Nga Agron Shele/
Shpesh herë bota e artit të shkruar vjen si pasqyrim i përthyerjes së realiteteve ose si shtjellim i imazheve dhe fiksioneve që krijon vetë autori, për të segmentuar kohezionin përjetues, ose për të ndjekur një qëllim të mirëpërcaktuar. Herë të tjera ndodh që, krejt natyrshëm, të gjejë shprehi edhe lirshmëria e shpirtit që mundëson shfaqjen e pikturave të gjalla dhe plot ngjyrime të vetë jetës, ashtu siç është, me të gjitha të mirat e të metat që e përbëjnë, gjithmonë në funksion të një komunikimi të shumëfishtë me lexuesin, duke filluar nga ai i gradës së parë, i thjeshtë dhe i sinqertë deri te ai më i thellë e më i rëndësishëm, që përfshin një spektër te ndjeshëm vlerash etike, morale dhe shoqërore. Në këtë kontekst, larg çdo modeli apo forme të imponuar, vjen edhe proza e shkrimtares Drita Lushi, e cila nëpërmjet fabulës që sjell, zgjedhjeve dhe zgjidhjeve të shkathëta, plot dinamizëm dhe larmi karakteresh, ristrukturon dhe rikrijon jo vetëm anën thelbësore të formave narrative por dhe stilistikën e veçantë (si prozë-poetike), stil ky që e paraqet dhe e projekton si një zë autentik në letërsinë bashkëkohore. Gjatë leximit të librit zhytesh me interes të veçantë në shtjellën e rrëfimit elokuent dhe të përmbajtjes si mesazh artistik që të rrëmbejnë pa kuptuar dhe të çorientojnë nën ritmin e baticave dhe zbaticave të prognozës së jetës duke u dhënë përparësi vlerave dhe cilësive njerezore e, në mënyrë të veçantë, humanitetit që duhet të manifestojë njeriu si qenie e civilizuar. Tematika e veprës qendërzohet tek e përditëshmja e jetës shqiptare ndërsa ashtu e stukturuar dhe ravijëzuar drejt një boshti unik sjell një panoramë të zgjeruar të saj: kontrastin bardhë – e zi (VALS ME TË BARDHA), ovacionin e prekjes nga afër të ëndrrës shqiptare “viti- 1969” për gjakovarët dhe mbarë kosovarët (GJERDANI MË I BUKUR), vlerën e familjes ( Sekreti), plagën e gjakmarrjes (ADHURIMI), plagën e emigracionit (SHI. . .), njeriun e lënë në harresë (LOT BURRI ) dhe sigurisht nuk mund të lërë pa trajtuar temën e dashurisë, e cila nuk vjen me nota të theksuara rozë, por si shprehje e ndjenjësisë dhe dlirësisë më të bardhë njerëzore (SHTATË DITË, VENDIM I VËSHTIRË), etj. Vlen të theksohet mënyra e ndryshme e trajtimit të fenomenit, i cili nuk paraqitet si një formë shtjellimi në kohë apo hapësirë të caktuar, por si një ngjarje që lëviz drejt konturesh të mirëpërcaktuara, nëpërmjet një lloj analitike të mprehtë që bëhet njekohesisht pjesë e rrugëzgjidhjes së problematikës së vërtetë. Sintetizimi i elementeve filozofike e psikologjike ndeshet në mbarë tregimet e saj, tregues ky jo vetëm i përqasjes metafizike, i njohjes së botëkuptimit dhe mendësisë së avancuar, por edhe i pjekurisë artistike. Të gjitha këto kanë mundësuar përftimin e një vepre sa të qëndrueshme po aq edhe koherente për kohën në të cilën jetojmë. Percepetimi i realitit grishtës nëpërmjet syve dhe botës femërore, sigurisht që sjell si rezultat një vepër më të ndjeshme, më të prekshme dhe shumë më të kuptimshme për vlerat dhe mesazhin që përcjell. Veç të tjerash, e gjithë kjo prurje e veshur me figurshmërinë e duhur që rrjedh edhe nga vetë poetika e kësaj shkrimtareje, e bën karakterin e saj tregimtar shumë më tërheqës dhe befasues për mbarë lexuesit. Për të paraqitur një konfiguracion më të detajuar le të ndalemi te disa tregime:
“VALS ME TË BARDHA” është tregimi i parë që hap librin “DASHURIA ÇEL NË PRILL”. Që në fillim citohet se ky tregim i kushtohet babait të saj “ -Tim eti-“ dhe sigurisht mendimi më i parë të çon tek gjykimi dhe shqyrtimi i elementëve autobiografikë. Leximi i tregimit e humbet shpejt idenë parësore dhe të bën të kuptosh se aty nuk flitet më për një personazh familjar “babai”, por për një rast tipizimi të realitetit të gjallë, i cili ringrihet nga përvuajtja e vet, duke përbërë dhe kontrastin më të madh të jetës së tij, për t’u bërë vazhdues i traditës së mirë të krijuar te familja shqiptare nëpër vite.
“ E veshur me të bardha , nisëm të kërcenim së bashku valsin e hapjes.
Ka qenë kërcimi më i bukur që kam bërë në jetën time.
Shikonim njëri tjetrin të heshtur . . . . Të heshtur . . . . . .”
Ky tregim behet bartës i disa elementeve të veçantë të traditës shqiptare:
-Karakteri i shqiptarit (duke e ditur që po vdiste, shpejtoi ditën e dasmës së vajzës dhe e nxori nusen nga dera e shtëpisë me të bardha).
-Shenjtërimi i familjes (shprehishmëri e qartë e gjithë zanafillës së jetës në shërbim të qelizës bazë, familjes)
-Vazhdueshmëria, si kuptim i vetë ekzistencës dhe përsosjes.
-Koncepti i vdekjes si përjetim i tragjikës shqiptare.
“ADHURIMI ” është një tjetër tregim, i cili e merr tematikën nga “gjakmarrja”, plagë e dhimbshme dhe aktuale, që po rrëmben përditë jetë të pafajshme dhe ka ngujuar qindra familje shqiptare. Një fenomen i tillë, që përbën edhe problematikën më të mprehtë shoqërore sot, nuk mund të anashkalohet apo ti shpëtojë penës së autores, por me objeksion, përgjegjësi intelektuale dhe si pjesë e frymës angazhuar për zgjidhje të menjëhershme, jep tablonë e kësaj drame, pasojën e shkaktuar dhe rrugën e duhur për të arritur deri te falja, si veprim sa kurajoz ashtu edhe fisnik.
Deri ku shkon thelbi i shpirtit të një njeriu, dlirësia dhe ana humane e tij, këtë e deshifron tregimi “LOT BURRI”. Si autore e përjetimit të thellë dhe ndjesive të mëdha, Drita depërton deri edhe në skutat më të thella të errësirës së jetës, madje edhe te cepi i trotuarit që është bërë vend dhe prehje për lypsarin e gjorë, duke mallkuar hapur ndaj padrejtësisë shoqërore për këtë kategori njerëzore, e cila ndihet sa e pambrojtur, po aq edhe e braktisur. Ajo nuk kërkon të paraqesë thjeshtë një tablo gri nga gjithë ky mjedis njerëzor, por të tërheqë vëmëndjen dhe, për më tepër, të ndikojë sa të mundet për integrimin e tyre në shoqëri.
Dashuria pushton një hapësirë të gjerë në prozë duke u shfaqur herë si ndjenjë e hollë, herë si dlirësi e pafajësi nën forcën estetike dhe artistike të penelatave sa ngjyruese po aq edhe detratuese.
“SHTATË DITË” janë si shtatë qiejt hapësinorë të gjithësisë së asaj bote që përmbushet nga dritat farfuritëse dhe kuptimi i ëndrrës më të bukur e cila, e ravijëzuar ashtu thjeshtë, plot pasion dhe emocion, nëpër fletët e ditarit të shpirtit, përshkruan fuqinë dhe peshën e pamasë të vetë dashurisë.
“Kjo faqe ditari nuk është si të tjerat.
Sepse malli, ndjenjat, emocionet, përqafimet, dhe padurimi im është aq i madh, sa mezi pres çastin që sytë do takohen në një pikë dashurie.
A mund të shkruhen të gjitha këto?
Të pres si asnjëherë tjetër. . .”
… dhe vërtet. Nuk është si të tjerat. Nuk ngjan me askënd. Është ndjesia njerëzore, që diku ngre krye e bëhet shpërthyese e diku tjetër përhumb mallit dhe çasteve të pritjes, por pa kapërcyer asnjëherë kufirin e përtejmoralit duke mbetur kështu përherë e pastër dhe e magjishme.
E gjithë kjo risi krijuese ngjan me një mozaik ngjyrash, ku çdo penelatë ka bukurinë dhe kuptimin e vet edhe ashtu e shtrirë në telajon e madhe te jetës, duke mundësuar perceptimin e krijimtarisë dhe intuitës së autores Lushi e cila, me një elegancë dhe elokuencë të natyrshme, ka ditur t’i përjetësojë në veprën e vet.
Libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL“ është mjaft kompleks dhe me diapazon shumë të gjerë, jo vetëm për format, stilistikën dhe strukturën që krijon, por edhe për trajtimin e problematikës dhe realitetin shoqëror që përçon, për idetë dhe thjeshtësinë e mendimit që shpreh dhe, si i tillë, të jep përshtypjen se do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit.
Ne Foto:Drita Lushi
DRITA LUSHI SJELL “SIFONINE E YJEVE” NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
DRITA LUSHI/
Simfonia e yjeve/Cikël poetik/
Ta dish…/
Mbrëmjeve,/
se ç’më përshpërit ca fjalë magjike,/
e me yjet, shpesh bën edhe ujdi,/
qetsisht më bën që të besoj,/
se mi këndojnë ata ninullat , dhe jo ti./
Mëngjeseve,
kur endé gjumi si pushtues mbi sy më rri,
Vjen më lë mbi supe, ca puthje prilli
e ikën, bën si i paditur,
hutueshëm më thua: “ti paska lënë dielli”
Ta dish,
po të betohem, që ndonjë natë,
s’do flé nga fjalë, as nga ninulla,
tërë natën zgjuar do të rrija,
veç sytë si shejtankë, kot do ti mbyllja.
Hah…
E qepallat, rrufeshëm një çast do t’i hap,
Kur lehtë të më qasesh ti me hapa fryme.
e s’ke ku shkon pastaj, s’ka lojra më,
rob do të ngelesh brenda tyre.
2014
Adresa ime
Adresa ime këmbësore janë hapat e mij të përditshëm!
Adresa e tyre është: punë, shtëpi dhe anasjelltas;
ndonjë çaj kamomili (pa sheqer) pasditeve në qytet,
ose taksitë dhe rrugët, që bëj me to në kryeqytet
atje, ku vizatohet jeta ime e thjeshtë.
Adresat e mia janë te pakta, gjenden lehtë
aq sa, dhe symbyllur të vish drejt meje, mund të më gjesh;
ndonjë poezi “çast” e shkruar shpejt e shpejt,
një takim me mësuesen e vajzës në orën pesë;
ndonjë blerje në supermarket,
dhe darka në shtëpinë e ngrohtë, me një gotë verë.
Jeta ime është e thjeshtë,
adresa: i vogli dhe i madhi im qytet
2013
Simfonia e yjeve.
Se dija që edhe nata, me qetësinë e saj
Prodhonte këta tinguj kaq të rrallë.
Pa mbani vesh…
Mbani vesh si unë;
Veç bulktheve ketë natë pranvere,
Dëgjohet një muzikë, e rrjedh edhe një lumë.
Një harmonikë në buzët e natës,
Më kujton që dhe yjet bëkan zhumë.
Shohin njëri tjetrin, përballen, shtyhen,
Pastaj, hënën shohin ballazi, e rrethojnë,
dhe duan t’i tërheqin vëmendjen.
Si djelmosha luajnë vallen e qiellit ,
Kercasin me ritme të ndritshme këmbët,
Krejt si valltarë t’ kahershëm,
Që lindën nga barku i bing-bengut.
Se dija që nata ishte kaq e zhurmëshme, se dija…
Sonte, pashë e dëgjova simfoninë e yjeve….
E hëna, dirigjonte me fytyrë gruaje.
2014
Marsi ,unë dhe Deti
Unë ecja në fustanin e brishtë të pranverës,
E shihja, si zogjtë qeshnin,
Kur marsi dhe deti
ziheshin e grindeshin;
Deti kërkonte të më vishte me blu dallgësh
Marsi të më zbukuronte me frymë lulesh e fjalësh;
Ata, me dallgë e lule më donin e më shihnin në sy;
Ndërsa unë qeshja dhe i doja të dy.
2014
Sot
Nesër, s’ka të sotme.
Ajo lind dhe mbaron,
çel dhe vyshket në 24 (trëndafil’)orë,
që veç një ditë të dhuron
Nesër, s’ka më sot.
Më kot përpiqesh të gjesh ,
minutin, puthjen, buzëgazin
që sot, s’e dhe, s’tu dha.
Sot, s’ka më nesër.
Ka vetëm ditë, që vrapojnë tutje
e na marrin me vete,
pa pyetje…me ngutje…
2014
Meditim
Kurrë, nuk thashë – ”kurrë”;
As krahët s’i ktheva, si gunë
ndaj erërave gjithëngjyrëshe,
që frynë e frynë – furtunë.
Shpinën rrallë, ma panë miqtë,
por dhe ”armiqtë”, veç ballin më panë.
S’vij nga ndonjë tjetër planet,
veç Tokës, i qëndroj stoike në jetë.
S’u fsheha skutave,
as nga sytë- këmbët, kurrë nuk ika
përballë inateve, intrigave
mërive dhe zilive.
Jam Njeri, po po, Njeri!
Dhe zemrën, s’e kam gur,
por dua të vërtetën para dyshimit;
dashuroj guximin, para frikësimit
e zilisë, s’i trembem
as iki, me frikë.
Kush
ziliqar bëri hajër
pa thyer turinjtë?
Dashurinë s’e pashë
kurrë me dyshim,
as lotë s’derdha për të.
Kush dashuron,
gëzim duhet t’i burojë nga sytë
e jo lot.
Nuk vij nga tjetër planet,
stoike jam e do të jem në këtë Tokë
e vdekjen time,
Ajo do ta ketë pronë…
2013
As Ne…
As ditë, as natë.
Mu(z)g.
As orët, s’u bënë minuta
As minutat, s’u puthën në orë.
(Mos)Kohë…
As dielli lindi yje,
As yjet s’u ngjizën në diell.
(Tis) Gri
Veriu qëndroi aty.
E jugu ( s) lëvizi qerpik.
Dhe ne…
Shpinëkthyer …
Ngujuar në pole…
2014
NË KUVENDIM ME NËNËN
NGA DRITA LUSHI/
Per sa kohe s’jemi vetë prindër, s’e dimë, a ndoshta, s’e masim dot dashurinë e nënës, ndaj nesh.Edhe kur bëhemi prindër,e mbi të gjitha mama,mendojmë me vete:“S’ka mundësi të na dojë kaq shumë nëna, sa ç’duam ne fëmijen tonë!”
Kur nisim të mbajmë disa vite në numur, që numërojnë dekada, bëhemi befas më të ndjeshëm dhe kutojmë më shumë, duam më shumë dhe befas me çdo ind e qelizë tonën, kuptojmë, se është pikërisht nëna, ajo që na do pa kushte, siç duam tashmë fëmijën mbi çdo gjë në botë.Kuptojmë se jemi për nënën gjithçka, siç është fëmija, qëllimi i ekzistencës sonë.
Mund të kesh disa miqësi,më shumë se një fëmijë, mund të kesh më shumë se një jetë, mund të takosh më shumë se një dashuri…por NËNË, është veç NJË.
NË KUVENDIM ME NËNËN.
Mirdita botë!
E nisa edhe sot kuvendimin me ty.
Me ty, e pak njerëz që më duan,
Ose bëjnë sikur,(s’e di!)
Nënokja ime p.sh, më do fort,
(e ndiej) kur me sy e fjalë më ledhaton.
Tani që u bëra dyzetekatër,
ose, ose më saktë,
dyzetekatër e një muaj,
filluar kam t’i puth duart imcake
e, shpesh e më shpesh, puthje i jap edhe në ballë,
pesëmbëdhjetë vjet, që jeton pa (të shtrenjtin!) tim’ atë.
Mos m’u zemëro që të thërras, nënoke!
Të ndiej më afër kështu,
të ndiej çdo rrudhë
në faqe e ballë.
Si kurorë t’i shoh të gjitha thinjat,
ah, ja dhe ndonjë flok të zi, në të rrallë!
Eh, e mira nënoke!
Edhe kur ankohesh
fajin pleqërisë ia hedh,
Paçka se akoma s’ke bëre shtatëdhjetë.
Po e di çfarë?
Të mos flasim për reumatizmën,
që të gërryen kyçet, apo pleqërinë,
Po për gjëra të gëzuara
P.sh, për time bijë.
“Mjaltë e mjaltës”- thuhet, ëëëëë…?
Po a të duket kështu ty ?
Tash’ që s’ke vetëm një,
Por (nip e mbesë),
u bënë … dy!
E di, e di nënoke!
Po ja, që bëj dhe ndonjë pyetje pa vënd,
Kur ata (nip e mbesë) të thërrasin”nëna”,
qesh e lumturohesh,
e di, kështu ta ka ënda;
Eh, nëna ime!
Ja kështu rridhka jeta.
Mbaj mend,
kur shkoje tek nëna jote e mplakur dikur,
e ktheheshe që andej, aq e trishtuar!
Ndoshta dhe nesër,
ime bijë do të kuvendojë me mua shtruar,
të më sjellë një gotë ujë,
a të më falë një ylber me fjalë!
Qenka qerthull kjo jetë nënoke!
Hajt pra:
“pa dale të të puth dhe njëherë në ballë”,
eee, ditë të mbarë!
…
“Muuaah” – Jetë të mbarë.
@ Drita Lushi.
Dedikuar nënës sime të shtrenjtë.Shkruar në qershor 2013.
KUR POEZIA I NGRE HYMN VETES
NGA DRITA LUSHI/
“Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.”
Mendime mbi poezinë e Sokrat Habilaj.
Për sa kohë poeti shkruan dhe e mban poezinë për vete, ajo është e tij; E ai, e lexon, e rilexon, i lëmon vargjet… por, kur vendos t’ia paraqesë lexuesit, ajo s’i përket më atij.Poeti mbahet mend si ati i poezisë, ndërsa bija e tij, tashmë lindur në vargje, ngjall adhurim tek lexuesi i cili e lexon e stërlexon, dhe e do.Kështu poeti,mund të kthehet në një “hero” popullor edhe me vargun e tij.
Kjo më shkon në mendje, tek lexoj poezitë e Sokrat Habilajt. Lirikat e tij, në dukje tingëllojnë të thjeshta por mjaft të këndshme, kanë rimim e muzikalitet spontan që të bën për vete, të tërheqin, përpihen me një frymë, e ndonjëherë të lënë pa fjalë për gjetjet e veçanta që ai përdor e që s’janë të rastësishme, por rrjedhojë e një pene dhe mendje të stërvitur, e talenti të konsoliduar ndër vite.
Shprehje dhe gjetje nga më interesantet, të bëjnë ta lexosh me dëshire, e të jesh kurioz/e se cili do t’jetë figuracioni i spikatur i rradhës;
Ecën pa kuptuar mes gjetjeve poetike të Habilajt e teksa lexon rresht pas rreshti ,diku sheh “hënën mbi ullishte që zbret në flokët e saj”, diku ndjen “çuçuritjen e fjalëve të ëmbla”, e pastaj ndihesh pjesë e tablove poetike, kur poeti i thotë “asaj”, “Ik, kur nata të më ikë nga sytë”,apo: “bëhesh hënë e më merr në gji”, edhe kur “tradhëtitë e mia kanë emrin tënd” apo kur tregon se:”Dikë s’e merr gjumi pa ndjerë frymën time në flokët e saj”, ose “dikush i besoi gjumin”, apo, gara me “atë” është më shumë se puthje, etj etj.
Ai luan me fjalën, me rimën, me vargun, por gjithmonë, në funksion të poezisë , përmbajtjes dhe asaj ç’ka kërkon të përçojë tek lexuesi.
Është evidente që një pjesë e madhe lexuesish gjejnë veten tek poezitë e tij,e ky është një sukses i padiskutueshëm i poetit.
Ai ka aftësinë si rrallë kush, të shndërrojë ngacminin e tij poetik në hymne për mjaft njerëz.
Poezitë e tij s’janë të rënduara në metafora e abstraksione poetike që do të duhej një rilexim për ti kuptuar;
Rileximi ndodh për kënaqësi, e kjo është gjë e bukur.
Poezitë e Habilajt janë si stinë të një viti, ku gjen të gjitha gjendjet brenda tyre;
Një çast shkrepëtime poetike në qiellin e poetit, arrin të lindë mrekullira që i rezistojnë viteve dhe kohës.Habilaj, i shkruan dashurisë, mallit, lotit trishtimit, harrresës, pritjes, gjendje këto që i ka çdo njeri në jetën e përditëshme,por ai arrin ti përgjithsojë.
“Të kisha thënë se loti që rrjedh në faqe,
Është shpirt i vrarë që humbet për pak çaste”
-shkruan ai në poezinë :”Të kisha thënë për lotin”,titull të cilin mban dhe vëllimi i tij poetik.
Një mendje e hollë, formuar nga ndjesi dhe perceptime njerëzore arrin ti sintetizoje ato, duke i mbjellë në zemrat e qindra njerëzve, edhe pa qenë nevoja për trumbeta, pa zhurmë, sepse poezia e tij është aq e bukur, sa e gjen vetë lexuesin.
Meritë e autorit është, që ai arrin të futet në skutat e ndjesive të njerëzve pa dallim moshe, apo gjinie. Kësaj, pak autorë ia arrijnë.
Nga ana tjeter,të shkruash me rimë nuk ështe aq e thjeshtë sa duket, dhe aq lehtë sa thuhet.
Përpos rimës ne lexojmë mbi të gjitha art, sepse poezitë e tij nuk rendin të gjejnë fjalën për një gërmëzim e tingull të ngjashëm fundor, por fjala lidhet me fjalën ndjenjësisht e simbolikisht, duke pasur një pranverë poetike në lulëzim, të cilës ne duam ti marrim rrezet që lëshon.
Krysisht tema që ndeshim më shpesh,është ajo e dashurisë, në kompleksitetin më të gjerë, si koncept dhe si ndjenjë.
Por ai nuk është i parcelizuar ose linear në krijimtarinë e tij;
Keshtu psh.vargjet e Atdheut janë mjaft të spikatura në penën e Habilajt.Ato janë me patos, të përcjellin emocion e ndihesh krenar për mëmëdhesinë tënde.
Do të mbetet perlë në krijimtarinë e tij(dhe jo vetëm!)poezia për Atdheun ku ndër të tjera shkruan:
“Ma shanë atdheun buzë detit Egje.
Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!?
Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin atdhe…
Ma shanë atdheun, në gjuhën time”
Ne poezinë tjetër, po me temë Atdheun, ai shkruan :
Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!
Në poezitë e Habilajt,shpesh gjejmë dy personazhe-le të themi, të cilët janë, djali dhe vajza, të simbolizuar në përemrat “unë” dhe “ajo”, ose “unë dhe “ti”, por mund të jenë nëna, fëmijët miqtë, vëllezërit etj.Gjithsesi ai arrin, që në dy tre strofa, apo diku më shume apo më pak, të na japë të plotë një tablo ku fundi është një precipitim me shumë vlerë në tërësinë e poezisë duke përcjellë emocione të mëdha te lexuesi, siç ndodh në këtë dyvargësh
“…Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukurom gjithë dhimbjet e tjera…”
…duke portretizuar kështu imazhin e femrës me mirësi dhe dashuri, si një bekim në jetën e një mashkulli.
Poeti shpesh i trajton si lojëra lirikat e tij,e shpesh gjatë leximit buzëqesh natyrshëm…
Në “Grimca dashurie”,ai shkruan:
…..
“Ndoshta ato grimca, i kthen në grua,
Ndoshta dhe e fton, të pini bashkë çaj.
Që në sytë e saj, të më gjesh mua,
E të hakërrohesh, të më bësh me faj.”
Tek lexon në mënyre të njëpasnjëshme poezitë e Habilajt, kupton që ai,shkruan me zemër në dorë, me shumë ndjenjë, e kjo ndodh thuajse në çdo poezi të tij; jo vetëm në ato të dashurisë, por edhe në ato me temë familjare e ndërnjerëzore.
“Tek varri babait”, ai shkruan:
“Mbi fijet e barit, njomur me vesë,
Ndjej në çast të më djegin lotët në sy.
Hapat nis i hedh një nga një me kujdes,
Nga ndrojtja se mos të zgjoj, padashur ty”
Simbolet dhe epitetet, krahasimet, shprehjet e figurshme dhe personifikimet, janë si fill që ndërlidhin të gjitha poezitë e ti.Shpesh personazhi ështe femra, por edhe nëna e himnizuar në poezi,”miku” që s’duhet ti besosh…etj
Në poezinë :”Post mortum” kushtuar nënës se tij ai shkruan:
“S’di pse më vjen të shkallmoj rrasën në çast.
Po ti e dashur ku je? E pra fol, ku je?!
“Shëëëët…!”,- pëshpëritë ti një motiv të lashtë:
“Unë jam brenda teje edhe nën dhè”!
Ne poezitë e Sokratit, shpesh trajtohen probleme të shoqërisë së sotme shqiptare;Natyrisht ato nuk paraqiten shabllon, por në trajten e një fabule tërheqëse e muzikale, të veshur bukur që të shtyjnë ti shohësh dhe jo vetëm.
Poeti është elegant dhe i kujdesshëm me vargun e tij edhe kur trajton probleme shqetësuese për shoqërinë, pa kaluar në mllefe që s’kanë asgjë të përbashkët me poezinë.
Ne poezinë:”Epitaf për stacionin e trenit” ai shkruan:
“E prishën këtu dhe të vetmin stacion,
Dhe sirenat i mbytën bashkë me të.
Ata që e prishën, ikin me avion,
Të tjerët s’kanë ku shkojnë, s’u duhet më”
Ndërsa në poezinë : “Ky është im bir”, shohim një rrëfim poetik të marrdhënieve at-fëmijë që të emocionon shumë, për mënyrën si i tregon në vargje, të gjitha ato detaje që në fund të fundit, përbëjnë përditshmërinë e një familje.
“Biri im është, unë me emër tjetër,
Ai që qeshë e qanë vet i dytë.
Ai që dhe në faj, shton gaz më tepër,
Më ofron veshin, unë i puth sytë.”
Apo në poezinë “Per ty”: ai i këndon kështu të dashurës dhe nënës së fëmijëve të tij, duke na përcjellë emocione të një jete me dashuri dhe të plotësuar:
“Tridhjetë vjet pas, tre burra dhe ajo grua,
Dy dalë prej ëndrrës, një nga shpirti i saj.
Vazhdon më pëshpëritë: Të dua… të dua!
Thoni…prozaike, veç mos më bëni me faj”
Poezitë e Habilajt arrijnë të prekin me fjalë të paarritshem, atë që njerzit mendojnë e ndiejnë, që shpesh ngelen të pa thëna, ndoshta se s’mund të gjejnë fjalën apo shprehjen e duhur.
Krijimtaria e tij është mjaft e gjerë( jo vetëm në poezi). Për çdo poezi mund të shkruhej më vete,e jo për qindra poezi të përmbledhura në libër, dhe atyre që presin të bashkohen në një vëllim të ri;
Mbi të gjitha, ato shkruhen në “faqet” e mendjes së lexuesit.
Sokrat Habilajn (duke lexuar tërë krijimtarinë e tij) mund ta quajmë poet i shpirtit të njerëzve.Nuk ka lexues që të mos gjeje pak apo shumë nga vetja, në poezitë e tij.
Shpesh,teksa poezitë të përcjellin emocion, ndjen që s’ka vend për shumë komente apo fjalë. Gjerat e bukura më shumë i ndjen se sa mund të flasësh për to, ndoshta se s’mund të gjendet fjala e duhur për të thënë atë ç’ka ndjen pas leximit të një poezie të bukur…
E shpesh, natyrshëm veç thua: “Sa bukur! Uaaaa, sa bukur!”
Sokrat Habilaj prej kohësh ka identitetin e vet te spikatur poetik;kjo do te thotë që nëse lexon një poezi e kupton se kujt autori i përket, për nga stili, forma, përmbajtja dhe ajo që tejçon tek ne.
E ndërsa lexoj krijimtarinë e tij poetike, me shtrirje, frymëmarrje, ndjenjë, bukuri
mendoj me vete: “Përse të mos marrim si “etalon” poetë të tillë shqiptarë, kur bejmë krahasime për poetet e rinj në krijimtari?”
Dhe së fundmi, krijimtarinë e Habilajt do ta konsideroja si një mozaik të bukur në gdhëndje, pjesën më suprizë, të të cilit s’e kemi parë dhe lexuar akoma.(Ne Foto:Sokol Habilaj)
Shkurt 2014
SI MUND T’I THEM:”SA E LUMTUR JAM”?!
“Si mund t’i them: “Sa e lumtur jam”, kësaj bote?!/
Kur qiejt, dhimbjen e grumbulluar, ia përplasin furishëm kësaj Toke?!”/
KUR POEZIA I KALON KUFIJTË E IBRAVE/
Mendime rreth poezisë së Lumturi Ymeri/
Shkruan: DRITA LUSHI/
Lexoj një, dy, tre poezi në një rrjet social,e më mbeten në atë pjesë të memorjes ku shijohet e bukura. Prandaj, kërkoj e kërkoj më shumë, derisa marr në dorë tre librat e Lumturi Ymerit, vargu i së cilës si një magjistar, të bën të ndalesh…Atëherë mbaj sytë, vëmendjen, përqëndrohem në libra, e mandej duke shijuar dhe ndjerë poezinë e saj, kuptoj që ato(librat), s’mbajnë dot atë peshë që përçon poezia e saj tek lexuesi.Edhe në autorë me emër, ka periudha, që poezitë përsërisin njëra –tjetrën, madje ndihet një lloj monotonie, zbehtësie, përgjumje, uniformiteti e lexuesi duket sikur lexon të njëjtën poezi në njëzet të tilla(!).Ky “fenomen”,nuk ndodh tek Lumturia.
Të larmishme dhe të veçanta, poezitë e saj, aty ku duket se ngjasojnë, aty ndërrojnë stil, duke na sjellë një gjetje-veshje të re që na befason.
“Sonte qenkam e burgosura
Mes verës e vjeshtës
Hënës dhe ëndjes
Frymës dhe brymës
Luleve e lutjeve
Mekjeve e stepjeve”
-Shkruan ajo ,duke përshkruar një “gjendje” përmes krahasimeve , simboleve, e përjetimeve, mes konkretes dhe abstraktes duke na dhënë një përshkallëzim poetik dhe emocional të veçantë.
Në fund të fundit, emrat janë thjesht një veshje e sipërfaqshme, që na bëjnë të kthejmë kokën, kur dikush na kërkon apo thërret. Është e qartë që poezia nuk fle brenda emrave; Poezia fle dhe zgjohet brenda shpirtit sa herë që zemra dhe dejet marrin hove ndjesish nga realiteti, ku gjithpërfshirja e emocioneve negative dhe pozitive shpërthejnë në mrekulli fjalësh e poezish sa të vjen të mos dalësh më prej tyre. Ekzaktësisht këto,ndiej kur lexoj poezitë e Lumturi Ymeri(Bersava).
“Ta rrokullis këtë gur prej zemre…
Pa le të më bjerë…këmbëve! “
-Shprehet poetja, duke na përçuar një peshë emocionale t fortë, brenda këtij dyvargëshi.
Poezitë e saj janë të lira,e fjalët gjejnë njëra tjetrën pa vështirësi, me një natyrshmëri lakmuese, e një forcë shprehëse dhe bindëse, të pëlqyeshme nga një spektër i gjerë lexuesish.
Gjithmonë kam qene e bindur, që përpara se të jesh poet, duhet të jesh njeri. Nëse nuk je njeri, s’mund ti futesh dot jetës ndër deje, s’mund ti lëvrish në gjak’.
E po s’bëre këto, as ajo s’të fal dot ndjesi të forta, sy përtej sysh, vështrime përtej vështrimesh, zemër përtej zemrës, duar përtej duarve, jetë përtej jetës, që të mund te formëzosh stalagmite vargjesh, e të mrekullosh njerëz.
Lumturia ia ka arritur kesaj “magjie”,duke qenë të gjitha në një,dhe një në të gjitha.
Ajo ështe grua, shoqe, e dashur, mike, e keto i shpalos bindshëm si poete, duke u ndjerë brenda tyre.
Duke lexuar poezitë e Lumturisë dy cilësitë që mëvijnë shpesh në mendje dhe përsëris në(n)zë janë :“Fuqishëm dhe bukur”
Ajo prek çdo skutë të mendjeve njerëzore, të vetëdijes e nënvetëdijes sonë e rizgjon mjaft ndjesi, malli, dashurore, atdhetare, amësie e familjare.
Ndjenjat e saj janë ashtu si të çdo gruaje dhe bije, por vetem një poete, mund ti këndojë ndjenjës atërore keshtu:
“Ç’është kjo mungesë
Ojna-tisur në mall?
Mes yjesh mbetesh
At-je…ku tretesh?
ATI IM”
Ajo shquhet jo vetëm për gjetjet metaforike, por mbi të gjitha për ndërlidhjen e tyre çka është “sekreti”- le të them i poezive të saj.
Shpesh poezitë e saj duken si lojëza- fjalësh duke ndërtuar një stil të bukur femëror në vargje.
Ne “Shpirt alien”ajo shkruan :
I (pa)dukshëm, i (pa)njohur
i(pa)kapshëm, i mistershëm
i llahtarshëm, i (pa)vdekshëm.
Duke përdorur ndërtimin e vargjeve në mënyre leximi të dyfishtë, në një lojë gërme-fjalë-mendim, ajo e çon fantazinë pikërisht, brenda mendimeve e dyzimeve tona njerëzore, në pikëpytje, që secili mund ti japë përgjigjen sipas dëshirës.
Ajo vërtet shquhet për gjetje të befasishme, por ato janë aq të natyrshme sa të duket vërtetë se e sheh poeten që :“ndal diellin në ikje”
“zbrazen ditët nga barku i dritës,
ngrij në pritje,
të ndal diellin në ikje”
Kur lexon poezitë e Lumturisë, i ndien aq të vërteta, sa të duket se i ke ditur gjithë jetën, vetëm se s’ke mundur ti shkruash. Ndihesh aq brenda tyre, sa pohon me buzëqeshje ose rilexim …
“Malli s’ka
As duar, as thonj
E prapë se prapë!
E gërryen shpirtin
Të gjejë një vend,
E prapë se nxë…!”
Ajo e krahason lotin me planetin më të vjetër në galaktikë, duke përshkallëzuar e kaluar përtej poezisë, si vijon:
“Loti ishte pa qenë ne,
Planeti më i vjetër në galaktikë
Ku lindën e qanë perënditë
Zotët e mitët e shkatërruan
Kur tradhtuan e flijuan perënditë
Sot jemi ne,
Në këtë Tokë
Zotër e robër”
Ajo të drithëron me ndjenjat amësore, të vëna në puthje, mundime, gëzime dhe lot, kur kujton vitet e birit të saj qysh në lindje.Kush më mirë se një nënë-poete do shkruante për ndjenjën dhe marrëdhënien më të adhurueshme në botë mama-fëmijë?
“U rrite jeta ime,
Majë gishtash
Vij të të puth në ballë,
Ti zbret lotëve të mij
Si njëzetre vite më parë…”
Poezitë e saj i shpëtojnë skemës moralizuese , të cilat s’kanë asnjë lidhje me artin e mirëfilltë,por ajo di të bëjë që përmes artit, natyrshëm të na përcjellë mësime.
Poezitë e saj janë gjetje interesante, në larmi tematike dhe formëzohen në fytyra të reja vargjesh, sa herë që ajo vendos ti hedhë ato mbi letër.
Zhytem nën Lega
eci me Jardë
ndizem në Omega
ngrij nën Gradë
Më lini pak në
Qetësi,
tani që jam
….NJERI….
Ajo i thotë kështu miqësisë:
“Ëngjëll, e di, s’je,
sigurisht, dhe un’ jo!
Por më ndje!
Kur shpirtin vë
pasqyrë përpara teje,
edhe ti shihe aty
vetveten. . . . . “
Ajo duket se ecën në nje tra ekulibri me fjalën, por çuditërisht ecën pa dridhje, por me akrobatësira mahnitëse, me lëkundje të hijshme që veç të ndjellin të lexosh më tej.
Të mahnit mënyra e ndërtimit të një poezie, ku ajo shpalos ndjenjën e saj për fëmijët, si ndjenja më kuptimore dhe ekzisteciale në botë.
Tru-
trup-
trung
jam tani!
Terr-
tmerr-
ferr
ishte dje!
TRE
Akuj-
avuj-
uj’
qesh përherë!
Shpreh-
shpresë
shpend
do jem nesër!
Ditë-
dritë
ndrit-
tek fëmijtë
E mi,
të mitë,
të mirtë!
Tre,
trembem-
tretem
për ta”
Fjalë të ngjashme me plus ose minus gërmash i “ngjit” sup më sup poetikisht, duke na dhënë një radhë rritëse ndjesish, si njerëzore por mbi të gjitha një shije poetike dhe muzikore fantastike siç ndodh(jo vetem) në poezinë e mësipërme.
Poezia për Lumturinë është:”Vlim i shpirtit, kondensim në muret e mendjes”
E si e tillë, avujt aromatikë të petale-zuara në poezi ngjyra-jete-njerëzish do vazhdojnë parreshtur të vijnë drejt nesh të kondesuara në memorje!
Ajo guxon në poezinë e saj; nuk rri besnike e një forme, e një skeme, e një fjale apo e një teme;
“Nën dritën e abazhurit sonte
cepin e jorganit tërhiqe
hidhe tej
mbulomë me frymën tënde!”– shkruan ajo në poezinë “I(magji)natë përvëluese..”duke guxuar të flasë hapur poetikisht atë ç’ka të tjerët e mendojnë heshtur;Ajo vazhdon më tej:
“Grise dhe copën e tyltë
që mbulon atë hark epshndjellës
të nënbarkut
që mbaron në
trekëndëshin e zjarrit…”
Një pikë e fortë e Lumturisë është,se ajo shkruan mjaft hapur, duke i vënë çdo ndjenje, ndjesie, emocioni, gjendjeje,e dukurie emrin e vet.Kjo e ndihmon shumë të na shpalosë e të ndiejmë deri në ind, ç’ka ajo shpreh dhe ndjen duke u bërë dhe ne lexuesit, pjesë e ndjesive të poetes.Kur arrihet kjo, poeti ka fituar betejën themelore të artit të fjalës së shkruar.
Përgjithësisht poetet s’mbahen mend për numrin e librave, që kanë lënë;as për titujt, kopertinat apo numërin e faqeve libërorë;
Ata kujtohen e njihen pikërisht për poezitë që kanë mbetur në memorje e kujtesë.
Unë kam bindjen se Lumturia është njëra nga to.Poezitë e saj kanë kaluar kufijtë e librave, dhe kanë hyrë në portat e kujtesës së lexuesve. Përpos të gjithave, mua më mjafton të them se ajo ështe një krater i hapur, llava e të clit ështe në rrjedhjë të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të na befasojë me ngjyrësimin e saj poetik.
Dergoi per Diellin: @ Drita LUSHI
Janar 2014
Shqipëri
- 1
- 2
- 3
- 4
- Next Page »