- -Sot Prof. Dr. Rifat Latifi gjatë vizitës në Vatër u anëtarësua në Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhe dhuroi $1,000.00(Një mijë dollarë)
Nga Sokol PAJA/
Dr. Rifat Latifi , kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New York, Shkolla e Mjeksisë dhe Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester në Valhalla, New York vizitoi Federaten Panshqiptare të Amerikës VATRA. Në takimin vëllazëror Dr. Rifat Latifi Shefi i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester dhe anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS), Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS) dhe të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha dhe përfaqësia më e lartë e kryesisë së Vatrës si nënkryetari Besim Malota, Anëtari i Kryesisë Anton Raja e Mark Mrnaçaj, Arkëtari Marjan Cubi dhe gazetari i Diellit Sokol Paja.
Në takimin mikëpritës vëllazëror kryetari Elmi Berisha deklaroi: “Mirësevjen në Vatër Prof. Rifat Latifi.Për mua personalisht, për Vatrën dhe çdo vatran është një ditë shumë e gëzuar teksa në mesin tonë kemi një mjek, një patriot, një shqiptar dhe një profesor të mirënjohur në nivel ndërkombëtar. I dashur Profesor Latifi, ju jeni figurë e jashtëzakonshme që na bën krenarë të gjithëve, jeni një profesionist i shkëlqyer dhe një njeri me zemër të madhe që shërben me përkushtim duke dhënë kontributin tuaj të vyer dhe të pakushtëzuar në ndihmë të njerëzve e bashkepatrioteve shqiptarë. Sukseset tuaja për ne janë një motivim i madh. Dr. Rifat Latifi si Kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Westchester në Valhalla, New York, si autor ose bashkëautor i më shumë se 330 artikujve dhe kapituj librash dhe autor / redaktues i 20 librave, arritje këto që na bëjnë të ndjehemi krenarë dhe të përulemi para kontributit e vepres suaj të jashtëzakonshme shkencore.
Prof.Latifi shërben në bordet editoriale të shumë revistave ndërkombëtare. Prof. Latifi është anëtar i një numri të organizatave të shumta kirurgjikale shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi kaq shumë për të thënë për këtë mjeshtër duarartë në kirurgji, për këtë profesionist shembull të lartë për kirurgët e rinj, një shembull i njeriut human dhe punëtor, i palodhur dhe që na bën krenar anembanë botës.
Mirësevjen në Vatër profesor, në këtë shtëpi të madhe të të gjithë shqiptarëve” përfundoi kryetari i Vatrës Elmi Berisha në fjalën mikëpritëse. Dr. Rifat Latifi u shpreh shumë i lumtur për pritjen në Vatër dhe theksoi se të gjitha kapacitetet e tij dhe mundësitë e tij do i vërë në shërbim të Vatrës në të ardhmen. Prof.Latifi ndër të tjera theksoi: “Jam shumë i gëzuar që jam sot në mesin tuaj. U gëzova shumë kur erdha dhe e gjeta derën e Vatrës të hapur. Kjo derë duhet të qëndrojë e hapur përgjthmonë për secilin prej nesh që të kontribuojmë me aq sa mundemi. Unë kam qenë pjesë e Vatrës që kur kam qenë në specializim në Yale University në vitet 90. Përveç gëzimit që përjetoja në sallat kur operacionet dilnin me sukses, gëzimi dhe kënaqësia e dytë ishte kur vija në Vatër. Edhe pse kam shetit shumë shtete të botës dhe Amerikës, kurrë Vatrën nuk e kam hequr nga zemra e mendja ime. Lidhja me Vatrën është një lidhje me atdheun, me tokën tonë, kjo lidhje e shënjtë duhet të adaptohet dhe të respektohet prej të gjithëve neve sa jemi e kudo që jemi. U jam mirënjohës për ftesën z.kryetar, por ju nuk duhet të na ftoni, ne duhet të vijmë vetë këtu. Se kjo është toka jonë, kjo është Shqipëria jonë, Kosova jonë, struktura jonë, krejt jeta jonë. Para 20 vitesh ne filluam implementimin në Kosovë të telemjeksisë e teleshëndetësisë. Ishte një hap gjigand për kohën, ndërsa sot krejt bota e ka adaptuar atë sistem. Sot Shqipëria ka 47 qendra të telemjeksisë ndërsa Kosova ka vetëm 9 qëndra. Ne e kemi pasur si vizion që tash 20 vjet. Ne sapo kemi themelu Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Kemi lidh besë për me e ndërru faqen e mjeksisë shqiptare. Ne duhet të ndihmojmë sa më shumë shtetin tonë e kombin shqiptar. Nëse para 30 vitesh do më thonte dikush se do ishe pjesë e një tavoline, e një zyre, e një organizate ku ka kontribu Noli e Konica do më dukej si një ëndërr e largët. Të jesh sot në Vatër është nder dhe krenari. Sot përbetohem se krejt energjinë time fizike, kapacitetin tim shkencor e intelektual kam për t’ia dedikuar kauzës me të cilën Vatra jeton tash e më shumë se një shekull” përmbylli fjalimin e tij Dr. Rifat Latifi. Në përmbyllje të takimit vëllazëror, Prof Latifi u anëtarësua në Vatër dhe u deklaroi kryetarit dhe vatranëve se do të jetë kurdoherë në shërbim të vatrës e axhendës patriotike e diplomatike që ka Vatra ka në dobi të çështjes kombëtare.