashkëjetojnë me maqedonasit. Ata do ta kërkojnë menjëherë bashkimin me këtë Shqipëri. A ka zoti Rama ndonjë projekt të tijin, si do t’i përgjigjej këtij angazhimi të gati një million shqiptarëve në Maqedoni? A mund ta ndalojë vullnetin e tyre për bashkim me Shqipërinë? Nëse jo, çfarë do të bëhet me shtetin maqedonas? A do të mund et ai të shpëtojë territoret shqiptare në Maqedoni nga përvetësimi I palës maqedone, apo do t’u vejë gërshërën dhe këtyre territoreve? Janë aq shumë pyetje dhe pikëpyetje, të cilat kurrë nuk kanë marrë përgigje realiste e shkencore .
Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo
Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo/
Author(s):Enver Bytyçi/
Book Description/
This book represents a detailed and comprehensive examination of the developments of NATO’s engagement in Kosovo, and the related policies of western countries. In addition to offering an in-depth analysis of historical developments in the relationships between Albanians and Serbs, the book also provides a constructive discussion of the events of the Kosovo conflict, which constituted one of the main concerns in the international agenda towards the end of the twentieth century. The basic theme set forth in this book is the reasoning behind NATO’s intervention in Kosovo during the spring of 1999, namely to end the conflict between Albanians and Serbs and to aid the Kosovo Albanians in achieving their freedom from the jurisdiction of the Serbian state. Based on extensive evidence, the author analyzes the contradicting stances conveyed at the Security Council regarding the conflict, NATO’s military intervention and the issue of Kosovo’s future. The book provides useful information for any scholars, students and readers interested in gaining a more detailed understanding of Kosovo’s historical developments on an international level. It offers the reader detailed insights into, and descriptions of, the events that took place in the military conflict in Kosovo; it provides various facts and figures, evidences and counterarguments in response to what happened in this politically volatile region.
Biography
Dr Enver Bytyçi is currently the Executive Director of the Institute of Southeast European Studies in Tirana (www.ises.org.al) and a Professor in the “Aleksandër Moisiu” University in Durrës, Albania. He has published several monographs in Albanian, this being his first publication in English. Aside from his scientific studies in the fields of sociology and the history of international relations, Dr Bytyçi is known for his expertise on the developments of Southeastern Europe and is a prominent publicist in the Albanian media.
Cambridge Scholars Publishing | Registration Number: 04333775
Copyright © 2015 Cambridge Scholars Publishing. All rights reserved
Kosova në udhëkryq! Jabllanoviçët ia kanë vënë asaj zjarrin!!!
Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Isa Mustafa e shkarkoi Jabllanoviçin. Po lopa e Serbisë do të pjellë viça të tjerë pafund. E atëherë çfarë fitoi Kosova me shkarkimin e një ministri serb, i cili do të zevendësohet po me një “viç” tjetër?!~ A do të ketë ajo më pak ose aspak korrupsion?! A do të funksionojë shteti i së drejtës mirë e më mirë?! A do të ketë më shumë demokraci, liri e të drejta për qytetarët e Kosovës?! A do të jetë qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj autoritet i plotë në veri të vendit?! Çfarë do të bëhet me Trepçën dhe cilat asete do ia lënë Serbisë, nëse i referohemi një deklarate të ambasadorit anglez në Prishtinë?!
Jabllanoviç I mori valixhet. Po cilat valixhe mbajnë në duar vetë politikanët shqiptarë në Kosovë?! A e ndihëmon Albin Kurti Kosovën me ekstremizmin e tij patetik?! A ishte më 1999 Thaçi më revolucionar se sot Albini?! A u duk dhe Thaçi atëherë shumë më nacionalist se Rugova?! Po cilat janë veprat e të tillë revolucionarëve, a kanë lënë ata ndonjë gjurmë se janë të përkushtuar për Kosovën?! E nga ana tjetër sa e sa gjurmë kanë lënë për grabitjen pasurisë së vendit në format nga më të ndryshmet?! A mos Albini është i shenjtë dhe nesër në pushtet nuk do të bëjë kësisoj e më keq sesa Thaç?! A nuk kemi të njëjtën histori të shkruar e të lexuar ne shqiptarët?! Cila qeveri e qeverisje në 100 vjet nuk luftoi më shumë për pushtet sesa për shtet?! Cila lëvizje nacionaliste për vetëvendosjen e jona nuk ka përfunduar në qëllimin e marrjes dhe përfitimit nga pushteti?! Cili nga udhëheqësit shqiptarë, përveçse Rugovës, nuk është dëshmuar nga pak Esat Pashë Toptan, të cilin e kemi etiketuar me të drejtë si simbolin e tradhëtisë kombëtare?! Po nëse është kështu a mund të ketë njerëz “pak tradhëtarë ose pak shkërdhatë”?!. Pra a nuk na shfaqet përditë Esat pasha në pashallëqet tona në Prishtinë e në Tiranë?!
Isa Mustafa nga ana tjetër, çfarë i ofron Kosovës veç shkarkimit të sforcuar të Jabllanoviçit?! Çfarë do të bëjë ai me Trepçen?! Si do ta ulë papunësinë dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës?! A do të krijojë kapital të bollshëm për rritjen e pagave e të pensioneve, që shqiptarët më së pari, por edhe të tjerët të mos ndjejnë nevojën e emigrimit?! Si do t’i vejë ai në lëvizje pasuritë e nëntokës dhe mbitokës së Kosovës, për t’i dhënë vendit mirëqenie e begati?! Si do ta luftojë korrupsionin e mitmarrjen te vetja e partneri kryesor i tij, PDK?!
Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe pas shkarkimit të Jabllanoviçit, se Jabllanoviçët shqiptarë janë instaluar në qeveri, në parlament dhe shumë institucione të tjera të Kosovës. Jabllanoviçi ishte asiqare, por ata tjerët shqipfolës ose serbishtfolës që rrine fshehur e janë përhapur si metastaza deri në administratën e pushtetit lokal janë më të rrezikshmit. Po mos ishin ata që prej 16 viteve, Kosova sot do të ishte në OKB. Territori i saj dhe për pasojë Trepça nuk do të viheshin në diskutim. Autobuzët dhe linjat e avionëve nuk do të mbushnin barkun me shqiptarë që ikin, ikin dhe nuk duan të kthehen, madje as ta kthejnë kokën nga atdheu për të cilin njëqind vjet, tre ose katër breza derdhën aq shumë gjak. Plaga e kurbetit nuk do të ishte në rendin e ditës si zgjidhja e vetme për të mbijetuar. Dhe politika, qeveria, deputeti, ministri, kryeministri, të gjithë këta që janë majmur dhe kanë lëshuar rrënjë në vilat luksoze sheikase bëjnë sikur nuk ndodh asgjë. Thjesht merren me deklarata dhe moralizime, por jo edhe me projekte konkrete për ndërtimin e shtetit demokratik të së drejtës, për zhvillimin e pronës e të prodhimit, për rritjen e të ardhurave dhe të mirëqenies.
Qytetarët e Kosovës kanë dalë në rrugë, jo për Jabbanoviçin, por në protestë kundër të gjithë jabllanoviçëve në pushtet. Ata nuk presin vetëm shkarkimin e një minsitri serb në qeverinë e Kosovës, sado legjitime të duket kjo. Ata presin që dikush të inektojë së paku shpresën e humbur dhe dalngadalë të rikthejë nderin, dinjitetin dhe integritetin moral e ekonomik të vendit. Ata nuk presin më bisedime të pafund me Beogradin, por operacione reale dhe bindëse, ku të duket se Kosova është e do të mbetet shtet i pavarur, shtet demokratik funksional dhe shtet i së drejtës, bazuar në vlerat e Perendimit. Ku shqiptarët të mos i tremben shpërbërjes ose copëtimit të territorit të saj, ku Serbia të ikë, të ikë larg, shumë lërg, përtej Beogradit e të mos duket kurrë më në Kosovën, të cilën e shkatërroi me shtëpi e katandi, e vrau, e masakroi dhe e spastroi etnikisht.
Qytetarët e Kosovës protestojnë, sepse nuk shohin asnjë shenjë drite në fund të tunelit. Shkarkimi i Jabllonoviçit, ndonëse një hap i duhur, nuk jep ndonjë shenjë drite. Sa kohë që do të lejohet që lojën antishqiptare në Kosovë ta bëjë Beogradi me jabllanoviçët e Prishtinës, aq kohë Albini do të gjejë alibi të pafund për t’i thyer e copëtuar xhamat e godinës së qeverisë, e ndoshta nesër edhe të parlamentit, pavarësisht se ai vetë është anëtar i atij parlamenti. Absurdi nuk ka fund. Në vend të alternativës vepron rruga. Në vend të arësyes veprojnë jabllanoviçët që marrin në mbrojtje krimin. Këto ndodhin në një terren të mbarsur me mllef e me konflikte. Jabllanoviçi vetëm se ia vu zjarrin benzinës, por Kosovën e kanë lyer me benzinë vetë qeveritarët e derisotëm shqiptarë të Kosovës. Madje ata që u betuan për një Shqipëri të Bashkuar.
Dhe më në fund gjthçka ndodh që shqiptarët e Kosovës të detyrohen të kërkojnë e përshpejtojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pikërisht kjo është loja e Serbisë, që Kosova të kërkojë bashkim me Shqipërinë ende pa definuar pavarësinë dhe integritetin territorial të saj. Kësaj strategjie i shërbëjnë ata që qeverisin, por edhe vetë Albini, që hiqet se i dhemb shumë për Kosovën e shfrytëzon pakënaqësinë e ligjshme të qytetarëve me qeverinë dhe qeverisjen. Më këtë kërkesë Serbia do të realizojë lehtësisht projektin e saj të ndarjes së Kosovës. Nuk ka asnjë arësyetim tjetër pse këto që po ndodhin në Kosovë janë kaq të trishta, të dëmshme e të rrezikshme.
Eshtë koha për të thënë mjaft më! Kështu nuk mund të ecet përpara! Gjithçka që po bëjmë i kundërvihet interest tonë kombëtar!
Përse zoti Rama shkon në Beograd?!
Nga Dr. Enver Bytyçi/
Ngjarjet që ndodhën më 14 tetor në stadiumin e Beogradit, ku dhjetra mijë qyetarë të Serbisë thërrisnin në kor për asgjësimin fizik të shqiptarëve duket se po shkojnë drejt arkivës dhe po ia lëshojnë vendin predikimit të njohur e të përsëritur sa e sa herë në këto dy dekada për “të harruar të shkuarën dhe për të parë nga e ardhmja”. Gjithkush tundohet nga ky lloj predikimi, por fatkeqësisht ne shqiptarët shkojmë deri në harresë dhe drama na përsëritet si makth i përhershëm e ndërkohë ata që kërkojnë me ngulm zhdukjen fizike të shqiptarëve përsërisin vazhdimisht ritualin e tyre edhe kur në stadium dhe tubime të tjera luajnë skuadra jo shqiptare. Kështu ndodh përshembull në ndeshjet e futbollit apo basketbollit midis Serbisë dhe Kroacisë, kur spektatorët në studiume shpërthejnë në thirrjet histerike “Vritini kroatët, që shqiptarët të mbeten pa vëllezërit e tyre”. ”.(“ubi hrvata da šiptar nema brata”) Ndërsa në ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë serbe të datës 14 tetor u përsërit deri në infinit parulla raciste dhe antihumane “Vritini shqiptarët”! Politikanët serbë, me reagimin e tyre e mbështetën këtë kor racizmi, ndonëse Europa predikon antiracizmin. Politikanët shqiptarë u morën me droning, duke fshehur kokën në rërë si struci dhe duke bërë lojën e Beogradit, pasiqë udhëheqësit serbë kishin interest ë veçantë që në Shqipëri të promovohej ajo që nuk kishin bërë shqiptarët, por e kishin bërë vetë serbët, droni dhe flamuri me Shqipërinë Etnike ose “Shqipërinë e Madhe”, siç e quajnë në Serbi.
Por në këtë analizë është me vend të shohim se çfarë mund të na vijë si bumerang në ditët e javët e ardhshme. Çfarë mund të sjellë ajo “marrëdhënia e re, historike”, midis Shqipërisë dhe Serbisë me e pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd?
Pse u befasua Tirana politike e zyrtare nga ngjarjet e 14 tetorit?
Ngjarja e Beogradit u përdor dhe u keqpërdor nga të dy palët, politika në Beograd dhe politika në Tiranë. Tirana u gjend në befasi. Ndonëse diskursi i përdorur nga qeveria shqiptare, përkatësisht kryeministri dhe ministria e jashtme, u duk në koherencë, megjithatë një ose shumë hapa pas politikës dhe diplomacisë serbe. Kjo shërben gjithashtu si argument që qeveria e Tiranës nuk ka patur haberin se në stadiumin e Beogradit do të hidhej një flamuri i Shqipërisë etnike me dronin komandues.
Për të zbutur efektet e befasisë së dronit dhe flamurit në kufijtë etnikë, politika zyrtare e Tiranës në mënyrë të kamufluar përdori dy steriotipe reagimesh: Nga njëra anë shfrytëzoi steriotipin nacionalist, duke u bazuar tek akuzat e Beogradit për vëllain e kryeministrit, si organizator dhe autor të provokimit nacionalist në Beograd. Nga ana tjetër duke mobilizuar me porosi të veçantë gjithë median proqeveritare për të promovuar teoritë konspirative të nacionalizmit e miteve dhe për të përcjellë të shqiptarët imazhin nacionalist të shefit të qeverisë. Por dhe vetë deklaratat e zotit kryeministër për konsum të brendshëm, të krahasueshme me frymën e artikujve e Zërit të popullit të vitit 1981, synuan manipulimin me nacionalizëm të sajuar të opinionit. Ndërsa në diskursin e përdorur në mediat ndërkombëtare bie në sy taktizimi mbrojtës, i llojit se “Shqipëria e Madhe është makth i Serbisë dhe nuk është project i shqiptarëve”. Në vend të akuzohej qeveria e Beogradit jo vetëm për mos marrjen e masave për zhvillimin normal të ndeshjes, por edhe për skenarin e fluturakes me flamur, si mjet alibie për justifikimin e mbulesën e racizmit antishqiptar, në Tiranë të gjithë u përkujdesën për të himnizuar qëndrimet patriotike të shfaqura në Beograd, për të amnistuar miqtë e Begoviçit dhe për të fituar kapital politik në elektoratin shqiptar e më gjerë në hapësirën shqiptare.
Kjo mënyrë reagimi bëri që të mos binte aq shumë në sytë e në veshët e shqiptarëve se në krye të huliganëve serbë ishte p.sh një person i dënuar dhe problematik, si Ivan Bogdanov. Dëshira për ta shfrytëzuar ngjarjen në dobi të përfitimeve politike evitoi dënimin e shëmtisë nacionaliste serbe e shfaqur me thirrjet “Vdekje shqiptarëve, vritini shqiptarët”. Megjithatë të gjitha këto do t’i mbeten së kaluarës, sepse në sfond ka dalë një tjetër problem. Kancelaritë europiane e më gjerë mbajnë shënim faktin se mediat proqeveritare më shumë se ato joqeveritare promovojnë simbole e mite nacionaliste, thjesht në funksion të dyluftimit të bendshëm pozitë-opozitë, por që shkon në drejtimin e kundërt të projektit integrues të vendit në BE.
Çfarë do të sjellë vizita e zotit Rama në Beograd?
Pas një lufte verbale për ose kundër vizitës së zotit Rama në Beograd, erdhi dhe kompromisi për shtyrjen e kësaj vizite për datën 10 nëntor. Në parantezë më duhet të them se kryeministri Rama duhet të përgatitet edhe për një shtyrje të katërt a të pestë, ose së paku për shkurtimin e axhendës së tij në Serbi. Edhe kjo luftë shkoi sipas asaj lojës së fëmijëve: “Ta lashë, ma le”, dmth u orkestrua në funksion të interesave politike të të dy palëve në pushtet. Por në fund të fundit, Rama bëri mirë që nuk ra në kurthin e udhëheqësve kryesorë të Beogradit për ta anoluar këtë vizitë. Ndërkohë që unë dyshoj në rzultatin e saj, sa kohë që të dy kryeministrat pranojnë se kanë presion nga zonja Merkel për t’u takuar në Beograd. Eksperienca dëshmon se pajtimi, aq më tepër ai që quhet pajtim “historik”, nuk vjen me presion, me detyrim. Pajtimi është process dhe si i tillë kërkon koherencë, reflektim, njohje të realiteteve të shkuara e garanci për mos përsëritjen e tyre, çka nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë në rastin e të ashtuquajturit “pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve”. Edhe pas vizitës së Ramës në Beograd, nëse do të luante përsëri kombëtarja jonë në Serbi, do të përsëriten të njëjtat sekna si ato të 14 tyetorit 2014.
Që 10 nëntori të duket si normal të dy palët, edhe kryeministri Rama, edhe ai Vuçiç, kanë zbutur tonet dhe po shkojnë drejt armëpushimit, por pa u tërhequr aspak nga akuzat e ndërsjellta. Vuçiç nuk ka kërkuar falje që vëllain dhe deputetët, këshilltarët dhe gazetarët e Ramës i quajti “bandë”, ndërsa kryeministri ynë nuk ka ndërmend që “të kthehet në të kaluarën”.e të kërkojë shpjegime për një qëndrim të tillë të homulogut të tij serb. Madje ai nuk ka ndërmend të ndalet as në deklaratën e presidentit Nikoliç, sipas të cilit “shqiptarëve do t’u duhen shekuj të emancipohen”, çka do të thotë se në Beograd do të gjenden përballë dy palë të pabarabarta: Nga njëra anë “modernët” terroristë të tipit Vuçiç, Nikoliç e Daçiç dhe “shiptari me bisht”, Edi Rama!!!
Por më së fundi zoti Rama ka pse t’i falenderohet zotit Vuçiç, për shkak se retorika e tij “antibanditeske”, së paku përkohësisht i ka rritur kredencialet e Ramës si “nacionalist shqiptar”. Them së paku, sepse vizita në Beograd nuk do të përfundojë me imazhin që krijoi retorika e javës së parë pas 14 tetorit.
A do të shënojë vizita e Ramës “pajtimin historik” midis shqiptarëve dhe serbëve?!
Në fakt të dy janë të interesuar që 10 nëntori (nëse do të bëhet vizita me ose pa axhendë të ndryshuar) të shënohet si “kthesë historike” në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Do të shohim nëse do të flitet për “pajtim historik midis shqiptarëve dhe serbëve”, apo jo. Por që ky është qëllimi serb i vizitës Rama në Beograd, kjo u duk në një intervistë të ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili përsëriti tezën e tij të “bisedimeve Tiranë – Beograd për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Zhvillimi i ngjarjeve dhe shfrytëzimi i lojës së futbollit midis të dy kombëtareve më 14 tetor del kësisoj si një duel i parapërgatitur, me qëllim që në opinionin publik brenda dhe jashtë dy vendeve të përfshira të përforcohet ideja se “konflikti nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston midis Kosovës dhe Serbisë, por midis shqiptarëve dhe serbëve”. Ndaj dhe kjo shërben për të motivuar një bisedim qoftë dhe Kopf an Kopf (tet a tet – kokë më kokë) midis zotit Rama e zotit Vuçiç për dakordimin në parim për angazhim të të dy palëve për zgjidhjen e këtij konflikti, si dhe për përcaktimin e modaliteteve përkatëse. Rama ka shumë dëshirë që të marrë role të tilla me ambicjen “që të mbetet në histori”, por sinjale për këtë ka dhënë edhe interpretimi mediatik, sipas të cilit. “pas 70 vitesh për herë të parë e viziton Beogradin një kryeministër shqiptar”. Ndërkaq me një synim të tillë duket se ka ndodhur dhe ngërçi I mos funksionimit të institucioneve në Kosovë.
Nëse kryeministri shqiptar tenton të marrë përsipër këtë rol, atëherë ai do të zhbëjë gjithë investimin brendashqiptar e ndërkombëtar për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Nëse realizohet projekti i Tadiç, Vuçeviç e Daçiç për të tërhequr Tiranën zyrtare për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve që Prishtina ka me Beogradin, atëherë konflikti jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të krijohej një vatër e re krize në Ballkan, zjarri i së cilës mund të kontrollohet nga Moska, ndërsa tymi i kësaj vatre do të nxijë qiellin e Europës.. Kriza do të vijë për shkak se asnjë politikan në Kosovë nuk do të mbështeste përpjekjet e Tiranës në këtë drejtim, edhe nëse gjërat do të shkonin krejtësisht në favor të shqiptarëve.
Cila është kostoja e përfshirjes së zotit Rama në biseeimet direkte me Beogradin?
Megjithatë tërheqja e Tiranës zyrtare në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb do të kishte një kosto të pariparueshme për Kosovën. Në një rast të tillë Serbia, siç ka bërë historikisht në diplomacinë dhe politikën e saj, do të vinte në pazar territoret e Kosovës. Pra ajo llogarit në një marrëveshje, sipas të cilës palët bien dakord, që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, por me kushtin e rregullimit, saktësisht të ndryshimit të kufijve, pra shkëputjen e katër komunave në veri të Mitrovicës dhe bashkimin e tyre me Serbinë. Një kosto si kjo do të shtrojë dilemën, sipas së cilës: Pse shqiptarët e Kosovës u vranë, u masakruan, u dëbuan, u përdhunuan, u dogjën, u shkatërruan në themel, kur e kishin ndërmend të pranonin një një projekt, të cilin e kishte hartuar Dobrica Qosiç dhe do ta kishte nënshkruar Sllobodan Milosheviçi?! Udhëheqësit politikë të Serbisë ka kohë që lobojnë për një zgjidhje të tillë, të cilën mund t’ua mundësojë vetëm përfshirja e Tiranës zyrtare në bisedime të drejtpërdrejta.
Dyshimet se kjo do të ndodhë i përforcoi para dy ditësh këshilltari për politikat e rajonit i kryeministrit Rama, zoti Shkëlzen Maliqi. Ai tha se zoti Rama dhe zoti Vuçiç do të punojnë që në bisedimet dhe takimet midis tyre të përfshijnë dhe udhëheqësit e Kosovës, duke e justifikuar këtë me faktin se “lidhjet midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk mund të realizohen pa kaluar përmes Kosovës”. Prapa kësaj lëvizjeje nuk mund të mos shohësh se Rama dhe Vuçiç janë marrë vesh që në “aksionin e pajtimit” të tërheqin dhe miklojnë Prishtinën politike e zyrtare. Dhe që të bëhet kjo, duhej që të rritej kapitali politik dhe besueshmëria e zotit Rama te qytetarët e Kosovës, duke zhvilluar duelin e njohur që filloi më 14 nëntor dhe vazhdoi deri te telefonata midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç. Si prelud i kësaj lëvizjeje shërben gjithashtu shërbimi i emisioneve të shumta nacionaliste televizive, nga ato të Rudina Xhungës e Sokol Ballës e deri te ato të Blendi Fevziut dhe Ilva Tares.
Qarqet europiane dhe vetë aktorët e kësaj uverture e dijnë se marrëveshje të tilla mund t’i bëjnë vetëm liderë me imazhin pozitiv të nacionalistit. Si të tillë ata kanë zgjedhur në Serbi, presidentin Nikoliç, kryeministrin Vuçiç dhe minisrin e jashtëm Daçiç. Zgjodhën në Kosovë Hashim Thaçin. Por nuk mundën ta bindin për këtë ndërmarrje “nacionalisitin” e pandreqshëm, Sali Berisha. Zoti Rama, duke dashur të shënohet në histori, mbetet njeriu i vetëm që mund të bëjë kompromise, por që i duhej vënë kupertura e duhur nacionaliste. Për këtë duhej dërguar vëllai i tij në stadiumin e Beogradit dhe më pas të sulmohej si “nacionalist”, madje që “lufton për Shqipërinë e Madhe”. Ai flamur dhe ajo hartë e Shqipërisë etnike u vu virtualisht e meditiakisht në duart e Olsi Ramës, me qëllim që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e kudo tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë të “qetësohen”, se ata do t’i përfaqësojë në Beograd “njeriu i duhur”, i cili u dëshmua përmes vëllait të tij, si “armik” i Serbisë dhe “luftëtar” i devotshëm i “Shqipërisë së Madhe”. Momente të tilla kanë edhe kurbanët e vet. Në rastin në fjalë duhej sakrifikuar këshilltari kryesor i Ramës dhe Thaçit, i akuzuari si spiun i Serbisë, Baton Haxhiu.
Sindroma e ngërçit institutcional në Kosovë dhe interesi për këtë ngërç…
Ndërsa n Prishtinë Hashim Thaçi si autori kryesor i krizës institucionale në vend, por edhe liderët e tjerë kundërshtarë të tij, e ndihëmuan zotin Rama në këtë aksion “pajtimi” me Serbinë, pa menduar se kjo do t’u kushtojë humbjen e pasurive të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore të veriut të Kosovës. Ndoshta kjo panoramë do të kthjellohet më mirë për Isa Mustafën, Ramush haradinajn dhe Fatmir Limajn në kavët që vijnë. Dëmi që ata I kanë shkaktuar bashkë me Thaçin e vetëdijshëm në lojën e madhe mund të jetë katastrofal. E pikërisht për këtë arësye përgjegjësia që ata kanë për fatet e vendit është e jashtëzakonshme. Duket se vetëm presidentja Jahjaga ka mundur të transmetojë përgjegjësi reale për Kosovën, së paku në këto gjashtë muajt e fundit.
Nga faktet dhe argumentet që kanë dalë deri më tani në dritë mund të konkludojmë se shqetësimi kryesor i qeverisë së Tiranës është integrimi me çdo çmim në Bashkimin Europian, pra, edhe me çmimin e humbjes së sërishme të territoreve shqiptare. Kjo sindromë na përsëritet, për fat të keq, tash pas gati 70 viteve në të njëjtën formë si në vitin 1948, kur diktatori shqiptar u njësua me diktatorin sovjetik, Josif Stalin, edhe pse ky i fundit kishte rënë dakord për “gëlltitjen e Shqipërisë” nga ana e Jugosllavisë, (kupto të Serbisë). Kurse në rastin e sotëm Serbia, sipas planit të ish-presidentit Tadiç, është përgatitur mirë që të realizojë “gëlltitjen e një pjese të territorit shqiptar”, gjithnjë me mbështetjen e qarqeve antishqiptare dhe segmenteve të lodhura me konfliktet ballkanike në Europë si dhe me angazhimin e qeverisë shqiptare. Skenari është i gatshëm, modeli është i njëjtë, thjeshtë ndryshojnë aktorët në kuptimin e emrave, por jo edhe të pikëpamjeve, bindjeve dhe përkatësisë së atëhershme.
“Shqipëria e Madhe” vërtet është shpikje e Beogradit, ashtu siç ishte shpikje e tij droni me flamurin përkatës. Që Shqipëria dhe shqiptarët u dhanë me passion pas atij flamuri, pa e ditur se po çonin ujë në politikën serbe, edhe ky është një fakt, të cilin politika shqiptare as majtas e as djathtas nuk tentoi ta evitojë. Përkundrazi majtas pati mbështetje të plotë për shkak të promovimit të premierit në opinionin e brendshëm si “nacionalist”. Që Serbia shfrytëzon këto dobësi të palës shqiptare, për këtë nuk duhen dëshmi e prova, sepse tashmë jo vetëm ne, por gjithë bota është lodhur me truke të tilla. Dhe që vetë ne shqiptarët, qeveritarët tanë, politikanët tanë, ia krijojmë favore të tilla Serbisë, edhe ky fakt nuk ka nevojë për t’u vërtetuar. Por që ne të bëhemi pjesë e të nënshkruajmë dështimin tonë, duke ia mundësuar Beogradit të sotëm realizimin e projekteve të Serbisë së djeshme të Milosheviçit, kjo do të shënonte rekordin e nënshtrimit politik, moral dhe shoqëror të politikës dhe kryeministrit shqiptar para qeverisë serbe.
Kam dashur dhe dua që kjo paradigmë të mos jetë e vërtetë, të mos kishte indicia se do të ndodhte kështu. Por fatkeqësisht, Boris Tadiç dëshmoi sot se ka investuar dje për të arritur në këtë finish. Celebrimi i koalicionit Rama-Meta në Shkodër nga ana e tij nuk na shfaqet më thjesht si “bashkëpunim” midis të majtës europiane, por para së gjithash si pranim i opcioneve serbe për zgjidhjen e konfliktit me shqiptarët.