Nga Safet Ramolli/
Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Ndërsa simbolikisht, Kuvendi i Vlorës është i pazëvendësueshëm, sepse realizoi pavarësinë e Shqipërisë pas gati pesë shekujsh robërie, për nga rezultatet e realizuara, ky kongres mbetet mbresëlënës. Ai i dha popullit shqiptar një Shtet Modern me parametra demokratikë evropianë e më tutje; zgjidhi në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e garantimit të tërësisë territoriale të vendit; mundësoi anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara, (e cila kishte mision garantimin e paqes e të sigurisë, OKB-ja e tashme; krijoi një kabinet qeveritar që punonte sipas interesave të popullit; realizoi unitetin e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë për mbrojtjen e tërësisë territoriale; zgjidhi problemin e kryeqytetit të vendit (ajo do të ishte Tirana); forcoi rendin e sigurinë; veproi me zgjuarsi dhe atdhetarizëm për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, e mjaft të tjera, që do të bëjmë kujdes t’i trajtomë më hollësisht më poshtë.
Kongresi i Lushnjës: një zgjidhje e mençur për të ndaluar copëzimin e Shqipërisë.
Zhvillimi dhe përfundimi i Luftës I Botërore, ashtu si mjaft shtete të tjera, e rrënoi Shqipërinë ekonomikisht, ashtu si uniteti i popullsisë u shpërbë. Njëherësh, rreziku i copëtimit të trojeve autoktone, i përballi patriotët shqiptarë me përgjegjësinë atdhetare e morale për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto situata kritike u mbajt Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i ngjashëm me atë të Vlorës (28 nëntor 1912). Dokumentet arkivore ndriçojnë mjaft probleme me interes. Prej tyre mësojmë se mbledhja ishte caktuar të bëhej më 21 janar 1920, ora 10.00, ditë e mërkurë. Por me që shumica e delegatëve, (pos të tjerash edhe për shkak të shpërndarjes me vonesë të fletë-thirrjeve), nuk u paraqitën, u gjykua që punimet të vazhdojnë më 28 janar. Koha njëjavore u la për përgatitjen e punimeve. Delegatët u mblodhën tek banesa e patriotit Kase Fuga. I nderuari, kleriku Sheh Ibrahim Karbunara, përmes një lutjeve kreu ritin fetar. Mandej Ferid bej Vokopola, uroi mirëseardhjen e delegatëve. Aqif pashë Elbasani, delegat i Elbasanit, u përgjegj me një ligjëratë të shkurtër por “me fjalë patriotike të flakta”. Kuvendi filloi punimet duke emëruar përkohësisht si sekretar z. Ferid bej Vokopola. U zgjodh një komision i përbërë nga Ibraim bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotte, Fazlli Frashëri dhe Adem Peqini, i cili do të verifikonte letërpërfaqësimet e delegatëve.
Të mërkurën, datë 28, ora 14.00, meqë ishin paraqitur shumica e delegatëve, Kuvendi rifilloi punimet. Në emër të grupit nismëtar, z. Xhavit Leskoviku, sqaroi domosdoshmërinë e mbledhjes së tij (mbledhje kombëtare S.R, duke nënvizuar edhe sa vijon: “… përmbi gjendje kritike t’Atdheut…, do të diskutojmë dhe vendosim bashkarisht”. Mbarëvajtjen e punimeve do ta menaxhonte kryesia e përbërë nga: Aqif pashë Elbasani – kryetar, Sotir Peci – n/kryetar, Kostaq Kotta e Ferid bej Vokopola-sekretarë. Mandej delegatët bënë betimin sipas formulës: “Mbledhja Kombëtare jep fjalën e nderit e besën shqiptare, duke betue n’emën të Perëndisë se deri sa Këshilla e Naltë vepron simbas Ligjit të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mbrojtës e përkrahës i gjithëanëshëm i kësaj Këshille”. Pra, përfaqësuesit e popullit betohen në emër të cilësive të larta të karakterit dhe trashëgimisë zakonore të popullit: Nder e Besë, ashtu si premtojnë ndihmë e përkrahje në emër të Perëndisë, por veprimtaria do të bazohet në ligjet e shtetit duke ruajtur domosdoshmërisht pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Kongresi mori disa vendime të rëndësishme në interes të popullit si: rrëzimi me vota unanime i Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit, (krijuar në dhjetor 1918); zgjodhi delegacionin që do të pëfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes, që do të mbahej në Paris, i përbërë nga: imzot Bumçi, Mehmet Konitza (Konica, Mihal Turtulli; zgjodhi Këshillin e Naltë të përbërë nga: Aqif pashë Elbasani, imzot Bumçi, dr. Mihal Turtulli, Abdi bej Toptani. (Ky këshill përfaqësonte kryetarin e Shtetit deri sa të përcaktohej prej Asamblesë Kushtetuese forma e regjimit; u formua një Këshill Kombëtar (me 37 këshillonjësme atributet e Parlamentit; u zgjodh Kabineti Qeveritar i Përkohshëm me përbërje: Sulejman Delvina – kryetar; Eshref bej Frashëri – n/kryetar; Ahmet bej Mati (Zogolli- ministër i punëve të brendëshme; Mehmet bej Konitza (Konica- ministër i punëve të jashtme; Ndoc Çoba – ministër i financave; Idhomen Kosturi – zv/ministër i financave; Hoxhë Kadria – ministër i drejtësisë; Hysen bej Vrioni – zv/ministër i drejtësisë; Sotir Peci – ministër i arsimit; u formuan dy drejtori të përgjithëshme (e Punëve Botore me drejtor Eshref bej Frashëri, dhe e Postë-Telegrafeve me drejtor Idhomen Kosturi).
Këto dhe të tjera vendime janë mëse të rëndësishme sepse përbëjnë themelet e ndërtesës së Shtetit të Ri Modern Evropian, i cili u njoh herët nga SHBA-ja dhe ish-BS-ja. Drejtuesit e shtetit në përgjithësi ishin nga intelektualët dhe patriotët më në zë të kohës. Kreu i qeverisë, S. Delvina është i njohur si një ndër statistët më të aftë në Shqipëri e rajon. Ndërkohë, në një nga vendimet e Kongresit përcillet mesazhi: “Nëpunësit do të vijojnë punë me ndërgjegje dhe me vullnet të gjallë mbas ligjeve të Shtetit Shqiptar, duke kryer detyrën e tyre për Atdhe e Popull”.
Rëndësi ka edhe fakti që Këshilli i Lartë, si organ kolegjial në funksion të Kryetarit të Shtetit (Presidentit të Republikës S.R) detyrat do t’i kryente mbi bazën e disa parimeve, që përbëjnë bazën kushtetuese apo kanunore të tij. Ai jep pëlqimin për çdo propozim të Kabinetit të vërtetuar nga Senati; në kohë krize qeveritare ka tagrin të caktojë një kryeministër që formon kabinetin e ri qeveritar, i cili votohet nga Senati; në se kryetari i kabinetit rrëzohet tre herë prej Senatit, atëherë Këshilli i Lartë thërret mbledhjen e popullit, (ndoshta një alternativë kjo e referendumit në ditët tona S.R); ky këshill nuk ka tagrin të shpërndajë senatin edhe kur krijohen mosmarrëveshje; (Senatin dhe Këshillin e Lartë mund t’i mënjanojë vetëm Mbledhja e Përgjithshme Kombëtare); në se një anëtar i Këshillit të Lartë jep dorëheqjen, detyrën e përmbushin tre të tjerët, por kur dorëhiqen dy anëtarë, ata i zëvendëson Senati me të tjerë; Këshilli i Lartë deklarohet i rrëzuar kur vjen mbreti në Fronin e Lartë; votimi për Këshillin e Lartë bëhet i hapur, pasi të jenë bërë propozimet prej Senatit (Këshilli i Lartë i parë u propozua prej intelektualit Iljaz bej Vrioni S.R); Senati voton edhe Kabinetin Qeveritar; Këshilli i Lartë betohet përpara Kongresit Kombëtar, kurse Kabineti Qeveritar betohet përpara Këshillit të Lartë.
Këshilli i Lartë betohet sipas kësaj formule: “Betohem n’emën të Perëndisë tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit para Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe Shtetit Shqiptar drejtësisht e do të mprojë ligjet dhe indipendencën (pavarësinë S.R) e plotë t’Atdheut Shenjt”. Në këtë formulë zënë vend tiparet thelbësore të karakterit të shqiptarit: Besa, Nderi, Drejtësia, Vendosmëria, ashtu si Atdheu epitetohet “i shenjtë”. Shtetarët motivohen nga zbatimi i ligjeve, ndërsathelbin e misionit të tyre e përbëjnë: mbrojta e ligjeve dhe e pavarësisë së Atdheut.
Kongresi i Lushnjës pati tagrin e një Kuvendi Mbarëshqiptar. Në të u përfaqësun gjithë trevat shqiptare. (Munguan për shkak të rrugëve të vështira delegatët e Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Gjakovës, të cilët u njohën me procesverbalin e Kongresit, pranuan vendimet e tij dhe Kabinetin Qeveritar. Në emër të tyre firmosën të autorizuar delegatët e trevave veriore. Nga procesverbali mësojmë se në Kongres kanë marrë pjesë emra të njohur të politikës, inteligencies, klerit dhe patriotizmës nga gjithë trevat. Thirrja e delegatëve ishte: “Të jemi të bashkuar për shpëtimin e Atdheut”! Kuvendi ishte gjithëkombëtar, qëllimi ishte shpëtimi i Atdheut, vendimet ishin me karakter kombëtar, por nuk pati nacionalizma të tepruara. Kjo bëri që vendimet e Kongresit dhe Kabineti Qeveritar u pëlqyen nga SHBA-ja, ish-BS-ja, mandej dhe nga shtete të tjera. Nga gjithë këto zhvillime thelbësor evident mbetet fakti që ky shtet u njoh si Shteti i Parë Modern, me program kombëtar, por të zhveshur nga nacionalizmat dhe ksenofobizmat ekstreme.
Veç vendimeve të mësipërme, Kongresi pati si vendime thelbësore edhe: riafirmimin e pavarësisë të arritur më 28 Nëntor 1912; hodhi poshtë planet përçarëse të Konferencës së Parisit mbajtur në janar 1919; zgjodhi Këshillin e Lartë (i përbërë nga Aqif pashë Elbasani, Mihal Turtulli, imzot Bumçi dhe Abdi pashë Toptani) me tagrin e Kryetarit të Shtetit; zgjodhi Këshillin Kombëtar si alternativë e Parlamenit; shpalli të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi Qeverinë nën drejtimin e S. Delvinës, e cila; më 11 shkurt 1920 u vendos në Tiranë, (datë kjo e themelimit të kryeqytetit të Shqipërisë S.R.
Cilat ishin problemet imediate që duhej të zgjidhte Shteti i Ri Shqiptar?
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, për të mundësuar zbatimin e vendimeve të kuvendit, duhej të zgjidhte me emergjencë disa detyra. Së pari, të siguronte administrimin e gjithë popullsisë si dhe të garantonte tërësinë territoriale duke çliruar Vlorën, që mbahej e pushtuar nga Italia. Brenda dy muajve ajo mori në administrim pjesën më të madhe të territorit duke ribashkuar edhe Shkodrën, e cila rrezikohej nga forcat ushtarake jugosllave të dislokuara tek ura e Bunës. I kërkoi qeverisë Italiane të hiqte dorë nga politika pushtuese, prandaj inicioi lëvizjen për çlirim në territoret e pushtuara duke ndihmuar në rrugë të ndryshme jozyrtare për të shmangur një konflikt ndër-rajonal. Në krye të organizimit të kryengritjes u vunë rrethet patriotike duke krijuar “Komitete të Mbrojtjes Kombëtare”, më aktivi i të cilëve ishte ai i Vlorës i drejtuar nga patrioti Osman Haxhia, si dhe “Organizata e të Rinjve Intelektualë” me Halim Xhelon në krye. Më 29 maj u mblodh Kuvendi i Barçallasë, i cili vendosi fillimin e kryengritjes çlirimtare. U bë organizimi ushtarak duke krijuar çeta kryengritësish në bazë fshati, të cilat në pak ditë krijuan një forcë të armatosur prej 4. 000 vetash. Njëherësh u ndërmorën edhe hapa diplomatike. Më 10 prill u ra dakort me Jugosllavinë që ajo të mbante trupa ushtarake në verilindje deri sa të largoheshin italianët, ndërsa me Greqinë u arrit marrëveshja që të mos përfshiheshin në rast konflikti të armatosur. Ndërkohë qeveria italiane bëri disa arrestime, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Por patriotët shqiptarë me çetat kryengritëse u vunë vullnetarisht nën urdhrat e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Meqenëse forcat italiane nuk zbatuan kërkesat e një ultimatumi, më 5 qershor filloi sulmi i armatosur kundër garnizoneve italiane. Kryengritja u shndërrua shpejt në kryengritje të përgjithshme. Më 6 qershor u dorëzuan garnizonet italiane në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Metohasanaj, dhe pas pak ditësh edhe ai i Llogarasë. Më 11 qershor filloi sulmi i përgjithshëm për çlirimin e Vlorës. Më 2 gusht u nënëshkrua në Tiranë një protokoll përmes të cilit qeveria italiane pranonte sovranitetin e plotë të Shtetit Shqiptar. Më 3 shtator forcat kryengritëse hynë në Vlorë si fitimtare. Kryengritja shqiptare u mbështet nga forcat demokratike të mjaft vendeve, përfshi edhe të Italisë, prandaj qeveria e Romës u detyrua të rivlerësojë qëndrimin e saj lidhur me Shqipërinë.
Kryengritja e armatosur u përkrah nga mbarë populli i cili kontribuoi me ndihma financiare, materiale, drithë, bagëti etj. Ndërkohë forcat qeveritare të komanduara nga Bajram Curri shpartalluan bandat esadiste që vepronin në Shqipërinë e Mesme. Fitoren e përshëndetën forcat demokrate evropiane. Më 13 qershor demokrati Avni Rustemi, vrau në Paris Esat pashë Toptanin, i cili ishte daja i Ahmet Zogut. Qeveria italiane tentoi të arrinte një marrëveshje për prezencën e forcave italiane në disa pika strategjike, që nuk u pranua nga qeveria e Tiranës, e cila lejoi një forcë italiane vetëm në ishullin e Sazanit. Fitorja pati rëndësi sepse Italisë i pritej oreksi për pretendime territoriale në Shqipëri, nga ana tjetër, ajo nuk do të ishte dakort me pretendime territoriale të Italisë dhe Greqisë në Shqipëri.
Kjo luftë pati protagonistët e vet, kryesor mbetet populli që mbajti peshën kryesore të një përballjeje me një fuqi disa herë më të madhe. Në krye të tij u vunë patriotë që hynë në histori, e që janë të gjallë në memorjen e popullit si: Osman Haxhia, Selam Musai, Zigur Lelo, Dede Dajlani, Tato Bolena, Myhedin Mysteaku, Lilo Micolli, dhe dhjetra të tjerë. Kjo epope është përjetësuar edhe në vepra arti, midis të cilave spikat romani “Ultimatumi” i shkrimtarit patriot Petro Marko, por edhe “heroizmi i gunave mbi tela me gjemba kundër topave me alitrikë”, sikurse shprehet populli.
Përballimi i ndërhyrjeve nga jashtë dhe zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në përfundim të Luftës së Vlorës, meqenëse Serbia nuk i qëndroi besnike marrëveshjes së nënshkruar, rilindi konflikti i armatosur në afërsi të Koplikut. Nën pushtimin serb ende ishte Malësia e Kelmendit si dhe disa krahina të Kukësit dhe Peshkopisë, të cilat viti 1913 i kishte lënë në territorin e shtetit shqiptar. Serbia nuk po tërhiqej paqësisht, prandaj pas luftimesh të ashpra në gusht ajo u tërhoq, por për t’u rikthyer përsëri. Pushtuesit serbë ushtruan terror të egër, sidomos në vitin 1921 në Dibër, të përkrahur edhe nga bandat esadiste që vepronin në Shqipërinë e Mesme. Qeveria Shqiptare i bëri thirrje popullit që t’i dilte zot Vatanit. Mijëra luftëtarë të lirisë u organizuan në formacione të rregullta, për rrjedhojë forcat serbe u thyen. Këshilli Kombëtar i kërkoi Serbisë t’i jepte fund terrorit, duke iu drejtuar edhe opinionit progresist evropian. Në këtë mënyrë çështja shqiptare u ndërkombëtarizua. Në vitin 1919 u krijuar edhe Lidhja e Kombeve të Bashkuara, me mision garantimin e paqes e të sigurisë në botë. Në tetor 1920, qeveria shqiptare, me një delegacion të drejtuar nga Fan Noli bëri kërkesë të anëtarësohej në këtë organizatë. Edhe pse u kundërshtua nga fqinjët, pas këmbënguljes së Anglisë, (nisur nga interesat e saj imediate në Shqipëri S.R Shqipëria më 17 dhjetor 1920 u pranua në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara, vetëm me votën “kundra” të Francës.
Në vitin 1921 Qeveria Shqiptare bëri mjaft përpjekje intensive diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, por ato kundërshtuan, me synimin që të ruanin pushtimin në zonat që kishin nën zotërim. Prandaj më 9 nëntor “Çështja Shqiptare” u bë objekt diskutimi në Konferencën e Ambasadorëve në Paris. Konferenca mori dy vendime në kundërshtim me interesat e Shqipërisë: duke i copëzuar edhe një herë territoret shqiptare, sikurse kishte ndodhur më 1878, 1880 dhe 1913, duke i aneksuar Jugosllavisë territore nga krahina e Lumës, Hasit dhe Gollobordës. Ajo i jepte pozitë favorizuese Italisë për të ndërhyrë në rast se cënohej pavarësia politike dhe ekonomike. Po këtë mot pati veprimtari të dendur patriotike edhe për çlirimin e Kosovës, deri me veprime të armatosura. Pra, mbi trungun autokton shqiptar u gatuan dhe u realizuan copëtime të herëpasherëshme.
Si përfundim mund të nënvizojmë se, Shqipëria në vitet 1914-1920 u kthye në shesh beteje midis fuqive të huaja; ajo shërbeu disa herë jo vetëm si objekt diskutimesh në kancelaritë evropiane, por edhe si objekt sulmi; në disa raste ajo është konsideruar nga Fuqitë e Mëdha Evropiane si plaçkë tregu për të joshur orekset e fqinjëve shovenë. Në të gjitha rastet është diskutuar e gjykuar, por edhe vendosur në disfavor të saj, duke vendosur krejt arbitrarisht copëtimin e saj për të katërtën herë. Vetëm në sajë të këmbënguljes të presidentit amerikan Willson vendi ynë shpëtoi nga copëzimet e egra.