• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ardhmja e Shqipërisë pas fabulës evropiane

February 10, 2017 by dgreca

Dr.Ledian DrobonikuShkruan: Dr. Ledian Droboniku/

Rënia e entuziazmit për Bashkimin Evropian, nuk ndihet vetëm në vendet antare, por tashmë dhe në Shqipëri. Europa nuk frymëzon më shqiptarët edhe pse ajo vazhdon të jetë fabula e preferuar e medias dhe politikanëve të tranzicionit.

Por çfarë po ndodh me Europën?

Projekti i Bashkimit Evropian është në ditët e tij të fundit dhe të gjithë faktorët po mendojnë tashmë  për pas-Europa. Kjo sigurisht nuk po ndodh vetëm në vendet e Europës Jugore, ku pakënaqësia sociale është më e hapur por dhe në atë veriore. Nëse të gjithë aktorët bëjnë llogaritë e daljes nga ky projekt i përbashkët, atëherë kjo shërben si një profeci që vetë realizohet. Dikur BE-ja ishte një projekt që siguronte mirëqenie e stabilitet, sot akuzohet pikërisht për të kundërtën. Prandaj forcat cetrifugale do të shtojnë gjithmonë e më shumë epërsinë mbi ato centripete.

BE-ja ishtë veçse  një, prej shumë projekteve për bashkimin e popujve evropianë, por u transformua në ideologji, dogmë që asfiksoi trashëgiminë iluministe evropiane ngritur mbi arsyen. Bashkimi Evropian u pagëzua si  “ëndrra evropiane” dhe si e tillë, pra si një istancë metafizike, nuk pranonte kritika por vetëm adhurim dhe sakrifica. Kështu, idea e një Evrope Kantiane, bazuar mbi bashkëpunimin e popujve të lirë u zëvendësua nga një projekt elitist Hayekian, që vuri financën mbi demokracinë dhe konkurrencën mbi solidaritetin. Deri tani teknokratët evropianë (të cilët nuk zgjidhen demokratikisht nga qytetarët, por zgjedhin njëri-tjetrin, si në Nomeklaturë) kanë vazhduar me kokëfortësi vijimin e projektit të tyre neoliberal, që me anë të krizave, të detyrojnë popujt dhe shtetet të dorëzojnë sovranitetin e bashkë me të instrumentat për sigurimin e të drejtave sociale-ekonomike të qytetarëve. Çuditërisht për këtë projekt neoliberal e ultrafinanciar, kanë punuar më shumë qeveritë e majta sesa ato të djathta. Të gjendur brenda këtij kurthi ku rotacioni nuk funksionon më,  popujt evropianë po kërkojnë zgjidhje përtej të majtës dhe së djathtës që bëjnë të njëjta gjëra me mënyra të ndryshme.

Ndaj këtij tsunami popullor, propaganda e Brukselit dhe mediave main stream që anatemojnë dhe frikësojnë për populizma duket sikur nuk po pijnë më ujë, pas dekadash totalitarizëm të mendimit njëdrejtimësh.

E gjithë kjo po ndodh në zemër të Europës! Po në periferi të saj? Po në Shqipërinë tonë?

Nëse në Europë ka një dominim të industrisë mediatike prej lobeve finanicare brukseliane, në Shqipëri, media (ashtu si dhe sektorët e tjerë) është totalisht e kapur nga interesat e një oligarkie që u krijua pikërisht mbi fabulën evropiane. Falë kësaj fabule, oligarkia shqiptare zëvendësoi legjitimitetin popullor shqiptar me etero-legjitimitetin e Brukselit. Shqiptarët duhet të prisnin “qëndrimin” e BE-së për të kuptuar nëse kishte të drejtë kjo apo ajo parti, ky apo ai politikan. Në këtë relativizëm progresi të ngadalshëm, istanca e përgjegjësisë së politikanëve shuhej në retorikën evropiane në vend që të togëzohej me vullnetin e popullit sovran. Reformat bëheshin jo sepse i duheshin vendit por sepse i kërkonte Europa dhe shqiptarët ecnin në një tunel që nuk kishte fund. Ndërsa qëndrimi i emisarëve evropianë ishte “inkurajues” duke na këshilluar/qortuar për çdo fenomen, që nga “progresi” i votimit deri tek lufta ndaj korrupsionit me konferenca, projekte e OJQ.

Shqiptarët pas rënies së regjimit totalitar kërkuan demokratizimin e shtetit, por kasta likujdoi krejtësisht shtetin duke e njehsuar me pushtetin, si në feudalizëm. Pra tashmë nuk do kishim më një shtet, si një entitet racional që konfiguron interesin publik, që arrin të prodhojë brenda tij të vërtetën e sigurojë bashkëjetesën, larg raporteve të forcës. Falë kësaj ideologjie të “çintegrimit” evropian nga sipër dhe forcave feudale nga poshtë, shteti shqiptar kaloi në krizë, e bashkë me të edhe bashkëjetesa e shqiptarëve brenda një projekti të përbashkët. Këto dy dekada, jo vetëm që Shqipëria e humbi garën me fqinjët e saj  (me një ekonomi sa 1/10 e Serbisë apo 1/30 e Greqisë, me arsim afrikan, me rrënim të trashëgimisë kulturore, me boshatisje të territorit dhe hemorragji kombëtare) por po shënon dhe një shthurje të kohezionit social.

Ashtu si dhe një individ që e gjen hovin jetësor në identitetin e tij ashtu dhe një shoqëri e gjen hovin e saj tek identifikimi i disa vlerave të përbashkëta. Pikërisht këtë godet kasta e tranzicionit, duke relativizuar, përqeshur, vjedhur, tallur e shtrembëruar simbolet dhe heronjtë kombëtarë. Duhet që shqiptarët mos të kenë asnjë pikë referimi, duhet që bashkë me varfërinë materiale të ketë dhe një shkretëtirë shpirtërore. Si pasojë e këtij nihilizmi të lartorganizuar, vendin e ka pushtuar trishtmi kolektiv, humbja e shpresës dhe mosbesimi i thellë mes veti.

Por, a mund dhe si të dalim nga kjo “natë e zezë” ku ka rënë kombi?

Sigurisht, që po!

Nëse shqiptarët jetojnë ende këto territore, ndryshe prej popujve të tjerë që u shuan, do të thotë se thellë thellë kemi vlera dhe vitalitet. Pak besonin se pas natës shekullore osmane, shqiptarët mund të ringriheshin dhe gjenin një vend mes popujve të Europës ku historikisht dhe shpirtërisht jemi të lidhur. Por falë veprës titanike të rilindasve, shqiptarizmi u ngrit dhe më në fund themeluam një shtet kombëtar. Eksperienca problematike zogiste apo enveriste, e kritikueshme në shumë aspekte, tregoi të paktën se Shqipëria mund të ndërtonte një farë shteti, duke fituar bastin se eksperimenti i shtetit shqiptar mund të funksiononte. Pikërisht, sot kjo kastë na ka kthyer një shekull pas, duke rrezikuar seriozisht shtetin shqiptar ngritur mbi kohezionin kombëtar. Pushtetarët e tranzicionit dhe klerikët e sistemit lidhur pas privilegjeve të perandorive financiare, njësoj si bejlerët e dikurshëm pranë perandorisë osmane, janë sot, kundërshtarët e vërtetë të ringritjes së kombit.

Prandaj, betejat e sotme i ngjajnë kaq shumë betejave të rilindasve shqiptarë dhe mund të fitohen vetëm duke u bazuar tek trashëgimia e çmuar dhe vlerave që ata krijuan. Janë pikërisht këto vlera, gjuha, historia dhe kultura autentike shqiptare që duhet të rishpirtërojnë ngritjen e Shqipërisë. Ky projekt duhet të orientohet drejt hapjes jashtë dhe jo më autoreferncial dhe në pozita difensive. Shqipëria duhet të rimarrë rolin që i takon me të drejtë në këtë pjesë të rajonit dhe në kontinentin evropian.

Shqiptarët janë populli më i vjetër i rajonit dhe na takon neve të marrim lidershipin e Iliridës, keqmas emëruar në Ballkan. Këtë roli nuk mund ta luajnë më sllavët që i vunë flakën gadishullit dhe gjithmonë me një sy drejtuar nga stepat. Greqia mund të luante këtë rol, duke qenë brenda Bashkimit Evropian, por zgjodhi me miopinë e saj jo të ishte jo promovuese e vlerave evropiane por politikave konfliktuale e ultranacionaliste me fqinjët e saj. Kjo rajon mund të rigjejë paqen e të jetë kontribues i miqësisë mes Perëndimit dhe Lindjes, vetëm me fuqizimin e shqiptarëve si populli më tolerant e përçues origjinal i vlerave humaniste.

Vetëm një projekt i tillë që ngrihet mbi përgjegjësinë që na ngarkon historia për ti rikthyer shkëlqimin rajonit, mund të frymëzojë përsëri shqiptarët për të rigjetur hovin jetësor dhe ndërtimin e shtetit të tyre modern.

Por, ndërtimi i shtetit shqiptar nuk mund të replikojë format autarkike apo të orientohet drejt nacionalizmave shoviniste. Një model i pranueshëm edhe nga të tjerët, do ishte ai ngritur mbi tolerancën tonë origjinale dhe demokracinë autentike, ku bashkëjetesa krijohet në çdo nivel të shoqërisë dhe jo imponuar nga sipër. Historia tregon se ky rajon ka prodhuar lidera fanatikë e prandaj ky model ngritur mbi pushtetin nga sipër duhet të përfundojë. Fantazmat e nacionalizmit dhe thirrjet për konflikte do shuhen vetëm nëse popujt tanë do vetëvendosin dhe jo të “drejtohen” nga sipër, prej partive apo liderrave maniakë e delirantë.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, pra për të qenë Zvicra e Ballkanit, një model që siguron paqen, demokracinë dhe mirqënie të përgjithshme.

Ky duhet të jetë ylli polar i të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë para se armiqtë e saj të shpikin një tjetër dogmë, pas asaj të ndërtimit të marksizëm-leninizmit apo (ç)integrimit evropian.

Filed Under: Editorial Tagged With: Dr. Ledian Droboniku, e ardhmja e Shqiperise, pas fabulës evropiane

Meta dhe Arvizu apel të rinjve: E ardhmja e Shqipërisë në dorën tuaj

February 14, 2014 by dgreca

Salla e Kuvendit të Shqipërisë hapi dyert për 121 gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria, pjesëmarrës në Konferencën e 5-të të Modeli i Kombeve të Bashkuara. “Modeli i Kombeve të Bashkuara” është një simulim i një grupi të rinjsh të cilët krijojnë ekipe që përfaqësojnë shkollat e tyre dhe angazhohen në veprimtari simuluese të forumeve të Kombeve të Bashkuara.

Të pranishëm në hapjen e punimeve të kësaj konference ishin Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjellou, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, përfaqësues të Trupave të Paqes në Shqipëri, si dhe përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Duke u uruar mirëseardhjen në sallën e Kuvendit të Shqipërië, Ilir Meta theksoi se të rinjtë kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në promovimin e tolerancës, dialogut, në uljen e tensionit dhe konfliktualitetit.

“Më lejoni t’iu uroj punime të mbara të simulimit të forumeve të OKB-së, unë jam thellësisht i bindur se aktivitete të tilla do të nxisin edhe më shumë shpirtin e angazhimit politik në të ardhmen e gjeneratës suaj. Në një mënyrë apo në një tjetër politika dikton ende jetën e individëve në Shqipëri. Shpresoj dhe besoj që së shpejti ju do të diktoni me energji dhe idealizmin tuaj politikën në Shqipëri, për ta bërë atë më njerëzore dhe vetë demokracinë një instrument gjithnjë e më të përkryer në shërbimin tuaj dhe të zhvillimit të vendit tone,” tha Ilir Meta.

Më tej, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se Shqipëria dhe shqiptarët janë të dedikuar ndaj tolerancës, e kanë të hershme dhe do të jetë gjithashtu edhe baza e zhvillimit të tyre të shpejtë.

“Ne jemi kombi që ka nxjerrë një shenjtore të tolerancës dhe të përkujdesjes ndaj njerëzimit ndaj njerëzve më të varfër, ndaj njerëzve më të dobët si Nën Tereza. Ne jemi një komb i cili ka një bashkëjetese të shkëlqyer dhe një tolerancë të jashtëzakonshme ndërmjet komunitetet të ndryshme dhe besimeve të ndryshme dhe është një shembull për të gjithë botën në këtë drejtim. Por njëkohësisht dua t’iu them edhe dy momente të tjera meqenëse Shqipëria këtë vit do të festojë edhe 70-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, një ngjarje e rëndësishme për popullin dhe kombin tonë. Shqipëria ishte ndoshta i vetmi vend dhe shqiptarët ndoshta i vetmi komb që nuk dorëzuan asnjë hebre te pushtuesit nazistë. Përkundrazi i mbrojtën dhe ishte një vend që jo vetëm mbrojti të gjithë hebrenjtë kur filloi lufta e dytë botërore por ishte ndoshta një nga vendet e rralla ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa në fillim të saj. Dhe po kështu ne ishim një popull që edhe pushtuesit italianë kur kapitulluan i mbrojtëm dhe i ruajtëm nga pushtuesit e rinj nazistë, pra mbi 20 mijë ushtarë italianë. Dhe kjo tregon një dimension të jashtëzakonshëm të tolerancës të mikpritjes të respekti një sens të jashtëzakonshëm solidariteti, të cilat padyshim do të triumfojnë mbi konfliktualitetin dhe mungesën e tolerancës, e cila ende është e pranishme por me ndihmën tuaj absolutisht që jam i sigurt do të jetë krejtësisht e margjinalizuar në të ardhmen e Shqipërisë sonë dhe në të ardhmen e zhvillimit tone,” nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Ministrja e Arsimit, Nikolla, në përshëndetjen e saj për projektin “Modeli i Kombeve të Bashkuara” vuri në dukje se promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit është tejet i rëndësishëm.

“Jam e entuziazmuar që ne jemi pjesë e kësaj iniciative globale që zhvillohet në 38 vende të ndryshme. Është i rëndësishëm për ne promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit. Është e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi për të marrë pjesë në modelin e Kombeve të Bashkuara për të përforcuar aftësitë e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, negociatat, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes rezolutave dhe pjesëmarrjes duke luajtur funksione reale,” tha  Nikolla.

Më tej, Nikolla tha se nëpërmjet modelit që ofrohet në këtë konferencë, shkolla merr një dimension të ri, por që njëkohësisht është edhe dimensioni i më i natyrshëm i saj si vatër e edukimit dhe përvetësimit dhe parimeve dhe vlerave të botës demokratike.

“Komunikimi ky mjet i rëndësishëm për të kapërcyer barriera dhe ndasi dhe krijimi i një platforme për bashkëpunim rajonal midis nxënësve, shkëmbimi i ideve për çështje të interesit global, çojnë drejt aftësimit për krijimin e rrjeteve ta bashkëpunimit për një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale në rajon e më gjerë. Ky model i ofruar sot nga ky projekt, në këndvështrimin tonë, e vë shkollën në një dimension të ri, madje do të thoja në dimensionin më të natyrshëm të saj. Shkolla, si vatra e edukimit, të përvetësimit të parimeve dhe vlerave të botës demokratike”, tha, ndër të tjera, Ministrja e Arsimit.

Në fjalën e tij, përpara 121 të rinjve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori amerikan, Arvizu kujtoi se jo gjithmonë Shqipëria ka qenë një vend i lirë dhe se vetëm përqafimi i vlerave dhe parimeve si bashkëjetesa dhe toleranca për diversitetin janë garanci që vendi ynë të jetë e pjesë e kombeve të lira dhe demokratike.

“Si shqiptarë ju e njihni shumë mirë historinë e vendit tuaj . Unë e di moshën tuaj dhe të gjithë ju keni pasur fatin që keni lindur në një kohë kur Shqipëria e radhiste veten mes vendeve të lira të botës pavarësisht sfidave të saj dhe vështirësive të saj. Gjatë gjithë jetës suaj Shqipëria ka qenë një vend i lirë dhe nuk ka kthim pas. Por fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për prindërit tuaj, për hallat, xhaxhallarët, për gjyshërit, pasi ata kanë pasur fatkeqësinë të jetojnë në një regjim që ndonëse ishte në OKB ishte e kundërta mes vendeve të tjera, pasi përfaqësonte një model për askënd. Shqipëria e vjetër ishte një model për askënd. Fatmirësisht ajo kohë ka kaluar tashmë dhe është koha të shohim drejt të ardhmes. Por nëse njerëzit nuk janë të kujdesshëm, historia ka mënyrën e të përsëriturit të vetvetes ndaj është e rëndësishme që të gjithë ne, pavarësisht nga sfondi, origjina nga e cila vijmë, pavarësisht besimit që zgjedhim është e rëndësishme që të zhvillojmë një vlerësim, një tolerancë për diversitetin,” tha Arvizu.

Në këtë kontekst, ambasadori amerikan theksoi se është e domosdoshme të ruhen parimet e shprehura në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që përbën frymën e Kombeve të Bashkuara.

“Kur mendoj për Kombet e Bashkuara, me vjen në mend një dokument që mund ta bashkëlidh me OKB-në, që është fryma e kësaj organizate dhe që është Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila përfaqëson kulminimin e një procesi, që është themeli për paqen në botë, për bashkëjetesën, për vlerësimin dhe të kuptuarit. Kjo traditë duhet të vazhdohet me çdo kusht,” tha Arvizu, ndërsa shtoi se e vetmja mënyrë që kjo traditë të vazhdojë është që të gjithë të rinjtë e kësaj bote rrokin ndryshimin dhe e përdorin mirë atë.

“Modeli Kombet e Bashkuara” është një projekt që zbatohet si një bashkëpunim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Zyrës së Koordinatorit Rezident të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trupave të Paqes në Shqipëri dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Projekti përfshin 121 nxënës të organizuar në ekipe që përfaqësojnë shkolla nga zona të ndryshme të vendit. Konferenca është forumi ku nxënësit shpalosin të gjithë përgatitjet dhe rezultatet e punës së tyre që nga tetori i vitit të kaluar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: e ardhmja e Shqiperise, gjimnazistet, Kuvendi, Meta Arvizu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT