Shkruan: Studiuesi, Dr. Paulin Marku/
Historiografia jonë Kombëtare ka shumë figura të rëndësishme që luftuan dhe sakrifikuan në shërbim të çështjes shqiptare. Një nder figurat më të rëndësishme që ka rol të jashtëzakonshëm në mbrojtje të interesave dhe territoreve shqiptare është Ded Gjo Luli. Veprimtaria e tij është e gjerë, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë, i cili për disa dekada nuk e lëshoi pushkën nga dora në mbrojtje të identitetit kombëtar. Ne do të ndalemi në vitin 1911 të qëndresës së Malësorëve të Veriut, me protagonist Ded Gjo Lulin. Ai luftoi dhe pati përballje të vështira si luftëtar e udhëheqës i kryengritjes, kundër forcave të shumta ushtarake, të pajisura me armatime të bollshme e cilësore për kohën. Edhe pse Deda kishte shumë faktor kundër, si, mungesa në armatime, mospërkrahje nga diplomacitë e huaja për rebelimet luftarake të shqiptarëve, si dhe frika e një sulmi të mundshëm nga fqinjët ballkanik në dëm të tokave shqiptare, ai nuk e ndaloi revoltën ndaj autoriteteve osmane. Ded Gjo Luli kishte fituar mbështetje të madhe në Veri të Shqipërisë, falë veçorive të tij, si njeri i matur dhe i paanshëm në kuvende, trim dhe i pakompromentuar.
Gjatë hulumtimit nëpër dokumente e në literaturë të periudhës, rezulton se Ded Gjo Lulit iu ofruan vlera monetare, përfitime ekonomike dhe poste drejtuese. Ai ishte besnik dhe nuk bënte pazare në dëm të çështjes Kombëtare, ketë e karakterizon më së mirë shprehja e tij: “jam i bindur se s’do të bëj asnjë tradhti ndaj atdheut tim, hami dreq lirat turke se Shqipnin as se shes e as se fali kurrkujt”.
Një ndër rastet e sjella në vëmendje mund të citohet, kur Bedri pasha i ofronte bashkëpunim nëpërmjet një pagese të kosiderueshme, “merri këto të holla or Dedë se ke vërtet nevojë për to”, por përgjigjja e tij ishte e prerë “ti paç faqen e bardhë që ma qan hallin por Ded Gjo Luli nuk e shet lirinë e Shqipërisë jo për 2500 lira, por as për 500 mijë lira”. Pra, ky ishte një përshkrimi i shkurtër i një burri që s’shitej e s’blihej, në një kohë mjaft të vështirë politike e ekonomike.
Në këtë artikull do të ndalemi në vitin 1911, në veprimtarinë e malësorëve me në krye plakun guximtarë Ded Gjo Luli që kishte rreth 70 vite mbi supe, i cili organizoi shpërthimin e kryengritjes në Malësi të Mbishkodrës. Ata patën gjithashtu mbështetjen e disa intelektualëve shqiptarë si, Ismail Qemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikoll Ivanaj, Risto Siliqi, Arqipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, abat Prend Doçi… , në organizimin dhe vazhdimësinë e kryengritjes.
Po ashtu, atyre iu erdhën në përkrahje, si në pjesëmarrje dhe në ndihma të ndryshme edhe shqiptarët që jetonin në Mal të Zi. Referuar të dhënave të librit të Gjergj Nikprelaj atje gjendeshin rreth 7000 frymë të gatshëm për të luftuar përkrah bashkëkombësve.
Në dokumentet diplomatike italiane evidentohet se gjendja në viset shqiptare paraqitet e renduar, si në aspektin ekonomik ashtu dhe socialo-kulturor. Kjo pasi pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj qeverisë xhonturke ishin gjithnjë e në rritje. Po ashtu në dokumente evidentohet se shqiptarët po organizoheshin për rebelime kundër autoriteteve dhe konflikti është i pashmangshëm.
Porta e Lartë i ndiqte me kujdes të gjitha lëvizjet e krerëve shqiptarë dhe ishte e vetëdijshme për situatën e krijuar në sanxhakun e Shkodrës. Ajo shihte si zgjidhje të situatës ngritjen e një ekspedite ndëshkimore dhe ta dërgonte sa më parë. Më 17 prill 1911 në Stamboll ishte marrë vendim për shtypjen e çdo lëvizje anti-osmane dhe në krye të forcave ushtarake emërohet gjenerali Shefqet Turgut Pasha, i shoqëruar me 20 mijë forca ushtarake. Sapo zbarkuan në Veri të Shqipërisë, përpjekjet e para ishin për parandalimin e shtrirjes së lëvizjes në krahinat e tjera, kryesisht ndërprerja e bashkëpunimit të malësorëve me Kosovë dhe me Mirditën, si dhe përforcimi i kufirit me Malin e Zi që të parandalohej çdo ndihmë nga jashtë. Ndonëse përleshjet kishin filluar në pranverë, më 24 mars 1911 në zonat të ndryshme si, Grudë, Kelmend, Kastrat etj… , për të përshkallëzuar në viset të tjera shqiptare, Shefqet Turgut Pasha u përpoq ta shtyp atë sapo arriti në Malësi. Por malësorët, me në krye Dedë Gjo Luli, vijonin sulmet e tyre pa u ndalur dhe sulmuan pikat ushtarak për të marrë armë e municione dhe për t’i dëbuar nga zonat e tyre deri në fortifikatën kufitare të Rapshës. Me të drejtë Ismail Qemali do të shprehej, “Dedë Gjo Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.
Përballjet luftarake gjatë kësaj periudhe rezultojnë të ashpra dhe me humbje të mëdha nga të dyja palët. Shqiptarë arritën të marrin qytetësen e Tuzit me një sukses të jashtëzakonshëm që finalizohet me 6 prill 1911, kur ata ngritën flamurin Kombëtarë të Gjergj Kastriotit në majën të Bratilës së Deçiqit. Për nder të Dedës, trimat e Hotit e të Grudës i kishin ngjitur këngën, “Kush ka dal kaçak i parë, Ded Gjo Luli me Hot mbar”.
Tentativat e qeverisë për të ftuar malësorët në bisedime nuk munguan por me kushte e klauzola të reduktuara në dëmin e organizatorëve të lëvizjes. Kështu, më 9 maj 1911 qeveria nxori një qarkoreje me afat pesë ditorë vetëm për malësorët pjesëmarrës në kryengritje, i bënte thirrje të gjithë Malësisë të heqin dorë nga kryengritja dhe të dorëzojnë armët (ndërkohë nga kjo amnisti përjashtonte organizatoret e drejtuesit e kryengritjes).
Por Ded Gjo Luli, së bashku me krerë të tjerë dhe me miratimin e malësorëve kryengritës nuk iu bindën kërkesës së amnistisë dhe as pranuan proklamatën më të gjerë prej 12 pikash, të hartuar nga Porta e Lartë, më 11 maj 1911. Po atë ditë, më 11 maj u shpall rrethimi i Shkodrës me motiv që Perandoria duhet të sigurojë rendin e qetësinë publike dhe të ndëshkojë rebelët e pabindur ndaj Stambollit.
Krerët si, Ded Gjo’ Luli, Sokol Baci, Frano Pali, Mehmet Shpendi, Mirash Luca, Tom Nika, etj…, kundërshtuan kërkesat e Portës së Lartë dhe deklaronin se nuk heqin dorë nga kryengritja pa plotësuar kërkesat e tyre. Ata shkuan në Mal të Zi dhe u takuan me konsullin anglez në Cetinë, për t’i shprehur ankesat që kishin ndaj ekspeditës ndëshkimore për ndërhyrjet e dhunshme të Shefqet Turgut Pasha. Ata kundërshtonin dhunën ushtarake, ku sipas tyre po ushtrohej presion ndaj shqiptarëve në mënyrë të pajustifikueshme, e cila bëhej vetëm për të futur në zgjedhë shqiptarët, me shkatërrim e djegie banesash, prishje të kishave, djegie pyjesh dhe kullotash e çdo gjë që ata kishin deri në eliminimin fizik të tyre. Shqiptarët i kërkonin konsullit britanik që ai të shpërndante ankesat e tyre në diplomacitë e tjera, në mënyrë që ata të njihen me problemet që po përjetojnë shqiptarët.
Gjatë muajve maj-qershor trupat ushtarake shtoheshin në Veri të Shqipërisë çdo ditë e më me tepër, me synimin që kryengritja të shtypet sa më parë dhe ajo mos të shtrihet në krahinat tjera shqiptare. Edhe pse forcat ushtarake ishin në progres avancimi, krerët shqiptarë, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ded Gjo Luli, Sokol Baci, etj, vazhdonin të organizonin malësorët në kryengritje duke mos hequr dorë nga kryengritja pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Ndërkohë që lufta vijonte, krerë të Hotit, Grudës, Kastratit, Shkrelit, Kelmendit, Shoshit e Shalës u mblodhën me 12 qershor 1911 në Greçe të Malësisë së Madhe për të biseduar rreth qëndrimit që do të mbanin në vazhdimësi. Në kuvend përveç krerëve të Malësisë së Mbishkodrës u ftuan përfaqësues të krahinave të tjera shqiptare, ku morën pjesë figura të shquara si Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Risto Siliqi (shkodranë), Sali Hoxha (Hidri) nga (elbasani), Nikolla Lako nga (Korça) etj. Nga kuvendi i 23 qershorit 1911 në Greçe të Malësisë së Madhe u dakortësuan për një plan gjithëpërfshirës dhe me pikëpamje kombëtare. Ata miratuan dokumentin e rëndësishëm “Memorandumi i Greçes”, ose siç njihet edhe ndryshe “Libri i Kuq”. Memorandumi ishte gjithëpërfshirës dhe përbëhej prej 12 pikave, me program politik të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe përfaqësonte kërkesat e interesat e të gjithë shqiptarëve. Objektivi parësor ishte të arrinin të fitojnë autonominë kombëtare. Delegacioni shqiptarë i përfaqësuar nga: Luigj Gurakuqi, Ded Gjo Luli, Sokol Baci, Dodë Preçi, Preng Gjeto, etj… .nga një kopje të Memorandumit përfaqësuesve diplomatik të Fuqive të Mëdha të akredituar në Cetinë, ambasadorit të Stambollit në Mal të Zi, Sadredin beu dhe mbretit Nikolla të Malit të Zi.
Ky program u bë flamur i një kryengritje dhe i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane të hapnin bisedimet me kryengritësit malësorë dhe të bënin disa lëshime, të cilat i hapnin rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.
Me ndërmjetësimin edhe të Malit të Zi, qeveria xhonturke arriti të bëj disa lëshime si: amnisti për kryengritësit, lejoi armëmbajtjen, uli taksat, detyrimi ushtarak do të kryhej në Vilajetin e Shkodrës, lejoi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, gjithashtu u zotuan se do të angazhoheshin në rindërtimin e shtëpive që ishin prishur gjatë kryengritjes. Pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, ishte edhe kthimi i shqiptarëve në zonat e tyre.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 2 gusht 1911 në Podgoricë dhe zyrtarizimit me 4 gusht 1911, përfaqësuesi diplomatik osman Sadedin Beu i dorëzoi si garanci zbatimi, nga një kopje të marrëveshjes diplomacive të Fuqive të Mëdha dhe qeverisë malazeze.
Mbreti Nikolla, u bëri thirrje malësorëve të pranojnë dhe të respektojnë marrëveshjen dhe të lënë territorin malazez brenda afateve kohore të nënshkruar në marrëveshje.
Kështu, nisur nga data 5 gusht 1911 shqiptarët duhet të riktheheshin në shtëpitë e tyre, ku një pjesa e madhe gjendej në Mal të Zi dhe nëpër malësitë përreth. Ndërsa, Ded Gjo Luli nuk u pajtua me marrëveshjen e gushtit, e për më tepër as me ofertat joshëse. Ai pohonte publikisht se “Ded Gjo Luli nuk kthehet në atdhe pa u arritur autonomia e Shqipërisë”.
Ded Gjo Luli nuk kishte luftuar për lavdi, as për pasuri por për interesa Kombëtare. Heronjtë jetojnë përjetësisht, sepse e atillë është vepra e tyre.
Le të jetë ky shkrim, një zë i thjeshtë dhe i pastër, si një detyrë morale e njerëzore për atë Burrë të Madh të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit” i pakomromentuar, e me ndjenja të thella atdhedashurie në mbrojtje të trojeve shqiptare.