• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAZMA, PERLA E ÇDO STINE

October 25, 2021 by s p

Dritan Zaimi/

Përshëndetje miq të udhëtimeve te mia. Sot do të vizitojmë Razmën, këtë perlë të natyrës shqiptare, e mrekullueshme dhe e lakmueshme në çdo stinë. Është ëmbëlsira që ti mund ta shijosh e shijosh, dhe të mos kesh frikë se “shëndoshesh”. Sinqerisht, Razma të ofron më të mirën e gjithçkaje, është një portë hyrëse drejt alpeve, ku mund të shijosh vjeshtën, dimrin, pranverën dhe verën, dhe të mos shqetesohesh asnjëherë nga kapriçot e motit, nga rrugët e bllokuara apo të tjera siklete dhe shqetësime më se të zakonshme dhe të shpeshta në zonat më të thella malore, ku veçanërisht dimri ka të papritura të shumta që edhe mund të rrënojnë eksperiencën tënde të udhëtimit. Jo, Razma është fatlume, sepse ajo është vetëm 900 m mbi nivelin e detit, ku mund të përjetosh klimën dimërore, në dimër a verë. Razma nuk është e futur thellë në male, ajo është një portë hyrëse dhe si rrjedhojë edhe lehtësisht dalëse në çdo situatë kërcënimi nga moti, sepse Razma, e Komunës Shkrel në Shkodër, është vetëm rreth 1 orë nga qyteti i Shkodrës dhe rreth 2 orë e gjysëm nga Tirana, ndaj me plotë gojë të them është një arratisje e ëmbël nga rutina e përditëshme.Dhe çdo vizitë në Razëm ia vlen, një kurorë të gjelbër në çdo stinë. Razma i ngjante një Zvicere të vogël, kishte strukutra të lehta akomoduese, shtëpi private apo hotele të ulëta deri në pak kate. Shtëpitë zhyteshin në gjelbërimin e pyllit dhe fshiheshin midis drurëve dhe pyjeve. Në këtë ditë mes-vjeshte vizitorët ditore janë të shumtë por jo aq sa të ndihesh i bezdisur, ndërkohë që shumë shtëpi e vila private ishin pothuaj bosh e të vetmuara, dhe kjo kuptohet që pushimet kanë kohe që kanë mbaruar dhe pronarët ia janë kthyer rutinës së tyre. Por gjithmonë do të gjeje qenin roje tek porta, shumë miqësor që nënkupton se janë mësuar me vizitor dhe po kështu tregon që këtu jeta vazhdon çdo ditë.Sa e lakmueshme kjo qetësi këtu. Ngopesh me ajër të pastër dhe dëgjon këngën e zogjve dhe fëshfëritjen e gjetheve. Dhe pasi ke shëtitur në pyllin përreth, ulu në një nga lokalet rreth sheshit të Razmës, ku janë ngritur disa restorante dhe hotele që gërshtohen me karakteristikat e zonës dhe respektojnë natyrën . Të futur mes gjelbërimit, të shijon edhe më shumë ushqimi bio këtu. Mund të porositësh çfarë do lloj pjate dhe do të shijosh ushqimin bio dhe cilësinë e gatimit. Lejoi pak nga perfeksioni cilësisë së shërbimit, që ëdhë në këtë zonë ka nevojë të përsoset si gjithkund në Shqipëri. Dhe më dëgjo mua, nuk do të shijojë as një birrë apo verë më shumë sesa uji i ftohtë i kësaj zone. Apo merre drekën me vete dhe ulu mes gjelbërimit në livadh, lejoi fëmijët e tu të vrapojnë të lirë në hapësirën e blertë, sepse boll janë të kufizuar me “mos këtë e mos atë” në qytetet tona plot zhurmë, pluhur e beton. Arratisu vetëm apo me familjen dhe shijojë këtë parajsë të vogël me gjithë forcën e shpirtit tënd.E nëse je nga Tirana a përreth, ti mund ta mbushësh fundjavën plot me eksperienca dhe aventura nëse zgjedh të vizitosh Shkodrën me pedonalen, të vizitosh shëtitoren dhe të shijosh pamjen e mrekullueshme buzë liqenit në Shirokë, nësë të pëlqen më shumë deti atëherë shko më tej dhe shijo bukuritë e Velipojës. E nëse ende nuk je ngopur me hapësirat ujore, atëhere ngjitu në kalane e Rozafatit, përhumbu mes legjendesh dhe sodit nga lart lumenjte Bunë e Drinë dhe pamjen prej së largmi të qytetit të Shkodrës. Dhe të gjitha këto atraksione janë afër njëra tjetrës, të aksesueshme gati me sy të lirë. Pra çfarë do të deshiroje më shumë: male, det, lumenje, liqene, kulturë, kala e histori , ushqim bio, dhe padyshim humor e këngë prej të bukurës Shkodër. Kështu pra nisu për në Razëm dhe ktheje ditën tënde në një festë!

Filed Under: Komente Tagged With: Dritan Zaimi

RANA E HEDHUN, NJË BALLKON NATYROR MBI ADRIATIK

September 3, 2021 by s p

Nga DRITAN ZAIMI/

Është Shtator, zyrtarisht vjeshtë. Për shume nga ne, pushimet mund të kenë mbaruar dhe tashmë jemi rikthyer punës me energji të reja. Por ndërkohë që ditët e nxehta dhe vapa torturuese duket sikur kanë marrë fund, bregdeti Adriatikut dhe Jonit ofrojnë ende ditë të ngrohta plot diell, të kthjelleta dhe shumë të bukura edhe gjatë vjeshtës dhe sipas historikut të viteve të fundit, ditët me diell na kanë shoqëruar në fakt deri nga mesi i Nëntorit. Ndaj për të gjithë ju që nuk jeni ngopur pushimet apo plazhin e sivjetshëm dhe përpos kësaj jeni në kërkim të një pushimi më të qetë, fundjavat në vijim ju ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të rigjetur kënaqësinë  e pushimeve në plazh por njëkohësisht edhe freskinë, qetësinë dhe pastërtine edhe të munguar. Për më tepër, për të gjithë ju, që doni të keni pushime sado pak aktive buzë detit, për të gërshetuar plazhin buzë Adriatikut por edhe për të shijuar peisazhin e papërshkrueshëm me fjalë, ku edhe do të mund të realizoni foto që do të mbeten gjatë në kujtesën tuaj, atëherë unë ju propozoj vendin ideal për këtë, Ranën e Hedhun, Shëngjin. Një spot unikal në Shqipëri që do ta shijoni pafund sidomos tani!

Udhëtimi për tek Rana e Hedhun konsiderohet i lehtë dhe gërshetohet perfekt me plazhin. Pasi keni mbërritur në plazhin e Shëngjinit, ju do të ecni për rreth 25 minuta buzë detit në qetësinë tuaj, një shëtitje e rekomandueshme në orët e para të mëngjesit për të shijuar detin e qetë, freskinë dhe kënaqësinëe puhizë detarë,për të mbërritur në vendin që quhet “Rana e Hedhun”. Do të mund ta dalloni lehtësisht nga larg këtë spot pasi në mënyrë të menjëherëshme bregdeti Adriatik ndërpritet nga një kodër që ngrihet mënjëherë buzë detit, aspak normale për këtë pjesë të bregdetit, duke ngushtuar në pak metra bregun, dhe po kështu në mënyrë krejt tëçuditshme, kjo kodër është e mbuluar me duna masive rëre nga faqja përbri detit. Nuk mund ta themi egzaktësisht se si është krijuar por mendohet se është rezultat i eranave të fuqishme të cilat përplasen në këtë kodër duke akumuluar sasira të mëdha pluhuri e rëre që ka krijuar këtë fenomen vërtet të rallë. Ështe një ballkon i vërtetë natyror mbi Adriatik.

Ndërsa i je afruar tashmë, duhet ta ngjitësh për të shijuar pamjen që të lë pa fjalë! Janë disa dhjetra metra disnivel që duhet ti ngjitesh. Në kushte normale kjo kodër e vogël nuk do të përbënte shumë sforcim fizik për askënd por duke patur parasysh që po ecën mbi rërë dhe këmbët rrëshqasin e fundosen kjo e rrit pak vështirësinë ndaj duhet të ecet me ngadalë duke u shplodhur herë pas here. Pamja që shijon kur mbërrin lart është thjesht magjike dhe e papërshkrueshme. Do tëndjeni se e keni në pëllëmbë të dorës dhe po e shijoni blunë e thellë të Detit Adriatik të harmonizuar këndëshëm me ngjyrën e rërës. Këtu do të mund të rrini sa të doni dhe ta shijoni, të bëni foto dhe pastaj lojra si rrokullisje apo rrëshqitje në rërë. Nuk do të gjeni një vend të dytë si ky dhe të përshtatshëm për këto aktivitete në Shqipëri a gjetkë këtu afër. Dhe pasi e keni shijuar mjaftueshëm, fjala e duhur që do të përshkruaj veprimin tuaj të radhës është “derdhuni në det” sepse dëshira për tu zhytur sa më shpejt në detin me ujë të pastër kristal është thjesht e parezistueshme.

Unë po jua rekomandoj ta bëni këtë udhëtim në një ditë të bukur vjeshte, tipike shtatori apo edhe tetori, ku orët e para të ditës që janë të freskëta ju të mund ti shfrytezoni për të ngjitur dhe shijuar peisazhin tek Rana e Hedhun dhe pjesën tjetër të ditës kur temperaturat rriten për të shijuar plazhin dhe ujrat e ngrohta dhe të kristalta. Por nëse do ta bëni gjatë verës atëherë duhet të përkujdeseni edhe për disa detaje më shumë. Së pari duhet bërë në orët e para të mëngjesit, siç e kam rekomanduar më lart. Së dyti duhet të keni me patjeter veshje për këmbet, shapka, sandale apo atlete, si edhe shishe të mjaftueshme me uje me vete. Lodhja gjatë ngjitjes sëbashku me nxehtësinë e rërës shtojnë ndjeshëm etjen. Po kështu mos u bëni shumë trim për të mos marrë veshje për këmbët në një ditë të nxehtë vere pasi nuk po flas për një situatë të zakonshme buze detit kur pasi kemi ndenjur poshtëçadrës ia fusim një vrap zbathur deri tek deti dhe bëjmë si bëjmë me nxehtësinë e rërës. Jo, nuk është ky rasti, rana bëhet përveluese nëse je zbathur, dhe po kështu të duhet një kohë e mirë derisa të zhytesh i gjithi  në det, ndaj nëse nuk do qëtë rrezikosh sado pak nga magjia dhe kënaqësia e kësaj eksperience, atëherë dëgjoji këto pak këshilla të miat.

Tani ju kam thënë mjaftueshëm, ju ngelet vetëm ta realizoni dhe ta shijoni këtë udhëtim. With love from Tani!

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan Zaimi, Rana e Hedhun, Shen Gjin

Një Monument i Nënë Terezës në Malin e Dajtit?

August 30, 2021 by s p

Nga Dritan Zaimi /


Shumë ide interesante kanë lindur me “po sikur…”. E ndërsa jo të gjitha idetë mund t’ja vlejnë të realizohen, jam partizan i mendimit se çdo ide ja vlen të thuhet e të dëgjohet. Shumë ide vdesin nga hezitimi për tu shprehur dhe shumë të tjera nga pamundësia e ideuesit për ti realizur vetë, por kur është fjala për një të mirë të përgjithëshme, çdo ide ja vlen të shprehet, ndoshta dikush tjetër ka mundësinë për ta realizuar.Po sikur të ndërtonim një monument të Nënë Terezës në majën më të lartë të Malit të Dajtit? Humanistja më e madha shqiptare,  fituesja e çmimit nobel meriton të nderohet në mënyrë dinjitoze.  Shumë njerëz në botë atë e njihnin kur ende nuk kishin dëgjuar asgjë për Shqipërinë, ajo ishte pasaporta ndërkombëtare e prezantimit të shumë shqiptarëve  në botë. “Vij nga vend i Nënë Terezës, Shqipëria” ishte prezantimi i përherëshëm i shumë artistëve, sportistëve apo miseve përfaqësuese të Shqipërisë në botë, dhe prezantim ky mjaft dinjitoz. Po ndersa Nënë Tereza e ka kryer mësë miri misionin e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve sikur ishte e gjalle edhe pas vdekjes, në sajë të famës së saj, po ne shqiptarët sa kemi bërë për të?Në shumë vende, figura të tilla me famë dhe impakt të madh në botë, nderohen duke i’u vendosur monumentet në majat më të larta dhe dominuese, ndërsa ne në Shqipëri ende nuk kemi një muze të vizitueshëm për ti treguar fëmijëve tanë dhe vizitorëve të huaj më shumë për atë që kanë dëgjuar apo lexuar për Nënë Terezën dhe lidhjen e saj me tokën shqiptare. Dhe kjo nuk duhet bërë si për hatër të Nënë Terezës. Jo, Nënë Tereza  bëri mjaftueshëm për të nderuar vetë veten e saj dhe madje gjithë kombin, dhe përfaqëson simbolin më të mirë të sakrificës sublime në mbrotjetë paqes dhe në ndihmë të vobektëve në botë.Këtu nuk bëhet fjalë për të nderuar Nënë Terezën, se fortë e nderuar është edhe pa të, të cilën e ka nderuar bota mbarë që për sëgjalli, këtu është fjala që ne të nderojmë vetë-veten, të vlerësojmë vlerat kombëtare, lehtësisht të atribuara nga ndërkombëtarët dhe me to te krenohemi më tej.Kështu, pra, përse te mos i ofrojmë Tiranës një tjetër atraksion të fuqishëm turistik, një monument me përmasa sinjifikative të Nënë Terezës, vendosur në majën më të lartë të Malit të Dajtit. Monument i cili të jetë dominues dhe lehtësisht i dallueshem ditën dhe natën në sajë të ndriçimit të përshtatshëm. Një motiv më shumë që vizitorët të vazhdojnë ecjen e tyre drejt majes së malit, në një eksperiencë që gërsheton aventurën, kulturën dhe besimin, fare pranë Tiranës dhe aeroporti me të njëjtin emër?Kur do të fillojmë të mendojme seriozisht për figurat dhe pasuritë tona kombëtare? Jo, ju lutem mos mendoni se është e pamundur, mos mendoni se malet i kemi vetëm për antenat drastike të kompanive celulare apo televizive?  Këtyre kompanive që shfrytëzojne malet tona dhe na bombardojnë çdo ditë me rrezatimin e tyre “bamirës” mund tu kërkohej që njëkohësisht dhe sëbashku të projektonin dhe realizonin këtë projekt në shërbim të shqiptarëve. Le të shpresojmë se ndoshta dikush ka mundësi që të shkojë përtej idesë, drejt një realizmi që do të na kënaqte dhe do na bënte krenar ne të gjithëve.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dritan Zaimi, monument, Nene Tereza

LËPUSHA, NJË ZANË E VËRTETË MES MALEVE

December 4, 2020 by dgreca

Dritan Zaimi, ekspert i turizmit dhe eksplorues, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bukuritë e turizmit në Kelmend në Malësinë e Madhe. Tamara po jeton një epokë të re. Tamara duket shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalojnë imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ… Me Dritan Zaimin bisedoi gazetari i DIELLIT Sokol PAJA.

MALËSIA E MADHE E SKALITUR ME BUKURI TË PASHOQE 

Udhëtoni dhe shëtiteni Shqipërinë tonë sa më shumë, veç atëherë do ta kuptoni sa e bukur është, se i kemi të gjitha, madje bukuri të kategorisë së parë, që nuk ngopesh duke i shijuar e dëshiron të kthehesh sërish e sërish. Çdo pëllëmbë e vendit tone është e skalitur me bukuri të pashoqe, jug a veri, lindje a perëndim. Pavarësisht senë çfarë stine apo moti, aventurën e gjeni kudo e kurdo në Shqipëri, gjithmonë do të gjeni një vend dhe kohë për ta lënë shpirtin tuaj të vrapojë i lirë. Të gjithëi njohim mrekullitë e Thethit apo Valbonës në veri të Shqipërisë, po sot po ju ftoj të më ndiqni në një udhëtim në një zonë po aq të bukur dhe mahnitëse, veçse nuk është aq e njohur sa dy të parat tëcilat njihen dhe eksplorohen prejshumë vitesh tashmë. Sot do ju rrefej për Kelmendin! Kelmendi është një komunë në zonën e Malësisë së Madhe në skajin më verior të Shqipërisë në kufi me Malin e Zi, që përfshin fshatrat Brojë, Tamare, Selce, Vukël, Nikç, Lepushë e Vermosh. Do ju rrefej sot për bukuritë e tij, për magjinë dhe dashurinë e tij që e ndjen në çdo hap të udhëtimit tënd, për bjeshkët, lumenjtë, ujvarat, kullotat e malet, një arratisje e ëmbël mes blegërimave, gurgullimave, cicërimave, fëshfëritjeve të gjetheve e të flladit të lehtë për të ndjerë fuqishëm ëmbëlsinë e kësaj toke dhe madhështinë e majave të maleve. Edhe për mua ishte risi e surpize kjo zonë, sapo pashë një mundësi udhëtimi, përgatita çantën time, mora mikun tim më të ngushtë të udhëtimit, d.m.th. aparatintim fotografik dhe u nisa mjaft herët në mëngjes si pjesë e një ekipi eksploruesish.

UDHËTIM MIDIS SHPATEVE TË THEPISURA

Nisja nga Tirana ishte rreth orës 6:00 dhe udhëtuam drejt qytetit të Shkodrës, ku patëm ndalimin e parë për një kafe ose çaj buzë lumit Drin. Pas një pushimi të shkurtër, lamë pas ultësirën e Shkodrës dhe filluam udhëtimin tonë midis shpateve të thepisura dhe maleve të larta të pjerrëta, thellë brenda Alpeve Shqiptare. Shumë shpejt horizonti u afrua ndërsa po shikoja muret e maleve në të dy anët e rrugës, maja të larta, humnerë të thellë dhe male që ngriheshin menjëherë mbi lugina. Për një moment më dukej sikur isha pjesë e filmit Avatar. Doja të zbrisja dhe të kapja fotografi dhe të shkrepja skena të ndryshme, ose të gjurmoja me lentet e mia shqiponjat dhe skifterët që fluturonin lart e poshtë humnerës, por destinacioni ishte diku tjetër, kështu që u dorëzova dhe thjesht e lashë syrin t’i shijonte të gjitha. Rreth orës 10:00 kishim mbërritur në stacionin e parë, patëm një ndalesë të shkurtër te “Leqet e Hotit” siç e quajnë vendasit këtë vend. Këtu mund të adhuroni rrugën e bukur që gjarpëron buzë faqes së malit nga maja derinë fund ku shihet lugina e lumit Cem. Koha është shkurtër  për të parë peisazhin që të lë pa frymë dhe për të bërëfotografi njëkohësisht. Dëshira është të qëndrosh më shumë por destinacioni është tjetër kund, ndaj pa vonesë hipëm në fugon për të vazhduar udhëtimin më tej.  Stacioni tjetër është fshati Tamarë. Pak kisha dëgjuar më parë për këtë fshat unik, kryesisht mund të kisha dëgjuar për të vetëm në dimër pasi rruga bllokohej shpesh nga bora e madhe, por kjo është një histori e së kaluarës pasi rruga e re ishte në gjendje të përsosur. Ishte e qartë, Tamara po jetonte një epokë të re, sot Tamara dukej shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalonin imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ. Dhe dielli që shkëlqente fuqishëm  mbi fshatin Tamarë i jepte një bukuri përrallore këtij fshati të strukur mes malesh. Por kjo nuk është e gjitha; pak metra nga qendra, shkallet na çojneposhte në shtratin e lumit Cem. Ujërat e tij kristal të pastra më bënë të pendohem që nuk mora rrobat e banjos me vete. Në të tilla kushte më mbetej të shikoja të tjerët ndërsa kridheshin në ujrat e ftohta dhe unë të merrja sado pak nga kënaqësia e tyre e të ngulitja këto momente me aparatin tim. 

SELCA, KANIONI I KELMENDIT, LUMI CEM

Pas një ore udhëtimi nga Tamara, arritëm në fshatin Selcë ku zbritëm nga fugoni për të ecur drejt destinacionit tonë të ardhshëm, Ujëvara e Selcës. Selca shtrihet në 353-1100 m mbi nivelin e detit. Ndodhet 8 km në veri të fshatit Kelmend. Selca fsheh disa nga thesaret më të bukura të natyrës si kanioni i Kelmendit, shpella të shumta, ujëvara, peisazhe të lëjnë pa frymë, arkitekturë dhe artizanat të pasur etj. Ndërkohë për adhuruesit e rafting, Selca propozon lumin Cem, i cili ofron më të mirën gjatë Prillit dhe Majit, kohë kur mund të shijoni edhe kanionin Gerrli. Nga ana tjetër, ujëvarat e Selcës janë një tërheqje natyrore spektakolare që ia vlen të vizitohen, kështu që vizita tek njëra prej tyre ishte thjesht qershia mbi tortë në këtë udhëtim. Shtegu drejt Ujëvarës së Selcës (Sqapi) ishte buzë malit, në një shteg shkëmbor të rrëshqitshëm, ku duhej të ishe i kujdesshëm se ku të shkelje pasi mund të rreshqisje lehtë mbi shkëmbinjtë e vegjël dhe te përfundoje në drejt e tek shtrati i lumit. Gjatë rrugës, pamja e maleve përreth, në këto ditë të vjeshtës, ishte thjesht mahnitëse. Pas rreth 90 minutash ecje midis shkëmbinjve, gjetheve, pemëve, duke shijuar aromën e luleve të malit, kishim mberritur tek ujvara e Selces, gurgullimën e së cilës e kishim ndjerë fuqishëm që nga larg. Një bukuri spektakolare, e fshehur mes maleve, thellë brenda pyllit, me fytyrën e bardhë plot shkëlqim që ia vlente të vizitohej. U ulëm para saj dhe shijuam drekën tonë të paketuar dhe pimë nga uji i freskët i ftohtë i ujëvarës. Pasi pushuam për disa orë nën freskinë  ujrave të bardha dhe mblodhëm gjithçka qëkishim sjellë, me përtese morëm rrugën e kthimit për tek mjeti i transportit. Stacioni tjetër do ishte pikërisht fshati Lëpushë ku edhe do të akomodoheshim për të kaluar natën. Një mbrëmje e këndëshme rreth e qark oxhakut me zjarr duke pjekur gështenja, duke pirë verë e duke biseduar me banorët  bujarë e mikpritës, duke dëgjuar rreth gojëdhënave e legjendave të zonës. Herë pas here, dilnin në ballkon për të shijuar qiellin e pastër plot me yje, gjë qëna mungon shumë në qytetet tona të zhurmëshme.

LËPUSHA, NJË DASHURI MES MALESH

Mëngjesi do të vinte shpejt dhe ne u zgjuam për një tjetër ditë me aventura mes malesh që do të kulmonin me Majën e Vajushës. Mbërritja natën vonë një natë më parë në Lëpushë nuk na kishte dhënë mundësi ta shikonin dhe ta shijonim bukurinë e fshatit.  Kështu që herët në mëngjes, pasi shijuam ushqimin e shijshëm me produkte lokale nxituam që të dalim përjashta për të shijuar një kafe mes malesh nën rrezet e para të diellit. Po na shijonte ngrohtësia e diellit dhe me përtese filluam të bënim gati gjërat që na duheshin për udhëtim. Lepusha ishte krejt ndryshe nga Thethi apo Valbona, nuk ishte një fshat në fund të një lugine të thellë ku malet ngrihen thikë, por as edhe një fshat në majë të malit, përkundrazi ishte diku në mes të lartësive, rreth 1200 m mbi nivelin e detit, një avantazh i pakrahasueshëm për të shijuar në maksimum përvojat në natyrë. Lëpusha ishte një zanë e vërtetë mes maleve, një fshat i shtruar në një luginë të butëmes maleve, mes kullotash, pyjesh e ujvarash.Vendasit thonë se emri i fshatit vjen nga një bimë me lule të verdha që rritet shumë në këtë zonë dhe quhet Lëpushtra. Një vend i pasur me burime, ku ekonomia shtëpiake është e përqendruar tek blegtoria dhe bujqësia, por sëfundmi është turizmi ai që sjell jo vetëm të ardhurat por edhe vetë klientin direkt në Lëpushë. Kjo zonë ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit nëçdo stinë të vitit dhe këtë gjë e dinë shumë mirë edhe vendasit që kanë filluar të investojnë cilësisht në këtë drejtim. 

SHTEGU PËR TEK MAJA E VAJUSHËS

Shtegu për tek Maja e Vajushës kalonte në një pyll me pemë të larta që në këtë kohë i kishin lëshuar gjethet, pak kish mbetur nëpër degë por bukuria ishte shtruar në tokë në një tapet të trashë gjethesh ku do të kishe kujdes edhe të mos rrëshqisje. Ecnim e soditnin natyrën e mrekullueshme, majet e maleve që zbuloheshin dal nga dal tek sa dilnim nga pyjet e larta dhe vendin ia linin kullotave të hapura alpine. Ecnim dhe uleshim herë pas here për të pushuar, për tu shplodhur e për të marre forca pasi ngjitja fillonte e bëhej më shumë impenjative. Kullotat të ofronin një ngjitje të ëmbël mes stanesh, ku kishim mundësi të shtriheshim, të loznim, të bënim foto por edhe të freskoheshim nga përrenjtë që buronin nga majat e maleve e rridhnin butë përmes kullotave. Në vend të gjetheve këtu mund të kundronim kërpudha të ndryshme dhe zhyteshim mes barit të artë. Ngjitja vazhdoi përreth 2 orë e gjysëm, herë intensive dhe herë butë, për të kulmuar me Majën e Vajushës 2100m mbi nivelin e detit, ku pamja qëna u shfaq menjehere pasi arritëm majën ishte thjesht një surprize e pabesueshme. Një pamje spektakolare që mbetet e fshehtë dhe surprizë që nuk pranon të zbulohet asnjë çast pa arritur majën, si një shpërblim i merituar dhe i pa kompromentueshem vetëm për ata që sfidojnë ngjitjen përfundimtare. Menjëherë pas mbërrin majën, ti shikon dhe shijon madhështinë e alpeve shqiptare tek sa ngrihen fuqishëm me majat e tyre të ashpra. Një kontrast i fortë kaq pranë, nga njëra anë Maja e Vajushës, maja e një kullote alpine mbushur me bar, dhe pastaj përballë teje shkembijnë të egër, maja të thepisura malesh që ngrihen thikë njëri mbas tjetrit, njëri më i lartë se tjetri, shumë të mrekullueshëm për ti soditur por tepër të frikshëm për ti ngjitur. 

BJESHKËT E NAMUNA

Këtu fillojnë Bjeshkët e Namuna dhe dëshira për të bërë foto e video këtu nuk njeh fre. Koha kalon kaq shpejt këtu lart, nën diellin e shndritshëm, nën një ledhatim të ëmbël flladi që mëma natyrë na e dhuron për ta bërë të papërsëritshme këtë vizitë tonën thellë në gjirin e saj. Duhet të ishim shumë të vendosur për ti kthyer shpinën majave të maleve dhe për të nisur rrugën e kthimit, por ishte një domosdoshmëri pas nuk duhej që nata të na zinte në mal dhe tëna gllabëronte sado pak nga magjia e këtij udhëtimi. Ndaj, pa dëshirën por me mirëkuptimin tonë të plotë filluam zbritjen duke shijuar ndërkohë perëndimin e diellit, koloritin dhe dritëhijet e tij. Gjithçka kaloi kaq shpejt, u lodhëm paksa por e shijuam në maksimum. A u ngopa? Jo! E ndjeva se kisha lënë diçka pas. Çfarë të ishte vallë? Nëse dashuri do të thotë të mos duash të ikësh, apo të duash të kthehesh me vrap sapo ikën, atëherë patjetër Kelmendi u bë një dashuri e madhe brenda zemrës time. Si mund të jetë Kelmendi në dimër, në pranverë apo verë? Mezi pres të vij e ta takoj sërish! 

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan Zaimi, LËPUSHA, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT