Performoi dhe violinisti shqiptaro-amerikan Regi Papa/
Nga Shefqet Kërcelli/
Nga data 4 deri më 12 korrik 2015, në ambientet e muzeut arkeologjik të qytetit të Durrësit, u zhvillua edicioni i 10-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës. Në këtë festival morën pjesë muzikantë dhe instrumentistë shqiptarë dhe të huaj, të cilit sollën para një publiku të zgjedhur durrsak interpretime dhe tematikë të larmishme të muzikës së dhomës. Mjaft prej muzikantëve vinin në këtë koncert mbas një përvojë në orkestra të ndryshme në Evropë, SHBA dhe vende të tjera të botës. Gjithashtu në këtë festival morën pjesë dhe muzikantë të qytetit dhe master klasave të shkollës së muzikës Durrës. Ishte një risi dhe gjetje me vlera të shumëanshme kulturoro-muzikore-historike, organizmi i këtij festivali në ambientet e muzeut Arkeologjik, i sapo rikonstruktuar dhe një nga muzetë kryesore të vendit tonë. Tingujt e muzikës së dhomës shoqëruan për një jave zonën e brendshme të muzeut, duke i dhënë një bukuri të vecantë pasurisë arkeologjikë shekullore të këtij muzeumi. Gjithashtu zhvillimi i këtij festivali në këto ditë të nxehta korriku shënonte një ngjarje me rëndësi për turizmin në qytetin e Durrësit. Drejtues të këtij edicioni ishin, Saimir Kalaja, Drejtor artistik, Nevila Kalaja {Herczegh} dhe konsulent artistik Merita Rexha {Tërshana}. Ndërkohë në mbarëvajtjen e festivalit ndihmuan Ambasada e SHBA në Tiranë, Ambasada Austriake, e Republikës Federale Gjermane, Ministria e Kulturës nëpërmjet Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Bashkia Durrës, Teatri i Operas dhe Baletit, si dhe mjaft institucione dhe kompani private si, Arti dhe kultura Italo-Shqiptare, Digitalb, OSHS, Farma net Albania, Sigal, Raiffesein Bank, etj. Siparin e festivalit më datën 4 korrik e hapi violinisti Joel Blido dhe pianisti Marin Gjollma, që jetojnë në Gjermani dhe Shqipëri, më 5 korrik dhanë koncert violinisti Klaidi Sahatci dhe pianiste Merita Rexha Tërshana, Zvicër –Shqipëri, më 6 korrik, pjesmarrësit ndoqën koncertin e mexosopranos Vikena Kamenica&Keli Band dhe Pierpaolo Petta, Fizarmonikë, Itali-Shqipëri, më 8 korrik ishte koncerti i Duos pianistike Mirela Koka, {Sykja} dhe Fatmir Keta, Shqipëri. Ndërsa më 11 korrik performoi violinisti Regi Papa dhe pianisti Endri Nini, SHBA- Shqipëri. Theksojmë se djaloshi durrsak Regi Papa, ka disa vite që jeton në New York, ku dhe ka një karierë të pasur muzikore. Ai është larguar nga Durrësi në moshën 4 vjecare dhe mbas një qëndrimi prej 11 vitesh në Greqi, në moshën 15 vjecare u largua për në SHBA. Regi është arësimuar për muzikë në kolegjin e muzikës dhe univerisitetin muzikor të NYC. Ai ka dhënë mjaft koncerte në NYC, qytete të tjera të SHBA si dhe në Evropë e Japoni. Tashmë është në fazën e doktoraturës. Lindur nga familje intelektuale, nënvizojmë se babai i tij, Vaso Papa, vec detyrave si mësues e drejtues i pushtetit vendor në Durrës ka shkruar dhe disa libra të zhanreve të ndryshme letrare që janë mirëpritur nga lexuesi durrsak. Ndërsa Regi po zhvillon karierën e tij muzikore duke u prezantuar denjësisht jo vetëm në skenat e NYC, p.sh. Carnegie Hall, por dhe vende të tjera. Është hera e parë që vij në Durrës mbas kaq vitesh, thotë Regi. Nuk po cmallem dot me miqtë dhe artdashësit e shumtë. Nuk di si ta përshkruaj këtë vizitë dhe këtë koncert. U përpoqa sa munda që ti jap pak kënaqësi nëpërmjet tingujve të violinës sime bashkëqytetarëve të mi. I rrethuar nga miqtë e shumtë, Profesor Zhani Ciko e uron në rrugën e gjatë të muzikës, i uron suksese e mbarësi djaloshit të ri që premton shumë në këtë fushë. Mes këtyre emocioneve Regi më flet për jeten në NYC, planet për të ardhmen, koncertin e nëntorit, dëshirën për të qenë pjesë e cdo aktiviteti artistik në Durrës, etj. Mora kaq shumë mbresa, kaq shumë moment të bukura në këto dy ditë qëndrimi në qytetin e lindjes, shpresoj të kthehem përsëri, thotë Regi. Një djalosh i thjeshtë, gojëëmbël, që nuk të linte përshtypjen e metropolit ku jeton, që jeton mes muzikës dhe ëndrrave të moshës. Me bindje them se ky djalosh premton shumë si muzikant dhe si njeri. Në natën finale 12 korrik, u dha një koncert i pasur nën drejtimin e muzikantit të shquar bullgar Kostandin Ilievski,{pianist dhe dirigjent} dhe violinistit të famshëm austriak Wolfgang David. Në këtë koncert të mrekullueshëm mori pjesë dhe ansambli “Stinët”, me pjesmarrës nxënës të master klasa. Fillimisht muzikantët e vegjël dhuruan emocione dhe duartrokitje për pjesmarrësit, duke interpretuar pjesë të ndryshme muzikore nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Kështu u ndoq me interes interpretimi i violoncelistit Rei Punavia, pianistit Marvin Beli, violinistit Klei Prifti, pianistit Marenglen Malluta, violocelistes Kristel Gjikolaj, Violinistes Janela Nini, pianistit Kostandin Tashko, etj. Në pjesën e dytë të koncertit të kësaj nate u interpretua vepra muzikore e Antonio Vivaldit, katër koncerte për violinë, harqe e cembalo “Katër stinët”, e cila u pëlqye dhe duartrokit shpesh herë. Pamvarësisht se muzika e dhomës ka specifikat dhe audiencën e vet, festivali u ndoq nga plot artdashës durrsakë e të huaj, jo thjesht të kësaj fushe. Kjo tregon se cdo aktivitet që zhvillohet ka vlerat dhe spektatorët e vet. Në këto ditë vere, festivali ishte një ngjarje e rëndësishme për qytetin bregdetar. Këtë e shprehnin në biseda midis pushimeve mjaft qytetarë durrsakë. Një aktivitet që i dhuroi embëlsi, qetësi dhe gjallëri në këto ditë monotone vere. Në fund të koncertit zonja Nevila Kalaja, {Herczegh}, drejtuese artistike e këtij festivali, falenderoi qytetarët durrsakë për pjesmarjen dhe vlerësimin që i bënë këtij festivali, falenderoi të gjithë institucionet shtetërore e private që ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij evenimenti të vecante kulturor, nënvizoi cilësinë dhe profesionalizmin e edicionit të X-të dhe i uroi të gjithë muzikantëve suksese në koncertet dhe recitalet e tyre kudo që jetojnë.
DITA OLIMPIKE NË QYTETIN E DURRËSIT
Dita e premte datë 15 Maj 2015, përbën një ngjarje të bukur për jetën shkollore e sportive të fëmijëve durrsak. Buzë detit në shëtitoren “Taulantia”, QKF e Durrësit në bashkëpunim me shkollat e qytetit, zhvilloi një veprimtari të bukur të quajtur “Dita olimpike”, e cila është kurora e “Javës Olimpike” të zhvilluar në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Qarkut të Durrësit. Është viti i katërt që durrsakët e vegjël festojnë këtë ditë të shënuar, që nuk ka të krahasuar për nga bukuria e ngjyrave, veshjeve, gjallërisë dhe çiltërsisë të shkollarëve të vegjël.
Duke biseduar me z. Avni Çuni, drejtor i QKF-së së Durrësit, mësojmë se për këtë festë të vërtetë, argëtuese e sportive, ësht menduar e planifikuar me kohë: – “Janë njoftuar e porositur të gjitha shkollat 9-vjeçare për të organizuar “Javën Olimpike”. Jemi të kënaqur që kemi gjetur gatishmëri e mirëkuptim me drejtoritë dhe mësuesit e edukimit fizik”. – Më tej vazhdon: Tashmë është formuar edhe një lloj tradite, pavarësisht se është fare e re, vetëm katër vjet, por vemë re seriozitetin e organizimit të kësaj veprimtarie nëpër të gjitha shkollat, njëkohësisht dëshirën dhe fantazinë e tyre për të gjetur forma të bukura lëvizore e sportive, aq të shëndetëshme, të pëlqyera dhe të kërkuara nga fëmijët tanë. Ne e çmojmë shumë, ndaj falënderojmë Komitetin Olimpik Shqiptar, që e nxiti dhe e shtriu këtë veprimtari edhe nëpër shkolla, pasi është me mjaft vlera të dobishme edukative, sepse fëmijët kanë nevojëtë njihen me njëri-tjetrin, të shohin se ç`bëjnë të tjerët dhe më së shumti, të duan dhe të merren me sport e ta ushtrojnë atë gjatë gjithë jetës”.
Organizatorët Arian Plaku, Çlirim Kume dhe Enid Furxhi, pjestarë të stafit të QKF-së, ishin kujdesur për gjithçka, që të realizohej mësëmiri i gjithë programi i parashikuar. Të shumtë ishin qytetarët e rastit që shijuan këtë ditë sportive me shumë gjallëri e ngjyra. Ata duartrokitën ndeshjet e volejbollit, garën me patina, nisjen e biçikletave, lojën e bukur popullore “Tërheqje litari”, që shkaktoi nxitje, brohoritje dhe të qeshura te pjesmërrësit dhe spektatorët e shumtë. Me mjaft interes u ndoq dhe u përshëndet koncerti artistike me numra aerobik të balerinave të vogla, të cilat dhuruan kënaqësi te të gjithë bashkëmoshatarët, të cilët në fund u bashkuan dhe vallëzuan të gjithë së bashku. Pa komandë e dirigjent, i gjithë sheshi u përfshi në vallëzim. U krijua një mjedis i magjishëm kënaqësie e argëtimi.
Falënderim për organizatorët dhe pjesëmarrësit, që i dhuruan Durrësit dhe dursakëve këtë festë sportive e artistike.
Përgatiti për DIELLIN:
Kadri Tarelli
Durres 19 Maj
Përkujtohet 76 vjetori i rezistencës antifashiste në Durrës
Ne Foto: Durres,7 Prill 2015/
Nga Shefqet Kërcelli/
Paraditen e datës 7 prill 2015, në sheshin para përmendores së Heroit të Popullit “Mujo Ulqinaku” u përkujtua 76 vjetori i rezistencës antifashiste nga patriotët dhe populli durrsak. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë patriotë dhe veteranë të Luftës Antifashiste, bij dhe familjarë të të rënëvë të 7 prillit 1939, qytetarë durrsakë, përfaqsues të pushtetit qëndror e vendor të Durrësit, detarë, nxënës të shkollave, media të ndryshme, etj. Ceremonia filloi me ekzekutimin e Hymnit Kombëtar dhe më pas me fjalën e rastit dhe vendosjen e kurorave në përmendoren e Heroit “Mujo Ulqinaku” dhe pllakën përkujtimore të dëshmorëve të 7 prillit 1939. Gjatë ceremonisë u evidentuan përpjekjet e marinarëve, ushtarakëve të asaj kohe, patriotëve të ardhur nga gjithë anët e vendit, të cilët nën drejtimin e Kapterit të Marinës Mbretërore Mujo Ulqinaku, zbrazën fishekët e parë kundër pushtuesve fashistë. Kjo përpjekje shënon dhe përballjen e parë me fashistët në Ballkan, ku mjaft luftëtarë shqiptarë dhanë dhe jetën për liri. Madje këta shënojnë dhe dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste në Ballkan dhe Evropë. Në fjalën e rastit, zoti Adrian Gurra, Shef i Mardhënieve me Publikun Bashkia Durrës, theksoi se, “Data 7 prill shënon aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica, nga bijtë dhe bijat shqiptare, që kryen detyrën karshi atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e vendit dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah koalicionit antifashist”. Ndaj, dita e 7 prillit, rezistencës antifashiste, është kthyer në një ditë simbolike për patriotët, veteranët e qytetarët durrsakë, të cilët e përkujtojnë atë me krenari në nderim të gjithë atyre, që pamvarësisht bindjeve politike, bashkuan armët për mbrojtjen dhe clirimin e vendit. Nderim dhe mirënjohje për të rënët e 7 prillit 1939! -Ky ishte mesazhi i kësaj ceremonie përkujtimore.
Durrës, Festohet 102 vjetori i ngritjes së flamurit nga patriotët durrsakë
Nga Shefqet KERCELLI/Durres/
Paraditen e datës 26 nëntor 2014, qindra qytetarë durrsakë të moshave të ndryshme, ishin mbledhur në një shesh të përgatitur enkas midis murit juglindor të Amfiteatrit dhe Xhamisë së qytetit, për të festuar 102 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në qytetit bregdetar të Durrësit. Këtë ceremoni simbolike, që është kthyer në ritual të përvitshëm, e nderuan me pjesmarrjen e tyre patriotë durrsakë dhe familjarë të tyre, veteranë, ishushtarakë dhe ushtarakë aktivë, detarë të qytetit, përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor, nxënës shkollash, media durrsake, etj. Fillimisht nën tingujt e hymnit tonë kombëtar të ekzekutuar me mjeshtëri nga banda e qytetit të Durrësit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit nga kryetari i bashkisë zoti Vangjush Dako dhe n/oficerja e Forcës Detare, Jonida Murataj, e cila u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit. Më pas përshëndeti kryebashkiaku Dako, i cili theksoi se:-102 vjet më pare, patriotët durrsakë vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti, në gjithë shekullin e XX-të, e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur, të përsëris sot, 102 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu Kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912!….Nderim dhe respekt për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve! Në fakt sipas dokumentave të kohës, në Durrës, patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, bënë përpjekjen e parë për ngritjen e Flamurit të Shqipërisë, por rrethanat ishin të disfavorëshme. Në këtë kohë pushtuesit sërbë ishin pranë portave të qytetit, me synimin për të pasur skelën e tyre në Adriatik, ndërsa populli kishte rrokur armët dhe po bënte qëndresë të fortë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë mbrritën në Durrës nga Triestja, me anijen “Taurus” më 21 nëntor 1912, dhe sipas porosisë të tij, në më pak se pesë ditë qytetaria durrsake ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë. Kjo ndodhi më 26 nëntor 1912, kur patriotët dhe qytetaria durrsake shpalli pavarësinë dhe zgjodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, para se një pushtues të zvëndësohej nga një tjetër. Sot përkujtohet me respekt vepra e Hafiz Ali Podgoricës, Kryetarit të I-rë të Bashkisë në Durrës dhe patriotëve durrsakë, Akostin Serreqi, Sotir Vevecka, Sulejman Kadiu, Marie Kaculini, etj. Gazeta e asja kohe, “Lirija e Shqipërisë “ lajmëronte se në telegramin e ardhur nga Durrësi, u deklarua autonomia e Shqipërisë dhe flamuri shqiptar u ngrit mbi “Konak të Durrësit”….Ndërkohë në këtë ditë të shënuar u vlerësua dhe vepra e delegatëve durrsakë në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, të cilët ishin pjesmarrës të nënshkrimit të dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë. Nuk ngeli jashtë vëmendjes në këtë ditë historike, kontributi i detarëve, kapidanëve dhe tregtarëve durrsakë që rrihnin detrat. Ata ishin bazë e fuqishme për mbështetjen e lëvizjes patriotike në qytetin e Durrësit, sepse nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta që siguronin me patriotët rilindas në Selanik, Stamboll, Kajro, Batum, Bari, Brindizi, Trieste, etj. mundësonin sjelljen e literaturës patriotike dhe shpesh herë dhe armë kundër pushtuesve. Mbas urimit për 26 nëntorin, festën më të madhe të qytetarisë durrsake, pjesmarrësit vizituan një ekspozitë me vepra arti kushtuar shpalljes së pavarësisë dhe luftës kundër pushtuesve nazifashistë.
Shefqet Kërcelli
Literatura:-Antologji e Detarisë Shqiptare, Vëllimi i I-rë, faqe 108,109,110.