• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ORA E MALEVE-GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

June 18, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

“ORA  E  MALEVE”:  4 GUSHT 1923/

Viti I, Shkoder, e Shtunë, nr. 17…/

Ne Foto:AT  BERNARDIN  PALAJ O.F.M. (1894 – 2 DHJETOR 1946)/

  • GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT E ÇAMËRISË/

Lexojmë në fletorën greke “Patris”, se Qeverria e Athinës ka dhanë nji vëndim që do të dergojë në Epir nji Komision, – të cilit do ti epët forca diktatoriale, – me qellim që me çue ndër ata vise nënshtetasit grekë që kanë pasë ikë prej Azisë së Vogël, në kohën e luftës që ka kenë zhvillue mes Angorës e Greqisë.

            …Lajmi i të përbartunit prej krahinës së Çamërisë, bash në atë pjesë krahine thjeshtë Shqiptare që Europa e qytetnueme e ka pa me vend me e shkëputë nga trupi i përgjithëshem i Atdheut tonë, tue shkelë kështu, të drejtat tona Kombëtare…Qeverria Greke mësa shihët e ka qitë cekën me ndjekë pikëpërpikë sistemin e Mbretnisë Otomane, përsa i përket elementave të ndryshëm që banojnë në qytete e fshatra të pushtueme me forcën e armëve e me pelqimin e Evropës; e këte sistem barbar do me e ndjekë me qellim që me i elenizue nji orë e maparë krahinat e pushtueme pa asnji të drejtë ligjore, tue i shporrun prej aty ata elementa prej të cilëve nuk mund të presin, nuk po thomi bashpunim, po në mostjetër nji të nënshtruem të plotë e të qetë të sundimit të sajë dhe nji mohim të vërtetë të ndjesive kombëtare.

            Për me ia mërritë këtij qellimi…që nuk përkon me asnji nga parimet e qytetnimit që shpallën nga Shtetet Ballkanike me propozime të neveritëshme, Qeverria greke asht tue përhapë lajme krejtë të rrejshme, lajme të cilat prej Evropës bujare merrën si të vërteta, pa u përkujdesë fare me shqyrtue burimin e tyne e fillin e mësheftë që mundën me pasë.

            Tregojmë se ditët e fundit asht hapë fjala nga Preveza, se në Çamërinë e pushtueme prej grekëve kanë ndollë disa vrasje, të cilat kanë sjellë turbullina. Ky lajm i rrejshëm ka dy qellime, njeni ma i dobët dhe ma i turpshëm se tjetri. Qellimi i parë asht me skreditue atje Shqiptarët faqe Evropës së qytetnueme, tue na paraqitë si njerëz gjakësorë, barbar, njerëz që nuk i bindën ligjve shtetnore; dhe i dyti qellim asht me frigue me gjithfarë mënyrash Shqiptarët që banojnë në Çamëri, me mujtë me këta mjete të liga me i detyrue sa ma shpejtë me ikë nga ajo krahinë dhe, t’ikmën me ju konfiskue pasuninë për me ia shpërnda shtetasve të vet, që do të sjellin ndër ata vise, të cilët sot janë në vorfninë ma të madhe.

            Përfaqësuesi i Shqipnisë n’ Athinë, tue parapa dy qellimet e dobëta të Qeverrisë greke, që ajo ka pasë me përhapjen e këtyne lajmëve të rrejshme, ka protestue me rrebtësi tek Kryeministri, z.Gonatas; por, si zakonisht protestave tona nuk i epët fare rendësi, si dihët edhe nga të interesuemit se Shtetet e Mëdha të Evropës, nuk kujdesën fare për të mbrojtë të drejtat e Popullit Shqiptar, t’ Atij Popull që së fundi ka të drejtë me jetue si çdo popull tjetër.

            Shtetet Ballkanike e quejnë të egër Popullin Shqiptar; ndonse, na nuk mund të thomi se në mes të Popullit tonë shkëlqen dija e qytetnimi i vërtetë, mund të dëshmojmë me fakte në dorë se egërsia e ndjekun nga ana e disa shtetëve fqinjë ndër visët e pushtueme prej tyne në Shqipni, asht kenë, e ndoshta, asht edhe sot aq e randë, e mënershme, sa Populli ynë me pasë kenë i lirë me vëprue, nuk kishte mujtë kurrë me ba ata barbarizma që shkapërcejnë çdo ndjesi njerëzore e bujare.

            Asht koha që egërsinat me u zhdukë njiherë e përgjithmonë nga faqja e Evropës, tue mendue se sot popujt nuk mund të sundohën nga egërsinat, të cilët janë mohimi i pakundërshtueshëm i qytetnimit dhe i përparimit, sëpse sot, simbas parimëve shkencore e qytetare që ndiqën në gjithë botën e qytetnueme, nuk mund të përdorën popujt si kafshë mbi të cilët sundimtarët mund të kenë të drejtë me shfrye egërsinë e vet, sikur, popujt t’ishin frymorë pashqisa.

            Përveç kësaj dhune të turpëshme që Evropa, pikërisht në shek. e XX guxoi me i ba nji Populli të vogël po, por kreshnik, nji Populli që kërkon e lypë respektimin e të drejtave të veta Kombëtare, të mbështetuna mbi thëmele historike, etnike, gjeografike, sot, ajo heshtë mbi padrejtësitë që kryhen mbi korrizë të Shqiptarëve, që ora e zezë i ka dënue me ngelë nën zgjedhën e robnisë së huej; dhe, me heshtjen e vet Evropa sot, nën rizhvillimin e qytetnimit ma të shkelqyeshëm, pëlqen, pranon, vulosë të gjitha padrejtësitë që lirisht kryhën prej atyne drejtuesve, prej atyne rrënuesve të Atdheut tonë, kundër Shqiptarëve të mjerë, të cilëve, ju mohue e drejta Kombëtare.

            Sidoqë të jetë, deri sot Qeverria Qendrore e Tiranës asht sjellë shumë mirë e me takt diplomatik fort të lavdueshëm me Shtetet që kemi përreth…Populli ynë dëshron me pasë mardhanje miqësore e tregëtare me popujt fqinjë.

            Shteti Shqiptar…respekton të drejtat e pakicave të ndryshme që tue banue në Shqipni përbajnë minoritetin, ndonse, këto të drejta nuk i respektohën Vëllazënve tonë as në Jugosllavi, as në Greqi, aqsa në asnjenën mbretni ata nuk kan asnji shkollë në gjuhën amtare.

            Grekofonët e Shqipnisë kanë të çiluna në vendin tonë ma shumë se 40 shkolla, ku mësohet gjuha greqishte, të mbajtuna nga Shteti ynë ose ma kjartë me folë, të mbajtuna me të hollat e Popullit Shqiptar, të atij Popull… që sot ka nëvojë me shtue shkollat e veta.

            Po i sillemi pra, n’emën të Popullit Shqiptar, Fuqive të Mëdha të Evropës, për me Ju lutë me u kujdesue për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjindën Vëllaznit tonë të Çamërisë, tue e detyrue Qeverinë e Athinës mos me përdorë masat e padrejta kundër atyne Shqiptarëve, që edhe pse nuk pranojnë me u elenizue, kanë të drejtë me jetue në vendin e tyne…”                                             W. (At Bernardin Palaj).

 

■Shenim nga F.Radovani: Materiali tregon qendrimin e At Bernardin Palaj, mendimtar  nder ma të shquemit e Klerit Katolik, i mbytun në tortura në 1946 me korrent elektrik nga dy kriminelët e Sigurimit Fadil Kapisyzi dhe Dul Rrjolli, me urdhën të Enver Hoxhës.

■Po mbas vitit 1944 cili ishte qendrimi i disa “intelektualëve” çamë, në Veri të Shqipnisë, ose ma sakt: Teme Sejkos në 1945, dhe i Hilmi Seitit nga 1949 – 1961, tue iu referue dy “Dosjeve” Don Ejëll Kovaçit (1958 me hetues Shyqyri Çokun), dhe Don Dedë Malaj, , të pushkatuem pafaj me 11 Maji 1959, nga vetë krimineli çam gjeneral Hilmi Seiti…

■Populli Shqiptar i Çamërisë duhet të njohin Atdhetarët, por dhe tradhëtarët që e shiten!

            Melbourne, Qershor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: -GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT, At bernard Palaj, e Çamërisë!, Fritz radovani, ORA E MALEVE

Aleksi Çipra me origjinë nga Arta e Çamërisë

January 8, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Kryetari i opozitës së majtës radikale greke Aleksi Çipra i cili ka shanse të fitoj zgjedhjet që do të mbahen në Greqi më 25 Janar 2015, është me origjinë nga babai çam ortodoks. Çipra është edhe nënkryetar i të majtës Evropiane.
Disa herë në mediat ekstremiste të djathta greke, Aleksi Çipras e kanë akuzuar se babai i tij ka financuar ish-kryepeshkopin e Greqisë Jeronimo Koçonit, gjatë viteve 1967-1973, i cili edhe ky kryepeshkop ishte me origjinë shqiptare. Gjatë këtyre viteve Pavlos Çipras ka financuar edhe misionet në Afrikë të kryepeshkopit të sotëm të Shqipërisë Janullatosit. Lind pyetja se çfarë i lidh këta të tre? Ata janë me origjinë shqiptare dhe Çipra dhe Anastas Janullatosi janë nga Çamëria, Arta dhe Preveza. Aleksi Çipra ka marrëdhënie të ngushta edhe me Kryepeshkopin e sotëm të Greqisë, Jeronimo Lapi (Labi) i cili është me origjinë shqiptare.
Nëna e Aleksit është nga fshati Elefteropoli të Kavallës që deri në vitin 1928 quhet Pravi. Ndërsa Babai i tij, Pavlos Çipra është nga fshati i Artës të Çamërisë.
Mbiemri ÇIPRA rrjedh nga fjala shqipe Sipër-Mbi, në dialektin çam. Konstandin Kristoforidhi në fjalorin e tij të gjuhës shqipe botuar në greqisht në Athinë më 1904, në faqe 441 shpjegon se fjala TSIPRA-është fjalë shqipe.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksi Çipra me origjinë, arben llalla, e Çamërisë!, nga Arta

27 Qershori….kujtesa e pashuar e Çamërisë!

June 26, 2014 by dgreca

[ Homazh në përkujtim të masakrave kundër popullatës shqiptare të Çamërisë]
Nga ERVIN FETAHU/
“Sërisht po vijnë ata…! ata që nuk harrojnë kurrë,hapat e tyre dëgjohen atje tej përsëlargu,gumuzhijnë zërat e të gjallëve e bashkë me ta, bashkohet refreni i gjyshërve tanë të vdekur…! ”Qafë Botë moj të raftë nëma, ndave foshqën nga nëna “
27 Qershor…! dielli bënë hije mbi kokat tona, ndërkohë rruga gjarpëronjëse e tejmbushur me shqiptarë të Çamërisë , të cilët ngjyrosin rrugën kuq e zi me flamujt në duart e tyre. Atje ku afshi përvëlonjës dhe vapa vështirësojnë ecjen, gjymtyrët motivohen e marrin forcë, vështrimin hedhin atje tej në Çamëri…! Ky ritual që duhet të jetë i përvitshëm, bart simbolika që vetëm shpirtrat e plagosur mund ti dëshifrojnë,e kështu koha i jep pak nga pak trajtën e një peligrinazhi. Të moshuar, gra, të rinj e të reja marshojnë drejt përkujtimit të viktimave e të rënëve të pafajshëm me plot përulje e respekt.Ecim me kokë ulur, të duket sikur po numërojmë pikërisht hapat e dhimbjes e rraskapitjeve që kalun ata shqiptarë fatkeq, meditojmë të kaluarën që nuk u buzëqeshi gjyshërve tanë,e nën zë u themi se ne,bijtë tuaj,kurrë nuk ju kemi harrurar, sinergjia shpirtërore rrezonon shpresë e kurajo, jehona e zërit të shpirtrave martir na udhëheq drejt “Tokës Çame” si flamurtar të fitoreve që na ka rezervuar e ardhmja.Aty ku forca magnetike e Çamërisë tërheq kah vetja qënien tonë me gjithë fuqinë e saj.Syri ziliqar e i zënë në faj nuk fle,i ndier në ankth vështron aty përtej një kodre,matan kufirit ndihet atmosferë nervoze,rojet e gardës kufitare greke afrohen duke qartësuar planin me dylbi ushtarak, zëra që pëshpërisin, erdhën ,erdhën ata që na janë qepur keq,po afrohen zotërit e Çamërisë! Mund të themi se vërtet aty ndodhet një kufi “zyrtar”, por jo për ne,bijtë e asaj toke…! ai kufi ndarës funksionon vetëm për palën greke që ruan me fanatizëm tokën e grabitur…! e si mundet vallë të ketë kufi mes birit dhe nënës, kufiri ynë mbaron atje ku era e Jonit përhumbet,ku aroma e portokallit venitet,ku fillojnë shkëmbinjtë e thatë,e ku ulliri nuk lulëzon më, aty mbaron Çamëria ! Dramë e dhimbshme,njollos e damkos Greqinë me hije turpi.Pretendentët si stërnipa të Demostenit apo Perikliut, krenohen me këtë inskenim e regji të fantazuar dhe realizuar pikërisht prej tyre.Kufiri i hekurt ka vetëm një qëllim tinzar,izolon dhe hermetizon Çamërinë,ndalon shqiptarët vendas të kthehen në vendlindjen e tyre,dhe aq më tepër mban peng një miqësi të pretenduar mes dy popujve,them të “pretenduar” për vetë faktin se asnjë “traktat miqësie” nuk është zbatuar mes dy fqinjëve.Bota e qytetruar,shpesh herë hesht dhe vëzhgon me naivitet për padrejtësitë dhe mënxyrat që ndodhën haptas në ditë me diell.Ndaj ne viktimat e këtyre padrejtësive duhet ti dalim zot vetes,të dëshmojmë me mjete demoktratike që nuk kemi për te reshtur në asnjë çast,dhe do i japim vlerën meritonjëse të drejtës sonë.Kjo ditë qershori shërben për një rizgjim dhe zgjidhje sa më të shpejtë, me shpresën se do përmbushim amanetin, e do lehtësonim sadopak ato shpirtra të praruar. Kjo,më së shumti vlen për ata që kanë diçka në dorë,e kam fjalën për institucionet e shtetit tonë, që nuk e kanë idene apo ndoshta nuk e kuptojnë aq sa duhet rëndësine e çështjes çame, e cila obligon dhe ngarkon me përgjegjësisi, pse jo, vë në sprove ndërgjegjen tonë kombëtare, pra sa kujtesë e memorie kemi si komb…! mbetet për tu pare nëse do ta përmbushim urdhëresën e shenjtë…!
Vetë terminologjia e fjalës peligrinazh tregon shenjtërim e respekt dedikues nga ana jonë në çdo datë 27 qershor,ku vendosim kurora me lule, spërkasim me ujë ngadalë tokën që ruan brenda saj qindra e mijëra eshtra në atë varrezë masive të shkaktuar nga genocidi vrastar, dëbimi masiv e spastrimi etnik për të cilat bëjmë përgjegjës shtetin fqinjë të asaj kohe dhe shtetin e tanishëm që ecën pak a shumë në të njëjtën linjë, pra Greqinë e cila injoron në mënyrë të paturpshme vuajtjet e persekutimet e popullësisë came! Ndoshta rastësia,ose më saktë “ironia e fatit” e quan grykën apo qafën në të cilën emigruan çamët ”Qafë Bota”,sepse pikërisht aty ndahen dy botë, bota e së mirës dhe së keqes, bota e mizores e bota e pafajsisë, aty ku padrejtësia ulet këmbëkryq. Ehhh ç’maraz na ka kapluar tash e sa vjet me rradhë…! Kur do vij ajo ditë që era e Çamërisë të na flladis ballin tonë kryelart …?!
E di që rrëfejnja të tilla u takojnë pasionantëve, këtu nuk ka aspak ngarkesë emocionale,por është e vërtetë drithëruese që shpon thellë. Deri më tash,Greqia ka refuzuar të pranojë zgjidhjen e “çështjes çame” por nuk mendoj se do zgjasi edhe shumë kjo situatë,realitetet e fillimit të mijëvjeçarit të ri nuk do i lejojnë greqisë luksin të ndihet pengmarrëse e përjetëshme.Shqipëria dhe populli shqiptar tashmë janë shumë afër “de jure” me familjen europiane,ne fituam statusin si vend kandidat,e më pas drejt një antarsimi me të drejta të plota në kontinentin e lirisë e demokracisë.Siç kemi detyrime ndaj kushteve dhe reformave që duhet të përmbushim, ashtu edhe Evropa ka detyrim moral dhe juridik që “çështjes came” ti japë zgjidhjen e merituar.Greqia si një vend antar i “Bashkimit Europian” duhet të kthejë sa më shpejtë drejtësinë e munguar,nëse vërtet pretendon se ruan vlerat e vendit prej nga u kultivua dhe u eksportua demokracia, pra të rikthejë të zotët e vendit atje ku kanë shtëpitë e gurta, buzë Jonit, në trojet e tyre stërgjyshore. Ëndrra jonë, jeton vetëm në realitet, kahera prania e popullësisë çame në atë ditë qershori në “Qafë Botë” thërret dhe komunikon mes gjeneratash,gjyshër që s’patën dot mundësi tu tregonin nipërve atë kalvar vuajtjesh, duket sikur thonë….djelthmit tanë ! nëse ju do të lodheni së kërkuari Çamërinë, atëherë kush tjetër veç jush do e kërkoj atë tokë të bekuar…?!
Sikur degët e drurëve të Çamërisë të priteshin e të bëheshin pena, e prej lumit Kalama të buronte bojë, sërisht nuk do mjaftonte të shkruheshin e të molloiseshin vuajtjet e dhimbjet e kësaj popullsie martire që nuk u dorëzua për asnjë çast. Brezat që pasuan ndonëse nuk ishin dëshmitar okular të atyre ngjarjeve dramatike, dëshmitë e të mbijetuarve i bënë ata pjesë të asaj tragjedie. Imagjinata na çon diku larg në kohë, tek vapa vrastare e vitit 1944, ku mungonte një pikë uji për të freskuar etjet e foshnjave në djep,shikimet e atyre njerëzve në ato çaste shkëmbehshin e dukeshin si të zëna në faj, në apelin që familjarët bënin për pjestarët e tyre,mungonte një-dy, apo ndoshta e gjithë familja e masakruar.Nuk gjendej një mundësi ngushëllimi e reagimi mbrojtës, veç një “Zoti” sipër… medet për barbarizmat Zerviste, medet !
Diku aty,në një vend pushimi pranë Konispolit ndodhej një komision ndërkombëtar i “Lidhjes Kombeve” që kujdesej e mbante raporte mbi gjendjen e refugjatëve të luftës, proçedura kërkonte disa dëshmi okulare nga të mbijetuarit, e kësisoj mblodhën shumë prej dëshmive trishtuese, befas afrohet një nënë me flokë të shpleksur e të pluhurosur tek nxjirrte nga gjiri i saj, e çfarë do të thoni ju…?! mos ndoshta hajmali…! jo joo aspak, e gjora nënë hapi shaminë, e nxjerr bashkë me të një pjesë kafke të mbuluar me flokë ,ishte kafka e të vetmit djalë,që i fluturoj para kembëve të saj…! çaste shokuese , aty mbizotëroi heshtja, komisioni i dëshmive shtangu e tha njëzëri, “sikur të ishte thjesht kjo e vetmja dëshmi në gjithë këto masakra, do mjaftonte të ngarkonim me faj e turp ata kriminel barbarë. Ndaj në përfundim të këtij shkrimi i kërkoj të gjithëve që sëbashku të solidarizohemi e të kujtojmë për mos të harruar “27 Qershorin” kalvarin e dhimbjeve tona …!

Filed Under: ESSE Tagged With: 27 Qqershori….kujtesa, e Çamërisë!, e pashuar, ervin fetahu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT