• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUHET KOLË BERISHA, VEPRIMTAR I LIRISË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

August 29, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha/

-Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi/

-Gazeta DIELLI me këtë rast sjell intervistën ekskluzive meKryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, para 15 viteve, të 6 Prill 2006, të korrespondentit nga Kosova atëherë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JashariPRISHTINË, 29 Gusht 2021/ Është shuar sot në moshën 73 vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, veprimtar shumë vite drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka drejtuar një letegram ngushëllimi familjes, miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia  kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.

Në telegram thuhet se vepra e z.Berisha ishte shumëdimensionale. “Mësues  i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, thuhet në fund të telegramit të Presidentes Osmani, bën të ditur njofimi i dërguar nga Presidanca.

Ndërsa, në njoftimin e dërgar nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëhet e ditur:

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi: 

“E nderuara familje Berisha, 

Mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën. 

Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci. 

Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë. 

Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. 

Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi. 

Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha. 

Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta.” 

Gazeta DIELLI me këtë rast sjell intervistën ekskluzive meKryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, para 15 viteve, të 6 Prill 2006, të Behlul Jasharit – korrespondentit nga Kosova atëherë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), tani i Gazetës DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës  VATRA:

KOLË BERISHA: KOSOVA DO JETË SHTET I QYTETARËVE TË BARABARTË
– Kryetari i Kuvendit të Kosovës flet ekskluzivisht për ATSH-në, para vizitës në Shqipëri

PRISHTINË, 6 Prill /ATSH/ – “Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë. Ajo e ka lënë pas të kaluarën dhe tashmë po sheh drejt së ardhmes”. Kështu deklaroi sot (e Enjte) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në një intervistë dhënë korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Prishtinë, Behlul Jashari, para vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri. “Është nder për mua të vizitoj këtë pjesë të atdheut, në vizitën time të parë si kryeparlamentar i Kosovës”, u shpreh ai, duke garantuar bashkëpunim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mes Kosovës dhe vendeve të tjera. Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se “autoritetet do të garantojnë respektimin e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe se Kosova do të jetë vendi i të gjithë qytetarëve të saj”.

Z. Berisha, është paralajmëruar për këtë javë vizita juaj në Shqipëri. Cila është axhenda e kësaj vizite dhe si e vlerësoni të tashmen dhe të ardhmen e bashkëpunimit midis Kosovës e Shqipërisë?


Eshtë e vërtetë se pas vizitës përuruese së shefit të Zyrës së Ndërlidhjes së Shqipërisë në Kosovë, z. Bujar Muharremi, para gazetarëve premtova se vizita ime e parë që do të bëj jashtë Kosovës, si Kryetar i Kuvendit, do të jetë vizita që do t’i bëj pjesës tjetër të atdheut – Shqipërisë. Gjithmonë jam udhëhequr nga një parim: nga e afërmja – më pas e largëta. Dhe, është nder për mua që së pari ta vizitoj këtë pjesë të atdheut, e pastaj, nëse më jepet rasti, të vizitoj edhe vendet e tjera. Këto ditë, shumë personalitete të huaja që më kanë vizituar, më kanë ofruar mundësinë për t’i vizituar vendet e tyre. Unë falënderoj nga zemra Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj.Jozefina Topalli për ftesën që më bëri. Kemi vendosur të shkojmë si Kryesi e Kuvendit. Do ta kemi një itinerar të ngjeshur, sepse pretendojmë të takohemi me të gjitha strukturat udhëheqëse të nivelit më të lartë të Shqipërisë. Mendoj se kjo vizitë jona do të pasohet me kontakte të tjera më të shpeshta për një bashkëpunim shumë më të mirë ndërmjet institucioneve tona.


Kosova, me negociatat që zhvillohen në Vjenë, ka hyrë në finalen e procesit historik të vendosjes dhe të njohjes ndërkombëtare të statusit. Shumica absolute e kosovarëve, institucionet dhe subjektet politike, si të vetmen zgjidhje shohin realizimin e vullnetit politik e demokratik për pavarësi. Ju, edhe si kryeparlamentar edhe si anëtar i delegacionit të Kosovës për statusin, si e vlerësoni zhvillimin e negociatave dhe çfarë prisni si rezultat?


Ne ishim të vetëdijshëm që në fillim se me Serbinë është vështirë të bisedohet. Këtë përvojë të hidhur e kemi që nga dekada e fundit e shekullit të kaluar. Por, siç deklaroi një herë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, pasi bashkësia ndërkombëtare kërkon të ndiqet kjo rrugë, “po e provojmë edhe këtë biznes”. Ai, jo rastësisht, kërkonte një njohje formale për pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara. Ajo mendon se ende është në Rambuje. Si do që të jetë, pavarësisht bllokadave, këtij procesi do t’i vijë fundi. Tashmë nuk bëhet fjalë nëse do të jetë Kosova e pavarur apo jo, por po negociohet për një siguri më të madhe për serbët e Kosovës.


Në një periudhë shumë të gjatë të sistemeve të kaluara, shqiptarët në Kosovë, edhe pse shumicë, trajtoheshin si minoritet-kombësi, ndërsa serbët, edhe pse pakicë, janë trajtuar si komb. Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve, të serbëve dhe të komuniteteve të tjera në Kosovën e pavarur?


Në një Kosovë të pavarur, e ardhmja e cilitdo popull, qoftë ai pakicë apo shumicë, do të jetë shumë më e mirë. Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë, i të gjithë atyre që do të dëshirojnë të jetojnë këtu. Kosova po ndahet nga e kaluara. Atë do ta lërë në muze. Ajo do t’i kthehet të ardhmes.


Disa qarqe propagandojnë frikën e një pjese të qytetarëve të Kosovës, serbëve, nga pavarësia e Kosovës. A ka vend për një frikë të tillë?

Kanë arsye të frikësohen vetëm kriminelët, ata të cilët kanë kryer krime. Të tjerët nuk kanë përse të frikësohen.


Të rikthehemi edhe një herë te bashkëpunimi rajonal i Kosovës. Si është dhe si do të jetë në të ardhmen bashkëpunimi edhe me vendet e tjera të rajonit, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, etj?


Kosova do të krijojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit e më gjerë, pra edhe me Serbinë. Në Ballkan, të gjithë popujt janë të vegjël. Edhe vetë Ballkani është i tillë. Ne na duhet një treg më i gjerë, na duhet qarkullimi i lirë i njerëzve, i mallrave dhe i ideve. Duhet t’i lëmë hasmëritë. Duhet të ndjekim shembullin e Gjermanisë.


Si e shihni të ardhmen e të gjitha këtyre vendeve të rajonit, të shqiptarëve si komb dhe të popujve të tjerë, në integrimet euroatlantike?

Vetëm si të barabartë mund të integrohemi në familjen e madhe evropiane dhe euroatlantike. Kosova e di se rrugë tjetër nuk ka.
/lira/s.s./

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dr Rugova, KOLË BERISHA

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT