• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DREKË E PAHARUESHME

February 2, 2021 by dgreca

Tregim nga JULIA GJIKA/Kanë kaluar më shumë se njëzete e pesë vjet nga dita kur e pashë për herë të parë një mik të largët dhe më ndodhi një ngjajre që nuk e harroj dot. Ishte një ditë e veçantë për të gjithë ne të shtëpisë. Në apartamentin tonë, do të drekonin katër të huaj. Tre Profesorë (S. F., A. V. e S. M.) ishin nga pjesa jonë që kishte mbetur jashtë kufijve padrejtesisht dhe ne akoma vijonim t’i quanim ‘të huaj’ në atdheun e tyre. Kurse i katërti (Dr. R. E) ishe albanolog kanadez që jetonte në Gjermani. Ky kishte mësuar dhe fliste shqip më mirë se ne.

         Im shoq, si zakonisht kur takonte miq të rrallë, më telefonoi dy orë pasi ish larguar për në punë. Nuk ishte hera e parë që e bënte këtë, por kësaj radhe miqtë ishin të një rëndësie të veçantë, kështu që u mërzita ca dhe i thashë:

         –Po tani më lajmëron, kur do t’i bëj gjith’ ato që duhen? Ai ma preu shkurt: Sajo me ato që ke nëfrigorifer,  dhe e mbylli telefonin. Regjimi kish ndryshuar dhe nuk ishim si në kohën e tallonave, por prapë rrogat ishin rrogëza në krahasim me çmimet që rriteshin me shpejtësi, ndaj rronim me kursim të madh.

         Më duhej të vrisja veten, kisha vetëm tri-katër orë në dispozicion. E para të tundja e të shkundja atë apartament me një dhomë e kuzhinë, e dyta të fshija e të laja deri në fund shkallët, ku do të vinin këmbët miqtë dhe e treta, të pastroja oborrin para shtëpisë, se komshinjtë tani në demokraci kishin krijuar një rregull të ri: hidhnin plehrat, kocka mishi, letra, qese, lëkurë frutash etj. Ne të katit të dytë dhe atyre të katit të parë na binte radha më shumë për të pastruar, sepse ata të kateve të sipërm kishin hequr dorë nga pastrimet. Kish ardhur kohë tjetër, nuk dilnin më si më parë për punë vullnetare. Sidomos ish-komunistët,  më parë na detyronin të delnim për pastrim vullnetar, tani nuk kurseheshin të hidhnin plehrat në oborrin e përbashkët. Deshin të thoshin: Deshët demokraci, na gëzojeni me gjithë plehra!

         Fëmijët kishin shkuar në shkollë, ime vjehërr shfletonte një libër me ilustrime nga jeta e Krishtit, që na kishte ardhur ato ditë. Të paktën kjo ri urtë dhe nuk më bezdis –thashë dhe ia fillova betejës.

         I zbrita e i ngjita shkallët pa numurim, kushedi sa herë, krojta e pastrova shkallët dhe shtëpinë qoshe më qoshe, pastaj vura dushin me vajguri, bëra banjë dhe iu futa gatimit. Kur gatuaj dua te jem e larë nga flokët deri te thonjtë e këmbëve. Shtrova tavolinën me gjithë takemet. Ime vjehërr herëpashere ngrinte kokën. Për të më dhënë kurrajë, duke më parë drejt në sy, më tha nja dy herë:

         – Lum ti që mban derën hapur, sidomos për të huajt, se dhe fjala e Zotit thotë, ata që presin të huaj janë të bekuar. Zoti ta bën mbarë me të gjitha.

         Ndoshta ajo donte që të rija me të për t’u çlodhur e të më tregonte diçka nga ato figurat, por ora fluturonte dhe miqtë më dukej sikur ishin prapa derës. I dhashë një banane, nga ato që i ruanim vetëm për të dhe dy fëmijët tanë të vegjël. Plaku është si fëmija… E lashë në kënaqesinë e asaj frute të ëmbël e të butë që e kafshonte me lezet.

         Në atë kohë, kur të vinte njeri për drekë, gratë shqiptare trembeshin, sepse ishte ende kohë skamjeje. Amvisat donin të nderoheshin kur prisnin miq, por në ato kushte, ato e dinin ç’ hiqnin.

         Si të mësuar që ishim me varferinë, i prisnim miqtë, si thoshte fjala popullore, me bukë e kripë e zemër, duke shtrënguar barkun për mikun. Mbanim për miqtë dhe jatakun me jorgan çarcafë, jastëkë, peshqirë për ta, që ta kishim syrin hapur në çdo kohë. Kështu na kishin mësuar, kështu i bënim ballë çdo të papriture që mund të na vinte.

         Kur ra zilja e derës, dola të uroja mirëseardhjen. I pari u shfaq im shoq me një shikim disi pyetës, por kur i ra era e gjellës dhe lakrorit, qeshi. Pas tij hynë miqtë, të cilët m’i prezantoi. Kanadezi ishte i fundit, i qeshur. Hynë në kuzhinën tonë, që e kishim adaptuar në dhomë ngrenie gjatë ditës dhe dhomë gjumi gjatë natës për dy vogëlushët dhe gjyshen e tyre, e cila flinte në aneksin e vogël. Kurse kuzhinë gatimi kishim bërë ballkonin që e kishim mbyllur me xhama. Pa e zgjatur, im shoq pasi ua prezantoi miqve nënën dhe fëmijët, i ftoi këta të uleshin rreth tryezës së shtruar me mbulesën e bardhë e takëmet e servirjes. U hodha supën, pas saj gjellën e lakrorin. Miku i largët tha:

         –Të gjitha që kishit në shtëpi i paska nxjerrë në tavolinë Zonja e shtëpisë. Mua m’u bë qejfi që atij i ra në sy kjo gjë dhe fillova të sillesha si fugë sa në ballkon, sa përpara miqve, për t’i kënaqur sa më mirë. Ishin miq që vinin për herë të parë.

Bisedën e mbante im shoq dhe Prof. A. V. nganjëhere ndërhynte dhe ime vjehrrë. Në një moment unë, thashë shpejt e shpejt:

         –Gjërat sikur u bënë vetë sot. Miqtë e kanë këmbën e mbarë.

Të gjithë e përcollën thënien time me të qeshura të gëzuara. Sipas zakonit u ngritën gotat dhe u bënë urimet e rastit. U ngrit dhe një dolli për Gjuhën e Përbashkët Letrare Shqipe. Për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare kishin ardhur profesorët nga Kosova, sepse disa intelektualë po kërkonin zëvendësimin e saj me një gjuhë të re të përbashkët letrare me bazë gegërishten…

         Ime vjehërr herë pas here u afronte sepetkën me bukë duke thënë:

– Merrni bukë, buka forcon zemrën.

         Unë i bëja me shenjë duke i treguar pjatancën me byrek me spinaq, po ajo s’donte të dinte për këtë. Buka është bukë, floriri i fushës, më kishte thënë shpesh herë me këmbëngulje, po kësaj radhe nuk e tha me zë.

         R. E. ishte në fund të tavolinës, dëgjonte dhe aprovonte ato që thuehshin me një buzëqeshje karakteristike të një njeriu të kulturuar.

         Me ç’ pashë dreka u shijoi këtë e trgonin pjatat e boshatisura. Fillova t’i mbledh me kujdes, për t’i hapur vend ëmbelirës dhe frutave.

         M’u shqyen sytë kur në anë të pjatës së R. E. pashë një qime të shkurtër, që më dha një dridhje në tërë trupin. Sa nuk me ra pika, si i thonë fjalës. M’u prenë krahët, m’u prenë këmbët, m’u kyç goja. Të gjitha që kisha bërë, u zhvlerësuan para meje. E ndjeva që u skuqa, isha gati të këputesha e të bija në këmbët e miqve. Hapu dhe të futem, thashë me vehte. Po djersija nga sikleti, e mora shpejt atë pjatë, e bashkova me të tjerat dhe hyra në ballkon, sikur të gjeja shpëtim, të merrja pak frymë…

         Miqtë filluan të shijonin ëmbëlsirën, frutat. Qeshnin, tregonin historira, kurse unë s’isha më midis tyre. Më kishin bombarduar njëqind pyetje që më godisnin si çekan në kokë. Si? Pse? Ku u gjet në pjatën e tij? E ka parë? Nuk e ka parë? E ka hequr mënjanë pa e bërë vehten, që të mos më vinte në pozitë, apo të më tregojë, ja e gjeta, ta kam lënë ta shikosh edhe ti atë që e pashë unë. Ishte nga koka ime, s’ishte nga koka ime, ndoshta ishte nga koka e tij. Ai ishe pak tullac qimja ishte e shkurtër, unë i kisha flokët e gjatë. Qindra pyetje torturuese.

         Kur mbaruan, të kënaqur më falenderuan shumë herë, uruan me gjithë zemër gjithë familjen tonë për mikpritjen. Kur u ngritën për të dalë, më dhamë dorën me ngrohtësi dhe më falenderuan personalisht me respekt të dallueshëm qartë.

         Unë nuk isha ndëmend dhe nuk reagova, hetoja fytyrat e tyre, në se e kishin parë qimen e shkurtër apo jo. Asnjëri nuk dha ndonjë shenjë. Pas largimit të miqve e bashkëshortit mbeta me time vjehrrë. Im shoq do t’i shoqeronte gjithë mbasditen. Kështu gjeta kohë te plasesha në divan, enët i lashë t’i laja më vonë, kur të vinte uji. Ime vjehrrë m’u afrua :

         – U lodhe moj nuse, po ama u nderove, ata lepinë gishtat.

         – Jo, i thashë, kam frikë se nuk u nderova. -Ajo shqeu sytë.

         – Ç’ thua, i ke mentë? – ma priti

  • Në pjatën e atij të huajit gjeta nje qime. Lotët më ranë pa i kontrolluar.

         – E ke nga lodhja moj bijë, ai e fshiu pjatën më shumë nga shokët, – ma preu ajo shpejt, – as që e ka parë, po edhe në e ka vënë re, bravo i qoftë që nuk e bëri vehten, qenka njeri i lartë. Po nuk besoj se e ka parë, sepse po ta kishte parë do ta kishte hequr me lezet e nuk do të kishte lënë aty.

         Qysh nga ajo drekë, në apartamentin tonë të vogël me një dhomë sa një furik, e një kuzhinë, janë shtruar disa gostira për mysafirë nga brenda e jashtë vendit. Por, sa here mlidhja pjatat e boshatisura, ajo qime më dilte para syve e me pyeste: imja, jotja?

 Edhe sot, pas 25 vjetësh, nuk e kam të qartë e më mundon nëse qimja, ishte e imja apo e mikut?

         Sa shumë do doja të kem një përgjigje, po miky ynë u largua nga jeta dy muaj më parë…

         Nentor 2017.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DREKË E PAHARUESHME, Julia Gjika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT