Shkruan: Eugen SHEHU/
Qëndresa,ky lajtmotiv i jetës shqiptare,ka shoqëruar historinë e vendit të shqipeve në çdo kohë. Prej fryme,gjaku,mishi a guri,kjo qëndresë ka ruajtur brenda vetes,ate ndjenjë të fuqishme,gati të pamposhtur,për të mos lënë atdheun në duar të huaja.Shqiptarët të radhitur pas njëri-tjetrit në këtë qëndresë,u ngjanin atyre fishekëve të gjerdanit në brezin e madh të shekujve.E skalitur me përrenj dhimbjeje dhe gjaku,në epikën e kësaj qëndrese,qëndron data 7 prill 1939.Kjo datë do të jetojë me krejt fatet historike të popullit tonë,jo aq për tragjizmin e asaj se sa për ate frymë madhore qëndrese e shfaqur dukshëm në brigjet shqiptare.Ajo çka populli ynë realizoi në ato ditë të para të prillit,nën udhëheqjen e nacionalistëve shqiptarë,provonte njëherazi shpirtin e tij liridashës dhe guximin për ta ruajtur të paprekur këtë ndjenjë.
LËVZIJET NË PRAGPUSHTIMI/
Është krejt e natyrshme të mendohet se 7 prilli i vitit 1939,nuk mund të zbriste nga qielli.Ai u përgatit së paku në një vit dhe u kondicionua së tepërmi nga ngjarjet në Evropë e Ballkan,në vitet 1937-1938.Veçmas në fillim të vitit 1938 kur boshti Romë-Berlin përfaqsonte një element absolut të forcës si në resurse njerzore,ashtu edhe në armatime.Uzina e fabrika të tëra armatimi,ishin vënë nën influencën dhe kontrollin e rreptë të shtabeve ushtarake.Ironia më e madhe ishte se këto shtabe përfaqsoheshin nga kuadro ambicioze,me karierë të pasur ushtarake dhe drejtoheshin prej dy njerëzve të ç’ekuilibruar mendërisht,Hitlerit dhe Musolinit.Në vitet 1937-38,të shekullit që lamë pas,Shqipëria ndodhej e zhytur në njëmijë e një probleme të mëdha ekonomike,politike,ushtarake etj.Mbreti Zog,ndonëse ishte i prirur të qeveriste me dorë të hekurt,falë kulturës perëndimore që dispononte,la që të punonin në poste kyqe mjaft prej kundërshtarëve të vet politik.Duke trashëguar një prapambetje kolosale nga e kaluara,Shqipëria endej midis huave dhe ndihmave,për të mbajtur gjallë shpirtin.Jeta politike në vend po kristalizonte disa rryma liberale e domkratike të cilat Ahmet Zogu i shihte me indiferencë por jo pa u kujdesur të informohej për gjithshka ndodhte brenda atyre lëvizjeve.Në fillim të vitit 1938,shihet një afrim i ngushtë midis qeverive të Serbisë dhe Bullgarisë.Ishin njoftuar zyrtarisht disa takime të njëpasnjëshme të ministrave të jashtëm respektive ku në qendër pat qenë vlersimi i situatave në Shqipëri.Nëse qeveria e Ahmet Zogut,këto flirte i parashihte si rreziqe të ardhme në kufijtë e saj veri-lindorë,qeveria italiane ishte e prirur të mendonte se fjala ish për „ndërhyrje“ në domenet e saj.Ajo shihte me dyshim bashkëpunimin e Bullgarisë me Setbinë,për faktin se kishte investuar së tepërmi në Shqipëri,në krejt rafshet,si ate ekonomik,edhe politik e kulturor.Në fundprillin e vitit 1938,ministri i jashtëm i asaj kohe Gaetane Ciano,mori pjesë në martesën e Mbretit Zog me zonjushën Geraldine,hungareze me preardhje familjare,konteshë.Me këtë rast ai mundi të shoh edhe një herë në Shqipëri,ndikimin italian e më tej të konturojë të ardhmen vasale të këtij vendi në brigjet e kundërt të Adriatikut.Ciano nuk nguroi të marrë takime me kuadro të larta ushtarake italiane të cilët në bazë të marrëveshjeve të maparshme shërbenin si instruktorë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare.Kështu që më 10 maj të vitit 1938,Duçja së bashku me Cianon,hedhin idenë e një promemorje për Shqipërinë.Në te caktohen imtësisht detajet mandej lidhet periudha një vjeçare deri në sulmin ushtarak,periudhë e mbushur me lëvizje diplomatike e politike mjaft të sakta.Ata nisin të potencojnë në propagnadën e tyre,unitetin dhe fuqinë e boshtit Romë-Berlin duke parandjerë se Franca dhe Anglia nuk do të jenë dakord me këtë pushtim.Kjo ngase ata kanë synimet e tyre në Ballkan dhe tradicionalisht lidhen me miqësi të tilla,që duan zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e hartës ballkanike.Lidhur me tërë këto,Ciano nisi ta shtrije aktivitetin e vet diplomatik në disa kancelari evropiane.Motoja e këtij aktiviteti,ishte të spjegonte mbi mungesat e mëdha në Shqipëri dhe „nevojat imediate“ për një kujdestari me çrast nënkuptohej Italia.Në ditarin e vet,në datën 19 maj 1938 ai shkruan ;
„Si pasojë e një informacioni nga Tirana.lidhur me aktivitetin e zgjeruar të Ministrit gjerman,Duçja më tha , t’i bëjë Ribbentropit se ne konsiderojmë çështjen shqiptare si „çështje të familjes“,formale kjo e përdorur nga gjermanët për studentët.Pra „Hands off“… Tani,ai po vlerson mjetet dhe operacionin ushtarak…
“( G.Ciano, Ditar, 19 maj 1938 , faqe 14 , Botuar në Milano 1963 ).
Ndërkaq në drejtim të Shqipërisë,qeveria italiane nisi të avancojë disa veprime ekonomike siç ishin ndërtime urash e shtrime rrugësh.Këto dhe të tjera lëvizje në rrafshin kulturor,donin të institucionalizonin shprehjen publike të Duçes se „Shqipëria është në zemrën time“.Disa traktativa për të patur në çdo rast,nën influencën e tyre.Mbreti Zog,dështuan.Më tej u konturua në detaje plani i rrëmbimit të tij me anë të një jahte ( e cila do ti dhurohej Mbretit Zog me kusht që ekuipazhi të ishte Italian).Por edhe kjo manovër dështoi falë intuitës vetruajtëse të Mbretit të shqiptarëve. Në vjeshtën e vitit 1938,ministri jugosllav në Romë,Kërstiç Boshko,bën të ditur pranë qeverisë italiane se marëdhëniet shqiptaro-italiane janë më të ngushta nga ç’duhet,duke lënë të nënkuptohet se Beogradit nuk i pëlqen kjo ulje këmbëkryq në Shqipëri.Ciano e shmang diplomatikisht këtë bisedë,duke i bërë të qartë boshkos,se tanimë gjithshka lidhur me Shqipërinë ka marrë fund,ndërsa jugosllavët,nëse do të ishin të zgjuar e kurajoz,duhej menjëherë të niseshin në drejtim të Selanikut.Boshti Romë-Berlin kish paracaktuar që serbët asesi nuk mund të përkdheleshin prej valëve të Adriatikut.Përkundrazi ata duhej të kapnin Selanikun,për të pasur frymarrje në detin Egje. Një tjetër version tani në zyrat e fshehta të shërbimeve speziale italiane,ajo e vrasjes së Mbretit Zog prej mikut të vjetër të tij,shqiptarit Koçi Jake.Me ndërhyrjen e drejtëpërsëdrejti të Jakomanit,ky shqiptar mjeran vendos familjen në Itali dhe instruktohet për eleminimin fizik të Mbretit të shqiptarëve,ngase Italia shihte në personin e tij,kundërshtimin e prerë dhe të hapur jo vetëm ndaj memorandumit,por ndaj çdo „zgjidhje“ që italianët afronin për pushtimin ushtarak.Në ditarin e vet, lidhur me ngjarjet e atyre ditëve,Ciano shkruan ;“ 6 dhjetor.Duçja shqyrton dhe aprovon planin e aksionit në Shqipëri.Ngre rezervën për Jugosllavinë.Për Francën,për Anglinë e Greqinë nuk preokupohet fare.E ndjek me vëmendje qëndrimin jugosllav,i preokupuar jo nga ndonjë reaksion i vërtetë,gjë që duket e vështirë,por e shqetson ndonjë dobësim i miqësisë me të.E quan të dobishme të studiohet mundësia e një kompesimi,qoftë në kurriz të Greqisë ;Selaniku“. ( G. Ciano , Ditar , 6 dhjetor 1938, faqe 20 , botuar në Milano 1963 ).Rënia e Stojadinoviqit në janarin e vitit 1939,u duk se e ndërlikoi pak situatën por italianët vendosën të sulmojnë,pa u meralosur tashmë fare ndaj divergjencave me dilplomacinë serbe.Shtabi ushtarak në Romë,tashmë kish përcaktuar qartë strategjinë dhe taktikat e pushtimit madje kish vendosur edhe kuadrot kryesore të rangjeve të larta.Ky pushtim ushtarak u planifikua të kryhej në dy faza.E para ishte pushtimi me veprime luftarake – rrufe e qendrave kryesore,porteve dhe pozicioneve strategjike. E dyta ishte pushtimi i plotë i viseve shqiptare deri në kufijtë e jugosllavisë e Greqisë,pushtimi i cili do të realizohej prej një fuqie të madhe ushtarake,të paisur më së miri me mjete dhe teknikë luftarake.Më 15 mars 1939 , trupat ushtarake gjermane fillojnë pushtimin e Bohemisë,një ndër zonat më të pasura të Evropës.Boshti Romë-Berlin ka nisur të ndjejë plasaritjet e para,ngase gjermanët deri në fund ishin kuptuar jo mirë dhe kishin dashur me italianët,jo partneritet por vasalitet.Ushtria italiane që numëronte dhejtra mijëra dukej si e fyer.Ajo ish e etur për lavdi të reja dhe u zgjodh pikërisht Shqipëria që të shunate orekset e ndyra fashiste.Në fundmarsin e vitit 1939,në drejtim të Tiranës,niset sekretari i kabinetit të Cianos,baroni De Ferraris.Ai mbart në valixhen diplomatike të tij projektin e Paktit për protektorat italian,të ideuar nga Duçja e Ciano.Njëherit ka kërkuar takim kokë më kokë me mbretin Zog dhe ky,duke qenë në dijeni të përgaditjes italiane për invazion e pranon takimin.Por pas disa orë debatesh,De Ferraris ka dalë gati i zhgënjyer nga zyra e mbretit të Shqiptarëve.Ai ka qenë i sigurt kur ka refuzuar të firmosë paktin dhe baroni italian ka vijuar udhën në det duke u kumtuar shefave të vet,vendosmërinë e Ahmet Zogut për të mos bërë asnjë kompromis me ushtarakët italian.Kaq është dashur që Duçja të përcaktojë datën e sulmit ndaj Shqipërisë.
PARALELE NË BRIGJET SHQIPTARE
Fatkeqsisht,historiografia komuniste e Tiranës, e ka lënë në harresë 7 prillin e vitit 1939.Me tendencë,ajo e ka paraqitur krejt spontane revoltën dhe qëndresën shqiptare në ditët e para të prillit 1939.Për më tej,paradakosalisht,këtë rezistencë të armatosur,ajo e ka paraqitur nën ndikimin e komunistëve dhe ideve të tyre !… Një butaforizëm klasik si ky ka shoqëruar 7 prillin shqiptar në më shumë se pesë decenie. E vërteta është krejt ndyrshë.Traktativat italiane për protektorat,Mbreti Zog do t’i përjetonte kurdoherë si përgaditje të një sulmi eventual të Italisë,ndaj trojeve të atdheut të vet.Këtë e dëshmojnë një varg i tërë urdhërash mobilizimi që në janarin e vitit 1939.Këto urdhëra,anipse nuk flisnin hapur,nënkuptonin mobilizimin e përgjitshëm të shqiptarëve,prej rrezikut që i kërcnohej.Mbreti i shqiptarëve,në periudhën janar-mars 1939,u përpoq të neutrolizojë sa ma shumë veprimtarinë e këshilltarëve italian,me ç’rast do të ruhej sa më shumë sekreti i përgaditjes së ushtrisë kombëtare shqiptare.Në urdhërin e tij,për mobilizimin e dy batalioneve me ushtarë rezervistë në trevën e Matit,thuhej tekstualisht : „Oraganizimi të bëhet në fshehtësinë sa ma të naltë e ndër ushtarë të forcohet besimi se duhet me krye detyrën e shenjtë ndaj atdheut“.(Urdhër dt.15 shkurt 1939 , Arkivi ushtrisë – Tiranë, fondi „Pushtimi fashist i prillit 1939 „ kutia 27 , fleta 17 ).
Jo vetëm terva e Matit,por nga krejt viset shqiptare dulën me qindra rezervistë të gatshëm për t’u inkuadruar në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Këtu vlen të ndriçohet sidomos fakti se nuk ishin komunistët por nacionalistët shqiptarë ata me shembullin e tyre,ngritën në këmbë popullin shqiptar kundër pushtimit fashist që trokiste në prag.Emra të njohur të këtij nacionalizmi si Mid’hat Farshëri,Abaz Kupi,Hysni Lepenica,Vasil Andoni,Haki Taha,Safet Butka,Xhem Gostivari,Zef Pali etj ,me zërin e tyre dhe guximin e madh,ngritën ndërgjegjen kombëtare shqiptare,në nivelin Himëror të përballjes së tyre me italianët.Ishin pikërisht këta bij të shqipes,që organizuan greva e demonstrata të hapura,që kundërshtuan pushtimin dhe jo komunistët( që u grupuan në vjeshtën e vitit 1941 prej jugosllavëve ).
Ushtarak i lindur Mbreti Zog,me nismën e tij, krahas moblizimit të një pjese të konsiderueshme të popullit,kreu edhe paisjen me armatim e mjete luftarake të tjera,këto forca rezerviste.Mbase do të duhet studime të tëra të historiografisë ushtarake shqiptare lidhur me këtë ngjarje,por dokumentat flasin për ate se ushtria kombëtare e asaj periudhe ishte e paisur me mjete nga më modernet ushtarake,si edhe drejtohej prej atdhetarëve që patën kryer studime në akademitë ushtarake të Evropës.Figura të tilla si Muharrem Bajraktari,Preng Previzi,Fiqri Dine dhe Abaz Kupi,e patën treguar me kohë devocionin e tyre ndaj çështjes së lartë kombëtare.Ylli i mëngjesit për ta,kish qenë kurdoherë atdheu dhe bashkimi i kufijve etnike sipas të drejtave natyrore të kombeve. Në vija të përgjithshme,sipas burimeve ushtarake italiane për operacionin në fjalë,strategjia e ushtrisë kombëtare shqiptare,synonte në ;“Mbrojtjen e vendeve me rëndësi të veçantë,në bregdet duke patur në dorë një forcë rezerve e cila në çdo rast do të mundësonte shtyrjen e rënies së kryeqytetit“.
( M. Montanari , „Ushtria italiane në Shqipëri“, Romë 1978 , faqe 401 ).
Pra shihet qartë se strategjia e Mbretit Zog ishte në një përfytyrim konkret.Ushtria shqiptare,edhe pse dispononte armatime moderne,ajo nuk ish paisur as me anije dhe as me aeroplane-gjuajtëse. Si e tillë mbrojtja do të ishte kryesisht fragmentare.Një mbrojtje e tillë ishte plotësisht funksionale po të llogaritës forcat e dy ushtrive që do të ndesheshin pas disa ditëve.Forcat më të mëdha të ushtrisë kombëtare shqiptare u dislokuan në rajonin Shijak-Tiranë-Krujë,aty ku pritej të bëhej rezistenca më e madhe.Kështu komanda e lartë ushtarake shqiptare,solli duke marrshuar kryesisht natën 7 batalione dhe gjashtë batalione artilerie,që në çdo rast përbënin gjysmën e forcave që aktualisht egzistonin.Në bregdetin e Durrësit u caktua një batalion xhandarmërie dhe dy rezerviste të cilat i instruktoi dhe ndau detyrat,vetë komandanti i xhandarmërisë i Durrësit,Abaz Kupi.Falë reputacionit që ky atdhetar gëzonte në krujë,ngy ky qytet shkuan në Durrës edhe 70-80 burra të armatosur.Në Vlorë prej shtabit të lartë ushtarak u dërguan tre batalione ndër të cilat dy me rezervistë të mobilizuar në trevën e Tepelenës dhe Labërisë.Trimat e këtyre viseve,shkuan në Vlorë sypatrembur,duke dashur të përsëritnin sërish epopenë e lavdishme të vitit 1920.Ndërsa disa reparte të mobilizuara në Pukë,në ditët e para të prillit,u dërguan në qytetin e Shkodrës,pse dihej që ai do të ishte ndër të parët qytete të lakmuar prej pushtuesve italian.Në qytetin e Tiranës,në ditët e para të prillit,disa shqiptarë të shitur tek Italia hodhën parrulla kundër Mbretit,në mjedise publike.Por populli muk i përkrahu,përkundrazi,i drejtuar prej bijve të nacionalizmës u ngrit i tëri në protesta madje edhe duke thirrur : Rroftë Mbreti Zog !
Më 2 prill 1939,Ciano e Periani diskutojnë mbi mundësinë e hedhjes në Pyjet e Tiranës,një formacion italian i cili do të bënte çish e mundur për të shkatuar ndonjë incident me Mbretin e shqiptarëve e më pas të përligjej sulmi italian.Ideja ishte „fort e mirë“ por pas disa informatave të marra nga agjentët e tyre në Shqipëri,Ciano në ditarin e vet shkruan : „3 Prill… Me Parianin saktësojmë disa detaje të luftës që do ndërrmarim në Shqipëri.Sipas lajmeve që arrijnë në mbrëmje,situata është serioze më tepër nga çë mendonim.Nuk ka mundësi të dërgohet skuadra e kryesuar nga Nuti sepse aeroportet janë plotësisht të kontrolluara dhe qyteti është mbushur me banda të armatosura që lëshojnë kërcënime kundër italianëve“.(G.Ciano,ditar,3 prill 1939, fq.33).
QËNDRESA E MADHE
Sipas burimeve ushtarake italiane,në natën e 6 prillit u nisën trupat e skalionit të parë të ushtrisë italiane,drejt brigjeve shqiptare.Ndërsa anijet ushtarake u nisën në qiellin shqiptar duke demonstruar forcën dhe terrorin tipik fashist, 100 aeroplane të flotës ajrore ushtarake italiane të cilat shpërndanë mijëra fletushka të shkruara në shqip ku thuhej se ndaj ushtrisë italiane nuk duhej ngritur asnjë pushkë sepse ajo kish ardhur për të vendosur „rendin „ dhe „paqën“.I njejti rit u përsërit edhe në mëngjezin e 7 prillit në rajonet veriore dhe jugore të Shqipërisë. Në mëngjezin e 7prillit,trupat italiane nisën zbarkimin e tyre,së pari në portin e Durrësit.Kështu ishin tubuar forcat më të mëdha goditëse,që në valën e parë ; mbi 5000 ushtarë e oficerë,71 tanke,dy regjimente bersalieresh, regjimenti granatierve,dy batalione të transportuara me anë të ajrit si edhe kryqëzorët e rëndë ;“Fiume,Xara“,“Goricia“ dhe „Pola“.Një arsenal i tërë njerëzish dhe armësh derdheshin ndaj një populli sovran e liridashës.Makina fashiste e luftës vepronte në ekspansionin e saj duke goditur rëndë jo fatin e qindra njerëzve por krejt të një kombi.Cizmet e para të pushtuesve italian,do të shkelnin brigjet shqiptare në orën 5.30 minuta.Ata ishin një kompani marinarësh të kryqzorit “Fiume” të cilët nuk bënë as disa hapa.Mbrojtja e ideuar dhe drejtuar prej kreshnikut Abaz Kupi,hapi menjëherë zjarr të fuqishëm.Forcat e xhandarmërisë përbënin brezin e parë mbrojtës,ndërsa ata rezerviste ishin pozicionuar në disa fortifikata të vjetra ose hapnin zjarr nga dritaret e shtëpive pranë portit.Breshëria e armëve të shiptarëve,ishte pikënisja e qëndresës së madhe e cila do të zgjaste plot katër vjet,deri në kapitullimin e lavdisë musoliniane.Zjarri i pushkëve shqiptare,i drejtuar prej bijve nacionalistë të kombit,dha një goditje të parë të fuqishme e cila jo vetëm hutoi marinarët italian por edhe i mbushi radhët e tyre me viktima.Pikërisht lidhur me këtë befasi,në rajonin e Durrësit, M.Montanari do të kujtonte ; “Sapo marinarët vunë këmbët në bankinë,breshërit e pushkëve dhe të mitralozëve i rrëzuan tanët përtoke”.( M. Montanari, “Ushtria italiane në Shqipëri “ faqe 263 ).
Superiore në njerëz dhe teknikë luftarake,pushtuesit fashist italian nisën të bombardojnë shtëpitë-fortesa dhe pozicionet e luftëtarëve nacionalistë në vijën prej Urës së Dajlanit e deri në Curila.Ata zbarkuan të mbrojtur prej këtyre avionëve.Regjimentin e 10-të bersalja me ç’rast marinarët e kryqëzorit “Fiume” muarrën krahë dhe u nisën sërish drejt bregut shqiptar.Kjo luftë midis dy të pabarabartëve vazhdoi gati katër orë deri në orën 9.30 të datës 7 prill.Kur drejt Durrësit po fillonin hapësira gjithnjë e më të mëdha pushtuesit italian,Abaz Kupi mendoi të tërheqë forcat e rezervistëve për të zënë rrugën që shkonte në Tiranë.Ndërkaq në fortesën e parë shqiptare,ku prej më shumë se katër orë pat luftuar trimërisht,bie në fushën e nderit kapteri i ushtrisë kombëtare shqiptare Mujo Ulqinaku.Ky ulqinakas trim do tu rrëfente italianëve se ata do të priteshin jo me lule siç u patën thënë në Romë,por me fishek në lule ballit. Pas luftimesh tejet të ashpra,në mesditën e 7 prillit, gjeneral A.Guconi,i cili ishte vënë në krye të operacionit ushtarak italian,urdhëroi kolonën “Mese” që të fillonte lëvizjen në drejtim të Tiranës.Me të parë këtë veprim taktik të tyren , Abaz Kupi, urdhëron kompaninë inxheniere të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që të hedhin në erë urën e Shijakut me ç’rast autokolona italiane ishte e destinuar të ndërpriste lëvizjen.Të gjendur përpara urës së shkatëruar,pararoja e kolonës suhtarake italiane “Mese,njofton menjëherë qendrën dhe nën breshërinë e plumbave të shqiptarëve,nis sërish lufta e pabarabartë në kodrat e Shijakut.U desh dita tjetër e 8 prillit që trupat ushtarake italiane të merrnin rrugën në drejtim të Tiranës.Përpara kësaj lëvizjeje,bombarderët italian mundën të hedhin rreth 200 bomba 15 kilogramshe,në rajonet e Maminasit dhe të Vorës duke vënë në jetë parimin e tokës së djegur.Ndërkaq ishin pritur me luftë pushtuesit italian,edhe në portin e Shëngjinit.rreth orës 5.30 të 7 prillit,kërkuan të zbarkojnë në këtë port,kompanitë e batalionit “San Marko”,në përbërje të divizionit “Skatini”.Mbi 3000 forca nisën të zbarkojnë aty ndërsa u pritën me zjarr prej repartit kufitar të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare si edhe një kompanie vullnetarësh rezervistë.Megjithëse nuk i kalonin të 240 luftëtarët,mbrojtësit shqiptarë e shmangën me sukses desantimin e parë italian.Terreni shkëmbor mjaft i thyer i favorizonte rezervistët dhe kufitarët shqiptarë që të arrinin të kryenin një zjarr maksimal duke u mbrojtur tërësisht prej predhave armike.Kur dështoi edhe tentativa e dytë e italianëve,gjeneral A.Cuconi urdhëroi hapjen e zjarrit prej kryqëzorit “Xhiovani delle Bande Nere”.Por edhe sulmet e rojeve shqiptare të kufirit,nuk u ndërprenë.”Pas katër orë luftimesh të rrepta fashistët mundën të futen në qytetin e Lezhës ku edhe aty u pritën me pushkë prej forcave rezerviste”.( Arkivi Qendror i Ushtrisë – Tiranë , kuti 81 , dokumenti 19 ).
Një qëndresë e fortë,iu bë autokolonës italiane,edhe në urën e Bahaçallëkut,në afërsi të qytetit të Shkodrës.Për hirë të së vërtetës duhet thënë se,në ditët e para të prillit,në këtë qytet ku ndikimi i konfesionit katolik ishte tejet i madh,qenë bërë disa tentativa nga elementë profashistë që ta paraqisnin këtë pushtim,si shpëtim për kombin shqiptar.Ata provokuan të ngrenë edhe disa grupe fëmijësh që të dilnin në hyrje të qytetit me tufa lule.Por ishin pikërisht nacionalistët si Zef Pali,Jup Kazasi,Faik Quku etj,të cilët agjituan me të rinjtë nacionalistë duke i frymëzuar për ta pritur pushtuesin sipas zakonit tradicional të shqiptarit ditët që rodhën më pas,vërtetuan edhe një herë dretësinë dhe largëpamësinë e ideve të nacionalizmës shqiptare.Ndërkaq në afërsi të Urës së Bahçallëkut,ishin dislokuar me bateri topash 65 mm edhe disa nënreparte me ushtarë rezervistë të atyre trevave.Në ndihmë të këtij formacioni,kish ardhur edhe një batalion xhandarmërie nga Puka i cili pat zënë vijën nga ura e Kirit deri në Vaun e Dejes.Edhe këtu,beteja u ndez e ashpër dhe vazhdoi në krejt ditën dhe muzgun e 7 prillit.Më pas me ardhjen e forcave të reja ushtarake italiane, të përforcuara prej avionësh,tankesh e topash,ushtria kombëtare shqiptare u detyrua të tërhiqej duke luftuar.Vazhdimi i mëtejshëm i luftës do të ishte aventurë,ngase rrezikohej jeta e mijëra banorëve të pafajshëm të qytetit.Pushtimi fashist italian,u prit me indinjatë të madhe sidomos në qytetin e Vlorës.Në mbrëmjen e 6 prillit 1939,disa qindra xhandarë e ushtarë të kufirit të ushtrisë kombëtare shqiptare,u rreshtuan në një front gati 10 kilometrash,prej vendit të quajtur Ujë i Ftohtë e deri në gjirin e Triportit.Në ndihmë të reparteve të rregullta të ushtrisë kombëtare shkuan edhe disa dhjetra vullnetarë të armatosur,nën komandën e nacionalistëve të njohur të Vlorës.E vërteta është se në ato ditë prilli,kushtrimi ftoi për në Vlorë edhe mjaft burra të Beratit,Fierit,Mallakastrës e Tepelenës.Por këta,për arsye të organizimit,nuk kanë artur të jenë atje më datë 7 prilli,në mbrojtje të portit të qytetit.Të parët që zbarkuan në Vlorë në agimin e 7 prillit,kanë qenë pilërisht,milicët e grupit fashist “Nanini” të paisur me bateri mortajash të kalibreve të ndryshme.Këta marinarë,bënin pjesë në kolonën e tretë,përndryshe “Bernardi” e cila numëronte në skalionin e parë 2800 vetë.Që në fillim,ajo u mbështet me zjarr prej kryqëzorit të lehtë “Abruci” si edhe dhjetë avionë luftarake bombardues.Por ende pa shkelur në gjirin e bukur të Vlorës,ata u vunë nën breshërinë e topave dhe mortajave të njësive të Ushtrisë sonë Kombëtare.Aty ku zjarri i artilerisë shqiptare bëhej i paefektshëm,territori mbulohej prej vullnetarëve vlonjatë,trima të sprovuar nëpër vite. Fillimisht trupat u gjendën përballë hutimit të madh. Më tej ata u mbështetën nga reparte të fshehta dhe sidomos nga artileria dhe aviacioni.Sidoqoftë përleshja ishte e madhe ndonëse e pabarabartë.
“Pas disa ore luftimesh,trupat italiane mundën të kapin skelen e qytetit,pasi kishin lënë një numër mjaft të madh të vrarësh e të plagosurish dhe pasi mbrojtësit ishin tërhequr nga që,po u mbaroheshin fishekët.Në këto rrethana forcat popullore u tërhoqën rrugëve të qytetit drejt kodrave,kryesisht në drejtim të Qafës së Koçiut dhe të Kaninës,me shpresë se atje mund të organizohej një qëndresë tjetër”.(K.Kurti,”Për Mbrojtjen e Atdheut”,Tiranë,1984, nr.4 ).
Një faqe tjetër heroizmi u shkrua prej ushtarëve dhe kudrove të ushtrisë sonë kombëtare,në kodrat mbi qytetin e vlorës,në vendin e quajtur Bestrova.Në përpjekje për të kapur se më shpejt qytetin e Fierit,forcat italiane nisën marrëshimin dhe u detyruan të ndalen 2-3 kilometra larg Bestrovës prej nga shqiptarët qëllonin me armë artilerie.Ngase rruga duhej çarë patjetër,komandanti italian i kolonës u detyrua të dërgojë si pararojë,një togë bersaljeresh pothuaj 40 ushtarë,të paisur më së miri dhe të stërvitur për këtë lloj luftimesh.Forcat shqiptare,duke e kuptuar manovrën,e lanë togën e bersaljerëve të futej me thellësi të pozicioneve të tyre,duke hapur më tej,mbi te,një zjerr tejet të fuqishëm.Për rrjedhojë,efektivi i krejt bresaljereve u sgjësua.Forcat italiane u detyruan të ndalen përballë Bestrovës dhe ishte mëngjezi i 8 prillit që ai çoi në fillimin sërish të lëvizjes së tyre,kurdoherë nën veprimet e pjesshme luftarake të reparteve të ushtrisë kombëtare shqiptare.Qëndresa shqiptare u shtri më 7 prill deri në portin e vogël të qytetit të Sarandës ku forcat e batalionit “San Marko” u gozhduan me orë të tëra në breg,pa mundur të fitojnë territore.Vetëm pas 4-5 ore luftimesh të përgjakshme,ku dhan jetën edhe disa nacionalistë,kolona e pushtuesve me rreth 2500 ushtarë mundi të hyje në rrugët e qytetit të vogël jugorë.Ajo çka sarandiotët treguan më 7 prill të vitit 1939,vlejti shumë për Musolinin i cili e pat pagëzuar qytetin me emrin e vajzës së tij.Parë në një gjatësi kohore prej 6 deceniesh, 7 prilli i vitit 1939,mendoi se nuk duhet vlersuar vetëm në aspektin historik apo ushtarak.Edhe në këtë rrafsh vlerat janë të mëdha,po të kujtojmë se u vranë e plagosën mbi 500 ushtarë italian.”Të gjithë të vrarët dhe të palgosurit ishin ngarkuar në anijet, deri sa të vinte anija-spital e cila sigurisht nuk vonoi”.(“Documents of.British Foreign Policu” faqe 192 ).Por une mendoj se vlerat e kësaj qëndrese (e para në Evropë ndaj fashizmit Italian) duhen parë në ate se kush e organizoi,ideoi e drejtoi.Mbreti i Shqiptarëve i detyruar prej rrethanave të pashmangshme,duke mos dashur të përgjakë popullin e vet në një luftë fatale,u largua,Ky akt është sigurisht një tjetër temë.
Tani nga largësia e këtyre decenieve,vlen të rishikohet edhe një herë realisht,pa ngjyrime politike,pa emocione e paragjykime,pikërisht roli i pakundërshtueshëm i nacionalizmit shqiptar i cili pa dyshim u bë promotor i kësaj qëndrese.Këta bij të denj nacionalistë,gjeneruan në shpirtin dhe mendjen e tyre vetëm dashuri për atdheun dhe nuk fshehën këtë dashuri.Vetëm dy javë më pas,në ilegalitet të plotë,u krijua prej të madhit Mid’hat Frashëri,Fronti Nacional,përndryshe në përkthim shqi Organizata e Ballit Kombëtar.Dihet tanimë se në themele të vendeve dhe ideve të kësaj organizate ishte çlirimi i vendit nga pushtuesi fashist.Parë në këtë rrafsh,mendoj se qëndresa e 7 prillit askurrë nuk duhet trajtuar si deri tani gjoja si revoltë spontane.Ajo ka qenë dhe mbetet një lëvizje popullore liridashëse e drejtuar nga nacionalistët shqiptar.Ajo ende sot rezonon rezistencën ndaj fateve të Shqipërisë.
Bern-Zvicër